Pjerrinat e papërshtatshme në Fier i mohojnë të drejtën e lëvizjes personave me aftësi të kufizuara

Foto: Rampë jashtë standardeve pranë Bashkisë së Fierit; Autor | Gëzim Hoxha

Bashkia e Fierit ka njohur kohët e fundit një bum investimesh në infrastrukturë. Kilometra të tëra janë asfaltuar dhe nëpër trotuaret e rinj nuk mungojnë as korsitë e biçikletave. Kjo është përpjekja e parë serioze e kësaj bashkie për të nxitur transportin e gjelbër. Por të bie në sy që në këtë korsi mungon shenja e një karrigeje me rrota që tregon se ajo mund të përdorej edhe nga para/tetraplegjikët.

Në Fier banojnë jo pak por 330 prej syresh, të cilët sipas të dhënave zyrtare figurojnë të regjistruar dhe marrin pagesën e aftësisë së kufizuar. Një gjë të tillë e pamundëson edhe cilësia jo e mirë e pjerrinave. Për këtë, intervistuam një person të cilin halli e ka bërë ndoshta edhe më ekspert se të gjithë inxhinierët e ndërtimit.

Shaban Konja

Shaban Konjën e gjejmë tek selia e Federatës së Familjes pjesë e të cilës është prej mëse dhjetë vjetësh. Biseda me të rrjedh e qetë teksa ai nis të flasë për shqetësimin e tij, pjerrinat. Ai është 33 vjeç dhe qysh prej nëntorit të 2009 nuk mundi të ecë më si pasojë e një aksidenti. Ai i nënshtrohet një procesi rehabilitimi në Turqi dhe ia nis nga e para në 2010 – tën. Shabani është i martuar dhe me bashkëshorten e tij, i janë përkushtuar promovimit të familjes.

Sipas tij, një pjerrinë e mirë është ajo, raporti i lartësisë me gjatësinë e së cilës është maksimumi 6%. Duket se këtë të dhënë e saktëson edhe neni 9 i VKM nr 1503 i vitit 2008, vendim në të cilin specifikohet se si duhet të jetë një rampë e përdorshme.

Po a ka pjerrina të mira në Fier? Ai pohon me kokë dhe na tregon se të gjitha pjerrinat e shëtitores kryesore të qytetit deri tek rreth rrotullimi përballë televizionit Kombi janë të mira. Por problemi i kësaj shëtitoreje është fakti që aty nuk ka dalje, ndoshta ngaqë ajo pjesë trotuari nuk është rikonstruktuar akoma.

Pyetjes se sa e lehtë është të lëvizë rrugëve të qytetit i pashoqëruar, ai i përgjigjet: “Nuk është aspak e lehtë”- duke rreshtuar vështirësitë e hasura kur del me një karrige me rrota manuale. E para prej vështirësive në listën e tij shkaktohet prej bareve. “Edhe nëse aty mund të ketë ndonjë pjerrinë” – thotë Shabani, – “ti nuk mund të kalosh sepse nuk ke nga të sillesh nga tavolinat.” Tjetër  pengesë është pjerrësia e trotuareve që shërbejnë për futjen e makinave në ndonjë servis makinash si për shembull tek pesëmbëdhjetëkatëshi. Aty e gjithë sipërfaqja e trotuarit është e pjerrët dhe e bën të pakalueshëm për dikë që lëviz me një karrige me rrota, pasi ai humbet kontrollin e saj.

Për të pjerrinat më të këqija janë ato tek trotuari buzë shkollës “Andon Xoxa” apo edhe tek trotuari përbri saj: “Të dy këto trotuare janë të reja”, – thotë Shabani, – “por unë dhe kushdo si unë nuk mund të ecë në to sepse jo vetëm që aty ka një si shkallë shumë të lartë, por edhe baza e pjerrinës është e kufizuar me një kënd të drejtë. Kjo e pamundëson manovrimin. Ato duheshin të ishin të gjera. Sidomos ata që e kanë për herë të parë që përdorin një karrige manuale me rrota patjetër që do të rrëzohej kur të tentonte të hypte në këtë trotuar.”

Një tjetër detaj që i bën të gjitha pjerrinat e rrugës rrugës Pinallopi Pirro të papërshtatshme është edhe pjerrësia e madhe e betonit që shërben si ulluk për kullimin e ujërave të bardha.

Edhe pjerrinat e trotuareve të reja përgjatë rrugës përbri shkollës së muzikës janë të papërshtatshme. Kjo ndodh sepse një pjesë e tyre kanë bazë harkore dhe në momentin që ti bëhesh gati të ngjitësh karrocën, mund të ndodhë që njëra nga rrotat e para të rrëshqasë.

Foto: Rampat në zonën e 15 katëshit (Fier), Rr. Pinallopi Pirro dhe pranë Godinës së Bashkisë Fier

Problem tjetër është edhe ajo si shkallë e vogël që formohet midis prag trotuarit dhe bazës së pjerrinës. Këtë pengesë personat aktivë që kanë dëmtuar pjesën lambare të shtyllës kurrizore (ajo ndodhet poshtë kërthizës deri tek kërbishtja) e kalojnë pa problem për shkak se ata ndihmohen nga shtytja e muskujve të barkut. Po për personat pasivë të cilët kanë dëmtuar pjesën çervikale (vertebrat e qafës dhe ato të fillim shpatullës) apo atë toroarkale (vertebrat e kraharorit deri tek kërthiza) si i bëhet? Atyre iu cënohet rëndë e drejta e lëvizjes pasi ata nuk kanë fare muskuj barku.

Lexo më shumë:

Fier, mungesa e pjerrinave në institucione (Vitit 2017) – Kanë kaluar 2 vjet dhe gjendja nuk është se ka ndryshuar shumë

“Për pjerrinën që është ndërtuar rishtazi tek Konadi dhe ato tek sheshi Fitorja ende nuk mund të gjykohet pasi punimet ende nuk kanë mbaruar. – Por ajo që vura re një ditë kur kalova andej, – përfundon Shabani, – “ishte fakti që pjesa e betontë që pason asfaltin e rrugës është e pjerrët”.

Olsi Alushaj

Për të marrë një opinion ndryshe takojmë Olsi Alushaj. Ai është 31 vjeç, studion për shkenca politike dhe shëtit shpesh mbrëmjeve me karrigen elektrike. Ai nuk dëshiron të flasë për jetën e tij private: “Nuk ka rëndësi kur u bëra kështu, por rëndësi ka fakti sa kohë ka që përballem me këtë realitet.”
Më tej ai tregon se si iu rikthye shkollës dhe u bë sërish aktiv në vitin 2014: “Ka qenë e vështirë, – thotë Olsi– sepse në këtë kohë gjimnazi “Janaq Kilica” nuk kish fare pjerrinë. – Mua më ndihmonte një shok, ai e ngrinte karrigen time me rrota.”

Por për të fjala “aktiv” nuk do të thotë vetëm të dalësh nga shtëpia. Ai rrëfen për Citizens Channel se është bërë pjesë e shoqërisë civile duke u përfshirë në projekte të ndryshme sensibilizimi, por edhe duke folur për problematikat e personave me aftësi ndryshe.

Edhe pse për të Fieri ka ndryshuar për mirë, Olsi akoma has vështirësi të ndryshme kur del nga shtëpia. Mungesa e ndriçimit në disa prej rrugëve ku ai shëtit dhe gropat para shtëpisë së tij janë ato që e pengojnë lëvizjen e tij më së shumti. Ndërsa për pjerrinat ai thotë se nuk has ndonjë vështirësi kur kalon në to pasi karrigia e tij është elektrike: “Nuk flas dot se çfarë vështirësish hasin ata që kanë karrige manuale por ma ha mendja se duhet të jetë goxha e vështirë”.

Bashkia e Fierit “fajëson” projektuesit dhe qytetarët për mungesëne përshtatmërisë
Enkelejda Peshkëpia

Për të parë se çfarë mund të bëhet për të ndryshuar diçka shkojmë në bashki. Aty na pret vetë nënkryetarja e bashkisë zj Enkelejda Peshkëpia. Pyetjes se sa e përshtatshme është infrastruktura rrugore për personat me aftësi ndryshe ajo i përgjigjet shkurt: – Ka ende shumë për tu bërë. Kur i tregojmë për pretendimet e Shabanit, ajo i mban të gjitha shënim dhe tregon se ka ngritur një komision për verifikimin e tyre pasi ato tashmë kanë mbërritur edhe në Këshillin Bashkiak.

Ajo fajësoi projektuesin për mungesë konsultimesh me grupin e interesit para hartimit dhe zbatimit të projekteve infrastrukturore të cilat përfshijnë edhe pjerrinat. Edhe pse shoqata e para dhe tetraplegjikëve është pothuaj inekzistente nuk është detyra e saj të ushtrojë presion për të kërkuar zbatimin e rregullores “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e PAK -ve.”

