Policia tenton të arrestojë aktivisten e Aleancës për Teatrin pas një statusi në Facebook

Menjëherë pasi Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) mbylli protestën e përditshme, policia tentoi të ndalonte aktivisten Adriana Kalaja, e cila ishte duke udhëtuar me automjetin e saj privat. Ngjarja vjen pas reagimit të Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, ku aktivistët e AMT etiketohen si “pisa pa nder dhe dinjitet” dhe “hajdutë”, pasi publikuan një video ku ngriheshin pyetje mbi disa ndihma që po transportoheshin në brendësi të Ministrisë.

Aktivistja Kalaja tregon në video momentin e ndalimit të saj nga policia. 

Unë u largova nga sheshi i teatrit për t’ju bashkuar familjes time dhe rrethohem nga dy makina, njëra makinë policie, ndërsa tjetra në kundërshtim të plotë me ligjin, nga një makinë private. Më thuhet që duam të komunikojmë. Hapa xhamin për të komunikuar pasi i thashe po flas me avokatin. Në moment që hapa pak xhamin, fusin dorën në xham në mënyrë të dhunshme dhe më tërhoqën zvarrë për të më futur në makinën e policisë për të më shoqëruar në komisariat në një kohë që i kërkova disa herë fletën e shoqërimit.”-shprehet ajo. 

Video: Aktivistja flet pas tentativës për arrestim

 

Aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit u mblodhën mbremjen e sotme në oborrin e Teatrit kombëtar për t’’ju përgjigjur deklaratës së Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.

Shkak për këtë është bërë një video e postuar më herët nga aktivistja Adriana Kalaja, ku pasqyrohet se si qese me ndihma për banorët e prekur nga tërmeti me logon e organizatës bamirëse Fundjavë Ndryshe shkarkohen në Ministrinë e Brendshme. Punonjësit që po merreshin me shkarkimin e materialeve janë shprehur se këto qeska janë prova materiale.


Në një postim tjetër të mëpasshëm, Aleanca ka shkruar se sipas Kodit të Procedurës Penale provat materiale dorëzohen në polici e prej aty në prokurori, duke ngritur pikëpyetje për qëllimin e këtij veprimi.


Menjëherë pas kësaj viedoje, ka reaguar Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, me anë të një postimi në faqen e tij në facebook.  Duke ju drejtuar aktivistëve të Aleancës me fjalët “korba” dhe “pisa pa nder dhe dinjitet’ e ka konsideruar këtë akt si një mashtrim të ulët. Në vazhdim të deklaratës së tij ka kërkuar të provohet lajmi i rremë ose në kundërt do të japin llogari para ligjit.


Pas këtij reagimi në një deklaratë publike të lexuar në oborrin e Teatrit, regjisori Robert Budina ka kërkuar nga Ministri Lleshaj tërheqjen e menjëhershme të deklaratave fyese dhe denigruese dhe kerkimin e një faljeje pubike.


“Aleanca për mbrojtjen e Teatrit i kërkon Ministrit të Brendshëm të tërheqë menjëherë deklarat fyese dhe denigruese, të kërkojë falje publike qytetarëve të cilët shërbyen qysh në orët e para të tragjedisë që kaploi vendin mëngjesin e 26 nëntorit. Qytetarët e Tiranës të bashkuar në fatkeqësinë natyrore që mori 52 jetë njerëzore dhe plagosi mbi 900 të tjerë dhanë ndihmën emergjente ndaj të mbijetuarve atëherë kur shteti dhe strukturat e tij dështuan. Nëse ne jemi hajdut dhe pisa, bashkë me ne janë edhe 15 mijë qytetarë të Tiranës që na besuan. “


Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar e ka konsideruar deklaratën e Ministrit presion të pastër politik me sjellje tipike të një diktature ushtarake.

*Citizens Channel /e.k./ /l.k./

E premtja për të ardhmen vjen në Tiranë: Të rinjtë shqiptarë marshojnë në mbrojtje të planetit

“Të premtet për të ardhmen” [Fridaysforfuture] është një nismë e filluar nga Greta Thunberg, vajza 16 vjeçare nga Suedia e cila vitin e shkuar kërkoi më shumë veprim kundrejt krizës klimatike globale. Çdo të premte, Thunberg largohej nga mësimi dhe protestonte jashtë parlamentit suedez. Mijëra njerëz i janë bashkuar nismës së saj, tashmë artikulimi i problemit dhe kërkesat janë mjaft të qarta; kërkohet hartimin i menjëhershëm i politikave për të ulur emetimet e dioksidit të karbonit dhe parandalimi i rritjes së mëtejshme të temperaturave.

Në datë 14 prill, 2019 u organizuar një protestë masive ndërkombëtare ku studentë të 3200 shkollave marshuan dhe kërkuan veprim nga politikbërësit. Sot, me datë 20 shtator, të rinj nga e gjithë bota organizuan protestën e radhës për të kundërshtuar mosveprimin nga qeveritë dhe bizneset. Shqipëria është një ndër shtetet që iu bashkua nismës “Të premtet për të Ardhmen” [Fridays for Future].

Marshimi për Krizën Klimatike Globale u zhvillua ditën e sotme, në orën 17.00 dhe u përmbyll 2 orë më vonë, si fillimi i një cikli të gjatë protestash për marrjen e hapave të domosdoshëm për të shpëtuar planetin. Një ndër pankartat e shumta në protestë, ishe “Nuk ka planet B”, slogan ndërkombëtar  i cili nënkupton se duhen ndërmarrë nisma të menjëhershme për të shpëtuar tokën. Në marshim pati një pjesëmarrje të gjërë qytetare, kryesisht të rinj, të cilët artikuluan qartë shqetësimin e tyre rreth situatës aktuale dhe pasojat shoqëruese nëse nuk ka veprim.

Sot kam marrë këtë poster pasi dua që zonat e Shqipërisë si për shëmbull Lura të ruhen më shumë se në ditët e sotme, të mos shkatërrohen më nga njerëzit që jetojnë aty, nga koorporatat e mëdha që shfrytëzojnë pyjet”, tregon Desara Feti, një nga protestueset e ditës së sotme, e cila ngre qartazi shqetësimin rreth tjetërsimit të Lurës dhe shpyllëzimit që ajo ndër vite po pëson.

Desara Feti, pjesëmarrëse në marshimin kundra krizës klimatike

Në tjetër protestues, tregon se është pjesë e këtij marshimi pasi dëshiron që fëmijët e tij të gëzojnë një planet i cili nuk është nën kërcënim të vazhdueshëm të fatkeqësive natyrore dhe valëve të mëdha të të nxehtit.

Ferdinant Shehu, pjesëmarrës në marshimin kundër krizës klimatike

Toka është e vetmja pasuri që ne kemi mundësi t’u lëmë fëmijëve dhe brezave tanë. Duhet të reagojmë sepse koha nuk na mjafton”, shprehet për Citizens Channel Ferdinand Shehu.

Gjatë intervistës së zhvilluar, Arben Kola tregon se një reagim në kohë duke ndërmarrë nisma konkretë për të mos thelluar më tej krizën klimatike, është garanci për një jetë të shëndetshme për fëmijët.

Arben Kola, aktivist dhe pjesëmarrës në marshimin kundra krizës klimatike

Bëhuni shqiptarë dhe qytetarë të vërtetë sepse duke mbrojt natyrën, keni mbrojt jetën, keni mbrojt të ardhmen, keni mbrojt fëmijët tuaj”, shprehet Kola.

