Bilanci i pasojave të tërmetit: 202,291 persona të prekur dhe 985 milion euro dëme

985 milion euro ishin dëmet që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, me magnitude 6.3 Richter.

Në një dokument të publikuar nga qeveria shqiptare ditën e mërkurë u përmblodhën të gjitha dëmet e shkaktuara dhe kostot financiare të tyre.

Sipas raportit zyrtat, nga tërmeti u prekën 202,291 persona, 51 humbën jetën dhe 17.000 të tjerë u zhvendosën nga banesat e tyre.

Të pranishëm në tryezën publike ishin përfaqësues të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përfaqësues të qeverisë, Bashkimit Evropian, Bankës Botërore dhe PNUD.  Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca u shpreh se menaxhimit të donacioneve i takon qeverisë.

Dokumenti i publikuar do të shërbejë si një raport me të cilën qeveria shqiptare do të paraqitet në konferencën e donatorëve në Bruksel, më 17 shkurt.

Ministri i Bujqësisë Blendi Cuci, gjatë takimit tha se :”Për pritshmëritë, sigurisht, ne po bëjmë gjithcka që kemi në dorë për të sensibilizuar miqtë tanë ndërkombëtarë. Do ia lëmë Konferencës për të parë kontributin e të gjithëve. Kjo që paraqitëm sot është një dokument shumë i rëndësishëm për suksesin e konferencës në 17 shkurt në Bruksel. Konferenca është një nga momentet më të rëndësishme. Ne kemi pritshmëritë tona dhe jemi të bindur se do të jetë angazhim përtej normale”.

Sa i përket dëmeve të shkaktura në sektorë të vecantë, në krye qëndron sektori i strehimit me një dëm prej afro 700 milion euro, ndjekur më pas nga sektori i prodhimit me 150 milion euro. Arsimi me 72.4 milion euro, infrastruktura me 33.4 milion euro, mbrojtja civile me 22 milion euro dhe shëndetësia me 9.9 milion euro.

Bashkitë më të prekura janë bashkia Durrës, e ndjekur nga Tirana, kruja, Kavaja, Shijaku, Vora, Kurbin, Lezha,Kamza dhe Mirdita.

Pasojat kanë qenë të dukshme edhe në kulturë, ku 111 monumente kulture janë dëmtuar. Sa i përket ndërtesave arsimore, në Durrës janë dëmtuar 66 ndërtesa  ndërsa në Tiranë numri arrin në 178.

86% e dëmeve janë në sektorin privat, ndërsa në atë publik përllogariten në 14%.

Për rimëkëmbjen në të gjithë sektorët si arsimi, shëndetësia, strehimi, infrastruktura, prodhimi, mbrojtja sociale dhe civile shifra totale arrin në 1 miliard e 73 milion euro.

Më 17 shkurt këto të dhëna do të paraqiten në konferencën e donatorëve në Bruksel ku pritet të grumbullohen të ardhura.

*Citizens Channel /E.K/ 

Boshatisja e qytetit dhe mungesa e lehtësirave fiskale po i çon drejt falimentit bizneset në Durrës

Autore: Mila Ballhysa | Citizens Channel 

Në një kohë kur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 kanë kaluar gati 2 muaj, koha në plazhin e Durrësit është ndalur në atë datë të frikshme në historinë moderne të qytetit bregdetar. Me 5 hotele të shembura, me dhjetëra pallate që duket sikur i ka kafshuar një kafshë gjigante prehistorike, me qindra familje që kanë mbetur të pastreha dhe rreth 300 biznese të vogla të dëmtuara nga tërmeti, (monitorim i Dhomës së Tregtisë Durrës),zona e plazhit ka marrë një goditje të rëndë.

Megjithëse ishte premtuar që në fund të vitit 2019 do të ishin larguar të gjitha inertet nga pallatet e dëmtuara, ato janë larguar vetëm nga 5 hotelet e shembura. Ndërsa rreth e rrotull ndërtesave shumëkatëshe gjen grumbuj inertesh, që shkaktojnë një psikozë të trishtë tek banorët që vazhdojnë jetojnë ende aty, si dhe tek ata që vijnë shohin nga kurioziteti. Shpesh inertet i gjen vetëm pak metra larg rërës, në një kohë kur bregu i detit ka nisur të frekuentohet nga qytetarët, që shfrytëzojnë kohën e mirë të këtyre ditëve. 

Dashamir Haka, pronar i një biznesi

“Do vijë turisti, do dalë nga porti, nuk është mirë të shohë këto çarje, këto inerte, prandaj e para është eliminimi i këtyre defekteve. Nëse do rijnë kështu siç janë, ne nuk do mund të bëjmë biznes këtë verë. Nuk presim asnjë lloj turisti… Edhe ata që kanë pas mend me ardh, nuk do vijnë”, thotë Dashamir Haka, pronar i një restoranti në zonën e plazhit.

 

Biznesi i vogël rrezikon falimentimin

Boshatisja e plazhit nga banorët si dhe mungesa e pushuesve ditorë apo atyre që vinin në fundjavë po ndikon drejtpërsëdrejti tek bizneset e vogla. Një grua në moshë ngrohet në rrezet e diellit të mes janarit në derën e marketit të saj. Përballë ka hapësirën boshe, të krijuar nga shembja e hotel “Vila Verde”, ndërsa pallati ku ndodhet marketi i saj është i pabanueshëm. Bizneset rreth e qark i kanë të gjithë qepenat e ulur.

          Qytetare durrsake

“Vijmë kot këtu sa për të hapur dyqanin, po punë nuk ka, s’ka këmbë njeriu. Xhiro vetëm 30 mijë lekë në ditë, edhe 30 mijë nuk bëhen. Djali ka 7 vetë për të ushqyer, jemi të mbledhur të gjithë tek ky dyqan. Kemi frikë nga falimentimi, se duan fëmijët të hanë…”- thotë ajo, që duket si e dorëzuar para hallit që e ka zënë.

Pranvera Doda shet fruta-perime ngjitur me hotel “Tropikal”, që u shemb nga tërmeti, e në të cilin humbën jetën 2 vëllezër nga Kosova. Vetë Pranvera ka humbur rreth 1.8 milion lekë të vjetra mall, që e kishte sistemuar në një hapësirë në katin e parë të hotelit. Tani, detyrohet të hedhë ditë për ditë perimet e pa shitura. Nëse gjendja nuk ndryshon, pas 3 javësh do t’i vërë drynin biznesit.

Pranvera Doda

“Jemi shumë të shkatërruar nga ky tërmet, xhiro ditore ka rënë. Malli siç merret, hidhet, se prishet po nuk u shit. Të vish këtu edhe në darkë, nuk ka njerëz, pallatet janë bosh”- thotë ajo për Citizens Channel.

Mungesën e klientëve e vuan edhe Elton Shuaipi, që zotëron një dyqan mishi. Ai pohon se xhiro ka rënë gjysmë për gjysmë, krahasuar me një vit më parë.