Në këtë rregullore thuhet qartë e zeza në të bardhë ajo duhet të zbatohet në të gjitha objektet e reja që ndërtohen në territorin e Republikës së Shqipërisë, qofshin ato objekte publike të ndërtuara me fonde të buxhetit të shtetit apo fonde private, qofshin ato objekte private. Në hapësirat publike dhe ndërtimet e reja me karakter të përkohshëm, ose në hapësirat publike dhe objektet ekzistuese nëse do t’i nënshtrohen rikonstruksionit.

Për më tepër bashkisë ndoshta i ka shpëtuar një detaj i vogël: Sipas VKM në fjalë projekti duhet të kishte pasur deklaratën e autorit të projektit, nëpërmjet së cilës vërtetohet konformiteti i projektit me dispozitat që përmban kjo rregullore. Për të mos thënë se kjo ka munguar le të themi se asaj nuk i është kushtuar rëndësia e duhur. Këtu duhet të ketë çaluar ndoshta edhe diçka tjetër certifikimi i përshtatshmërisë së punimeve.

“Për momentin nuk mund të bëjmë më tepër – sqaron Enkelejda, – pasi nuk na lejon as buxheti. Por ajo u zotua që në buxhetin e vitit që vjen do ketë një zë të veçantë që do të quhet buxhet social. Ai do të përfshijë kostot për pajisjen e të gjitha institucioneve me pjerrina si dhe rregullimin e atyre ekzistuese”.

E deri në hartimin dhe zbatimin e projekteve që do përfshihen në buxhetin special me zëra të ndryshëm, sërish para dhe tetraplegjikëve do iu privohet e drejta e shfrytëzimit të hapësirave të qytetit të tyre, e drejtë e sanksionuar edhe nga ligjet që janë ende në fuqi.

*Ky artikull u realizua në vazhdimësi të ciklit të trajnimeve “Mjetet dhe Teknikat e Raportimit Lokal”, të organizuar nga Citizens Channel

Autor: Gëzim Hoxha

Gëzim Hoxha ka lindur në Shkodër më 26,11,1973. I diplomuar me Master në marketing dhe kontabilitet. Ka hyrë në botën e medias që në vitin 2015 si opinionist dhe përkthyes nëpër gazeta dhe portale të ndryshme. Angazhohet për Citizens Channel që në Qeshor të vitit 2017.

“Eja mbështet një shok për kokë”, protestuesit kërkojnë shërbime institucionale për PAK

Nën moton “Eja mbështet një shok për kokë” fondacioni Down Syndrome Albania (DSA) së bashku me 9 organizata të tjera të shoqërisë civile Pro PAK organizuan marshim-protestën e cila kishte pikënisjen tek Parlamenti i Shqipëri për t’u zhvendosur më pas drejt Kryeministrisë. Kundrejt rolit ndërgjegjësues, organizatorët dhe qytetarët theksuan problematikat institucionale dhe sociale me të cilat hasen personat me aftësi të kufizuar në Shqipëri dhe parashtruan kërkesat e tyre lidhur me përmirësimin e situatës aktuale.

Kërkesat kryesore të pjesëmarrësve konsistojnë në zbatueshmërinë e Konventës të Organizatës së Kombeve të Bashkuara rreth Personave me Aftësi të Kufizuar. Theksi u vendos në disa fusha konkrete si ajo e arsimit dhe pasjen e mësuesve ndihmës, ofrimin e shërbimeve aftësuese e cila u mundëson një jetesë të pavarur, respektimi i legjislacionit në punësim, marrjen e shërbimeve shëndetësore dhe më tej.

Ne kërkojmë më shumë shërbime sociale sepse në moshën madhore që kam unë djalin, është 32 vjeç, ka shumë pak shërbime sociale të cilat shteti ua ofron”, informon zonja Lica Semeni teksa ndan me Citizens Channel aspektet shqetësuese të përditshmërisë së saj. Ajo ishte e pranishme së bashku me djalin e saj në protestë dhe kërkon nga institucionet përkatëse ofrimin e shërbimeve psiko-sociale të cilat të jenë të aksesueshme edhe për persona me aftësi të kufizuar që janë mbi 18 vjeç. Zonja Semeni tregon se, në mënyrë personale, ka marrë shërbime nga subjekte private.

Vështirësitë më të mëdha janë në të ardhmen, deri tani në u shërbejmë vetë, kemi lodhje ama u shërbejmë. Por çfarë t’u bëjmë në të ardhmen? Prandaj shteti të mendojë shumë për krijimin e qendrave sociale për ata fëmijë që nuk kanë mundësi“, vijon edhe më tej ajo, e cila nuk e fsheh shqetësimin e saj rreth të ardhmes së djali të saj kur ajo të mos jetë në gjendje të kujdeset më për të.

Lica Semeni, pjesëmarrëse në protestë, nën moton “Eja mbështet një shok për kokë”

Një ndër aspektet më shqetësuese për zonjën Lica është transporti publik dhe lëvizshmëria e lirë. Ajo shprehet se mungesa e librezës i hap shpesh herë probleme teksa përdor linjat e autobusëve në Tiranë.

Më shqetësojnë shërbimet që ofrohen në autobus për fëmijët që janë me aftësi të kufizuar, veçanërisht atyre me paaftësi mendore, siç e kam unë djalin. Si mund të vlejë një librezë vetëm për djalin dhe nuk vlen për mua? Djali nuk mund të bëjë asnjë veprim vetëm“, bën me dije ajo gjatë intervistës.

Kastriot Hoxhaj ishte një tjetër prind i pranishëm në marshim-protestën e ditës së sotme. Ai rrëfen me dhimbje se pagesa që merr nga ana shtetërore në formë ndihme ekonomike nuk i mjafton për të mbuluar shpenzimet dhe nevojat e dy fëmijëve të tij, të cilët janë me aftësi ndryshe.

Kam dy fëmijë, kam tjetrën në shtëpi, 27 vjeç, 22 kjo, me aftësi të kufizuar. Ilaçet me rimbursim nuk bëjnë fare efekt. Jam detyruar t’i marr, gjoja çik si më të mira, me lekë. Po shteti jonë nuk ka për t’u bërë kurrë, për 1000 vjet“, sqaron ai gjatë intervistës me Citizens Channel. Zoti Kastriot shpjegon se kjo situatë e ka mbyllur në shtëpi pasi i duhet të përkujdeset për fëmijët ndërkohë që bashkëshortja është në marrëdhënie pune.

Kastriot Hoxhaj, pjesëmarrës në protestë, nën moton “Eja mbështet një shok për kokë”

Jam gjithë ditën në tension, jam 24 orën non stop me dy fëmijë të sëmurë. Nuk kam asnjë moment mos të jem në shtëpi. Nusen e kam në punë, çfarë të bëj, punon me orë të reduktuar. Po nuk vajti ajo në punë jemi të vdekur“, tregon ai teksa sqaron se ndihmesa financiare për një fëmijë është 10.000 lekë të reja, pagesë tejet e pamjaftueshme për nevojat e fëmijëve të tij.

Në të njëjtën situatë gjendet edhe zonja Fatmira Lekiqi e cila banon në Shkodër dhe ka ardhur pikërisht për të ngritur shqetësimin e saj rreth shërbimeve që merr Arjona, vajza e saj.  

Unë kam ardhur nga Shkodra dhe protestoj sepse kërkoj kushte më të mira dhe përkrahje për kategorinë e personave me aftësi të kufizuar“, artikulon Lekiqi për Citizens Channel, duke theksuar më tej se vlera prej 10.000 lekësh të reja të ofruar nga shteti nuk i mjaftojnë për integrimin dhe marrjen e shërbimeve aftësuese për vajzën e saj.

Ajo dëshiron të ketë më shumë hapësira, aktivitete sociale dhe argëtuese për personat me aftësi ndryshe. “Nga ana ekonomike, të ngrihet pagesa dhe të jepet mundësia të aktivizohen, gjithëpërfshirje por sipas mundësive të tyre, për shembull qendra ditore ose qendra të ndryshme dhe të përfshihen aktivitete të ndryshme“, shprehet zonja Fatmira për Citizens Channel.

Arjona dëshiron të bëhet këngëtare dhe për zonjën Lekiqi do ishte shumë stimuluese dhe integruese që institucionet të mund ta ndihmonin vajzën e saj në këtë aspekt.

Fatmira Lekiqi dhe Arjona, pjesëmarrëse në protestë, nën moton “Eja mbështet një shok për kokë”

Në rastin tim do doja mbështetje pasi vajza ime dëshiron të bëhet këngëtare, kjo është gjë e mirë, që do me u ba dikush, këtu nuk gjejmë mbështetje nga shteti për me i dhanë një dorë“, vijon ajo.

Ata [personat me aftësi të kufizuar] kanë nevojë të gjithëpërfshihen, të ndjehen të pranum, me qenë të dashtun, me u pranu prej shoqnisë edhe me qenë brenda shoqnisë, jo me qenë veçantë saj“, përfundon zonja Lekiqi.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj 

Barrierat që pengojnë jetesën e pavarur të personave me aftësi të kufizuar

Agustin Aramadhi është një i ri i cili jeton në Tiranë. Aftësia e tij e kufizuar nuk e ka penguar të edukohet dhe të jetë në marrëdhënie pune, por për të nuk ka qenë aspak e lehtë. As për Agustinin dhe as për familjen e tij.

