“Kryeqyteti i betonit”, Tirana e pesë parqeve ka mbetur në letër

Tirana është qyteti shqiptar që ka shënuar rritjen më të lartë dhe të vazhdueshme të popullsisë. Lëvizjet e brendshme demografike të popullsisë nga zonat rurale apo qytetet e vogla drejt metropolit erdhën në mënyrë graduale në një hark kohor prej 20 vitesh. Grafika më poshtë tregon se vetëm në tetë vitet e fundit, Tiranës i janë shtuar më shumë se 114,255 banorë, duke e çuar numrin total të banorëve të kryeqytetit në 895,160. Kjo bazuar në shifrat zyrtare të INSTAT, por kur flitet për persona që e zhvillojnë jetën në kryeqytet dëgjohet shpesh shifra 1 Milion banorë.

Një tjetër fakt është edhe shtimi i ndërtimeve, që në ndryshim nga konstantja e popullsisë ka pësuar ulje dhe ngritje ekstreme në të njëjtin hark kohor. Vetëm në dy vitet e fundit (2017-2018) janë dhënë thuajse dyfish leje ndërtimi më shumë se në 5 vjeçarin 2012 – 2015 të marrë së bashku.

I vetmi tregues i paralizuar në këtë qytet ndryshimesh të mëdha, mbetet numri i hapësirave të gjelbra. Tirana e viteve 50′ (180 mijë banorë) dhe kryeqyteti i sotëm (rreth 900 mijë) kanë vetëm një të përbashkët, Parkun e Madh të Liqenit Artificial.

Në qoftë se e kthejmë në metër katror i bie të kemi rreth 1 milion e 300 mijë m2 sipërfaqe e gjelbër në Tiranë. Po të llogarisim që Tirana ka rreth 1 milion banorë, i bie që Parku ka rreth 1.3 m2 sipërfaqe të gjelbër për banorë, shumë pak” sqaron specialist i mjedisit Abdulla Diku duke shtuar se norma e vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është minimalisht 9 m2 për banor.

Bashkia e Tiranës në planin miratuar planin e përgjithshëm vendor “Tirana 2030”, ku parashikohet krijimi i një kurore të gjelbër të qytetit, e cila do të përfshinte edhe 5 parqe të qytetit:

  • Parkun e Madh të Liqenit Artificial
  • Liqenin e Farkës
  • Parkun e Kasharit
  • Liqenin e Vaqarrit
  • Parku i Dajtit

Vazhdimisht artikulohet nga zyrtarët lokalë se “Tiranës do t’i shtohen 5 parqe të reja”, por shumë të pakta janë mundësitë që qytetarët që jetojnë në zonat me ndotje dhe dendësi më të lartë ndërtimesh, të shpërndahen në pesë parqet periferike të Tiranës, për të cilat na imponohet të besojmë se janë parqe qyteti.

“Jo të gjithë pyjet mund të quhen park qyteti”

Nisur nga ky shqetësim, Citizens Channel zhvilloi një vëzhgim në katër parqet kryesore të Tiranës. Së pari duke përcaktuar çfarë është një park qyteti dhe çfarë është një hapësirë natyrore periferike.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë  banorët e zonave urbane duhet të kenë akses në një hapësirë të gjelbër prej të paktën 0.5 – 1 hektar në një distancë prej 300 metra linear (ecje prej 5 minutash) nga banesat e tyre.

Nëse nisesh nga një zonë qendrore e Tiranës, asnjë nga këto parqe nuk është i aksesueshëm lehtësisht. Për t’i arritur këto hapësira qytetarët që përdorin automjetet duhet të udhëtojnë 29 minuta për në Parkun e Kasharit, 25 për në liqenet e Farkës dhe Vaqarit dhe 53 minuta për në Dajt.

Citizens Channel ka siguruar investimet që pushteti lokal ka bërë, përmes Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit pranë Bashkisë Tiranë, në 4 parqe të qytetit, përfshirë dhe kopshtin zoologjik. Infografika tregon se edhe pse Kashari, Farka, Vaqari janë shumë larg standardeve të një parku rekreativ, shumë pak para janë investuar aty vitet e fundit dhe gjithmonë e më shumë tendenca është në përmirësimin e Parkut të Liqenit Artificial.

Liqeni i Farkës: “Blloqe vilash në vend të terreneve sportive”

Përpos angazhimit për ta kthyer liqenin e Farkës në një park, dhe ndër të tjera në parkun e dytë më të madh në kryeqytet, investimet e realizuara në këtë zonë për periudhën 2016-2018 kanë ardhur në rënie nga viti në vit. Në vitin 2016 janë investuar 6.192.656 lekë. Në vitin 2017, kjo shumë zbret në 710.171 lek dhe për vitin 2018 në 209,160 lek.

Në një park normal, pushteti vendor do të duhej të merrte në pronësi truallin duke kompensuar pronarët, për ta kthyer atë në fusha sportive dhe hapësira rekreacionale. Por në Parkun e Farkës nuk ka asnjë terren sportiv dhe shëtitorja buzë liqenit ndërpritet në hyrjen e një kompleksi rezidencial vilash të lënë përgjysmë që nga viti 2015, duke vazhduar në formën e një shtegu të pashtruar që sërish kalon krah një toke të rrethuar për ndërtim.  

Liqeni i Farkës plotëson vetëm katër nga 10 kriteret për tu klasifikuar si park qyteti. Aty mungojnë korsitë e biçikletave, burimet e ujit të pijshëm, përshtatje të terrenit për aktivitete rekreacionale si piknik apo fusha sportive, ndërkohë që shtigjet që duhej të lidhnin parkun ndërpriten.  

Liqeni i Kasharit: “Parku që mbeti në letër”

 

“Në fund të këtij mandati Tirana rrethuar me 4 parqe publike – Liqeni i Tiranës, Kasharit, Farkës e Vaqarrit!” deklaronte kryetari i bashkisë Erion Veliaj në prill të vitit 2016.

Në fotografitë shoqëruese të këtij postimi paraqitet një projekt në 3D i parkut që do të lidhte dy liqenet me korsi biçikletash, trampolina për larjen në rezervuar dhe fusha sportive. Sipas Veliajt dhe Administratorit të zonës së Kasharit, ky investim do të niste rreth dy muaj pas vizitës së tyre në prill 2016.

Projekti i liqenit të Kasharit

Image 1 of 4

Ekzaktësisht 3 vjet më pas, në prill 2019, Kryebashkiaku u rikthye në liqenin e Farkës me të njëjtin premtim: “Jam i bindur se mandatin e dytë do të jetë padyshim një nga parqet e reja, me korsitë dhe me të gjithë shërbimet e tjera, vërtet për t’u pasur zili, dhe për të rritur standardin” deklaroi Veliaj.

Situata sot në rezervuarin e Kasharit është shumë e ndryshme nga ajo që u premtua e vazhdon të premtohet. Për të hyrë me makinë, duhet kaluar në një rrugë të rrezikshme e të paasfaltuar. Ndërsa këmbësorët, duhet të kalojnë traun e parkimit të një lokali privat, për të shkuar në parkun që gjithsej ka pesë stola dhe 4 mjete force të vendosura që në kohën kur Kashari ishte komunë më vete. 

Të dhënat e siguruara nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit tregojnë se Bashkia e Tiranës ka investuar vetëm 576 mijë lekë në Parkun e Kasharit gjatë tre viteve të fundit. Ndërkohë kjo hapësirë plotëson vetëm dy nga 10 kriteret për tu quajtur park. Nuk ka një rrugë me trotuarë apo korsi biçiklete që e lidh parkun me rrugën kryesore, mungon çdo tabelë orientuese, nuk ka burim uji të pijshëm e as ambiente të përshtatura për aktivitete sportive, piknik apo ecje.  

Liqeni i Vaqarrit: Vetëm 100 mijë lekë investime për “Parkun e dytë të Tiranës”

Në gusht të vitit 2015, pak ditë pas marrjes së detyrës, Kryebashkiaku Veliaj vizitoi parkun e Vaqarrit: “Më vjen mirë që ky park i ri do të jetë në dispozicion në një kohë të shkurtër”, deklaronte Veliaj duke e shpallur zonën park të Bashkisë së Tiranës, me premtimin për ta kthyer atë si Liqeni Artificial i Tiranës.

24 vjet laj-thaj veç Parku i Liqenit. Se shpejti Parku i ri Vaqarr 1km nga Kombinati “, deklaronte Veliaj në 2015. Ndërkohë Parku i Vaqarit ka marrë 0 lekë investime në 2016, 6.000 lekë në vitin 2017 dhe 108,720 lekë në 2018.

