776 shkencëtarë bashkohen kundër digave në lumin Vjosa

Ditën e shtunë u mbajt konferenca për shtyp “Komuniteti shkencor shqiptar dhe ndërkombëtar kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumin Vjosa“, ku shkencëtarët shqiptarë e të huaj kundërshtuan edhe një herë hidrocentralet në lumin Vjosë dhe vazhdimin e punimeve në ndërtimin e digës së Kalivaçit, përgjatë po këtij lumi.

Ata ngrenë shqetësimin se këto punime do ta shkatërrojnë ekosistemin e njëkohësisht do të ndikojnë negativisht në zhvillimin bujqësor e turizmin pasi ulin nivelin e ujërave nëntokësorë dhe nxisin erozion bregdetar, nuk zvogëlojnë rrezikun nga përmbytjet në rrjedhën e poshtme dhe rrisin rreziqet e aktivitetit sizmik në rajonin e Vjosës. 

Kompanitë fituese është shpallur kompania turke “AYEN-Enerji A.S” dhe “FUSHA sh.p.k”. Koncesioni i parë u nënshkruar më shumë se 20 vjet më parë, në vitin 1997, i ndryshuar disa herë radhazi dhe data e operimit është shtyrë vazhdimisht.

Ekspertë në mbrojtje të Vjosës kanë  zhvilluar një takim më Presidentin Meta, për t’i shprehur shqetësimin e tyre lidhur me fatin e këtij lumi. 

Meta u shpreh se shumë shpejt do të organizohet një konferencë ndërkombëtare lidhur me rëndësinë që ka mbrojtja e lumit të fundit të egër në Evropë, duke e konsideruar Vjosën një trashëgimi natyrore me rëndësi evropiane.

 

Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis (VNM) u prezantua për publikun në Memaliaj. Kundërshtuesit e këtij hidrocentrali bëjnë me dije se nuk janë përmbushur provat shkencore se nuk ekziston rrezik ekologjik nga këto punime.

I gjithë procesi, kam frikë, se është i rremë. Për vite me radhë, shkencëtarët shqiptarë dhe kolegët tanë nga vendet e tjera kanë ofruar mbështetje për çështjen e Vjosës, por politikanët shqiptarë na kanë injoruar vazhdimisht. Sidoqoftë, ne qëndrojmë jo vetëm për Vjosën, por edhe për respektimin e standardeve shkencore në Shqipëri, për të mirën e njerëzve dhe natyrës sonë“, u artikulua Prof. Aleko Miho nga Universiteti i Tiranës. 

Shkencëtarët kombëtarë e ndërkombëtarë, krah për krah me Vjosën 

129 ekspertë mjedisorë shqiptarë, iu bashkuan listës së plotë të 776 shkencëtarëve nga 46 shtete që nënshkruan peticionin ku kërkohet  pushimi i projekteve që do të ngrenë diga në lumin e vetëm të egër në Evropë.  

Ky peticion iu drejtua qeverisë shqiptare, përkatësisht kryeministrit, Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ai mbetet një ndër peticionet më të mëdha të shkencës në ekologjinë e ujërave të ëmbël, në rang botëror. 

Ndërtimi i digave në basenin e lumit Vjosë është i pavend, dhe nga një aspekt gjeologjik. Kjo pasi zona është shumë sizmike. Është një ndër zonat më sizmike që kemi në Shqipëridhe ndërtimi i digave do ndikohet fort nga ky aktivitet sizmik“, u shpreh  Dr. Klodian Skrame, Universiteti i Tiranës 

 

Jam shumë i shqetësuar për faktin se jemi duke rrezikuar të humbasim të vetmin lum të egër në Shqipëri dhe ky është lumi Vjosa. Duke ndërtuar një digë të vetme përgjatë lumit Vjosa, do ta humbasim lumin përgjithmonë. Rezukton se të gjitha këto diga hidrocentralesh po shkatërrojnë burimet tona natyrore dhe ekologjinë. Nuk do të kemi zgjidhje nëse ne  humbasim lumin Vjosë tani“, artikulon Prof. Ferdinand Bego nga Universiteti i Tiranës.   

 

Ekzistojnë disa lloje peshqish që vijnë nga deti dhe migrojnë në rrjedhën e sipërme, si për shembull ngjala (evropiane) e cila riprodhohet në detin Sargasso e më pas vjen disa mijëra kilometra në  Evropë. Pastaj migron në lumë për t’u ushqyer dhe rritur. Nëse ndërtoni një digë hidrocentrali ajo (ngjala) do të zhduket përfundimisht në këtë lumë. Dhe është një specie shumë e rrezikuar“, shpjegon Prof. Gilles Pinay nga Instituti Kombëtar i Kërkimit të Shkencës dhe Teknologjisë për Mjedis dhe Bujqësi, Francë. 

 

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Tiranë: Banorët e Matit ngrenë padi ndaj institucioneve që dhanë leje për ndërtimin e HEC-eve

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka pritur sot kërkesë-padinë e nëntë banorëve të Matit, të cilët kërkojnë që të anulohen lejet për ndërtimin e HEC-eve në lumin Urakë ne Zajs dhe Zall-Gjoçaj.

Sipas banorëve, plani konsiston në devijimin e rrjedhës natyrale, marrjen e ujit te lumit Flim që ndodhet në fshatin Zall-Gjoçaj dhe bashkimi i tij me lumin Urakë, nëpërmjet tubacioneve dhe tuneleve.

Në datën 31 tetor, 2018, në mbështetje të ligjit 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, Këshilli i Ministrave vendosi që Parku Kombëtar Lurë të bashkohet me Parkun Kombëtar “Zall-Gjoçaj” dhe u formuar Parku Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”, ku po kryhen punime edhe pse gëzon mbrojtje të veçantë nga ligji.

Seanca e parë gjyqësore nuk u krye pasi firma kontraktuese “Seka Hydropower Sh.p.k” ka ndryshuar adresë dhe nuk e ka marrë padinë, ndaj zhvillimi i gjyqit u shty në datën 18 të këtij muaji.

Në cilësinë e palëve të paditura pranë gjykatës u  thirrën edhe institucione të tjera, si: Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Këshilli i Basenit Ujor Mat, Këshilli Kombëtar i Territorit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Mat.

Avokatja mbrojtëse e banorëve, Dorina Ndreka, tregon se me lejen e dhënë, janë bërë shumë shkelje të dispozitave ligjore.

Aktualisht aty po veprohet në një zonë të mbrojtur. Ka shumë shkelje po kjo është kryesorja. Kryesorja është ndërtimi në zonë të mbrojtur. E ndalon kategorikisht ligji“, shpjegon Ndreka për Citizens Channel.

Çështja e deklaratës mjedisore ka probleme me konsultimin me publikun. Diku tek 11 veta që ishin pjesëmarrës nuk janë banorë. Ne kemi marrë vërtetim nga njësia administrative e zonës që nuk janë banorë aty. Kanë qenë dikur por kanë 20 vjet që kanë ikur që andej. Ne këto ia kemi çuar gjykatës, me provë“, informon më tej avokatja.

Dorina Ndreka, avokate

Para Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë u mblodhën banorë të Matit të cilët prej katër muajsh kanë kundërshtuar ndërtimin e HEC-eve, duke i konsideruar ato të paligjshme dhe shkatërrimtare për ekosistemin dhe për vetë jetesën e tyre në ato zona.

 

Ata kanë ngritur çadrën e rezistencës dhe janë ngujuar atje. Abdi Toçi tregon se vijon organizimi i banorëve dhe secili fshat i zonës së Matit ka disa përfaqësues, ku shkojnë e qëndrojnë me turne tek ajo çadër.

Çadra vazhdon, me turne, me fshatra. Për shembull, tek fshati im e kam ditën e caktume edhe shkoj. Ne shkojmë atje pesë-gjashtë vetë një natë, dy net, sipas turneve. 11 fshatra kanë ditën e vet të caktume edhe shkojnë atje“, shprehet Abdi Toçi per Citizens Channel.

Ai bën me dije se do vijojnë të organizohen më tej në mbrojtje të lumenjve.

Ne tani do bëjmë dhe veprime të tjera, do bëjmë protestë tjetër, edhe ne do vazhdojmë me protesta paqësore. Do mundohemi me të gjitha mjetet që ajo pronë [lumi] mos të devijohet. Banorët janë shumë të indinjuar për atë ujë. Uji i pijshëm asnjëherë nuk bahet për hidrocentrale, edhe zona e mbrojtur nuk preket. Unë nuk e di se ça veprimesh bëjnë këta“, tregon Abdi Toçi.  