Aftësia e kufizuar në një qytet si Tirana është një sfidë aspak e lehtë – mungesës së infrastrukturës në lëvizjen e përditshme apo aksesit në shërbime i shtohet dhe komunikimi i papërshtatshëm dhe diskriminues.

Citizens Channel kreu një vëzhgim në terren me Agustinin, duke tentuar të marrim tre shërbime që janë bazike për çdo qytetar: pasaportën apo kartën e identitetit, postën shqiptare (vendi ku merret dhe pagesa e aftësisë së kufizuar) si edhe zyrat e njësisë bashkiake.

Barrierat në marrjen e pagesës të aftësisë së kufizuar 

Posta Shqiptare është një ndër shërbimet më të përdorura nga qytetarët. Personat me aftësi të kufizuara duhet të vizitojnë pikat e postës për të marrë pagesën e përmuajshme të aftësisë së kufizuar. Sipas marrëveshjeve me njësitë bashkiake, Posta kryen shpërndarjen e pagesave kundrejt një komisioni prej 50 lekësh, i cili zbritet nga shuma që PAK marrin çdo muaj. Shumë nga pikat e postës janë të paaksesueshme për PAK, çka ua bën të pamundur të marrin një shërbim që jo vetëm i takon ligjërisht, por edhe e paguajnë.

Bazuar në të dhënat që Citizens Channel disponon nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale janë 71, 096 persona që marrin pagesë për shkak të aftësisë së kufizuar dhe secilit i zbritet 50 lekëshi i shërbimit çdo muaj. Çka do të thotë se nëse çdo PAK do të drejtohej aty, Posta Shqiptare do të merrte 42,657,600 lekë për një shërbim që thjesht nuk e ofron. 

Pikat e institucionit që Citizens Channel vëzhgoi në terren jo vetëm nuk janë të aksesueshme, por shpeshherë dhe punonjësit nuk janë të trajnuar për mënyrën e komunikimit me personat me aftësi të kufizuar, kjo është arsyeja që e ka shtyrë Agustinin ta kalojë pagesën në një nga bankat private në Tiranë: “Më kujtohet përpara se ta kaloja në bankë, merrja pagesën te posta përkatëse. Ishte e pamundur që unë të hyja në ambientet e brendshme. Shumicën e rasteve çoja një nga prindërit, me kartën e identitetit, por edhe atëherë vetëm në mirëbesim të punonjësve mundësohej kjo gjë sepse ligjërisht duhet të vijë vetë personi që ka pagesën për ta marrë”.

Agustin Aramadhi

 

Agustini tregon edhe për rastet kur i është dashur t’i drejtohet vetë postës për të marrë paratë: “Punonjësja e zyrës ku merrja pagesën, dilte përjashta dhe kryenim veprimet në ambientet jashtë postës. Po normalisht kjo ka edhe disa probleme pasi mungon aspekti i sigurisë sepse të marr pagesën mujore në rrugë, është e pasigurtë , gjithashtu është edhe jo e këndshme për aspektin e privatësisë sepse çdo gjë do duhej të ndodhte në ambientet e brendshme të postës”.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Posta Shqiptare refuzoi t’i përgjigjej Citizens Channel për nivelin e aksesueshmërisë që ofron në pikat e shërbimit.

 

 

ALEAT apo “kundërshtar” i personave me aftësi të kufizuara:

Kompania konçensionare ALEAT e krijuar për të ofruar shërbimet e dhënies të letërnjoftimit e pasaportës është e pranishme në Shqipëri në 117 pika shërbimi. Në dy pikat e vëzhguara mungon përshtatshmëria, çka e bën të pamundur që një person me aftësi të kufizuara (PAK) të hyjë pa ndihmën e të tjerëve. Pavarësisht kësaj, brenda zyrave nuk mungonin shenjat orientuese.

Aksesi në ambientet e brendshme duket i mirë, por kur unë nuk futem dot brenda , për mua është i pavlefshëm”, tha Agustin Aramadhi për Citizens Channel gjatë vëzhgimit në terren.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Ministria e Punëve të Brendshme, në shkelje të afatit ligjor, nuk iu përgjigj kërkesës për informacion të Citizens Channel për përmbushjen e kritereve të aksesueshmërisë së pikave të shërbimit të Aleat duke mos vendosur në dispozicion asnjë projekt që parashikon përmirësimin e infrastrukturës për PAK.

Dyert për tu ankuar janë të mbyllura:

Edhe pse ka një sërë ligjesh të miratuara si nga pushteti qendror dhe ai lokal për garantimin e aksesit të personave me aftësi të kufizuara  ato nuk respektohen, duke e bërë të pamundur që PAK të jetojnë dhe marrin shërbime në mënyrë të pavaur.

Ligji Nr.93 i vitit 2014 përcakton si qëllim të tij përcaktimin e përgjegjësive të të gjitha strukturave publike dhe jopublike, duke përfshirë organet shtetërore, qendrore dhe vendore, në zbatimin e parimeve të përfshirjes dhe aksesueshmërisë për të zvogëluar, deri në heqje, pengesat për personat me aftësi të kufizuar, me qëllim pjesëmarrjen e tyre në mënyrë të barabartë në shoqëri.

Në nenin 5 të këtij ligji thuhet qartë se janë politikat shtetërore ato të cilat mbështesin personat me aftësi të kufizuar që të kenë akses në transport, shërbime shoqërore, shërbime shëndetësore përmes infrastrukturës së përshtatshme, në qendra kulturore, sportive dhe qendra publike, në komunikim dhe informacion.

Ajo çka e vështirëson më tej situatën, është fakti se PAK nuk kanë mundësi të aksesojnë në mënyrë të pavarur as institucionet që janë ngritur për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Citizens Channel kreu një vëzhgim në zyrën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) dhe Gjykatën e Tiranës, të cilat janë krejtësisht të pa aksesueshme.

Zyra e KMD ka për qëllim shqyrtimin e ankesave dhe garantimin e të drejtave të personave apo grupeve shoqërore që përjetojnë sjellje diskriminuese.

Citizens Channel iu drejtua zyrës së KMD për të marrë më shumë informacion mbi mungesën e përshtatshmërisë.

“Në lidhje me pyetjen tuaj ju sqarojmë se zyra e Komisionierit për Mbrojtjen nga Diskriminimi është në pritje të miratimit të kërkesës për fondin shtesë në Buxhet  në Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë lidhur me vendosjen e rampës në hyrjen e godinës së re ku jemi transferuar”, u përgjigjën përfaqësuesit e zyrës së KMD.

Në vazhdim të përgjigjes tregohet se ende nuk ka asnjë afat se kur godina do të bëhet e aksesueshme: “Nëse kërkesa e Institucionit miratohet në muajt në vijim, kjo godinë do të ketë edhe akses për individët me aftësi të kufizuar”.

Ndërsa Gjykata Administrative e Shkallës së Parë sqaroi se brenda muajit gusht do të përfundonin edhe punimet e brendshme në institucion në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuara, por kjo ende nuk është realizuar.

Jetesa e pavarur?

Kjo lloj infrastrukture e bën pothuajse të pamundur jetesën e pavarur për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri pavarësisht se ligji “Për aksesueshmërinë” dhe për “Mbrojtjen nga Diskriminimi” e garantojnë atë si një të drejtë themelore.

Suela Lala drejtuese e Fondacionit “Së bashku”  dhe aktiviste për personat me aftësi të kufizuar ndan me Citizens Channel shqetësimin se jetesa e pavarur është një problem i madh në Shqipëri për personat me aftësi të kufizuara.

Suela Lala, drejtuese e Fondacionit “Së Bashku”

“Nëse ne nuk mund të lëvizim të pavarur dhe të kryejmë ato shërbimet e jetës së përditshme, të bëjmë pazarin, të shkojmë nëpër zyrat e shtetit, të bëjmë aktivitetet e përditshme në qytet si gjithë qytetarët e tjerë, duke lëvizur me mjetet tona ndihmëse sigurisht që ne nuk mund të flasim për jetesë të pavarur. Na duhet jo një person, por më shumë se 2 – 3 persona për të nga ngritur shkallëve të institucioneve ku marrim shërbimin apo ku duhet të shkojmë, sigurisht që kjo nuk është jetesë e pavarur”, thotë ajo për Citizens Channel.

Studimi “ E drejta e personave me aftësi të kufizuara për të jetuar në mënyrë të pavarur dhe për të qenë të përfshirë në komunitet” thekson se jetesa e pavarur dhe përfshirja në komunitet është ngushtësisht e lidhur me të drejta të tjera të njeriut si barazia, mos diskriminimi, integriteti fizik dhe mendor, liria, autonomia, privatësia etj.