Një ndër organizatoret e marshimit dhe njëkohësisht kordinatore e të rinjve në qendrën mjedisore “Eden” tregon për Citizens Channel se në fakt lëvizjet që kanë përfshirë shumë shtete të botës dhe ndërmerren kryesisht nga fëmijët dhe të rriturit, vijnë si pasojë e faktit që ndikimet më të mëdha negative do ndjehen nga brezat e ardhshëm.

Thirrja më e madhe bëhet ndaj sistemit, ndaj vendimmarrësve, për të treguar kujdes dhe vëmendje ndaj politikave të tyre”, bën me dije ajo.  

Tea Zeqaj, kordinatore e të rinjvë në qëndrën mjedisore Eden dhe bashkë organizatore e marshimit

Kjo kauzë  është e tillë që duhet të ketë përgjegjësi qoftë individuale qoftë qeveritare dhe natyrisht këtë e kërkojnë ne si banorë, kjo kërkohet dhe në shkallë globale”, përcjell Lavdosh Ferruni, i cili ishte i pranishëm sot në protestën e parë të kësaj natyre. Kundrejt masave individuale të cilat nuk ndikojnë në degradimin e mjedisit, ai artikulon se përkrah duhen hartuar edhe politika që nxisin një stil jetese ekologjike dhe miqësore ndaj planetit.

Shqetësimin ndaj masave të pakta të marra nga qeveritë lokale dhe vendore për të luftuar krizën klimatike vihen re edhe tek protestuesit e tjerë.

Endri Haxhiraj, organizator i marshimit kundra krizës klimatike

Gjatë intervistës së dhënë për Citizens Channel, Endri Haxhiraj tregon se pasojat do të jenë të mëdha nëse nuk hartohen dhe zbatohen politika të cilat nuk do lejojnë ngritjen e mëtejshme të temperaturave dhe i ulin gradualisht në nivelin e përcaktuar.

Pasojat janë të tilla që ndoshta Shqipëria ka për të qënë vendi që do jetë më i vuajtur në gjithë Evropën, për shkak se është një vend që ka marrë masat më të pakta lidhur me adaptimin për ndryshimet klimatike”, njofton ai.

Çfarë duhet të bëjmë?

Sipas Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimin Klimatike për të mbajtur ngrohjen globale nën 2°C, emetimet e dioksidit të karbonit (CO2) dhe gazrave të tjerë të serrës duhet të përgjysmohen deri në vitin 2050. Vendet e zhvilluara do të duhet të zvogëlojnë më shumë – midis 80% dhe 95% deri në 2050; vendet në zhvillim që shkaktojnë emetime të mëdha (për shembull Kina, India dhe Brazili) do të duhet të kufizojnë rritjen e këtyre emetimeve.

Këto janë mënyrat si mund të parandalohet rritja e mëtejshme e temperaturës:

  • Rritja e përdorimit të energjisë së rinovueshme (duke përdorur erën, panelet diellorë)
  • Përmirësimi i përdorimit të energjisë në mënyrë të dobishme në ndërtesa, industri, në pajisjet elektro-shtëpiake
  • Reduktimi i emetimeve të karbonit nga makinat
  • Marrjen e masave për zvogëlimit e emetimit të dioksidit të karboni nga industrinë e prodhimit;
  • Masa për të zvogëluar emetimet nga landfillet

Çfarë do t’i ndodhë planetit nëse ne nuk veprojmë sipas World Wild Life (WWF)?

  • Rritja e nivelit të detit mund të ndikojë në dhjetëra miliona njerëz dhe jetën e egër në të gjithë botën, veçanërisht ata që jetojnë në brigje dhe ishuj
  • Akulli i detit Arktik zvogëlohet çdo verë, por ende mbulon miliona kilometra katrorë të oqeanit. Arktiku po ngrohet më shpejt se kudo tjetër në Tokë dhe vera pa akull mund të bëhen realitet.
  • Valët e nxehtësisë do të bëhen më të shpeshta dhe të rënda në të gjithë botën, duke prekur qindra miliona – apo edhe miliarda – njerëz nëse nuk veprojmë.
  • Ngrohja globale rrit rrezikun e reshjeve më të shpeshta — dhe më të rënda, reshjeve të dëborës dhe reshjeve të tjera. Kështu rritet rreziku për përmbytje dhe katastrofa natyrorë.
  • Ndërsa toka vazhdon të ngrohet, habitatet nuk do mund të jenë më mikpritëse për disa kafshë ose bimë. Kjo vë në rrezik një shumëllojshmëri të specieve, në varësi të faktit nëse ato mund të përshtaten apo lëvizin.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj 

Citizens Stories: Historia e Kledit, i riu që ja ka dalë të thyejë barrierat e punësimit të personave me aftësi të veçanta

*Sabina Veizaj / Citizens Channel 

Kledin e gjetëm duke smeriluar një mobilie druri. Mbathur kominoshet e punës, teksa na shtrëngoi duart na dhuroi një buzëqeshje të madhe. Prej katër vitesh, sot 23 vjeç, Kledi punon tek kompania e prodhimit të mobilieve me dru të ricikluar “Pana”.

E pyesim Kledin pse i pëlqen druri, kur ka zgjedhur të merret me të për të thyer pak akullin e bisedës me të panjohur. Përpos buzëqeshjes, artikulimi i tij është me fjali të shkurtra dhe të pakta.

Ndërsa sipas INSTAT të papunët në radhët e të rinjve 15-29 vjeç në tremujorin e dytë të 2019-ës rezultojnë 75,478  mesatarisht në të njëjtat ritme me vitin paraardhës. Po ashtu edhe në radhët e kategorisë së grupeve të margjinalizuara; Në fund të ‘2017, rezultojnë të regjistruar si punëkërkues të pa punë nga kjo kategori 472 vetë, pa marrë parasysh të demoralizuarit, të cilët nuk kërkojnë një vend pune pas rendjes pas saj për një kohë të gjatë. Por Kledi ka qenë këmbëngulës dhe me fat sepse ka njohur njerëz të përkushtuar dhe me zemër të madhe. Kledi ka çrregullime të spektrit autik. Ai ka ndjekur shkollën për persona me aftësi speciale “Luigj Gurakuqi”. Pasi kreu aty studimet iu nënshtrua një kursi profesional për përpunimin e drurit.

Me ndihmën  e shoqatës “Deiv Aid”, e cila punon me ndërmjetësimin e grupeve të margjinalizuara me tregun e punës, Kledi u atashua për të bërë praktikë pune pranë kompanisë Pana.

Pezana Rexha, themeluese e kompanisë “Pana’

“Kledi ka qenë i heshtur në fillim. Nuk fliste, ishte i ndrydhur. Por dalëngadalë me ndihmën e kolegëve u integrua e tanimë jo vetëm punon me përkushtim, por ka edhe miq të mirë në punë. Bashkë me Kledin fillimisht erdhi për të bërë praktikën edhe dikush tjetër dhe deri në momentet e fundit unë kisha zgjedhur djalin tjetër për ti ofruar vendin e punës, por dëshira e Kledit për tu zhvilluar dhe ecur përpara më bëri të ndryshoja mendim dhe tani Kledin e kemi tek Pana prej katër vitesh”- thotë Pezana Rexha themeluesja e Panës.