Elton Shuaipi

“Në zonën e plazhit janë shumë pak banorë, pothuajse s’ka fare. Nga tërmeti janë prish shumë objekte, njerëzit i kanë braktisurshtëpitë e veta. Ne me këtë zanat mbahemi. Paguajmë licencë, drita, ujë, taksa.  Të rrish 3 orë, nuk hyn këmbë njeriu në dyqan. Gjysmë për gjysmë xhiroja. Nuk ka njerëz, është shumë dobët”,-thotë ai, ndërsa nuk di se çfarë do t’i rezervojë e ardhmja.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës kërkesë qeverisë

Nisur nga dëmtimet e rënda që ka pësuar biznesi, si dhe frika që ekziston për të ardhmen, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës i është drejtuar me një shkresë zyrtare Këshillit të Ministrave, në datë 7 dhjetor 2019, ku ka parashtruar 8 kërkesa, ndër të cilat nënvizohen lehtësira fiskale për biznesin për një periudhë 3-vjeçare dhe pezullimin e kësteve të kredisë nga bankat për të paktën 1 vit.

   Alban Isteri/Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë 

“Deri tani nuk kemi marrë përgjigje më shkrim, por na është premtuar që do ta marrin parasysh”,- thotë Alban Isteri, kreu i Dhomës së Tregtisë.

Duke u ndalur tek problematikat e bizneseve në Durrës, që operojnë në fushën e turizmit, Isteri rendit disa:

  • Pesë struktura hoteliere të shembura;
  • 60% e apartamenteve që lëshohen me qira gjatë verës të dëmtuara;
  • Mbi 300 biznese të vogla të mbyllura për shkak të dëmtimeve;
  • Biznese të mëdha që po paraqiten për të mbyllur apo pezulluar aktivitetin;

Për kreun e Dhomës së Tregtisë Durrës, situata, sidomos në zonën e plazhit, është shumë e rënduar.

Nuk ka prenotime, nuk ka turistë

Krahas hoteleve të dëmtuara, ka shumë të tjerë që nuk kanë dëme. Fati i tyre i keq është se rrethohen nga godina të dëmtuara rëndë.

                  Malo Pashnjari

“Që nga tërmeti, shumë prenotime janë anulluar. Erdhën disa pak ditë më parë, dolën në ballkon dhe panë përreth vetëm godina të çara. Qëndruan vetëm atë natë, ikën që në mëngjes”,- thotë Malo Pashnjari, që ka një hotel pranë Rrotës së Kuqe. Nga 1 janari deri më sot, nuk ka pasur asnjë klient në hotel.

E njëjta gjë ndodh edhe tek një hotel përgjatë rrugës “Pavarësia”, në sektorin Hekurudha. Në kohën e drekës, restoranti është komplet bosh.

Klajdi Mema

“Ka pas shumë rënie xhiroje pas tërmetit. Nga restoranti, te hoteli, te prenotimet. Nuk është më si më parë”,- thotë Klajdi Mema, menaxheri i hotelit.

Ndërsa Dashamir Haka, që ka një restorant buzë detit pranon i trishtuar se krahasuar me një vit më parë ka rreth 60% fitime më pak.

“Këto muaj jemi duke punuar me humbje. Them se turizmi në Durrës, këtë verë, do jetë shumë, shumë keq. Shoh që ndërhyrjet po bëhen me vonesë dhe kam frikë se gjërat do vihen në lëvizje në periudhën prill, maj, qershor. Atëherë kur nuk ka më kohë…”- thotë ai.

Për Hakën, pa u ofruar shteti një strehim të sigurt banorëve të mbetur të pastrehë, nuk mund të presë që ata t’i vijnë për të konsumuar një kafe a një drekë në biznesin e tij. Sa për turistët, është e vështirë që ata të vijnë në Durrës, për sa kohë shumë godina janë të dëmtuara rëndë dhe nuk po nis riparimi i dëmeve.

Si do të jetë sezoni turistik këtë vit në Durrës?

Qyteti bregdetar shumicën e të ardhurave e siguron nga turizmi. Sipas të dhënave të INSTAT, Durrësi kontribuon në 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që në këtë bashki operojnë rreth 13 mijë biznese që përbëjnë 13% të bizneseve aktive në të gjithë vendin. 

Turizmi ka pësuar një goditje të rëndë dhe nuk dihet nëse do ta marrë veten. Tek tuk, në disa godina kanë nisur të ngrihen skelat, po bëhen rregullime. Bashkia e Durrësit ka dhënë deri tani 29 leje të përshpejtuara për riparimin e objekteve të dëmtuara si pasojë e fatkeqësisë natyrore. Këto objekte janë kryesisht pallate dhe afati i punimeve është nga 3 deri në 5 muaj. Gjithsesi janë shumë pak, krahasuar me numrin e përgjithshëm të pallateve të dëmtuara në Durrës.

Janari thuajse iku. Deri në prill ka mbetur shumë pak kohë.

Është shumë e rëndë situata, por nëse dështon sezoni turistik mund të jetë edhe më e rëndë gjendja”,- thotë kreu i Dhomës së Tregtisë, Alban Isteri.

Bizneset kanë një sfidë shumë të madhe përpara. I mbijetuan tërmetit, por i tremben verës së këtij viti…

 

Aktivistët që shpërndanë fletushka në qendrën TEG lihen të lirë nën masën “detyrim paraqitje”

Bislim Lakna, Frenklin Elini dhe Enriko Peçuli, aktivistë të Organizatës Politike (OP), ndodhen tashmë jashtë qelisë ku mbaheshin prej 72 orësh. Pas aksionit në qendrën tregtare TEG, Gjykata u dha atyre masën detyrim paraqitje dhe e konsideroi të ligjshëm arrestimin.

Te premtën e javës së shkuar, aktivistët Mirela Ruko, Vitori Çipi, Albina Ruko, Frenklin Elini dhe Bislim Lakna u ngjitën në katin e dytë të qendrës tregtare dhe shpërndanë fletushka me mbishkrimin “Samir Mane shtyp minatorët”, skenë e cila është pasuar me reagimin e rojeve private. Aktivistët pretendojnë se rojet kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjikë ndaj tyre, pasi i kanë zhvendosur në një dhomë të TEG-ut duke i tërhequr zvarrë.

Momente nga lirimi i Bislim Laknas, Enriko Peçulit dhe Frenklin Elini

Bislim Lakna, një prej të arrestuarve tregon për Citizens Channel momentin e shoqërimit në komisariatin e Farkës. Ai pohon se roli i tij dhe i Enriko Peçulit nuk ka qenë direkt dhe lidhej thjesht me filmimin e aksionit, i cili është ekzekutuar nga Mirela Ruko, Albina Ruko, Frenklin Elini dhe Vitori Çipi.

Unë kam qenë jashtë aksionit, nuk kam hedhë fletushka dhe ndërkohë kam dalë nga TEG-u krejt lirshëm sepse rojet nuk kishin punë me mu. Pasi kam dalë, një nga rojet e sigurimit të jashtëm ka thënë ‘kapeni atë çunit sepse është me ata’. Ky i fundit ka ardh m’ka kap për krahu dhe m’ka godit me shqelma, nga ana e mbrapme e gjurit dhe ndërkohë që unë kam qenë duke  fol me policinë në telefon dhe besoj që incizimet e thirrjes së policisë e vërtetojnë këtë gjë”, rrëfen Lakna.

Arsyetimi ligjor i mbajtjes në komisariat për tre ditë lidhet me kryerjen e veprës penale “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Përhapje paniku” me justifikimin se në qendrën tregtare ka pasur të moshuar, fëmijë, gra shtatzëna dhe aksioni ka krijuar konfuzion tek ata. Bislimi tregon se në fakt kjo prishje rendi ka filluar pasi rojet kanë ushtruar dhunë ndaj aktivistëve.