“Për shumicën e njerëzve të jesh pjesë e një shoqërie merret si e mirëqenë dhe as nuk mendohet për të. Por ky nuk është rasti për personat me aftësi të kufizuara”, thuhet në studim.

Jetesa e pavarur, krijimi i kushteve të infrastrukturës për aksesueshmërinë dhe mos diskriminimin janë të drejta themelore të njeriut dhe sfida të përditshme për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri.

*Citizens Channel | Fjori Sinoruka

Tiranë: Pse dështoi ndarja e mbetjeve në burim?

Në vitin 2016 Bashkia Tiranë lidhi një kontratë shërbimi me kompaninë Eco Tirana për pastrimin dhe diferencimin e mbetjeve urbane në qytet.

Kontrata u lidh me një afat 25 vjeçar dhe nëpërmjet saj synohej që të zgjidhej problemi i mbetjeve në kryeqytet, duke i dhënë të drejtën ekskluzive kompanisë Eco Tirana për shërbimin e pastrimit të qytetit.

Bazuar në kontratën që Citizens Channel ka siguruar, fillimisht kompania do të ushtronte veprimtarinë e saj në atë që u quajt “Zona e Kuqe” e Tiranës, dhe më pas ky shërbim do të shtrihej në të gjithë territorin e Bashkisë Tiranë. Afati i përcaktuar ishte 18 muaj.

Kushtet e ofrimit të shërbimit të përcaktuara në kontratë fillojnë nga pastrimi i qytetit, diferencimi i mbetjeve në burim, ndërgjegjësimi dhe komunikimi me qytetarët për vlerën e diferencimit të mbetjeve në shtëpitë e tyre si edhe shërbime të tjera shtesë, të papërcaktuara konkretisht.

Në kontratën që Citizens Channel ka në dispozicion, specifikohet se kompania Eco Tirana është përgjegjëse për mbarëvajtjen e shërbimit dhe se kjo kontratë zgjidhet nëse nuk përmbushen kushtet e përcaktuara në të.

Dritan Gorica, specialist në Institutin e Kërkimeve Urbane shpjegoi për Citizens Channel dy nga problemet kryesore të riciklimit të mbetjeve në qytet.

Dritan Gorica
Foto: Citizens Channel

“Dihet tashmë që problemi kryesor i mosfunksionimit të rikuperimit të mbetjeve të riciklueshme ose reduktimit të mbetjeve është infrastruktura e menaxhimit të mbetjeve”, u shpreh ai.

 

Përveç infrastrukturës, Gorica sheh si problem edhe mungesën e ndërgjegjësimit të banorëve mbi rëndësinë e riciklimit të mbetjeve në burim.a

“Tre vite më pas…ndryshimi mbeti në letër”

Citizens Channel kreu një vëzhgim në zonën ku nisma mbi diferencimin është pilotuar duke parë se vecc ngjyrave të kazanëve, asgjë nuk ka ndryshuar.

Vetëm për shërbimin në atë që u quajt “zona e kuqe” Bashkia Tiranë e ka paguar kompaninë Eco Tirana 2,500,000 euro në vit.

“Eco Tirana i kishte të gjitha shanset për të funksionuar në mënyrën më të mirë të mundsme, nisi si e tillë dhe u braktis qëllimisht nga bashkia për arsye se ndërkohë erdhi në vendimmarrje koncensioni për inceneratorin e Tiranës, i cili sipas kontratës duhet të punojë me një rrymë mbetjesh”, tha për Citizens Channel ambientalisti Lavdosh Ferruni.

“Koncensioni që u miratua në 2017 në Tiranë, kërkon në kontratë të shkruar që mbetjet të jenë të gjitha në një rrymë, për arsye se kapaciteti absorbon më shumë se 100 % të mbetjeve të Bashkisë së Tiranës dhe 110% të mbetjeve të perfekturës”, shton Ferruni.

Tirana është qyteti që ka numrin më të lartë të banorëve në vend, i cili vjen duke u shtuar. Kjo mënyrë e menaxhimit të mbetjeve në qytet e shmangte tërësisht atë të mëparshmen duke synuar diferencimin e tyre në burim si alternativën më të mirë të mundshme për menaxhimin e tyre.

“Jo vetëm që do të kemi një pastrim modern të rrugëve, jo vetëm që do të kemi kosha të diferencuar, por do të kemi edhe disa njësi të lëvizshme me biçikleta, pra edhe transporti do të jetë ekologjik…Mezi pres që të shikojmë rezultatet e para, fillimisht tek ajo që quhet zona e kuqe, pra brenda Unazës. Gradualisht, gjatë gjithë vitit tjetër do të zgjerohemi edhe në zona të tjera të Tiranës”, shprehej  Kryebashkiaku Veliaj në vitin 2016.  

Riciklimi është një procesn nëpërmjet të cilit shndrrohen mbetje të caktuara në lëndë të parë dytësore duke i përpunuar më parë me anë të proceseve fizike dhe kimike. Ato përfshihen sërisht në procesin e prodhimit.

Faza e parë e riciklimit konsiderohet ndarja e mbetjeve në burim.

Ricklimi – Pamundësi apo neglizhim?

Mjafton një vëzhgim i shpejtë për të kuptuar se janë shumë të rralla rastet kur qytetarët i ndajnë mbetjet në kazanë të ndryshëm. Duket se këtë e ka kuptuar edhe vetë ata që supozohej të ndërgjegjësonin dhe të zbatonin këtë nismë.
Gjatë një vëzhgimi një javor ne një prej pikave në Tiranë, makina me ngjyrën blu që supozohet të marrë vetëm mbetjet e padiferencuara kaloi çdo ditë duke marrë të dy kazanët.

Kjo nismë synoi diferencimin e mbetjeve në burim duke hequr mundësinë që personat që grumbullonin mbetje në koshat e plehrave, të vazhdonin ta zhvillonin si punë pa frikën e gjobitjes dhe sekuestrimit të materialeve. Për një pjesë të mirë të personave, përgjithësisht me vështirësi ekonomike, grumbullimi i mbetjeve të caktuara në koshat e plehrave është profesion nga i cili nxjerrin të ardhura.

Kjo veprimtari madje u cilësua sjellje e palejuar nga Bashkia Tiranë dhe dënohet me gjobë.

Olsi Nika, aktivisti i çështjeve mjedisore mendon se diferencimi i mbetjeve në burim nuk është diçka e pamundur për një vend si Shqipëria.

Olsi Nika
Foto: Citizens Channel

“Ndarja e mbetjeve në burim nuk është një shpikje shqiptare si shumë gjëra që ne nuk jemi të detyruar të shpikim rrotën, mjafton të adoptojmë modele që janë të suksesshme sot në botë dhe ti përshtasim me kushtet që ne kemi”, u shpreh ai për Citizens Channel kur u pyet për mundësinë e diferencimit të mbetjeve në burim.

Në kontratën e lidhur nga Bashkia Tiranë me kompaninë Eco Tirana synohet jo vetëm diferencimi i mbetjeve në burim, por edhe zhvillimi i fushatave ndërgjegjësuese kryesisht me të rinj dhe studentë për diferencimin e mbetjeve në burim.

“Ishte një nga gjërat që me të vërtetë iu gëzova për sa i përket punës së bashkisë dhe fillova dhe unë ti ndaja në shtëpinë time në kosha të caktuara sipas rrymave të mbetjeve: plastikën, letrën, metalin, organiket dhe kështu asnjë muaj nuk zgjati kjo me thënë të drejtën, pastaj pas një muaji kur unë i hidhja në koshat e caktuar në kontejnerët e caktuar te lagjja, kaloi e njëjta makinë dhe i mori të gjitha. Atëherë është e kotë, pra nuk funksionon”, u shpreh ai për Citizens Channel.

Edhe eksperti i mjedisit Lavdosh Ferruni mendon se çështja e mbetjeve në Tiranë ka zgjidhje, por duhet gjetur ajo e duhura.

“Në qoftë se 1 milion qytetarë të Tiranës do të angazhohen në këtë kauzë bashkë me 5 mijë apo 10 mijë grumbullues të mbetjeve që janë aktivë në këtë gjë, ky kohezion, pra kjo angazhim I qytetarëve con në zgjidhje. Cdo zgjidhje e mbështetur të një koncensionar është një dështim”, u shpreh ai për Citizens Channel.

Ai shton se është kundër dhënies me koncesion të menaxhimit të mbetjeve dhe e konsideron të dështuar menaxhimin e tyre në burim.

Foto: Citizens Channel

Nga vëzhgimi që Citizens Channel kreu në terren, konfirmoi qëndrimet e aktivistëve se diferencimi i mbetjeve në burim është ende shumë larg të qenit realitet.