Niku, një nga punonjësit më të vjetër kur është krijuar Pana tregon se në fillim Kledi është paragjykuar për shkak të problemit të tij dhe ndrydhjes, druajtjes. “Por më pas e kuptuam që ishte djalë shumë i mirë dhe e bëmë pjesë tonën duke e ndihmuar. Ai ka një zhvillim të madh këto vite si në punë, ashtu edhe në integrim shoqëror”- tregon Niku.
Një koleg tjetër i Kledit, mesoburrë na pyet: “Për Dakun keni ardhur”? Nuk e kuptuam, më pas Pezana na tregoi se ashtu e thërrasin me afri Kledin, e duan dhe e mbajnë afër”.

Besnik Shkreta, koleg i Kledit

“Unë vij në 7 e 30 të mëngjesit në punë me autobus. Hap derën e punishtes, vesh rrobat e punës dhe filloj të bëj punën time.”- thotë Kledi. Ai përherë e ka pëlqyer drurin e të punonte me të derisa ju dha mundësia të bënte kursin e më pas praktikën.

“Kledi ka qenë një fëmijë tejet i ndrojtur dhe pa fjalë. Zor se integrohesh, por me ndihmën e psikologes, mësueses së tij dhe tonën, arritëm që Kledi të ndiqte një kurs profesional. Mandej u interesuam ku mund ta bënte praktikën dhe sot Kledi është në një punë stabël prej 4 vitesh”- thotë Endrita Cici, drejtoreshë Ekzekutive e Dev-Aid.

Endrita Cici, drejtuese ekzekutive/ DEVAID

Sipas saj nga kontingjenti i ndërmjetësimit të personave nga grupet e margjinalizuara 53 % kanë gjetur një vend pune. Kurse Pana e ka në filozofinë e saj punësimin e personave nga grupet e margjinalizuara.
Sipas Pezana Rexhës, këta persona i japin një vlerë të shtuar punës dhe stafit ku integrohen sepse të qenit ndryshe i afron njerëzit dhe i bën më solidar.

“Përpos zbatimit të ligjit, të gjitha kompanitë duhet të kenë punonjës me aftësi speciale, ata janë vlerë e shtuar, por mbi të gjitha do të ruanim vlerat si popull e shoqëri që jemi solidarë, mikpritës dhe bujar. Jo për gjynah, por detyrim dhe mirësi”- thotë Pezana Rexha.

Sipas INSTAT 6.2% e popullsisë në moshë madhore në Shqipëri ka deklaruar se ka të paktën një aftësi të kufizuar. Personat madhorë me aftësi të kufizuara në moshë pune kanë dy herë më tepër gjasa të jenë jashtë forcës së punës. Një në pesë të rinj (15-24 vjeç) me kufizime në shikim është në kërkim të punës, por nuk mund të gjejë një të tillë. Prevalenca e aftësisë së kufizuar NUK ndryshon në kuintilet e të ardhurave. Personat me aftësi të kufizuara të kuintilit të poshtëm (më të varfërit), kanë 2 herë më tepër gjasa që të përballen me dy ose më shumë aftësi të kufizuara sesa kuintili i sipërm (më të pasurit)

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kallëzon në Prokurori Arbër Maznikun dhe biznesmenin Shkëlqim Fusha

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës, nënkryetarin e Bashkisë Tiranë, Arber Mazniku dhe administratorin e kompanisë Fusha sh.p.k ,Shkëlqim Fusha për kryerjen e vepres penale, atë të korrupsionit.

Sipas Aleancës, në muajin gusht të vitit 2019 është publikuar online një faturë, e cila është paguar me kartë krediti nga shtetasi Shkëlqim Fusha në favor të shtetasit Arbër Mazniku për qendrimin në hotelin “Alma Barcelona” në Barcelonë të zotit Mazniku. Fatura është paguar për dy netë qëndrimi dhe bëhet fjalë për një shifër 1816 euro për qëndrimin në datat 19 dhe 20 qershor 2019.

Fatura e paguar për Arbër Maznikun

Sipas Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kjo faturë nuk është paguar as nga firma Fusha për Bashkinë Tiranë dhe as nga delegacioni siç pretendon bashkia, por nga karta personale e zotit Fusha për zotin Mazniku.

“Ligji nr.9367 dt.07.04.2005 për parandalimin e konfliktit të interesave  për ushtrimin e funksioneve publike në nenin 23 i përcakton : Ndalimi i marrjes së dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale . Është e ndaluar që një zyrtar të kërkojë ose të marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërhore dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale të cilat jepen për shkak të pozicionit të tij nga një individ person fizik ose person privat. Nënkryetari i Bashkisë, Ardian Mazniku ka shkelur detyrimin për deklarimin e kësaj dhurate pranë ILDKPI-së në formularin periodik vjetor të interesave private ashtu siç përcaktohet në faqen 8 të formularit. Nënkryetari i Bashkisë Tiranë ka vepruar në kushtet e konfliktit të interesit , duke shkelur ligjin 9367, i datës 07.04.2005 për parandalimin e konfliktit të interesave për ushtrimin e funksioneve publike” -thuhet në kallëzimin drejtuar Prokurorisë së Tiranës. 

Aleanca ka kërkuar nga Prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë fillimin e një procedimi penal.

Ne kallëzuesit nga prokuroria e rrethit gjyqësor  Tiranë kërkojmë, fillimin e procedimit penal në ngarkim të zotit Ardian Mazniku, në cilësinë e nëkryetarit të Bashkisë Tiranë, dhe zotit Shkëlqim Fusha në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë Fusha sh.p.k për kryerjen e veprës penale, shpërdorim detyre dhe të korrupsionit aktiv dhe pasiv, parashikuar nga nenet përkatëse të paraqitura në objektin e kallëzimit.


 

Përfaqësuesi i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, Ervin Goci në lidhje më këtë ceshtje është shprehur se rasti i Teatrit Kombëtar është një rast flagrant vjedhjeje dhe grabitjeje, dhe marrja e parave nga firma Fusha është për të dhënë tendera dhe për të favorizuar në kushte të pabarabarta me aktorë të tjerë të ndershëm që ka shoqëria shqiptare.

“Kjo firmë ka fituar rreth 49 tendera në 4 vite, në Bashkinë Tiranë dhe me qeverinë qendrore. Nga këto 49 tendera, diku 30 e ca janë pa garë fare. Këtu kemi raste të jashtëzakonshme për të hapur një hetim. Ne duam që të hapet nje hetim nga prokuroria, dhe kemi hyrë për çeshtjen e Teatrit Kombëtar, nuk duam ta devijojmë këtë thjesht si një ceshtje mes zotit Mazniku dhe zotit Fusha. Ne duam të hapet e gjithë dosja e Teatrit Kombëtar dhe të nxirren të gjitha faktet që kompromentojnë këta individë për çeshtjen e Teatrit Kombëtar.”

Kompania Fusha sh.p.k është përmendur shpesh për marrjen e një sërë tenderash për shumë projekte publike në Tiranë, por edhe në Shqipëri. Ndërkohë është edhe kompania së cilës i është dhënë për ndërtim Teatri Kombëtar, ku parashikohen të ngrihen edhe kullat shumëkatëshe. 

