Reportazh: Të rinjtë shkundin monotoninë, risjellin jetë në ish-Fonderinë e Gizës


Foto: Eventi i hapjes së Tirana Social Cultural Center | Lorin Kadiu | Citizens Channel

Në 16 tetor 1978, në Kombinatin mekanik të Auto-Traktorëve u përurua traktori i parë “made in Albania”. Fill pas tij inxhinierët dhe punonjësit e uzinës, një ndër krenaritë e regjimit komunist arritën të montojnë edhe 99 të tjerë, duke e çuar në 100 numrin e traktorëve të montuar “me forcat tona”. Me ndërrimin e regjimeve Uzina e humbi shkëlqimin e saj, duke u kthyer në një rrënojë që veç marrëzisë së kohëve të shkuara, na kujton neglizhencën dhe rrënimin e publikes sot.

Kjo ishte pamja që gjetën një grup të rinjsh vullnetarë, të cilët vendosën të kthejnë një ndër godinat e braktisura të Uzinës në një qendër sociale në shërbim të komunitetit.

Historia mbaron me kthimin e Repartit të Fonderisë së Gizës në “Tirana Social Cultural Center” – por si ndodhi e gjithë kjo?

“Kanë qenë vetëm dy veta në fillim, dy njerëz shumë të rinj, që kishin nevojë për një hapësirë që nuk i përngjason asnjë hapësire kulturore dhe sociale në qytet”, tregon Henri Panduku, një prej vullnetarëve.

Livia Tice është një nga dy iniciatorët, ajo rrëfen për Citizens Channel si nisi kjo histori: “Kishim nevojë për një hapësirë që është e jona, për një komunitet, për një hapësirë që na përfaqëson dhe në raport me institucionet e që na ofron mundësi të rritemi e të zhvillohemi duke mësuar dhe eksperimentuar”

Ata kontaktuan me “Toestand” një grup vullnetarësh nga Belgjika që  çdo vit udhëton për të rijetëzuar një godinë të braktisur. Në Tiranë u bashkuan me të rinj nga Prishtina dhe Tetova, ku më parë kanë themeluar qendrat “TermoKiss” dhe “Socio Culturar Space”, duke formuar një grup prej 80 vullnetarësh.

Henri Panduku | Foto: Entenela Ndrevataj | Citizens Channel

Henri tregon se kërkimi për godinën nuk ka qenë i lehtë: “Kemi kërkuar për rreth 6 muaj. Kjo hapësirë është gjetur jo më shumë se një muaj më përpara. Ka pasur ide të shumta, megjithatë asnjë përgjigje definitive”.

Për aktivistët është e rëndësishme që qendra të jetë në shërbim të komunitetit të Shkozës, një ndër zonat më të varfra në periferi të Tiranës, ku investimi publik dhe aktivitetet kulturore mungojnë plotësisht.

Albin Shuleta | Foto: Entenala Ndrevataj | Citizens Channel

Albin Shuleta, 16 vjeçar nga Kosova tregon për gjendjen në të cilën e gjetën godinën e braktisur ditën e parë: “E kemi gjetur vendin të grumbulluar me mbeturina edhe kemi parë shumë sende joefektive si drunj, mure të shkatërruara. U ndamë disa grupe, pikë së pari për të hequr mbeturinat nga hapësira, i hoqëm me traktor, pasi ka pasur tepër shumë, si një mal”, shton ai.

Dy javët në vazhdim, djemtë dhe vajzat punuan çdo ditë duke vendosur dritaret, krijuar një dysheme, një platformë, madje edhe një banak brenda godinës së braktisur.

Eljesa Beka, ka punuar për themelimin e qendrës “TermosKiss” në Kosovë, e ngritur nën të njëjtën frymë , ajo tregon për impaktin që qendra ka pasur, duke shpresuar që e njëjta gjë të ndodhë edhe në Tiranë. “Në Prishtinë ka qenë seni ma i mirë që i ka ndodh qyteti”, tregon Eljesa, “Po mendoj që kjo i vyn qytetit, me i ik pak se ka shumë kafiqa (kafene) nëpër qytet dhe e di që shumica e njerëzve rrinë qaty. Sa rrin qaty, ma mirë me ardh këtu edhe me e shfrytëzu hapësirën”.

Eljesa Beka | Foto: Entenela Ndrevataja | Citizens Channel

Eljesa tregon se ideja pas kësaj iniciative është që përtej socializimit të jetë në shërbim të të rinjve dhe komunitetit në çdo aspekt: “Tash disave prej nesh jemi të punësum, e punëson veten. Ideja asht me ba çka ti ki nevojë dhe me shfrtytëzu nevojat tua në një hapësirë të tillë”.

Aktivistët kanë të njëjtat pritshmëri edhe për “Social Cultural Center” të ngritur rishtaz në Tiranë. “Ne presim që kjo godinë të përshtatet më së miri”, tregon Henri Panduku duke shtuar se qendra synon të dialogojë me hapësirën ku është vendosur dhe me komunitetin lokal përmes gjuhës së kulturës.

Dialog që kishte filluar edhe kulmoi mbrëmjen e së shtunës, në inaugurimin e qendrës ku prindërit, grupe fëmijësh dhe të rinj nga zona e Shkozës bashkoheshin me vullnetarët me një ngrohtësi që dukej se kishte rrënjë në një marrëdhënie besimi dhe afrimiteti tashmë të krijuar.

Aktiviteti i hapjes së TSCC | Foto: Lorin Kadiu | Citizens Channel

Të rinjtë premtojnë se “Tirana Social Cultural Center” do të krijojë një identitet përmes takimeve, workshopeve dhe aktiviteteve që do të organizohen në vazhdim, duke shpresuar t’i japin jetëgjatësi këtij realiteti të ri edhe pas largimi të vullnetarëve që e ndërtuan.

“Besoj se do ketë vazhdimësi, megjithatë mbetet për të shpresuar që ajo nuk do të cenohet nga faktorë të jashtëm”, përgjigjet Henri, i pyetur mbi vazhdimësinë e qendrës.

 

* Citizens Channel |  /E.N/ /L,K/

 

Pukë, Moratoriumi dhe institucionet të pafuqishme për të ndaluar prerjen pa kriter të pyjeve

Foto: Pemë të prera në zonën e njohur si “Fusha e Pusit”, 2 orë e gjysëm larg fshatit Shkozë të Pukës

Prerja e pyjeve në zonën e Pukës po sjell shkatërrimin e natyrës dhe rrezikun e zhdukjes së kafshëve të egra. Abuzuesit shfrytëzojnë hapësirat në ligjin e Moratoriumit për të shpyllëzuar zonën, përballë institucioneve që nuk kanë kapacitetet njerëzore dhe burimet financiare për të siguruar kontrollin e pyjeve.

Autor: Aleksandër Marku |  Citizens Channel   

Prerja pa kriter e pyjeve në Rrethin e Pukës ka sjellë pasojat negative për jo vetëm për mjedisin por edhe për sigurinë e jetës së banorëve. Rreth një vit më parë, 8 familje humbën shtëpitë e tyre për shkak të rrëshqitjes masive të dherave në fshatin Dardhë të Fushë-Arrëzit. Ndryshe nga sa u raportia në media, banorët e zonës shprehen se rrëshqitja e tokës ka ndodhur si pasojë e prerjes së pyjeve.

Një tjetër pasojë e prerjes së pyjeve është rreziku i zhdukjes së kafshëve të egra si derri i egër, ariu i murrmë, kaprollit, dhisë së egër, dhelprës, ujkut. Banorët e fshatit Shkozë Preng Pjetri dhe Ndue Mhilli tregojnë për Citizens Channel se numri i kafshëve të egra nga ka rënë 10 herë krahasuar me vitet 90′.

Puka është një ndër qytetet me sipërfaqen më të madhe pyjore në Shqipëri. Sipërfaqja e përgjithshme e maleve të Pukës është 45775-hektarë, e gjitha kjo në mëshirën e fatit pasi masat e marra përgjatë këtyre 28-viteve kanë qenë të pakta.

Foto: Pemë të prera në pyjet rreth fshatit Shkozë të Pukës

This slideshow requires JavaScript.

Sipas projekt studimit për vjeljen e materialit drusor dhe prodhimeve të dyta pyjore për vitin 2018 nga Bashkia Pukë, seksioni i pyjeve dhe kullotave ngre shqetësimin tek mungesa e burimeve financiare. Ndërsa për këtë vit buxheti për seksionin e pyjeve kap shifrën e 105-milionë lekëve të vjetra.

