Lushnje: Fermerët hedhin produktet në rrugë si shenjë e mbështetjes së munguar nga qeveria

Autore: Fatmira Bajrami | Citizens Channel

Fermerët në Fier, Berat dhe Lushnje prej ditësh janë ngritur në protestë, duke hedhur prodhimet në rrugë për të kërkuar më shumë mbështetje nga qeveria. 

“Ne kemi falimentuar, jemi të mbaruar. Për sezonin tjetër këta fermerë nuk do të mbjellin dot. Ne si prodhues nuk kemi marrë asnjë lek nga inputet bujqësore. Asnjë nuk ka marrë asnjë subvencion nga qeveria për prodhimet e tyre”, u shpreh një nga fermerët në qytetin e Lushnjës.

Vetëm në muajin tetor  ata kanë organizuar 3 protesta, tek ura e Kucit në Berat, tek rrethrrotullimi plasmasit në Lushnje dhe ditën e djeshme në Savër. 

Me pankarata në duar ku shkruhej: “Ne nuk mund të punojmë vetëm për të paguar akcizën e naftës” ; “Edhe “jahti” im meriton naftë pa akcizë”; “Zoti kryeministër, domatja e Myzeqesë ka hyrë në Europë” ata pranuan se protestat do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave të parashtruara. 

Fermerët kërkojnë më shumë mbështetje nga qeveria, që sipas tyre i ka harruar.

 

Ata kanë shprehur këto pesë kërkesa të përbashkëta:

  1. Mbështetje financiare direkte për fermerët duke na subvencionuar për çdo njësi produkti te hedhur ne treg kundrejt faturës tatimore të shitjes dhe stimulim te eksportuesve te cilet janë promotore te zhvillimit te bujqësisë.
  2. Vlerësim dhe kompensim financiar me çmim dysheme të tregut për produktet e humbura nga fatkeqësitë natyrore dhe stokun e produktit të shkaktuar nga çrregullime të forta të tregut.
  3. Rregullim në paketën fiskale 2020 të shkallës së TVSH-së për sektorin e tregtimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore e blegtorale sepse aplikimi i shkallëve të ndryshme të TVSH-së që sot është në mënyre paradoksale 0% në blerje dhe 20% në shitje dhe përfshirja e të ashtuquajturës normë kompensimi 6% në këtë mekanizëm i ka vënë operatorët e këtij sektori në një regjim taksimi të padrejtë dhe për pasojë i ka detyruar të furnizohen me produktet bujqësore nga importi dhe të braktisin produktin vendas .
  4. Kërkojmë nga Ministria e Bujqësisë të na garantojë shërbimin e ekstensionit me specialistët e Drejtorive Rajonale të Bujqësisë,laborator për analiza të tokës, garantim dhe monitorim të cilësisë së imputeve bujqësore , kontroll dhe monitorim të cilesisë së produkteve tona nëpërmjet një laboratori të akredituar.
  5. Kërkojmë nga qeveria të angazhohet në rregullimin me ligj të kushteve dhe mënyren e kryerjes së tregtisë me produktet bujqësore për të garantuar interesat e paleve në këtë treg.

Fermerët paralajmërojnë përshkallëzimin e protestave deri në plotësimin e kërkesave të tyre. 

“O shteti të na e rregullojë këtë gjëndje se ne jemi të gjithë të falimentuar. Dhe do rrimë të gjithë, do bllokojmë rrugët, do nxjerrim traktorët, ça kemi nëpër shpia se nuk ka rrugëzgjidhje në rast se shteti nuk reflekton”, u shpreh një tjetër prej protestuesve gjatë zhvillimit të protestës. 

Të vrarë sepse thanë të vërtetën: tributi për 9 gazetarët e vrarë në vitin 2018

Më shumë se 30 gazetarë – përfshirë Jamal Khashoggin – janë vrarë këtë vit. Me ndihmën e kolegëve dhe të afërmve, si edhe nëpërmjet fjalëve dhe fotografive vetë viktimave, po përkujtojmë disa prej tyre në këtë artikull.

Nga Aamna Mohdin dhe Bibi van der Zee / The Guardian

Maharram Durrani, 1990 – 30 prill 2018

Durrani ishte një e trajnuar -producente dhe prezantuese tek Radio Azadi në Afganistan, u qëllua nga një bombë vrasëse gjatë kohës kur po shkonte në punë në Kabul.

Malali Bashir, gazetar, producent televizioni dhe videosh  për RFE/RL në Afganistan dhe koleg i Durranit: “Bomba ishte një sulm i drejtpërdrejtë për gazetarët. Ndërkohë që i humbën jetët një nga një, e gjithë zyra ishte në shok. Nuk mund ta shpjegoj situatën në të cilën gjendeshim. Nuk e ndaluam transmetimin. Çdo gjë ishte drejtpërdrejtë…Po tregoheshim profesionalë, po jepnim faktet, po tregoheshim të balancuar, por ishte emocionale për shkak të humbjes së kolegëve më të cilët ishe në kontakt dje.

Maharram ishte punësuar për të punuar në një program javor të fokusuar në çështjet e grave dhe të drejtat e grave. Ajo ishte mbështetësja kryesore financiare e familjes. Ajo i kishte thënë babait të sdaj se do të ishte si një djalë, një person që fiton bukën. Babai i saj tha se ajo refuzoi të martohej sepse donte të vazhdonte të mbështeste financiarisht familjen e saj. Ai tha se ajo ishte shumë kurajoze dhe e zonja.

Ajo ishte e butë, shumë modeste, por me një potencial të madh si gazetare. Ne nuk kemi shumë gra në terren, veçanërisht gra të cilat janë të interesuara për të mbuluar çështje që kanë të bëjnë me gratë. Kjo është tragjedi. Ajo ishte akoma në trajnim…nuk arriti as të mbaronte programin e parë.”

Burimi: The Guardian

 

Jefferson Pureza Lopes: 17 nëntor 1979 – 17 janar 2018

Producent dhe prezantues në radion  Rádio Beria Rio FM në Brazil, Lopes i pafrikësuar kritikoi politikanët lokalë dhe vuri në dukje korrupsionin. Ai u qëllua për vdekje në dhomën e tij të ndenjjes. Askush nuk është akuzuar për vrasjen e tij.

Në 19 nëntor 2017, pak muaj para se ai të vritej, kanali i radios në të cilin Lopes punonte u sulmua dhe u dogj. Lopes ngarkoi një video në Facebook duke treguar çfarë kishte ngelur dhe insistoi se radioja do të rikthehej në transmetim.

Burimi: The Guardian

 

Ibrahim al-Munjar: 1992 – 17 maj 2018

Korrenspodenti për websaitin e lajmeve Sy24 në Siri u vra jashtë shtëpisë së tij nga një grup i panjohur në Maj.

Ghaith Hammour, themeluesi i Sy24 dhe editori i al-Munjar: “Ibrahimi ishte një nga korrenspodentët tanë në jug. Ai bëri gjithçka. Në nuk e kemi luksin që të kemi njerëz edhe para kameras edhe pas kameras. Kur ai bënte video për ne, ai ishte kameramani, ai që tregonte historinë dhe editori i historisë.  Ai ishte një nga ata që i kapte historitë.  Ai na tregonte se si i bënte dhe ne e ndihmonim që ti bënte më mirë.