Sa panik është hap nëpërmjet fletushkave mund të shikohet nga videoja në rrjetet sociale ku ndër të tjera njerëzit nuk duken aspak të shqetësuar por duket një vajzë e vogël që i mbledh ato fletrushka dhe i hedh sipër sikur të kishin hedh nga ato zbukurimet e Vitit te Ri. Edhe aty nuk ka pas asnjë lloj konfuzioni, asnjë lloj paniku deri në momentin që sigurimi i TEG-ut i ka tërheqë zvarrë Mirelën, Vikin, Albinën edhe Frenklin”, shpjegon më tej ai.  

Lakna njofton se hapi i radhës do të jetë ndjekja ligjore e rastit. Ata do denoncojnë rojet private për dhunën e ushtruar dhe do kërkojnë dëmshpërblim.

Deri tani asnjë nga rojet e TEG-ut nuk është proceduar penalisht. Ne do bëjmë kallëzime penale në polici për disa prej tyre dhe do kërkojmë që t’i identifikojnë përmes fotove, përmes filmimeve, përmes kamerave të sigurisë edhe do kërkojmë edhe dëmshpërblim sepse për shembull Enriko ka rrezikuar të humbasë vendin e punës për shkak se është procedu pa qenë fajtor”, sqaron ai teksa tregon se alibia se ata kanë përhapur panik nuk është përmendur aspak gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar sot.

Aktivisti Frenklin Elini shpjegon se ky aksion u mbajt në solidaritet me minatorët e Bulqizës të cilët përballen me kushte të vështira dhe të pasigurta pune.

Përpjekjet tona në mbështetje të minatorëve nuk jane krim, madje gjithsecili prej nesh i detyrohet shumëçka punëtorëve të cilët janë shtresa më e përjashtuar dhe e shfrytëzuar e shoqërisë tonë. Rrjedhimisht, do ndjekim hapat ligjor për të ankimuar procesin. E rëndësishme është që ne nuk do ta ndalojmë aktivitetin tonë politik , çfarëdo forme ndëshkimi të përdoret kundra nesh” përfundon ai, pasi përmend se nuk ka ardhur asnjë mjek për ta vlerësuar gjendjen e tyre shëndetësore, kundrejt faktit që aktivistët e ndaluar nga policia e kanë kërkuar vazhdimisht atë.

Kalimtarët dhe minatorët në mbështetje të aktivistëve

Një kalimtar i rastësishëm, iu bashkangjit protestës para Gjykatës dhe në fjalën e marrë ai ndau padrejtësitë ligjore që i janë bërë prej vitesh dhe iu bashkua thirrjes së Organizatës Politike për të lënë të lirë tre aktivistët. Qytetari kërkoi që të arrestohen ata që e quajti “pisllëk”.

Sot të vjedhin dhe pastaj kur t’i vete dhe kërkon gjënë tënde, pavarësisht nga provat do presësh me vite, me dhjetra vjet. Dhe ‘padashur’ do t’i japim të drejtë atij që nuk ka pasur asnjëherë të drejtë, Ilir Metës. ‘Padashur’ do t’i japim të drejtë të gjithë maskarenjëve që kur shajnë njëri-tjetrin thonë të vërtetën, ama kur mburren për vete, gënjejnë ditë-natë”, u shpreh Engjëll Luka teksa zhvillohej seanca gjyqësore.

Kalimtari i cili iu bashkua protestës për lirimin e aktivistëve

Lironi aktivistët dhe shtrëngoni maskarenjtë, arrestoni pisllëkun, që është nga qeveria deri në fund, në çdo qelizë të pushtetit të këtij vendi”, mbylli fjalën e tij Luka teksa protestuesit shpërthyen në thirrje “Lironi aktivistët” dhe “Rrofshin  minatorët”.

Në këtë protestë morën pjesë edhe tre minatorët e Bulqizës, të pushuan nga puna disa ditë pasi shpallën sindikatën e re. Elton Debreshi, Behar Gjimi dhe Beqir Duriçi, bashkë me protestuesit  e tjerë kërkuan që Lakna, Elini dhe Peçuli të mos mbahen më në qeli dhe e konsideruan të padrejtë burgosjen e tyre.

Behar Gjimi, i treti minator i pushuar pak javë pasi u shpall Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës u shpreh mirënjohës ndaj aktivistëve të OP-së të cilët i kanë mbështetur gjatë ditëve të grevës për të kthyer në punë Elton Debreshin, kryetarin e kësaj sindikate.

Behar Gjimi, minator dhe pjesë e protestës për lirimin e aktivistëve

Unë kam ardhë në mbështetje të aktivistëve sepse edhe aktivistët na kanë mbështet ne me grevën tonë që zhvilluam. Policia merr këtë lloj mase ndaj nesh që jemi fukarenj si me thanë, sepse ndaj atyre që na shtypin neve nuk i merr dot. Shteti funksionon mbrapsht këtu”, tregon ai për Citizens Channel.

Të njëjtin qëndrim ndan edhe Elton Debreshi, i cili artikulon se kundrejt vështirësive ekonomike të thelluara pas pushimit nga puna, ai e gjeti mundësinë të ishte i pranishëm për të ofruar mbështetjen e tij.

Elton Debreshi, kryetar i sindikatës së re dhe pjesë e protestës për të liruar aktivistët

Arsyeja pse i jemi bashkuar kësaj protestë është sepse edhe këto aktivistë, këto djem të mrekullueshëm kanë qenë me ne në ditët e acarta kur kemi pas protestë. Pavarësisht se nga ekonomia, u munduam me sadopak ato rezerva që i kishim, u munduam të vinim këtu dhe të ishim në mbështetje të këtyre aktivistëve”, rrëfen Eltoni, pasi protesta ishte zhvendosur tek Komisariatit numër 1. 

Teksa aktivistët, tashmë të lënë të lirë, u rikthyen tek komisariati ku mbaheshin prej tre ditësh për të marrë sendet personale, protestuesit dhe mbështetësit e tyre i ndiqnin nga pas. Këta të fundit marshuan në këmbë dhe përsëritën thirrjet në mbrojtje të minatorëve. 

*Citizens Channel/ Entenela Ndrevataj

 

Aktivistët që shpërndanë në TEG fletushka protestë për minatorët janë ende në qeli

Prej tre ditësh, Frenklin Elini, Enriko Peçuli dhe Bislim Lakna, aktivistë të Organizatës Politike janë arrestuar nga policia dhe mbahen në qelitë e Komisariatit numër 1 në Tiranë. Ata ishin pjesë e një grupi më të madh aktivistësh që u ndaluan e më pas u lanë të lirë, pasi shpërndanë fletushka proteste kundër shkarkimit të minatorëve në Bulqizë, në qendrën tregtare TEG, që zotërohet nga i njëjti biznesmen që ka në administrim minierën.  

“Më kanë qëlluar rojet e sigurisë më dhunuar fizikisht duke më gjuajtur tek shpatulla duke më detyruar të ulem poshtë në tokë. Më kanë ulur me dhunë në tokë”, Vitori Cipi, një prej aktivisteve të liruara e cila përshkruan në videon më poshtë ngjarjen e ndodhur tek qendra tregtare.  

 Përmes një video të shpërndarë në rrjetet sociale aktivistët e Organizatës Politike dënojnë dhunën e ushtruar nga policia private ndaj aktivistëve.