Sikundër ka raportuar edhe më herët Citizens Channel, më 27 qershor 2018 Këshilli i Ministrave propozoi projektligjin “Për përcaktimin e Procedurës së Veçantë për Negocimin dhe Lidhjen e Kontratës” me objekt “Projektimi dhe Realizimi i Projektit Urban dhe Godinës së Re të Teatrit Kombëtar”

Në këtë projektligj thuhet se Ministria e Kulturës nuk ka fonde për të kryer këtë investim. Kështu, Bashkia Tiranë me një kërkesë të datës 23.2.2018 drejtuar Ministrisë se Kulturës, shpreh interesin që të zhvillohet zona pranë Teatrit Kombëtar nga kompania “Fusha” sh.p.k. Ky subjekt privat përveç zhvillimit të zonës angazhohet të realizojë edhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

 

*Citizens Channel /E.K/ 

 

Tingujt e kitarës akustike në festivalin për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar

“Ti mund të thuash se jam ëndërrimtar,

Por unë nuk jam i vetmi…”

Ky është një pasazh i shkurtër i këngës “Imagine” të John Lennon, me të cilën artisti i ri Gjergj Kaçinari vendosi të hapë koncertin që u zhvillua ditën e djeshme, në sallën e Teatrit Kombëtar. I vendosur në qendër të skenës, mund ta përjetoje emocionin e tij teksa vazhdimisht ndërvepronte me publikun, duke i ndarë ndjesitë dhe ngjarjet që e lidhin me atë ambient.

“Daja im është aktor, Vasjan Lami, qëkur kam lindur unë kam ardhur këtej, qoftë për të luajtur, qoftë për të parë shfaqje, por më shumë kam ardhur për të luajtur. Dhe në atë pishinë kam mësuar not, para 20 vitesh” shprehet Gjergj Kaçinari për Citizens Channel, duke shtuar se kjo hapësirë i ofron rehati dhe paqe shpirtërore.

Ai gjithashtu zgjodhi simbolikisht Teatrin për të ndarë këngën e tij më të re që titullohet “Young hearts”, e cila do të publikohet së shpejti. Gjergj Kaçinari na tregon se është pikërisht rëndësia e madhe që mbart kauza e Teatrit arsyeja pse ai zgjodhi atë audiencë dhe mjedis. 

Për mendimin tim nuk kanë të krahasuar këto lloj koncertesh. Dhe fakti që ishte një koncert kaq i rëndësishëm për mua, vendosa që edhe këngën mos ‘ta çoj dëm’”, rrëfen Gjergji.

I pyetur nga Citizens Channel rreth kushteve fizike të mjedisit dhe skenës, ai tregon se nuk ka hasur asnjë vështirësi apo problematikë gjatë minutave që ai ishte duke kënduar. “Salla është jashtëzakonisht e mirë, akustika është fantastike, s’ke ça me i lujt!” shprehet ai.

Uendi Morava ishte e pranishme teksa u zhvillua koncerti brenda Teatrit Kombëtar. “Sot ishte shumë bukur, shumë relaksuese, emocionuese edhe sepse performuesi ishte një personazh i cili vetë në skenë emocionohej shumë. E përcolli aq mirë!” shprehet Uendi për Citizens Channel. Ajo e konsideron me shumë vlerë koncertet dhe festivalet e zhvilluara radhazi prej disa javësh.

Periudha e ndërtimit të gjithë këtyre festivaleve në mbrojtje të Teatrit është një iniciativë tejet interesante që mban gjallë edhe pjesën artistike të këtij vendi”.

Kënga që titullohet “Sound of Silence”, kulmon në vargjet të cilat japin mesazhin e fortë për rëndësinë e komunikimin, jo vetëm linguistik por edhe emocional. Të marra nga kënga dhe të përkthyera, Gjergj Kaçinari vendosi që ta mbyllë koncertin e tij pikërisht me këtë këngë.

“Dhe në dritën e zbehtë unë pashë

Dhjetë mijë njerëz, ndoshta më shumë

Njerëzit që flasin, pa folur

Njerëzit që dëgjojnë, pa dëgjuar

Njerëzit shkruajnë këngë, që zërat kurrë nuk i ndanë

Dhe askush nuk guxoi

“Ta ngacmojë”  tingullin e heshtjes”

Koncerti i Gjergj Kaçinarit ishte aktiviteti i gjashtë i një cikli eventesh kulturore që kanë që nisur prej muajit korrik, kohë kur aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ri-hapën dyert  e godinës, duke organizuar atë që e kanë quajtur “Festivali për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar”.

Fillimisht artisti Mehdi Malkaj luajti monodramën “Marr Guximi”, i ndjekur nga interpretimi i aktorëve të njohur ndërkombëtarisht Arben Bajraktaraj dhe Bob Berkley pak ditë më pas. Serisë së aktiviteteve iu bashkua më pas aktorja Justina Aliaj me shfaqjen “Mbretëresha” dhe performanca eksperimentale “Kanuni i Gruas” nga një artistik nga Kosova.

Koncerti i këngëtarit Kacinari, u parapri nga një drama “Emigrantët” e vënë në skenë nga aktorët Besmir Haliti dhe Endri Ahmetaj.

 *Citizens Channel /E.N/

 

 

Qytetarët “Marrin guximin” për të rihapur dyert e Teatrit Kombëtar

Marr guximin” titullohet vepra e cila  do të vendoset në skenë nga aktori Mehdi Malka. Monodrama do të çelë siparin sot në orën 20:30, në sallën e Teatrit Kombëtar, hapësirë e cila është ri-marrë në dorë nga qytetarët dhe aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Aktiviteti i sotëm shënon rihapjen e Teatrit Kombëtar një vit pasi qeveria vendosi mbylljen e tij në vijim të planit të shumë debatuar për shembjen e godinës dhe tjetërsimin e truallit përreth në kulla shumëkatëshe dhe një teatër të ri.

 

Çfarë po ndodh aktualisht me çështjen e Teatrit Kombëtar?

Teatri Kombëtar u gjend i rrethuar ditën e mërkurë nga forca të shumta policore që u ndeshën me rezistencën e qytetarëve dhe artistëve të cilët prej një viti e gjysmë kundërshtojnë planet e qeverisë. Ditët pas sprapsjes së aksionit policor nuk i ngjajnë aspak fundjavave të verës kur çdo gjë duket se ndalon.

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE iu përgjigj  dje Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit me një koment ku bëhen të ditura qëndrimet e institucionit: “Marrë në shqyrtim zhvillimin e djeshëm ku Presidenti i Republikës dërgoi një kërkesë Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjin special mbi ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, të gjitha palët e përfshira duhet të presin për vendimin e Gjykatës Kushtetuese përpara se të ndërmarrin hapa të mëtejshëm”.

Ky reagim është pritur në mënyre pozitive nga mbështetësit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit (AMT). “Të presësh vendimin e Gjykatës, si u shpreh ai, është mesazh që nuk duhet prishur Teatri derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese” u shpreh për Citizens Channel Andi Tepelena, aktivist i AMT

 “Ashtu siç kemi thënë prej kohësh, pa një shqyrtim normal në Gjykatën Kushtetuese çdo veprim ndaj godinës është i jashtëligjshëm dhe kriminal“, u artikulua  Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit menjëherë pas deklaratës publike të Sekretarit të Përgjithshëm, Thomas Greminger, duke e mirëpritur qëndrimin e tij. Një një postim në rrjetet sociale ata falenderuan përfaqësuesin e OSBE-së, dhe kërkuan që institucionet lokale ta dëgjojnë qartë mesazhin e tij.

