Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nënshkruan kontratë bashkëpunimi me Partinë Demokratike

Në ambjentet e Teatrit Kombëtar u nënshkrua sot një kontratë bashkëpunimi midis Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe Partisë Demokratike së bashku me pjesën tjetër të opozitës. Kontrata u nënshkrua nga kreu i Partisë Demokratike dhe nga artisë e aktivistë të cilët kanë protestuar dhe kanë qëndruar përditë pranë Teatrit Kombëtar për ta ruajtur dhe mbrojtur atë nga “ligji special” i cili parashikon shembjen e tij dhe ndërtimin e një teatri të ri dhe modern.

“Unë nuk e nënshkruaj atë kontratë, nëse nuk e nënshkruan i gjithë populli që është këtu”, u shpreh regjisori Edmond Budina duke iu drejtuar Bashës gjatë takimit. Ai theksoi se ajo marrëveshje është një marrëveshje midis Bashës dhe qytetarëve.

Foto: Citizens Channel

Në këtë kontratë të nënshkruar gjatë ditës së sotme Basha zotohet se do të mbrojë godinën e Teatrit Kombëtar dhe se do të “reformojë” kulturën në aspektin cilësor dhe sasior, nëse do të jetë (kur të jetë) në krye të qeverisë.

“Jemi këtu falë këtij kontributit të jashtëzakonshëm qytetar. Ajo çfarë unë vlerësoj si protestues ka qënë profili qytetar i të gjitha krahëve, i protestuesve, i partive, dhe mbase është momenti më deçiziv në demokracinë shqiptare, që për herë të parë, qytetarët po bëhen vendimmarrës në demokraci”, tha regjisori Robert Budina gjatë fjalës së tij ditën e sotme.

 

Çfarë ndodhi dje?

Mëngjesin e ditës së djeshme forca të shumta të Policisë së Shtetit u paraqitën pranë Teatrit Kombëtar. Prezenca e tyre u shtua sidomos gjatë orëve të mbasdites, në të njëjtën kohë dhe prezenca e qytetarëve protestues për kauzën e Teatrit Kombëtar u shtua.

Protesta dhe konfrontimi me forcat e policisë nisi në orën 7 të mëngjesit dhe përfundoi rreth orës 10 të darkës kur forcat e policisë u larguan në mënyrë të pashpjegueshme nga Teatri Kombëtar dhe qytetarët protestues të penguar nga kordoni policor në hyrje të teatrit u bashkuan me artistët dhe qytetarët e tjerë të cilët ishin “ngujuar” prej disa orësh në brendësi të ambjenteve të teatrit.

Basha u shfaq 2 herë ditën e djeshme në Teatrin Kombëtar duke shprehur mbështetjen e tij e cila u materializua sot nëpërmjet kontratës së nënshkruar nga të dy palët.

 

Çfarë parashikon marrëveshja?

 

“Me vendosmërinë për të kontribuar në ndërtimin e një shteti të së drejtës, të një shoqërie demokratike që garanton liritë dhe të drejtat e njeriut, me një sistem politik që garanton llogaridhënien dhe kufizimin e pushtetit, deklarojmë me përgjegjësinë tonë publike ndërmarrjen e këtij subjekti”, u shpreh regjisori Kastriot Çipi gjatë leximit të kontratës të nënshkruar nga të dy palët.

Kontrata e nënshkruar është e ndarë në disa pjesë kryesore, në radhë të parë lidhur me Teatrin Kombëtar, në radhë të dytë lidhur me masat për të garantuar demokracinë funksionale, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik si dhe lidhur me  nevojën për një Reformë të vërtetë në art dhe kulturë.

Në këtë kontratë në nënshkruar Partia Demokratike zotohet se do të mbështesë Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit në veprimet e saj në mbrojtje të Teatrit Kombëtar dhe se do të restaurojë kompleksin “Skanderbeg” në muajin e parë të qeverisjes së saj, duke hedhur poshtë gjithashtu dhe “ligjin special”.

 

Kontrata e plotë:

 

“Na e bëtë jetën errësirë”, familjet e varfra protestojnë për lehtësimin e mohuar të energjisë elektrike

Ashtu si e kishin paralajmëruar aktivistë të komunitetit Rom dhe Egjiptian së bashku me qytetarë të tjerë të Elbasanit, Tiranës, Fierit, Durrësit dhe Cërrikut, protestuan sot pranë Kryeministrisë për miratimin e VKM-së së parashikuar në nenin 95 të ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”.

Sipas ligjit, që prej vitit 2016, abonentët me të ardhura të ultë duhet të ishin njohur si “klientë në nevojë”, duke përfituar nga lehtësimet në pagesën e faturave të energjisë, por ende sot ata paguajnë njëlloj si familjet me të ardhurat më të larta.

Me thirrjet, “Kthema dritën”, “210 kw falas për familjet e varfra”, “Na e bëtë jetën errësirë”, “Për VKM 3 vite prita, por tani u mbush kupa”, “Zbatoni ligjin që vetë e keni miratuar”, “Fëmija im e kaloi semestrin në errësirë”, qytetarët protestuan për rreth 2 orë pranë Kryeministrisë.