Veçanërisht, një histori e shkëlqyer e tij ishte një për fëmijët që jetonin në Daraa të cilët në fillim të revolucionit bënë disa grafiti në të cilat i kërkonin Asaad -it të largohej. Disa nga këta fëmijë u torturuan dhe u arrestuan.  Në vitin 2018 Ibrahimi bëri një histori tjetër për këta fëmijë të cilët tani ishin burra. Kjo ishte një nga historitë më të mira që ai ka bërë.

Ai pati disa kërcënime nga Isis dhe nga regjimi. Ai e ndërroi shtëpinë disa herë, por fatkeqësisht u vra para shtëpisë së tij.

Ibrahimi ishte kaq i qetë, por kishte një sy të shkëlqyer dhe e zhvilloi veten e tij gjatë viteve dhe ishte një nga kameramanët më të mirë në zonë. Kur ai vdiq, e gjithë zyra jonë ishte e shkatërruar. Nuk e dinim kush e vrau. Nuk mund të jemi të sigurt, jemi në Siri. Dhe Siria është vendi më i rrezikshëm në botë për një gazetar.”

Burimi: The Guardian

 

Jan Kuciak: 17 maj 1990 – 21 shkurt 2018

Në shkurt, trupat e Jan Kuciak, një gazetar investigativ për websaitin Aktuality.sk, dhe të fejuarës së tij Martina Kušnírová, u gjendën në apartamentin e tyre: të dy ishin qëlluar, pa shenja përleshjeje.

Pavla Holcová, një gazetare çeke e cila kishte punuar me Kuciak në investigimin e tij të fundit: “Ai ishte një fshatar, në kuptimin më të mirë të fjalës. Ishte modest, nuk futej nëpër sherre. Ishte një djalë i heshtur, por tipi i njeriut i cili do të dijë se si funksionon bota. Ai pëlqente të gërmonte dhe të analizonte dokumenta duke  bërë mozaikun e informacionit të ishte në fokus.

Ne punuam bashkë përPanama Papers dhe Paradise Papers, por rreth 18 muaj para vdekjes së tij ne kishim punuar për një artikull shumë të madh rreth mundësisë së lidhjeve  ndërmjet kryeministrit sllovak dhe një dege të mafias italiane, “ Ndrangheta.”

Jan dhe e fejuara e tij po planifikonin të martoheshin…Editori i tij më telefonoi mëngjesin pasi trupat e tyre  u gjendën dhe më tha se duhet të isha nën mbrojtje policore. Folëm sërisht një ditë më vonë dhe ramë dakort se duhet ta nxirrnim artikullin sa më parë të ishte e mundur, me një koalicion gazetarësh të cilët punuan për artikullin dhe bënë një punë të jashtëzakonshme për ta shpërndarë në disa media.

Nuk e ndjeva shumë kur kryeministri sllovak dha dorëheqjen më pas. Puna ime është të sjell informacionin, jo të heq nga puna politikanët. Gazetaria është duke u përballur me një krizë në të gjithë botën. Por ndoshta së shpejti do të kapim fundin, e më pas do të vijë një lloj më i mirë gazetarie për shekullin 21″.

Burimi: The Guardian

 

Lesslie Ann Pamela Montenegro del Real: 1982 – 5 shkurt 2018

Gazetarja dhe drejtuesja e kanalit “La Nana Pelucas” në Youtube dhe e një reviste online “El Sillon”. Ajo u vra nga dikush i cili hyri në restorantin që ajo drejtonte bashkë me bashkëshortin dhe e qëlloi në kokë.

Del Real ishte një nga pesë gazetarët meksikanë të vrarë këtë vit, bashkë me  Jesús Alejandro Márquez Jiménez, Carlos Domínguez RodríguezLeobardo Vázquez Atzin and Mario Leonel Gómez Sánchez.

“Nana Pelucas” siç e quante veten bënte një tallje dhe ngacmim ndaj politikës, korrupsionit dhe anëtarëve të qeverisë .

Ajo mori një numër kërcënimesh nga grupet kriminale në vitin që ndodhi vrasja e saj.

Burimi: The Guardian

Musa Abdul Kareem: 1994 – 21 korrik 2018

Fotografi dhe editori i gazetës libiane Fasanea u rrëmbye nga të panjohur dhe më pas u gjet i vdekur me shenja torture.

Salima Bin Nozha, kryeredaktori i Fasanea – s: “Musau erdhi në gazetën tonë në vitin 2015. Ishte një burrë i përulur, i lumtur dhe plot me jetë. Ishte fotograf dhe më vonë u bë editor.

“Ai pëlqente të ndihmonte njerëzit, veçanërisht të varfrit. Ai gjithmonë jepte për komunitetin. Ai shpesh mblidhte para për të mbështetur njerëzit që kishin të ardhura të ulta ose ata që ishin në kërkim të dëshpëruar të ndihmës. Ai gjithashtu pëlqente të dëgjonte muzikë dhe të vizatonte.  Nëse kishe nevojë për ndihmë, ai ishte gjithmonë atje.

Ka një luftë civile në Libi dhe grupet ekstremiste si Daesh lëvizin lirshëm në vend. Këtu nuk ka siguri ose zbatim të ligjit. Të gjithë bëjnë atë që duan të bëjnë. Në vitin 2017 një tjetër koleg i imi u vra dhe nga ana tjetër një tjetër kolege grua u vra. Gazetarët po vriten sepse po flasin të vërtetën.

Në Libi nuk e kemi të drejtën e fjalës. Është shumë e rrezikshme të jesh gazetar këtu. Gjithsesi, vdekja e tij na shokoi të gjithëve. Është e pabesueshme se si dikush si ai u rrëmbye dhe u vra. U tmerruam nga vdekja e tij. Ne vazhdojmë të raposrtojmë sepse ne ndjejmë që është detyra jonë për të treguar se çfarë po ndodh në vendin tonë. Ne po bëjmë më të mirën për të nxjerrë të vërtetën.”

Burimi: The Guardian

 

Rob Hiaasen: Shkurt 1959 – 28 qershor 2018

Asistent editor dhe kolumnist për Capital Gazette në Maryland, USA.

Në 28 qershor një burrë hyri në redaksi duke qëlluar dhe lënë të vdekur Hiaasen bashkë me Gerald Fischman, John McNamara, Rebeça Smith dhe Wendi winters. Një i dyshuar është akuzuar dhe është në pritje të gjyqit.

Në maj Hiaasen shkruajti një artikull për Ditën e Nënës:

“Nuk mund ta ngre telefonin për të telefonuar nënën time më. I shkreti, egoisti unë. Por e diela ishte dita jonë për të folur në telefon.  Ajo ishte në Florida, unë në Maryland, si të ishte gjeografia jonë kronike.