 

Këshilli Studentor i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës (FAU)  i vlerësoi si të pakuptimta arsyet e paraqitura nga Bashkia e Tiranës për shembjen e objektit kulturor. Këshilli paraqiti një listë argumentesh teknike që lidhen me urbanizimin e zonës, vjetërsinë e godinës, vlerat arkitektonike dhe faktin se Teatri nuk mund të trajtohet si pronë e bashkisë.

Reagimi i plotë i Këshillit të FAU:

Unioni Shqiptar i Arkitektëve dhe Urbanistëve (AUA) ka publikuar një reagim ku e cilëson vendimin për prishjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar si një “ndërhyrje urbanistike mizore e përligjur djallëzisht nga papërgjegjësia historike ndaj qytetit”.

“Në vend që të fillojmë qytetin nga e para sa herë i teket dikujt do të ishte më e shëndetshme të mësojmë ta shtresëzojmë. Nëse trashëgimia e ndërtuar do të vazhdojë të trajtohet në këtë mënyre së shpejti qytetet tona do të transformohen në fjetore kullash prej betoni”, thuhet në reagimin e AUA.

Njoftimi i plotë:

Në të njëjtën kohë Kryeministri Edi Rama dhe Kryebashkiaku Veliaj vijojnë betejën e reagimeve duke ripublikuar pamje arkive nga reagimet e artistëve Drita Haxhiraj,  Rajmonda Bulku, Leka Bungo dhe diplomatit Jusuf Vrioni.

Gjatë këtij një viti e gjysmë rezistencë qeveria është detyruar të lëshojë shumë nga plani i saj nismëtar për shkak të presionit të artistëve, qytetarëve dhe institucioneve ndërkombëtare.

Fillimisht duke ndryshuar projektin për të zvogëluar sipërfaqen e truallit publik që i falej kompanisë private për tu shndërruar në kulla shumëkatëshe, në shkëmbim të godinës së re. Megjithë ndryshimin, pjesa dërrmuese e parcelës së ndërtimit prej 9768m2 mbetet prona publike (8465 m2), ndërsa tokë privatë është vetëm 1303 m2.

Më pas duke rishikuar “ligjin special” ku për herë të parë në historinë e demokracisë shqiptare shkruhej emri i kompanisë private të paracaktuar për realizimin e projektit. Edhe pas hapjes së garës, kriteret e vendosura në procedurën e tenderimit ngrenë sërish dyshime se ajo do të jetë fiktive dhe është po e njëjta kompani që do e realizojë projektin ku përllogariten më shumë se 120 milion euro fitime.

Megjithatë ndryshimet në ligj dhe projekt nuk e prekin thelbin e kërkesës së artistëve qytetarëve dhe aktivistëve, që është rikonstruktimi i Teatrit Kombëtar dhe ruajtja pronës publike përreth, për të ndërtuar një Teatër të Ri diku tjetër.

*Citizens Channel /L.K./ /E.N/

“Kryeqyteti i betonit”, Tirana e pesë parqeve ka mbetur në letër

Tirana është qyteti shqiptar që ka shënuar rritjen më të lartë dhe të vazhdueshme të popullsisë. Lëvizjet e brendshme demografike të popullsisë nga zonat rurale apo qytetet e vogla drejt metropolit erdhën në mënyrë graduale në një hark kohor prej 20 vitesh. Grafika më poshtë tregon se vetëm në tetë vitet e fundit, Tiranës i janë shtuar më shumë se 114,255 banorë, duke e çuar numrin total të banorëve të kryeqytetit në 895,160. Kjo bazuar në shifrat zyrtare të INSTAT, por kur flitet për persona që e zhvillojnë jetën në kryeqytet dëgjohet shpesh shifra 1 Milion banorë.

Një tjetër fakt është edhe shtimi i ndërtimeve, që në ndryshim nga konstantja e popullsisë ka pësuar ulje dhe ngritje ekstreme në të njëjtin hark kohor. Vetëm në dy vitet e fundit (2017-2018) janë dhënë thuajse dyfish leje ndërtimi më shumë se në 5 vjeçarin 2012 – 2015 të marrë së bashku.

I vetmi tregues i paralizuar në këtë qytet ndryshimesh të mëdha, mbetet numri i hapësirave të gjelbra. Tirana e viteve 50′ (180 mijë banorë) dhe kryeqyteti i sotëm (rreth 900 mijë) kanë vetëm një të përbashkët, Parkun e Madh të Liqenit Artificial.

Në qoftë se e kthejmë në metër katror i bie të kemi rreth 1 milion e 300 mijë m2 sipërfaqe e gjelbër në Tiranë. Po të llogarisim që Tirana ka rreth 1 milion banorë, i bie që Parku ka rreth 1.3 m2 sipërfaqe të gjelbër për banorë, shumë pak” sqaron specialist i mjedisit Abdulla Diku duke shtuar se norma e vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është minimalisht 9 m2 për banor.

Bashkia e Tiranës në planin miratuar planin e përgjithshëm vendor “Tirana 2030”, ku parashikohet krijimi i një kurore të gjelbër të qytetit, e cila do të përfshinte edhe 5 parqe të qytetit:

  • Parkun e Madh të Liqenit Artificial
  • Liqenin e Farkës
  • Parkun e Kasharit
  • Liqenin e Vaqarrit
  • Parku i Dajtit

Vazhdimisht artikulohet nga zyrtarët lokalë se “Tiranës do t’i shtohen 5 parqe të reja”, por shumë të pakta janë mundësitë që qytetarët që jetojnë në zonat me ndotje dhe dendësi më të lartë ndërtimesh, të shpërndahen në pesë parqet periferike të Tiranës, për të cilat na imponohet të besojmë se janë parqe qyteti.

“Jo të gjithë pyjet mund të quhen park qyteti”

Nisur nga ky shqetësim, Citizens Channel zhvilloi një vëzhgim në katër parqet kryesore të Tiranës. Së pari duke përcaktuar çfarë është një park qyteti dhe çfarë është një hapësirë natyrore periferike.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë  banorët e zonave urbane duhet të kenë akses në një hapësirë të gjelbër prej të paktën 0.5 – 1 hektar në një distancë prej 300 metra linear (ecje prej 5 minutash) nga banesat e tyre.

Nëse nisesh nga një zonë qendrore e Tiranës, asnjë nga këto parqe nuk është i aksesueshëm lehtësisht. Për t’i arritur këto hapësira qytetarët që përdorin automjetet duhet të udhëtojnë 29 minuta për në Parkun e Kasharit, 25 për në liqenet e Farkës dhe Vaqarit dhe 53 minuta për në Dajt.

Citizens Channel ka siguruar investimet që pushteti lokal ka bërë, përmes Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit pranë Bashkisë Tiranë, në 4 parqe të qytetit, përfshirë dhe kopshtin zoologjik. Infografika tregon se edhe pse Kashari, Farka, Vaqari janë shumë larg standardeve të një parku rekreativ, shumë pak para janë investuar aty vitet e fundit dhe gjithmonë e më shumë tendenca është në përmirësimin e Parkut të Liqenit Artificial.