Foto: Citizens Channel

“Duam tju bëjmë të ditur që kjo VKM që duhej të ishte miratuar që në 2016 për të mbështetur me buxhet nga ana e shtetit të gjitha familjet e varfra, klientë në nevojë, për të paguar energjinë elektrike. Siç e dini zoti Rama këtu me ne ka familje të cilat kanë ndoshta dhe vite të tëra që janë në errësirë totale në shtëpitë e tyre. Përveç varfërisë, përveç kushteve të vështira social – ekonomike, këto familje vuajnë dhe errësirën, duke pasur në familjet e tyre dhe fëmijë të vegjël, të afërm të sëmurë, pleq, të cilët kanë nevojë të ngrohen apo kanë nevojë të gatuajnë dhe të ushqehen sit ë gjithë qytetarët e tjerë”, tha aktivisti Ervis Çota.

Foto: Citizens Channel

“Kjo qeveri, Parlamenti i Republikës së Shqipërisë kanë miratuar ligjin me numër 43 për energjinë elektrike, i cili në nenin 95 të tij merr angazhimin ligjor për të garantuar nxjerjen e një Vendimi të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e klientëve në nevojë, të përcaktimit të kritereve dhe procedurave të përfitimit nga familjet në nevojë të energjisë elektrike falas. Nuk e kanë bërë këtu e 40 muaj duke e shkelur ligjin”, tha avokati Adriatik Lapaj në fjalën e tij gjatë protestës.

Adriatik Lapaj
Foto: Citizens Channel

Ditën e hënë aktivistët dhe qytetarët e prekur dorëzuan pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës dhe Kryeministrisë një peticion me rreth 3200 firma, në të cilin kërkohej miratimi i VKM-së i cili parashikon lehtësira për klientët në nevojë. Ky ligj ka kaluar në Kuvend që në vitin 2015 por kjo VKM nuk është miratuar ende.

Dy nga aktivistët gjatë fundit të protestës, zhvilluan një takim në Kryeministri me drejtoreshën e Platformës së Bashkëqeverisjes të cilës i kërkuan përgjigje për peticionin e dërguar në fillim të javës. Ata morën përgjigjen se kërkesa e tyre do të shqyrtohet brenda 10 ditësh dhe ata do të marrin një përgjigje dhe qëndrimin e institucioneve përkatëse brenda këtij afati që përcakton ligji. Aktivistët tregojnë për Citizens Channel se prej një viti kanë dërguar rreth 150 ankesa në Platformën e Bashkëqeverisjes për këtë problem.

Nëpërmjet fushatës “Kthema dritën” aktivistët për rreth 2 javë kanë shkuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë për plotësimin e peticionit.

Foto: Citizens Channel

Në vitin 2015 ndryshoi kuadri ligjor në lidhje me energjinë elektrike, ai u ashpërsua në drejtim të personave që merrnin energji në mënyrë  të paligjshme si dhe ndaj personave të cilët nuk e kishin paguar faturën e energjisë elektrike prej shumë kohësh. Shumë familje të varfra u prekën nga këto ndryshime ligjore dhe shumë persona u ndoqën penalisht lidhur me këtë çështje.

Sot, protestuan qytetarë të cilët nuk kanë mundësi ta paguajnë energjinë elektrike. Ndihma sociale prej 3000 lekësh nuk krijon mundësinë që fatura e energjisë elektrike të paguhet nga familjet e varfra.

Citizens Channel / F.S

Pas mbledhjes Asambleja e Pedagogëve të UT merr këto vendime

Siç dhe ishte paraljamëruar ditën e sotme u mblodh Asambleja e Pedagogëve të Universitetit të Tiranës për të vendosur në lidhje me vijueshmërinë e realizimit të kërkesave të mëparshme.

Në datën 1 shkurt Ministrja e Arsimit zhvilloi një takim me pedagogë të Universitetit të Tiranës. Ky takim rezultoi pa një marrëveshje midis palëve. Pedagogu Mark Marku atë ditë u shpreh se nëse nuk do të kishte një qëndrim nga ana e Ministrisë, Asambleja do të mblidhej sërish për të pëcaktuar qëndrimin e saj.

Në të njëjtën kohë pas kësaj mbledhjeje Ministrja e Arsimit Besa Shahini deklaroi se “Me pedagogët ndamë disa mendime të ndryshme por ama e bindur që kemi një qëllim të përbashkët që është përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë në Shqipëri. Edhe pse nuk u dakortësuam në fund, por unë mendoj që kjo është krejt normale. Ishte një takim që gjithsesi shërbeu për të shuar një sërë keqkuptimesh që disa prej pedagogëve kishin për paktin për universitetin.”

 

Gjatë ditës së sotme në mbledhjen e Asamblesë u vendos që të merren këto masa:

  • Rikonfirmimi i kërkesave të bëra më herët
  • U bëjmë thirrje të gjitha asambleve që të mbajnë një qëndrim për ligjin e arsimit të lartë, dhe u kërkojmë që të bashkohen me vendimin e asambleve që janë për grevë.
  • I kërkojmë të gjitha autoriteteve të mbajnë qëndrim konseguent për ligjin e arsimit të lartë në përputhje me vendimet e asambleve (Senatit, Rektorit)
  • Ftojmë trupën akademike që te kontribuojnë dhe të kenë një angazhim sindikalist.
  • Ngritja e një grupi pune për ligjin e Arsimit të Lartë (që të diskutohen gabimet dhe si mund të bëhen) Grupi i punës të bëjë një dokument me oponencë për ligjin.
  • Kërkojmë debat me komisionin e Edukimit dhe të Mediave për ligjin e Arsimit të Lartë.

 

Në disa universitete vazhdon bojkoti i mësimit nga studentët, ndërsa në Fakultetin e Shkencave Sociale janë edhe pedagogët të cilët janë futur në grevë.

Citizens Channel / fs

 

Shqipëria hapa pas në Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit

Shqipëria renditet si vendi më i korruptuar në rajon, sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit 2018, duke lënë pas Malin e Zi, Kosovën dhe Serbinë.

