“Notre Dame de Tiran” ekspozohet në mjediset e Teatrit Kombëtar

“Notre Dame de Tiran” quhet ekspozita e sjellë në mjediset e Teatrit Kombëtar që prej datës 2 nëntor. Nëpërmjet këtyre veprave autori Avni Delvina paraqet imazhe të ndryshme të cilat vënë në qendër kauzën për mbrojtjen e teatrit por edhe sjell një qasje satirike ndaj situatës aktuale politike.

Vepra e piktorit Avni Delvina në mjediset e Teatrit Kombëtar / Foto: Entenela Ndrevataj

Image 1 of 9

Vjosa, lumi i fundit i egër në Evropë, i risjellë përmes fotografive

Ekspozita “Vjosa perla e egër e Evropës” u hap dje në Muzeun Kombëtar dhe paraqiti për publikun veprat artistike të  7 fotografëve shqiptarë dhe të huaj, duke treguar bukuritë dhe aspektet e veçanta të këtij lumi.

Nuk është hera e parë që organizata “EcoAlbania” zhvillon evente për të mbrojtur Vjosën dhe për të evidentuar vlerat e saj nëpërmjet artit. 2 vite më parë u zhvillua koncerti “Mos ma prek Vjosën” në sheshin Skënderbej në Tiranë i cili gjithashtu synonte sensibilizimin e qytetarëve për mos ndërtimin e digave të planifikuara në Vjosë.

Jo vetëm nga ana artistike, por edhe nga ana shkencore ka pasur aktivitete dhe iniciativa sensibilizuese. 30 shkencëtarë të huaj dhe shqiptarë kanë kryer studime në Vjosë dhe kanë mbajtur qëndrimin kundër ndërtimit të heceve në këtë zonë.

Të pranishëm në ekspozitë ishin edhe disa nga fotografët që  kanë dokumentuar bukuritë dhe veçoritë e këtij lumi.

Banoret e fshatit Kute, duke protestuar kunder HEC-it te Pocemit | Foto: Roland Tasho

“Unë meqë kam një cikël të hershëm me  të huajt me kostume shqiptare, kam çuar në Vjosë dhe kam fotografuar nënkryetaren e Parlamentit Evropian e cila pranoi dhe ka dalë buzë Vjosës me një kostum të zonës ose më saktë të zonës së Beratit. Më e bukura është kur erdhën 5 art – designer që kanë kërcyer të gjithë, nga Kalifornia, një firmë shumë e fuqishme në Amerikë që quhet Patagonia edhe ata në sensibilizim dhe në mbrojtje të Vjosës. Erdhën, pranuan u veshën me këto kostumet e zonës dhe dolën e bënë një cikël shumë të bukur fotografik buzë Vjosës”, u shpreh për Citizens Channel fotografi Roland Tasho.

Ndërsa për fotografin tjetër Adrian Guri kontakti i parë me Vjosën ishte kur iu propozua që të punonte për të. Ai tregon se më parë nuk kishte ndonjë informacion specifik për këtë lum.

Ekspedite ne lumin Vjosa 2014 | Foto: Ardian Guri

” Ai ishte impakti im i parë dhe momenti më i rëndësishëm dhe pas asaj filluam 6 dokumentarë të tjerë, gjithmonë me tematikën për ta mbrojtur për të nxjerrë në pah vlerat e saj për të nxjerrë vlerat e gjithçkaje se nuk është vetëm lumi, është komplet lugina dhe fshatrat”, u shpreh ai.

Olsi Nika biolog dhe drejtues i “EcoAlbania” i cili ka një eksperiencë të gjatë në studimin dhe mbrojtjen e mjedisit u shpreh se:

“Ideja për Vjosën është për të rritur ndërgjegjësimin e komuniteteve lokale dhe nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit të ushtrojmë edhe një presion tek vendimmarrësit në mënyrë që vlerat që Vjosa mbart, të cilat janë edhe vlera natyrore por janë edhe vlera historike , kulturore e më gjerë; të ruhen kështu siç janë dhe të transmetohen dhe në brezat pasardhës”.

Ndërsa fotografi amerikan Nick St. Oegger tregoi se kur erdhi për herë të parë aksidentalisht në Shqipëri, të gjithë i thoshin se është një vend në të cilin nuk ke çfarë sheh ose çfarë bën. Por përshtypja e tij e parë ishte krejt e kundërt me çfarë i kishin thënë. Ai kontribuoi në këtë ekspozitë me disa fotografi të Vjosës dhe u shpreh se ishte i impresionuar nga zona përreth.

Banor i fshatit Kalivac | Foto: Nick St. Oegger

” Ajo çka mendoj që ishte më interesante është se duket që ka një çështje (toka) që i bashkon shumë njerëz në Shqipëri dhe ata duket se do të luftojnë për të”, u shpreh ai për Citizens Channel.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Muzeun Kombëtar deri ditën e dielë. Në objektivin e fotografëve Roland Dorozhani, Artan Rama, Gregor Subic, Robert Hackman, Nick St. Oegger, Adrian Guri dhe Roland Tasho; Vjosa paraqitet në disa këndvështrime.

*Citizens Channel /f.s./

“Numra privatë për shërbime publike” – Kaosi me sistemin e ankesave për autobusët në Tiranë

*Erisa Kryeziu | Citizens Channel

Foto: Autobusi i Unazës në një ditë të zakonshme në Tiranë | Fjori Sinoruka | Citizens Channel

Mijëra qytetarë përdorin çdo ditë transportin publik në Tiranë. Lëvizja e përditshme është një sfidë mes pritjeve të gjata në stacion për shkak të orareve që nuk respektohen, kaosit që vjen nga mungesa e informacionit dhe mungesës së kushteve bazike.