Për shkak të saj,  besoj se të gjitha pyetjet që janë me vlerë për t’u bërë, janë ato personale.  Çfarë dhurate për dikë që të ulë zërin në qetësi dhe të dëgjojë përgjigjen e tij. Kështu njerëzit fillojnë të besojnë tek njëri – tjetri. Kështu njerëzit bien në dashuri. Mund të themi se kështu qëndrojnë bashkë.

Nëse je me fat, nuk do të të duhet të rritesh shumë për të vlerësuar prindërit e tu. ”

Burimi: The Guardian

 

Shujaat Bukhari: 25 shkurt – 14 qershor 2018

Gazetari dhe themeluesi i “Rising Kashmir” një gazetë e përditshme në Kashmir u qëllua për vdekje nga dikush i paidentifikuar në Srinagar në Indi.

Sameer Yasir, gazetar dhe mik: “Shujaat do të bënte gjithçka për të të ndihmuar nëse do të kishe ndonjë problem. Njëherë kisha ngecur në një aeroport në Colombo dhe kisha me vete një shok i cili kishte një problem me vizën. I thashë se kishim një problem dhe ai telefonoi dikë në Sri Lanka dhe e rregulloi.  Ai ishte ky lloj burri.

Pak para se të vritej, e pashë duke lëvizur në makinën e tij dhe e përshëndeta me dorë, ai ishte duke buzëqeshur. Ai kishte gjithmonë një buzëqeshje të veçantë.  Më tha se do të më telefononte ose do të më dërgonte mesazh.

Nëse je nga Kashmiri dhe je editor i një gazete këtu, ke një punë shumë të vështirë. Duhet të përshkruash një vijë shumë të hollë, nuk duhet të acarosh militantët, nuk duhet të acarosh ushtrinë, nuk duhet të acarosh shtetin indian, nuk duhet të acarosh pakistanezët. Kështu ngecesh midis shumë “lojtarësh”.

Burimi: The Guardian

 

Paul Rivas Bravo: 25 prill 1972 – prill 2018

 

Fotogazetari për të përditshmen ekuadoriane “El Comerso” ishte në një detyrë me gazetarin Javier Ortega dhe shoferin Efrain Serraga, kur të tre u rrëmbyen dhe u vranë  nga një grup disident i trafikur të drogës.

Ana Maria Carvejal, mike dhe kolege:  “Të gjithë e donin Paulin. Ai bënte miq kudo që shkonte sepse ishte gjithomë i interesuar në historitë e njerëzve: për djalin që kujdesej për makinën, për kamarierin, për shoferin e taksisë ose për këdo që ishte duke e nxjerrë në një shtëtitje me varkë.

Udhëtimi i tij i fundit ishte në një zonë pranë kufirit me Ekuadorin dhe Kolumbinë. Që nga marrëveshja e paqes në Kolumbi që demobilizoi Farc-un, disa nga elementët kriminalë  brenda grupeve të vjetër guerrilse janë akoma të armatosur, të përfshirë në trafikun e drogës dhe në të tjera aktivitete. Fola me të në mëngjes, por më vonë i dërgova mesazhe, ai nuk përgjigjej dhe këtu fillova të shqetësohesha.  Mëngjesin tjetër, qeveria konfirmoi se ai, Javier dhe Efraini ishin rrëmbyer.

Ne formuan një kolektivitet , “NosFaltan3″ ( na mungojnë tre), dhe shkuam çdo natë pranë qeverisë për t’i bërë presion shtetit sa më shumë të ishte e mundur për lirinë e tyre.

Por disa javë më vonë, në 13 prill, ne morëm lajmin e tmerrshëm se ata ishin vrarë. 8 muaj kanë kaluar që nga rrëmbimi dhe 7 muaj pas vrasjes , dhe është akoma e vështirë të besohet që kjo ka ndodhur.

Ka shumë pak progres me investigimin për vrasjen. Është shumë e rëndësishme që të flitet për të në çdo hapsirë.  Ne duam që çdokush ta dijë se Paul ishte një burrë sensitiv, i drejtpërdrejtë, i gëzueshëm, i buzëqeshur, mbështetës, mbrojtës,  dhe të gjithë këta tre burra ishin profesionistë të mëdhenj dhe njerëz të bukur.”

Burimi: The Guardian / Citizens Channel / F.S

 

 

 

 

 

 

 

Thirrjet për arsim publik falas censurohen nga televizioni privat i Kryeministrit

Kryeministri Rama u takua sot me studentë dhe pedagogë të universiteteve ku prezantoi heqjen e tarifës së studimit dhe bursa për studentët ekselent që zgjedhin mësuesinë. Fjala e tij u ndërpre nga një aksion proteste i Lëvizjes “Për Universitetin”, ku aktivistët bënë thirrje për ulje të tarifave deri në arsim publik falas.

Ne shkuam aty dhe përmes një kontrolli të rrepte dhe absurd për një takim me studentët nga ana e rojeve dhe organizatorëve, arritëm të futeshim në sallë”, tregon për Citizens Channel një prej aktivisteve të Lëvizjes e Për Universitetin, “aty pritëm deri sa të fliste Kryeministri dhe të hapnim banderolën ku kishim shkruar ‘Boll i zhvatet studentët'”.

Aktivistët tregojnë se banderola iu është shqyer forcërisht nga disa të rinj dhe se janë nxjerrë menjëherë jashtë nga punonjësit e gardës.

“Jashtë na nxorën gardistet që merren me ruajtjen e Kryeministrit. Ishin rreth katër vetë. Pas takimit, një nga studentët aktivistë u shoqërua në polici nga civilë pa asnjë dokument, ku iu fshinë edhe fotot dhe filmimet dhe më pas u lirua”, u shpreh aktivistja Albina Ruko.

Banderola që u tentua të shpalosej gjatë aktivitetit. Foto: Për Universitetin

Aktivistët tregojnë më tej arsyet përse vendosën të ndërmerrnin aksionin e sotëm:

“Ky aksion vjen në saj të një rezistence të gjatë katër vjeçare kundër politikave në arsim, si ligji për arsimin e lartë me të cilin Kryeministri favorizon me para publike universitetet private, kundër tarifave që janë më të lartat në rajon dhe më gjerë, kundër shtypjes së demokracisë në universitet dhe kundër spektaklit të Kryeministrit me studentët. Ky aksion është paralajmërues i një vjeshte aspak të qetë studentore. Tarifat e larta dhe rritja e çmimeve të jetesës po e bëjnë çdo ditë e më të vështirë jetesën dhe shkollimin tonë. Por kjo nuk i intereson Kryeministrit që u fal para bizneseve të mëdha dhe u merr shpirtin studentëve”.

Si u transmetua ngjarja në ERTV?

Aktiviteti i zhvilluar pa praninë e medias, u transmetua live vetëm në ERTV, televizionin online të Kryeministrit Rama.
Siç shihet nga postimet në faqen zyrtare të Kryeministrit në “Facebook”, ERTV nuk fokusoi në asnjë moment këtë ngjarje, duke ndërprerë madje transmetimet në kohën kur aktivistja po drejtonte akuza direkte ndaj Kryeministrit.
Video: Lidhja e parë live e ERTV e publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrit ndërpritet gjatë aksionit të studentëve

Pasi ishin ndërprerë transmetimet, Rama i drejtohet punonjësve të gardës me fjalët: “merreni përcilleni pak vajzën…përcilleni pak”.