Krahasuar me një vit më parë, Shqipëria ka rënë me dy pikë, ndërkohë për vitin 2018 ajo shënon 36 pikë nga 100 pikë maksimale. Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të realizuar nga organizata Transparency Internacional, Shqipëria është një vend kandidat për në BE, e cila ka akoma shumë punë për të bërë përsa i përket luftës kundër korrupsionit.

“Kandidati i BE-së Shqipëria u rrit me pesë pikë në pesë vitet e fundit, duke u zhvendosur nga 31 në 2013 në 36 në 2018, ra dy pikë që nga viti i kaluar. Kjo mund të jetë për shkak të një ngërçi politik që bllokoi disa reforma anti-korrupsion nga ecja përpara. Me një proces të ri gjyqësor të verifikimit dhe kornizës institucionale anti-korrupsion pothuajse të plotë, mbetet të shihet nëse Shqipëria do të përmirësojë rezultatin e saj në të ardhmen.

Indeksi, i cili rendit 180 vende dhe territore sipas niveleve të perceptuara të korrupsionit të sektorit publik sipas ekspertëve dhe biznesmenëve, përdor një shkallë prej zero deri në 100, ku zero është shumë i korruptuar dhe 100 është shumë i pastër.

Më shumë se dy të tretat e vendeve shënojnë nën 50 në CPI-në të këtij viti, me një rezultat mesatar prej vetëm 43. Edhe pse ka përjashtime, të dhënat tregojnë se pavarësisht nga disa përparime, shumica e vendeve po dështojnë të bëjnë sulme serioze kundër korrupsionit. Vendet më të mira janë Danimarka dhe Zelanda e Re me 88 dhe 87 pikë respektivisht. Vendet më poshtë në renditje janë Somalia, Siria dhe Sudani i Jugut me përkatësisht 10, 13 dhe 13 pikë.

Përsa i përket Rajonit të Evropës Lindore, vetëm një vend ka mbi 50 nga 100 dhe të gjitha vendet e tjera kanë 45 ose më pak nga 100 në indeks, ka pasur shumë pak përparim në luftën kundër korrupsionit gjatë disa viteve. Vetëm tre vende nga rajoni shënojnë mbi mesataren globale prej 43. Gjeorgjia e udhëheq rajonin me vetëm 58 pikë në CPI, e ndjekur nga Mali i Zi (45) dhe Bjellorusia (44).

Me një rezultat prej 39, Serbia ka rënë dy pikë që nga viti i kaluar, një trend që mund të vazhdojë nëse qeveria vazhdon të minojë ato organe dhe institucione që janë përgjegjëse për ruajtjen e sundimit të ligjit.

Me 37 pikë, Kosova ka rënë dy pikë në CPI-në që nga viti 2017. Disa nga sfidat më të mëdha kundër korrupsionit në Kosovë përfshijnë transparencë të pamjaftueshme, institucione të dobëta dhe sundim të ligjit dhe hapësirë të pamjaftueshme për angazhimin e qytetarëve.

Në të njëjtën renditje me Shqipërinë qëndron Bosnja dhe Hercegovina, me një vlerësim të pandryshuar të CPI-së prej 36. Sipas CPI-së, zhvillimet e fundit politike në Bosnje dhe Hercegovinë janë shqetësuese.

Shqipëria kthehet në nivelin e vitit 2015 

Sipas vlerësimeve të Transparency International për katër vitet e fundit, Shqipëria është rikthyer sërish në nivelin e vitit 2015. Në vitin 2015, Shqipëria ka marrë 36 pikë, ndërsa në vitin 2016 ajo shënon rritjen më të madhe deri më tani, me 39 pikë. 2017 ka pësuar një ulje, me 1 pikë, për të arritur sërish me 36 pikë për vitin 2018. Një vit më parë, Shqipëria renditej në vend të 91, ndërsa për këtë vit ajo renditet e 99 midis 180 vendeve të vëzhguara nga raporti.

Rekomandime nga Transparency International: 

Ndërsa shumë vende në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore kanë ligje të dizajnuara mirë, të cilat janë thelbësore për përpjekjet kundër korrupsionit, këto ligje nuk janë të mjaftueshme për të luftuar me të vërtetë korrupsionin në rajon. Korrupsioni zhvillohet kur ka mundësi dhe mosndëshkimi. Për këtë qëllim, u bëjmë thirrje qeverive të:

  • ofrojnë hapësirë të lirë për shoqërinë civile për të vepruar, duke përfshirë mbrojtjen e fjalës së lirë dhe të drejtën për të organizuar dhe protestuar
  • angazhimin e qytetarëve në monitorimin e shpenzimeve qeveritare
  • reformimin e sistemit gjyqësor dhe përmirësimin e integritetit dhe llogaridhënies në të gjitha institucionet qeveritare
  • ofrojnë qasje të lirë në informacion dhe përmirësojnë mekanizmat e zbatimit si parakusht për përpjekjet e suksesshme anti-korrupsion.

 

Citizens Channel /E.K/

Pedagogët e Filologjikut në grevë : “Të shfuqizohet ligji për Arsimin e Lartë”

Pedagogët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë (FHF) sikundër kanë paralajmëruar, janë futur sot në grevë një-ditore në mbështetje të bojkotit studentor. Ata kërkojnë plotësimin e kërkesave të studentëve dhe rrëzimin e Ligjit për Arsimin e Lartë.