 

Ndërkohë përfaqësuesit e grupit BALFIN përmes një reagimi të dhënë për Reporter.al kanë mohuar dhunën duke shtuar se TEG ka tipare të veçanta të ruajtjes sepse është hapësirë e veçantë.
“TEG është pronë private dhe jo arenë aktivitetesh individësh të ndryshëm. Është objekt social i rëndësisë së veçantë për shkak se grupon shumë njerëz dhe biznese, ndaj për ruajtjen e tij ka tipare të veçanta, private apo publike”, thuhet në reagimin e TEG.

Organizata Politike ka publikuar sot një komunikatë të mbajtur përpara Komisariatit Nr.1, ku bëhet me dije se nesër gjykata e Tiranës do të shqyrtojë masën e sigurisë për aktivistët. Në komunikatë kërkohet lirimi i aktivistëve dhe i bëhet thirrje qytetarëve të ngrenë zërin “kundër burgosjes politike dhe shtetit të kapur nga oligarkët”.

 

Mirela Ruko, një prej aktivisteve që ishte pjesë e aksionit të shpërndarjes së fletushkave në TEG, tregon për Citizens Channel ngjarjen në mënyrë të detajuar: “Ne shkuam në TEG për të bërë një aksion solidariteti  me minatorët e Bulqizës. Ne kemi shkuar brenda qendrës tregtare TEG, kemi shkuar në katin e dytë dhe kemi hedhur fletushka me mbishkrimin “Samir Mane shtyp minatorë” .

Mirela Ruko

Ajo tregon për momentin kur aktivistët u ndaluan nga  policia private e qendrës tregtare: “Shpërndarja e fletushkave nga kati i dytë është bërë në mënyrë… mund të themi në qetësi. Ato janë hapur, janë hedhur në drejtim të katit të parë, nuk ka pasur asnjë thirrje në atë moment nga aktivistët …më pas ne jemi drejtuar drejt shkallëve lëvizëse për të zbritur nga kati i dytë. Në atë moment, na janë paraqitur roje private të qendrës tregtare TEG dhe na kanë ndaluar që të lëvizim. Më pas na kanë kërkuar që të shkojmë me ata diku. I kemi pyetur se ku doni që të shkojmë, ku është ky vendi që do na çoni dhe ata nuk na kanë dhënë një përgjigje por një moment në mënyrë agresive, kanë filluar të na tërheqin. Aty ishte momenti kur aktivistët e pranishëm filluan të thërrisnin dhe t’i kujtonin edhe një herë se për çfarë ishin aty. Filluam duke thënë se Samir Mane shtyp minatorët”.

Mirela tregon se rojet private i kanë futur në një dhomë, ndërkohë që ata thërrisnin për ndihmë dhe që të lajmërohej policia: “Pasi u futëm në dhomë kam parë Frenklin i cili kishte dhimbje dhe nuk po reagonte edhe ka qenë për disa minuta kështu. Ndërkohë security-t që thoshin “Pusho, mbylle gojën…edhe pse në thoshim “ndihmë, lajmëroni policinë” … ata na drejtoheshin në fytyrë duke bërë shenja grushti, që do ju qëllojmë nëse nuk pushoni. Këtë e kanë bërë ndaj të gjithë aktivistëve të pranishëm.”

“Ata janë munduar në çdo lloj mënyre të bëjnë presion, dhunë psikologjike ndaj aktivistëve” – tregon Mirela duke shpjeguar se më tej i dërguan në Komisariatin e Farkës -“aty situata nuk ishte e përshtatshme për të qëndruar sepse bënte shumë ftohtë dhe në një moment kanë vendosur të na zhvendosin në komisariatin numër një. Zhvendosja është bërë me pranga, duke na thënë se kjo është procedurë por mua nuk më është dukur e përshtatshme sepse unë nuk di të kem bërë ndonjë krim që të shoqërohem në këtë lloj mënyre.”

E pyetur mbi arsyet e këtij aksioni dhe nëse vazhdimësinë ajo përgjigjet: “Akti jonë i solidaritetit me minatorët e Bulqizës ishte ky dhe do të ketë dhe solidaritet në vazhdim. Ne kemi hapur një fushatë bojkoti ndaj produkteve të Samir Manes, si mënyrë për t’u solidarizuar dhe për t’i dhënë mundësinë çdokujt të bëjë diçka, sadopak për të ndihmuar minatorët e Bulqizës të cilët po pushohen në mënyrë të padrejtë nga puna e tyre”.   

 

*Citizens Channel /l.k./

 

 

 

 

“E kanë me ne që ngritëm krye”, shkon në katër numri i minatorëve të pushuar nga puna në Bulqizë

Mungesa pa arsye dhe braktisje të vendit të punës, pa shkaqe të arsyeshme dhe pa njoftuar për më shumë se 7 ditë”, është motivacioni i heqjes nga puna që shoqëron vendimin drejtuar minatorit Ali Gjeta.

Vendimi i heqjes nga puna

Pas Elton Debreshi, Beqir Duriçi, dhe Behar Gjimi, Aliu është i katërti minator që pushohet nga puna brenda një muaji nga Kompania Albchrome me motivacione të njëjta, si ai i mungesave në punë gjatë kohës së grevës.


 “Morëm paralajmërim ngaqë ishim në protestë, edhe i kanë quajtur ditë mangët, për 7 ditë që ne kemi qenë në protestë, dhe arsyeja tjetër është largim nga puna , d.m.th. e kam lënë punën bosh, kam ik nga vendi i punës”, shprehet Aliu në një intervistë për Citizens Channel.

Sipas tij, arsyeja e largimit të punës është e njëjtë si ajo e shokëve të tij, angazhimi në Sindikatën e Bashkuar të Bulqizës.

“Unë jam anëtar i Këshillit të sindikatës së re. Normal që e prisja se edhe shokët e mi, kështu i përjashtuan”.

Ai shpjegon se përpara largimit është thërritur në zyrat e kompanisë në Tiranë për të justifikuar pse ka marrë mungesa.

Kam qenë dy javë para, të premten e kaluar, isha në Tiranë edhe e pashë unë, e kisha të qartë ca do ndodhte. Po, pse ke marrë mungesa, a ke ndonjë justifikim . Po thashë kjo nuk vjen për këtë gjë, se thashë unë kam bërë mungesa edhe herë të tjera, muaj të tjerë edhe s’më ka ardh gjë, ju thashë e bëni këtë vetëm për sindikatën

Pas periudhës së protestës, njësoj si me miqtë e tij është përdorur e njëjta metodë, ajo e transferimit nga një pozicion në një tjetër brenda minierës, e cila shoqërohet edhe me ulje te pagës.

“Vetëm një muaj më kanë lëvizur dy herë. Nga niveli i 16-të më kanë nxjerrë në Qafë të Buallit dhe nga Qafa e buallit, më nxorën prapë jashtë. Edhe nga jashtë pastaj me çuan letër që je i pushuar nga puna. E njëjta punë është, vetëm se të ndryshon paga. Humb 17 mijë lek në ditë”.

Si Aliu, janë thërritur nga kompania edhe më shumë se 20 minatorë të tjerë, të cilët kanë marrë paralajmërime. Sipas tij, edhe ata i pret i njëjti fund, pushimi nga puna.