Pasi studentja largohet forcërisht nga salla, ERTV rifillon transmetimin me batutat ironike të Ramës mbi aktivisten: “Me siguri ngelëse, po s’ka rëndësi janë shfaqje të kudondodhura në botën e internetit”.

Video: ERTV rifillon transmetmin


Në videon më poshtë të përgatitur nga Citizens Channel tregohet ngjarja ashtu si ka ndodhur. Në krahun e majtë është vendosur video e filmuar me celular nga një pjesëmarrës në aktivitet dhe djathtas ajo çka është treguar në ERTV.

“Për Universitetin është një lëvizje studentore që prej kohësh zhvillon protesta të vazhdueshme mbi problematika universitare si: tarifat e studimit, kushtet në konvikte, ndryshimet ligjore pas reformës në arsimin e lartë dhe kërkesën për arsim publik falas.
*Citizens Channel /l.k./

Shkodër, dëmshpërblimet për përmbytjet mbeten peng i burokracive mes Bashkisë dhe Prefekturës

Muaji Mars shënoi një tjetër përmbytje për banorët e zonës së nën – Shkodrës. Uji dëmtoi banesat, bagëtitë dhe kulturat bujqësore në periudhën e fillimit të pranverës, kohë kur një pjesë e madhe e prodhimeve pritet të japin frytet. 5 muaj më pas, banorët  janë ende në pritje të dëmshpërblimeve, të cilat mbeten peng i procedurave burokratike të institucioneve përgjegjëse.

Jac Zadrima, banor i fshatit Shirq i prekur nga përmbytja e fundit, i pyetur nga “Citizens Channel” mbi ndikimin e përmbytjes në ekonominë lokale, tha: “Unë jam tu punu me borxh. Kalojnë infeksionet dhe ashtë mbjellë dy herë bereqeti. Jonxhës në vend me ja marrë kosën e parë në mars ose në prill, unë ja kam marrë në qershor”.

Në kohën e përmbytjes, pati vizita dhe inspektime nga ana e institucioneve përgjegjëse. Zv. Kryeministrja Senida Mesi  dhe Ministria e Mbrojtjes Olta Xhaçka shkuan në vendngjarje dhe premtuan se do të bënin maksimumin për të mbështetur banorët e përmbytur si dhe do të shikonin mundësinë për investime afatgjata për të parandaluar situata të tilla.

Nëpërmjet ligjit për të Drejtën e Informimit, Citizens Channel i kërkoi Bashkisë Shkodër raportin me përfundimet e vlerësimit të dëmeve dhe kulturave bujqësore të dëmtuara.

Në datën 19 korrik Bashkia e Shkodrës me anë të vendimit Nr. 51, bën të ditur vlerësimin e dëmeve në total për banorët e njësive administrative: Dajç, Ana e Malit dhe njësia administrative Rrethina + Qendër.

Vlera totale e përllogaritur në lekë për këto zona, në bazë të këtij vendimi është 98,624, 24 lekë për 59 familje të prekura.

Ndërsa, për sa i përket kulturave bujqësore, numri i tyre është 25, në rreth 4965 parcela, me një sipërfaqe në total prej 20,788,821 metra katrorë. Vlera totale e këtij dëmtimi shkon në 310,976,940 lekë.

Vleresimet sipas kulturave bujqësore/ Burimi: Bashkia Shkodër *Citizens Channel

Në vendim Bashkia Shkodër ka kërkuar një alokim fondesh nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile pranë Ministrisë së Mbrojtjes për shkak të “pamjaftueshmërisë së Bashkisë për të mbuluar vlerën”.

Burokracitë mes Prefekturës dhe Bashkisë mbajnë peng dëmshpërblimin e banorëve të prekur

Citizens Channel iu drejtua përmes një kërkese për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile në Ministrinë e Mbrojtjes, për të pyetur nëse është dhënë fondi i kërkuar nga Bashkia e Shkodrës.

Ministria e Mbrojtjes u përgjigj: “Dokumentacionet për banesat e dëmtuara nga përmbytjet e muajit Mars në qarkun Shkodër nuk janë depozituar ende në Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile”.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes pohojnë për “Citizens Channel” se nga kontaktet me Institucionin e Prefektit të Qarkut Shkodër janë informuar se Bashkia Shkodër nuk ka kryer plotësimet e nevojshme bazuar VKM-së nr. 329, datë 16.05.2012. Ky Vendim i Këshillit të Ministrave, përcakton kriteret se si bëhet procedura e vlerësimit të dëmeve të ndodhura nga fatkeqësi natyrore ose veprimtari njerëzore, në dy kategori: kur shpallet gjendja e emergjencës si dhe në rastet kur ajo nuk shpallet.

Citizens Channel iu drejtua Prefekturës së Qarkut Shkodër për të ditur se cilat ishin kriteret e paplotësuara nga Bashkia Shkodër sipas VKM – së numër 329 e datës 16.05.2012 në vlerësimin e dëmeve nga përmbytja e muajit mars 2018.

Prefektura Shkodër u përgjigj se kishte vënë re disa parregullsi ligjore dhe e kishte kthyer mbrapsht vendimin nr. 34 i datës 22/05/2018 për shkak të disa mangësive tekniko – ligjore në lidhje me përpilimin e dokumentacionit të nevojshëm.

Rreth dy muaj më vonë, Bashkia Shkodër publikoi vendimin e rishikuar ku  miratohej  vlera e dëmeve nga përmbytjet e marsit.

Edhe këtë vendim, Prefektura e ka kthyer në Bashkinë e Shkodrës për rishikim në datën 18 gusht 2018, duke shtuar: “Është konstatuar në të njëjtën kohë se Këshilli Bashkiak Shkodër nuk ka marrë vendim për dhënien ndihmë financiare të menjëhershme nga buxheti i vitit 2018.

“Për sa më sipër Bashkia Shkodër duhet të përpilonte dokumentacion për secilën nga familjet e përmbytura referuar preventivave ndërtimore dhe atyre elektroshtëpiake në zbatim të VKM-së nr 329/2012 kreu III me qëllim dërgimin e praktikave individuale pranë Prefektit të qarkut Shkodër dhe më pas përcjelljen e tyre Ministrisë së Mbrojtjes – Drejtorisë së Emergjencave Civile”, vijon më tej përgjigjja e Prefekturës.

Prefektura i ka kërkuar edhe një herë Bashkisë Shkodër plotësim të dokumentave.
“Me shkresën tonë Nr.1035/1 date 17.08.2018  drejtuar Bashkisë Shkodër i është kërkuar të plotësoj dosjet individuale sipas kritereve ligjore duke zbatuar edhe afatet kohore”, thuhet në përgjigjen e kërkesës për informacion.

Banorët ende të painformuar mbi dëmshpërblimet

Gjatë muajit gusht Citizens Channel takoi disa nga banorët e prekur nga përmbytja ku ata u shprehën për dëmet e shkaktuara, për dëmtimin material por edhe për dëmtimin e gjësë së gjallë.