Investimet janë inekzistente në Parkun e Vaqarrit, vetëm 114,720 lekë në tre vite. Vëzhgimi i realizuar nga Citizens Channel tregon se kjo hapësirë nuk plotëson asnjë nga kriteret për të qenë park. E vetmja mënyrë për ta gjetur ku ndodhet është të pyesësh banorët, pasi jo vetëm që nuk ka asnjë tabelë orientuese, por nuk gjendet as në hartë. Parku është krejtësisht i pa aksesueshëm në këmbë, pasi  për të shkuar aty duhet ecur një kilometër në një rrugë pa trotuare.

Edhe aksesi me automjet është një sfidë më vetë, pasi në gjithë rrugën dhe zonën rreth hyrjes së improvizuar të parkut (një shteg i paasfaltuar), nuk ka asnjë hapësirë parkimi. Për të arritur tek shtegu i hyrjes tek liqeni duhet ecur për rreth 15 minuta, por sërish veç mbetjeve të shpërndara kudo, nuk gjendet asnjë shenjë investimi.

Në park mungon rregullimi i terrenit, shtigjet, stolat dhe ccdo element tjetër

Image 1 of 8

Koshat e plehrave mungojnë krejtësisht, nuk ka asnjë stol, asnjë shteg për ecje dhe asnjë rregullim apo përshtatje e terrenit dhe bimësisë nuk është realizuar.

Parku i Liqenit:

Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës (PMLAT) është aktualisht e vetmja hapësirë e gjelbër në Tiranë që ka kriteret për tu quajtur park qyteti. Aty nuk mungojnë as stolat, fushat sportive, shtigjet për vrapim, ecje dhe korsi biçikletash. PMLAT gjithsesi ka vazhduar të marrë pjesën e luanit në buxhetin e APR për parqet (37.5 milionë lekë), duke marrë 5 herë më shumë investime se të gjithë parqet e tjera të marra së bashku.

Edhe liqeni  artificial nuk i ka shpëtuar problemeve të shumta që kanë ngritur shqetësim mes qytetarëve. “Ka pasur kafshime të herë pas hershme, të pjesëve të ndryshme të parkut. Ndërtimet e fundit që janë miratuar tek diga, poshtë digës së  liqenit, dhe ndërtime të tjera që kanë nisur në krahun lindor të parkut pra në pjesën ku parku takohet me rrugën e Elbasanit”, thotë për Citizens Channel aktivisti Pano Soko.

Tjetërsimi i një pjese të Parkut në bllok pallatesh

Kompleksi “Park Gate” i ngritur në një zonë që dikur ishte pjesë e parkut, ndërtimet e shumë debatuara tek diga e liqenit artificial, betonizimi i rrugës Faik Konica me 9 ndërtime të reja, janë vetëm disa nga cenimet që i janë bërë parkut të liqenit.

Askush nuk e di që parku i liqenit artificial i Tiranës, nuk ka asnjë status ligjor. Për të gjithë njerëzit që thonë park, dikush park natyror, dikush park etj, etj, por ligjërisht nuk figuron në asnjë inventar të zonave të mbrojtura të Shqipërisë“, tregon ambientalisti Abdulla Diku. Tirana e vitit 2019, ku jetojnë rreth 1 milion persona, në deklaratat e zyrtarëve ka pesë parqe të mëdha, por në realitet ka vetëm një park, totalisht të pambrojtur në aspektin ligjor, që po “kafshohet” nga të gjitha anët, duke humbur betejën me kullat shumëkatëshe.

*Citizens Channel

 

“Numra privatë për shërbime publike” – Kaosi me sistemin e ankesave për autobusët në Tiranë

*Erisa Kryeziu | Citizens Channel

Foto: Autobusi i Unazës në një ditë të zakonshme në Tiranë | Fjori Sinoruka | Citizens Channel

Mijëra qytetarë përdorin çdo ditë transportin publik në Tiranë. Lëvizja e përditshme është një sfidë mes pritjeve të gjata në stacion për shkak të orareve që nuk respektohen, kaosit që vjen nga mungesa e informacionit dhe mungesës së kushteve bazike.

Situata mbeti e njëjtë edhe pas vitit 2017, kur qytetarët u detyruan të paguajnë 10 lekë më shumë për biletën. Në këtë kohë Bashkia e Tiranës premtoi një transformim rrënjësor të rrjetit të transportit publik, vendosi 10 kushte për kompanitë dhe ngriti mekanizma raportimi nga qytetarët dhe “kërcënoi” kompanitë me heqje të licencave.

Një vëzhgim 3 javor i Citizens Channel në linjat kryesore të transportit publik në Tiranë tregon se shumë pak ka ndryshuar. Qytetarët thuajse njëzëri tregojnë se ankesat për kushtet janë të njëjtat, por shumë pak kanë informacion mbi ku t’i adresojnë këto ankesa.

“Është e vetmja mënyrë se si qytetarët të na ndihmojnë që të disiplinojmë e të bëjmë zap të gjitha linjat e autobusëve në Tiranë”, deklaronte Veliaj në shkurt 2017, kohë kur u vendos në dispozicion numri falas 0800 0888, për monitorimin e 10 kushteve vendosur operatorëve të transportit urban nga vetë qytetarët.

Nga vëzhgimi në terren rezulton se ky numër afishohet vetëm në deklaratat e zyrtarëve të bashkisë, pasi nuk gjendet në brendësi të autobusëve. Në katër linjat e vëzhguara u konstatuan katër numra të ndryshëm për ankesa, që menaxhohen nga vetë kompanitë që operojnë shërbimin.

Linja Kombinat – Kinostudio


Kompania Shega Trans ka afishuar në brendësi të autobusëve një numër celular, krah një tabele që i kërkon qytetarëve të denoncojnë abuzimet e punonjësve në autobus. Citizens Channel kontaktoi me këtë numër, duke mësuar se është një funksion i brendshëm i kompanisë, dhe nuk ka lidhje me numrin 0800 0888 nga Bashkia e Tiranës që mungon në këta autobusë.

Tirana e Re – “Numri që ju kërkoni nuk ekziston”

“Është e mbingarkuar. Duhet të presësh tre autobuza që të hipësh. Vetëm me Tiranën e Re ndodh kjo”, tregon një zonjë që përdor çdo mëngjes autobusin për të shkuar në punë.

Për t’iu përgjigjur ankesave, linja e Tiranës së Re ka të afishuar një tjetër numër 0800 3399. Citizens Channel provoi të kontaktonte me të, duke konstatuar se numri nuk ekziston apo është jashtë shërbimit.

Kashar – Yzberisht – Qendër


“Udhëzojmë të gjithë udhëtarët në rast pakënaqësie, pyetje, kërkese apo informacioni të nevojshëm rreth linjave apo Shoqërisë Gerard – A sh.p.k. të telefonojnë në numrin 067 2010050”, shkruhet në njoftimin e afishuar në brendësi të autobusëve të linjës Kashar- Yzberisht – Qendër.

Nga komunikimi mësuam se numri i përket vetë shoqërisë që menaxhon këtë linjë e cila ndjek raportimet dhe nuk ka informacion nëse ka apo jo një detyrim për të afishuar numrin falas të vënë në dispozicion nga bashkia për raportimet e qytetarëve. Vëzhgimi në terren tregon se ky numër nuk gjendet as në këta autobusë.

Linja e Unazës

Edhe në linjën e Unazës, një ndër më të frekuentuarat në qytet, gjendet i afishuar një numër privat dhe adresa e postës elektronike të kompanisë FERLUT SH.A, e cila administron këtë shërbim, por vihet re mungesa e numrit 0800 0888.

Si funksionon mekanizmi i raportimit?

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit (AMK) e Bashkisë së Tiranës është institucioni përgjegjës për monitorimin e cilësisë së transportit urban, që ka edhe të drejtën të gjobisë kompanitë për shkelje. Vetë numri i AMK nuk gjendet i afishuar në autobusë dhe gjasat që kompanitë t’i vetë ofrojnë institucionit gjobitës ankesat që marrin, janë të vogla.

Citizens Channel mësoi përmes një kërkese për informacion se AMK nuk ka informacion as për ankesat që vijnë në numrin e Bashkisë 0800 0888. “Numri i ankesave për transportin publik, dërguar nga qytetarët e Tiranës në numrin 0800 0888, nuk disponohet nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, pasi ky numër nuk menaxhohet nga ne si institucion”, thuhet në përgjigjen e AMK.