“Mendoj që 24-25 veta nga ne njëherë e sigurtë që do largohen. Unë jam i katërti që jam heq nga puna edhe do të ketë edhe të tjerë. Të gjithë të keqen e kanë me ne, që thonë ti heqim ne këto që ngrejnë kokë…”

Në Bulqizë mundësitë për punë janë të pakta. Të vetmet pozicione ku mund të punësohesh është policia ose miniera, shprehen banorët gjatë bashkëbisedimeve me ta.

Aliu është i vetmi që punon në familjen e tij, e cila përbëhet nga 6 anëtarë. Ai ka 6 vite që punon në minierë , ndërsa tashmë në prag të ndërrimit të viteve, duhet të mendojë se ç’procese gjyqësore duhet të ndjekë për t’u kthyer në pozicionin e tij të punës.

Do ta ndjekim deri ne fund..”, përfundon ai fjalën, teksa pyetet nëse do të ketë ankimim në Inspektoratin e Punës apo me tej.

Vazhdon mbështetja ndaj Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës

Për largimin nga puna të minatorëve në Bulqizë, drejtori i Institutit Global të Punës, Dan Gallin,me një letër të drejtuar kompanisë Albchrome , shprehet se me këto veprime kompania është pozicionuar qartazi jashtë ligjshmërisë së pranuar në rang ndërkombëtar.


Sindikata e Re e Korporatës Energjitike të Kosovës me anë të një komunikate ka deklaruar  mbështetje për SIndikatën e re.

“Jam shumë i bindur se me unitetin tuaj si minatorë në bashkëveprim sindikal, një për gjithë e gjithë për një do ja dilni dhe do ti dëboni të gjitha shkeljet, padrejtësit si dhe do realizoni kërkesat tuaja”.


Ndërkohë, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës u ka dërguar një letër përfasqësuesve diplomatikë në vend, duke i informuar ata për të gjitha zhvillimet që po ndodhin mes Sindikatës dhe kompanisë Albchrome. 

 

*Citizens Channel/ Erisa Kryeziu 

Bulqizë, një tjetër minator pushohet nga puna: “Ju po hakmerreni ndaj veprimtarisë sindikale”

Ditën e sotme , një tjetër minator i Bulqizës është pushuar nga puna. Behar Gjimi, njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit Sindikal të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ka marë sot vendimin e prerë nga Kompania Albchrome për largimin nga puna me motivacionin e mungesave të pa arsyeshme. 

Vendimi i kompanisë Albchrome për zgjidhjen e kontratës së punës

Ky njoftim erdhi fillimisht nga Sindikata e Minatorëve të Bashkuar me anë të një deklarate, ku e cilësojnë këtë vendim të paligjshëm dhe në kundërshtim me Kodin e Punës.


 Citizens Channel kontaktoi me Z.Gjimi për të ditur më shumë rreth situatës së krijuar.

I pyetur si erdhi vendimi për pushimin nga puna, Z.Gjimi thekson se e kanë thërritur për arsye të mungesave.

Me 25 nëntor më kanë thirrë gjoja për mungesa, mirëpo kjo nuk rezulton, sepse unë jam nga me i rregullti nga gjithë punëtorët. Përgjigja e tyre sot ka ardhur që ti ke shkel rregulloren, ke bërë mungesa në punë, në një kohë që unë sot këtu te administrata lokale, mua me dilte që nga janari e këtej, që unë kam ditë tepër, jo mungesa”. 

Behar Gjimi ka 24 vite që punon në minierë, përkatësisht që nga viti 1995, para se miniera e Bulqizës ti kalonte në administrim kompanisë Albchrome në vitin 2011.

Sipas tij pushimi nga puna është një hakmarrje ndaj veprimtarisë së tij sindikaliste.

Më 25 nëntor kam qenë thirrë në Tiranë edhe u kam thënë, unë mungesa nuk kam, se arsyeja pse më kanë thirrë kanë qenë mungesat pa arsye. Ju po hakmerreni ndaj një veprimtarie sindikale që po bëhet në Bulqizë”.

Vendimi i largimit nga puna i është komunikuar sot, gjatë kohës që ishte në punë.

” Se isha në punë unë, edhe më mori në telefon përgjegjësi i sektorit, tha hajde se të ka ardh një vendim. Thashë ok, isha bile tuj hëngër bukë, thashë a pret puna, se e dijsha unë mo. Thashë a pret puna të ha bukë. Tha ha bukë dhe hajde. Shkova atje, mirëpo kur mora vendimin unë shkova prapë të puna se do merrsha pajisjet e mia që kisha cu. Thashë shokëve mu më pushun.”

Pas krijimit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Behari tregon se ndërrim i pozicionit të punës në minerë ka qenë i shpeshtë. 

Që nga 23 prilli e këtej, kam ndërru për shembull nga sektori në sektor, gjashtë herë. Në prill kam qenë në nivelin e 17-të. Nga atëherë u morën masa ndaj shokëve të mi, që u dhanë paralajmërim, mu më morën masë këtu në administratën lokale, do shkosh vagonist në nivelin 16-të. Edhe kam punu tre muj e gjys në nivelin e 16-të. Masanej, më çuan në 18-tën dhe nga i 18-ti një ditë më kanë çuar tek i 17-ti, ma mrapa, pas asaj dite më çuan tek Qafa e Buallit. Nga Qafa e Buallit më kanë nxjerrë në transport të jashtëm.”

Ai shprehet se ishte i specializuar vetëm për të punuar brenda galerisë, ndërsa kalimi në trasportin e jashtëm të  minierës ishte i papritur për të.

“I specializuar, për shembull atje në galeri po se atje kam punu edhe vagonist dhe isha i specializum. Ama këtu, këto kohët e fundit që më nxorën në sipërfaqe nuk kisha punu noj herë dhe këtë e kanë ba për arsye që të më ulet rroga sepse është rroga më e ulët. Atëherë në prill që morën masa ndaj nesh e kam pas rrogën rreth 80.000 lekë, m’ka ra 50.000 lekë”. 

I pyetur se cilat do të jenë veprimet e ndërmarra për tu rikthyer në punë, Behari shprehet se e vetmja rrugë është gjykata. 

“Ne do e vazhdojmë në gjykatë…

Lexo intervistën e plotë: Behar Gjimi pushohet pas 24 vitesh punë në minierë

Behari është minatori i tretë që pushohet nga puna brenda një muaji nga kompania Albchrome. Më herët janë pushuar nga minera kreu i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar, Elton Debreshi dhe minatori Beqir Duriçi, njëkohësisht anëtar i Këshillit sindikal. 

Lexo më shumë: “Barra e rëndë” e Elton Debreshit, minatori që u shkarkua pasi mori kreun e sindikatës në Bulqizë

Lexo më shumë: Minatori Beqir Duriçi: “Në letër shkruan shkelje etike, por është presion për sindikatën e re të formuar”

*Citizens Channel /E.K/  

Intervistë, Behar Gjimi pushohet pas 24 vitesh punë në minierë

Behar Gjimi, minator në Bulqizë dhe anëtar i Këshillit Sindikal të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, tregon në këtë intervistë historinë e angazhimit të tij sindikal që parapriu largimin nga puna. 

Sa kohë keni punuar në minierat e Bulqizës?

-24 vite. Albchrome-i ka që në 2011-tën. Unë kam 24 vite, që në ’95-ën.

Çfarë pozicioni pune keni pasur në minierë?

-Unë kam punuar brigadier, minator, xhandar, fadromist. Këto kohët e fundit, që nga prilli e këtej isha vagonist.