Video më poshtë tregon gjendjen e shtëpisë së familjes Zadrima, banues në fshating Shirq të Shkodrës gjatë përmbytjeve në mars të këtij viti.

Jac Zadrima – Banor i fshatit Shirq i prekur nga përmbytja/ Foto: *Citizens Channel

I intervistuari Jac Zadrima, kur u pyet se a kishte marrë një informacion të dytë pas vlerësimit të dëmeve nga Bashkia Shkodër u përgjigj: “Absolutisht, as Qeveria as Bashkia. Nuk na kanë kthy xhevap si me thënë, për dëmet që janë bërë. Kur kanë ardh i kanë pa, dhe sot i ke efektet e shtëpisë. Shifet banaku, shifet bufeja, shifet raftet, shifen muret, shifet çdo gjë se çfarë dëmi është bërë. Ata kanë ardh i kanë vlerësu, por nuk ndijmë ndonjë fjalë të mirë as prej Qeverisë, as prej Bashkisë. Po vjen vjeshta prapë, prapë po përmbytna. Na paret e 2010 dhe 2011 i kena pa marrë akoma, të shtëpive.”

Por nga vijnë përmbytjet dhe kush janë përgjegjësit?

E kontaktuar nga Citizens Channel, Alminda Mema drejtoreshë e  Qendra e Informimit Aarhus që ka në fokus mjedisin, na jep këtë informacion:

  • Përmbytjet në Shkodër kanë një historik të vazhdueshëm për shkak të karakteristikave hidrike dhe reshjeve të shumta dhe me densitet të lartë. Ndërsa shtimi i përmbytjeve vjen si pasojë e ndryshimeve klimatike (me shumë reshje dhe të dendura, shkrirje e shpejtë e borës ndër male), ndërtimi i hidrocentraleve që kanë ndryshuar rrjedhën e lirë të lumenjve dhe mbajnë rezervuaret me ujë mbi normat e parashikuara me ligj dhe detyrohen të bëjnë shkarkime shumë të mëdha nëse prurjet e ujërave në digë janë shumë të larta.
  • Përmbytjet vijnë edhe si pasojë e gërryerjes dhe shfrytëzimit të inerteve të shtretërve të lumenjve, prerjes së pemëve në pyje dhe bimësisë përgjatë lumenjve. Vijnë edhe si pasojë e mungesës apo bllokimit të kanaleve kulluese të para, të dyta dhe të treta. Të hedhjes së mbeturinave nga njerëzit në këto kanale, të ndërtimeve pa kriter në zona të predispozuara për tu përmbytur.
  • Përgjegjës janë komunitetet që kanë ndërtuar aty, autoritetet që kanë lejuar ndërtimet, hidrocentralet, qeveria që nuk merr masa rehabilitimi, dëmshpërblimi apo shpërngulje të këtyre banorëve apo që nuk bën investime në infrastruktura mbrojtëse/argjinatura apo që nuk delivron fond mjaftueshëm për mirëmbajtjen e kanaleve kulluese apo që nuk ka aftësi ripërtëritëse pas një fatkeqësie natyrore (renditemi ndër vendet e fundit në botë për kapacitetin ripërtëritës pas një fatkeqësie).
  • Përgjegjëse është edhe Bashkia që mund të bëjë investime të tilla por edhe për menaxhimin jo të duhur të mbetjeve urbane të cilat përfundojnë në kanalet kulluese.
  • Përgjegjës janë njerëzit atje që nuk janë të informuar as nuk marrin masa vetjake për tu impaktuar më pak nga përmbytjet.
  • Fajin e kanë edhe firmat e sigurimeve që nuk pranojnë të sigurojnë toka të cilat e dinë që kanë rrezik përmbytjesh.

Në kushtet kur banorët janë ende të pa dëmshpërblyer nga përmbytja e fundit dhe të pashpresë për dimrin që vjen, institucionet përgjegjëse ende nuk e kanë zgjidhur në mënyrën e duhur ligjore këtë problematike dhe “dëmshpërblimi” është vetëm në letër.

*Citizens Channel / Fjori Sinoruka Senad Tula

Lista e dokumentave dhe kërkesave:

Përgjigje nga Bashkia Shkodër

Pergjigje nga Ministria e Mbrojtjes

Përgjigje nga Prefektura e Qarkut Shkodër

Vendimi Nr. 51 i Këshillit Bashkiak Shkodër

 

 

Aktivistët “shembin” digën në mbrojtje të Vjosës, lumit të fundit të egër në Europë

Ditën e sotme në Tiranë, përpara piramidës u zhvillua protesta simbolike për mbrojtjen e lumit Vjosa, nga anëtarë të Eco Albania dhe “Balkan River Defence.

Protestuesit u shprehën kundër vendimit të Qeverisë për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit në lumin e Vjosës, gjithashtu kërkuan që lumi Vjosa të jetë lumi i vetëm në Europë në të cilin të mos ketë hidrocentrale dhe të shpallet Park Kombëtar.

Protestuesit theksuan se turizmi në Shqipëri është një nga pikat kyçe të zhvillimit të vendit dhe duke qenë se pasuritë kombëtare të Shqipërisë janë të lidhura drejtpërdrejt me turizmin, ndërtimi i hidrocentraleve e shkatërron natyrën e vendit. Në qershor të këtij viti Qeveria shqiptare nënshkroi kontratën koncensionare me kompanitë “Ayen Enerji” dhe “Fusha”, për të ndërtuar hidrocentralin e Kalivaçit.

Rezistenca për mbrojtjen e “Zemrës Blu” të Evropës e mbështetur nga aktivistët e Turit të Lumenjve të Ballkanit është kthyer sërish në Vjosë. Aktivitët do të udhëtojnë për 31 ditë në Ballkan për të mbështetur komunitetet që mbrojnë lumenjtë e tyre.

Fotogaleri nga protesta:

Turi i Lumenjve të Ballkanit filloi në vitin 2016 si një lëvizje argëtuese me kajakë në lumenjtë e Ballkanit dhe u shndërrua në një lëvizje mbrojtëse të këtyre lumenjve për shkak të hidrocentraleve që po ndërtohen në to.

Ky është turi i dytë që lëvizja Turi i Lumenjve të Ballkanit po zhvillon, duke udhëtuar dhe vozitur në Ballkan, në vende si: Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnjë – Hercegovina, Kroacia dhe Sllovenia.

*Citizens Channel

Regjisorja Iara Lee: “Ju mund ta shpëtoni Teatrin Kombëtar përmes artit”

Ditën e premte në sheshin e teatrit kombëtar regjisorja – aktiviste Iara Lee shfaqi dokumentarin  e saj “Burkinabe Rising”, një dokumentar i xhiruar në një nga shtetet më të varfra të Afrikës, Burkina Faso. Dokumentari dëshmon për rolin e artit dhe aktivizmit në revoltën e njerëzve që çoi në rrëzimin e diktatorit Blaise Compaoré i cili kishte 27 vite në pushtet.