Megjithatë, AMK sqaron se në katër muajt e fundit (Janar – Prill 2019) janë marrë 127 ankesa përmes aplikacionit “Tirana Ime”, faqes së Facebook, adresës së e-mailit dhe numrit të telefonit.

AMK sqaron më tej se për këtë periudhë janë vendosur 179 gjoba ndaj kompanive të transportit urban me një vlerë financiare prej 746.000 lekësh.

Një kërkim në faqen zyrtare të Bashkisë Tiranë tregon se numri 0800 0888 nuk është i dedikuar për transportin publik. Ai është vënë në dispozicion nga institucion për pyetje mbi të gjitha çështjet që lidhen me qytetin, çka mund ta bëjë të vështirë adresimin e problemeve specifike të transportit publik.

16 linja… një stacion

Në dy vendqëndrimet e autobusëve të vendosur në unazën e vogël të Tiranës, , kalojnë 14 linja autobusësh nga 15 të tilla që operojnë në qytetin e Tiranës. Autobusët duhet t’i ndajnë dy vendqëndrimet edhe me linja ndërqytetëse.

Sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak, mos respektimi i vendqëndrimit ndëshkohet me 5.000 lekë për çdo konstatim, por mungesa e hapësirës bën që në orët e pikut dhjetëra autobusë të çdo ditë të ndalojnë jashtë stacioneve.

Ajo që vihet re është se në stacionet më të ngarkuara në Tiranë, hapësira për qëndrimin e autobusëve është shënjuar me sinjalistikë horizontale duke ndërprerë një nga korsitë e automjeteve. Mungesa e një xhepi të dedikuar për autobusët në një nga rrugët më të frekuentuara në Tiranë dhe qëndrimi i numrit të lartë të autobusëve përtej hapësirës së vijëzuar krijon probleme të shumta me trafikun.

Edhe vetë shoferët e autobusëve ankohen se vonesat vijnë për shkak të trafikut të krijuar: “Një rrotullim i plotë i autobusit të Tiranës së Re shkon 45 minuta. Varet nga trafiku. Lëviz një minutë, një minutë vonohet autobusi i parë, vonohemi edhe ne pas…” shprehet një nga shoferët e linjës së Tiranës së Re.

Lexo edhe:

Pas vitesh premtime, askush nuk di t’i përgjigjet pyetjes “Kur do vijë autobusi?”

Cilat janë linjat më problematike në Tiranë?

Prej vitit 2016 Bashkia e Tiranës ka lidhur kontrata të reja me operatorët e transportit publik, duke përfshirë një sistem me 300 pikë, që zbriten në bazë të shkeljeve që shoqërohen me gjoba. Citizens Channel ka siguruar numrin e pikëve që iu janë zbritur operatorëve për vitin 2018, ku vihet re se linja “Ish Kombinati i Autotraktorëve – Qendër” është ajo që ka më shumë shkelje me 110 pikë të zbritura ndërsa linjat më “korrekte” me vetëm 10 pikë zbritje janë ato të Saukut, Maternitetit të Ri dhe Porcelanit.

 

Pas vitesh premtime, askush nuk di t’i përgjigjet pyetjes “Kur do vijë autobusi?”

*Autobusi i linjës së Kasharit ndalon në një hapësirë ku mungon çdo lloj sinjalistike Foto: Lorin Kadiu | Citizens Channel

Një ndër premtimet e përsëritura mbi transportin publik në Tiranë është instalimi i një sistemi që duhet të monitorojë në kohë reale vendndodhjen dhe shpejtësinë e autobusëve përmes teknologjisë GPS.

Bashkia e Tiranës prej dy vitesh deklaron sa ka përfunduar instalimin e këtyre pajisjeve në secilin prej 16 linjave të autobusëve, “ky informacion nuk duhet të jetë monopol i Bashkisë…duhet ta dijë çdo qytetar i Tiranës dhe shumë shpejt do të bëjmë integrimin në aplikacionin Tirana ime dhe tabelë elektronike në çdo stacion autobusi”, deklaronte Erion Veliaj në Shkurt të vitit 2017.

Citizens Channel mori në shqyrtim secilën nga iniciativat publike apo private për monitorimin e autobusëve, duke dalë në përfundimin se asnjë nuk funksionon.

  • Aplikacioni “Tirana Ime” tregon vetëm vendndodhjen e stacioneve të autobusëve

Aplikacioni “Tirana Ime” u krijua në vitin 2016 nga bashkëpunimi i Bashkisë Tiranë me një kompani private telekomunikacioni, si një mjet që ndër të tjera do të ndante informacione mbi trafikun dhe transportin urban. Kategoria dedikuar transportit publik në këtë aplikacion tregon vetëm ku ndodhen stacionet për 14 nga 16 linjat e autobusëve të qytetit. Nuk ka asnjë shenjë të sistemit GPS, madje mungon dhe frekuenca dhe orari i autobusëve.

Duket se të dhënat mbi transportin publik në këtë aplikacion nuk janë përditësuar që prej vitit 2016. Aty mungon informacioni mbi dy linjat e reja, Selitë-Kristal-Qendër-St.Trenit-Allias dhe Sauk-Kopshti Zoologjik- Ish St.Trenit dhe nuk përfshihen zgjatimet dhe ndryshimet e bëra në linjat ekzistuese.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

  • Aplikacioni “Tirana Public Transport” – ka ndaluar së funksionuari

Aplikacioni “Tirana Public Transport” i prezantuar nga një kompani private në shtator të vitit 2018, paraqiste në kohë reale vendndodhjen dhe kohën e pritjes për pjesën më të madhe të linjave të autobusëve. Ky shërbim nuk funksionon më, duke e reduktuar informacionin vetëm tek linjat dhe stacionet, njëlloj si tek aplikacioni “Tirana Ime”. Citizens Channel mësoi se ky aplikacion ka funksionuar për një periudhë prej 8 muajsh dhe kontaktoi me kompaninë Inovacion Shpk. për të komentuar ndalimin e këtij shërbimi, por nuk mori një përgjigje deri në momëntin e publikimit të këtij shkrimi.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

  • Oraret nuk afishohen as në letër

 Afishimi i orareve të fillimit dhe mbarimit të shërbimit, është një ndër detyrimet që kompanitë private duhet si pjesë e marrëveshjes dhe kontratave të reja që erdhën pas rritjes me 33% të çmimit të biletës në vitin fillim të vitit 2016.
“Kompanitë do të vendosin në mjediset e jashtme të transportit, informacionet për oraret, itineraret dhe frekuencën e lëvizjes si dhe duhet të pajisin mjediset e brendshme të mjeteve me informacione për oraret, itineraret dhe frekuencën e lëvizjeve”,
ishte një ndër 10 kushtet që Bashkia e Tiranës i vendosi operatorëve.

Gjatë vëzhgimit në terren të mbi 20 stacioneve të urbanëve, Citizens Channel nuk gjeti të afishuar informacione mbi orarin, frekuencën apo emrin e linjës në asnjë formë. Duket se ky kusht, pjesë e 10 pikave ka mbetur në letër, sepse nuk është shoqëruar me një Vendim të Këshillit Bashkiak (VKB) apo urdhër që i detyron kompanitë ta zbatojnë. VKB i fundit mbi ku listohet vlera e gjobave për secilën shkelje daton në vitin 2010, dhe asnjë nga 30 shkeljet nuk ka të bëjë me afishimin e orareve.

Premtimi tjetër lidhur me tabelat elektronike të autobusëve, dukshëm nuk është afër zbatimit, as në stacionet që janë rinovuar rishtazi, duke shtuar “kioska” që shesin produkte tregtare.

Foto: Stacionet e reja të autobusëve në Tiranë nuk kanë orare të afishuara

Madje, në linjën Yzberisht – Kashar – Qendër, u vu re edhe mungesa e stacioneve dhe tabelave që tregojnë se ka një ndalesë autobuzi.

 

 

 

 

Foto: Në rrugën 3 Dëshmorët mungojnë tabelat çdo sinjalistikë që tregon stacionin e autobusit

 “Kam rreth 3 muaj që jetoj në këtë lagje dhe më duhet ta përdor këtë autobusin nga dy herë në ditë për në shkollë. Në fillim nuk e dija as ku ishin stacionet, shikoja ku kishte njerëz që prisnin dhe qëndroja dhe unë. Tani i kam mësuar, prapë autobusi vjen rrallë, cdo gjysmë trecerek ore ose më shumë“, tregon Alvijo.

Edhe pse prej tre vitesh qytetarët paguajnë 33% më shumë para për transportin publik situata mbetet kaotike. Në stacione nuk ka asnjë informacion rreth orarit të autobusëve, emrit të linjave në secilin stacion, frekuencës dhe destinacionit.