Një pjesë e pyjeve rrezikon të digjet si rezultat i mungesës së rrugëve apo edhe amortizimi i rrugëve në mal, çka e bën të vështirë kalimin e zjarrfikëses nëpër zonat që janë të përfshira nga zjarri.

Mbrojtja e pyjeve bëhet nga sektori i pyjeve dhe kullotave në bashkëpunim me inspektoratin pyjor. Aktualisht pranë sektorit të pyjeve dhe kullotave janë të punësuar: 1-inspektor kadastre, 4-

Gjin Filipaj – përgjegjësin i sektorit të Pyjeve dhe Kullotave në Pukë

inxhinierë përgjegjës për njësitë administrative të bashkisë, 11 janë specialistë të ndarë nëpër zona dhe 1-përgjegjës për këtë sektor.

Gjin Filipaj përgjegjës i Sektorit të Mbrojtjes të pyjeve dhe kullotave deklaron për Citizens Channel se janë hartuar një sërë plane masash për mbrojtjen e pyjeve nga prerjet e paligjshme dhe parandalimin e zjarreve.

“Përmes një bashkëpunimi me Komisariatin e Policisë Pukë dhe Inspektoratin Shtetëror të pyjeve në 6 muajt e parë të 2019-ës janë denoncuar 7-raste për prerje të paligjshme, si edhe janë parandaluar 11-raste zjarresh”, shprehet Filipaj.

 “Moratoriumi përballë prerjes së paligjshme të pyjeve”

 Ligji i moratoriumit ka si qëllim të reduktojë ndërhyrjet mbi fondin pyjor të degraduar si pasojë e mbi shfrytëzimit dhe dëmtimeve të tjera me synim përmirësimin e gjendjes

Ded Lleshi – Inxhinier i Pyjeve

së pyjeve.

Afati i moratoriumit sipas ligjit në fuqi në vitin 2016-të u parashikua të zgjasë 10-vite. Me gjithë masat e marra në zonën e Pukës prerja e pyjeve në mënyrë të paligjshme mbetet një problem i vazhdueshëm.

Ded Lleshi, inxhinier i pyjeve, tregon se zonat më problematike janë ajo Munellës dhe zona e Sukzezës pasi zjarret dhe prerjet e bëra nga subjekte ilegale do të sjellin një dëm të madh me kalimin e

viteve.

Problemi qëndron tek moratoriumi sepse në njërën anë ligji e ndalon prerjen e pyjeve, në anën tjetër ai e lejon prerjen e pyjeve për plotësimin e nevojave të banorëve të bashkive për dru zjarri, çka jep mundësinë që ushtrojnë lejen për të shfrytëzuar zonat pyjore të presin më shumë nga sa u është caktuar” thotë për Citizens Channel inxhinieri i pyjeve Ded Lleshi.

Specialisti Lleshi liston disa nga pasojat që mund të sjellë në të ardhmen prerja pa kriter e pyjeve:

  • shtim të sëmundjet të banorët e kësaj zone.
  • tokat bujqësore do jenë burime vatrash infeksioni.
  • ndotja do jetë në një nivel alarmues, një pjesë e kafshëve të egra do zhduken.

Pasojat e këtyre veprimeve do të ndihen pas 15 apo 20-viteve, ndaj për zvogëlimin e efekteve negative që do shihen në të ardhmen mbjellja e bredhave, pishave, lisave, aheve do ishte një zgjedhje e duhur përfundon Lleshi.

Foto: Pemë të prera në zonën e Pukës

Ligji i moratoriumit ka ndaluar prerjen e pyjeve, megjithatë abuzuesit përfitojnë nga hapësirat ligjore duke vazhduar shpyllëzimin pa kriter të pyjeve, përballë institucioneve dhe organizmave mbikëqyrës që janë të pafuqishme për shkak të mungesave në burime dhe në staf.

*Redaktor – Lorin Kadiu | Citizens Channel
**Ky artikull u realizua në vazdhimësi të ciklit të trajnimeve “Mjetet dhe Teknikat e Raportimit Lokal”, organizuar nga Citizens Channel.

 

Të varfër, të sëmurë dhe të zhgënjyer; Minatorët ende në pritje të statusit

“Në mandatin e parë qeverisës premtuam uljen e moshës së daljes në pension për minatorët dhe e ulëm, premtuam rritjen e sigurisë në miniera dhe e kemi rritur, premtuam rritje tërësore pagash në sektor dhe e mbajtëm. Këtë mandat kemi premtuar statusin dhe do ta mbajmë”, këto ishin fjalët e kryeministrit Rama në prill të 2018-s.

Sot, thuajse një vit më pas asgjë nuk ka ndryshuar, janë  34 minatorë kanë humbur jetën në punë në 10 vite, statusi i minatorit ende fle nëpër sirtarë dhe mosha e daljes në pension është 55 vjeç, njëlloj me atë të deputetëve, ministrave apo punonjësve të lartë shtetëror.

Aleks Andrea, minator në qytetin e Pogradecit për 17 vite, tregon se ka humbur besimin se politika do të përmbushë premtimin për një ligj që mbron minatorët.
“Statusi i Minatorit është zvarritur dhe do të zvarritet prapë, sepse është zvarritur nga të tëra  qeveritë për 28 vjet”, u shpreh ai për Citizens Channel.

Minatori Aleks Andrea
Foto: Citizens Channel

Në qershor 2018, procedurat për miratimin e statusit të minatorit dështuan dhe për këtë qeveria ia hodhi fajin sindikatave për bllokimin e punës. Në një deklaratë të përbashkët për median, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) si dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) deklaronte se prej disa kohësh kanë ngritur një grup pune të përbashkët që ka zhvilluar diskutime me përfaqësuesit e sindikatave, pjesa më e madhe e të cilëve kanë rënë dakord për draftin por ka një pjesë tjetër të sindikatave që nuk kanë qenë dakord.

“Ky grup pune ka zhvilluar diskutime intensive me përfaqësuesit e sindikatave, pjesa më e madhe e të cilëve janë dakordësuar mes tyre për një draft të cilin ia kanë paraqitur grupit të punës. Fatkeqësisht, deri tani, ka dhe një pjesë përfaqësuesish sindikalë të cilët nuk kanë rënë dakord me draftin e propozuar nga pjesa kryesore e sindikalistëve. Gjejmë rastin që t’u bëjmë thirrje të gjithë përfaqësuesve sindikalë që të bëhen pjesë e diskutimeve në tryezën e grupit të punës, të bashkohen në qëndrime mbi një draft të vetëm i cili më pas t’i nënshtrohet procedurave të përcaktuara në ligj”, deklaroi MIE dhe MFE.

Gjatë vitit të kaluar Citizens Channel pregatiti një reportazh të gjatë në të cilin argumentohen kërkesat e minatorëve dhe tregohen kushtet e mjerueshme në të cilat këta minatorë punojnë.Në të gjitha drejtimet si nga ana e qeveritarëve lokalë, shoqërisë civile dhe sindikatave të minatorëve u ngrit shqetësimi se statusi i minatorit është një dosmososhmëri.

Minatorët, nga ana e tyre, kërkojnë që ligji për statusin të miratohet sa më shpejt në mënyrë që të ndjehen më të sigurt për jetën e tyre.

Sot, kur ka kaluar rreth 1 vit situata është e njëjtë, pavarësisht premtimeve dhe nismave të mbetura në tentativë.

Lexo më shumë: Speciale / Çfarë e mban peng statusin e minatorit?

Një ligj që mbeti në tentativë

Në Tetor 2017, Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu depozitoi në Kuvendin e Shqipërisë një draft për statusin e minatorit. Propozimi u mbajt në “gjumë” për muaj të tërë dhe në janar të 2018-s qeveria dha një vendim negativ.

Projektligji parashikonte pozitën juridike, ekonomiko-financiare dhe shoqërore, kërkesat e përgjithshme të pranimit, të drejtat, detyrimet dhe kufizimet e punonjësve të Industrisë së Minierave në Republikën e Shqipërisë, për arsye të karakterit të veçantë të punës dhe ndikimit në shëndet të kësaj pune, si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre. Qeveria deklaroi se projektligji për statusin e minatorit sjell efekte negative në skemën e pensioneve dhe buxhetin e shtetit, dhe propozimi i bërë nuk u shoqërua me kostot e detajuara financiare. Po ashtu sipas qeverisë projektligji përmban edhe shkelje kushtetuese dhe të Kodit të Punës.

Në Kuvendin e Shqipërisë projektligji nuk u votua nga shumica socialiste dhe për pasojë nuk u miratua. Aktualisht nuk ka ende asnjë ligj që mbron minatorët në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht diskutimeve që kanë zgjatur prej vitesh.