Në vendimin e Asamblesë së Fakultetit pedagogët shprehen se Ligji për Arsimin e Lartë duhet të abrogohet si dhe të anulohen disa Vendime të Këshillit të Ministrave (VKM) që sipas tyre shkelin autonominë universitare.

“Asambleja shpreh kundërshtinë me aktet nënligjore :

-VKM-të e datës 26 dhjetor 2018 Nr. 777, Nr. 781, Nr. 783 si dhe

-urdhrat e Kryeministrit të datës 26 qershor 2018; Nr. 781, Nr. 184, Nr. 185, dhe Nr. 186. Këto akte dhe urdhra cënojnë rëndë autonominë e IAL-ve dhe liritë akademike të profesoratit në këto pika:

  1. Autonominë në vlerësimin e punës shkencore dhe të karrieres akademike.
  2. Liritë akademike të profesoratit në përcaktimin e përmbajtjes së njohurive që jepen në auditor.
  3. Shkelin plotësisht konventat europiane për autonominë universitare dhe liritë akademike. “

 

Vendimi i Asamblesë së FHF-së

Të mbledhur në oborrin e fakultetit në një prononcim për mediat profesor Mark Marku u shpreh se vendimet e fundit të Këshillit të Ministrave janë në kundërshtim të plotë me autonominë universitare dhe jo në përputhje me frymën evropiane.

“Është mbledhur asambleja e Fakultetit. Asambleja është tërësia e pedagogëve. Ndaj është vendosur që të shpallet një grevë një ditore. Është pjesë e autonomisë, pavarësia në kërkimin shkencor dhe punët shkencore. Pavarësish në përmbajtjen e mësimdhënies. Janë 3 gjera elementare. VKM i cenojnë të trija këto. Në një VKM thuhet se qeveria do të prodhojë një statut-tip dhe mbi këtë bazë do ndërtohen statutet e tjerë. Çdo universitet ka statutin e vet. Ky është cënim direkt i autonomisë. Ne jemi me vettingun, por kush do ta bëjë kontrollin e gradave. Ministria bën një VKM për bibliografinë. I bie që ministria do bëjë librat për universitetit, si në shkollat fillore. Ne do caktojmë një ditë se kur do të mblidhemi bashkë me asambletë e tjera të fakulteteve dhe do të dalim me një qëndrim”

Ndër të tjera profesor Mark Marku shprehet se kjo ditë greve nga ana e Fakultetit Histori-Filologji është një mundësi edhe për fakultetet e tjera, për të reflektuar dhe për të diskutuar së bashku se si duhet ta përmirësojnë ligjin për Arsimin e Lartë.

Oborri i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë

Zëvendës Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Agron Gjekmarkaj është shprehur se veprimi i ditës së sotme është një vendim unanim i marrë në Asamble dhe kërkesa drejtuar qeverisë për të rrëzuar ligjin e Arsimit të lartë nuk është një tekë, por një shërbim ndaj universitetit publik në Shqipëri.

“Ne jemi për ti mbështetur dhe jemi pas një vendimi unanim të marrë nga asambleja për të shprehur indinjatën tonë të përsëritur dhe thirrjen për arsye që i drejtohet qeverisë për të rrëzuar ligjin e arsimit të lartë, jo pse duam ne për tekë por për ti bërë një shërbim universitetit publik në Shqipëri, kemi harxhuar letër të bardhë pafund, por kjo u hodh poshtë nga qeveria. Nëse ai ligj nuk bie universiteti nuk do të ketë paqe. I bëjmë thirrje qeverisë të mos harxhojë kohë me retorikë, por të flasë për kërkesat e studentëve. Kërkesat i janë drejtuar qeverisë, ne jemi thjesht solidarë me studentët në këtë çështje. Na shqetëson se studentët janë jashtë auditorëve, jemi këtu të kapim mësim dhe dije për sa kohë ata janë jashtë, nuk funksionon”, tha ai.

Zëvendës dekani Gjekmarkaj shtoi më tej se nëse këto çështje nuk zgjidhen universiteti do t’i drejtohet Gjykatës Administrative.

“UT do i drejtohet Gjykatës Administratave për të rrëzuar VKM-të se cenohet autonomia, pasi nuk lejojmë që universiteti te merret ne patronazh nga ministrat e Ramës si bëri në show-in e radhës tek Turbina.”

Me anë të një postimi në facebook , ka deklaruar se është pjesë e grevës për të kundërshtuar ligjin për Arsimin e Lartë edhe pedagogu Artan Fuga. Ai thekson se e njeh nga historia se sa e rrezikshme është kur pushteti bën sikur merr anën e të dobëtëve dhe si zgjidhje propozon cënimin e lirisë. Profesor Fuga shprehet se refuzon të të bëjë mësim në një në një universitet që kthehet në një regjim kazerme, pasi VKM-të e fundit janë krejtësisht në kundërshtim me frymën demokratike të një universiteti të lirë.

“Unë sot jam në grevë, si anëtar i thjeshtë, i barabartë, përtej ndarjeve departamentale, i asamblesë të fakultetit Histori – Filologji të Universitetit të Tiranës. Sepse unë refuzoj të bëj mësim në një universitet që kthehet në një regjim kazerme. Sepse vkm e fundit janë krejtësisht në kundërshtim me frymën demokratike të një universiteti të lirë! Sepse unë jam për një model të ri universitar shqiptar, por jo që kriza e protestave studentore të hidhet mbi demokracinë universitare. Unë e njoh nga historia sesa sa e rrezikshme është kur pushteti bën sikur merr anën e të dobëtëve dhe si zgjidhje propozon cënimin e lirisë! As feja, as shkenca, as arti, as dija, nuk bëhet në kushte detyrimi! Prej shekujsh Martin Luteri e ka zbuluar këtë edhe për shqiptarët ! Sot në oborrin e fakultetit histori – filologji luhet fati i intelektualizmit shqiptar për të paktën dekadat e ardhshme.”