Situata mbeti e njëjtë edhe pas vitit 2017, kur qytetarët u detyruan të paguajnë 10 lekë më shumë për biletën. Në këtë kohë Bashkia e Tiranës premtoi një transformim rrënjësor të rrjetit të transportit publik, vendosi 10 kushte për kompanitë dhe ngriti mekanizma raportimi nga qytetarët dhe “kërcënoi” kompanitë me heqje të licencave.

Një vëzhgim 3 javor i Citizens Channel në linjat kryesore të transportit publik në Tiranë tregon se shumë pak ka ndryshuar. Qytetarët thuajse njëzëri tregojnë se ankesat për kushtet janë të njëjtat, por shumë pak kanë informacion mbi ku t’i adresojnë këto ankesa.

“Është e vetmja mënyrë se si qytetarët të na ndihmojnë që të disiplinojmë e të bëjmë zap të gjitha linjat e autobusëve në Tiranë”, deklaronte Veliaj në shkurt 2017, kohë kur u vendos në dispozicion numri falas 0800 0888, për monitorimin e 10 kushteve vendosur operatorëve të transportit urban nga vetë qytetarët.

Nga vëzhgimi në terren rezulton se ky numër afishohet vetëm në deklaratat e zyrtarëve të bashkisë, pasi nuk gjendet në brendësi të autobusëve. Në katër linjat e vëzhguara u konstatuan katër numra të ndryshëm për ankesa, që menaxhohen nga vetë kompanitë që operojnë shërbimin.

Linja Kombinat – Kinostudio


Kompania Shega Trans ka afishuar në brendësi të autobusëve një numër celular, krah një tabele që i kërkon qytetarëve të denoncojnë abuzimet e punonjësve në autobus. Citizens Channel kontaktoi me këtë numër, duke mësuar se është një funksion i brendshëm i kompanisë, dhe nuk ka lidhje me numrin 0800 0888 nga Bashkia e Tiranës që mungon në këta autobusë.

Tirana e Re – “Numri që ju kërkoni nuk ekziston”

“Është e mbingarkuar. Duhet të presësh tre autobuza që të hipësh. Vetëm me Tiranën e Re ndodh kjo”, tregon një zonjë që përdor çdo mëngjes autobusin për të shkuar në punë.

Për t’iu përgjigjur ankesave, linja e Tiranës së Re ka të afishuar një tjetër numër 0800 3399. Citizens Channel provoi të kontaktonte me të, duke konstatuar se numri nuk ekziston apo është jashtë shërbimit.

Kashar – Yzberisht – Qendër


“Udhëzojmë të gjithë udhëtarët në rast pakënaqësie, pyetje, kërkese apo informacioni të nevojshëm rreth linjave apo Shoqërisë Gerard – A sh.p.k. të telefonojnë në numrin 067 2010050”, shkruhet në njoftimin e afishuar në brendësi të autobusëve të linjës Kashar- Yzberisht – Qendër.

Nga komunikimi mësuam se numri i përket vetë shoqërisë që menaxhon këtë linjë e cila ndjek raportimet dhe nuk ka informacion nëse ka apo jo një detyrim për të afishuar numrin falas të vënë në dispozicion nga bashkia për raportimet e qytetarëve. Vëzhgimi në terren tregon se ky numër nuk gjendet as në këta autobusë.

Linja e Unazës

Edhe në linjën e Unazës, një ndër më të frekuentuarat në qytet, gjendet i afishuar një numër privat dhe adresa e postës elektronike të kompanisë FERLUT SH.A, e cila administron këtë shërbim, por vihet re mungesa e numrit 0800 0888.

Si funksionon mekanizmi i raportimit?

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit (AMK) e Bashkisë së Tiranës është institucioni përgjegjës për monitorimin e cilësisë së transportit urban, që ka edhe të drejtën të gjobisë kompanitë për shkelje. Vetë numri i AMK nuk gjendet i afishuar në autobusë dhe gjasat që kompanitë t’i vetë ofrojnë institucionit gjobitës ankesat që marrin, janë të vogla.

Citizens Channel mësoi përmes një kërkese për informacion se AMK nuk ka informacion as për ankesat që vijnë në numrin e Bashkisë 0800 0888. “Numri i ankesave për transportin publik, dërguar nga qytetarët e Tiranës në numrin 0800 0888, nuk disponohet nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, pasi ky numër nuk menaxhohet nga ne si institucion”, thuhet në përgjigjen e AMK.

Megjithatë, AMK sqaron se në katër muajt e fundit (Janar – Prill 2019) janë marrë 127 ankesa përmes aplikacionit “Tirana Ime”, faqes së Facebook, adresës së e-mailit dhe numrit të telefonit.

AMK sqaron më tej se për këtë periudhë janë vendosur 179 gjoba ndaj kompanive të transportit urban me një vlerë financiare prej 746.000 lekësh.

Një kërkim në faqen zyrtare të Bashkisë Tiranë tregon se numri 0800 0888 nuk është i dedikuar për transportin publik. Ai është vënë në dispozicion nga institucion për pyetje mbi të gjitha çështjet që lidhen me qytetin, çka mund ta bëjë të vështirë adresimin e problemeve specifike të transportit publik.

16 linja… një stacion

Në dy vendqëndrimet e autobusëve të vendosur në unazën e vogël të Tiranës, , kalojnë 14 linja autobusësh nga 15 të tilla që operojnë në qytetin e Tiranës. Autobusët duhet t’i ndajnë dy vendqëndrimet edhe me linja ndërqytetëse.

Sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak, mos respektimi i vendqëndrimit ndëshkohet me 5.000 lekë për çdo konstatim, por mungesa e hapësirës bën që në orët e pikut dhjetëra autobusë të çdo ditë të ndalojnë jashtë stacioneve.

Ajo që vihet re është se në stacionet më të ngarkuara në Tiranë, hapësira për qëndrimin e autobusëve është shënjuar me sinjalistikë horizontale duke ndërprerë një nga korsitë e automjeteve. Mungesa e një xhepi të dedikuar për autobusët në një nga rrugët më të frekuentuara në Tiranë dhe qëndrimi i numrit të lartë të autobusëve përtej hapësirës së vijëzuar krijon probleme të shumta me trafikun.

Edhe vetë shoferët e autobusëve ankohen se vonesat vijnë për shkak të trafikut të krijuar: “Një rrotullim i plotë i autobusit të Tiranës së Re shkon 45 minuta. Varet nga trafiku. Lëviz një minutë, një minutë vonohet autobusi i parë, vonohemi edhe ne pas…” shprehet një nga shoferët e linjës së Tiranës së Re.

Lexo edhe:

Pas vitesh premtime, askush nuk di t’i përgjigjet pyetjes “Kur do vijë autobusi?”

Cilat janë linjat më problematike në Tiranë?

Prej vitit 2016 Bashkia e Tiranës ka lidhur kontrata të reja me operatorët e transportit publik, duke përfshirë një sistem me 300 pikë, që zbriten në bazë të shkeljeve që shoqërohen me gjoba. Citizens Channel ka siguruar numrin e pikëve që iu janë zbritur operatorëve për vitin 2018, ku vihet re se linja “Ish Kombinati i Autotraktorëve – Qendër” është ajo që ka më shumë shkelje me 110 pikë të zbritura ndërsa linjat më “korrekte” me vetëm 10 pikë zbritje janë ato të Saukut, Maternitetit të Ri dhe Porcelanit.

 

Foto Reportazh: Rrënojat e Kombinatit Metalurgjik si dëshmi e dështimit të dy sistemeve

Kombinati metalurgjik i Elbasanit u ndërtua në periudhën kur Shqipëria Komuniste kishte marrëdhënie të mira me shtetin e Kinës. Kinezët kontribuuan në ndërtimin e këtij kombinati në të cilin kanë pas qenë të punësuar rreth 12.000 punëtorë.

Ky kombinat ka qenë “investimi” më i rëndësishëm gjatë periudhës së regjimit diktatorial, por më pas ka sjellë dhe shumë pasoja në jetën e qytetarëve të Elbasanit. Ai u quajt “Çeliku i partisë”, dhe në të kanë humbur jetën shumë punëtorë për shkak të kushteve të vështira të punës dhe sëmundjeve profesionale,  gjithashtu i ka shkaktuar edhe dëme mjedisore, si ndotja e ajrit, qytetit të Elbasanit.

Shenjat e para të kolapsit të Kombinatit Metalurgjik erdhën që në kohën kur regjimi Komunist prishi marrëdhëniet me Kinën, duke vazhduar edhe gjatë periudhës së demokracisë për shkak të keq menaxhimit të qeverive dhe copëtimit të administrimit të tij ndër shumë subjekte private.

Sot, hapësira në të cilën ndodhet metalurgjiku i Elbasanit, të ofron këtë pamje: një pafundësi ndërtesash të zymta dhe të errëta që krijojnë një impakt aq të fuqishëm saqë gati-gati harron që aty vazhdohet të punohet…

Në kontrast me ndërtesat është gjelbërimi i cili hera-herës gërshetohet me këto godina, por edhe gjelbërimi në këtë zonë është i pa kuruar dhe duket se vjen si pasojë e braktisjes.

Metalurgjiku qëndron sot si një simbol i të shkuarës komuniste, si një kujtesë e krenarisë së panevojshme të atij sistemi dhe si një ëndërr që nuk u realizua kurrë për shqiptarët.

“Bashkëjetesa e së vjetrës me të renë” oxhaqe të ndërtuara gjatë viteve 70 qëndrojnë mbi një pjesë të ri-ndërtuar pas privatizimit
Ndërtesa të rrënuara në hapësirën e Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit
Kishë e vjetër që gjatë kohës së komunizmit u kthye në godinë të metalurgjikut
Pirgje metalesh dhe lëndësh të tjera që përpunohen nga fabrikat
Procesi i përpunimit
Treni i mallrave që kalon mes Kombinatit Metalurgjik
Një tabelë ku shkruhet “Ndalohet hedhja e mbeturinave. Shkelësit gjobiten”, qëndron pas një hapësire të mbuluar nga mbetjet
Ndërtesa të rrënuara në hapësirën e Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit
Ndërtesa të rrënuara në hapësirën e Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit
Oxhak i vjetër i ndërtuar në hapësirën e Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit
Ndërtesa të rrënuara qëndrojnë mes gjelbërimit të krijuar nga braktisja

 

*Citizens Channel /Fjoralba Sinoruka

Foto Reportazh: Sazani, misteret e ishullit të ushtarakëve

Shumë pranë Vlorës, në ujërat e kaltra të detit Jon, ndodhet ishulli i Sazanit, ishulli i vetëm i banuar i Shqipërisë dhe njëkohësisht më misteriozi. Popullsia e tij, ashtu si edhe në kohën e regjimit komunist, vazhdon të mbeten ushtarët. E ndërkohë që dikur ishte një nga zonat ushtarake më misterioze të vendit tonë, sot është shndërruar në një atraksion turistik.