Abdi Toçi, banor i Matit

Shqetësimi i tij është i artikuluar edhe ligjërisht.  Avokatja Ndreka bën me dije se është shkelje ligjore marrja e një sasie kaq të madhe uji, i cili përdoret për t’u pirë, për bagëtitë dhe për vaditje.

Nuk mund të merret një sasi kaq e madhe. Materiali tokësor që është këtu nuk jep mundësinë që të furnizohen [njerëzit] me ujëra nëntokësorë. E vetmja mundësi që të sigurohen banorët me ujë është nëpërmjet ujërave mbitokësorë“, informon Dorina Ndreka.

Dhimitër Koleci, një tjetër qytetar i Matit tregon se padia është nisur sepse lejimi i punimeve në ato zona është në kundërshtim me ligjin, pasi nuk është marrë dakordësia e vetë banorëve rezidentë të Matit.

Ndryshon nga vendet e tjera problemi jonë. Atje nuk po nderohet një HEC, aty merret uji me tuba, me tunele, devijohet tërësisht nga rrjedha e vet, dhe 22 km të lumit ngelen  pa pikën e ujit. 97% e ujit futet në tuba. Është shumë e rëndë“, rrëfen Koleci për Citizens Channel.

Dhimitër Koleci, banor i Matit

Mbështetur në materialet dhe bazën ligjore lidhur me HEC-et e miratuara në lumin Sekë dhe Zajs, avokatja Ndreka shpjegon se është e vështirë që kërkesat e banorëve të hidhen poshtë nga Gjykata.

Unë jam shumë e sinqertë këtu, në qoftë se Gjykata e rrëzon këtë kërkesë-padi, atëherë Gjykata nuk është e paanshme. Këtu nuk jam subjektive“, përmbyll Ndreka.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj 

Terminali i ri boshatis autobusët, shoferët: “Harxhojmë më shumë karburant dhe kohë, klientë më pak”

Prej datës 12 janar të këtij viti, autobusët dhe fugonat e veriut, jugut dhe qytetit të Durrësit kanë lëvizur nga ish-Dogana dhe janë pozicionuar tek kthesa e Kamzës. 

Procedura e tenderimit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e terminalit të ri është hapur që në vitin 2016, me një vlerë prej 15.5 milion eurosh, pa përfshirë TVSH-në.

Fitues të këtij tenderi janë shpallur shoqëritë “SALILLARI SHPK & Hellas Servis SHPK & Analysis Computers & Software S.A. & Klodioda SHPK” të cilët do të menaxhojnë hapësirën prej 85,000 metrash katrorë deri në 35 vite.

Kryebashkiaku Veliaj, në një video të shpërndarë në profilin e tij të Facebook-ut ka treguar se 100-vjetori e gjeti kryeqytetin me punë konkrete dhe u kërkoi qytetarëve që të bënin pak durim derisa të kryhet i gjithë procesi i zhvendosjes.

 

Ç’dëgjoj unë- lum si unë! Çfarë shoh unë- mjerë si unë!”

Ç’dëgjoj unë- lum si unë! Çfarë shoh unë- mjerë si unë! Do ta bëjmë kështu, e do ta bëjmë kështu e realisht ja ku jemi”. Në këtë formë u shpreh drejtuesi i fugonit të Burrelit, pak para se të bëhej nisja e automjetit që ai drejton, i zhvendosur tashmë tek terminali i ri.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy javë, shoferi i fugonit të Burrelit rrëfen se ky terminal nuk plotëson kushtet bazike.

S’ke banjo ku të shkojsh, unë marr malet… kjo është për të qesh për Vit të Ri, skeç. Nuk ka banjo!”, shpjegon ai për Citizens Channel teksa ngre shqetësimin se mjedisi i hapur i terminalit do i shkaktojë probleme në ditët me shi dhe gjatë stinës së verës.

Me ra shi tani, unë jam vetëm, unë do mbyll derën. Femrat nuk më njohin, a më vijnë ato në makinë? Kur të vijë vera, këtu do jemi. Jemi duke u pjek që tani“, artikulon në vijim drejtuesi i kësaj linje, i cili nuk dëshiron të identifikohet.

Më shumë trafik, më shumë kosto, më pak fitim

Edhe drejtuesit e linjave të tjera ndajnë të njëjtin shqetësim. Shoferi i Fushë-Krujës shpjegon se pasagjerët janë shumë të irrituar nga ndryshimet e shpeshta të terminalit.

Ka ndiku, deri tani që po shohim gjithë këto ditë më një fjalë, për keq. Për arsye se njerëzit janë të ç’rregullum, u duket sikur tallje. Se fillimisht, stacioni ka qenë tek ish-stacioni i Treni, nga atje tek Zogu i Zi, nga Zogu i Zi tek Dogana, nga Dogana tek Casa Italia. Ju është fiksu sikur po e çojnë në Vorë stacionin“, thotë ai teksa tregon se ka një rënie të punës me 50%.

Ky ndryshim është shoqëruar me një kosto të madhe financiare për të punësuarit në këtë sektor.

Në qoftë se, bie fjala, më përpara do harxhoja 5000 lekë naftë, tani do harxhoj 7000-8000 lekë. Në qoftë se më përpara humbja gjys ore, tani do humb një orë e gjys. Naftë harxhojmë më shumë, kohë harxhojmë më shumë, klientë më pak. Kemi shumë vështirësi që të përballojmë taksat. Kërkojmë ndihmën e të afërmve tonë që të mbyllim vitin“, artikulon ai.

Zotëria rrëfen se është kthyer nga emigrimi katër vite më parë dhe ka ardhur qëllimisht për të hapur një biznes këtu e për të investuar për vendin. Ai shprehet se vështirësitë po e detyrojnë të mbyllë biznesin dhe të largohet sërish nga Shqipëria.

Unë erdha që të hap një diçka për vendin tim, për popullin tim… është e kotë. Unë po pres ditën, sa të më skadojnë dokumentet e këto gjërat, nuk do i rinovoj më, do ta mbyll edhe do kthehem prapë aty ku isha“, përfundon shoferi i linjës së Fushë-Krujës, i cili heziton t’i ngrejë këto problematika me të dhënat e tij personale.

Ndërsa drejtuesi i mjetit që ndjek itinerarin Tiranë-Durrës shprehet se kjo zhvendosje ka rritur shumë trafikun, pasi fillimisht i duhet të kalojë në Kamzë, e më pas të dalë në autostradë. Ai ngre shqetësimin se i janë larguar klientët e rregullt.  

Trafik, ndotje, karburant që digjet. Nuk kursejmë dot as naftë, e harxhojmë të gjithë këtu në trafik. Ne shkojmë një herë në Kamëz. Gjys ore apo 45 minuta ne rrimë këtu, ndërkohë ne për gjys ore kemi pas shku në Durrës, tani nuk shkojmë dot.[Merr kohë] një orë, një ore e çerek“.

Terminali i ri ka zbrazur autobusët dhe ka nxitur paligjshmërinë

Klientela ka rënë me 70%, bosh, për 20 minuta nisem, vetëm dy veta kam” thotë fatorinoja e linjës Tepelenë-Tiranë. Ai, bashkë me drejtuesit e tjerë të linjave shprehen se ky ndërrim i ka detyruar njerëzit të përdorin forma të tjera alternative të cilat janë të paligjshme.

Na janë larguar komplet dhe pasagjerë që kemi pasur të rregullt që udhëtonin me neve. Ai udhëton nga Tepelena, që hipën një taksi 8+1, paguan 1000 lekë, të vijë me neve nga Tepelenë në Tiranë paguan 800 lekë me linjë autobusi. Ai më mirë hipën tek taksia“, rrëfen fatorinoja, i cili shpjegon se autobusi paraardhës i këtij qyteti është larguar me vetëm katër pasagjerë.

Ka ditë që nuk i kemi mbyllur shpenzimet për shkak të mungesës së pasagjerëve. Po nuk morëm pasagjerë, me çfarë t’i mbyllim shpenzimet? 9000 lekë i dua vetëm naftë. Dje pagova sigurimet, vajta i mora pensionin mamit që pagova sigurimet e mia“, shprehet më tej për Citizens Channel fatorinoja i autobusit të Tepelenës.

Autobus i linjës Tepelenë-Tiranë, terminal i ri

Të gjithë ata të paligjshmit i ke në rrugë të Tiranës, i ke tek 21-shi me radhë. Pa taksa, pa asnjë gjë. Në mes të rrugës i ke, të shqyejnë xhaketën. Shteti kur funksionon, funksionon për të gjithë njësoj“, ngre shqetësimin shoferi i një linje tjetër, asaj të Vlorës, i cili bën me dije se të gjithë klientët e dikurshme po shkojnë drejt mjeteve pa licensë.