Riciklim në mënyrë personale dhe të përndjekur…

Në vitin 2018 mbledhja e mbeturinave në koshat e qytetit u shpall “sjellje e palejuar” nga Bashkia Tiranë. Ky vendim preku një sërë personash dhe familjesh të cilat i sigurojnë të ardhurat nëpërmjet grumbullimit të mbeturinave në qytet. Si e vetmja mënyrë e mbijetesës qytetarët e Tiranës vazhdojnë ta zhvillojnë këtë veprimtari por shumë herë konfrontohen  me policinë bashkiake e cila i dëbon nga “vendi i punës”., por  Lavdosh Ferruni mendon që kjo veprimtai është në dobi të qytetit dhe jo në dëm të tij: Pra nëse ne kuptojmë thelbin se menaxhimi I mbetjeve mund të bëhen vetë nga bashkëpunimi I qytetarëve me ricikluesit, të paktën këtë e them me bindje për një periudhë 10 vjecare, atëherë të gjitha mundësitë janë që kjo të bëhet realitet”.

 

 

 

 

 

 

 

 

“Kazanë që mbrohen nga shteti”


“Kur i afrohesh kazanëve, më vjen për të vjellë , e gjona kshu, se unë jam njeri  i sëmurë edhe s’e duroj dot erën, sidomos tashi në behar”, tregon Ramazani për Citizens Channel.

Ramazani ka rreth 4 vite që grumbullon mbetje të riciklueshme në kazanët e Tiranës, pas një tentative të dështuar për të fituar azil në Gjermani. Kjo nuk ka qenë puna e tij e përhershme, ka punuar nëpër fabrika dhe uzina të ndryshme gjatë regjimit të kaluar, por viteve të fundit është detyruar t’i drejtihet kazanëve për tê fituar para që mjaftojnë për mbijetesë. Ndihma financiare që merr nga shteti nuk i mundëson dot as blerjen e ilaçeve, të domosdoshme për shkak të sëmundjes së zemrës.

Foto: Citizens Channel

Grumbullimi dhe shitja e mbeturinave nuk është një punë e lehtë, por edhe e paligjshme! Tre vite më parë Bashkia e Tiranës vendosi se nuk do të lejonte mbledhjen e mbeturinave në mënyrë individuale dhe për këtë do të kishte penalitete edhe për grosistët e mëdhenj. Sipas Bashkisë zgjidhja e problemit ishte landfilli i Sharrës.

Në vitin 2018 grumbullimi individual i mbetjeve u shpall sjellje e palejuar si “Kundërvajtje në fushën e mjedisit” nga Bashkia Tiranë nëpërmjet një  Vendimi të Këshillit Bashkiak dhe u parashikuan masa administrative si gjoba deri në 20 mijë lekë.

Një grup organizatash të cilat veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut në Shqipëri iu drejtuan Këshillit Bashkiak nëpërmjet një letre të hapur ku ndër të tjera kërkuan që të mos miratohej një nga nenet që kishte të bënte pikërisht me grumbullimin dhe riciklimin individual. Këto organizata e konsideruan këtë nen si një shkelje të të drejtave themelore të njeriut.

Familja e Ramazanit është një nga shumë familjet që u prek nga kjo politikë e Bashkisë Tiranë. Pasja e statistikave të sakta në lidhje me numrin e familjeve apo personave që grumbullojnë mbetje është e vështirë për shkak se punojnë në mënyrë informale.  Bazuar në raportin e fundit të bërë nga krahu komercial i Bankës Botërore janë rreth 1200 familje  që sigurojnë të ardhura nga riciklimi i mbetjeve në Tiranë .

Foto: Citizens Channel

Ramazani tregon për Citizens Channel se prezenca e policisë bashkiake është konstante. 

“Po s’na len me mbledh bidona. Na shofin kshu ndonjëherë na i marrin thasët, i ngarkojnë në kamiona ikin. Do të të procedoj, do të të gjobis. Ne për momentin jemi pa punë, pa asgjë”, rrëfen ai.

Nga të dhënat që Citizens Channel siguroi nëpërmjet një kërkese për të drejtë informimi,zbuloi se gjatë vitit 2018 policia bashkiake kishte vendosur 146 masa administrative me vlerë 287.000 lekë ndaj personave të cilët mbledhin mbetje të riciklueshme në territorin e Bashkisë Tiranë.

Pavarësisht thirrjes së organizatave në mbrojtje të të drejtave të njeriut Këshilli Bashkiak i Tiranës e miratoi vendimin, i cili ka rreth 2 vite që ka filluar të veprojë.

Tirana është qyteti më i madh në Shqipëri edhe nga pikëpamja gjeografike, por edhe nga numri i popullsisë. Shpesh referohet si “qyteti i 1 Milion banorëve”.

Në vitin 2017, janë gjeneruar afërsisht 1,8 Milion ton mbetje urbane.

 

 

 

Ligji i Ri për Asistencën Sociale: Personat me aftësi të kufizuar nuk humbasin pagesën pasi punësohen

Ligji i Ri për Asistencën Sociale i aprovuar në sesionin e fundit parlamentar, në javën që shkoi parashikon që personat me aftësi të kufizuar nuk do të humbasin pagesën që ata marrin për shkak të statusit të tyre edhe kur ata janë të punësuar. Fillimisht ligji parashikonte se 4 vite pasi personat me aftësi të kufizuar punësoheshin, ata nuk kishin më të drejtë për të përfituar pagesën e aftësisë së kufizuar.

Por me këmbënguljen dhe negociatat e vazhdueshme të një grupi organizatash që merren me të drejtat e njeriut dhe organizatat në mbrojtje të personave më aftësi të kufizuar, u bë e mundur që në ligjin e aprovuar më datë 28 korrik 2019, të hiqej parashikimi që personave me aftësi të kufizuar ju mohohej pagesa pas periudhës 4 vjeçare të punësimit.

Në letrën e tyre drejtuar komisionit për Punën, Çeshtjet Sociale dhe Shëndetësinë, Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizaura, MEDPAK, ANAD (Shoqata Kombëtare Shqiptare e Njerëzve që nuk dëgjojnë), Dawn Syndrom Albania, Ndihmoni Jetën, Fondacioni “Së Bashku”, Shoqata Kombëtare e Para-tetraplegjike të Shqipërisë, Shoqata e Ivalidëve Para-tetraplegjikë Qarku Elbasan dhe “ACT Now”  kanë renditur disa rekomandime për projekligjin i cili ishte në proces diskutimi.


 

Në rekomandimet e rënditura në letër thuhej se ndërprerja e pagesës pas 48 muajve punësimi, ul interesin e personave me aftësi të kufizuar për të punuar, dhe pagesa është një shifër shumë e vogël, prej rreth 10.000 lekë të reja. 

Neni 13 pika 2, propozojmë heqjen nga ky projekt-ligj të pikës 2 me këtë përmbajtej “2.Përfituesve, të klasifikuar me vendim të komisionit në grupet e aftësisë së kufizuar, u ndërpritet pagesa pas 48 muajve punësimi. Procedurat në rastet e rikthimit në skemën e përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Konkretisht, heqja e pagesës së aftësisë së kufizuar pas 4 viteve nga punësimi. Demotivon dhe ul interesin e personave me aftësi të kufizuar për të punuar. Pagesa e aftësisë së kufizuar nuk është e lidhur me kushtet sociale ekonomike të individit (pra nuk jepte si ndihmë ekonomike dhe as nuk llogaritet si e ardhur e familjes gjatë vlerësimit që bëhet për përfitimin e asistencës sociale), por është e lidhur me gjendjen shëndetësore dhe me nivelin e funksionimit. Duhet theksuar që pagesa që jepet për shkak të aftësisë së kufizuar është rreth 10.000 lekë të reja në muaj, një shumë e vogël.

Ndërkohë punësimi i personave me aftësi të kufizuar sjell përfitime për shtetin dhe vetë individin në disa drejtime:

  1. Duke punuar, personat me aftësi të kufizuara, kontribuojnë në skemën e sigurimeve shoqërore, pra shteti fitllon të përfitojë nga kontributet që ato derdhin gjatë kohës që janë të punësuar;
  2. Ka një model të mirë në vend, rasti I personave të verbër (të cilëvë nuk u ndërpritet pagesa e aftësisë së kufizuar në momenint e punësimit të tyre), të cilin Qeveria Shqiptare duhet ta shtrijë edhe të kategoritë e tjera të aftësisë së kufizuar për të kontribuar në këtë mënyrë në trajtimin e barabartë, e për të eleminuar diskriminimin mes kategorive të ndryshme të aftësisë së kufizuar;
  3. Përfitimet për shkak të aftësisë së kufizuar janë përkufizime si përfitime në para dhe/ose shërbime të dhëna tek individët, të cilët janë vlërësuar për përshtatshëm për t’I përfituar dhe që synojnë:

a.Të ndihmojnë personat me aftësi të kufizuara për të mbuluar shpenzimet që lidhen me aftësinë e kufizuar;

b.Të sigurojnë përfshirjen sociale

c. Të sigurojnë në mënyrë progressive mirëmbajten e cilësisë së jetës që është e krahasueshme me standardet e vendit.