*Citizens Channel

Çmimet e kripura të “Air Albania”, kompania që marketohet nën logon e “Turkish Airlines”

“Rrojnë gjatë gjithë vitit në emigracion, me dëshirën që t’i kalojnë pushimet në Shqipëri dhe pastaj detyrohen të paguajnë bileta që të heqin mendjen e kokës. Air Albania është një nga instrumentet për t’u çliruar nga kjo trashëgimi duke ofruar udhëtime me një shërbim dinjitoz dhe me çmime shumë konkurruese“, shprehej Kryeministri Edi Rama në 14 shtator të vitit të kaluar kur bëri prezantimin e kompanisë së parë shqiptare të fluturimeve Air Albania.

Qeveria dhe Autoriteti i Aviacionit Civil premtuan se futja në treg e Air Albania do të shërbente si mekanizëm për uljen e çmimit të biletave për shqiptarët, të cilët prej vitesh përballen me çmime të kripura, për shkak të monopolit shumë vjeçar në këtë sektor.

“Ne kemi kërkuar që për të ulur çmimet e biletave të vetë furnizohemi me lëndë të parë. Kjo do të thotë se do të ndërtojmë një ndërmarrje paralele, që të na ofrohet i njëjti shërbim dhe cilësi. Kjo është një praktikë që e kanë edhe kompanitë e tjera, për shembull kompania jonë mbështetëse “Turkish Airlines”, shprehej kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil Sinan Idrizi në gusht të vitit të kaluar për benefitet e futjes në treg të Air Albania.

Citizens Channel nëpërmjet një kërkimi të thjeshtë në web zbuloi se këto deklarata qëndrojnë shumë larg realitetit. Kompania ajrore flamurmbajtëse e Shqipërisë, e njohur si “Air Albania” jo vetëm që nuk ofron çmime të ulëta në raport me operatorët që operojnë të njëjtat destinacione, por kushton edhe më shtrenjtë se udhëtimet tranzit.

Sa kushtojnë konkretisht biletat e “Air Albania”?

Një biletë për Stamboll me nisje në datën 2 maj dhe kthim në 9 maj me Air Albania, kushton 348.5 Euro në faqen zyrtare, nëse rezervohet ditën e sotme, 23 Prill 2019.

Ndërkohë i njëjti shërbim në të njëjtat data dhe të njëjtën sasi valixhesh që ofrohet nga Air Albania. kushton vetëm 171.7 euro me kopmaninë ajore “low cost” Pegasus, që operon të njëjtat fluturime nga Aeroporti i Rinasit.

Nëse zgjidhet opsioni për të marrë vetëm një valixhe dore, bileta kushton akoma më lirë (152 euro), mundësi që operatori shqiptar nuk ta ofron.

Duhet theksuar që i vetmi ndryshim në këtë rast është se dy kompanitë operojnë në aeroporte të ndryshme të qytetit të Stambollit.
Ajo që bie në sy është se dy bileta për në Stamboll me “Air Albania”, kushtojnë edhe më shumë se fluturimi tranzit përmes Romës (192 Euro), që nënkupton blerjen dhe taksat për 4 bileta avioni.

Çfarë është Air Albania dhe si operon ajo?

 Air Albania edhe pse u prezantua me shumë pompozitet si kompania e parë shqiptare e fluturimeve, në motorët më të përdorur të kërkimit për biletat e udhëtimit, shfaqet nën logon e kompanisë turke “Turkish Airlines”, më një shënim në fund që tregon se fluturimet operohen nga Air Albania.

Kjo për shkak se kompania turke funksionon si “Air Albania” përmes asaj që quhet “codesharing”, një marrëveshje marketingu që i lejon një kompanie ajrore të shesë apo marketojë biletat e një fluturimi që operohet nga një kompani ajrore tjetër. Këto marrëveshje në pjesën më të madhe të rasteve lidhen për destinacione që kompanitë nuk i mbulojnë dhe nënkuptojnë ndarje të ardhurash midis dy palëve.

“Codesharing” shpesh cilësohet si fitimprurëse për kompanitë e mëdha, por ka një debat që argumenton se kjo metodë “duhet të vdesë” pasi krijon konfuzion dhe ngatërresa për pasagjerët, që shumë rrallë janë të vetëdijshëm për çka që marrin.

Air Albania u themelua në 12 shtator të vitit të kaluar sipas të dhënave zyrtare në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe ka ortakë të tjerë ALBCONTROL me 10% të aksioneve, “MDN INVESTMENT” me 41% të aksioneve dhe kompania turke “TURK HAVA YOLLARI A.O” me 49% të aksioneve.

Udhëtimet e para të formatit “promo” kjo kompani i ka kryer me: studentë të ekselencës, gazetarë, persona në nevojë dhe pensionistë. Veprimtaria e saj u pasua nga një pauzë disa mujore, që përfundoi me fillimin e fluturimeve Tiranë – Stamboll  dhe rifilloi të funksionojë sërish, por çmimet që ofron nuk janë as konkurruese dhe nuk po shërbejnë as si instrument stabilizues në treg.

 

Bulqiza ka një problem të vjetër me mbetjet, që “nuk ka ndërmend” ta zgjidhë

Problemi i menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri këto 4 viteve të fundit ka kaluar nën përgjegjësinë e pushtetit vendor, si pasojë e reformës administrativo – territoriale. Një nga funksionet që u delegua nga pushteti qendror në atë vendor ishte edhe menaxhimi i mbetjeve urbane.

Problemet janë të dukshme në qytetet e mëdha që prodhojnë sasinë më të madhe të mbetjeve, si Tirana  apo Durrësi; të cilat shpeshherë kanë ngjallur polemika dhe debate, sidomos për mënyrën se si problemi po menaxhohet.

Tirana, bazuar në numrin e popullsisë, ka më shumë mbetje urbane. Instituti i Statistikave tregon se për vitin 2017 rezulton të jenë menaxhuar 1.2 milion tonë mbetje dhe 386 kg për banor. Strategjia që u synua të implementohej në Tiranë që kishte të bënte me diferencimin e mbetjeve në burim, dështoi duke sjellë dëme mjedisore por edhe ekonomike për kompanitë e riciklimit në vend.

Por, edhe qyteti i Durrësit “ngre duart lart” përballë një fenomeni të tillë ( si në rastin e Porto – Romano).  Mbetjet urbane në qytetin e Durrësit grumbullohen në Porto – Romano duke u kthyer në një rrezik serioz për banorët e këtij qyteti.

Edhe qytet të vogla kanë pothuajse të njëjtat probleme. Bulziqa është një qytet në qarkun e Dibrës me 31,210 banorë dhe deri tani  nuk ka as diferencim të mbetjeve në burim dhe as një plan konkret për ta arritur këtë.

Situata e menaxhimit të mbetjeve në Bulqizë

Nga një vëzhgim i realizuar më parë nga Citizens Channel, u konstatua se në Bashkinë Bulqizë situata ishte shumë e rëndë për sa i përkiste vend depozitimit të mbetjeve. Prej shumë vitesh mbetjet urbane dhe inertet hidheshin në vendin e quajtur Qafa e Buallit, i cili është rreth tre kilometra larg qytetit.

Citizens Channel kontaktoi sërish me Bashkinë Bulqizë për të mësuar nëse ka një iniciativë për të përmirësuar gjendjen dhe për tu njohur me planin afatgjatë që ka Bulqiza në lidhje me këtë problematikë.

“Aktualisht nuk ka diferencim të mbetjeve, por duke qenë se është një problematikë e evidentuar, në hartimin e planit për mbetjet do të përfshihet edhe diferencimi i tyre dhe më pas do të implementohen taktikat e zbatimit”, iu përgjigj Bashkia Bulqizë kërkesës zyrtare për informacion.

Edhe sot, Bashkia pranon se nuk ka ende një plan të miratuar, megjithëse ekziston një Vendim i Këshillit të Ministrave që detyron njësitë e qeverisjes vendore të fillojnë diferencimin e mbetjeve në burim që në fillim të vitit 2016.

Një problematikë tjetër e evidentuar është edhe vendgrumbullimi i këtyre mbetjeve.

“Ndotje ka në Bulqizë sepse plehrat nuk groposen, hidhen atje si pa të keq (Qafa e Buallit); fryn era dhe ato shpërndahen kudo. Edhe këtu në qytet kemi kanalin, ky kanal nuk është pastruar dhe hidhen të gjitha ujërat e zeza nga të dy krahët dhe nuk ka filtrim. Duhet të ketë filtrim sepse gjatë verës sjell ndotje, sidomos nga era. Ne kemi fëmijët e vegjël dhe është frikë për fëmijët,”  thotë Almir Ndreu i cili është qytetar  Bulqizës për Citizens Channel.