Konkurrenca, sipas tij është dyfish e padrejtë. Autobusi që ai drejton shpenzon më shumë naftë, e ka të ndaluar të ecë mbi normën e lejuar të shpejtësisë, rregulla të cilat nuk aplikohen tek mjetet që ushtrojnë veprimtari në mënyrë të paligjshme, shtjellon më tej drejtuesi i autobusit të Vlorës.  

Autobus i linjës Tiranë-Vlorë, terminal i ri

Jo vetëm për zotëruesit e automjeteve, edhe për pasagjerët kostoja dhe pakënaqësia është rritur.

Unë banoj tek Shkolla e Bashkuar, me duhet të marr Kombinatin të vij deri në qendër, nga qendra më duhet të marr Institutin, të vij deri këtu. Nuk po qaj më tepër koston, po qaj kohën, sepse ka shumë trafik dhe më duhet një orë që të vij nga andej deri këtu. Të vish deri këtu, të do 1000 lekë taksia“, shprehet një udhëtare e linjës Tepelenë-Tiranë, e cila nuk dëshiron të identifikohet.

Ka edhe nga ata pasagjerë që përdorin nota sarkazme kur u kërkohet mendim rreth zhvendosjes së terminalit.

Janë ngop të gjithë me gënjeshtra, sa nuk u bëhet që të hanë bukë më“, ironizon udhëtari.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Kafshëdashësit kërkojnë që Bashkia Tiranë t’i trajtojë me dinjitet kafshët e rrugës

Edhe unë kam një ëndërr, që edhe kafshët të kenë dinjitetin e tyre, të kenë lirinë e tyre, të kenë mbështetje dhe t’u jepet zë“.

Kështu u artikulua Endri Noti teksa zhvillohej protesta e organizuar nga ai ku u kërkua nga Bashkia Tiranë që mos t’i vrasë dhe t’i keqtrajtojë kafshët në situatë rruge.

Me pankarta dhe qenushë në duar, për rreth dy orë, qytetarët ngritën shqetësimet e shumta lidhur me politikat asgjësuese që përdor Bashkia, kryesisht ndaj qenve të rrugës.

Noti, në përshkrimin e eventit të protestës të titulluar “Unë kam një ëndërr!”, i frymëzuar nga fjalimi i Martin Luther King, kërkon që kafshët të kenë vendin që u takon në shoqëri. 

Endri Noti, organizator i protestës “Unë kam një ëndërr”

Unë kam një ëndërr, që të gjithë kafshët të jenë të barabartë. Unë kam një ëndërr, që te gjitha kafshët do të jetojnë një ditë në një vend, ku nuk do të gjykohen si pushtues por si bashkëjetues ne këtë planet. Sot unë kam një ëndërr”, shkruan Endri Noti.

Jemi mbledhur për t’i thënë stop vrasjes së qenve nga Bashkia“, vijon më tej Etleva Caushaj, një tjetër qytetare e shqetësuar për kushtet me të cilat përballen kafshët në Tiranë . Ajo tregon se qenin që mban në duar e ka gjetur dhe e pas e ka adoptuar atë.

Etleva Caushaj, pjesëmarrëse në protestën “Unë kam një ëndërr”

Qëllimi im ky është që Bashkia të sensibilizohet, mos t’i vrasë më kafshët e rrugës. Në qoftë se s’ka mundësi të kujdeset për to, mund t’i lejë siç i ka lënë deri më sot sepse jemi neve që kujdesemi për kafshët që kemi në lagje”, shpjegon për Citizens Channel Caushaj.

Edhe Terezina Frroku ka të njejtin merak. Ajo dëshiron që Bashkia të ndërmarrë politika strehuese dhe t’u garantojë kafshëve një jetë dinjitoze dhe të shëndetshme.

Unë dhe të gjithë ne që i duam kërkojmë që të sterilizohen, të vaksinohen, dhe të kthehen nëpër lagje ku janë dhe mund t’u bëjmë edhe ndonjë kolibe siç e bën gjithë bota. Këtë kërkojmë ne, mos të na i marrin, mos të na i vrasin, se për t’i ushqyer i ushqejmë vetë”, artikulon Frroku.

Terezina Frroku, pjesëmarrëse në protestën “Unë kam një ëndërr”

Ajo është e merakosur për fatin e qenushëve të vegjël, të cilët kastrohen dhe sterilizohen që në moshë të hershme.

Të vazhdojë projekti që filloi para pesë vitesh, sterilizim, vaksinim dhe kthim në habitat. Por kjo nuk është bërë prej kohësh sepse ai po na i merr, po i vret. Këlyshë të vegjel, që gjoja i marrin i kastrojnë, i sterilizojnë. Një këlysh i vogël tre muajsh, gjashtë muajsh, as nuk kastrohet, as nuk sterilizohet“, shpjegon Terezina Frroku për Citizens Channel.  

Animalistët dhe kafshëdashësit kanë protestuar edhe më herët lidhur me asimilimin e kafshëve të rrugës. Në dhjetor të vitit 2019 u mbajt një tjetër protestë para këtij institucioni dhe u kërkua trajtim më dinjitoz i tyre.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Aktivistët e të drejtave të njeriut në Shqipëri gjenden nën kërcënime të vazhdueshme

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut në Shqipëri përballen me një serë problematikash lidhur me ushtrimin e të drejtës së tyre për të mbajtur qëndrime pro apo kundër tematikave me natyrë sociale, kulturore, ekonomike apo politike.

Shpesh ata kërcënohen, u shpërndahen të dhënat personale, foto apo statuse në rrjete sociale, hasen me komente me natyrë intimiduese, pushohen nga puna dhe janë vazhdimisht nën presion të të afërmve dhe miqve që të heshtin e të heqin dorë.

Kjo klimë e tensionuar është evidentuar edhe më herët. Organizata e Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut  (Civil Rights Defenders) ka publikuar raportin vjetor referuar problematikave që hasin aktivistët në Shqipëri.  

Raporti  “Intimidimi në vend të mirënjohjes” [Intimidation instead of recognition] zbuloi se aktivistët dhe gazetarët përjetojnë sulme të vazhdueshme me qëllim denigrimin apo frikësimin e tyre, përballen me gjuhë urrejtjeje dhe ngacmime, dhunë fizike apo psikologjike. Ata gjithashtu kanë raportuar raste presioni të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë nga autoritetet shtetërore që të heshtin. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut më në rrezik në Shqipëri janë ata që punojnë për të mbrojtur të drejtat e komunitetit LGBTI +, vë në dukje raporti.

Aktivistet që lëvrojnë kauza të barazisë gjinore kërcënohen vazhdimisht nga persona anonimë, përballen me shpifje rreth punës së tyre. Problematikat marrin një shtrirje të madhe në rrjetin sociale Facebook, ku dhjetëra individë me profile të stisura që konsiderohen “trolls” baltosin punën e aktivistëve, vijon më tej raporti. Edhe mbrojtësit e mjedisit përballen më kërcënime të vazhdueshme nga autoritete shtetërore apo persona të paidentifikuar. Një kontroll i lartë është ushtruar në media, sqaron raportimi, ku disa artikuj investigativë janë censuruar dhe është shtypur fjalën e lirë.

Vështirësitë e të qenit mbrojtës i të drejtave të njeriut në Shqipëri 

Alida Karakushi, mbrojtëse e të drejtave të njeriut dhe kauzave të tjera publike ndan vështirësitë dhe sfidat që ajo ka ndeshur gjatë 12 viteve aktivizëm në Shqipëri. Ajo tregon se ndaj saj janë përdorur metodikave denigruese për ta heshtur, të cilat kanë ndikuar edhe tek rrethi i saj familjar dhe e kanë detyruar të tërhiqet.

[Jam kërcënuar ] në mënyrë indirekte, po. Dikush ne Shqipëri, sapo kisha organizuar protestën e parë në 2012, ishte futur duke bërë komente denigruese, duke pretenduar se ishte një anëtar i familjes sime. Impersonifikim ky që shkaktoi shumë dhimbje në familjen time, e ku për disa kohë edhe nuk shkrova shkrime”, tregon Karakushi për Citizens Channel.

Karakushi shpjegon se i janë shpërndarë të dhëna personale apo statuse për ta linçuar publikisht atë.

Njëherë një akademike, medemek që nuk e pranon kritikën, i kishte bërë opinionet ndaj meje fakte. Kishte shkruar një post publik, ku në imagjinatë ia kalonte edhe regjisorëve të Hollivudit, me akuza e pretendime të pabazuara. Rasti tjetër ishte vjet, teksa një video e një shkëmbimi u postua në YouTube e ku medemek një kundërshtar më kishte bërë “fërtele” sipas publikuesit”, shpjegon më tej ajo.