Po pozicioni juaj në Sindikatën e Minatorëve te Bashkuar të Bulqizës? 

-Unë jam anëtar i Këshillit të Sindikatës.

Si erdhi vendimi i pushimit nga puna?

-Unë isha i thirrur edhe në datë 17 atje, në Tiranë te kompania, në 17 dhjetor. Me 25 nëntor më kanë thirrë [në Bulqizë] gjoja për mungesa, mirëpo kjo nuk rezulton, sepse unë jam nga me i rregullti nga gjithë punëtorët, që prej 24 vitesh punë që kam. Kur mora paralajmërimin për pushim nga puna, u ankova në datën 5 dhjetor. E kam çu ankimimin në kompani. Thashë mungesa nuk kam. Thashë ju po hakmerreni ndaj një veprimtarie sindikale që po bëhet në Bulqizë. Dhe ato sot më kanë sjellë edhe përgjigjen e ankimimit dhe pushimin nga puna.

Cila është arsyeja sipas kompanisë?

-Përgjigja e tyre sot ka ardhur që ti ke shkel rregulloren, ke bo mungesa në punë, në një kohë që unë sot këtu te administrata lokale mua me dilte që nga janari e këtej, që unë kam ditë tepër, jo mungesa.

Sa e vështirë ishte puna juaj aty?

-Puna është shumë e vështirë sepse gjatë angazhimit me krijimin e sindikatës, që nga prilli, më kanë ndërruar gjashtë herë pozicionin e punës. Unë kam qenë, në prill kam qenë në nivelin e 17-të. Nga atëherë u morën masa ndaj shokëve të mi, që u dhanë paralajmërim, mu më morën masë këtu në administratën lokale, do shkosh vagonist në nivelin 16-të. Edhe kam punu tre muj e gjys në nivelin e 16-të. Masanej, më çuan në 18-tën dhe nga i 18-ti një ditë më kanë çuar tek i 17-ti, ma mbrapa, pas asaj dite më çuan tek Qafa e Buallit. Nga Qafa e Buallit më kanë nxjerrë në transport të jashtëm.

Ju ishit të specializuar për t’i bërë këto lloj pozicionesh?

-I specializuar, për shembull, atje në galeri po se atje kam punu edhe vagonist dhe isha i specializum. Ama këtu, këto kohët e fundit që më nxorën në sipërfaqe nuk kisha punu noj herë dhe këtë e kanë bërë për arsye që të më ulet rroga sepse është rroga më e ulët.

Mund të na thoni sa ishte diferenca e pagës?

-150 mijë lekë të vjetra. Ndërsa atëherë në prill që morën masa ndaj nesh e kam pas rrogën rreth 80.000 lekë, m’ka ra 50.000 lekë.

A ka një lloj reagimi nga minatorët e tjerë për këto ndodhitë e fundit që po ndodhin aty, qoftë për largimet nga puna apo aksidentet.

-Unë sot që me erdh ai vendimi, shkova aty, se isha në punë unë, edhe më mori në telefon përgjegjësi i sektorit, tha hajde tha se të ka ardh një vendim. Thashë ok, isha bile tuj hëngër bukë, thashë a pret puna, se e dijsha unë mo. Thashë a pret puna të ha bukë. Tha ha bukë tha dhe hajde. Shkova atje, mirëpo kur mora vendimin unë shkova prapë të puna se do merrsha pajisjet e mia që kisha cu, thashë mu më pushun. Reagimi i tyre, filluan të folshin keq për kompaninë,  edhe unë po të isha ashtu do bëja….

Duke qenë se ju tashmë jeni i treti që pushoheni nga puna ,përpara jush janë pushuar edhe dy kolegët tuaj, z. Debreshi dhe z. Duriçi. Çfarë masash do merrni në vijim, si e keni menduar?

-Ne do e vazhdojmë në gjykatë…

*Citizens Channel /E.K/ /E.N/

Ndëpritet greva e minatorëve të Bulqizës, Sindikata: Çeshtja do të ndiqet në mënyrë ligjore

Minatorët e Bulqizës ndërpresin grevën disa ditore të organizuar para hyrjes së minierës së kromit në Bulqizë që administrohet nga kompania Albchrome. 

Sipas një deklarate të shpërndarë nga Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ky vendim vjen pas zotimit të Inspektoratit Shtetëror të Punës për të hetuar me imtësi pushimet nga puna të dy punonjësve të minierës, Elton Debreshit dhe Beqir Duriçit. 

Sindikata deklaron njëkohësisht se do të nisë edhe procedurat e duhura për ta çuar çeshtjen në gjykatë. 


 

Rrugëtimi i grevës së minatorëve të Bulqizës

Në datë 17 nëntor, në sheshin e qytetit të Bulqizës u shpall krijimi i një sindikate të re e cila ka si qëllim të kërkojë kushte më të mira pune për minatorët e asaj zone. Kërkesat fillestare të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) konsistonin në rritjen e pagës, siguri në punë, njohja e vjetërsisë dhe njohja e vështirësisë në punë. Kryetar i kësaj sindikate u zgjodh Elton Debreshi, me një mandat 3-vjeçar.

 

Një vendimi komunikuar me datë 22 nëntor bën me dije se kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi pushohet nga puna me arsyetimin se ky i fundit kishte shkelur etikën në punës. Citizens Channel ka zhvilluar një intervistë telefonike me Debreshin. Ai artikulon se në fakt shkarkimi i tij ka motive të tjera që lidhen drejtpërdrejt më krijimin e sindikatës. Debreshi rrëfen se në prill të këtij vitit, kur mblodhën firmat për ta krijuar sindikatën, ai, bashkë me katër kolegët e tij, morën paralajmërim për heqjen nga puna.

Minatorët e kanë konsideruar të padrejtë pushimin e kryetarit të sindikatës nga puna dhe në datën 25 nëntor, tre ditë më vonë, ata janë mbledhur para kompanisë Albchrome dhe kanë kërkuar që Debreshi të kthehet në vendin e punës, duke bojkotuar masivisht procesin e punës. Në një postim të bërë në profilin zyrtar në rrjetin social Facebook, ata kërkojnë që të anulojnë vendimin e zgjidhjes së kontratës së punës më kryetarin e sindikatës, ta kthejnë menjëherë në punë dhe të ndalohet ndërhyrja në veprimtarinë e SMBB-së, duke përmendur thirrjet për takime në Tiranë të dy anëtarëve të Këshillit Sindikal, Behar Gjimi dhe Beqir Duriçi.

 

Në datën 2 dhjetor, teksa minatorët ishin ende në grevë për të risjellë kryetarin në pozicionin e mëparshëm, kompania Albchrome ka shkëputur marrëdhëniet e punës me Beqir Duriçin, i cili është pjesë e Këshillit Sindikal. Kjo shkëputje ka ardhur me arsyetimin së zoti Duriçi ka shkelur kodin e disiplinës.

Vendim i shkëputjes së marrëdhënies së punës

Citizens Channel ka kontaktuar nëpërmjet telefonit më Beqir Duriçin. Ai shprehet se në fakt largimi i tij nga puna lidhet me formimin e sindikatës dhe se në muajin prill, kur ai ka kërkuar rishikim të pagës, kompania i ka ndërruar pozicionin e punës, nga sinjalist manovrues tek kolona është bërë vagonist në nivelin 17. I pyetur rreth vështirësisë së hasur nga ndërrimi i pozicionit, ai shprehet për Citizens Channel: “Si të marrësh një arsimtar e ta çosh të punojë në bujqësi”.