 

Në sygjerimet e tyre, organizatat në mbrojtje të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar kanë renditur edhe pika të tjera çeshtjet si: 

  • “Në nenin 2, “Qëllimi”, propozojmë që në pikën a, ku thuhet: …të përcaktojë ndihmën ekonomike dhe përfitimet për shkak të aftësië së kufizuar për individët dhe familjet në nevojë, të cilët nuk mund të sigurojnë plotësimin e nevojave bazë jetike, zhvillimin e aftësive e të mundësive personale, ruajtjen e integritetit dhe përfshirjen shoqërore për shkak të aftësive dhe mundësive të kufizuara ekonomike, fizike, psikologjike e shoqërore”, të ndahen ndihma ekonomike nga përfitimet për shkak të aftësisë së kufizuar, pasi arsyet për to janë të ndryshme nga njëra tjetra: logjika pas konceptit të ndihmës ekonomike ka natyrë tjetër, jo të lidhur me situatën ekonomike. Prandaj propozojmë që përfitimet për shkak të aftësisë së kufizuar të vendosen në një pikë tjetër, pika b).
  • Në nenin 4, “Parimet e përgjithshme”, përmenden parimet e “mosdiskriminimit” (pika d) dhe “barazia dhe mosdiskriminimi” )pika e). Për të shmangur përsëritjen dhe “rëndimin e tekstit të ligjit në mënyrë të panevojshme, propozojmë që njëra nga pikat të hiqet, me preferencën për të mbajtur në tekstin e projekt-ligjit parimin “barazai dhe mosdiskriminimi”, duke ruajtur pjesën ku përmenden të gjitha shkaqet:”…bazuar në shkaqet e përmendura në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi”.
  • Në nenin 5, në pikën (i) “Komisioni shumë disiplinor i vlerësimit të aftësisë së kufizuar”, aty ku citohet “….një ekip i përzgjedhur, i përbërë nga një mjek dhe një punonjës social”, propozojmë që ky përkufizim të jëtë më I gjerë, duke mos u kufizuar vetëm tëk “një mjek apo punojës social”, por të parashikohen në projekt ligj edhe mundësia për të përfshirë profesionistë nga disiplina të tjera. Pra propozojmë që kjo pikë të ndryshohet si vijon: “Komisioni shumëdisiplonor I vlerësimit të aftësisë së kufizuar” është një ekip i përzgjedhur, i përbërë nga të paktën një mjek dhe një punonjës social, si dhe profesionistë nga disiplina të tjera, të cilët janë të punësuar pranë…….”.
  • Propozojmë që pika (n) “Ndihmësi personal” të jetë në përputhje me Ligjin Nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e persoanve me aftësi të kufizuara” (neni 3 pika 2). “Ndihmësi personal” ështa ai individ i zgjedhur dhe i udhëzuar nga një person me aftësi të kufizuara për ta ndihmuar këtë të fundit që të kapërcejë pengesat në jetën e perditshme dhe duke mbajtur vecanërisht në vëmendje përkufizimin në nenin 8 të po atij ligji, ku vijojnë edhe detyrat mmë konkrete të ndihmësit personal, në të cilat përfshihen edhe interpretuesit e gjuhës së shenjave, shoqëruesit e të verbërve, :”Ndihmësi personal ofron asistencën personale në cilësinë e ndihmësit për kujdesin personal për personat me aftësi të kufizuar, shoqëruesit për personat e verbër, interpretuesit të gjuhës së shenjave dhe lehtësuesit në komunikim për personat me paaftësi (termi I përdorur në Ligjin për Përfshirjen dhe Aksesueshmërinë) në të folur dhe në të dëgjuar.
  • Në nenin 5 “Përkufizimet” propozojmë të shtohet edhe përkufizimi “Interpret I gjuhës së shenjave shqipe”, për njerëzit që nuk dëgjojnë dhe nuk flasim. Përfshirja e këtij përkufizimi është shumë i rëndësishëm për këtë kategori pasi od të bënte të mundur ofrimin e informacionit të përshtatur dhe një shërbim tashmë I munguar. Konkretisht propozojmë që të shtohet një pikë me këtë përmbajtje: “Interpret I gjuhës së shenjave shqipe” për njerëzit që nuk dëgjojnë për të mundësaur komunikimin nga gjuha e shenjave në gjuhën e folur dhe anasjelltas.”
  • Gjithashtu në pikën (nj) gjendet përkufizimi “Paraplegjik”, përkufizim i cili ka nevojë për disa rregullime konkrete. Së pari propozojmë që të shtohet para termit “paraplegjik” fjala “person”. Përdorimi i vetëm i gednjes mjekësore, nxit një model mjekësor, I cili duhet të eleminohet në maksimum me këtë ligj (me vlerësimin e ri bio-psiko-social). Gjithashtu, ligji Nr.8626, datë 22.6.2000 “Statusi I Invalidit Paraplegjik dhge Tetraplegjik” (I ndryshuar), përmabn përkufizim më të zgjeruar. Ai vijon si më poshtë: “Paraplegjik” nënkutpon cdo person që vuan nga paraliza e dy anësive të poshtme si pasojë e dëmtimit të palcës kurrizore nga shkaqe te ndryshme. “Tetraplegjik” nënkupton cdo person, që vuan nga paraliza e katër anësive si pasojë e dëmtimit të palcës kurrizore nga shkaqe të ndryshme dhe I klasifikuar si I tillë me vendimin e Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (tanimë me titull tjetër). Në këtë mënyrë propozojmë që projektligji të ketë referim në ligjin e mësipërm në lidhje me përkufizimet “paraplegjik” dhe “tetraplegjik”.

Drejtuesja e Fondacionit “Së Bashku”, Suela Lala, e pyetur nga Citizens Channel për aprovimin e Ligjit të Ri u shpreh se fakti se pagesa për statusin e personave me aftësi të kufizuar nuk do të hiqet është një gjë shumë pozitive, e cila është kërkuar nga të gjitha grupimet e personave me aftësi të kufizuar.

Suela Lala, drejtuese e Fondacionit “Së Bashku”

” Shumica dërrmuese e personave me aftësi të kufizuar punësohen me pagë minimale. Ata me të vërtetë marrin 260 mijë lek të vjetra nga punësimi, por ai 100 mijë lekësh të vjetra që u hiqet, ata i përdorin për mjekime, për gjëra që lidhen me aftësine e kufizuar, kështu që prishte goxha punë. Kjo është një gjë e mirë aq më tepër që numri i personave me aftësi të kufizuar të punësuar është i ulët.” -tregon më tej Lala. 

 

Relatorja e Ligjit të Ri për Asistencën Sociale dhe njëkohësisht deputete, Ardiana Jaku, u shpreh se ligji i ri detyron njëkohësisht cdo kompani apo institucion që të ketë të paktën një të punësuar me aftësi të kufizuar.

Ardiana Jaku, Deputete e Kuvendit të Shqipërisë

 

”Edhe në rastet kur kompanitë nuk mund të punësojnë një person me aftësi të kufizuar për shkak të dinamikave të punës që kanë, ata duhet të paguajnë një kontribut që do të shkojë si kontribut për fondin për aftësinë e kufizuar që do t’ju rikthehet këtyre personave për të rritur kapacitetet e tyre dhe për t’I bërë të integruar në tregun e punës.”

 

Përveç cështjes së personave me aftësi të kufizuar ligji trajton edhe dy shtylla te tjera që kanë të bëjnë me ndihmën ekonomike dhe me mbështetjen e menjëhershme financiare për foshnjat e sapo lindura.

Ky ligj mbështetet në tre shtylla kryesore që kanë të bëjnë me mënyrën se si jepet ndihma ekonomike, procesin e dhënies së pagesave të personave me aftësi të kufizuar, dhe futet një program i ri social që është programi i mbështetjes së menjëhershme financiare për foshnjat e sapo lindura.

Për asistencën sociale hiqet tavani prej 80.000 lekësh si dhe hiqet zgjedhja e familjeve për ndihmë sociale nga Këshillat Bashkiakë.

Ndërsa për foshnjat e porsalindura, tashmë VKM-ja e kthyer në një ligj përcakton bonusin prej 40.000 lekësh për fëmijën e parë, 80.000 lekësh për fëmijën e dytë dhe 120.000 lekësh për fëmijën e tretë.

Në Shqipëri janë 43704 persona me aftësi të kufizuar. Ndërsa përfitojnë ndihmë ekonomike 51.834 familje, referuar shifrave të vitit 2018.

*Citizens Channel /E.K/ 

 

3200 firma për t’i kujtuar qeverisë se ka lënë në harresë lehtësimin për të varfrit

Prej më shumë se dy  javësh aktivistë të komunitetit Rom dhe Egjiptian, por jo vetëm, filluan nënshkrimin e një peticioni në disa qytete të Shqipërisë për miratimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave që do i lehtësojë familjeve të varfra barrën e faturave të energjisë elektrike.

Gjatë kësaj kohe rreth 3200 firma u grumbulluan nga qytetarët në mbështetje të kësaj kategorie, e cilësuar në ligj “klient në nevojë”.