Ngritja e njerëzve të Burkina Fasos ndodhi në një mënyrë të pazakontë: nëpërmjet artit. Artistë të të gjitha zhanreve e shprehën kryengritjen e tyre nëpërmjet veprave artistike. E dokumentuar nga Iara Lee kjo kryengritje tenton t’i tregojë botës fuqinë e njerëzve të bashkuar për të përmirësuar ambientin social në të cilin jetojë dhe për të vendosur vetë për jetën e tyre.

Ardhja në Tiranë e këtij dokumentari përkon me një ngjarje të ngjashme: Insistimi për shembjen e Teatrit Kombëtar nga pushteti vendor dhe qendror dhe rezistenca disa mujore e artistëve, qytetarëve dhe shoqërisë civile të cilët e kundërshtojnë këtë vendim.

Të intervistuar nga Citizens Channel, Iara Lee dhe editori Dimo Petkov thonë se dëshirojnë që dokumentari i tyre të jetë inspirim për “kryengritësit” e Tiranës.

Intervista e plotë:

Në aspektin kulturor, cila ishte gjëja e parë që vutë re kur erdhët në Shqipëri?

Gjëja e parë, për të qenë e sinqertë, është sepse jeni shumë të mirë dhe unë jam nga Brazili dhe mendoj që shqiptaret dhe brazilianet kanë personalitet shumë të ngjashëm dhe janë shumë miqësorë.

Por ndonjëherë, për shkak se jeni shume miqësorë dhe të mirë, Qeveria mund te përfitojë. Kështu që duhet të jemi të forte.

 Pse zgjodhët ta prezantonit dokumentarin tuaj ne Shqipëri?

 Europa është e mërzitshme, por Shqipëria është si një thesar i fshehur. Është shumë special dhe motra ime dhe unë, familja ime, mamaja ime nga Brazili;, të gjithë erdhën në Shqipëri, sepse ishim duke parë në hartë dhe…Greqia është shume e populluar, Turqia është shumë e populluar, Kroacia është shumë e populluar, çdo vend është i populluar, Italia gjithashtu, dhe ne ishte “wow”: shiko Shqipërinë, është shumë e bukur, shumë natyrale, e lirë, kështu që familja ime erdhi, mamaja ime nga Brazili dhe Dimo erdhi nga Bullgaria.

Çfarë mund të mësoje bota nga dokumentari juaj?

Iara: Çfarë mendon Dimo? Çfarë mund të mësojnë nga dokumentari jonë?

Dimo: Mendoj që mund të mësojnë shumë sepse mendoj që ky film dhe Afrika është një kontinent, që mund të jetë një shembull i mirë për botën sepse kudo njerëzit kanë të njëjtat probleme. Kështu që mendoj që ky film dhe njerëzit afrikanë mund të jenë një shembull i mirë për çfarë duhet bërë dhe si duhet bërë. Mendoj që kjo është shumë inspiruese.

Iara: Sepse do të mësojë nga veprimi i njerëzve afrikanë. Nuk është teori, ata hoqën një diktator nga pushteti. Përmes fuqisë së njerëzve të bashkuar

Cilat ishin sfidat më të mëdha me të cilat t’u desh të përballeshe gjatë xhirimit të dokumentarit?

Infrastruktura është shumë e vështire atje. Ndonjëherë nuk ka elektricitet, ndonjëherë nuk ka ujë, mund të marrësh malarien…por njerëzit janë fantastikë, kështu që e kaluam edhe pse infrastruktura ishte e vështirë, sepse zemrat dhe aktivizmi i tyre ishte shumë i fortë.

Çdokush është aktivist në Burkina Faso.

Muzikantët, kërcimtarët, edhe fermerët. Kështu që bëmë 2 dokumentarë në Burkina Faso, për fermerët që mbrojnë ushqimin dhe këtë tjetrin që mbron gjuhën, arkitekturën, çdo gjë..artin e tyre dhe muzikën e tyre. Dhe si përfundim, ata mbrojnë vendin e tyre.

Dhe është kjo që po përpiqemi të bëjmë këtu, të inkurajojmë njerëzit, të shikojnë filmin dhe në fund ju mund të mbroni Teatrin Kombëtar, nëse kombinoni forcat. Muzikantët, shkrimtarët, dizajnerët, të gjithë bashkë. Mund ta bëni të mundur.

Çfarë ju inspiroi më shumë gjatë xhirimeve?

Mendoj se njerëzit.

Njerëzit ndonjëherë më thonë “kush janë inspirimet e tua më të mëdha dhe presin për emra të mëdhenj, ose njerëz të famshëm,” por të them të vërtetën, njerëzit që më inspirojnë mua janë njerëzit normalë ..dhe shumë nga aktivistët, aktivistët e vërtetë. Ata janë thjesht duke bërë punën e tyre, ata as nuk kanë kohë për të promovuar apo për të bërë publicitet.

Kështu që, njerëzit, njerëzit e thjeshtë më inspirojnë vërtetë.

Bazuar në eksperiencën tuaj, si mund ta ndihmojë arti aktivizmin?

Dimo: Mund të thotë shumë. Artistët janë njerëz shumë të hapur, mendje hapur, kështu që mendoj që janë mënyrat të ndryshme për të treguar problemet. Dhe ka shumë mënyra të ndryshme, dhe arti është një nga ato. Është një mënyrë e re se si mund ti tregosh problemet tani, në shekullin e 21.

Lara: Dhe fuqia e angazhimit, sepse kur shkruan një këngë të fuqishme, merr 1 milion reagime. Mund të arrish zemrat e njerëzve, nëpërmjet një kënge të fuqishme, një kërcimi të bukur, një poeme, një libri, një fotografie. Kështu që ka fuqi në art. Ju mund ta shpëtoni teatrin tuaj përmes artit.

*Citizens Channel /l.k./ /f.s/

 

 

Debati për Teatrin, reagimet e BE, organizatës Europa Nostra, Ramës dhe Veliajt

Anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar u takuan sot me ambasadoren e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin.
Në takimin e zhvilluar me Vlahutin ishin pjesëmarrës Neritan Liçaj, Alert çeloaliaj, Robert Budina, Adriatik Lapaj, Rudi Erebara dhe Sesilia Plasari.

Pas përfundimit të takimit Çeloaliaj u shpreh se është marrë konfirmimi nga ambasadorja se Bashkimi Evropian është duke e shqyrtuar ligjin i cili parashikon shembjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një godine të re nga kompania private Fusha sh.p.k.

Aktualisht ky ligj pritet të dekretohet nga Presidenti, të cilit gjithashtu artistët i kanë bërë thirrje të mos e dekretojë këtë ligj antikushtetues. 


Video: Marshimi i qytetarëve dhe artistëve drejt Presidencës në mbrojtje të Teatrit Kombëtar/ 12 Korrik 2018


Organizata Europa Nostra shprehet kundër shembjes së godinës së Teatrit

Pjesë nga letra e organizatës Europa Nostra drejtuar kryeministrit Edi Rama

Dita e djeshme ka shënuar një sërë reagimesh në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar. Organizata Europa Nostra me anë të një letre të hapur i shprehu Kryeministrit Edi Rama shqetësimin e vet në lidhje me këtë çështje. Kjo organizatë është një nga më të rëndësishmet në Europë, në lidhje me trashëgiminë kulturore dhe natyrore.Organizata Europa Nostra u themelua në vitin 1963 në Paris. Për më shumë se 50 vite ka mbrojtur dhe ka lobuar për trashëgiminë kulturore. Sot është e njohur si një nga organizatat më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore.