Alida Karakushi, aktiviste

Artikulimi i problemeve shoqërore shoqërohet me pasoja edhe për aktivistët e tjerë. Arjola Hajdini rrëfen se pas një statusi në Facebook, ku dënonte femicidin dhe dhunën me bazë gjinore, janë marrë fotografi nga profili i saj dhe janë shpërndarë në faqe humoristike, në formë meme-sh.

Ka qenë shpërndarja e disa meme-ve, pas një shkrimi që kisha bërë. Nuk ishte shkrim, ishte thjesht një status Facebook-u që u shpërnda nuk e di se si, pa qëllimin tim… U bënë disa meme ku thuheshin gjëra të ndryshme për mua dhe për shkrimin. U kërcënova që do i shpërndajnë edhe në faqe të tjera sepse bënim report, fshiheshin dhe i hidhnin prapë, prapë fshiheshin”, kujton Hajdini teksa tregon se kjo situatë ka vijuar disa ditë radhazi. 

Arjola Hajdini , aktiviste

Aktivistët për të drejtat e grave janë vazhdimisht nën thumbin e komenteve ironike, tallëse apo satirizuese në mjediset shoqërore apo ato virtuale. Liri Kuçi, feministe dhe mbrojtëse e të drejtave të njeriut tregon se shpesh ndeshet me komente seksiste si rrjedhojë e aktivizmit të saj dhe tregon se është sfiduese të jesh individ që lufton për emancipim dhe barazi gjinore.

Tallja dhe batutat që bëhen, kur ka diskutime për fenomene sociale si dhuna e shumanshme që provojnë gratë në shoqërinë tone, janë vetëm një hallkë e shtuar dhunës që marrin vajzat dhe gratë aktiviste teksa tentojnë të hapin dritare të reja diskursive mbi emancipimin gjinor dhe shoqëror”, artikulon Kuçi për Citizens Channel.

Liri Kuçi, aktiviste

“Është sfiduese të jesh aktiviste për emancipim e barazi gjinore në një shoqëri si e jona – ku as nuk mësohet nëpër shkolla për lëvizjet feministe dhe përpjekjet historike të grave për të drejta politike, ekonomike dhe shoqërore, apo ku dhuna ndaj grave përmendet shkujdesur nëpër ndonjë kronikë mediatike, që me anë të ndonjë titulli skandaloz, lajmëron se një grup inicialesh femërore iu shtuan së fundmi listës së viktimave të dhunës në familje”, nënvizon ajo.

“Kështu, kur nga një situatë rehatie e status-quosë mashkullore, ku edhe batutat që qeshen fort, janë seksiste dhe të dhunshme, duke tentuar të ngresh ligjërim dhe madje “të pretendosh” se gratë sot janë të pambrojtura nga shteti dhe të dhunuara nga shoqëria – minimalisht do të marrësh në këmbim romuze (në rastin më të mirë) dhe tallje dhe intimidim për shumë gjatë”, përmbledh më tej Liri Kuçi.

Reagime të mbushura me gjuhë urrejtjeje dhe me përmbajtje dhune janë lehtësisht të hasura kur trajtohen tematika të cilat në Shqipëri, deri para pak vitesh, ishin thuajse krejtësisht të mënjanuara. Aktivistët që dalin hapur në mbështetje të komunitetit LGBTI+ shpesh përballen me mesazhe dhe komente që paralajmërojnë ndërmarrjen e një veprimi të dhunshëm kundrejt tyre.

Isa Myzyraj prej pak vitesh, shkruan dhe merr pjesë në organizime që janë në mbështetje të komunitetit LGBTI+. Ai tregon se qëndrimet e tij publike janë shoqëruar me kërcënime dhe kanosje.

Kam pasur dhjetëra mesazhe private e kërcënime të hapura, nga vrasja që është “më e lehta” deri tek djegia me benzinë, apo dhunim në publik. Unë kam shkruar shpesh për komunitetin LGBT, dhe njerëzit guxojnë të kërcënojnë edhe në komente publike, pa e ditur, dhe pa qenë të informuar se kjo gjë përbën vepër penale. Kam dashur disa herë të denoncoj raste konkrete, por asnjëherë nuk e kam bërë. Më e rënda ka qenë në dhjetorin e 2018, kur disa faqe njëherësh filluan duke publikuar fotografi me një rreth në kokë, dukej sikur donin të më vrisnin”, ndan ai me Citizens Channel.

Reagimet online të Arjola Hajdinit janë raportuar në mënyrë të vazhdueshme dhe profili i saj në Facebook është mbyllur deri në pesë herë gjatë këtyre muajve të fundit dhe kjo e ka privuar nga shprehja e mendimit rreth tematikave të ndryshme.

Në momente të caktuara, duke qenë së Facebook-un e përdor si platformë ku shprehem, kur ka ndodhur diçka dhe kam qenë e bllokuar më ka acaruar, më ka bërë që të frustrohem në një lloj mënyre. Për shembull, kur është miratuar ligji i shpifjes, unë kam qenë e bllokuar dhe kam bërë statusin pas një jave… për një njeri që do të flasë, do të shprehet, do të komunikojë është shumë mbytëse si gjë”.

Familjarët e Arjolës i kërkojnë të tërhiqen pasi i druhen pasojave që mund të sjellë artikulimi i saj publik. 

Mua është thënë edhe shiko ‘se do të të hedhin në ndonjë qoshe, do të të vrasin’, ‘do na lësh pa bukën e gojës’… që janë shumë larg, nuk mendoj gjëra të këtilla. Mendoj se duhet marrë një farë risku për të krijuar një të ardhme më të mirë”, sqaron ajo gjatë intervistës. 

Aktivizmi dhe dhuna policore                                                                                               

Nismat e ndërmarra nga qytetarët aktivë në Shqipëri i kanë shoqëruar jo pak herë aktivistët nëpër komisariate. Alida Karakushi tregon si ajo, bashkë më dy protestues të tjerë, u dërguan në polici sepse kundërshtuan zgjedhjen e Presidentit aktual të Shqipërisë.

Po, jam shoqëruar në polici teksa protestoja bashkë me dy veprimtarë të tjerë të pavarur ndaj zgjedhjes së Metës si President. Ishte i trishtë shoqërimi im në polici, por të paktën videoja u bë virale dhe shpresoj se shumë qytetarë e kanë parë sesi policët mbetën të pafjalë kur u kërkoja arsye për shoqërimi tim. Bile, më e rëndë fare është se vetë ata më kërkuan ndjesë në rajon e më thanë se ishin të detyruar ta kryenin atë veprim me urdhër nga lart”, shprehet më tej ajo.

Jo vetëm ndaj Karakushit, edhe Myzyraj ka përjetuar dhunë policore dhe është gjendur nën kërcënime të vazhdueshme kur është përfshirë në mbrojtjen e kauzave publike.

Më ka ndodhur, për shembull tek protestat për Liqenin, të më ndalnin njerëz pa uniformë të hequr si policë e të më thonë hip në makinë. Nuk kam pranuar sigurisht, pa pasur një fletë arresti ose fletë thirrje”, rikujton ai.

Isa Myzyraj, aktivist

“Më kanë kontaktuar nga telefoni, duke thënë ju telefonojmë nga Prokuroria për tu paraqitur për protestën që keni bërë tek Bashkia, kam shkuar dhe Prokuroria e Tiranës nuk kishte asnjë fletë thirrje për mua. Kërcënime në komente në rrjetet sociale, mesazhe private të rënda në dukje por me një formë presioni të jashtëzakonshëm. Përmendja e familjes, e marrëdhënieve të tua të punës dhe deri tek arrestimet dhe dhuna fizike brenda dhe jashtë komisariateve të policisë”, përcjell më tej Isa Myzyraj.

Punësimi, sfidë për aktivistët

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut tregojnë se kanë marrë shpesh oferta pune të cilat janë përdorur si metoda për t’ua “mbyllur gojën”, janë gjendur me kontrata pune të pa rinovuara ose janë pushuar si pasojë e angazhimit në kauza të caktuara.

Liri Kuçi u pushua nga puna fill pas protestës studentore që nisi në dhjetor të vitit 2018 dhe u zgjat deri në muajin janar të 2019-ës. Angazhimi në këtë protestë ishte arsyeja pse iu ndërpre marrëdhënia e punës me kompaninë private ku ajo ishte e punësuar. Edhe Alida Karakushi është gjendur me një kontratë të pa rinovuar.

Se fundmi kam punuar si lektore ne nje institucion privat por edhe aty nuk mu rinovua kontrata kur u pa qartë se nuk mund të vendosja nota me mik. Nga administrata publike, aktorë politikë më kanë ofruar punë, por e kam refuzuar atë sepse e shihja si një mjet për të ma mbyllur gojën”, tregon Karakushi.