Postimi i plotë i pedagogut Artan Fuga në facebook

 

Ndërkohë dita e sotme ka filluar sërish me bojkot të studentëve në fakultetet e tjera të Universitetit të Tiranës.

Në Fakultetin e Shkencave Sociale, janë duke u zhvilluar ligjërime dhe diskutime me pedagogë dhe studentë, aktivitete dhe performancë artistike.

 

Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës bojkoti vazhdon. Studentët kanë artikuluar arsyet se pse protesta dhe bojkoti duhet të vazhdojë. Ndërkohë, ecuria e protestës do të vendoset sot nga studentët me anë të votimit.

Në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë krahas bojkotit nga ana e studentëve dhe pedagogëve janë vendosur shirita që simbolizojnë mbylljen e institucionit arsimor.

 

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja vazhdon bojkotin duke bllokuar edhe dyert e fakultetit me karrige dhe banka.

Studentët e Fakultetit të Ekonomisë vazhdojnë të qëndrojnë të grumbulluar në hollin e Fakultetit në mënyrë demonstrative.

 

*Citizens Channel  /E.K./

 

 

Organizatat e të drejtave të njeriut letër të hapur televizionit: “Jo legjitimimit të dhunës ndaj grave”

35 organizata të cilat punojnë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, të drejtave të vajzave dhe grave, dhe me fokus të veçantë te viktimat e dhunës me bazë gjinore, i kanë drejtuar Televizionit Kombëtar “Top Channel” – Programit “Dua te të bëj të lumtur”, një thirrje për shmangien e trajtimit riviktimizues ndaj viktimave të dhunës në familje dhe për dhënien e mesazheve të drejta kundër dhunës me bazë gjinore.

Në letrën e hapur drejtuar Programit “Dua të të bëj të lumtur” në Top Channel, këto organizata vlerësojnë se mënyra e trajtimit të historisë personale të një gruaje viktimë e dhunës në familje, ushtruar nga bashkëshorti i saj justifikon ushtrimin e dhunës në bazë gjinore duke u bërë faktor në riviktimizimin e vajzave e grave të dhunuara.

Trajtimi jo i drejtë i këtij rasti abuzimi ka nxitur një valë të re komentesh të cilat paragjykojnë gratë e dhunuara, duke justifikuar dhunën ndaj  tyre. Kjo qasje përforcon stereotipet gjinore ku gratë perceptohen si të nënrenditura, si pronë dhe ku dhuna tolerohet apo justifikohet dhe vjen si pasojë e një “faji” të viktimës. Pavarësisht se Znj. E. është në moshë madhore dhe është përgjegjëse për vendimet/zgjedhjet e saj, ne vlerësojmë se kjo histori nuk duhej përdorur në një fokus mediatik të tillë.”

Në emision historia e çiftit paraqitet si e zakonshme, madje duke i shtuar nota romantizmi. Nga ana tjetër trajtimi që i bëhet episodit të dhunës së ushtruar nga bashkëshorti kundrejt gruas serviret si një gjë e pranueshme nga të gjithë dhe mëse normale.

Prezantuesja e emisionit bën një përshkrim të momentit të dhunës : “Ai është kthyer vonë dhe E. është bërë me nerva. E.ngre zërin, ai po ashtu. Debati vjen e bëhet shumë i ashpër. Ka xhelozi, ka dashuri, ka urrejtje , ka sherre të akumuluara të cilat përshkallëzohen. Sharje, ofendime, shtyhen me duar, ai e gjuan , ajo pothuaj rrëzohet.

Protagonistja dhe rrëfyesja e ngjarjes shprehet se pas këtij akti dhune e kishte denoncuar bashkëshortin në polici.

Ai qëndroi 8 muaj në burg. U bë gjyqi dhe cdo gjë dhe përfundoi 8 muaj në burg. Mirëpo këto 8 muaj se kuptova as unë si përfundoi, sepse pa asnjë provë nga ana ime. Se një shpullë faqes, nuk është se më mbyti.”

Fakti që për protagonisten e ngjarjes një shpullë “nuk është asgjë”, tregon se ka vajza dhe gra të cilat e pranojnë këtë formë dhune duke e konsideruar normale, nëse bëhet fjalë për të mbajtur familjen e bashkuar. Ajo u bë pjesë e këtij programi për t’i kërkuar falje bashkëshortit të saj që e kishte denoncuar për dhunën, ndërkohë promovimi i këtyre historive në një televizion kombëtar mund të legjitimojë dhunën dhe të përforcojë qëndrimin e gabuar se gratë dhe vajzat shqiptare detyrohen të pranojnë keqtrajtimin dhe të ruajnë një raport inferioriteti karshi burrave.