Organizata shprehet në këtë letër se arkitektura e godinës së Teatrit Kombëtar është arkitekturë italiane dhe ndërtesa e vetme e këtij lloji në Shqipëri.

“Europa Nostra mbështet protestat kundër prishjes së Teatrit Kombëtar dhe nuk mbështet asnjë propozim që shkatërron Teatrin ekzistues” thuhet në letrën drejtuar Kryeministrit Rama.

Europa Nostra i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare, Bashkisë së Tiranës dhe çdo autoriteti tjetër që “të rishikojnë vendimin e tyre për të shkatërruar këtë monument europian dhe të gjejnë mundësinë e rikonstruksionit në mënyrë që Teatri aktual të përmbushë standardet”.

Rama dhe Veliaj “përgjigjen” me një material filmik

Reagimit të Europa Nostra, ju përgjigjën menjëherë kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Veliaj, duke shpërndarë të njëjtin postim në rrjete sociale.

Veliajn në profilin e tij në “Facebooktregoi disa pamje të godinës së Teatrit Kombëtar të pjesës me të cilën kufizohet me godinën e rinovuar që është në përdorim nga Kontrrolli i Lartë i Shtetit.

 

Të njëjtat pamje ka ndarë pak orë më vonë edhe Kryeministri Edi Rama në rrjetin social Instagram “me sa mend në kokë mund të luftohet për ta ruajtur”, shprehej ai në videon që kishte zgjedhur ta shoqëronte me figura të ndryshme nga galeria e figurave të animuara që mundëson ky rrjet social.

Pjesë nga publikimi i Kryeministrit Rama në Instagram

Pamjet tregojnë degradimin fizik të kësaj godine e cila sipas aktorit Neritan Liçaj ka ardhur si pasojë e mos investimit në mirëmbajtjen e godinës.

“Ja si e kanë lënë teatrin keto 5 vite për të justifikuar prishjen. Këto skanë qenë më parë.Investimet për mirëmbajen e T.K janë 0 lekë.Me gjithë tërmetet dhe pa investime..u kris Palamenti dhe Ministria e Bujqësisë, u përmbyt Bashkia dhe teatri jo…që është godinë shumë më e vjetër se ato.Turp.Politika shqiptare i ka shumë borxhe artit dhe kulturës.Turp.” deklaroi Liçaj në Facebook.

*Citizens Channel /f.s/
/Letra e plotë e organizatës Europa Nostra drejtuar kryeministrit Edi Rama

Foto e letrës së Europa Nostra drejtuar kryeministrit Edi Rama
Foto e letrës së Europa Nostra drejtuar kryeministrit Edi Rama

VIDEO/ HEC-et në Dibër, kundër vullnetit të banorëve dhe me mbështetjen e qeverisë

Një nga premtimet kryesore që solli në pushtet qeverinë e majtë në vitin 2013-të, ishte anulimi i koncensioneve dhe lejeve për ndërtimin e HEC-eve mbi lumenjtë e vendit. Por socialistët e kuptuan shpejt se kjo ishte e pamundur dhe çuditërisht ndoqën një politikë të djathtë, duke dhënë leje për ndërtimin e HEC-eve të reja.

Në vitin 2015-të, në Njësinë Administrative Arras dhe Lurë, të Qarkut Dibër, Këshilli Kombëtar i Territorit, me drejtues kryeministrin Edi Rama, miratoi ndërtimin e 4 HEC-eve në luginën e lumit Seta. Sipas banorëve dhe avokatëve të tyre, kjo është një zonë e mbrojtur, pasi këtu gjendet Burimi dhe Shpella e Sopanikës, shpallur Monument Natyre. Po ashtu sipas banorve HEC-et do të sjellin tharjen e lumit, pasi do e marrin ujin me anë të tubave.

“Këta kërkojnë t’i marrin ujërat tek burimi, që për mua është një krim”, tha Qazim Daci, banor i fshatit Çidhën e Poshtme.

Banorët kanë protestuar disa herë dhe në mungesë të reagimit nga ana e kompanisë private, kanë pajtuar dy avokatë, të cilët kanë paditur të gjitha institucionet shtetërore që kanë lëshuar lejet për ndërtimin e këtyre 4 HEC-eve.

Kjo bukuri në lumin Seta rrezikon të shkatërrohet me ndërtimin e hecit SETA 4. Foto: Geri Emiri
Kjo bukuri në lumin Seta rrezikon të shkatërrohet me ndërtimin e hecit SETA 4. Foto: Geri Emiri

“Kemi shkleje të ligjit për Zonat e Mbrojtura. Kemi shkelje të Ligjit për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Natyrore dhe Ligjit të Mjedisit…Po ashtu është shkelur ligji për Trashëgiminë Kulturore…Ndërsa në dhënien e lejes mjedisore, është vepruar në kundërshtim me ligjin”, deklaroi për Citizens Channel, avokati Përparim Noka.

Për ekspertin e mejdisit dhe njohësin e çështjeve që lidhen me ndërtimin e HEC-eve, Xhemal Mato, Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis për shumicën e HEC-eve është i mangët dhe nuk arrin të kryejë funksionin e tij, për ndalimin e projekteve që dëmtojnë mjedisin. Por po ashtu problem përbën edhe injorimi i mendimit të komunitetit.

“Ne kemi monitoruar disa nga dokumentet që gjasme kanë bërë informimin publik dhe disa nuk e kanë fare, ndërsa të tjera e kanë fallco, domethënë vendosin emra aty që nuk ekzistojnë”, tha më tej Mato për Citizens Channel.

Banorët e fshatit Çidhën dhe avokati i tyre pretendojnë se janë falsifikuar firmat e personave që kanë marrë pjesë në dëgjesën publike. Edhe banorët e fshatit Valikardhë, kanë protestuar për ndalimin e ndërtimit të HEC-it në “Liqenin e Zi”, por protesta e cila u kthye në të rrëmujshme për shkak të pjesëmarrjes së fëmijëve, solli ndjekjen penale nga prokuroria të disa të moshuarve të fshatit.

Një prej të banorëve që u proceduan penalisht u shpreh për Citizens Channel se ka shkuar rreth 15 herë në Gjykatën e Peshkopisë për këtë çështje dhe se është lodhur shumë nga ana mendore dhe financiare, ndërkohë që nuk janë paraqitur prova për fajësinë e tij.

HEC-i i Liqenit të Zi është mbështetur nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe sipas studimit të publikuar në dhjetor të vitit 2017, nga rrjeti CEE Bankwatch, nga ndërtimi i këtij HEC-i janë duke u shkatërruar ekosistemet natyrore që lidhen me Liqenin e Zi dhe Majën e Gjatë, shpallur Monument Natyre.

Liqeni-i-Zi,-Bulqize

Edhe për banorët e fshatit Çidhën, ndërtimi i 4 HEC-eve po sjell shkatërrimin e biodiversitetit, pasi në ujrat e lumit Seta jetojnë një sërë gjallesash, ku më i rëndësishmi është peshku troftë, që i lëshon vëzët në këto ujëra të kristalta.