“Kam 7 – vite që dëgjoj për statusin e minatorit. Mesazhi im është që statusi të miratohet sa më shpejt. Shtresa më e persekutuar ne kemi qenë”, tregon minatori Abdyl Neli për Citizens Channel.

Minatori Abdyl Neli
Foto: Citizens Channel

Pas rrëzimit të projektligjit të parë qeveria u angazhua se do të miratonte një ligj të ri për minatorët brenda vitit 2018. “Ne do të sjellim një status të trajtuar me maturi sociale dhe financiare”, deklaroi Ministri i Financave Ahmetaj, në Shkurt 2018.

Premtime të pambajtura…

Ka dy momente kur shoqëria dhe politikbërësit e zhvendosin vëmendjen tek statusi i minatorit: sa herë që një minator humb jetën duke punuar dhe sa herë që ka fushatë elektorale apo takime për “bashkëqeverisje”.

Të shumtë kanë qenë politikanët të cilët kanë premtuar se do të miratonin një ligj që i siguron një jetë dinjitoze minatorëve dhe ish-minatorëve:

  1. Në qershor të vitit 2018 Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka tha para banorëve të Klosit: “Kemi qenë gjithmonë ne që kemi adresuar problematikën e minatorëve si kategori. Por çështja e statusit të minatorëve është një problem kakofonie që një status apo propozim vinte nga sindikata, një vinte nga konfederata, një vinte nga një deputet i zonës, një nga një tjetër deputet i zonës, një nga Ministria e Mirëqenies dhe një nga Ministria e Energjisë.

Sot di që çështja ka hyrë në rrugë të mbarë. Po diskutohet po shqyrtohet dhe kam përshtypjen që shumë shpejt do të kemi një draft që sërish do ti hyjë një konsultimi publik që do të marrë edhe dakordësinë tuaj.”

  1. Në tetor të vitit 2018 ishte Damian Gjiknuri i cili shprehej për statusin e minatorit: “Për sa i përket statusit të minatorit, ne për statusin e minatorit jemi duke punuar me të gjitha sindikatat dhe sot që flasim ky draft ndodhet në Ministrinë e Financave”
  2. “Për sa i përket statusit, së pari mos e harroni një gjë, që ne mbajtëm angazhimet që kishim në mandatin e parë lidhur me minatorët. Se duket sikur minatorët trajtohen njësoj sikur trajtoheshin më përpara, kjo nuk është e vërtetë. Për sa i përket statusi ne po bëjmë një draftligj siç e ka gjithë Europa, një status për të gjitha këto profesionet e vështira që hyjnë te kategoritë e mbajtjes së statusit të veçantë. Do ta çojmë në Parlament besoj brenda nëntorit dhe t’i japim drejtim kësaj çështje në mënyrë definitive, brenda mundësive si dhe duke respektuar sakrificat që ju keni bërë në këto fusha të vështira”, shprehej Rama në tetor të vitit 2018 me banorët e zonës së Hasit.

Citizens Channel u takua me disa minatorë dhe ish-minatorë të cilët shprehën shqetësimin e mbartur ndër vite për mosrealizimin e një ligji i cili i siguron një status. Si kategoria që bën një nga punët më të vështira dhe më të rëndësishme ata ndihen të lënë pas dore dhe tregojnë se jetojnë një jetë jo dinjitoze.

“Unë jam specialist për minierat me kategori të 7, në shkallën e inxhinierit, asistent dhe marr 122 mijë lekë pension”, tha Aleks Andrea për Citizens Channel. Më tej ai shtoi se ato para janë të pamjaftueshme për të jetuar një jetë normale.

Shuma e pensionit e minatorit Aleks Andrea
Foto: Citizens Channel

“Kam punuar 32 vite, kam qenë Mjeshtër dhe tash marr një pension  qesharak 160 mijë lek. Është turp për punën që kemi bërë. Në të gjithë botën minatorët janë njerëzit më të nderuar dhe pensionet e minatorëve në të gjithë botën janë disa herë më të lartë se sa të punëtorëve të sipërfaqes. Është për tu habitur që njerëzit më të vuajtur njerëzit që i kanë dhënë më shumë shoqërisë realisht dhe fatkeqësisht sot janë njerëzit më të përbuzur të shoqërisë”, tha Abdyl Neli një tjetër ish-minator i cili kishte punuar dhe në zonën e Bulqizës

“100 probleme kemi, fatmirësisht nuk kam pasur aksidente, por kam pasur probleme shëndetësore”, u shpreh Pashk Marku për Citizens Channel i pyetur nëse kishte pasur ndonjë problem shëndetësor për shkak të punës. Ish-minatorët u shprehën se problemet e tyre shëndetësore  për shkak të punës kanë qenë të shumta, ndër më të përhapurat ka qenë sëmundja e silikozës.

Minatori Pashk Marku
Foto: Citizens Channel

“Unë nuk mbushem dot me frymë, nuk eci dot më shumë se 50 metra”, u shpreh ish-minatori Aleks Andrea për Citizens Channel.

Çfarë është sëmundja e silikozës?
“Silikoza shkaktohet nga depërtimi i grimcave të vogla të pluhurit mineral në organet e frymëmarrjes dhe depozitimi i tyre në mushkëri. Pluhuri grumbullohet duke formuar konglomerate që çimentohen në mushkëri dhe shkaktojnë kollë dhe vështirësi në frymëmarrje. Simptomat e kësaj sëmundje përfshijnë dhimbje në kraharor, kollë të thatë deri në bronkit, takikardi apo infarkte të zemrës. Shpesh këto simptoma mbeten të fshehta ose ngatërrohen me patologji të tjera.”

Ndërsa minatorët që janë ende aktiv, përballen me një problem edhe më të madh: vdekjen. Mediat kanë raportuar se vetëm në 10 vitet e fundit kanë vdekur 34 minatorë në vendin e punës.

Statusi i minatorit duket ende një premtim i largët jo vetëm për personat që shpresojnë për një jetë dinjitoze pasi shpenzuan vite të tëra të jetës nën tokë por edhe për ata që ende sot, përballen me rrezikun e punës në minierë.

 * Citizens Channel – Fjori Sinoruka 

 

 

Politika e frikës: Si frika bëhet tribale duke na manipuluar

Arash Javanbakht / Profesor i Psikiatrisw, Universiteti Wayne State / The Conversation

Frika është pothuajse aq e vjetër sa vetë jeta. Është thellësisht e vendosur tek organizmat e gjallë që i kanë mbijetuar zhdukjes përmes biliona vitesh evolucion. Rrënjët e saj janë të vendosura thellësisht në gjendjen tonë biologjike dhe emocionale dhe është një nga ndjenjat tona më intime. Rreziku dhe lufta janë të vjetra sa historia njerëzore, po ashtu dhe politika dhe besimet fetare.

Demagogët e kanë përdorur gjithmonë frikën për të intimiduar vartësit ose armiqtë dhe për të manipuluar liderat e fiseve. Frika është një mjet shumë i fortë dhe mund të zbehë logjikën e njeriut si dhe mund të ndryshojë sjelljen e tij.

Unë jam psikiatër dhe neuro-shkencëtar dhe kam disa mendime të bazuara në fakte që provojnë se si frika është përdorur në politikë.

Frika u mësua nga fiset

Si çdo kafshë tjetër edhe njerëzit e mësuan frikën nga eksperienca, si për shembull: kur sulmohesh. Gjithashtu mësojmë për frikën duke observuar: kur dikush tjetër sulmohet. Gjithashtu edhe nëpërmjet instruksioneve: kur na thuhet që një sulmues është afër.

Duke mësuar nga të njëjtat specie (grupit të të cilave iu përkasim), kemi pasur një avantazh evolimi i cili na ka ndaluar që të ripërsërisim eksperienca të rrezikshme të cilat i kanë bërë humanët e tjerë. Ne kemi tendencën që ti besojmë shokëve të grupit dhe autoriteteve sidomos kur bëhet fjalë për rrezikun. Është e adoptueshme: Prindërit dhe më të vjetrit na kanë thënë që të mos hamë një bimë të caktuar ose të mos shkojmë në një zonë pyllore të caktuar sepse do të dëmtohemi. Duke iu besuar atyre ne nuk mund të vdesim si stër – stërgjyshi i cili e hëngri atë bimë. Në këtë mëënyrë ne grumbullojmë njohuri.