Marrë shkas nga kjo ngjarje, organizatat me fokus mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, kërkojnë bashkëpunimin e televizionit dhe medias për të reflektuar në qëndrimet si:

  1. Respektimin e parimeve etike gjatë transmetimit të materialeve që kanë të bëjnë me viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, duke shmangur promovimin e rasteve të cilat pranojnë dhe justifikojnë dhunën, direkt apo indirekt. Raportimi i dhunës si një ‘gabim‘ dhe promovimi i ndjenjës së fajit dhe nevojës për të kërkuar falje nga ana e viktimës së dhunës, mund të nxisë viktima të tjera të heqin dorë nga raportimi i dhunës dhe si pasojë duke vënë në rrezik jetët e tyre. Në nivel shoqëror një qëndrim i tillë i medias përforcon stereotipet gjinore.
  2. Ju ftojmë t’i bashkoheni qëndrimeve tona për të ndërtuar një shoqëri ku dhuna nuk tolerohet për asnjë arsye. Qasja shoqërore, e përforcuar edhe nga media ku kërkohen faji, apo motive e arsye që e “çuan” dhunuesin të dhunojë duhet të marrë fund.
  3. Forcimin e bashkëpunimit mes Medias dhe Shoqërisë Civile nëpërmjet nismave të përbashkëta, për të përmirësuar mënyrën e trajtimit të rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, si dhe ndërgjegjësimin e publikut lidhur me të drejtat e njeriut. Media duhet të jetë një faktor emancipues për stereotipet, rolet, pabarazinë gjinore dhe qëndrimet diskrimuese.
  4. Sugjerojmë, që të konsultoheni me ekspertë të fushës paraprakisht në rastet kur prezantoni histori apo ngjarjeve që trajtojnë dhunën me bazë gjinore dhe dhunën në familje, për të shmangur trajtimin jo të duhur të këtyre problematikave madhore të shoqërisë dhe familjeve shqiptare.

Letra e plotë drejtuar Televizionit Top Channel, Programit “Dua të të bëj të lumtur”

*Citizens Channel /E.K/

“Valbona” do të dëgjohet në Parlamentin e Bashkimit Evropian

Më 7 mars 2019, nga ora 14:30–18:30, kauza e mbrojtjes së Luginës së Valbonës do të dëgjohet në Parlamentin e Bashkimit Evropian në një konference të organizuar nën titullin “Ruajtja e lumenjve të Ballkanit: Rezistenca e hidrocentraleve në Ballkan dhe Shqipëri”.

Pjesëmarrja e çështjes së Valbonës në këtë konferencë vjen pas vizitës së delegatëve të BE-së në luginën e Parkut Kombëtar, gjatë shfaqjes së dokumentarit të realizuar nga BIRN.

Presidentja e Organizatës “Toka”, Catherine Bohne, gjatë bërjes publike të këtij lajmi pozitiv për banorët e luginës së Valbonës u shpreh: “Jemi shumë të lumtur që çështja jonë është dëgjuar para Parlamentit të BE-së. Por kjo është vetëm një nga disa mënyrat që ne po planifikojmë të sjellim abuzimet flagrante të sistemit shqiptar kundër popullit dhe mjedisit tonë në njoftimin ndërkombëtar, sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Ishte prilli i vitit 2017 i cili shënoi nisjen e punimeve për ndërtimin e një prej dy hidrocentraleve në brendësi të Parkut Kombëtar të Valbonës. Ky projekt planifikon të fusë në tunel 3 kilometra të lumit Valbonë, në një prej pjesëve më të bukura të Shqipërisë.

  Gjatë punimeve të ndërtimit të HEC-eve.

Pas këtij vendimi, banorët e Luginës së Valbonës iu drejtuan me anë të një kërkese Gjykatës Administrative për të pezulluar punimet. Por në qershor të vitit 2017 Gjykata Administrative e rrëzoi kërkesën e 27 banorëve të Luginës së Valbonës dhe Organizatës “Toka” për të pezulluar punimet e HEC-it që nisi të ndërtohej në një nga segmentet më të bukur të Valbonës. Gjyqtarja Elvana Cicolli arsyetoi se pala paditëse nuk ka paraqitur fakte të mjaftueshme që tregojnë se punimet e HEC-it dëmtojnë mjedisin duke u lënë kohë banorëve për të sjellë prova të reja.

                 Catherine Bohne , presidente e organizatës “TOKA” 

Pezullimi i punimeve nga Gjykata Administrative

Më 6 qershor 2018, Gjykata Administrative e Apelit të Tiranës pezulloi punimet e kompanisë “Dragobia Energy” në Valbonë.

Vendimi i Administratives së Apelit është marrë në bazë të padisë së banorëve të Luginës së Valbonës dhe Organizatës “TOKA”, pasi ndërtimi i hidrocentraleve nuk përputheshin me interesat e komunitetit.

Po ashtu Gjykata çmoi se vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit, i datës 10 nëntor 2017, për leje zhvillimore në Valbonë është i paligjshëm, pasi në një Park Kombëtar ndalohet veprimtaria e ndërtimit të hidrocentraleve.

“Vendimi Nr.12, datë 10.11.2017, i KKT-së është nxjerrë në kundërshtim me ligjin Nr. 81/2017, datë 4.5.2017 “Për Zonat e Mbrojtura”, duke cënuar interesa të rëndësishme kushtetuese dhe ligjore në çështjet mjedisore.” – thuhet në arsyetimin e Administratives së Apelit.

 

Vendimi i Gjykatës së Tropojës 

Më korrik 2018, pas kërkesës së kompanisë që po ndërton HEC-et, gjyqtari i Tropojës, Sami Ujkashi, ka vendosur të rrëzojë vendimin e Gjykatës Administrative  të Apelit në Tiranë, për pezullimin e punimeve.

Pala kërkuese (kompania konçesionare Dragobia Energy), në kërkesën e depozituar në Gjykatën e Tropojës deklaron se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit është i pavlefshëm, pasi i referohet pezullimit të lejes së KKT-së me nr.12, datë 10.11.2017, me një afat prej 5 muajsh. Në datën 21 maj 2018, kjo leje ka skaduar, ndërsa kompania konçesionare ka aplikuar 4 ditë përpara (17 maj) për leje të re zhvillimore.