Ajo që shihet sapo i afrohesh ishullit janë ndërtesat e larta që shërbenin si banesa të ushtarëve që ishin me shërbim, por nuk mungojnë as baret, kinematë, teatrot, shkolla, spitalet dhe maternitetet. Edhe pse turistët mund ta vizitojnë, ky ishull sërisht ruan sekrete dhe mistere të shumta, të cilat as ish- ushtarakët që kanë shërbyer nuk pranojnë t’i zbulojnë dhe e vetmja gjë të të thonë është “Ajo që ekziston mbi tokën e Sazanit, ekziston edhe poshtë saj”.

Foto: Denis Tahiri
Ishulli i Sazanit i parë dhe i fotografuar nga varka
Ndërtesat që kanë shërbyer si banesa për stafin ushtarak dhe familjet e tyre
Baza ushtarake e cila është ende aktive në këtë ishull
Turistë të huaj dhe shqiptarë duke vizituar shkollën 8- vjeçare të Sazanit
Banesë e degraduar nga koha dhe mosmirëmbajtja
Kompleksi i banesave ushtarake të fshehura mes bimësisë
Teatri dhe kinemaja ku shfaqeshin filma dhe pjesë teatrale 2 herë në javë, falas për ushtarakaët, familjet e tyre dhe administratën civile të ishullit
Bunker nëntokësor pjesë e një rrjeti tunelesh në ishull
Pjesë e plazhit të Sazanit, ku turistët mund të notojnë
Flamuri shqiptar në bazën ushtarake në ishull, e cila përdoret për patrullime detare

*Citizens Channel / Denis Tahiri

Protesta e opozitës në objektivin e Citizens Channel

Mijra qytetarë të thirrur nga opozita, mbushën Bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë, për të protestuar kundër qeverisë.

Largimi i Kryeministrit Edi Rama, krijimi i një qeverie antimafia që do t’i hap rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ishin kërkesat kryesore të liderave të opozitës.

Protesta u mbyll në mënyrë paqësore, përpos disa incidenteve sporadike.

Protesta në objektivin e gazetarit të Citizens Channel, Amarildo Topi.

Bulevardi Deshmoret e KombitDuam drejtesi, PankarteFlamuri ameriakn dhe ai i BEKryetari i PD Lulzim Basha gjate fjalimit te te tijMaskat kundragazPankarte per ilacetPankartePolicia duke vezhguar protestuesitPolicia para KryeministrisePoliciaProtestues me gishtat lartProtestues me nje manekin te kryeministritProtestues paraplegjikProtestuesProtestuesit para kryeministrise

Lëvizja me biçikletë në rrugët e Tiranës ‘sport’ i rrezikshëm që mund të të marrë jetën

“Më ka ndodhur shpesh të bëj aksident me biçikletë. Hera e fundit ishte në 31 tetor kur një makinë ndaloi papritur dhe pasagjerja hapi menjeherë derën. Në ato momente nuk pata asnjë mundësi të mbrohesha kështu që rashë dhe theva dorën”, shprehet Astrit Allushi.

Dora e djathtë e Astritit ëshë ende në allçi, por sërish ai nuk e lëshon nga dora. “Janë të shumta arsyet që më çojnë në përdorimin e biçikletës dhe pavarësisht vështirësive nuk besoj se do heq ndonjëherë dorë prej saj”, shprehet ai për Citizens Channel.

Astrit Allushi duke folur për Citizens Channel. Foto: Flavja Kënga
Astrit Allushi duke folur për Citizens Channel. Foto: Flavja Kënga

Rasti i Astriti është një nga aksidentet e shumtë me pasoja të lehta që ndodhin thuajse përditë në rrugët e Tiranës. Sipas policisë së Tiranës mësojmë se nga shtatori i vitit 2015 deri në fund të shtatorit 2017 janë regjistruar gjithësej 171 aksidente ku janë përfshirë biçikletat. Nga këta aksidente, 123 kanë patur si pasojë plagosje të lehta, 37 plagosje të rënda dhe në 11 raste aksidentet kanë qenë fatale për personat mbi biçikletë. 

Ky është vetëm numri i aksidenteve që janë regjistruar nga blutë e kryeqytetit, ndërkohë burime nga policia bëjnë me dije se ky numër mund të jetë më i lartë për shkak se dëmtimet janë të vogla dhe nuk denoncohen nga të përfshirët në aksidente.

Aksidentet me pasoja Tiranë. Burimi: Policia Rrugore Citizens Channel
Aksidentet me pasoja Tiranë. Burimi: Policia Rrugore

Sipas organizatës Ecovolis në Tiranë numërohen rreth 30.000 përdorues biçiklete dhe numri i tyre është në rritje, ndërkohë mbetet e pandryshuar situata e korisve të dedikuara të biçikletave.

Aktualisht Bashkia e Tiranës është duke ndërtuar një korsi të dedikuar në mezin e Bulevardit Zogu I dhe Bulevardin Dëshmorët e Kombit, që i shtohen rrjetit të korsive në një segment të Unazës së Vogël, rrugës Dritan Hoxha dhe Rrugës së Kavajës.

Në segmentet ekzistuese edhe pse janë të shenjuara me tabelat që ndalojnë qendrimin e automjeteve dhe kalimin e këmbësorëve, ato nuk respektohen nga qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve prandaj lëvizja me biçikletë vëshirësohet.