Tribalizmi ka qenë thelbësor në historinë njerëzore. Ka pasur gjithmonë konkurrencë midis grupeve njerëzore në mënyra të ndryshme dhe me fytyra të ndryshme nga luftërat brutale nacionaliste deri te besnikëria për një skuadër futbolli. Provat nga neuro-shkenca kulturore tregojnë se truri jonë përgjigjet në mënyrë të ndryshme në nivelin e pandërgjegjshmërisë, thjesht duke parë fytyra nga rraca apo kultura të tjera.

Në nivelin e fiseve (tribeve) njerëzit janë më shumë emocionalë dhe rrjedhimisht më pak logjikë: Fansat e të dy skuadrave luten që skuadra e tyre të fitojë, duke shpresuar që Zoti të mbajë një anë gjatë lojës. Nga ana tjetër ne ulemi në nivelin e tribalizmit kur ndjejmë frikë. Ky është një avantazh i evolucionit i cili krijon unifikimin e grupit duke e ndihmuar grupin që të luftojë grupin tjetër dhe të mbijetojë.

Tribalizmi është përdorur nga politikanët për një kohë të gjatë: ata kanë përdorur frikat tona dhe instiktet e tribalizmit. Disa shembuj janë: Nazizmi, Ku Klux Klan, luftërat fetare dhe Periudha e Errët. Modeli tipik është ti japësh njerëzve të tjerë përcaktime të ndryshme nga joti dhe të thuash se ata do të na dëmtojnë ne ose burime tona dhe ta kthesh grupin tjetër në një koncept. Nuk është e domosdoshme që të jetë e lidhur me rracën apo nacionalitetin, që janë shpesh të përdorshme. Mund të jenë ndyshime reale ose imagjinare: liberalët, konservativët, Lindja e Mesme, njerëzit e bardhë, të majtët, të djathtët, myslimanët, kristianët, hebrenjtë. Lista është e gjatë.

Kur ndërtohen kufij midis grupeve duke përcaktuar “ata” dhe “ne”, disa politikanë kanë krijuar grupe virtuale njerëzish të cilët nuk komunikojnë me njëri – tjetrin dhe e urrejnë njëri – tjetrin pa u njohur: ky është instikti kafshëror i njeriut i aktivizuar.

Frika është e painformuar

Gjatë vitit të parë në Shtetet e Bashkuara një natë hyra në një parkim publik. Njerëzit ishin duke dalë nga një ndërtesë dhe ishin të veshur me rroba ortodokso-hebreje: ishte një tempull. Në një sekondë vura re një ndjenjë të çuditshme, por familjare; frikën.

U përpoqa që të kuptoja burimin e kësaj frike dhe ishte kjo: Në qytetin tim të lindjes ishin pothuajse të gjithë muslimanë dhe kurrë nuk kisha takuar një grup hebrejsh. Një ditë, kur isha i vogël, dhe ishim duke vizituar një fshat, një zonjë e vjetër ishte duke më treguar një histori se si hebrenjtë-ortodoksë grabisnin fëmijët e myslimanëve dhe iu pinin gjakun.

Duke qenë si vij nga një familje e edukuar mirë e cila i respekton të gjitha besimet fetare, duke qenë një doktor  i edukuar dhe duke pasur shumë shokë hebrenj, u ndjeva i turpëruar që fëmija brenda meje e kishte marrë atë histori të rreme seriozisht, vetëm sepse ai fëmijë nuk kishte takuar kurrë një hebre.

Kjo tendencë njerëzore është si ushqimi për politikanët të cilët duan të përdorin frikën: Nëse je rritur në një vend me njerëz të ngjashëm si ty, nëse ke ndjekur vetëm 1 media dhe nëse ke dëgjuar nga xhaxhai i vjetër se ata që duken ose mendojnë ndryshe nga ty janë të rrezikshëm; frika dhe urrejtja e trashëguar kundrejt njerëzve që nuk i ke parë kurrë është një rezultat i kuptueshëm.

Politikanët për të na fituar, ndonjëherë me ndihmën e medias, bëjnë gjithçka që të na ndajnë, t’i mbajmë “të tjerët” imagjinarëv ose realë thjesht një “koncept”.

Për shkak se ne shpenzojmë kohë me të tjerët, flasim me ta dhe hamë me ta, ne mësojmë se ata janë si ne: njerëz me fuqi dhe dobësi që i kemi të gjithë. Disa janë të fortë, disa janë të dobët, disa janë të këndshëm, disa janë budallenj, disa janë të mirë dhe disa nuk janë të mirë.

Frika është irracionale

Disa njerëz kanë fobi nga merimangat, disa nga gjarpërinjtë dhe disa të tjerë nga qentë ose nga macet
Burimi: The Conversation

Shumë herë fobitë e prindërve të mi fillojnë kështu: “E di që është budallaqe por i kam frikë merimangat”. Mund të jenë qentë apo macet, apo diçka tjetër. Dhe unë gjithmonë iu përgjigjem: Nuk është budallaqe, është irracionale. Njerëzve iu funksionon truri në mënyra të ndryshme dhe ndonjëherë frika e tejkalon logjikën. Ka disa arsye. Njëra është që logjika është e ngadaltë dhe frika është e shpejtë. Në situatat me rrezik duhet të jemi të shpejtë. Si fillim vrapo ose vrit dhe pastaj mendo.

Politikanët dhe media shpesh herë e përdorin frikën tonë për të na përdorur logjikën. Unë them gjithmonë që mediat në Shtetet e Bashkuara janë pornografë të tmerrshëm: ato luajnë shumë me emocionet e audiencës. Si llojet e “reality show” politike që surprizojnë këto jashtë Shteteve të Bashkuara.

Kur një person vret disa të tjerë në një qytet me miliona banorë, gjë që është një tragjedi, mediat kryesore e mbulojnë në mënyrë të tillë që japing perceptimin sikur i gjithë qyteti është nën rrethim ose në rrezik. Nëse një emigrant illegal vret një qytetar amerikan disa politikanë përdorin frikën me shpresën se pak do të pyesin: “Kjo është e tmerrshme, por sa njerëz të tjerë janë vrarë sot nga qytetarët amerikanë”? Ose: “Di disa vrasje që kanë ndodhur çdo javë në këtë qytet, por pse jam i trembur nga kjo e sotmja që pashë në media”?

Ne nuk i bëjmë këto pyetje sepse frika e tejkalon logjikën.

Frika mund të kthehet në dhunë

Një raport mbi vandalizmin citoi se qëndrime anti-semitiste në rritje në zgjedhjet e vitit 2016

 

Ka një arsye pse përgjigjja ndaj frikës quhet “lufto ose fluturo”. Kjo përgjigje na ka ndihmuar që t’iu mbijetojmë sulmuesve ose fiseve të tjera që kanë dashur të na vrasin. Por ka diçka në biologjinë tonë që mund të përdoret nga të tjerët duke abuzuar. Duke na trembur, demagogët e kthejnë agresionin tonë kundër “të tjerëve”, në formën e vandalizimit të tempujve të tyre ose duke i ngacmuar ata në median sociale.

Me demagogët që kontrollojnë  frikën tonë, ne shpeshherë kalojmë në regres dhe në sjellje tribale ose kafshërore, duke u kthyer në armë të vetvetes – armë të cilën politikanët e përdorin për axhendën e tyre.

Burimi: The Conversation

Përktheu dhe përshtati: Citizens Channel / FS

 

 

 

 

 

 

 

Foto Reportazh: Rrënojat e Kombinatit Metalurgjik si dëshmi e dështimit të dy sistemeve

Kombinati metalurgjik i Elbasanit u ndërtua në periudhën kur Shqipëria Komuniste kishte marrëdhënie të mira me shtetin e Kinës. Kinezët kontribuuan në ndërtimin e këtij kombinati në të cilin kanë pas qenë të punësuar rreth 12.000 punëtorë.

Ky kombinat ka qenë “investimi” më i rëndësishëm gjatë periudhës së regjimit diktatorial, por më pas ka sjellë dhe shumë pasoja në jetën e qytetarëve të Elbasanit. Ai u quajt “Çeliku i partisë”, dhe në të kanë humbur jetën shumë punëtorë për shkak të kushteve të vështira të punës dhe sëmundjeve profesionale,  gjithashtu i ka shkaktuar edhe dëme mjedisore, si ndotja e ajrit, qytetit të Elbasanit.

Shenjat e para të kolapsit të Kombinatit Metalurgjik erdhën që në kohën kur regjimi Komunist prishi marrëdhëniet me Kinën, duke vazhduar edhe gjatë periudhës së demokracisë për shkak të keq menaxhimit të qeverive dhe copëtimit të administrimit të tij ndër shumë subjekte private.