Liqeni i Farkës: “Blloqe vilash në vend të terreneve sportive”

Përpos angazhimit për ta kthyer liqenin e Farkës në një park, dhe ndër të tjera në parkun e dytë më të madh në kryeqytet, investimet e realizuara në këtë zonë për periudhën 2016-2018 kanë ardhur në rënie nga viti në vit. Në vitin 2016 janë investuar 6.192.656 lekë. Në vitin 2017, kjo shumë zbret në 710.171 lek dhe për vitin 2018 në 209,160 lek.

Në një park normal, pushteti vendor do të duhej të merrte në pronësi truallin duke kompensuar pronarët, për ta kthyer atë në fusha sportive dhe hapësira rekreacionale. Por në Parkun e Farkës nuk ka asnjë terren sportiv dhe shëtitorja buzë liqenit ndërpritet në hyrjen e një kompleksi rezidencial vilash të lënë përgjysmë që nga viti 2015, duke vazhduar në formën e një shtegu të pashtruar që sërish kalon krah një toke të rrethuar për ndërtim.  

Liqeni i Farkës plotëson vetëm katër nga 10 kriteret për tu klasifikuar si park qyteti. Aty mungojnë korsitë e biçikletave, burimet e ujit të pijshëm, përshtatje të terrenit për aktivitete rekreacionale si piknik apo fusha sportive, ndërkohë që shtigjet që duhej të lidhnin parkun ndërpriten.  

Liqeni i Kasharit: “Parku që mbeti në letër”

 

“Në fund të këtij mandati Tirana rrethuar me 4 parqe publike – Liqeni i Tiranës, Kasharit, Farkës e Vaqarrit!” deklaronte kryetari i bashkisë Erion Veliaj në prill të vitit 2016.

Në fotografitë shoqëruese të këtij postimi paraqitet një projekt në 3D i parkut që do të lidhte dy liqenet me korsi biçikletash, trampolina për larjen në rezervuar dhe fusha sportive. Sipas Veliajt dhe Administratorit të zonës së Kasharit, ky investim do të niste rreth dy muaj pas vizitës së tyre në prill 2016.

Projekti i liqenit të Kasharit

Image 1 of 4

Ekzaktësisht 3 vjet më pas, në prill 2019, Kryebashkiaku u rikthye në liqenin e Farkës me të njëjtin premtim: “Jam i bindur se mandatin e dytë do të jetë padyshim një nga parqet e reja, me korsitë dhe me të gjithë shërbimet e tjera, vërtet për t’u pasur zili, dhe për të rritur standardin” deklaroi Veliaj.

Situata sot në rezervuarin e Kasharit është shumë e ndryshme nga ajo që u premtua e vazhdon të premtohet. Për të hyrë me makinë, duhet kaluar në një rrugë të rrezikshme e të paasfaltuar. Ndërsa këmbësorët, duhet të kalojnë traun e parkimit të një lokali privat, për të shkuar në parkun që gjithsej ka pesë stola dhe 4 mjete force të vendosura që në kohën kur Kashari ishte komunë më vete. 

Të dhënat e siguruara nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit tregojnë se Bashkia e Tiranës ka investuar vetëm 576 mijë lekë në Parkun e Kasharit gjatë tre viteve të fundit. Ndërkohë kjo hapësirë plotëson vetëm dy nga 10 kriteret për tu quajtur park. Nuk ka një rrugë me trotuarë apo korsi biçiklete që e lidh parkun me rrugën kryesore, mungon çdo tabelë orientuese, nuk ka burim uji të pijshëm e as ambiente të përshtatura për aktivitete sportive, piknik apo ecje.  

Liqeni i Vaqarrit: Vetëm 100 mijë lekë investime për “Parkun e dytë të Tiranës”

Në gusht të vitit 2015, pak ditë pas marrjes së detyrës, Kryebashkiaku Veliaj vizitoi parkun e Vaqarrit: “Më vjen mirë që ky park i ri do të jetë në dispozicion në një kohë të shkurtër”, deklaronte Veliaj duke e shpallur zonën park të Bashkisë së Tiranës, me premtimin për ta kthyer atë si Liqeni Artificial i Tiranës.

24 vjet laj-thaj veç Parku i Liqenit. Se shpejti Parku i ri Vaqarr 1km nga Kombinati “, deklaronte Veliaj në 2015. Ndërkohë Parku i Vaqarit ka marrë 0 lekë investime në 2016, 6.000 lekë në vitin 2017 dhe 108,720 lekë në 2018.

Investimet janë inekzistente në Parkun e Vaqarrit, vetëm 114,720 lekë në tre vite. Vëzhgimi i realizuar nga Citizens Channel tregon se kjo hapësirë nuk plotëson asnjë nga kriteret për të qenë park. E vetmja mënyrë për ta gjetur ku ndodhet është të pyesësh banorët, pasi jo vetëm që nuk ka asnjë tabelë orientuese, por nuk gjendet as në hartë. Parku është krejtësisht i pa aksesueshëm në këmbë, pasi  për të shkuar aty duhet ecur një kilometër në një rrugë pa trotuare.

Edhe aksesi me automjet është një sfidë më vetë, pasi në gjithë rrugën dhe zonën rreth hyrjes së improvizuar të parkut (një shteg i paasfaltuar), nuk ka asnjë hapësirë parkimi. Për të arritur tek shtegu i hyrjes tek liqeni duhet ecur për rreth 15 minuta, por sërish veç mbetjeve të shpërndara kudo, nuk gjendet asnjë shenjë investimi.

Në park mungon rregullimi i terrenit, shtigjet, stolat dhe ccdo element tjetër

Image 1 of 8

Koshat e plehrave mungojnë krejtësisht, nuk ka asnjë stol, asnjë shteg për ecje dhe asnjë rregullim apo përshtatje e terrenit dhe bimësisë nuk është realizuar.

Parku i Liqenit:

Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës (PMLAT) është aktualisht e vetmja hapësirë e gjelbër në Tiranë që ka kriteret për tu quajtur park qyteti. Aty nuk mungojnë as stolat, fushat sportive, shtigjet për vrapim, ecje dhe korsi biçikletash. PMLAT gjithsesi ka vazhduar të marrë pjesën e luanit në buxhetin e APR për parqet (37.5 milionë lekë), duke marrë 5 herë më shumë investime se të gjithë parqet e tjera të marra së bashku.

Edhe liqeni  artificial nuk i ka shpëtuar problemeve të shumta që kanë ngritur shqetësim mes qytetarëve. “Ka pasur kafshime të herë pas hershme, të pjesëve të ndryshme të parkut. Ndërtimet e fundit që janë miratuar tek diga, poshtë digës së  liqenit, dhe ndërtime të tjera që kanë nisur në krahun lindor të parkut pra në pjesën ku parku takohet me rrugën e Elbasanit”, thotë për Citizens Channel aktivisti Pano Soko.

Tjetërsimi i një pjese të Parkut në bllok pallatesh

Kompleksi “Park Gate” i ngritur në një zonë që dikur ishte pjesë e parkut, ndërtimet e shumë debatuara tek diga e liqenit artificial, betonizimi i rrugës Faik Konica me 9 ndërtime të reja, janë vetëm disa nga cenimet që i janë bërë parkut të liqenit.