“Më ka ndodhur shumë shpesh të dëmtohem si pasojë e pakujdesive të drejtuesve të automjeteve. Disa herë kanë qenë dëmtime serioze e herë të tjera më të lehta”, tregon për Citizens Channel studentja Dora E. , e cila lëviz përditë me biçikletë.

Këmbësorë në korsinë e biçikletave në rrugën Dritan Hoxha. Foto: S.Manushi/Citizens Channel
Këmbësorë në korsinë e biçikletave në rrugën Dritan Hoxha. Foto: S.Manushi/Citizens Channel

Duke patur parasysh që popullsia në Tiranë po shkon rreth 1 milion dhe rreth 170 000 makina që lëvizin përditë në rrugët e saj, nevoja për ndërtimin e korsive të dedikuara për biçikletat bëhet më e madhe.

“Shqetësim tjetër për mua si përdorues i rregullt i biçikletës janë edhe këmbësorët, që korsitë e biçikletave ju duken si pedonale dhe shëtisin me qetësinë më të madhe apo edhe ata që kalojnë midis makinave”, na thotë Astriti.

Megjithëse biçikleta është një mjet lëvizës që nuk ndot ambjentin, ka shumë pak lehtësira për përdorimin e saj në krahasim e vendet e tjera të zhvilluara. Këto shtete, të përqendruara kryesisht në Europën Veriore dhe Veri-lindore, kanë ndërmarrë sfida që fillojnë nga riciklimi, përdorimi i automjeteve elektrike dhe ndalimin e hyrjes së automjeteve në zona të caktuara të qyteteve, për të minimizuar ndotjen e mjedisit. Në këtë luftë kundër makinave, naftës dhe smogut, një rol kryesor e luan edhe biçikleta, e cila është një mjet i hershëm që i shërben si shëndetit individual ashtu edhe shëndetit mjedisor.

Autor: Flavja Kënga

Tirana, ‘streha’ e bizneseve miqësorë ndaj mjedisit

Në një kohë kur e gjithë bota po i kthen sytë nga një mjedis i pastër dhe sa më i shëndetshëm, përjashtim nuk mund të bëjë edhe Shqipëria. Duket se shqiptarët janë ndërgjegjësuar dhe po përpiqen që të jetojnë jo vetëm shëndetshëm, duke përzgjedhur produkte bio në tavolinat e tyre, por në të njëjtën kohë të mbajnë pastër edhe mjedisin ku jetojnë.

Kjo vërehet edhe tek shumë biznese që duan të jenë miqësorë me mjedisin dhe frymëzojnë me idetë e tyre. Ata janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, por në thelb kanë të njëjtën filozofi: Të jetojmë shëndetshëm dhe të ruajmë mjedisin!

Pica të vjen me biçikletë

Proper Pizza është piceria e parë në Tiranë, që produktet e saj i shpërndan edhe me biçikleta.

Sigurisht tek “Properi” funksionon edhe shërbimi i motorrave, por të jetuarit shëndetshëm është filozofia e këtij biznesi. Prej më shumë se tre muajsh ata kanë nisur shpërndarjen e picave me biçikleta dhe kjo ka ndodhur pikërisht në 13 maj të këtij viti, si një risi në piceritë shqiptare.

Menaxherët e Proper Pizza thonë për Citizens Channel se ata kanë punësuar, “16 çiklistë të cilët janë të shpërndarë në tre pikat e picerive dhe që momenatlisht shpërndajnë pica në të gjithë Tiranën”.

Të pyetur nëse shpejtësia paraqet problem për konsumatorin, ata na tregojnë se ky nuk është aspak problem. “Picat, të cilat e kanë paketimin gjithashtu të riciklueshëm, kanë shkuar tek klientët më shpejt duke bërë që këta të fundit jo vetëm të kenë kënaqësinë që po marrin picën e tyre të parapëlqyer, por edhe të ndihen të privilegjuar me cilësinë e shërbimit. Një tjetër arsye pse ne kemi vendosur shërbimin me biçikleta ka qëndruar në faktin që kemi dashur të punësojmë studentë, të cilët punojnë part-time gjatë kohës që janë duke vijuar studimet e tyre.”

Shërbimi me biçikleta ka një sërë benefitesh, të cilat i vijnë në ndihmë jo vetëm komunitetit, klientit, por edhe biznesit. Në rrugët e Tiranës ka më pak ‘pilotë’ me motorra, më pak zhurma, më pak çlirime gazrash të dëmshme dhe për biznesin më pak kosto. Ndërsa studentët që nuk kanë një leje drejtimi për motorra, një mundësi më shumë punësimi.

Xhinset nuk vdesin kurrë

Kur flasim për xhinset të gjithë biem dakort që ato nuk do të ikin kurrë nga moda. Por jo vetëm kaq, kushdo që ka ide mund të bëjë mrekullira me xhinse dhe këtë e kemi të faktuar. Kur krijoi tri vite më parë nismën “Recycle jeans”, stilistja Bukuroshe Sinani nuk e kishte menduar që do të kishte kaq shumë sukses.

Ajo tregon për Citizens Channel se për 5 vite rradhazi kishte mbledhur 70 palë xhinse (shumë për një familje) dhe me to mendoi të krijonte çanta për të minimizuar kështu përdorimin e ‘armikut’ kryesor të ndotjes së ambientit, qeseve plastike.

Në tre vjet ajo ka krijuar më shumë se 2000 çanta dhe na tregon se tashmë “Recycle Jeans” ka partnerë seriozë si “Cultural Heritage Without Borders”, por edhe fushatat e ndërgjegjësimit dhe grumbullimi në shumë shkolla, universitete, bare e institucione shqiptare, kanë bërë që njerëzit të cilët nuk duan t’i përdorin më xhinset e tyre ti drejtohen pikërisht “Recycle Jeans”, sepse me këto xhinse do të shohin produkte të reja shumë interesante.