Edhe Bashkia Bulqizë e pranoi se vendgrumbullimi i mbetjeve është vendi i quajtur Qafa e Buallit, por e pyetur nga Citizens Channel për metodën e asgjësimit të mbetjeve, u përgjigj se ai kryhet nëpërmjet groposjes në dhe.

Video: Situata në vend depozitimin e mbetjeve në Bulqizë

 

Plehrat mbeten rrugëve në rrethinat e Bulqizës

Citizens Channel realizoi një vëzhgim në terren në disa rrethina të qytetit të Bulqizës, duke konstatuar se kudo situata e mbetjeve rezulton të jetë alarmante. Mbetjet hidhen në mënyrë të pakujdeshme në rrugë dhe koshat e plehrave janë pothuajse jofunksionalë.

Mbetje në Vajkal

Edhe në Martanesh situata paraqitet e njëjtë.

Mbetje në Martanesh

Dhe në zonën e Ostrenit mbetjet hidhen në mënyrë të pakontrrolluar në rrugë.

Mbetje në Ostren

Situata brenda qytetit

Së fundmi Citizens Channel kryeu një vëzhgim në brendësi të qytetit për të parë se si trajtohen mbetjet. Ajo që u konstatua ishte se pavarësisht prezencës së koshave, plehërat ishin përhapur në një pjesë të madhe të qyteitit.

Këtë situatë e gjetën problematike edhe banorët e qytetit të cilët u shprehën se problemi i mbetjeve është konstant prej kohësh, por ka edhe një problematikë tjetër që lidhet me mungesën e fushatave të ndërgjegjësimit për mbrotjen apo ruajtjen e mjedisit nga ndotja, adresuar qytetarëve të Bulqizës.

“Në përgjithësi shumë i kënaqur nuk jam, por mendoj që një rol shumë të rëndësishëm ka sensibilizimi i njerëzve. Nëse ne nuk do të arrijmë të sensibilizojmë njerëzit, t’i ndërgjegjësojmë, nuk ka Bashki ta përballojë. Duhet të jenë më të përgjegjshëm edhe drejtuesit, ata që mbulojnë këtë dikaster duhet të jenë më kërkues; do të thotë të pastrosh helmin e organizmit të qytetit tënd”, u shpreh Arben Alliu për Citizens Channel.

Mendim të ngjashëm kanë edhe banorë të tjerë të cilët theksojnë ndër të tjera se keqmenaxhimi i mbetjeve sjell pasoja dhe probleme të rënda tek njerëzit.

“Ky keqmenaxhim sjell pasoja të rënda dhe serioze në qytet pasi nga mbetjet shfaqen shumë sëmundje (mund të pyesësh tek spitali sa shumë njerëz kanë probleme shëndetësore që lidhen me mbetjet), po ashtu mbetjet degradojnë dhe prishet cilësia e tokës pasi ato treten në të dhe më pas ato kalojnë tek bimët dhe tek njeriu. Po ashtu mbetjet ndikojnë në cilësinë e ujrave sepse kur hyjnë në ujë, krijojnë dëmtime tek njeriu, kafshët dhe bimët”, tha Egla Alliu banore e Bulqizës për Citizens Channel.

Zjarrëfikësit duke shuar mbetjet e djegura në Bulqizë

*Citizens Channel

 

 

 

 

Parkimi në Tiranë: çdo minutë, dy gjoba

* Ky artikull është botuar më parë nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore

Investigimi zbulon se gjatë vitit 2018 numri i gjobave të marra për shkak të parkimit të gabuar në Bashkinë e Tiranës shkoi në 74,191 nga vetëm 32, 342 që ishte një vit më parë. Vlera e përfituar si pasojë e arkëtimit të gjobave u përllogarit të ishte 1.8 milionë euro.

| Gazetar Geri Emiri | Redaktor Lutfi Dervishi |

Nëse jeton apo ke punë në qendër të Tiranës, një nga problemet me të cilat do të duhet të përballesh është parkimi.

Tarifat e vendosura (100 lekë/ora) për parkimin synuan të shkurajojnë lëvizjen me makinë veçanërisht në qendër të kryeqytetit.

Por, nëse je emigrant, i huaj, vizitor nga Kosova apo nuk ke celular (kredite), atëherë parkimi kthehet në makth, sepse nga muaji shtator 2018 parkimi në rrugët e Tiranës paguhet vetëm duke dërguar një sms me targën e automjetit dhe zonën e parkimit.

Kur Tirana Parking nisi shërbimin në rrugët me parkim me pagesë, mund të paguaje duke marrë biletë tek “inspektorët e parkimit” që i gjeje buzë rrugës ose duke dërguar një sms me targën e automjetit, zonën dhe sa orë do qëndroje.

Tirana Parking u krijua si agjenci në varësi të Bashkisë së Tiranës dhe nisi të operonte në vitin 2016 me objekt administrimin e shërbimit të parkimit publik me pagesë në Bashkinё e Tiranёs, mbi tokё dhe nëntokë.

Qendra për Gazetari Cilësore konstatoi ankesa nga ana e qytetarëve, të cilat njihen edhe nga autoritetet lokale.

Në një shkresë të datës 11 shtator 2018 që Qendra disponon, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa i drejtohet Agjencisë së Prokurimit Publik, konstaton se ka pasur shumë ankesa nga qytetarët mbi metodën e pagesës me sms, pasi një pjesë nuk kanë pasur vlera financiare (kredite), në celular dhe se janë krijuar vështirësi në arkëtimin e tarifave të parkimit, pasi, qytetarët e huaj që nuk disponojnë numër shqiptar, nuk mund të përfitojnë nga ky shërbim.

Bashkia e Tiranës vendosi të diversifikojë mënyrën e pagesës për parkimin në muajin janar.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 31 janar u shtua mënyra e pagesës pranë punonjësve të Tirana Parking ose mënyrat alternative si pajisjet vetëshërbyese. Megjithëse më herët në relacion bashkia shkruan se synonte ta shmangte formën e pagesës me inspektor për të shmangur abuzimet.

Një shoqëri që aktualisht operon në tregun vendas në fushën e shërbimit të pagesave (ku aktualisht kryen pagesa për telefoni, OSHEE, UKT etj.) duke përdorur pajisje elektronike, “ka shprehur interesin për ofrimin e këtij shërbimi alternativ pagese”, – shkruhet në shkresën që Veliaj i drejton Agjencisë së Prokurimit Publik.

Pajisjet vetëshërbyese janë shfaqur muaj më parë në rrugën Myslym Shyri dhe Ibrahim Rugova nën tabelat e parkimit me mbishkrimin “Mund të paguash edhe këtu”. Pajisjet e një kompanie private qëndrojnë aty, teksa nuk e ofrojnë ende shërbimin e pagimit të parkimit.

Opozita në Këshillin Bashkiak ka kërkuar që Tirana Parking t’i blejë vetë pajisjet dhe të ofrojë shërbimin e pagesës me pará në dorë duke shmangur “koncesionin”, siç e cilësuan këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku u miratua forma e re e parkimit me votat e shumicës që e cilësuan si shtim të mënyrave të pagesës.

Të ardhurat nga gjobat konkurrojnë parkimet

Të gjitha rrugët, 69 të tilla, që ka në administrim Tirana Parking, janë kthyer në “minierë” për kompaninë.

Të dhënat e marra zyrtarisht nga Policia Bashkiake e Tiranës tregojnë se nga viti 2017 në vitin 2018 ka një dyfishim të gjobave që vendosen lidhur me parkimin. Duke llogaritur numrin e gjobave për vitin 2018, rezulton se janë vendosur 2 gjoba çdo 1 minutë.

Në rast se një qytetar parkon në vendet me pagesë dhe nuk paguan biletën apo e tejkalon afatin e parkimit, ai gjobitet. Policia Bashkiake e Tiranës e ushtron këtë kompetencë bazuar në Kodin Rrugor (neni 155), “Ndalimi, qëndrimi dhe pushimi i mjeteve”.

Gjobat po rriten në mënyrë galopante. Nëse në vitin 2017 kishim 32,342 gjoba, në vitin 2018 gjobat janë dyfishuar duke shkuar në 74,191, bazuar në të dhënat zyrtare që morëm nga Policia Bashkiake. Duke llogaritur numrin e gjobave për vitin 2018 dhe po t’i pjesëtojmë me 264 ditë pune (kur funksionon parkimi me pagesë nga e hëna në të premte), rezulton se janë vendosur 281 gjoba në ditë ose rreth 2 gjoba për çdo 1 minutë.