Bojkoti i procesit të punës nga minatorët ka vazhduar edhe në datën 3 dhjetor. Ata kanë shpalosur kërkesat e tyre të vazhdueshme ku kërkojnë rritjen e pagës, rishikimin e normës, bojkot të paguar, kthimin e z. Debreshit dhe z. Beqiri në punë dhe ndalimin e presioneve nga ana e kompanisë.

Nga ana tjeter, kompania Albchrome, me anë të një deklarate në faqen e saj në facebook e ka konsideruar organizimin e minatorëve si një përplasje mes sindikatash. 

“Në zonën e ish- minierës së Bulqizës që administrohet nga kompania Albchrome, prej disa ditësh ka filluar një përplasje ndërmjet sindikatave të ndryshme që janë pjesë e lëvizjes sindakale në qytet. Një pakicë punonjësish, që nuk përfaqësojnë masën e minatorëve, teknikëve dhe inxhinierëve, kanë themeluar një sindikatë tjetër dhe ne si Albchrome nuk jemi pjesë e saj, kjo për arsye se aktualisht, kemi nënshkruar një kontratë kolektive me një sindikatë tjetër.” 


 

Gjatë zhvillimit të grevës minatorët kanë denoncuar kompaninë Albchrome se po detyron disa nga punëtorët të punojnë disa turne radhazi duke u ndryshuar edhe proceset e punës, çka sipas postimit në faqen zyrtare të SMBB-së, është e paligjshme dhe e rrezikshme për jetët e punëtorëve.  

Në po atë ditë, policia ka njoftuar se është nisur procedimi penal i tre vagonistëve të minierës. Konkretisht, Beqir Duriçi, Behar Gjimi dhe Neki Lica janë akuzuar si organizatorë dhe pjesëmarrës në tubime të paligjshme.

 

Ditën e neserme, Policia e Shtetit ka ndërhyrë dhe ka shoqëruar në komisariat katër persona, Elton Debreshi, protestuesit Redi Çekiçi, Ali Gjeta dhe Xhuliano Bregasin i cili është aktivist i Organizatës Politike dhe mbështetës i protestës. Ata janë akuzuar se janë përfshirë në protestat e minatorëve para kompanisë Albchrome.

Për Citizens Channel, Bregasi u shpreh se është shoqëruar pa asnjë shpjegim paraprak.

Ndryshe nga fletë-thirrja, që ishte për dëshmi për ngjarjen, padrejtësisht na shoqëruan në komisariat për më tepër se 10 orë. Pa asnjë arsye dhe asnjë shpjegim paraprak. Thjesht me qëllimin për të trembur punëtorët e tjerë. Bashkë me kryetarin e sindikatës, Elton Debreshin, jemi proceduar edhe ne për një vepër penale që nuk ekziston“. 

*Citizens Channel /E.K/ /E.N/

 

 

 

Minatori Beqir Duriçi: “Në letër shkruan shkelje etike, por është presion për sindikatën e re të formuar”

Beqir Duriçi, minatori i Bulqizës dhe njëkohësisht anëtar i këshillit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar, është pushuar nga puna. Kompania Albchrome, me anë të një vendimi të datës 2 dhjetor ka shkëputur marrëdhëniet e punës me arsyen e shkeljes së disiplinës. 


Pas njoftimit të publikuar nga sindikata për shkarkimin nga puna të z.Duriçi, Citizens Channel kontaktoi në telefon me të. Ai u shpreh se ky vendim ka lidhje me formimin e sindikatës.

Në letër shkrun shkelje etike. Shkelje etike gjoja që unë nuk kam zbatu 8 orarshin nga prilli e mbrapa. Unë nuk e pranova këtë lloj shkeljeje, se i kam qëndru punës te koka. Këto janë thjesht presione që po më kërkoni ju, u thashë. Unë kam një përgjegjës niveli, kam një brigadier, kam një teknik që në çdo fund muaj duhet të më raportojë nëse kam një mungesë ose një shkelje etike, sic thonë ata. Mirëpo mua nuk ma ka tërheq vëmendjen askush. Kam qenë shumë i rregullt. Ky ishte presion në lidhje me sindikatën e formuar nga ne”,– tregon ai për Citizens.

Vendimi i heqjes nga puna

Minatori Duriçi ka 13 vite që punon për kompaninë Albchrome. Sipas tij, lëvizja e parë ka nisur që në muajin prill, në momentin kur ai bashkë me kolegët e tjerë kanë kërkuar rishikim page, për shkak të rritjes së normës në punë.  

Më 26 prill të 2019, unë me shokët e mi të punës ngritëm një problem, atë të rritjes së normës nga 100% në 200%. Menduam së bashku të kërkojmë një rishikim page për arsye të rritjes së normës. Ramë dakord më gjithë kolektivin, përgatitëm një peticion, mirëpo pa emërtim, si kolektiv. Në momentin që ja dërgova administratorit lokal këtu në Bulqizë, tha : “Mirë qe e keni shkrujt po nuk paska një emërtim ky peticion.” Edhe kërkonte një emër, se tha nuk mund ta quaj të rregullt. Po mirë vendose emrin tim, i thashë”.

Për shkak të peticionit të ngritur ndaj kompanisë, Z.Duriçi mendon se ka ardhur edhe lëvizja e tij nga pozicioni i punës që kishte në një pozicion tjetër më të vështirë.

“Ndërroi pozicionin e punës .Unë isha sinjalist manovrues te kolona, më çuan vagonist në nivelin 17”.

Niveli 17 sipas tij është niveli më i vështirë. Pyetjes për të përshkruar vështirësinë e pozicionit që kishte marrë pas zhvendosjes ai i përgjigjet: “Si të marrësh një arsimtar e t’a çosh të punojë në bujqësi”.

Përpos lëvizjes në një pozicion pune, minatori Duriçi vazhdoi punën duke punuar edhe përtej orarit.

I rrijsha te koka, madje kisha raste që punojsha edhe 9 orë e gjys, mirëpo kompania kur më kërkoi këtë herën e fundit, me datë 25 nëntor, kishte llogarit minutat, për 6 muaj, nga prilli deri në nëntor. Unë kam kërku që të më jepnin shpjegime për këto minutat që i kisha bërë hyrje e dalje gjasme, nja dy minuta isha fut më vonë e nja dy minuta kisha dalë më herët”.

Duriçi është kryefamiljar i 6 anëtarëve të tjerë, prindërve, gruas dhe tre fëmijëve, si personi i vetëm që sjell të ardhura në shtëpi. Nëse ai nuk rikthehet në punë, do të shohë si alternativë emigracionin.

Nuk di çtë them, do iki n’ emigracion, s ‘di hiç’.

Megjithatë bindja e tij për të vazhduar grevën vazhdon të jetë e fortë sa në fillim.

Ky është rasti i dytë i shkarkimit nga puna të një punonjësi të minierës së Bulqizës nga kompania Albchrome, brenda këtij muaji. Pak ditë më parë u shkarkua Elton Debreshi, i cili sapo ishte zgjedhur kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.

Lexo më shumë: “Barra e rëndë” e Elton Debreshit, minatori që u shkarkua pasi mori kreun e sindikatës në Bulqizë”

Çfarë ndodhi sot në Bulqizë?