Familjet duhet të përfitojnë nga Buxheti i Shtetit 210 kilovatë, e cila përkthehet në 2 mijë lekë të reja, por, që nga viti 2015 kur ky ligj u miratua, nuk është ndërmarrë një iniciativë për miratimin e VKM-së që do të bëntë të mundur zbatimin e tij.

 “Ja të dali sa më shpejt, për neve aq më mirë. S’kemi lekë ta paguajmë, rroga është e vogël, për bukë vdesim. Mbledhim kanaçe i shesim që hamë bukë. Djalin e kam të plagosur, burrin e kam të qorruar, nuk e përballoj dot. 47mijë lekë më shkon fatura, sikur të jemi ndonjë lavazho a fabrikë buke”, tha Xhuljeta Selmani për Citizens Channel, e cila kishte ardhur nga Berati në Tiranë për dorëzimin e peticionit në institucionet përkatëse.

Ditën e sotme, aktivistët të shoqëruar nga familjarë të cilët kishin ardhur nga Berati dhe Elbasani iu drejtuan Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës si dhe Kryeministrisë, për ti dorëzuar peticionin e firmosur nga rreth 3200 qytetarë.

Fotot të peticioneve dorëzuar Kryeministrit dhe Ministrisë së Energjitikës: 

This slideshow requires JavaScript.

“Kjo VKM është shumë e rëndësishme për familjet në nevojë për arsye sepse nuk e përballojnë dot dhe nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të paguar faturat mujore si dhe komsimin e faturave nuk e marrin. Për qytetin e Beratit janë bashkuar 500 qytetarë duke e firmosur këtë peticion”, tha Bukurie Kovaçi një nga aktivistet e angazhuara në qytetin e Beratit për plotësimin e peticionit.

Aktivistët në hyrje të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Foto: Citizens Channel

Prej vitit 2015 qeveria shqiptare e ktheu mospagimin e energjisë elektrike në vepër penale. Deri në vitin 2018, 91 persona u arrestuan, 71 u ndaluan dhe 1079  të tjerë u hetuan në gjendje të lirë dhe 385 u shpallën në kërkim për vepra penale që lidhen me energjinë elektrike. Shumë qytetarë, nga kategoritë në nevojë, u prekën nga ky vendim.

Citizens Channel mësoi nga aktivistët Rom dhe Egjiptianë se në lidhje me këtë çështje ishin 491 persona të arrestuar, 71 persona të ndaluar, 1079 persona të hetuar në gjendje të lirë dhe 385 ishin shpallur në kërkim (deri në vitin 2018).

Ilirjan Berati ishte një nga personat që u dënua për mospagimin e faturave të energjisë elektrike. Vetëm pak kohë më parë atij i ishte shkëputur dhe ndihma ekonomike. Të dy të papunë, së bashku me bashkëshorten ai tregon për Citizens Channel se e kishin të pamundur të paguanin energjinë elektrike. Dënimi me 4 muaj burg, u reduktua në “detyrim paraqitjeje” për 18 muaj çdo javë dhe prej rreth 1 viti ai e ka përfituar sërish ndihmën ekonomike, por pavarësisht kësaj ai e ka të pamundur që të paguajë faturën e energjisë elektrike.

“Kemi rreth 1 vit që marrim ndihmë ekonomike, mua fatura e dritave më vjen 47, 57. Nuk kam mundësi tani të lidh kontratë me Ujësjellësin se unë 30 mijë lekë marr, duhet të plotësoj dhe 20 të tjera që të paguaj vetëm energjinë elektrike.

Kështu që detyrohemi dalim natën nëpër kazanët e plehrave dhe mbledhim ndonjë kanaçe, ndonjë qese plasmasi dhe shesim ato për të plotësu lekët e dritave OSHE -së”, thotë ai për Citizens Channel.

Citizens Channel mësoi nga aktivistët se ditën e premte do të zhvillohet një protestë në Tiranë lidhur me këtë çështje.

*Citizens Channel /F.S/

“Kthema dritën”, familjet e varfra peng i VKM-së për energjinë elektrike

Ligji i vitit 2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” (i ndryshuar), në nenin 95 të tij parashikon rregullimet për shtresat në nevojë.  Kategoritë që duhet të përfitonin nga lehtësimet përfshijnë klientët në nevojë që përdorin energjinë elektrike në vendbanimin e tyre të përhershëm si dhe ata që kanë konsum të energjisë elektrike lidhur në rrjetin njëfazor.

Familjet duhet të përfitojnë nga Buxheti i Shtetit 210 kilovatë, e cila përkthehet në 2 mijë lekë të reja.

Por edhe sot, 4 vite më pas, ky ligj nuk është vënë ende në praktikë dhe shtresat më të varfra të shoqërisë detyrohen të marrin kredi për të paguar energjinë, nën friken e arrestimit.

“Unë kam 7 anëtarë në familje, për mua është shumë e vështirë të paguaj faturën e Energjisë Elektrike në kohë, fëmijët e mi janë të papunë, unë dal për ditë të mbledh mbetje të riciklueshme që të mbledh para, skam ku të shkoj, të vjedh, të futëm në burg, jam futur në kredi për të paguar dritat”,  shprehet një zonjë nga Berati gjatë plotësimit të peticionit.

Edhe në qytetin e Fierit ka familje që vuajnë nga e njëjta situatë. Në videon më poshtë, e moshuara tregon se ka 5 muaj pa paguar faturën e energjisë elektrike për shkak të gjendjes së saj ekonomike të vështirë.

Ndërsa ky zotëri nga Elbasani tregon se i duhet të  sakrifikojë ilaçet e tij për të paguar faturën e energjisë elektrike. Ai i tregon se vuan nga probleme të rënda shëndetësore dhe prej vitesh është me aftësi të kufizuara, mirëpo ligji nuk ka asnjë lehtësim për gjendjen e tij.

Në datën 2 korrik aktivistët Rom dhe Egjiptian filluan fushatën  me sloganin “Kthema Dritën” së bashku me firmosjen e një peticioni i cili kërkon miratimin e akteve nënligjore të ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, konkretisht nenit 95 i cili shprehet për klientët në nevojë.

Foto: Aktivizmi Rom dhe Egjiptian

“Kjo përpjekje po zhvillohet që familjet e varfra me vështirë ekonomike të kenë mundësinë që t’i reduktohet pagesa e Energjisë Elektrike”, shprehen aktivistët në faqen e Facebook “Aktivizmi Rom dhe Egjiptian”.

Peticioni po firmoset në të gjithë Shqipërinë dhe numri i firmave ka arritur deri në 2000 për një javë që nga nisja e tij.

Energjia elektrike, problem i vjetër…

Në vitin 2015 Qeveria Shqiptare nisi fushatën për energjinë elektrike, rilidhja e saj në mënyrë të paligjshme dënohej me burg.

Aktivistët rom dhe egjiptianë iu drejtuan Prokurorisë së Përgjithshme për të mësuar numrin e personave të ndjekur penalisht për rilidhje të energjisë elektrike në mënyrë të paligjshme dhe mësuan se ishin 491 persona të arrestuar, 71 persona të ndaluar, 1079 persona të hetuar në gjendje të lirë dhe 385 ishin shpallur në kërkim.

Edhe pse ligji ekziston në letër, fakti që nuk po miratohen prej 4 vitesh aktet nënligjore, e bën atë të pazbatueshëm për familjet në nevojë. Aktualisht familjet në nevojë paguajnë njësoj si familjet me të ardhura mesatare ose të larta.

Citizens Channel / F.S

 

 

Të pastrehë dhe të padukshëm…

Naimi është një nga personat të cilit i duhet të kalojë netët dhe ditët rrugëve të Tiranës. Pavarësisht nëse koha është me diell apo me shi, shtrati i tij janë rrugët e Tiranës dhe disa kartona të cilët i përdor si shtresa të ndryshme.

Naimi tregoi për Citizens Channel se ka 20 vite që është në situatë rruge dhe është 43 vjeç. Ai nuk kishte njohuri të zgjeruara mbi institucionet që përkujdesen për personat me statusin e tij dhe përpjekjet e tij për të dalë nga gjendja ekzistuese ishin minimale.

Në një komunikim me Citizens Channel, Bashkia Tiranë tregoi se nën administrimin dhe financimin e saj janë 6 qendra sociale multidisiplinare dhe vetëm një prej tyre ofron strehim të përkohshëm.

Citizens Channel kaloi një natë me të dhe mësoi se jeta e “rrugës” është shumë larg të qenurit një jetë e lehtë dhe gjithashtu jeta e Naimit duket sikur fatkeqësisht nuk do e fitojë kurrë statusin e mëparshëm.

Në përgjithësi këta njerëz aty ku kalojnë natën aty edhe punojnë, më të shumtët. Do të thotë që  ata krijojnë një ambient që e perceptojnë të sigurt ose që e mendojnë më pas si ambient të tyren. Ata nuk munden të zhvendosen në shumë ambiente, shumë larg, d.m.th mundohen të mbajnë një vend të qëndrueshëm”, thotë për Citizens Channel Anora Kroj, psikologe klinike.