Të ardhurat që bashkia mbledh nga gjobat janë më të mëdha se të ardhurat që mblidhen nga të gjitha parkimet, në rrugë, në sheshe dhe në ato nëntokësore. Nëse marrim mesatarisht një gjobë në zonën A me vlerë 3000 lekë dhe ku gjenden 39 rrugë, për vitin 2018 llogariten 222 milionë lekë ose 1.8 milionë euro të arkëtuara nga gjobat, ndërsa vlera e mbledhur nga të gjitha parkimet për vitin 2018 është rreth 270 milionë lekë ose 2.1 milionë euro.

Gjobat janë kthyer në shqetësim edhe për bizneset.

“Klientët blejnë një palë këpucë 4000 lekë dhe marrin një gjobë prej 3000 mijë lekësh, kështu që nuk iu shkon më në mendje të vijnë tek unë, prandaj edhe largohen dhe po na bie biznesi”, – thotë e shqetësuar Aurora Shehaj që menaxhon një butik në rrugën Myslym Shyri.

Në rrugët me pagesë në kryeqytetet e Europës apo siç funksionon në aeroportin Nënë Tereza, ka një tolerancë për parkimin pa pagesë nga 4-7 minuta.

“Ka shumë ankesa, ku Policia Bashkiake nuk ka si qëllim monitorimin, por është në pritje edhe të një minute vonesë, që ti të mund të marrësh gjobë. Vendosja e gjobave pra është kthyer në një qëllim për Policinë Bashkiake”, – tregon Edi Fero për shqetësimet që qytetarët adresojnë tek ai si drejtues i Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar.

Agjencia Tirana Parking vendosi t`i largojë “inspektorët e parkimit” nga rrugët (në vitin 2018 kishte 115 punonjës), por, numri i policëve bashkiakë që gjobisin edhe për parkim të gabuar, ka ardhur ndjeshëm në rritje, nga 323 efektivë në vitin 2016, në 428 efektivë në vitin 2018.

Parkimi i rezervuar

Duke analizuar burimet e mbledhjes së parave për parkimet në tre vjet, rezulton se të ardhurat më të larta vijnë nga “parkimet me rezervim”. Individët, kompanitë apo shërbimet taksi mund ta rezervojnë vendin përgjatë gjithë vitit ose në pjesë të caktuara të tij duke parkuar vetëm ata.

Kontrata e abonimit për 1 vit (nga e hëna në tё premte), me 12 orë në ditë sipas bashkisë kushton 221,760 lekë në vit. Por, nëse llogarisim të ardhurat që bashkia do mblidhte në ditë nga parkimi me pagesë, ku një orë kushton 100 lekë, në vit do të mblidheshin më shumë pará, pra 316.800 lekë.

“Parkimet me rezervim janë privatizime. Pra, nuk i shërbehet volumit (frekuencës) të përdorimit, por volumit të të ardhurave, pra është e mbrapshtë. Qëllimi i tarifës nuk është vetëm që të gjenerojë të ardhura, por edhe që të përmirësojë parkimin, duke mos i lënë njerëzit të parkojnë gjithë ditën”, – vlerëson Akil Kraja, këshilltar i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Sipas Edi Feros, një nga ankesat e shumta është që shumë pronarë biznesesh kanë zënë nga shtatë apo tetë vende parkimesh përpara biznesit dhe kështu i vështirësojnë mundësinë edhe rezidentit të gjejë parkim qoftë edhe me pagesë.

Të gjitha rrugët me pagesë

Në janar të vitit 2016 Tirana u bë i pari qytet në Shqipëri që nisi tarifimin e rrugëve me pagesë. Me anë të një vendimi të Këshillit Bashkiak u krijua agjencia Tirana Parking, në varësi të Bashkisë së Tiranës, e cila administron sot 3 zona parkimi, A, B dhe C, duke nisur nga 100 lekë për një orë parkimi, e vijuar me 40 dhe 20 lekë.

Tre vite pasi nisi pagesa për parkim në rrugët e Tiranës, agjencia e parkimit ka në administrim 69 rrugë. Në zonën A të parkimit gjenden 39 rrugë, në zonën B, 9 rrugë dhe në pjesën tjetër sipas agjencisë po punohet për pajisjen me sinjalistikë përkatëse. Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak Tiranë, në një rrugë vendet e parkimit ndahen në ato me pagesë, me rezervim, pa pagesë dhe parkimi i dedikuar për personat me aftësi të kufizuara.

Skema funksionon për 5 ditë të javës, nga e hëna në të premte, në orarin 730 me 2000 të mbrëmjes.

Ideja e ligjvënësve lokalë ishte se jo të gjithë hapësirat në rrugë, qofshin këto edhe në qendër, duhet të ishin me pagesë.

Qendra për Gazetari vëzhgoi ndarjen e vendparkimeve me pagesë dhe falas në rrugën Myslym Shyri, ku rezultoi se, sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak për “vendet me pagesë dhe rezervim”, kishte një kuotë 60%, ndërsa në terren gjetëm rreth 76%. Teksa nga 40% që ishte përcaktuar në vendim për kategorinë e “parkimit pa pagesë”, gjetëm rreth 24%.

“Në këtë rast kanë humbur qytetarët! Është e gjitha e paligjshme… nuk mund të rritet numri i parkimeve me pagesë pa pyetur Këshillin Bashkiak”, – thotë këshilltari i opozitës, Akil Kraja.

Edhe në rrugën Ibrahim Rugova janë shtuar mbi normën e përcaktuar vendet e parkimit me pagesë, duke përgjysmuar ato falas. Në vendimin e Këshillit Bashkiak, Bulevardi Zogu I përcaktohet të ketë parkim me pagesë vetëm në anën perëndimore, por Bashkia e Tiranës i ka kthyer të dyja anët e rrugës me pagesë.

Krejt situatë tjetër është në Rrugën e Kavajës, ku vendet e parkimit falas janë mbi normën e përcaktuar, ndërsa në rrugën Luigj Gurakuqi dhe Rrugën e Kosovarëve normat ishin sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak.

Nga vëzhgimi i imtësishëm i Qendrës për Gazetari në dy prej rrugëve kryesore të kryeqytetit, Myslym Shyri dhe Ibrahim Rugova, rezultoi se vendet e parkimit me pagesë dhe rezervim ishin në kuota më të larta se vendimi i marrë nga Këshilli Bashkiak, duke u shtuar në kurriz të vendeve të parkimit falas dhe gati duke e përgjysmuar numrin e tyre.

“Stafi i Tirana Parking kryen verifikime në terren mbi ndryshimin e numrit të vendeve reale dhe më pas në bashkëpunim me Drejtorinë e Transportit dhe Trafikut Rrugor kryhet përpunimi i plansheteve me ndryshimet përkatëse për të miratuar përqindjen e ndryshuar të vendeve të parkimit”, – u përgjigj zyrtarisht Bashkia e Tiranës për Qendrën.

Teksa bashkia u shpreh se studimin e fizibilitetit për rrugët me pagesë e kanë kryer strukturat e saj, ajo nuk iu përgjigj kërkesës sonë për të dhënë studimin e fizibilitetit për secilën rrugë.

Sipas Edi Feros që përfaqëson problemet e konsumatorëve, ndarja e vendeve të parkimit duhej të kishte përfshirë edhe konsultimet me komunitetin sipas “Ligjit për Konsultimin Publik”, por kjo gjë nuk ka ndodhur.

Rruga Myslym Shyri në Tiranë është një rrugë tregtare, ku në të dy anët e saj ushtrojnë aktivitetin e tyre rreth 360 biznese.

Aurora Shehaj, që menaxhon një butik në këtë rrugë, thotë se shteti duhet të ketë një politikë më lehtësuese lidhur me vendparkimet me pagesë.

“Vetëm kur pamë çunat me jelekë, mësuam për parkimin në rrugë me pagesë, pasi nuk kishim asnjë informacion paraprak nga bashkia”, – tha ajo për Qendrën.

“Këtu vendosen gjoba pa masë si pasojë e mosinformimit të njerëzve. Duhen më shumë tabela, pasi edhe vijat janë fshirë dhe njerëzit ecin me idenë se ka punëtorë parkimi. Policia vjen shumë shpejt dhe e gjobit dhe, kur kthehen, gjejnë fletën në xham”, – thotë Aurora Shehaj.