Sot, hapësira në të cilën ndodhet metalurgjiku i Elbasanit, të ofron këtë pamje: një pafundësi ndërtesash të zymta dhe të errëta që krijojnë një impakt aq të fuqishëm saqë gati-gati harron që aty vazhdohet të punohet…

Në kontrast me ndërtesat është gjelbërimi i cili hera-herës gërshetohet me këto godina, por edhe gjelbërimi në këtë zonë është i pa kuruar dhe duket se vjen si pasojë e braktisjes.

Metalurgjiku qëndron sot si një simbol i të shkuarës komuniste, si një kujtesë e krenarisë së panevojshme të atij sistemi dhe si një ëndërr që nuk u realizua kurrë për shqiptarët.

“Bashkëjetesa e së vjetrës me të renë” oxhaqe të ndërtuara gjatë viteve 70 qëndrojnë mbi një pjesë të ri-ndërtuar pas privatizimit
Ndërtesa të rrënuara në hapësirën e Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit
Kishë e vjetër që gjatë kohës së komunizmit u kthye në godinë të metalurgjikut
Pirgje metalesh dhe lëndësh të tjera që përpunohen nga fabrikat
Procesi i përpunimit
Treni i mallrave që kalon mes Kombinatit Metalurgjik
Një tabelë ku shkruhet “Ndalohet hedhja e mbeturinave. Shkelësit gjobiten”, qëndron pas një hapësire të mbuluar nga mbetjet
Ndërtesa të rrënuara në hapësirën e Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit
Ndërtesa të rrënuara në hapësirën e Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit
Oxhak i vjetër i ndërtuar në hapësirën e Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit
Ndërtesa të rrënuara qëndrojnë mes gjelbërimit të krijuar nga braktisja

 

*Citizens Channel /Fjoralba Sinoruka

Foto Reportazh: Sazani, misteret e ishullit të ushtarakëve

Shumë pranë Vlorës, në ujërat e kaltra të detit Jon, ndodhet ishulli i Sazanit, ishulli i vetëm i banuar i Shqipërisë dhe njëkohësisht më misteriozi. Popullsia e tij, ashtu si edhe në kohën e regjimit komunist, vazhdon të mbeten ushtarët. E ndërkohë që dikur ishte një nga zonat ushtarake më misterioze të vendit tonë, sot është shndërruar në një atraksion turistik.

Ajo që shihet sapo i afrohesh ishullit janë ndërtesat e larta që shërbenin si banesa të ushtarëve që ishin me shërbim, por nuk mungojnë as baret, kinematë, teatrot, shkolla, spitalet dhe maternitetet. Edhe pse turistët mund ta vizitojnë, ky ishull sërisht ruan sekrete dhe mistere të shumta, të cilat as ish- ushtarakët që kanë shërbyer nuk pranojnë t’i zbulojnë dhe e vetmja gjë të të thonë është “Ajo që ekziston mbi tokën e Sazanit, ekziston edhe poshtë saj”.

Foto: Denis Tahiri
Ishulli i Sazanit i parë dhe i fotografuar nga varka
Ndërtesat që kanë shërbyer si banesa për stafin ushtarak dhe familjet e tyre
Baza ushtarake e cila është ende aktive në këtë ishull
Turistë të huaj dhe shqiptarë duke vizituar shkollën 8- vjeçare të Sazanit
Banesë e degraduar nga koha dhe mosmirëmbajtja
Kompleksi i banesave ushtarake të fshehura mes bimësisë
Teatri dhe kinemaja ku shfaqeshin filma dhe pjesë teatrale 2 herë në javë, falas për ushtarakaët, familjet e tyre dhe administratën civile të ishullit
Bunker nëntokësor pjesë e një rrjeti tunelesh në ishull
Pjesë e plazhit të Sazanit, ku turistët mund të notojnë
Flamuri shqiptar në bazën ushtarake në ishull, e cila përdoret për patrullime detare

*Citizens Channel / Denis Tahiri

Reportazh / Vërri, banorët të vendosur kundër ndërtimit të inceneratorit

Venddepozitimi i mbetjeve në zonën Sheq të Fierit e ka tejkaluar prej vitesh kapacitetin e saj, por edhe pse konsiderohet i mbyllur nga Bashkia e Fierit sërish aty hidhen mbetje urbane. Duke parë situatën e vështirë me menaxhimin e mbetjeve, bashkia ka kërkuar një vend të ri për grumbullimin e mbetjeve.

Nevojën e një venddepozitimi të ri për mbetjet e Fierit e shprehin së pari banorët që jetojnë dhe përballen çdo ditë me erën e keqe të tyre.

“Aroma e plehrave ndihet më shumë në verë”, ankohet Qamil Faslliu, një prej romëve të shumtë që punon tek fusha e plehrave. “Kjo aromë ndihet deri në Vajkan. Po s’kemi ku të shkojmë. Edhe banorëve të Sheqit aroma e keqe u është bërë mik shtëpie”, thotë me ironi 56 vjeçari.

Edhe Halime Berisha, një banore e zonës rreth të 60 -ve, kur e pyet se sa e shqetësojnë aromat e pakëndshme të plehrave të thotë duke qeshur: “Ç’e pyet?! Mbyllim dritaret, në verë nuk rrihet fare. Tani është më ndryshe, se kur i digjnin, detyroheshim të iknim me ditë nga shtëpia.”

Emergjenca mjedisore

“Në korrik 2015 Kryetari i Bashkisë i paraqiti Këshillit Bashkiak kërkesën për zhvendosjen e venddepozitimit ekzistues të mbetjeve dhe financimin e një venddepozitimi të ri për menaxhimin e tyre. Arsyeja ishte se venddepozitimi aktual është i tejmbushur dhe jashtë çdo kushti teknik dhe mjedisor”, thotë Aketa Lugaj, anëtare e Këshillit Bashkiak.

Në tetor 2015 u shpall emergjenca mjedisore dhe project-plani vendor për depozitimin dhe menaxhimin e mbetjeve fillimisht përzgjodhi fshatin Mbyet e më pas në shkurt 2016 ky vend u ndryshua sërish për të caktuar fshatin Plyk në njësinë administrative Portëz.

“Pas protestave të banorëve të Portëzës për ndërtimin e impiantit me diegie në zonen e tyre, bashkia tërhiqet nga vendimi dhe propozon njëvenddepozitim tjetër, – vazhdon të tregojë Lugaj, – në Mbrostar dhe më pas në Kallm e në Vërri.”

Pasi vendimi u bë publik në media pati reagim të fortë nga banorët e Vërrisë kundër ndërtimit të inceneratorit në fshatin e tyre. Protestat e zgjatura bënë të mundur që bashkia dhe qeveria të terhiqen, ashtu si edhe mjetet e rënda të kompanisë që do të nisnin ndërtimin e impiantit.

Në prag të zgjedhjeve 2017 Rama u premtoi banorëve se nuk do të ndërtohej impianti pa marrë miratimin e tyre.  Ky është edhe kusht kryesor per ngritjen e impianteve të tilla të rrezikshme për shëndetin dhe jetën: – duhet të bien dakord banorët e zonës.

Po përtej gjithë polemikave dhe dëgjesash boshe publike, në një kohë kur çdo gjë është vendosur tashmë, kundër qëndrojnë banorët e një fshati të tërë, të cilët vuajnë edhe sot e kësaj dite një mungesë të theksuar investimesh në infrastrukturë dhe papunësinë e tejskajshme.

Verri

Çfarë ndodh në Vërri?

Na u desh të shkonim dhe të shihnin se ç’bëhej në të vërtetë dhe si e kishin pritur lajmin që inceneratori do të ndërtohej në fshatin e tyre. Pyetëm se ku ndodhej vendi i caktuar për ndërtimin e tij dhe na thanë se është diku në të dalë të fshatit.

Ecëm një copë rrugë në këmbë dhe aty duket sikur mbin nga dheu një djalë me motor, i cili na ndihmon për të shkuar atje.

Rrugës ai na tregon fusha të tëra të mbjella me presh, me grurë e toka të tjera që prisnin të mbilleshin me misër, me shalqinj e pjepër. “Ja shiko të gjitha këto fusha do të mbeten të djerra kur të ndërtohet landfilli. Pastaj ai tregon historinë e të vëllait që kishte pësuar një aksident dhe kishte ndenjuar disa muaj në koma. “ Në Napoli, – më ka thënë vëllai, – sa punonte inceneratori nuk shikohej dielli dhe as nuk mbusheshin dot njerëzit me frymë.”