Krijimi i një çante nga një palë xhinse të përodrura. Foto: Recycle Jeans Citizens Channel
Krijimi i një çante nga një palë xhinse të përodrura. Foto: Recycle Jeans

Dhe meqë po flasim me një stiliste që e do shumë materialin “jeans” ajo na ka rrëfyer se me to ka krijuar, çanta, jastiqe, xhepore muri për gazeta, veshje kolltuqesh, piktura, aksesorë të ndryshëm si varëse, vathë, por këtë vit kanë patur gjithashtu edhe një  koleksion veshjesh këtë në “Eco Fashion Show“. 

Sa i përket çmimeve që këto produkte kanë Sinani thotë se, kostoja e një produkti është e ndryshueshme. Çdo produkt ka çmimin e tij në bazë të modelit dhe punës që bëhet, ndërsa përsa i përket tregut se ku shiten ajo thotë se, shitjet janë kryesisht në Shqipëri, por falë rrjetit që kanë krijuar nëpërmjet pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme, promovimit nga të huajt në Shqipëri, bashkëpunimit që kanë patur me Claudia Janizewski me përpareset xhins, ato kanë shkuar edhe në Amerikë.

Bari i ‘mrekullueshëm’

Të njëjtën ide duket se ka ndjekur edhe “Formidable”, një lokal shumë stil të cilin e gjeni përballë Universitetit të Sporteve. Ky biznes ka nisur tri vjet më pare në katin e parë të një pallati të kohës së komunizmit si nismë e dy miqve dhe pas tre vitesh ata vendosën t’ja shisnin atë dy djemve të tjerë gjithashtu me ide interesante.

Në ndryshim nga shumë bare luksozë të tjerë të Tiranës çdo material i përdorur në arredimin e lokalit është i riciklueshëm dhe i përdorur më parë.

Erioni dhe Jurgeni nuk kanë ndryshuar asgjë në lokalin e tyre, pasi dhe ata janë fansa të bizneseve ekologjike. Në ambientin e tyre të vogël e shumë komod të duket sikur kthehesh pas në kohë. Ju kujtohen ato karriget e vjetra që i kemi patur në shtëpitë e gjyshërve, valixhet e kohës së komunizmit (këtë herë shërbejnë si tavolina), sobat me dru, radiot “Iliria”, gazetat e kohës së vjetër (të ngjitura në mure), kulleset e makaronova (që shërbejnë si abazhura), thasë kafeje (të vendosura në tavane), etj të gjitha kanë i gjeni në kafeterinë e djemve simpatikë. Kur i pyetëm djemtë se nëse ishte e vështirë t’i gjeje objektet e këtij lloji na thanë se një pjesë të tyre ua kanë dhuruar edhe banorët e lagjes.

“Banorët e lagjes na kanë dhuruar gjithashtu edhe libra, i lenë në këndin e tyre dhe kur vijnë të gjerbin kafen e mëngjesit lexojnë librin që kanë lenë në lokal. Por ka edhe objekte që kushtojnë. Ja përshembull radio “Iliria” ka kushtuar, atë ia kemi blerë një koleksionisti”, thonë djemtë për Citizens Channel.

Formidable është një oaz qetësie dhe mbi të gjithë i këndshëm i preferuar kryesisht nga turistët e huaj. Sepse të bësh bashkë të vjetrën me të renë duhen ide dhe duket se Ervini dhe Jurgeni i kanë me shumicë.

Autor: Suada Daci* / Citizens Channel
*Autorja është kryeredaktore pranë Blitz.al

Pelegrinazhi në malin e Tomorrit, mijra pelegrinë luten për mbarësi

Mali i Tomorrit është destinacioni përfundimtar i mijëra pelegrinëve nga e gjithë Shqipëria, por dhe nga jashtë kufirit për ritin e përvitshëm drejt vendit të shenjtë, Kulmakut. Rrugëtimt të tyre iu bashkua edhe Citizens Channel.

Mali i Tomorrit është destinacioni përfundimtar i mijëra pelegrinëve nga e gjithë Shqipëria, por dhe nga jashtë kufirit për ritin e përvitshëm drejt vendit të shenjtë, Kulmakut. Rrugëtimt të tyre iu bashkua edhe Citizens Channel.

Pasi lamë në të majtë Poliçanin, nisëm ngjitjen drejt malit të shënjtë të Tomorrit. Lartësia 2416 metra. Para se të niseshim na këshilluan të merrnim një mjet që sfidon rrugët malore sepse rruga është paasfaltuar dhe e vështirë.

Pak nga pak vreshtat dhe pemët fillojnë e rrallohen. Një orë më vonë ndodhemi mes pllajave të zhveshura të Tomorrit.

Kompani të ndryshme dhe njerëz me ‘fije të lidhura mirë’ prej vitesh po gërryejnë prej malit të shenjtë tonelata të tëra me pllaka mermeri që më pas zbriten për tu tregëtuar. Gjithandej gjurmë gërmimesh, pllakash të lëna pranë gropave pa bimësi dhe pluhur i shkaktuar nga vargje makinash që po ngjiten për të qenë pjesë e pelegrinazhit pesë ditor, nga 20 deri më 25 gusht.

Ndalesa e parë ndodh pa kryer as gjysmën e udhëtimit, në të djathtë në fshatin Dhorjes ndodhet objekti i parë ku pelegrinët ndalojnë. Në tyrbe lexojmë një tabelë udhëzuese ‘Gjurma e Abaz Aliut’, dhe ajo që dallohet është forma e ngjashme me gjurmet e patkoit të një kali të lëna në dërrasën e Kajcës.