Në datë 26 korrik 2018, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) është mbledhur për miratimin e 28 lejeve, por nuk ka miratuar lejen për kompaninë “Dragobia Energy”, kompaninë që po ndërton HEC-et në Valbonë. Në argumentin e saj, drejtuar Gjykatës së Tropojës, “Dragobia Energy”, thotë se ka një miratim në heshtje të lejes së KKT-së dhe se punimet po kryhen në bazë të kontratës konçesionare të datës 23.04.2009. Por, kontrata konçesionare nuk parashikon dhënien e asnjë leje, as atë të ndërtimit, pasi vetëm pas lidhjes së kontratës, “Dragobia Energy” pajiset me  të gjitha lejet, edhe atë të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Pra, sot kompania konçesionare jo vetëm që po ndërton HEC-e pa një leje ndërtimi, por nga ana tjetër ka refuzuar të zbatojë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë, të datës 6 qershor 2018.

Përmbaruesi Eduard Mrishaj kishte kërkuar mbështetjen e Policisë së Tropojës për të shkuar në zonën ku po ndërtohen HEC-et. Por, ai është përballur, me një vendimin e Gjykatës së Tropojës, për pezullimin e punimeve të zyrës përmbarimore.

Gjykata e Tropojës ka prevaluar mbi vendimin e Gjykatës Administrative të Tiranës, duke i dhënë kështu  të drejtën kompanisë konçesionare “Dragobia Energy” që të vijojë punimet të paktën deri në 31 janar 2019.

Vetëm Gjykata e Lartë ka për kompetencë që të rrëzojë një vendim të Gjykatës Administrative të Apelit të Tiranës. Por në mungesë të trupës gjykuese të Gjykatës së Lartë, për shkak se 5 prej tyre janë eleminuar nga procesi i VETTING-ut, kompania “Dragobia Energy” i është drejtuar Gjykatës së Tropojës për të gjetur një zgjidhje.

Vendimi i Gjykatës së Rrethit Tropojë që rrëzon Gjykatën Administrative

 

Për vendimet e marra deri më tani nga gjyqësori shqiptar drejtuesja e organizatës “Toka” u shpreh se :

” Pas tre vjet përpjekjesh, me respekt dhe shpresë, për t’u besuar qeverisë shqiptare dhe sistemit gjyqësor, goditjet dhe tmerret e gjysmës së dytë të vitit 2018 dëshmojnë se nuk mundemi. Kur zv.Ministri i Drejtësisë shkon në televizion dhe thotë se veprimet e gjykatës së rrethit të Tropojës janë të paligjshme — dhe pastaj nuk ndodh asgjë — shohim se sistemi nuk funksionon dhe gjykatat janë të lira të veprojnë në mënyrë të paligjshme, pavarësisht nga programi i reformës së drejtësisë. Kur Prokurori publik i Tiranës argumenton se njerëzit e vdekur që nënshkruajnë provën e një takimi nuk do të thotë se takimi nuk ndodhi, shohim se sistemi nuk funksionon.”

Ajo shpreson te dëgjimi i kësaj çështjeje nga institucionet ndërkombëtare:  “Kur Prokurori publik argumenton se nëse një kriminel i akuzuar thotë “asgjë nuk ka qenë e gabuar”, kjo është një dëshmi se asgjë nuk është e gabuar, ne e shohim se sistemi nuk funksionon. Dhe kur gjyqtarët e gjykatës së lartë japin një urdhër pune të ndaluar, për shkaqe urgjente për të mbrojtur dëmtimin e pakthyeshëm ndaj interesit publik dhe kjo provon të pamundur për të zbatuar këtë vendim, shohim qartë se sistemi nuk funksionon. Prandaj ne po marrim luftën në një nivel ndërkombëtar “

Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës është një nga zonat me biodiveristetin më të lartë në Europën Jug-Lindore. Është gjithashtu edhe burim të ardhurash për banorët e zonës prej turizmit të qendrueshëm dhe një nga tre destinacionet kryesore të turizmit në Shqipëri. National Geographic në vitin 2017 e shpalli si një nga “9 Best Places in the World to Enjoy the Great Outdoors” (9 vendet më të mira në botë për turizmin në natyrë). Me ndërtimin e hidrocentraleve të gjitha këto mund të shkatërrohen.

*Citizens Channel /E.K/

Protesta e Unazës së Re zhvendoset në Surrel; Avokati: Shtëpia e Kryeministrit, e barabartë me shtëpinë e çdo shqiptari

Dje u shënua dita e 66 e protestës së banorëve të zonës së Astirit.  Prej rreth 2 muajsh e gjysmë ata kërkojnë anulimin e projektit të Unazës së Madhe i cili parashikon prishjen e rreth 200 banesave.

Prej muajsh ata protestojnë çdo ditë duke bllokuar aksin e rrugës që të çon tek sheshi “Shqiponja”. Mbrëmë ata e përshkallëzuan protestën e tyre duke shkuar drejt banesës së Kryeministrit Edi Rama, në Surrel.

Të pajisur me pishtarë dhe me jelekët portokalli ata kërkuan anulimin e këtij projektit, aktualisht i pezulluar për shkak të një hetimi në lidhje me një nga kompanitë fituese të projektit “DH Albania”.