Sigurisht, kur ti vendos që të jesh i angazhuar duhet të heqësh dorë nga disa gjëra. Unë kam hequr dorë nga puna ime e mëparshme vetëm për shkak të aktivizmit tim, ambient im i punës nuk përshtatej me gjithë aktivitetin tim shoqëror”, thekson një rast tjetër Isa Myzyraj.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Zjarret në Australi: Shiu sjell lehtësim por priten flakë të mëdha

Burimi: BBC News 


 Shiu ka rënë në pjesët e shkatërruara nga zjarri në Australi dhe temperaturat janë ulur – por zyrtarët kanë paralajmëruar se flakët do të “ngrihen” përsëri.

Shiu i butë ra në bregdetin lindor, nga Sidnei në Melburn, me reshje “të rrëmbyeshme” të raportuara në disa pjesë të New South Wales (NSW).

Por burimet zyrtare të së dielës mbrëma paralajmëruan që temperaturat do të rriten deri të enjten.

Ata gjithashtu thanë që zjarre të mëdha në Victoria dhe New South Wales mund të takoheshin për të krijuar një “mega zjarr” më të madh.

“Nuk ka vend për vetëkënaqësi,” paralajmëroi Kryeministri i shtetit NSW Gladys Berejiklian të hënën.

“Ky mëngjes ka të bëjë me rikuperimin, duke u siguruar që njerëzit që janë zhvendosur kanë diku të sigurt.” Megjithë ndërhyrjen, ndotja e lagështirës mbeti mjaft e lartë.

Zyra e Meteorologjisë në Victoria paralajmëroi që shikueshmëria në Melburn ishte më pak se 1 km (0,62 milje) në shumë pjesë të qytetit dhe rrethinës së tij.

Lehtësimi i kushteve do të thotë marrjen përsipër me furnizime të zonave të prekura.

Ushtria tha që kishte dërguar furnizime, staf dhe automjete në ishullin Kangaroo afër qytetit të Adelaide në Australinë e Jugut. Ishulli është shkatërruar nga zjarret, me dy njerëz të vrarë javën e kaluar.

Ushtria gjithashtu dërgoi misione zbulimi dhe asistence në NSW dhe Victoria.

 Me qindra prona të shkatërruara në fundjavë. Qytetet rurale dhe qytetet e mëdha panë qiell të kuq, hiri duke rënë dhe tymi që bllokonin ajrin.

Por deri të hënën nuk ka pasur paralajmërime urgjente, pas ndryshimit të motit.

Shteti i  Victorias kishte 25 paralajmërime “shiko dhe vepro” (watch and act) dhe në Australinë e Jugut  vetëm një njoftim të tillë.

Në NSW, të gjitha zjarret ishin përsëri në nivelin më të ulët të alarmit.

Sidoqoftë, Komisioneri i Menaxhimit të Emergjencave në Victoria, Andrew Crisp paralajmëroi se “do të nxehet” dhe zjarret “do të kthehen përsëri”.

Të hënën në mëngjes, kishte vetëm rreth 10 km në mes të një flakërimi në Corryong të Victoria dhe dy të djegur në Parkun Kombëtar Kosciuszko në NSW.

“Kjo do të jetë një situatë në ndryshim dhe dinamike,” tha ai, duke paralajmëruar se ishte “e pashmangshme” se zjarret do të bashkoheshin përtej kufirit.

Ndërkohë, kryeministri Scott Morrison tha se 2 miliardë dollarë (1.4bn $; 1.1bn £) do të angazhohen për rimëkëmbjen gjatë dy viteve të ardhshme.

Në fundjavë,një nismë për mbledhjen e fondeve nga komediania Celeste Barber për shërbimet e zjarrit në NSW mblodhi më shumë se 35 milion dollarë në vetëm 48 orë.

Shumë të famshëm gjithashtu kanë dhuruar para për të mbështetur përpjekjet e zjarrfikësve ditët e fundit – në mesin e tyre këngëtarja amerikane Pink, dhe fituesja e çmimit Oscar Nicole Kidman, të cila premtuan 500,000 dollarë secila.

Dhe të hënën, ylli i pop-it Kylie Minogue në Twitter ka njoftuar që ajo kishte dhuruar gjithashtu:

Duke u kthyer nga portokalli në gri

Me horizontin e tij të rrudhur dhe gri, porti i Edenit dukej pothuajse si një qytet bregdetar anglez.

Është e vështirë të kuptosh që të shtunën në mbrëmje – pasi zjarri kërcënohej dhe qielli u kthye në portokalli – qindra njerëz u larguan pasi e perceptonin sigurinë pranë ujit. 

Kështu dukej EDEN, NSW, të Shtunën. Foto: Reuters
Shiu bie në HMAS Adelaide, në Eden të Hënën

Shumica tashmë janë larguar: disa në shtëpitë e tyre pasi kërcënimi nga zjarri u lehtësua, të tjerët në qendrat e evakuimit në qytete më të mëdha pasi autoritetet paralajmëruan se porti nuk ishte një vend i sigurt.

Shiu është një befasi e mirëpritur dhe i ka dhënë lehtësim ajrit të mbushur me tym.

Por me kushte të thata të nxehta të parashikuara më vonë gjatë javës, njerëzit e Edenit – si shumë në këtë cep të vendit – janë në harresë.

Dhe anija e marinës që përgjon brigjet – e gatshme të ndihmojë në misionin e shpëtimit – është një tjetër kujtesë që nuk është e mbaruar.

Australia po lufton një nga stinët e saj më të këqija të zjarrit, të nxitur nga temperaturat rekord dhe muajt e thatësirës. Të paktën 24 njerëz kanë vdekur që kur filluan zjarret në shtator.

Në fundjavë, Z. Morrison paralajmëroi se kriza mund të vazhdojë me muaj.

Morrison njoftoi krijimin e një agjencie rikuperimi për të ndihmuar ata që kanë humbur shtëpitë dhe bizneset në zjarre.

Ai është përballur me kritika të ashpra për përgjigjen e tij – duke përfshirë edhe marrjen e një pushimi në Hawaii gjatë krizës.

Ish Ministri i Jashtëm Julie Bishop – dhe kolegu i Partisë Liberale të Z. Morrison – tha që Kryeministri po “bënte më të mirën që mundet”, por i kërkoi qeverisë të veprojë mbi ndryshimin e klimës.

“Ne nuk kemi një politikë kombëtare të energjisë në këtë vend dhe një qasje kombëtare ndaj ndryshimit të klimës,” tha ajo.

“Nëse një vend si Australia nuk tregon iniciativë, ne nuk mund të fajësojmë kombet e tjera që nuk tregojnë kështu iniciativë në këtë fushë.”

Sa i dëmshëm është tymi i zjarrit?

Tymi i zjarrit nuk është aq i keq sa ndotja industriale, por është akoma i dëmshëm, thotë Profesori i Asociuar, Brian Oliver, një ekspert në sëmundjet e frymëmarrjes nga Universiteti i Teknologjisë, Sidnei.

“Çdo tym që prodhohet si nënprodukt i diçkaje që digjet është i dëmshëm dhe i keq,” i thotë ai BBC-së.

Sergio Garcia në “Australian Open” në Sidnej këtë javë

Ai vjen kryesisht nga burimet natyrore – pemë, gjethe dhe bimësi të tjera tokësore – dhe përmban grimca të vogla, gazra dhe avuj uji.

Gazrat përfshijnë monoksidin e karbonit, dioksidin e karbonit dhe oksidin e azotit – të gjitha janë më të pranishmet më afër një zjarri.

Në Sidnej – i cili ka marrë tym nga flakët 150 km (93 milje) në tokë – rreziku më i madh qëndron tek grimcat “ultrafine” të cilat mund të udhëtojnë në distanca të mëdha në erë.

Cili është ndikimi në shëndet?

Në këto rrethana, edhe njerëzit e shëndetshëm mund të kenë probleme të vogla të frymëmarrjes dhe të ndiejnë irritime në sy, hundë, fyt dhe mushkëri.

Më të ndjeshëm janë fëmijët, të moshuarit dhe duhanpirësit, ndërsa ata me probleme të astmës, zemrës dhe mushkërive mund të shohin simptoma të rënduara – të tilla si shtrëngimi i gjoksit dhe vështirësia në frymëmarrje.

Maskat standarde të fytyrës janë joefektive kur bëhet fjalë për bllokimin e grimcave të imëta, sipas autoriteteve shëndetësore. Ata paralajmëruan njerëzit që të shmangin ushtrimet jashtë kësaj jave – një sugjerim që shumë e kanë injoruar.