Askush nuk e di që parku i liqenit artificial i Tiranës, nuk ka asnjë status ligjor. Për të gjithë njerëzit që thonë park, dikush park natyror, dikush park etj, etj, por ligjërisht nuk figuron në asnjë inventar të zonave të mbrojtura të Shqipërisë“, tregon ambientalisti Abdulla Diku. Tirana e vitit 2019, ku jetojnë rreth 1 milion persona, në deklaratat e zyrtarëve ka pesë parqe të mëdha, por në realitet ka vetëm një park, totalisht të pambrojtur në aspektin ligjor, që po “kafshohet” nga të gjitha anët, duke humbur betejën me kullat shumëkatëshe.

*Citizens Channel

 

Reportazh: Të rinjtë shkundin monotoninë, risjellin jetë në ish-Fonderinë e Gizës


Foto: Eventi i hapjes së Tirana Social Cultural Center | Lorin Kadiu | Citizens Channel

Në 16 tetor 1978, në Kombinatin mekanik të Auto-Traktorëve u përurua traktori i parë “made in Albania”. Fill pas tij inxhinierët dhe punonjësit e uzinës, një ndër krenaritë e regjimit komunist arritën të montojnë edhe 99 të tjerë, duke e çuar në 100 numrin e traktorëve të montuar “me forcat tona”. Me ndërrimin e regjimeve Uzina e humbi shkëlqimin e saj, duke u kthyer në një rrënojë që veç marrëzisë së kohëve të shkuara, na kujton neglizhencën dhe rrënimin e publikes sot.

Kjo ishte pamja që gjetën një grup të rinjsh vullnetarë, të cilët vendosën të kthejnë një ndër godinat e braktisura të Uzinës në një qendër sociale në shërbim të komunitetit.

Historia mbaron me kthimin e Repartit të Fonderisë së Gizës në “Tirana Social Cultural Center” – por si ndodhi e gjithë kjo?

“Kanë qenë vetëm dy veta në fillim, dy njerëz shumë të rinj, që kishin nevojë për një hapësirë që nuk i përngjason asnjë hapësire kulturore dhe sociale në qytet”, tregon Henri Panduku, një prej vullnetarëve.

Livia Tice është një nga dy iniciatorët, ajo rrëfen për Citizens Channel si nisi kjo histori: “Kishim nevojë për një hapësirë që është e jona, për një komunitet, për një hapësirë që na përfaqëson dhe në raport me institucionet e që na ofron mundësi të rritemi e të zhvillohemi duke mësuar dhe eksperimentuar”

Ata kontaktuan me “Toestand” një grup vullnetarësh nga Belgjika që  çdo vit udhëton për të rijetëzuar një godinë të braktisur. Në Tiranë u bashkuan me të rinj nga Prishtina dhe Tetova, ku më parë kanë themeluar qendrat “TermoKiss” dhe “Socio Culturar Space”, duke formuar një grup prej 80 vullnetarësh.

Henri Panduku | Foto: Entenela Ndrevataj | Citizens Channel

Henri tregon se kërkimi për godinën nuk ka qenë i lehtë: “Kemi kërkuar për rreth 6 muaj. Kjo hapësirë është gjetur jo më shumë se një muaj më përpara. Ka pasur ide të shumta, megjithatë asnjë përgjigje definitive”.

Për aktivistët është e rëndësishme që qendra të jetë në shërbim të komunitetit të Shkozës, një ndër zonat më të varfra në periferi të Tiranës, ku investimi publik dhe aktivitetet kulturore mungojnë plotësisht.

Albin Shuleta | Foto: Entenala Ndrevataj | Citizens Channel

Albin Shuleta, 16 vjeçar nga Kosova tregon për gjendjen në të cilën e gjetën godinën e braktisur ditën e parë: “E kemi gjetur vendin të grumbulluar me mbeturina edhe kemi parë shumë sende joefektive si drunj, mure të shkatërruara. U ndamë disa grupe, pikë së pari për të hequr mbeturinat nga hapësira, i hoqëm me traktor, pasi ka pasur tepër shumë, si një mal”, shton ai.

Dy javët në vazhdim, djemtë dhe vajzat punuan çdo ditë duke vendosur dritaret, krijuar një dysheme, një platformë, madje edhe një banak brenda godinës së braktisur.

Eljesa Beka, ka punuar për themelimin e qendrës “TermosKiss” në Kosovë, e ngritur nën të njëjtën frymë , ajo tregon për impaktin që qendra ka pasur, duke shpresuar që e njëjta gjë të ndodhë edhe në Tiranë. “Në Prishtinë ka qenë seni ma i mirë që i ka ndodh qyteti”, tregon Eljesa, “Po mendoj që kjo i vyn qytetit, me i ik pak se ka shumë kafiqa (kafene) nëpër qytet dhe e di që shumica e njerëzve rrinë qaty. Sa rrin qaty, ma mirë me ardh këtu edhe me e shfrytëzu hapësirën”.

Eljesa Beka | Foto: Entenela Ndrevataja | Citizens Channel

Eljesa tregon se ideja pas kësaj iniciative është që përtej socializimit të jetë në shërbim të të rinjve dhe komunitetit në çdo aspekt: “Tash disave prej nesh jemi të punësum, e punëson veten. Ideja asht me ba çka ti ki nevojë dhe me shfrtytëzu nevojat tua në një hapësirë të tillë”.

Aktivistët kanë të njëjtat pritshmëri edhe për “Social Cultural Center” të ngritur rishtaz në Tiranë. “Ne presim që kjo godinë të përshtatet më së miri”, tregon Henri Panduku duke shtuar se qendra synon të dialogojë me hapësirën ku është vendosur dhe me komunitetin lokal përmes gjuhës së kulturës.

Dialog që kishte filluar edhe kulmoi mbrëmjen e së shtunës, në inaugurimin e qendrës ku prindërit, grupe fëmijësh dhe të rinj nga zona e Shkozës bashkoheshin me vullnetarët me një ngrohtësi që dukej se kishte rrënjë në një marrëdhënie besimi dhe afrimiteti tashmë të krijuar.

Aktiviteti i hapjes së TSCC | Foto: Lorin Kadiu | Citizens Channel

Të rinjtë premtojnë se “Tirana Social Cultural Center” do të krijojë një identitet përmes takimeve, workshopeve dhe aktiviteteve që do të organizohen në vazhdim, duke shpresuar t’i japin jetëgjatësi këtij realiteti të ri edhe pas largimi të vullnetarëve që e ndërtuan.

“Besoj se do ketë vazhdimësi, megjithatë mbetet për të shpresuar që ajo nuk do të cenohet nga faktorë të jashtëm”, përgjigjet Henri, i pyetur mbi vazhdimësinë e qendrës.

 

* Citizens Channel |  /E.N/ /L,K/

 

Tiranë: “Street Art” mbyllet në qeli – Artistët kërkojnë liri nga censura institucionale

Ne për momentin ekzistojmë, jemi brenda një qelie siç kemi qenë për shumë gjëra. Ajo çfarë kërkojmë është lirinë nga kjo qeli”, shprehet për Citizens Channel artisti Klodian Luca, i cili ishte kontribues në ekspozitën “Anonymous” që u hap ditën e enjte, 27 qershor, në galerinë “Scissors” pranë IronBrush Tirana.

Ekspozita shfaqi punime të disa artistëve në formën e “Street Art” (Arti i Rrugës)  të cilat pak herë mund të jenë hasur nëpër rrugët e Tiranës. Në dyshemene e “qelisë” ishte printuar dhe hedhur Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e cila u shkel për 3 orë radhazi nga personat që vizituan ekspozitën.