“Qëllimi i kësaj proteste ishte që ti jepej një mesazh Kryeministrit Rama se shtëpia jote kudo qoftë, është e barabartë me shtëpinë e çdo familje në Unazën e Re dhe në gjithë Shqipërinë”, tha për Citizens Channel avokati Artan Manushaqe i cili prej kohësh i është bashkuar protestës së banorëve të Astirit.

Fotogaleri: protesta e banorëve të Astirit zhvendoset pranë shtëpisë së Kryeministrit Rama

Sipas aktivistëve protesta e djeshme ka zgjatur rreth një orë dhe është zhvilluar pa incidente, me pjesëmarrjen spontane të banorëve të zonës së prekur nga projekti, studentëve dhe qytetarëve të tjerë.

Avokati Manushaqe ngriti një sërë shqetësimesh që lidhen me ligjshmërinë e ndërtimit të këtij segmenti të Unazës së Madhe: “Projekti ka rënë sepse është korruptiv dhe shtëpitë dhe pasuritë e shqiptarëve do të mbrohen me çdo kusht brenda garancive kushtetuese dhe të Kodit Penal apo bazuar edhe në të drejtën e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut”.

Avokati liston një sërë shqetësimesh që lidhen me shkeljen e procedurave të shpronësimin dhe legalizimet:

  • Nuk ka pasur asnjë komunikim verbal me banorët e zonës
  • Shkresat e nisura nga autoritetet publike, ku kërkohet lirimi i banesave për 10 ditë dhe parashikohen gjoba deri në 500 mijë lek nëse nuk prishen banesat vullnetarisht, konsiderohen të paligjshme kur në të njëjtën kohë ka një hetim në SHBA dhe Shqipëri për projektin
  • Skualifikimi i banesave që janë pranuar më parë dhe kanë nisur procesin e legalizimit

 

*Citizens Channel / F.S/

Protesta studentore përshkallëzohet në ditën e 13-të saj

Protesta studentore hyri sot në ditën e 13. Numri i personave pjesëmarrës ka qenë më i lartë krahasuar me fundjavën. Në orën 9:00, studentët marshuan nga fakultetet përkatëse drejt Kryeministrisë duke përsëritur dhe njëherë që nuk do të ketë negociata me qeverinë nëse nuk plotësohen tetë kushtet e vendosura që në fillim të protestës.

Studentëve të Tiranës iu bashkuan dhe ata të Kamzës dhe të Durrësit dhe një grup prej rreth 200 studentë që kanë ardhur nga Korça. Ndryshe nga ditët e tjera, para  Kryeministrisë kishte një prezencë të shumtë të forcave policore.

Për protestën e ditës së sotme, pati reagime edhe nga qeveria edhe nga opozita. Kryeministri Rama i ftoi edhe njëherë studentët për dialog nëpërmjet rrjeteve sociale, duke publikuar një “insta story” me përshkrimin: “Do shihemi para festave apo jo”? Ndërsa në twitter ai shkruajti se protesta është marrë peng nga opozita.

Ndërsa kryetari i opozitës Basha u shpreh se studentët kanë mbështetjen e tij.

“Partia Demokratike dhe unë e mbështesim me të gjitha format dhe mënyrat dhe natyrisht që jemi atje me mish, me shpirt e me mendje. Njerëzit tanë, fëmijët tanë, i mbështesim me të gjitha format dhe mënyrat, u shpreh Basha për gazetarët pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Ndërkohë, rreth orës 14:00 janë shënuar përplasje midis studentëve dhe policisë, që erdhën pasi studentët kërkuan të rrethonin Kryeministrinë në mënyrë simbolike për të treguar se ajo iu përket të gjithë shqiptarëve.

Vetëm pak minuta më parë, studentët kanë filluar të bllokojnë disa akse rrugore në Tiranë, si: kryqëzimi i Zogut të Zi dhe Unaza, ndërsa një pjesë e tyre po qëndrojnë tek Kryeministria.

Rama reagoi në “twitter” duke iu drejtuar një pyetje studentëve protestues: “A mund t’ju pyes juve që ju mësojnë Doktoresha dhe Artisti të bllokoni rrugët e qytetit e dyert e fakulteteve, ndërkohë që mbani bllokuar rrugën e Dialogut, duke iu hedhur në fyt me sharje e akuza atyre që duan Dialog: Po çfarë borxhi ju kanë juve qytetarët e studentët e tjerë?”

*Citizens Channel / f.s.

 

Dita e 10-të e protestës, studentët paralajmërojnë tubim masiv ditën e hënë

Protesta studentore ka hyrë sot në ditën e 10-të të saj. Studentët janë duke protestuar pranë Kryeministrisë dhe një pjesë e tyre e kanë kaluar natën aty, pavarësisht temperaturave të ulëta dhe kushteve të këqija të motit. Ndërkohë që prej tre netësh protesta është kthyer në një qëndresë të vazhdueshme para Kryeministrisë.

Kryeministri Rama insiston prej ditësh në qëndrimin për dialog me studentët, por ata nuk pranojnë të negociojnë asnjë nga kushtet e tyre. Janë 8 kërkesa që janë dërguar në Kuvend, Kryeministri dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve. Studentët janë shprehur për median këto ditë se dialogu fillon pas plotësimit të kushteve.

Të mërkurën dhe të enjten, Universiteti i Tiranës dhe ai i Arteve, nëpërmjet një deklarate publike kanë shprehur mbështetjen për studentët si dhe gatishmërinë për të filluar punën sa më parë për të mbështetur studentët në kërkesat e tyre.

 

Studentët kanë paralajmëruar sot se të hënën protesta do të marrë përmasa masive.

Citizens Channel / F.S