Shumë prej tyre kanë vazhduar të ushtrohen jashtë pavarësisht rreziqeve

Sidoqoftë, shumë zjarre janë djegur me javë të tëra, dhe autoritetet paralajmërojnë se nuk ka fund të menjëhershëm. Nëse tymi mbetet, atëherë grimcat përfundimisht mund të kenë të njëjtin efekt si cigaret.

“Një cigare është në thelb një bimë që thithim me qëllim. Dhe në zjarre, është një bimë tjetër nga e cila ne po thithim tymin, kështu që nuk është për t’u habitur që efektet shëndetësore janë në të vërtetë mjaft të ngjashme,” tha Profesori i Olimpit Ol Oliver.

A janë këto zjarre të shkakuara nga ndryshimet klimatike?

“Ne e kemi shumë të vështirë në përgjithësi t’i atribuojmë ndikimet e ndryshimit të klimës në një ngjarje specifike, veçanërisht ndërsa ngjarja po zhvillohet,” tha Dr Richard Thornton, shefi ekzekutiv i Qendrës së Kërkimit Bashkëpunues të Bushfires & Hazards Natural.

“Por ajo që ne dimë është se temperatura mesatare në Australi tani po shkon rreth 1C mbi mesataren afatgjatë.” Ai shtoi se sezonet e zjarrit po fillonin më herët dhe “rreziku kumulativ i zjarrit” në shumë zona po rritet.

Prof  Glenda Wardle, një ekologjist nga Universiteti i Sidneit, ra dakord se : “Nuk është çdo ngjarje e motit që është rezultat i drejtpërdrejtë i ndryshimit të klimës. Por kur i shihni tendencat … ai lidhet pa dyshim me ndryshimin global të klimës.”

Zjarret masive në nëntor kanë shkatërruar qindra shtëpi

Ajo tha se kishte një “zhvendosje kolektive” në kohën dhe intensitetin e ngjarjeve të motit.

Shkencëtari i klimës i Universitetit Kombëtar Australian Dr. Imran Ahmed e quajti atë një lidhje të drejtpërdrejtë: “Sepse ajo që bën ndryshimi i klimës është përkeqësimi i kushteve në të cilat ndodhin zjarret.”

A u paralajmërua Australia për rrezikun?

Raporti i gjendjes së klimës i vitit 2018 i zyrës së Meterologjisë tha se ndryshimi i klimës kishte çuar në një rritje të ngjarjeve ekstreme të nxehtësisë dhe rriti ashpërsinë e katastrofave të tjera natyrore, siç është thatësira.

Në prill, 23 ish-shefat e zjarrit dhe drejtuesit e urgjencës lëshuan një letër, duke paralajmëruar qeverinë për “ngjarje gjithnjë e më katastrofike të motit ekstrem”. Kjo çoi në kërkesë për një mbledhje, e cila u refuzua nga qeveria.

*Citizens Channel /E.K/

Tiranë: Dekoret e fundvitit gozhdohen në trupat e pemëve, duke rrezikuar mjedisin dhe sigurinë e qytetarëve

Veç pamjes të këndshme që krijojnë, dekoret e vendosura për festat e fundvitit në Tiranë mund të përbëjnë edhe rrezik mjedisor. Citizens Channel kreu një vëzhgim në rrugën Ismail Qemali, në qendër të Tiranës pranë Kryeministrisë, ku vargjet e dritave janë gozhduar përmes mbajtëseve metalike në trupat e pemëve.

Në secilën nga 34 pemët dhjetëra vjeçare të kësaj rruge, janë vendosur dy mbajtëse metalike që mbahen me së paku tre vida secila.

Abdulla Diku, specialist pyjesh, tregon për Citizens Channel se këto mjete i dëmtojnë shumë pemët, duke rrezikuar t’i thajnë apo thyejnë ato.

Sa me afër njëra-tjetrës të jenë këto pjesë metalike, aq më i madh është ndikimi negativ në pemë. Nëse këto kombinohen së bashku (sasia dhe përqendrimi i pjesëve metalike) mund të shkaktojnë dëmtime serioze tek druri/pema, duke çuar deri në tharjen dhe më tej thyerjen e saj. Gjithashtu theksojmë se ngulja e metaleve në pjesët e holla (pjesët e sipërme të pemës) mund të shkaktojë dëmtime duke e tharë atë pjesë deri në thyerjen e saj“, sqaron Diku, duke shtuar se edhe kabllot dhe telat që varen mund të shkaktojnë plagë në pemë.

Abdulla Diku, specialist pyjesh

Ky problem është denoncuar në media që prej vitit 2015, por ende asnjë masë nuk është marrë për të ndryshuar llojin e dekorit. Çdo fund viti, që prej katër vitesh mbi 200 vida ngulen në trupat e pemëve të rrugës Ismail Qemali, për t’i bërë ato të duken festive në Viti ne Ri.

Sipas ekspertit Abdulla Diku, dëmtimi i vazhdueshëm mund të jetë edhe më i rrezikshëm për pemët. Pemët e dëmtuara më herët përkeqësohen edhe më tej nga ngulja e sendeve metalike në trung: “Materialet metalike që ngulen, mund të gërryhen me kalimin e kohës dhe pjesët e gërryera mund të mbeten në pemë, duke e toksifikuar atë. Veçanërisht metalet prej bakri janë shumë toksike për pemën dhe shkaktojnë tharjen e saj.”

Këto sende gjithashtu ia bëjnë më të lehtë dëmtuesve apo kërpudhave që ta përkeqësojnë edhe më tej pemën, çka mund të përshpejtojë tharjen e saj.

Nëse pema/druri është i sëmure, apo ka dëmtues në të, ngulja e vidave dhe gozhdëve e përkeqëson akoma më shumë gjendjen e saj, pasi pema përveç mbrojtjes që do bëjë ndaj tyre, do t’i duhet edhe më shumë kohë dhe energji për t’u shëruar edhe nga metalet e ngulura në të“, sqaron më tej Diku.

Eksperti pyjor Abdulla Diku thekson se dëmtimi i pemëve nuk ka vetëm efekte në mjedis, por mund të kthehet edhe në rrezik për sigurinë e kalimtarëve: “Dëmtime të tilla e bëjnë pemën më të prekshme edhe prej erërave, duke e thyer atë dhe duke shkaktuar dëmtime të mundshme në njerëz dhe ne pajisje” përfundon ai.

*Entenela Ndrevataj | Citizens Channel

Gjirokastra, “qyteti i pjerrët” ku toka të rrëshqet nën këmbë…për shkak të erozionit

Autor: Blerim Kore | Citizens Channel 

Erozioni në zonën e Gjirokastrës është kthyer në rrezik për komunitetin. Si pasojë e shirave intensive të stinës janë regjistruar disa raste të rrëshqitjeve të tokës, të cilat po rrezikojnë edhe jetën e banorëve.  Zona si kodra e fshatit “Arshi Lengo”, zona e Palokastrës, një pjesë e lagjeve Kodra e Shtufit, Çfakë, mbartin nën vite probleme të erozionit dhe janë shënuar me rreth të kuq, në hartën e zonave të rrezikuara.

 

 Aty ku toka të rrëshqet nën këmbë

Shirat e rrëmbyeshëm të pak ditëve më parë, sollën edhe një herë probleme në këtë kodër në lagjen Manalat, në zonën karakteristike të qytetit. Rrëshqitja masive e dherave kërcënon të dëmtojë disa banesa.

Rreshkitje toke ne lagjen Manalat

Sipas specialistëve, kjo kodër ka strukturë të dobët tektonike dhe mungesë të gjelbërimit ndaj nuk i përballoi reshjet, duke shkëputur vazhdimisht masive të konsiderueshëm dheu nga faqja e saj. Më problematike bëhet situata pasi përgjatë kodrës shtrihet njeri prej segmenteve rrugorë i cili lidh këtë pjesë të Gjirokastrës me lagjet e tjera. Në këtë situatë banorët që jetojnë në shtëpitë e ngritura aty, ndihen të kërcënuar.

“Vazhdimisht gjatë ditëve me shi nga kodra shkëputen masive dheu, dukuri e cila ngjall frikë dhe panik tek ne”, thotë Klement Shele, banor i lagjes Manalat.

Gjatë vitit të kaluar rrëshqitja e masiveve të dheut nga faqet e kodrës bllokoi qarkullimin në segmentin rrugor që shtrihet pranë saj ndërkohë që u desh ndërhyrja e mjeteve të rënda për të larguar dherat nga traseja e rrugës. 

Një tjetër rast problematik i erozionit u regjistrua edhe në lagjen Çfakë. Shkarja e masiveve të dheut dëmtoi disa banesa që ndodheshin në këtë lagje duke rrezikuar edhe jetën e banorëve.