Avokati i kompanisë deklaroi në seancën gjyqësore, të zhvilluar paraditen e 23 janarit 2018-të deklaroi para trupit gjykues se banorët nuk disponojnë as edhe një dokument shkresor ku të provohet se punimet kanë dëmtuar mjedisin. Ndërsa administratori i kompanisë “HYDROSETA POWER”, Pëllumb Beta, tha gjatë seancës gjyqësore se “në këtë lumë nuk jeton asnjë lloj gjallese”.

Përfaqësuesja ligjore e Këshillit Kombëtar të Territorit, si palë e paditur nga banorët e fshatit Çidhën, tha në seancën gjyqësore se ndërtimi i këtyre HEC-eve përbën interes publik, pasi lidhet me prodhimin e energjisë elektrike.

Por për avokatin Përparim Noka, nga ndërtimi i këtyre HEC-eve banorët e zonës nuk përfitojnë asgjë. “Janë interesa personale. Subjekti privat do ta përfundojë veprën dhe do të ja shesi energjinë shtetit. Por me çfarë do ta blej qeveria këtë energji të prodhuar? Me lekët e taksava tona dhe do t’ia shesë sërish konsumatorit me një çmim më të lartë”, u shpreh Noka për Citizens Channel.

“Beteja ligjore” e banorëve kundër kompanisë dhe institucioneve shtetërore po vazhdon, ndërkohë punimet avancojnë. Pavarsisht se çështja është në shqyrtim, gjykata nuk ka pranuar kërkesën për pezullimin e punimeve për ndërtimin e HEC-it SETA 4.

Administratori i kompanisë tha në seancën gjyqësore se për ndërtimin e HEC-eve SETA 1, 2 dhe 3, ka përfunduar pothuajse 70% e punimeve. Ndërsa në HEC-in SETA 4 kanë përfunduar pothuajse 50% të punimeve.

Shqetësimi i banorëve është mungesa e ujit pas ndërtimit të HEC-eve. Banorët e fshatit Valikardhë, ku është ndërtuar HEC-i i Liqenit të Zi, thanë se përballen me mungesën e ujit vaditës gjatë periudhës së verës.

“Një nga problemet është kontrolli i ujit biologjik që kompanitë e HEC-eve lënë në lumë. Sipas ligjit ata duhet të lënë një sasi uji edhe në verë edhe në dimër, në mënyrë që uji të mos thahet fare dhe fauna dhe flora të mbijetojnë. Sasia e ujit duhet të jetë sa është mesatarja e prurjeve në 365 ditë të vitit. Nga monitorimi jonë si shoqata, kemi konstatuar se ata nuk lënë fare ujë sepse mungon kontrolli i tyre”, u shpreh Xhemal Mato.

Sipas një raporti të bërë publik vitin e kaluar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, evidentohet se në Lumin e Matit ka një ulje të konsiderueshme të shtratit për shkak të erozionit fundor dhe shfrytëzimit të tejskajshëm të inerteve në të gjithë gjatësinë e lumit.

Po sipas këtij raporti, në disa lumenj të vendit, në këtë situatë ka ndikuar edhe hedhja e inerteve në shtratin e lumit, nga hapja e galerive për ndërtimin e HEC-eve.

Makineritë që po punojnë për ndërtimin e hecit SETA 4 në Dibër. Foto: Geri Emiri
Makineritë që po punojnë për ndërtimin e hecit SETA 4 në Dibër. Foto: Geri Emiri

Jo vetëm mbi lumin Seta, por edhe në lumin Mat, pranë një monumenti kulture, si “Ura e Vashës”, prej vitesh kanë nisur punimet për ndërtimin e një HEC-i dhe së fundmi po kryhet procedura e marrjes së lejes për ndërtimin e një tjetër HEC-i.

“Këta po vazhdojnë punimet…për ta ndotur vendin, për t’a shteruar ujin e Urës së Vashës, ku kanë kaluar të parët tanë dhe do të kalojmë edhe ne”, u shpreh për Citizens Channel, Medi Sina, banor i fshatit Guri i Bardhë.

Autor: Sami Curri, Geri Emiri

 

Speciale / Çfarë e mban peng statusin e minatorit? (Video)

Për Bulqizën flitet gjithmonë kur humbasin jetën minatorët ose kur në media shfaqen pamjet e fëmijëve që ngarkohen me krom.

“Ari” i Bulqizës mund tu kishte sjellë shumë begati banorëve të qytetit dhe atyre që punojnë në galeritë e minierave, por kjo gjë nuk ka ndodhur.

Lidhja politikë-biznes ka bërë që gjendja e minatorëve të vështirësohet akoma më shumë.

Pas 27 vitesh demokraci, edhe pse minatorët që futen nëpër galeri rrezikojnë të mos shohin sërish dritën e diellit, ata ende nuk kanë një status që i mbron.

Për të përmirësuar gjendjen e minatorëve në Komisionin e Punës, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë të Kuvendit të Shqipërisë janë propozuar dy drafte për statusin, një nga politika dhe një nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë.

Por përse minatorët nuk e kanë ende një status? Cili është roli i sindikatave dhe i politikës? Çfarë edhe kush e pengon? Sa do të rëndonte në buxhetin e shtetit? Si është gjendja e minatorëve?

Për Citizens Channel flasin minatori Dilaver Përkoxha, Presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, Taf Koleci, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Industrisë të Shqipërisë, Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim për qarkun Dibër Përparim Spahiu, ekonomisti Selami Xhepa dhe aktivisti Arlind Qorri.

Për më shumë ndiqni specialen e përgatitur nga gazetarët Sami Curri dhe Geri Emiri në kanalin e Youtube të Citizens Channel.

Protesta / Banorët e Tiranës kundër ndërtimit të pallateve mbi parkun e lojrave (Video)

Dhjetra banorë në afërsi të ish-Parkut të Autobusëve protestojnë prej dy ditësh kundër ndërtimit të një kompleksi pallatesh.

Dhjetra banorë në afërsi të ish-Parkut të Autobusëve protestojnë prej dy ditësh kundër ndërtimit të një kompleksi pallatesh. Kompleksi do të ndërtohet mbi një park të vogël, duke bërë që Tirana të ketë një njollë të gjelbërt më pak.

Banorët thonë për mikrofonin e Citizens Channel se kjo ishte hapsira e vetme në afërsi të pallatave të tyre ku mund të nxirrnin fëmijët për të luajtur.

Duke qenë se të premten mbrëma banorët prishën rrethimin e firmës private që po ndërton kompleksin, në ndihmë të policisë private kishte ardhur edhe një numër i madh policësh të shtetit.

Mbrëmjen e së shtunës banorët e irrituar kanë bllokuar për pak momente qarkullimin në një nga drejtimet e Rrugës së Kavajës. Pas mbarimit të protestës Policia ka shoqëruar pranë Komisariatit Nr.2 pesë qytetarë, të cilët u liruan orët e para të mëngjesit të sotëm.

Autor: Amarildo Topi