Greva e minatorëve ka hyrë në javën e dytë të saj. Të ngritur për të kërkuar kthimin në punë të kreut të sindikatës së tyre, tashmë minatorët kanë rreshtuar edhe kërkesa të tjera që kanë të bëjnë me rishikimin e normës, rritje page dhe ditët e bojkotit të paguara.


 

Pas heqjes nga puna të Beqir Zuriçit, kthimi i tij në punë është një tjetër pikë e shtuar në kërkesat e tyre. Nga ana tjetër, kompania Albchrome e ka cilësuar grevën e minatorëve, si një përplasje mes sindikatash.

Sot, sipas njoftimit të Sindikatës, policia ka nisur procedim penal për tre minatorët, Beqir Duriçi, Behar Gjimi dhe Neki Lica, duke i akuzuar si organizatorë dhe pjesëmarrës në tubime të paligjshme. Ndërkohë janë shoqëruar dhe po mbahen në komisariatin e Bulqizës kryetari i sindikatës, Elton Debreshi së bashku me aktivistin e Organizatës Politike, Xhuliano Bregasi.


 Shoqërimi në polici i këtyre të fundit, ka ardhur si kërkesë e policisë për të dhënë sqarime për vijimësinë e grevës, ndërkohë që vijojnë të qëndrojnë në ambjentet e komisariatit.

*Citizens Channel/ Erisa Kryeziu 

 

 

 

“Barra e rëndë” e Elton Debreshit, minatori që u shkarkua pasi mori kreun e sindikatës në Bulqizë

Ndërkohë që greva e minatorëve ka hyrë në ditën e saj të tetë, minatorët shprehen të vendosur për vijimin e saj.

Në një intervistë të zhvilluar disa ditë më parë, kreu i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi ka shpjeguar për Citizens Channel arsyet e shkarkimit nga detyra dhe ecurinë që do të ketë greva e organizuar nga minatorët. 

Sa kohë keni që punoni në AlbChrome? Si erdhi njoftimi për shkarkimin nga puna?

-Saktësisht unë kam 6 vite, po më saktë 5 vite 9 muaj pothuajse. Në prill, me shokët e mi, kur mblodhëm firmat e punëtorëve të krijonim një sindikatë, atëherë na dhanë paralajmërime për heqjen nga puna, mua dhe katër shokëve të mi. Vetëm prej këtij veprimi, thoshte se është shkelje e etikës në punë, mos përqëndrim në punë. Ata e kanë manipulu aq bukur.

Mu në atë letër më dhanë pretekstin që kisha nja 5 ditë mungesa. Edhe ato i kisha të justifikuara se pata raportin mjeko-ligjor, e kisha të vulos edhe nga mjeku i ndërmarrjes që është aty. Ia kisha dërgu ndërmarrjes po ndërmarrja nuk e kishte pranu se e ke sjellë me vonesë dhe ku di unë çfarë preteksti kishte nxjerrë ai. Në tetor ishim të gjithë me leje, ishte leje e zakonshme,  kur shkova në nëntor unë, nuk e kishin pranu me të thanë të drejtën edhe unë thashë do më paguani ditën e punës se unë kam sjellë raportin. Ne se pranojmë këtë raport , po ama thanë vazhdo punë, s’ka gja, 5 ditë mungesë. Pasi u shpall sindikata në 17 nëntor këtu në qytet, dy ditë më para më thirrën tek zyra edhe më thanë kshu kshu, po merr një barrë të madhe, çfarë do bësh ti, çfarë do t’u japësh punëtorëve, prapë s’kishte lidhje me mungesat.  

Kush ua tha këtë?

-Luan Saliaj, këtu tek zyrat e AlbChrome-it në Bulqizë, përgjegjës, administrator i përgjithshëm i firmës AlbChrome.

Si keni reaguar pas këtij veprimi?  

-Mora raportet, edhe shkova i vërtetova që ato ditë që kisha pas mungesa, ja urdhëro edhe raportin. I morën i panë, edhe thanë ok, shko në Bulqizë vazhdo punë prapë. Punova dy ditë, pas dy ditsh, më erdhi paralajmërimi, apo pushimi direkt nga puna, urgjentisht. Nuk thonte që shkarkohet për arsye të mungesave po thoshte shkelje e etikes në punë dhe dicka pa lidhje.

Jeni ankuar më pas për këtë vendim?

-Jo, se ato mi kanë shkëputur të gjitha marrëdhëniet, s’kam të drejtë të futem brenda administratës.

Si u zgjodhët kryetar i sindikatës?

-Kryesia zgjodhi anëtarët që ishin 39 veta, themelues të sindikatës edhe këshilli sindikal që vendosi. Ma lanë mua këtë pjesë që të jesh kryetar, se gjithmonë, nisma kush e nis i pari, ai e meriton thonë. Isha zgjedh prej 39 vetëve, edhe këshilli sindikal është dakord. Me fjalë ishin dakord që unë të isha kryetar i kësaj sindikate.

Çfarë do të ndodhë tashmë më tej, do vazhdojë protesta?

-Po, patjetër , në ditet e tjera do vazhdojmë me protesta, me bojkot në fakt se akoma nuk jemi te pjesa e protestave, dhe na mbështetin punëtorët më shumë. Punëtoria na mbështetin 100%  e punëtorëve që ishin aty, ato që kanë reparte ndihmëse, mekanike, pompat e elektricistët që janë të detyruar të shkojnë në punë, e kanë në kontratë. Tashi neve do vazhdojmë hapat ti ndjekim. Punëtoria ne na mbështet, ne do vazhdojmë deri në bllokimin e punës, nuk besoj se do shkojnë punët deri atje.

Në ditën e parë të grevës ju kanë thirrur në polici. Për ç’arsye?

-Në polici më kanë thirrë për arsye, pse nuk e ke vënë në dijeni policinë, që do të bëheshe një shenjë proteste. Nuk ishte protestë në fakt, ishte dicka paqësore, që punëtorët kanë dalë vetë që duam shokun tonë në punë, e kanë bërë 5 punëtorë , se nesër pasnesër mund ti kapi i njëjti fat edhe ato. Nuk u prek askush me dorë, ishte paqësore. Një paralajmërim për firmën, ju dha mesazhi, ata e morën në pjesë tjetër, se shteti i rregullon punët simas llogarisë së vet.

Çfarë ju është thënë në polici?

-Na tha policia që na veni në dijeni për ktë pjesë, mos nxisni dhunë, a ku ta di unë cfarë pra. Mirë është ta vini institucionin e policisë në dijeni, çoni një letër që nesër do ketë bojkot ose greve, se nuk e di si mund te vazhdojnë punët. Na bënë një vërejtje për këtë arsye.

Keni pasur presione të tjera gjatë kësaj periudhe?

-Jo, jo aspak, nuk behet fjale. Nga askush

Ky vendim për t’ju hequr nga puna do të ndikojë në kryesinë e sindikatës? Do të vazhdoni të qendroni në këtë pozicion?

-Unë besoj se me atë pëlqimin tim them po, do jem deri në pikën e fundit. Ama do vijë një pikë ndoshta që do rri pa punë. Pa punë nuk rrihet po do vijë momenti e do them o cuna hajt zgjidhni dikë tjetër se dhe unë do vazhdoj punën time, në privat apo ku do shkoj. Pa punë këtu, rri kryetar sindikate pa punë? S’besoj.

*Citizens Channel /Erisa Kryeziu