Zone e rrezikuar nga rreshkitjet ne lagjen Cfake

“Gjatë stinës së dimrit masive të tëra dheu shkëputeshin nga kodra mbi shtëpinë tonë duke përfunduar më pas fare pranë mureve të banesës. Në disa raste u detyruam të largojmë me ekskavator  baltën që mbulonte oborrin e shtëpisë madje menduam që ta braktisnim godinën”, thotë B. Rondo, banor i lagjes. 

Rrëshqitjet e tokës po shkaktojnë problematika për banorët edhe në fshatin “Arshi Lengo”. Disa banesa në këtë fshat po rrezikohen si shkak i rrëshqitjeve masive të dherave nga faqet e kodrës ku janë ndërtuar. Megjithëse banorët kanë kërkuar vazhdimisht ndërhyrje sërish nuk është ndërmarrë asnjë masë për rehabilitimin e zonës së dëmtuar dhe shmangien e rrezikut për banorët.

Kodra e fshatit Arshi Lengo, zone e rrezikuar nga erozioni

Gjeologët : Dora e njeriut shkatërron natyrën

Specialistët e gjeologjisë në Gjirokastër i kanë vlerësuar këto zona periferike të qytetit si më problematiket për sa i takon erozionit dhe rrëshqitjeve të tokës. Sipas specialistëve të gjeologjisë për vetë profilin tektonik harta e zonës së Gjirokastrës përfshin pika problematike për sa i takon erozionit dhe rrëshqitjeve të tokës.

“ Gjatë stinës së dimrit në qytetin e Gjirokastrës por edhe rrethina konstatojmë rrëshqitje problematike të dherave, të cilat në disa raste dëmtojnë banesat duke rrezikuar madje edhe jetën e banorëve”, pohon specialisti i gjeologjisë, Çano Nora.

Sipas gjeologëve krahas përbërjes natyrore të shtresave gjeologjike të tokës problematike është edhe dëmtimi i këtyre formacioneve tektonike nga vetë dora e njeriut.

“Në shumë raste konstatojmë me shqetësim ndërtime të reja të pastudiuara në zonat e rrezikuara nga erozioni, prerjen pa kriter të masiveve pyjore, dëmtimin e pritave dhe argjinaturave gjatë rrjedhës së lumenjve apo përrenjve malorë çka ndikon negativisht për problematikën e erozionit”, shprehet gjeologu Nora.

Sipas gjeologëve problematike  ngelen ndërtime e reja në zona të pastudiuara nga ana tektonike.

“Në shumë raste banorët i ndërtojnë godinat e reja pa u konsultuar me specialistët e gjeologjisë duke bërë që ndërtime të tilla të jenë të rrezikuara nga erozioni dhe rrëshqitjet e tokës”, apelojn gjeoloku Nora.

Ndërhyrjet për parandalimin e erozionit mbeten ende në letër

 Financimet e pamjaftueshme në vite për parandalimin e erozionit të tokës në zonat e rrezikuara në Gjirokastër ka bërë që kjo problematikë të vazhdojë të jetë një ndër shqetësimet kryesore për komunitetin edhe gjatë këtij dimri. Sipas kryetarit të bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi, pushteti vendor gjatë viteve të fundit nuk kishte zbatuar asnjë projekt për parandalimin e erozionit apo rehabilitimin e zonave të dëmtuara nga rrëshqitjet e tokës.

“Tashmë ne kemi disa studime për ndërhyrjet rehabilituese si në lagjet Çfakë, Kodrën e Shtufit, fshatin Palokastër, etj ndërsa do të mundësohen dhe financime për zbatimin e tyre”, shprehet Golemi.   

“Në bashkëpunim me pushtetin vendor apo institucione të tjera publike dhe subjekte private të interesuara  ne kemi hartuar studimet dhe projektet përkatëse  për të ndërhyrë ne zonat e rrezikuara nga rrëshqitjet e tokës duke përmirësuar sistemin e drenazhimit të ujërave sipërfaqësorë në këto zona, ndërtimin e mureve mbajtëse si edhe pyllëzimin masiv të tyre por një pjesë e tyre vazhdojnë të jenë ende në letër”, shprehen gjeologët në Gjirokastër.

Në këtë situatë një pjesë e banorëve në Gjirokastër duket se edhe këtë dimër do ta kalojnë me frikën se toka po iu rrëshqet nën këmbë.

*Ky artikull u realizua në vazhdimësi të ciklit të trajnimeve “Mjetet dhe Teknikat e Raportimit Lokal”, të organizuara nga Citizens Channel. 
*Redaktor-Lorin Kadiu/Citizens Channel 

 

Protestë përpara Prokurorisë: “Duam drejtësi për viktimat e tërmetit”

Në datën 12 dhjetor, Nisma #Thurje, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook njoftoi organizimin e një protestë të heshtur përballë Prokurorisë së Përgjithshme për të kërkuar drejtësi për viktimat e tërmetit të 26 nëntorit. Homazh-protesta u mbajt ditën e shtunë, ku aktivistë dhe qytetarë u mblodhën përballë këtij insititucioni.  

Në njoftimin e protestës, aktivistët iu drejtuan specifikisht Prokurorit të ri të Përgjithshëm Olsian Çela, i cili ka disa ditë që po ushtron këtë funksion, duke i kërkuar që të ndërmarrë hapa ligjore dhe të hetohen të gjitha palët, nga kryetarët e Bashkive deri  tek inxhinierët, inspektorët apo individët e tjerë të përfshirë.

 

Kur flasim për fajtorët e vërtetë nuk flasim vetëm për inxhinierët, teknikët, supervizorët, pronarët e kompanive, jo! Përgjegjësia e parë fillon tek politika e cila e ka ushqyer, e ka kultivuar, e ka shtyrë, e ka rritur, e ka zmadhuar gjithë këtë papërgjegjshmëri të madhe në kurrizin e vet. Qytetarët sot kërkojnë drejtësi, drejtësi politike”, u shpreh Pano Soko, aktivist  i Nismës #Thurje dhe një ndër organizatorët e homazh-protestës. Ai artikulon se këtë shqetësim e ndajnë shumë shqiptarë të tjerë të cilët kërkojnë që të hetohen fajtorët që shkaktuan vdekjen e 51 personave.

Kjo kultura e pandëshkueshmërisë na ka lënë, na ka katandisur në këtë derexhe që jemi sot dhe natyrisht që në momentin që ndodhin fatkeqësi të tilla të këtyre përmasave, atëherë kupa është mbushur dhe ka filluar të derdhet”, vijon më tej Soko.

 

Politikani më i lakuar i këtij organizimi ishte Vangjush Dako, ish-kryetar i Bashkisë së Durrësit, që e ka ushtruar këtë funksion prej tre mandatesh.  Ai u akuzua nga aktivistët për korrupsion dhe dhënie të lejëve për ndërtim në kundërshtim me ligjin dhe standardet e sigurisë.

Qytetar pjesëmarrës në homazh-protestën/ Foto: Nisma #Thurje

Pse Vangjush Dako nuk është arrestuar akoma? Kush ishte kryetar bashkie në këto vitë? Vangjush Dako. Kush e dha lejen e ndërtimit të tre kateve të tjera të MiraMares? Vangjush Dako. A nuk duhet të ishte ai pas hekurave?!”, ngre pyetjen studentja Ariola Shahini, pjesëmarrëse në homazh-protestën e organizuar. 

Duke iu rikthyer tërmetit të fortë të muajit shtator në Shqipëri, Shahini mendon se situata mund të ishte parandaluar nëse do ishin kryer inspektimet e banesave në atë periudhë.

Kjo situatë mund të ishte parandaluar dhe do ia vija fajin komplet qeverisë, në radhë të parë. Edhe personat që janë në krye të bashkive, qoftë në atë të Thumanës, qoftë në atë të Durrësit. Duhet të ishin marrë masat, të ishin kontrolluar të gjitha shtëpitë”, artikulon Shahini  për Citizens Channel. Ajo denoncon edhe mangësitë e shumta në aspektin logjistik dhe organizativ.

Ariola Shahini, pjesëmarrëse në homazh-protestë

Shteti jonë? Më fal, çfarë kishte shteti jonë për të ndihmuar? As një qen nuk kishim. Të flasim realitetin, aty mungonte një qen që me nuhatjen e tij të gjente viktimat. Dhe ta mendosh që ne paguajmë taksë për një qen që nuk ekziston”, përfundon ajo.