E gjithë kjo është rrethuar në formën e një turbeje në të cilën ndodhet në hyrje tabela “PA ATDHE NUK KA FE”. Besimtarët bektashinj pasi hyjnë në objekt, kryejnë ritin duke hedhur hapa në formë rrethore dhe pasi hedhin lekë në dërrasën ku shihen gjurmët ata duhet të dalin duke ecur mbrapsht.

Ajo që shikohet teksa del janë jo vetëm banorët e zonës që shesin rigon, çaj dhe lajthi skrapari, por edhe një lokal i improvizuar me plasmasë si dhe gropat e mbetura nga gërmimet për pllaka mermeri.

Një polic përpiqet të orientojë trafikun e rënduar, për shkak të një plani masash të përpiluar nga policia e Beratit ashtu sikurse në çdo gusht. Lart duket e largët dhe sfiduese edhe maja e Tomorrit.

Pas një udhëtimi që zgjat dhe një orë tjetër shfaqen dhjetra çadra të vendosura në pllaja. Rregulli e do që për të ndjekur ritin duhet të flesh një natë në malin e shenjtë. Për këtë qindra persona me të afërmit e tyre ose kanë ngritur çadrat e tyre, ose më së shumti kanë marrë çadra që jepen me qira. Ato kushtojnë nga 20 deri në 30 mijë lekë të vjetra.

Kampi

Por ne vazhdojmë udhëtimin tone. Duhet të kapim majën e Tomorrit pasi siç shprehet, Deliu shoqëruesi ynë, duhet të mbërrijmë në Majën e Tomorrit. Aty është Turbja e Abaz Aliut, e shpallur monument kulture që prej viti 2008. Për nder të tij është ngritur edhe një statujë bronzi, ku Abaz Aliu mbi një kalë me shikim andej nga lind dielli mban në krahë dy fëmijë.

Rruga që të çon drejt tyrbes është e shtruar me pllaka mermeri. Të paktën mermeri i Tomorrit është përdorur edhe këtu.

Banorët e fshatrave përreth kanë mbyllur në vathë të krijuara enkas, dhjetra qengja. Ata më pas do të blihen e do të bëhen kurban. Por përpara këtij riti duhet të hyjmë në turbe.

Klajdi nga Skrapari, 14 vjeç, na kujton se duhet të blejmë qirinj. Një pako kushton 2 mijë lekë të vjetra. Ai bashkë me familjarët e tjerë vijnë çdo vit, secili prej tyre bën një punë për të fituar të ardhura me të cilat më pas jetojnë. Klajdi

“Kam filluar të shes 10 vjeç qirinj – thotë Klajdi – kushdo që vjen këtu i blen me pako.”

Luten jo vetëm për vete, por edhe për të afërm apo njerëz të dashur. Për punën dhe mbarëvajtjen në jetë. Besimtarët e sektit bektashian marrin me vete në shtëpitë e tyre qirinjtë e shkrirë dhe dheun që ndodhet në vendin ku prehen klerikët bektashianë, pasi kjo sjell për ta mbarësi përgjatë gjithë vitit kalendarik.

Edhe në shkallët e tyrbes lypesit të kujtojnë se duhet të falësh dicka në shenjë mirësie njerëzore, ashtu sikurse duhet të veprohet më vonë edhe për ndarjen e mishit të qengjit që do të bëhet kurban.

Pelegrinët që kanë fjetur në mal gjatë natës vijnë për të kryer ritin sapo lind dielli. Ata ecin në formë rrethore dhe më tej ndezin qirinj. Pelegrinazhi nuk ka mbaruar ende.

Pelegrinët zbresin në Teqenë e Kulmakut, rreth saj dhe në kodrat përreth janë ngritur dhjetra çadra. Gjithçka është në shërbim të pelegrinëve, por me kushtin që të kesh lekë me vete. Duket si një tregti.

Edhe këtu banorët kanë futur dhjetra qengja në vathë, mesatarisht një i tillë kushton 90 mijë deri në 120 mijë lekë të vjetra.

Arturi nga Gramshi, si disa të tjerë, shet thasë. Një mijë lekë të vjetra copa. Thesi duhet marrë me vete, për tek vendi i thertores, pasi në të do të futet qengji i therur.

Më shumë se 10-të burra të veshur si kasapë dhe që paguhen si të punësuar, therin më shumë se 2 mijë qengja në ditë. Si pjesë e ritit është edhe fakti që qengji duhet të jetë mashkull, ideale do ishte ngjyra e zezë.

“Eja afrohu!” bërtet kasapi kur ther qengjin, dhe secilit nga pelegrinët e kurbanit në fjalë i lyen ballin me një pikë gjak. Kjo shenjë duhet mbajtur gjithë ditën. Është shenja e sakrificës. Personi që të pret faturën kërkon 5 mijë lekë të vjetra për therjen, pastaj ai të orienton tek bashkëfshatarët e tij për ta pjekur.

Pjekia e qingjave

Poshtë rrugës kryesore, brazda pa fund janë krijuar nga banorët e zonës për të hapur vendet e pjekjes. Ata kërkojnë 20 mijë lekë të vjetra për këtë shërbim ndërsa kanë punësuar të afërm por edhe fëmijë romë që paguhen për këtë proces. Dy orë e gjysëm më vonë kurbani i pjekur është gati dhe prej tij një e treta duhet falur për njerëzit në nevojë.