E njëjta gjë do të ndodhë edhe këtu me ne. Me keqardhje djali me motor në fund na thotë: “Këtu pastaj do të bëhen vetëm lule dhe lulet janë ose për dasma ose për vdekje, pra supozohet që edhe ne do të vdesim nga helmet e lëshuara nga landfilli.  Ai mund të ndërtohej në një tokë të izoluar dhe të djerrë, jo këtu, jo në Myzeqe. Dihet nga të gjithë që Myzeqeja është hambari i Shqipërisë.”

Por pse u zgjodh Verria? “E përzgjodhën Verrinë se kjo tokë është shtetërore dhe duan që paratë me të cilat supozohet që të blihej toka duan t’i fusin në xhepa.”

Në fund pasi arrijmë tek vendi ku ishin mbledhur edhe shumë banorë të tjerë të fshatit, ai pranon të identifikohet dhe thotë se nuk ka frikë të thotë emrin, ai quhej Klodi Golemi.

Një djalosh rreth të 30 -ve, i cili mban në dorë ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, afrohet dhe tregon nenet dhe të drejtat e shkelura. Sipas tij janë shkelur e drejta e aprovimit të komunitetit për ndërtimin e veprave që përbëjnë rrezikshmëri të lartë publike, largësia e caktuar me ligj e cila nga minimumi në 1500 metra është reduktuar në 700.

“Në të njëjtën kohë ndikimi në mjedis është shumë negativ ai do të helmojë ujrat nëntoksore, kafshët e bimët pa llogaritur pasojat në shëndetin e njerëzve. Një tjetër shkelje është edhe përzgjedhja e ndërtimit të inceneratorit në një tokë të kategorisë së parë, kur në ligj thuhet se vepra të tilla ndërtohen në toka të kategorisë së pestë”, na thotë djali që kish frikë të identifikohej.

Për të marrë edhe një këndvështrim ndryshe pyesim një polic i cili nuk pranon të prononcohet duke thënë se ka të tjerë mbi të që duhet të shprehen dhe jo ai.

Artur Selimi, shef i policisë në komisariatin e Fierit në një përballje me disa prej protestuesve thotë: “Unë jam këtu për të zbatuar ligjin.”Pasi nxjerr disa letra të kapura me një kapse metalike vazhdon: “Ja kjo është leja e firmosur nga Kryeministri i Shqipërisë. Shkoni ankohuni në gjykatë nëse mendoni se iu është bërë një padrejtësi.”

E kemi bërë, – thonë njëzëri disa prej protestuesve. “E keni bërë po atëherë nuk kishte asnjë leje për fillimin e punimeve dhe ankesa juaj nuk ka asnjë vlerë juridike, – replikon shefi i policisë me banorët e irrituar, – duhet të ankoheni tani që ka një leje të vulosur dhe të firmosur.”

Banorët përplasen me policinë. Foto: Gëzim Hoxha
Banorët përplasen me policinë. Foto: Gëzim Hoxha

Në protestë kishte edhe gra. Më trimëresha ndër to ishte Lena Tashi. Ajo debatoi pa iu dridhur qerpiku me shefin e policisë. Ajo pranon të flasë dhe si fillim na thotë se nuk ka frikë të identifikohet pasi është në të drejtën e saj.

Lena ankohet se kryetari i kish pritur, iu kish premtuar dhe i kish gënjyer. “Na priti 12 veta nga fshati dhe na gënjeu. I hoqi makinat vetëm sa të hanim rehat Vitin e Ri dhe më pas i kthye prap. Edhe Adelina na gënjeu: “Rrini të qetë edhe sikur të doni nuk do të ndërtojmë këtu landfillin.” Ajo e ka fjalën për deputeten e zonës zj, Adelina Ristën.

“Le të vijë vetë Edi këtu tek e të na thotë se ku e ka premtimin e dhënë, apo pritën sa na i morën votat dhe na gënjyen. Po ne këtu do të rrimë natë e ditë, le të na shtypin me rula e me makina dhe nuk do lëvizim. Le të vdesim, të paktën do të shpëtojmë fëmijët tanë”, – shprehet mjaft e irrituar Lena.

Banorë të tjerë na afrohen, duan të flasin e të tregojnë të vërtetat e tyre. “Kemi nënshkruar një peticion me 2500 firma për të mos u ndërtuar landfilli në fshatin tonë po askush nuk na ka dëgjuar. Unë jam i papunë, ushqehem vetëm me një lopë por nuk e dua landfillin edhe pse mund të hapi vende pune, nuk dua të helmohem”, thotë Vladimir Bita për Citizens Channel.

Pastaj ai tregon për ata të bashkisë që vijnë shpesh në fshat për t’i joshur se do hapen vende pune apo edhe për civilët nga policia që vinin për t’i frikësuar. Vladimiri duket tejet i stresuar dhe kërcënon se po u ndërtua landfilli do t’i vënë flakën fshatit dhe do të ikin prej tij.

Një tjetër banor na u afrua i revoltuar. “Unë jam krimineli më i madh i fshatit. Shkruaje këtë që po të them”, lutet Dhimitraq Jani. Por teksa ai largohet dhe i bashkohet turmës afrohet një burrë i cili shpjegon dhe arsyen e kësaj shakaje. “Ai thotë kështu se e proceduan penalisht dhe e futën brenda vetëm e vetëm se protestoi para bashkisë.” Të tjerë e konfirmojnë këtë gjë duke na treguar se kanë proceduar penalisht shumë prej protestuesve.

I lamë banorët duke protestuar dhe duke u përleshur me forcat e policisë, të cilat mundohen të hapin rrugën e zënë nga një turmë prej rreth 100 banorësh, për t’i mundësuar makinerive fillimin e punës. Nga larg dëgjoheshin thirrjet e tumës: “Jo plehrat në Vërri!” dhe “Turp, turp!”, por edhe një thirrje edhe më e fortë se këto të dyja: “Hajde na vrisni po të doni!”.

Pro dhe kundta ndërtimit të inceneratorit

Në një dëgjesë publike të organizuar të enjten e kaluar nga një OJF “Open Doors” koordinatorja e Forumit Qytetar të Fierit Lindita Hoxha, u shpreh se “impianti i përpunimit të mbetjeve i duhet shumë qytetit, pasi era e fortë e tyre kur ato i digjnin gjatë verës e sidomos gjatë natës nuk durohet”.

Ajo tha gjithashtu se landfilli duhet të ndërtohet në një tokë e cila është e izoluar dhe e degraduar dhe që nuk mund të prodhojë më asnjë produkt bujqësor si dhe sa më larg qëndrave të banimit. Sipas Hoxhës ky impiant duhet të jetë i një teknologjie moderne dhe duhet të plotësojë të gjitha parametrat bashkëkohor.

Pro këtij projekti është edhe Agim Hajdari, eksperti i mjedisit, i cili ka kryer një studim të mirëfillët për këtë impiant mjedisor. Ai shprehet qartë se landfillli është i pashmangshëm pasi Fieri e ka mëse të nevojshme një të tillë. Por ai shkon edhe më tej kur thotë: “Unë jam për ndërtimin e një incineratori, sepse projekti që kam pare i përmbush të gjitha parametrat bashkëkohorë. Të thuash se nuk na duhet një impiant përpunimi plehrash është njësoj sikur të thuash se nuk na duhet një makinë për të udhëtuar. Koha e kërkon pasjen e një makine si mjet transporti, ashtu siç është bërë e domosdoshme për Fierin pasja e një incineratori, nëse keni dyshime për rrezikun që mund të shkaktoj ai, atëherë zgjidhni teknologjinë më të mirë. Edhe njerëzit zgjedhin makinën më të mirë si mjet transporti për veten e tyre, është e njëjta gjë edhe me incineratorin.”

“Qëndrimi i opozitës në Këshillin Bshkiak ka qenë kundër inceneratorit”, – thotë anëtarja e Këshillit Bashkiak Alketa Lugaj kur pyetet se çfarë e ndan pozitën nga opozita përsa i përket vendimmarrjes. “Të gjitha informacionet e specialistëve dëshmojnë për rrezikun që paraqesin gazrat që çlirohen nga djegia e mbetjeve. Shumë vende të zhvilluara të Evropës i kanë nxjerrë nga perdorimi inceneratorët”, vazhdon ajo.

“Si ka mundësi që firma fituese u shpall 15 ditë para zhvillimit të tenderit?” – pyet Emiljano Mone, një tjetër anëtar i Këshillit Bashkiak. “Nuk mund të lidhet një kontratë mes një firme ndërtimi dhe qeverisë pa pjesëmarrjen e bashkisë. Ose dhe më keq akoma si mund të fillojnë punimet pa pasur një leje ndërtimi dhe një vlerësim mjedisor”, vazhdon më tej ai.