Të parkosh për një orë aty, ku së bashku me 38 rrugë të tjera klasifikohet si zona A e parkimit, kushton 100 lekë. Me vija blu janë shenjuar vendet e parkimit me pagesë, me të verdhë ato me rezervim dhe me të bardha parkimet falas.

Problemi i parkimit në Tiranë nuk është vetëm për bizneset dhe vizitorët, por edhe për vetë banorët, për të cilët çdo ditë e më shumë po bëhet e pamundur për të gjetur vend të lirë për automjetet e tyre.

*Në foton kryesore në fillim të shkrimit, tabela me njoftimin për pagesën e parkimit. Foto: Bashkia Tiranë.

Linku i artikullit origjinal: http://www.qualityjournalism.com.al/2019/03/01/parkimi-ne-tirane-cdo-minute-dy-gjoba/?fbclid=IwAR0EcnCDxCbbIhoArOQP4dsSlV07LNrrCWn71lBGIgqQqtbLCw5fBtptIKg

Buxheti i Ministrisë së Kulturës shkon për paga dhe jo për mbështetjen e artit të pavarur

Autor: Fjori Sinoruka | Lorin Kadiu | Citizens Channel

Citizens Channel ka analizuar peshën e buxhetit që i është akorduar Ministrisë së Kulturës ndër vite në raport me ministritë e tjera. Të dhënat e 10 viteve të fundit tregojnë se Kultura mbetet e pambështetur, duke mbajtur gjithmonë vendet e fundit.  Arti dhe Kultura janë komponentë shumë të rëndësishëm në evoluimin dhe përmirësimin e një shoqërie dhe shpehherë konsiderohen si elementë matës për përparimin e saj. Por si është investuar në këtë sektor në Shqipëri? Artikulli përmban një analizë të detajuar të kësaj çështjeje

Gjergj Prevazi ka 14 vjet që drejton “Albania Dance Meeting – Festival” (ADMF) një organizatë jo-qeveritare që ka si mision kryesor promovimin dhe bërjen të njohur në Shqipëri të dansit kontemporan.  Që nga viti 2006 ADMF organizon një festival të përvitshëm kulturor që synon t’i prezantojë publikut shqiptar performancat e dansit kontemporan.

Si organizatë e pavarur ajo funksionon me fonde të jashtme dhe jetëgjatësia e saj varet nga mbështetja që merr.

Gjergj Prevazi tregon për Citizens Channel se “Albania Dance Meeting – Festival” është përkrahur financiarisht nga Ministria e Kulturës (MK) 13 herë, por mbështetja është e pamjaftueshme.

Gjergj Prevazi
Foto: Facebook

” Sigurisht që  mbështetja është mjaft e ulët, dhe nuk është rritur paralelisht me rritjen e vetë festivalit, i cili e ka përmirësuar vazhdimisht performancën e tij artistike dhe organizative, duke u kthyer ne nje axhendë të rëndësishme të dansit në rajonin tonë. Si i tillë, ky event i përvitshëm mendoj që meriton vëmendje më të madhe.

 Ministria e Kulturës në Relacionin e buxhetit të vitit 2019 bën një krahasim me vitin 2018 dhe sqaron se mbështetja e saj për projektet e pavarura është në fokus të institucionit; por shifrat flasin ndryshe. Në dokumentin publik të Ministrisë së Kulturës, mbështetja monetare për produksionet e pavarura nuk njeh asnjë rritje nga ajo e vitit 2018.

 

Shpenzimet për mbështetjen e projekteve të pavarura Burimi: Ministria e Kulturës

Në relacionin e Buxhetit për vitin 2019, Ministria flet për ” vizionin e qartë për të konsoliduar Skenën e pavarur të kulturës”, duke sqaruar se ka si prioritet mbështetjen e projekteve të pavarura; por shifrat flasin ndryshe.

Në dokumentin publik të Ministrisë së Kulturës, flitet për mbështetjen e rreth 900 produksione kulturore me një buxhet prej rreth 1 milion eurosh (137,332,000 lekë) gjatë vitit 2018. Nëse do të bënim një mesatare të numrit të projekteve të mbështetura dhe buxhetit  total që Ministria për artin dhe kulturën, rezulton se projektet kulturore janë mbështetur me një shumë prej 1,213 eurosh secili.

Mbështetje që edhe këtë vit do të mbetet e njëjtë, pasi nuk është parshikuar asnjë shtesë në fondin për Artin dhe Kulturën.

Vetë artistët shprehen se buxheti i akorduar për mbështetjen e projekteve apo produksioneve të pavarura artistike dhe kulturore në Shqipëri është shumë i ulët

I pyetur nga Citizens Channel për të komentuar pasqyrën e fondeve të akorduara për Ministrinë e Kulturës në 10 vitet e fundit, regjisori Kastriot Çipi komentoi se: “Jemi katër herë më pak se Maqedonia, më pak se Kosova dhe fondet për infrastrukturën kanë ulur më tej fondet për projektet (për prodhimin artistik) dhe trashëgimia po rrënohet çdo ditë”

Andi Tepelena, i cili prej kohësh është një nga drejtuesit e Skenës së Pavarur Kulturore  në Shqipëri dhe promotori nismave artistike të pavarura dhe me ndikim social; tregon se ky buxhet i akorduar për zhvillimin dhe mbështetjen e artit të pavarur është qesharak dhe i pamjaftueshëm.

Edhe Gjergj Prevazi, ngre shqetësimin për një qasje më të përgjegjshme ndaj artit të pavarur: “Shpresoj se ministrja e re e kulturës, zonja Margariti mund dhe duhet të ketë një qasje tjetër më të përgjegjshme për të gjitha Festivalet ndërkombëtare që organizohen në Shqipëri, e në veçanti për Albania Dance Meeting 2019, i cili ka ofruar në 13 edicionet e tij shfaqje të niveleve më të larta të dansit kontemporan europian”.

Por si ka ndryshuar Buxheti i Ministrisë së Kulturës ndër vite?

Ministria e Kulturës është një nga ministritë që përfiton më pak fonde nga buxheti i shtetit (e dyta nga fundi para Ministrisë së Integrimit). Kjo ministri aktualisht ka nën varësi 30 institucione të cilat administrojnë artin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore.

Nëse analizohet një mesatare e peshës totale që buxheti i Ministrisë së Kulturës ka zënë në 10 vitet e fundit; konkludohet se ajo është vetëm 0.85%.

Nga analiza krahasuese e 4 viteve të para me 4 vitet e fundit të marra në shqyrtim, vihet re se edhe në këtë buxhet të papërfillshëm ka një rënie të theksuar me rreth 20% .  Konkretisht mesatarja e viteve 2009-2012 është 0.95% e totalit ndërsa në katër vitet e fundit MK ka marrë vetëm 0.72% të buxhetit për Ministritë.


Rritjen e vetme të dukshme buxheti i Ministrisë së Kulturës në raport me buxhetet e ministrive të tjera, e ka pasur në vitin 2011 me 3,104,843 lekë. Dhe përveç këtij viti (pasur parasysh 10 vitet e mara në analizë), buxheti nuk ka njohur ndonjë rritje më të madhe se kaq.

Ndërkohë nga ana tjetër në relacionin për buxhetin 2018-2019 Ministria e Kulturës deklaron se ka një rritje të të ardhurave nga shitja e biletave nëpër institucionet e artit dhe të kulturës.

Por si qëndron raporti i shpenzimeve të kësaj ministrie me mbështetjen e projekteve të pavarura?

Krahasimi midis zërave të tabelës më poshtë tregon qartazi se mbështetja për projekte të pavarura është shumë e vogël dhe e papërfillshme në raport me shpenzimet për pagat dhe sigurimet e punonjësve të kësaj ministrie dhe të institucioneve në varësi të saj.

Shpenzimet për mbështetjen e projekteve të pavarura Burimi: Ministria e Kulturës

 

Për tu theksuar është se vetë buxheti për pagat e administratës brenda zërit të Artit dhe Kulturës është rreth 4.3 milion euro, ndërkohë që fondi total për këtë zë  është vetëm 1 milion euro.

Shpenzimet për paga dhe sigurime shoqërore Burimi: Ministria e Kulturës

Ministria e Kulturës do të shpenzojë një total prej rreth 7,6 milionë euro për paga dhe sigurime shoqërore, shumë shtatë herë më e lartë se totali i mbështetjes që i jep artistëve. Kjo pasqyrë e bën shumë të vështirë mbështetjen e artistëve të lirë (ose të rinj) nga institucioni bazë i artit dhe i kulturës në Shqipëri.