I pranishëm në këtë organizim, Endrit Shabani, pedagog dhe njëkohësisht aktivist i Nismës #Thurje shtjellon më tej mungesën e oganizimit strukturor shtetëror. Nga dēshmitë në vendndodhjet menjëherë pas tërmetit 6.4 ballë të shkallës rihter, ai rrëfen si institucionet dhe policia nuk ishin të përgatitura përballë situatës.

Unë kam qënë në vendngjarje që në orët e para të mëngjesit. Aty kam parë punonjës policie heronj në kuptimin e plotë të fjalës. Por një shtet të ç’organizuar deri në telendisje. Shikoje se si forcat e policisë ishin lëshuar mbi rrënoja duke gërmuar me duar, të patrajnuar, të papajisur dhe të pakoordinuar”, shpjegon Shabani për Citizens Channel. Ai beson se në kushtet e një shteti më serioz, shumë prej viktimave mund të ishin shpëtuar.

Endrit Shabani, pedagog dhe pjesë e Nismës #Thurje

Shabani denoncon mungesën e transparencës duke nënvizuar se qytetarët shqiptarë kanë përjetuar shok psikologjik disa ditë radhazi si pasojë e mungesës së informimit nga strukturat shtetërore.

Qytetarët për një kohë të gjatë ishin në shok. Kjo mund të ishte evituar nëse qeveria shqiptare në vend të spektaklit politik, do ishte kujdesur të mbante qytetarët të informuar për situatën e tërmetit, për masat e marra, dhe për sigurinë e godinave. Ne ende sot e kësaj dite nuk e dimë më siguri nëse shkollat ku shkojnë fëmijët janë apo jo të sigurta”, përfundon ai duke sjellë shëmbull solidaritetin e treguar nga shtetasit shqiptarë dhe jo vetëm, të cilët në syrin e tij ishin më të organizuar se vetë klasa politike.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj 

 

 

 

Studim: Shqipëria e para në Ballkan për numrin më të madh të hidrocentraleve të planifikuara për ndërtim

Shqipëria ka shkallën më të lartë të zhvillimeve në sektorin e hidrocentraleve. Aktualisht në vend numërohen 692 hidrocentrale, duke përfshirë 179 ekzistuese, 453 të planifikuara për tu ndërtuar dhe 60 hidrocentrale të cilat janë në ndërtim e sipër. 

Ky rezultat vjen nga një studim i publikuar në Balkanrivers.net ku thuhet se sektori i hidrocentraleve po lulëzon në Evropë edhe pse shumica e potencialit hidrocentral në kontinent tashmë është shfrytëzuar. Një pjesë e madhe e rritjes është për shkak të zhvillimit të hidrocentraleve të vegjël (0,1-10 MW).

Shpërndarja e hidrocentraleve sipas shteteve (ngjyrat tregojnë 6 rajone)

Dendësia e hidrocentraleve në Evropën Perëndimore është jashtëzakonisht e lartë. Vendet e Ballkanit, veçanërisht Shqipëria, kanë akoma shumë lumenj të paprekur nga pikëpamja hidromorfologjike – por këta lumenj me rrjedhë të lirë janë në rrezik të madh duke pasur parasysh zhvillimin e shpejtë të digave në rajon.

Hidrocentrali në Moglicë (172 MW, i ndërtuar nga Statkraft Norway) në ndërtim në Shqipëri në lumin Devoll, (Pamjet përmes Google Earth, Digital Globe 2019)

Ka një presion të jashtëzakonshëm mbi lumenjtë në të gjithë kontinentin përmes ndërtimeve të hidrocentraleve, pavarësisht rregullave të BE-së që duhet ti kufizojnë ato. 

Përveç 21,387 hidrocentraleve ekzistues, janë planifikuar 8,785 të tjera, kryesisht në Alpe dhe në Ballkan.

Hidrocentralet për rajonin e Ballkanit, Mesdheut Lindor dhe Turqinë

Në hartën e mësipërme me pika të zeza tregohen digat ekzistuese. Me ngjyrë të verdhë digat që janë në ndërtim e sipër dhe me ngjyrë të kuqe, digat të cilat janë planifikuar të ndërtohen.

Lumenjtë e mëparshëm të paprekur – veçanërisht në Ballkan, do të shkatërrohen. 28% e projekteve të planifikuara të hidrocentraleve janë të vendosura në zona të mbrojtura, kryesisht në parqe kombëtare dhe zonën “Natura 2000”. Studimi gjithashtu tregon një rritje alarmante të hidrocentraleve të vegjël (91%), i cili shkatërron mjedisin ndërkohë që prodhon shumë pak energji.

Natura 2000: është një rrjet ekologjik evropian i zonave të mbrojtura tokësore, bregdetare dhe detare, me qëllim mbrojtjen e habitateve dhe specieve më të vlefshme dhe të kërcënuara në të gjithë Evropën.

Hidrocentralet e vogla vijnë me një ndikim të madh ekologjik sepse ato janë të shumta dhe prishin vazhdimësinë e lumenjve, ndërsa kontribuojnë minimalisht në prodhimin e energjisë elektrike.

Hidrocentralet (shpesh hidrocentrale të vegjël) janë nën zhvillim në të gjitha vendet. Sidoqoftë, ekzistojnë dallime të mëdha të klasave të madhësive dhe dinamikës së zhvillimit. Në vendet e Evropës Perëndimore, rritja e hidrocentraleve është realizuar kryesisht nga hidrocentralet e pompës dhe azhurnimi i hidrocentraleve ekzistues. Në Portugali, vendet e Ballkanit, disa vende të Evropës Lindore dhe Turqi, numri i hidorcentraleve rritet çdo vit. Pikat e nxehta të zhvillimit të mesëm dhe hidrocentrale të mëdhenj në Evropën Perëndimore janë Portugalia, Zvicra dhe Austri. Hidrocentralet në Norvegji dhe Skoci po rriten në mënyrë të qëndrueshme, veçanërisht për hidrocentralet e vegjël dhe ato të depozitimit të pompuar. Zhvillimi më dinamik mund të gjendet në rajonin e Ballkanit, Turqinë dhe disa vende të Evropës Lindore. Shqipëria dhe Turqia po zhvillojnë gjithashtu hidrocentrale të mëdhenj.

Shpërndarja e hidrocentraleve në rajone të ndryshme

 

Zonat e mbrojtura dhe hidrocentralet 

Sipas studimit edhe zonat e mbrojtura nuk kursehen nga zhvillimi i hidrocentraleve: 21% (6.409) hidrocentrale në Evropë janë të vendosura në zona të mbrojtura, me 3.936 hidrocentrale ekzistuese, 2.396 të planifikuara, dhe 77 aktualisht në ndërtim.

Hidrocentralet në Evropë në zonat e mbrojtura.

Në kategorinë e parë përfshihen:parqet Kombëtare, vendet Ramsar, vendet e trashëgimisë botërore, rezervat e biosferës
në kategroinë e dytë përfshihen:  Natura 2000, zonat Emerald për Evropën Lindore, rezervat e natyrës
Në kategorinë e tretë përfshihen: Mbrojtja e peizazhit

Aktualisht kategoria II, e cila përfshin zonat Natura 2000, është shtëpia e hidrocentraleve më të mëdha (4,610). Nga 2,396 hidrocentrale të planifikuara në zona të mbrojtura, 572 janë të vendosura në kategorinë më të lartë të zonave të mbrojtura, e cila përfshin parqet kombëtare, vendet e trashëgimisë botërore, vendet  Ramsar ose rezervat e biosferës.

Shpërndarja e hidrocentraleve sipas kategorive

Numri i hidrocentraleve në Evropë është tashmë jashtëzakonisht i lartë dhe mbivendosja e tyre me zonat e mbrojtura zbulojnë një presion të jashtëzakonshëm mbi biodiversitetin e Evropës, dhe për projekte specifike një mosrespektim të ligjeve të Evropës për mbrojtjen e natyrës. 

Studimi tregon më tej se ndryshimet domethënëse hidromorfologjike të shkaktuara nga hidrocentralet janë një nga arsyet kryesore pse trupat ujorë nuk po arrijnë statusin e mirë ekologjik nën Direktivën e Kuadrit të Ujit të BE-së. 10 vitet e kaluara tregojnë qartë, për shembull në Ballkan dhe Turqi, se sa shpejt mund të degradohen tërë shtrirjet e lumenjve të pacenuar duke u tharë. Projektet e reja të hidrocentraleve në lumenjtë e fundit të lirë ose duhet të parandalohet. Projektet e planifikuara të hidrocentraleve, veçanërisht në zonat e mbrojtura, nuk duhet të lejohen të ecin përpara duke marrë parasysh ndikimet e tyre të rënda në biodiversitetin e Evropës,-theksohet më tej në studim. 

*Citizens Channel /E.K/