Mone përmend edhe mungesën e transparencës nga ana e bashkisë në marrjen e vendimit për përzgjedhjen e një vendi tjetër për depozitimin e plehrave pa marrë më parë aprovimin e banorëve.

Përfaqësuesja e shtypit pranë bashkisë Fier, Irma Hoxha na thotë se “nuk mund të fajësohet bashkia për mosdhënie informacioni pasi ajo nuk e ka një të tillë. Lidhur me vendimin për vendin se ku do të depozitohen mbetjet e bashkisë Fier, bashkisë i erdhën 6 vende të quajtura si të përshtatshme nga ekspertët e mjedisit dhe prej tyre u përzgjodh fshati Vërri në qendrën admistrative Mbrostar. Bashkia Fier nuk ka asnjë informacion në lidhje me projektin, pasi kontratën e ndjek Ministria e Mjedisit. E gjithë kontrata dhe vazhdimi i çdo veprimi ndiqet nga Ministria e Mjedisit dhe këtu nuk ka asnjë lloj informacioni”, e mbyll prononcimin e saj Hoxha.

“Ne vendosëm pasi dëgjuam specialistët për studimin e mundësisë së realizimit për zonat e propozuara. Tre prej tyre u skualifikuan nga vetë ata dhe zgjodhëm zonën e Verrisë si më e përshtatshmja. Ne nuk votuam duke marrë parasysh mendimin e banorëve pasi, jam e bindur që asnjë prej komuniteteve nuk do pranonte që impianti të ndërtohej tek fshati i tyre. Problem është edhe politizimi i kësaj çështjeje nga opozita”, thotë Evis Sema, kryetarja e Këshillit Bashkiak.

 “Të gjithë e duam landfilldin, – thotë Lindita kur e pyet për rreziqet e këtij impianti, – po puna është se ku venë mbetjet e mbetjeve?”

Ajo shtron edhe problemin e ndotjes së ajrit nga djegia e mbetjeve si në rastin e incineratorit të Elbasanit. “Më tej, – vazhdon ajo, – zona e Verrisë është tokë ujëmbajtëse. Unë e njoh mirë atë zonë dhe e di se aty ka shtresa uji në një thellësi prej vetëm 6 metrash. Kush të siguron se nuk sjellin një teknologji të përdorur apo të vjetëruar.”

“Inceneratori është një praktikë e përdorur gjerësisht në Evropë. Për më tej prej djegies së mbetjeve mund të prodhohet edhe energji elektrike. Landfilli ku do të depozitohen mbetjet të cilat nuk mund të digjen ka 5 shtresa që e minimizojnë deri në maksimum mundësinë e rrjedhjes së lëngjeve të ndryshme të mbetjeve të dekompozuara. Edhe ndotja e ajrit është parashikuar të parandalohet nga vendosja e filtrave të fuqishëm që përthithin gazrat e emetuar nga procesi i djegies deri në masën 98%”, thotë eksperti i mjedisit Agim Hajdari.

Ana ekonomike e projektit u mbrojt nga Greta Grëmi, e cila kishte kryer një studim të hollësishëm për leverdinë ekonomike të impiantit të mbetjeve. Sipas saj nga ana ekonomike incineratori është tejet fitimprurës. Ajo thotë se në këtë impiant do të përpunohen 180 ton mbetje në ditë ose 70.000 ton në vit. “Parashikohet që të hapen 114 vende pune ku do punësohen banorë të zonës dhe në perspektivë ky numër edhe mund të rritet në varësi të sasisë së plehrave të përpunuara”, informoi Grëmi.

“Periudha e shfrytëzimit të impiantit, – shton Greta, – është për një periudhë 6 vjeçare, prej së cilës 2 vjet i përkasin ndërtimit të tij. Më pas pronësia e tij do t’i kalojë bashkisë. Të ardhurat e këtij aktiviteti do të gjenerohen nga shitja e energjisë elektrike që do të prodhohet nga incineratori dhe shitja e skrapit. Ndërsa bashkia do të vjelë taksat nga aktiviteti që do të ushtrojëfirma në fjalë.”

Autor: Gëzim Hoxha, Fier

Pelegrinazhi në malin e Tomorrit, mijra pelegrinë luten për mbarësi

Mali i Tomorrit është destinacioni përfundimtar i mijëra pelegrinëve nga e gjithë Shqipëria, por dhe nga jashtë kufirit për ritin e përvitshëm drejt vendit të shenjtë, Kulmakut. Rrugëtimt të tyre iu bashkua edhe Citizens Channel.

Mali i Tomorrit është destinacioni përfundimtar i mijëra pelegrinëve nga e gjithë Shqipëria, por dhe nga jashtë kufirit për ritin e përvitshëm drejt vendit të shenjtë, Kulmakut. Rrugëtimt të tyre iu bashkua edhe Citizens Channel.

Pasi lamë në të majtë Poliçanin, nisëm ngjitjen drejt malit të shënjtë të Tomorrit. Lartësia 2416 metra. Para se të niseshim na këshilluan të merrnim një mjet që sfidon rrugët malore sepse rruga është paasfaltuar dhe e vështirë.

Pak nga pak vreshtat dhe pemët fillojnë e rrallohen. Një orë më vonë ndodhemi mes pllajave të zhveshura të Tomorrit.

Kompani të ndryshme dhe njerëz me ‘fije të lidhura mirë’ prej vitesh po gërryejnë prej malit të shenjtë tonelata të tëra me pllaka mermeri që më pas zbriten për tu tregëtuar. Gjithandej gjurmë gërmimesh, pllakash të lëna pranë gropave pa bimësi dhe pluhur i shkaktuar nga vargje makinash që po ngjiten për të qenë pjesë e pelegrinazhit pesë ditor, nga 20 deri më 25 gusht.

Ndalesa e parë ndodh pa kryer as gjysmën e udhëtimit, në të djathtë në fshatin Dhorjes ndodhet objekti i parë ku pelegrinët ndalojnë. Në tyrbe lexojmë një tabelë udhëzuese ‘Gjurma e Abaz Aliut’, dhe ajo që dallohet është forma e ngjashme me gjurmet e patkoit të një kali të lëna në dërrasën e Kajcës.

E gjithë kjo është rrethuar në formën e një turbeje në të cilën ndodhet në hyrje tabela “PA ATDHE NUK KA FE”. Besimtarët bektashinj pasi hyjnë në objekt, kryejnë ritin duke hedhur hapa në formë rrethore dhe pasi hedhin lekë në dërrasën ku shihen gjurmët ata duhet të dalin duke ecur mbrapsht.

Ajo që shikohet teksa del janë jo vetëm banorët e zonës që shesin rigon, çaj dhe lajthi skrapari, por edhe një lokal i improvizuar me plasmasë si dhe gropat e mbetura nga gërmimet për pllaka mermeri.

Një polic përpiqet të orientojë trafikun e rënduar, për shkak të një plani masash të përpiluar nga policia e Beratit ashtu sikurse në çdo gusht. Lart duket e largët dhe sfiduese edhe maja e Tomorrit.

Pas një udhëtimi që zgjat dhe një orë tjetër shfaqen dhjetra çadra të vendosura në pllaja. Rregulli e do që për të ndjekur ritin duhet të flesh një natë në malin e shenjtë. Për këtë qindra persona me të afërmit e tyre ose kanë ngritur çadrat e tyre, ose më së shumti kanë marrë çadra që jepen me qira. Ato kushtojnë nga 20 deri në 30 mijë lekë të vjetra.

Kampi

Por ne vazhdojmë udhëtimin tone. Duhet të kapim majën e Tomorrit pasi siç shprehet, Deliu shoqëruesi ynë, duhet të mbërrijmë në Majën e Tomorrit. Aty është Turbja e Abaz Aliut, e shpallur monument kulture që prej viti 2008. Për nder të tij është ngritur edhe një statujë bronzi, ku Abaz Aliu mbi një kalë me shikim andej nga lind dielli mban në krahë dy fëmijë.

Rruga që të çon drejt tyrbes është e shtruar me pllaka mermeri. Të paktën mermeri i Tomorrit është përdorur edhe këtu.

Banorët e fshatrave përreth kanë mbyllur në vathë të krijuara enkas, dhjetra qengja. Ata më pas do të blihen e do të bëhen kurban. Por përpara këtij riti duhet të hyjmë në turbe.