Ajo tregoi gjithashtu se përveç pjesës institucionale, probleme shpesh, ose ndoshta në herët më të shumta të rasteve hasen dhe në përballje me shoqërinë dhe me mjedisin përreth. Ri-integrimi dhe pjesëmarrja aktive në shoqëri, duket një sfidë e humbur.

Këta persona ndihen një grup vulnerabël sepse ne, masa, i trajtojmë si të tillë. Mundohemi që as sytë të mos ua hedhim kur kalojmë aty, i bëjmë të ndjehen inekzistentë. Nuk i  pranojmë për shkak se dikujt mund t’i prishi imazhin e pallatit ku jeton, dikush tjetër e injoron totalisht sepse e quan si një qenie që është ndryshe nga ne”, sqaron Kroj për Citizens Channel.

Ajo gjithashtu thotë se është shumë e rëndësishme që ta shikojmë tjetrin si të ngjashëm dhe jo si të ndryshëm nga vetja dhe se kjo qasje do të ishte disi më ndihmuese kundrejt personave në gjendje rruge.

Strehimi nga pikëpamja ligjore…

Në 15 shkurt të vitit të kaluar u miratua ligji i ri Për strehimin social” i cili ka si objekt kryesor përcaktimin e rregullave dhe procedurave të shpërndarjes së programeve sociale për strehimin.

Ligji parashikon 6 programe të strehimit social që përfshijnë disa kategori:

  • Programi i banesave sociale me qira
  • Programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri;
  • Programi i banesave me kosto të ulët
  • Programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi;
  • Programi për krijimin e banesave të përkohshme;
  • Programi i banesave të specializuara

Të dhënat e studimit të realizuar nga qendra T’Reja tregojnë se numri i personave në situatë rruge që përfitojnë nga programet e strehimit është shumë i ulët.

Nga 101 individë të identifikuar në situatë rruge, 40 prej tyre janë referuar për të përfituar nga programet sociale të strehimit për vetëm 15 prej tyre kanë përfituar duke zgjidhur kështu problemin e strehimit.

Ligji i ri i strehimit ka përcaktuar 15 kushte sociale, të cilave u përcaktohet përparësi në përfitimin e programit, por personat në situatë rruge nuk përfshihen direkt në asnjë nga këto kategori.

Sipas Ola Tares drejtuese e qendrës T’Reja që ka realizuar  një Studimin për Personat në Situatë Rruge, një nga arsyet që i privon ata të përfshihen në skemat e strehimit është vetë procesi: “Njerëzit sigurisht janë përpjekur për të dalë nga ajo situatë, megjithatë për shkak të vështirësive të ndryshme, duke marrë parasysh edhe mungesën e një pune të qëndrueshme, apo mungesa e kualifikimit dhe të ardhurave nuk i ka lejuar që të përfitojnë nga këto programe”.

Ajo shton se edhe personat që arrijnë të përfshihen, hasin vështirësi për të qëndruar brenda programeve të strehimit:“Kontrata është deri në një vit, por pas një viti duhet sërish të plotësosh të gjitha dokumentet dhe ri-përzgjidhesh nga komisioni i vlerësimit në Këshillin Bashkiak, domethënë çdo vit të bësh të njëjtën gjë”.

Sipas Tares, janë burokracitë një nga faktorët që i bëjnë këta persona të dorëzohen: “Në një moment shumë prej tyre janë shprehur që janë lodhur, janë të zhgënjyer dhe kanë ndaluar aty… duke vendosur të vazhdojnë  në rrugë për aq kohë sa të jetojnë”.

Psikologia e Qendrës “T’reja”, Anora Kroj tregon se procesi i aplikimit është i vështirë, i gjatë dhe i lodhshëm dhe shpeshherë personat që kanë nevojë e humbasin shansin që të përfitojnë një banesë sociale.

Por përfitimi nga programet e strehimit është vetëm një pjesë e problemit. Vështirësitë e tjera nisin kur këta persona përpiqen të sigurojnë një banesë me qera.

Një nga problemet e tjera që hasin personat në situatë rruge, është diskriminimi nga shoqëria, kur kanë nevojë që të marrin një banesë me qera.

“Një rast që do ta quaja të suksesshëm, kemi arritur deri sa kemi përfituar bonusin e social. Pra dokumentacioni ka shkuar shumë mirë, por këtu ka pasur një ngecje, sepse vetë ne që jemi masa e gjerë e popullsisë së qytetit të Tiranës, por jo vetëm këtu, edhe më gjerë, hezitojmë që të japim banesa përkundrejt qerasë sepse i paragjykojmë”, tregon psikologja Anora Kroj për Citizens Channel.

*Citizens Channel/ F.S./

 

 

 

 

Gjuha diskriminuese ndaj minoritetit egjiptian në media, flasin aktivistët

Shkuam me Tonin Arapin, e çmontuam, morëm atë që akordonte pianon, ai e çmontoi, morëm një karrocë me një jevg, i  ngarkuam tubat dhe e ndoqëm karrocën nga mbarapa me Tonin dhe e çuam në akademi”, u shpreh Maks Velo jo më shumë se para dy muajsh në emisionin “Opinion”, një ndër emisionet me shikueshmërinë më të lartë në vend.

Termi “jevg” një term pezhorativ i cili i referohet minoritetit egjiptian në Shqipëri, është term diskriminues ndaj këtij minoriteti. Por jo vetëm Maks Velo, por dhe Ben Blushi, Henri Çili e figura të tjera të ekranit në raste të caktuara e kanë përdorur këtë lloj terminologjie, gjuhë urrejtjeje dhe gjuhë diskriminuese ndaj minoritetit egjiptian në Shqipëri.

Kjo ishte dhe arsyeja pse organizatat “Treja”, “Qendra për Aksion Komunitar” dhe  “Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome” organizuan një event simbolik tek sheshi i Teatrit Kombëtar me mbështetjen e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Eventi synonte të sillte nën vëmendje gjuhën e përdorur në media kundrejt komunitetit egjiptian dhe sensibilizimin e shoqërisë për këtë fenomen.

“Roli i medias… duhet të vendosi si fillim një kod etik për përdorimin e gjuhës mediatike. Organizatat sigurisht që duhet ta amplifikojnë zërin e tyre përkundrejt termave të përdorura, përkundrejt diskriminimeve dhe të gjitha faktorëve socialë që pengojnë zhvillimin e jetës së një minoriteti”, tha Ervis Daka drejtues i Qendrës për Aksion Komunitar për Citizens Channel.

Foto: Ervis Daka, drejtues i Qendrës për Aksion Komunitar

Roli i medias dhe i organizatave të shoqërisë civile dhe të të drejtave të njeriut është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim.

Ligji numër 96 i vitit 2017 “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë” përcakton qartë në nenin 8-të të tij ndalimin e diskriminimit të çdo lloj forme ndaj minoriteteve në Shqipëri.

“Minimumi të jenë të informuar (media) që ky minoritet ka një term me të cilin quhet. Është edhe ligjërisht, duhet të njoftohen të gjithë që në vitin 2017 është miratuar një ligj që e përcakton këtë komunitet si minoritetin egjiptian të Shqipërisë dhe minimumi të kenë këtë informacion që të tregojnë kujdes mbi mënyrën sesi shprehen, mbi mesazhet që përcjellin, mbi të ftuarit që ftojnë, mbi mënyrën si reagojnë kur të ftuarit shkaktojnë këto situata dhe përdorin terma konkretë. Duke ditur realitetin them se minimumi është të jenë të informuar dhe të bëjnë atë për të cilën kanë marrë përgjegjësi. Të çojnë mesazhet e duhura”, tha Fatjona Caka, aktiviste për të drejtat e minoritetit egjiptian në Shqipëri.

Foto: Fajona Caka, aktiviste për të drejtat e minoritetit egjiptian në Shqipëri

Ndër të tjera, gjatë eventit u theksua rëndësia e bashkëpunimit të minoritetit me shoqërinë në tërësi, për ta njohur njëri-tjetrin më shumë dhe më mirë si dhe për të luftuar kundër diskriminimit deri në eleminimin e tij.

“Është e rëndësishme  që njerëzit jashtë minoritetit të luftojnë për të drejtat e minoritetit sepse përcjell  një mesazh të dyfishtë, që nuk jemi ne gjithmonë që kërkojmë për veten dhe për  problemet tona, gjë që në disa raste mund të përcakohet si një reagim emocional apo i njëanshëm, por është i dyfishtë mesazhi dhe impakti që ka kur njerëz të tjerë, jo pjesëtarë të komunitetit reagojnë. Sepse kjo do të thotë që e kanë njohur këtë komunitet, e kanë kuptuar se si është realiteti dhe duan të thonë të vërtetën”, u shpreh Fatjona Caka për Citizens Channel.

*Citizens Channel /F.S/