Qëllimi i kësaj ekspozite është  të pasqyrojë situatën e vështirë ku ndodhet arti i rrugës në Tiranë nëpërmjet simbolikës së mbylljes në një qeli.

Tetë artistë nën pseudonimet Kilobajt, Diversanti, Grifsha, Macja e Zezë, Silent Alien, Guerrila , Sanke dhe Truman iu përgjigjën thirrjes së hapur të organizatorëve për të ekspozuar punët e tyre.

 

Artistët e rrugës tregojnë se punimet e tyre  grisen ose fshihen brenda ditës nga punonjësit e Bashkisë, ata nuk janë të lirë të shfaqin emocionet dhe ndjesitë e tyre; qelia ku u fut Street Art-i, ishte simbolika e parë për të treguar se censura në rritje i ka burgosur ata. Simbolika e dytë ishte Kushtetuta e Shqipërisë e cila në vetvete është dokumenti më i rëndësishëm i Republikës. Kreu II/Neni 22 i garanton të drejtën e lirisë së shprehjes çdo individi në Republikën e Shqipërisë,  por artistët e rrugës janë të privuar nga liria e mendimit dhe kritikës e shprehur nëpërmjet atij lloj artin, pra kjo liri u është shkelur.

Foto: Klodian Luca, kontribues në punimet e shfaqura në ekspozitën “Anonymous”

Në Tiranë është vetë Bashkia ajo që kontrollon artin e rrugës, duke dhënë leje për pikturat në fasada, mureve e pallateve apo kabinat elektrike të kryeqytetit. Ndërkohë që artistët e StreetArti-t nuk shprehen kundra kësaj nisme, por artikulohen se piktura të tilla nuk e përfaqësojnë shoqërinë dhe nuk lidhen aspak me realitetin.

Ndërkohë qyteti fillon edhe vishet me disa ngjyra të cilat nuk i ngjajnë qyteteve të tjera. Është një art i cili nuk i përshtatet asaj që ne përjetojmë” pohon Klodian Luca.

Ata gjithashtu shprehen se Street Art-i është i dënueshëm në Tiranë, sepse pikturimi pa leje i fasadave në Tiranë mund të gjobitet deri në vlerën e 40.000 lekëve. Artistët theksojnë se kjo është nismë e Bashkisë Tiranë dhe asnjë Bashki tjetër nuk e aplikon.

Është një normaturë që e ka nxjerrë kryebashkiaku i Tiranës dhe jo Bashkitë e tjera. Vetëm e Tiranës. Donte ta monopolizonte këtë formë të artit sepse donte ta kontrollonte. Është formë kontrolli” , artikulon artisti me nofkën “Diversanti” gjatë intervistës së tij për Citizens Channel.

Përveç simbolikave të përcjella, artistët parashtruan edhe kërkesat e tyre; krijimi i një hapësire  ku ata mund të shprehen dhe të jetë e dedikuar pikërisht për këdo individ që dëshiron të shfaqë ndjenjat, perceptimet, emocionet pa u ndeshur më censurën dhe fshirjen e veprave brenda natës.

Nisma e kësaj ekspozite ishte në një farë mënyre një kërkesë; na e tregoni atëherë, na tregoni vendet ku mund të bëhet art. Aktualisht nuk ka!”, shprehet Diversanti.

*Entenela Ndrevataj | Citizens Channel

 

“E drejta e cunguar e tubimit” – Aktivisti gjobitet nga Bashkia Tiranë

Me datë 25 qershor 2019, Organizata Politike mbajti një tubim paqësor në Tiranë, në zonën e njohur si “Ushtari i Panjohur”. Gjatë tubimit aktivistët shfaqën kundërshtitë e tyre rreth krizës që po kalon situata politike në Shqipëri.

Në parullat kryesore të varura në dy pemë pranë vendit ku zhvillohej tubimi, shprehej  kundërshtia ndaj sistemit dhe figurave politike të partive të kryesore në Shqipëri: “Arditin e vrau pronari dhe kryetari”, “Punë, Pagë dhe Perspektivë” dhe “Kjo nuk është lufta jonë”.

Nën moton e mësipërme, “Kjo  nuk është lufta jonë” aktivistët kanë zhvilluar takime informuese me qytetarë të ndryshëm, disa ditë para protestës duke i bërë me dije rreth tubimit që do zhvillohej dhe arsyes pse ajo po mbahej. Protesta ishte paqësore dhe zgjati rreth një orë.

Gjatë organizimit të protestës, Jani Marka, aktivist i Organizatës Politike dhe personi përgjegjës për mbarëvajtjen e protestës, u gjobit me një 20.000 lekë të reja nga Policia Bashkiake e Tiranës.

I pyetur nga Citizens Channel, aktivisti Jani Marka shpjegon se e gjithë procedura për marrjen e lejes dhe zhvillimin e protestës ishte bërë sipas rregullave të përcaktuara. Ai shton më tej se gjoba ndaj tij nuk u vendos nga Policia e Rendit, e cila është organi i përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimeve, por nga Policia Bashkiake.

“E vetmja fije ku mund të vareshin, ishin spangot ku ne si aktivistë të Organizatës Politike kishim varur, në dy pemë e një shtyllë, parrullat”, thotë aktivisti Marka.

Foto: Jani Marka, organizator i protestës dhe aktivist i Organizatës Politike

Gjoba me vlerën maksimale prej 20.000  lekësh të reja u vendos me arsyetimin se janë  zënë hapësirat publike pa miratimin e strukturave përgjegjëse.

Aktivisti pretendon se kjo masë është në kundërshtim me Nenin 7, pika 4 të Vendimit Nr. Të Këshillit Bashkiak të Tiranës, thuhet: “Ne rastin kur subjekti kundervajtjes rezulton, se eshte i padënuar administrativisht per shkeljen e konstatuar, atehere struktura konstatuese vepron duke vendosur fillimisht dënimin administrativ “Paralajmerimit me shkrim”.

Marka ka refuzuar ta firmosë gjobën e vendosur.

Zënia e hapësirave publike është një nga 83 veprimet e paligjshme të miratuara nga Bashkia Tiranë në një vendim që hasi kundërshtimin e organizatave të Shoqërisë Civile, duke paralajmëruar cënim të të drejtës së tubimit.

Organizata të shoqërisë civile në Shqipëri i janë drejtuar me një letër të hapur Këshillit Bashkiak Tiranë dhe kanë kërkuar  të mos miratohen disa pika të projektvendimit siç është neni 12, pika 4/c ku nuk lejohën të vendosen tabela, pankarta dhe banderola pa leje. Deklarata e organizatave të shoqërisë civile pozicionohet qartazi kundra këtij projekvendimi: “Ne kundërshtojmë pikën c, pasi bie në kundërshtim dhe njëkohësisht cënon legjislacionin për tubimet si edhe lirinë e shprehjes. Mbajtja e banderolave, pankartave dhe tabelave përkohësisht, kur nuk shkakton shqetësime edhe pa marrë leje janë gjeste të mirëpranuara të kuadër të protestave paqësore edhe spontane“.

Jani Marka shprehet se do ta ankimojë këtë vendim të padrejtë.

*Citizens Channel /E.N/