Klajdi nga Skrapari, 14 vjeç, na kujton se duhet të blejmë qirinj. Një pako kushton 2 mijë lekë të vjetra. Ai bashkë me familjarët e tjerë vijnë çdo vit, secili prej tyre bën një punë për të fituar të ardhura me të cilat më pas jetojnë. Klajdi

“Kam filluar të shes 10 vjeç qirinj – thotë Klajdi – kushdo që vjen këtu i blen me pako.”

Luten jo vetëm për vete, por edhe për të afërm apo njerëz të dashur. Për punën dhe mbarëvajtjen në jetë. Besimtarët e sektit bektashian marrin me vete në shtëpitë e tyre qirinjtë e shkrirë dhe dheun që ndodhet në vendin ku prehen klerikët bektashianë, pasi kjo sjell për ta mbarësi përgjatë gjithë vitit kalendarik.

Edhe në shkallët e tyrbes lypesit të kujtojnë se duhet të falësh dicka në shenjë mirësie njerëzore, ashtu sikurse duhet të veprohet më vonë edhe për ndarjen e mishit të qengjit që do të bëhet kurban.

Pelegrinët që kanë fjetur në mal gjatë natës vijnë për të kryer ritin sapo lind dielli. Ata ecin në formë rrethore dhe më tej ndezin qirinj. Pelegrinazhi nuk ka mbaruar ende.

Pelegrinët zbresin në Teqenë e Kulmakut, rreth saj dhe në kodrat përreth janë ngritur dhjetra çadra. Gjithçka është në shërbim të pelegrinëve, por me kushtin që të kesh lekë me vete. Duket si një tregti.

Edhe këtu banorët kanë futur dhjetra qengja në vathë, mesatarisht një i tillë kushton 90 mijë deri në 120 mijë lekë të vjetra.

Arturi nga Gramshi, si disa të tjerë, shet thasë. Një mijë lekë të vjetra copa. Thesi duhet marrë me vete, për tek vendi i thertores, pasi në të do të futet qengji i therur.

Më shumë se 10-të burra të veshur si kasapë dhe që paguhen si të punësuar, therin më shumë se 2 mijë qengja në ditë. Si pjesë e ritit është edhe fakti që qengji duhet të jetë mashkull, ideale do ishte ngjyra e zezë.

“Eja afrohu!” bërtet kasapi kur ther qengjin, dhe secilit nga pelegrinët e kurbanit në fjalë i lyen ballin me një pikë gjak. Kjo shenjë duhet mbajtur gjithë ditën. Është shenja e sakrificës. Personi që të pret faturën kërkon 5 mijë lekë të vjetra për therjen, pastaj ai të orienton tek bashkëfshatarët e tij për ta pjekur.

Pjekia e qingjave

Poshtë rrugës kryesore, brazda pa fund janë krijuar nga banorët e zonës për të hapur vendet e pjekjes. Ata kërkojnë 20 mijë lekë të vjetra për këtë shërbim ndërsa kanë punësuar të afërm por edhe fëmijë romë që paguhen për këtë proces. Dy orë e gjysëm më vonë kurbani i pjekur është gati dhe prej tij një e treta duhet falur për njerëzit në nevojë.

Kjo ishte hera e parë për ne, por sipas besimtarëve bektashianë, për të pasur mbarësi në familje, çdo person duhet të vijë në malin e Tomorrit për 3 vite me radhë.

Autor: Artemisa Hoxha / Citizens Channel

Udhëtim në thesaret e fshehura të rivierës shqiptare

Nga Suada Daci*

Nuk e di për ju, por unë edhe këtë vit vendosa të qëndroja në Shqipëri për pushime e më saktë në Sarandë. Jo se kam ndonjë problem me vendet e tjera fqinje (madje vdes të vizitoj jugun e Italisë), por edhe këtë vit vendosa të jem besnike e “Jonit”.

Meqënëse jemi në epokën e pushimeve pa shumë para, bagazhe dhe mbi të gjitha pa avione (kjo vlen sidomos për ata që e kanë shpirtin e aventurës shumë “high”) bëra një udhëtim me anije, për të parë brigje të paeksploruara më parë.

Saranda e “vogël” ka një vijë bregdetare të mrekullueshme që duhet eksploruar patjetër. E ku ka më mirë se ta ndjesh aromën e detit mbi anije!? Këtë vit (dhe me shumë mundësi vitin tjetër do të jenë më shumë mjete të tilla lundruese), ishte shumë “in” ta shihje rivierën e bukur shqiptare brenda një dite, duke përshkruar një itinerar prej orës 10:00 deri në 18:00 pasdite.

Nisja ishte pikërisht nga qyteti i Sarandës për të ndaluar përreth 1 orë e 30 minuta në tre nga gjiret më të bukur të rivierës shqiptare: Kakome, Krorëz dhe në Plakotoi.  Të treja kishin një distancë shumë të shkurtër nga njëra-tjetra, por edhe pse mund të mendoni që ishin të ngjashme nuk ishin aspak të tilla.

Gjiri i Kakomesë, pjesë e komunës së Lukovës, është cilësuar një plazhet më ekzoktike të zonës.  Uji kristaltë dhe gjelbërimi i zonës ngjanin me plazhet ekzoktike, pikërisht ato që jemi mësuar të shohim shpesh në botë. Duke qenë se kjo zonë mund të vizitohej edhe me rrugë tokësore, ishte shumë e dukshme që edhe turistët ishin më të shumë në numër se sa në gjiret e tjera.

Saranda

Me një distancë prej më pak se 10 minutash mbërritëm në Krorëz. Edhe pse shumë afër Kakomesë natyra këtë herë na kishte rezervuar një plazh krejtësisht ndryshe. Rëra e bardhë dhe uji i jeshiltë ishin dy nga karakteristikat e Krorëzës të mrekullueshme.

Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Plakotoin një tjetër gji i mrekullueshëm, por edhe më i virgjër se dy vendet e mëparshme. Dhe kur themi i “virgjër” mendoni pak se si mund të ishte uji në këtë zonë.

“12 vjet larg Shqipërisë, por e vizitoj gjithnjë e madje marr edhe shoqet italiane me vete”

Është e çuditshme por e vërtetë… edhe pse mund të vizitosh vende të huaja është e pamundur mos të kthehesh në vendlindje. Ornela dhe Stela dy motrat nga Vlora edhe pse jetojne në Itali prej 12 vitesh na treguan se në Shqipëri i gjeje çdo verë.

“Përpara se të vinim në Shqipëri, ishim me pushime në Barcelonë. Padiskutim që ishte një mrekulli, por detin tonë se krahasojmë me asgjë”, thotë Ornela, 19 vjeç, e cila këtë vit ishte regjistruar në fakultetin e ekonomisë.

Motra e saj, Stela (studente në degën e farmacisë), na tregon se këtë vit morën me vete edhe mikeshat e tyre italiane, të cilat kishin dëgjuar të flitej shumë për Shqipërinë. “E kanë pëlqyer shumë Shqipërinë, sidomos bregdetin tonë. Nuk mund të them që kanë mbetur pak të habitura nga infrastruktura rrugore, si dhe kur na ikin ndonjëherë dritat”, thotë ajo duke qeshur.

Të punosh në ishull

Në Krorëz takuam Kriston, 18 vjeçarin që punonte në biznesin familjar të ngritur në plazhin më të bukur të këtij udhëtimi. Djaloshi jetonte në zonat përreth, por çdo verë ai dhe familja e tij punonin në këtë ishull, ku kishin ngritur një restorant modest. Ai pastronte peshqit teksa iu afruam për të na treguar më shumë rreth jetës në Krorëz.

Kristoja, Krorez

“Ne punojmë vetëm në verë. Këtu dritat ikin në orën 7 pasdite dhe nuk ka më jetë. Siç e shihni tani po pastroj peshqit, sepse peshku i egër është specialitet i restorantit tonë modest. Peshk dhe mish të pjekur në zgarë, këto janë dy nga gjërat që mund të gatuajmë për njerëzit e paktë që mund të vijnë në këtu.”

A do të rikthehesha përsëri?!

Patjetër që po. Mendoj se ky udhëtim ka qenë një nga gjërat më të bukura të kësaj vere. Në anije duhet thënë se kishte shumë të huaj (shumë më pak shqiptarë), të cilët i gëzoheshin gjërave të thjeshta pafund. Me rrobat e banjës me vete, një peshqir, libër, zhytje në ujë dhe pastaj disa rreze dielli, për mua janë pushimet ideale. Sepse gjërat e thjeshta por të bëra me shumë dashuri, janë gjithnjë më të bukurat.

Udhetim me anije

*Autorja është kryeredaktore e Blitz.al