Kjo ishte hera e parë për ne, por sipas besimtarëve bektashianë, për të pasur mbarësi në familje, çdo person duhet të vijë në malin e Tomorrit për 3 vite me radhë.

Autor: Artemisa Hoxha / Citizens Channel

Udhëtim në thesaret e fshehura të rivierës shqiptare

Nga Suada Daci*

Nuk e di për ju, por unë edhe këtë vit vendosa të qëndroja në Shqipëri për pushime e më saktë në Sarandë. Jo se kam ndonjë problem me vendet e tjera fqinje (madje vdes të vizitoj jugun e Italisë), por edhe këtë vit vendosa të jem besnike e “Jonit”.

Meqënëse jemi në epokën e pushimeve pa shumë para, bagazhe dhe mbi të gjitha pa avione (kjo vlen sidomos për ata që e kanë shpirtin e aventurës shumë “high”) bëra një udhëtim me anije, për të parë brigje të paeksploruara më parë.

Saranda e “vogël” ka një vijë bregdetare të mrekullueshme që duhet eksploruar patjetër. E ku ka më mirë se ta ndjesh aromën e detit mbi anije!? Këtë vit (dhe me shumë mundësi vitin tjetër do të jenë më shumë mjete të tilla lundruese), ishte shumë “in” ta shihje rivierën e bukur shqiptare brenda një dite, duke përshkruar një itinerar prej orës 10:00 deri në 18:00 pasdite.

Nisja ishte pikërisht nga qyteti i Sarandës për të ndaluar përreth 1 orë e 30 minuta në tre nga gjiret më të bukur të rivierës shqiptare: Kakome, Krorëz dhe në Plakotoi.  Të treja kishin një distancë shumë të shkurtër nga njëra-tjetra, por edhe pse mund të mendoni që ishin të ngjashme nuk ishin aspak të tilla.

Gjiri i Kakomesë, pjesë e komunës së Lukovës, është cilësuar një plazhet më ekzoktike të zonës.  Uji kristaltë dhe gjelbërimi i zonës ngjanin me plazhet ekzoktike, pikërisht ato që jemi mësuar të shohim shpesh në botë. Duke qenë se kjo zonë mund të vizitohej edhe me rrugë tokësore, ishte shumë e dukshme që edhe turistët ishin më të shumë në numër se sa në gjiret e tjera.

Saranda

Me një distancë prej më pak se 10 minutash mbërritëm në Krorëz. Edhe pse shumë afër Kakomesë natyra këtë herë na kishte rezervuar një plazh krejtësisht ndryshe. Rëra e bardhë dhe uji i jeshiltë ishin dy nga karakteristikat e Krorëzës të mrekullueshme.

Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Plakotoin një tjetër gji i mrekullueshëm, por edhe më i virgjër se dy vendet e mëparshme. Dhe kur themi i “virgjër” mendoni pak se si mund të ishte uji në këtë zonë.

“12 vjet larg Shqipërisë, por e vizitoj gjithnjë e madje marr edhe shoqet italiane me vete”

Është e çuditshme por e vërtetë… edhe pse mund të vizitosh vende të huaja është e pamundur mos të kthehesh në vendlindje. Ornela dhe Stela dy motrat nga Vlora edhe pse jetojne në Itali prej 12 vitesh na treguan se në Shqipëri i gjeje çdo verë.

“Përpara se të vinim në Shqipëri, ishim me pushime në Barcelonë. Padiskutim që ishte një mrekulli, por detin tonë se krahasojmë me asgjë”, thotë Ornela, 19 vjeç, e cila këtë vit ishte regjistruar në fakultetin e ekonomisë.

Motra e saj, Stela (studente në degën e farmacisë), na tregon se këtë vit morën me vete edhe mikeshat e tyre italiane, të cilat kishin dëgjuar të flitej shumë për Shqipërinë. “E kanë pëlqyer shumë Shqipërinë, sidomos bregdetin tonë. Nuk mund të them që kanë mbetur pak të habitura nga infrastruktura rrugore, si dhe kur na ikin ndonjëherë dritat”, thotë ajo duke qeshur.

Të punosh në ishull

Në Krorëz takuam Kriston, 18 vjeçarin që punonte në biznesin familjar të ngritur në plazhin më të bukur të këtij udhëtimi. Djaloshi jetonte në zonat përreth, por çdo verë ai dhe familja e tij punonin në këtë ishull, ku kishin ngritur një restorant modest. Ai pastronte peshqit teksa iu afruam për të na treguar më shumë rreth jetës në Krorëz.

Kristoja, Krorez

“Ne punojmë vetëm në verë. Këtu dritat ikin në orën 7 pasdite dhe nuk ka më jetë. Siç e shihni tani po pastroj peshqit, sepse peshku i egër është specialitet i restorantit tonë modest. Peshk dhe mish të pjekur në zgarë, këto janë dy nga gjërat që mund të gatuajmë për njerëzit e paktë që mund të vijnë në këtu.”

A do të rikthehesha përsëri?!

Patjetër që po. Mendoj se ky udhëtim ka qenë një nga gjërat më të bukura të kësaj vere. Në anije duhet thënë se kishte shumë të huaj (shumë më pak shqiptarë), të cilët i gëzoheshin gjërave të thjeshta pafund. Me rrobat e banjës me vete, një peshqir, libër, zhytje në ujë dhe pastaj disa rreze dielli, për mua janë pushimet ideale. Sepse gjërat e thjeshta por të bëra me shumë dashuri, janë gjithnjë më të bukurat.

Udhetim me anije

*Autorja është kryeredaktore e Blitz.al