*Citizens Channel

 

Të varfër, të sëmurë dhe të zhgënjyer; Minatorët ende në pritje të statusit

“Në mandatin e parë qeverisës premtuam uljen e moshës së daljes në pension për minatorët dhe e ulëm, premtuam rritjen e sigurisë në miniera dhe e kemi rritur, premtuam rritje tërësore pagash në sektor dhe e mbajtëm. Këtë mandat kemi premtuar statusin dhe do ta mbajmë”, këto ishin fjalët e kryeministrit Rama në prill të 2018-s.

Sot, thuajse një vit më pas asgjë nuk ka ndryshuar, janë  34 minatorë kanë humbur jetën në punë në 10 vite, statusi i minatorit ende fle nëpër sirtarë dhe mosha e daljes në pension është 55 vjeç, njëlloj me atë të deputetëve, ministrave apo punonjësve të lartë shtetëror.

Aleks Andrea, minator në qytetin e Pogradecit për 17 vite, tregon se ka humbur besimin se politika do të përmbushë premtimin për një ligj që mbron minatorët.
“Statusi i Minatorit është zvarritur dhe do të zvarritet prapë, sepse është zvarritur nga të tëra  qeveritë për 28 vjet”, u shpreh ai për Citizens Channel.

Minatori Aleks Andrea
Foto: Citizens Channel

Në qershor 2018, procedurat për miratimin e statusit të minatorit dështuan dhe për këtë qeveria ia hodhi fajin sindikatave për bllokimin e punës. Në një deklaratë të përbashkët për median, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) si dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) deklaronte se prej disa kohësh kanë ngritur një grup pune të përbashkët që ka zhvilluar diskutime me përfaqësuesit e sindikatave, pjesa më e madhe e të cilëve kanë rënë dakord për draftin por ka një pjesë tjetër të sindikatave që nuk kanë qenë dakord.

“Ky grup pune ka zhvilluar diskutime intensive me përfaqësuesit e sindikatave, pjesa më e madhe e të cilëve janë dakordësuar mes tyre për një draft të cilin ia kanë paraqitur grupit të punës. Fatkeqësisht, deri tani, ka dhe një pjesë përfaqësuesish sindikalë të cilët nuk kanë rënë dakord me draftin e propozuar nga pjesa kryesore e sindikalistëve. Gjejmë rastin që t’u bëjmë thirrje të gjithë përfaqësuesve sindikalë që të bëhen pjesë e diskutimeve në tryezën e grupit të punës, të bashkohen në qëndrime mbi një draft të vetëm i cili më pas t’i nënshtrohet procedurave të përcaktuara në ligj”, deklaroi MIE dhe MFE.

Gjatë vitit të kaluar Citizens Channel pregatiti një reportazh të gjatë në të cilin argumentohen kërkesat e minatorëve dhe tregohen kushtet e mjerueshme në të cilat këta minatorë punojnë.Në të gjitha drejtimet si nga ana e qeveritarëve lokalë, shoqërisë civile dhe sindikatave të minatorëve u ngrit shqetësimi se statusi i minatorit është një dosmososhmëri.

Minatorët, nga ana e tyre, kërkojnë që ligji për statusin të miratohet sa më shpejt në mënyrë që të ndjehen më të sigurt për jetën e tyre.

Sot, kur ka kaluar rreth 1 vit situata është e njëjtë, pavarësisht premtimeve dhe nismave të mbetura në tentativë.

Lexo më shumë: Speciale / Çfarë e mban peng statusin e minatorit?

Një ligj që mbeti në tentativë

Në Tetor 2017, Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu depozitoi në Kuvendin e Shqipërisë një draft për statusin e minatorit. Propozimi u mbajt në “gjumë” për muaj të tërë dhe në janar të 2018-s qeveria dha një vendim negativ.

Projektligji parashikonte pozitën juridike, ekonomiko-financiare dhe shoqërore, kërkesat e përgjithshme të pranimit, të drejtat, detyrimet dhe kufizimet e punonjësve të Industrisë së Minierave në Republikën e Shqipërisë, për arsye të karakterit të veçantë të punës dhe ndikimit në shëndet të kësaj pune, si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre. Qeveria deklaroi se projektligji për statusin e minatorit sjell efekte negative në skemën e pensioneve dhe buxhetin e shtetit, dhe propozimi i bërë nuk u shoqërua me kostot e detajuara financiare. Po ashtu sipas qeverisë projektligji përmban edhe shkelje kushtetuese dhe të Kodit të Punës.

Në Kuvendin e Shqipërisë projektligji nuk u votua nga shumica socialiste dhe për pasojë nuk u miratua. Aktualisht nuk ka ende asnjë ligj që mbron minatorët në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht diskutimeve që kanë zgjatur prej vitesh.

“Kam 7 – vite që dëgjoj për statusin e minatorit. Mesazhi im është që statusi të miratohet sa më shpejt. Shtresa më e persekutuar ne kemi qenë”, tregon minatori Abdyl Neli për Citizens Channel.

Minatori Abdyl Neli
Foto: Citizens Channel

Pas rrëzimit të projektligjit të parë qeveria u angazhua se do të miratonte një ligj të ri për minatorët brenda vitit 2018. “Ne do të sjellim një status të trajtuar me maturi sociale dhe financiare”, deklaroi Ministri i Financave Ahmetaj, në Shkurt 2018.

Premtime të pambajtura…

Ka dy momente kur shoqëria dhe politikbërësit e zhvendosin vëmendjen tek statusi i minatorit: sa herë që një minator humb jetën duke punuar dhe sa herë që ka fushatë elektorale apo takime për “bashkëqeverisje”.

Të shumtë kanë qenë politikanët të cilët kanë premtuar se do të miratonin një ligj që i siguron një jetë dinjitoze minatorëve dhe ish-minatorëve:

  1. Në qershor të vitit 2018 Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka tha para banorëve të Klosit: “Kemi qenë gjithmonë ne që kemi adresuar problematikën e minatorëve si kategori. Por çështja e statusit të minatorëve është një problem kakofonie që një status apo propozim vinte nga sindikata, një vinte nga konfederata, një vinte nga një deputet i zonës, një nga një tjetër deputet i zonës, një nga Ministria e Mirëqenies dhe një nga Ministria e Energjisë.

Sot di që çështja ka hyrë në rrugë të mbarë. Po diskutohet po shqyrtohet dhe kam përshtypjen që shumë shpejt do të kemi një draft që sërish do ti hyjë një konsultimi publik që do të marrë edhe dakordësinë tuaj.”

  1. Në tetor të vitit 2018 ishte Damian Gjiknuri i cili shprehej për statusin e minatorit: “Për sa i përket statusit të minatorit, ne për statusin e minatorit jemi duke punuar me të gjitha sindikatat dhe sot që flasim ky draft ndodhet në Ministrinë e Financave”
  2. “Për sa i përket statusit, së pari mos e harroni një gjë, që ne mbajtëm angazhimet që kishim në mandatin e parë lidhur me minatorët. Se duket sikur minatorët trajtohen njësoj sikur trajtoheshin më përpara, kjo nuk është e vërtetë. Për sa i përket statusi ne po bëjmë një draftligj siç e ka gjithë Europa, një status për të gjitha këto profesionet e vështira që hyjnë te kategoritë e mbajtjes së statusit të veçantë. Do ta çojmë në Parlament besoj brenda nëntorit dhe t’i japim drejtim kësaj çështje në mënyrë definitive, brenda mundësive si dhe duke respektuar sakrificat që ju keni bërë në këto fusha të vështira”, shprehej Rama në tetor të vitit 2018 me banorët e zonës së Hasit.

Citizens Channel u takua me disa minatorë dhe ish-minatorë të cilët shprehën shqetësimin e mbartur ndër vite për mosrealizimin e një ligji i cili i siguron një status. Si kategoria që bën një nga punët më të vështira dhe më të rëndësishme ata ndihen të lënë pas dore dhe tregojnë se jetojnë një jetë jo dinjitoze.

“Unë jam specialist për minierat me kategori të 7, në shkallën e inxhinierit, asistent dhe marr 122 mijë lekë pension”, tha Aleks Andrea për Citizens Channel. Më tej ai shtoi se ato para janë të pamjaftueshme për të jetuar një jetë normale.

Shuma e pensionit e minatorit Aleks Andrea
Foto: Citizens Channel

“Kam punuar 32 vite, kam qenë Mjeshtër dhe tash marr një pension  qesharak 160 mijë lek. Është turp për punën që kemi bërë. Në të gjithë botën minatorët janë njerëzit më të nderuar dhe pensionet e minatorëve në të gjithë botën janë disa herë më të lartë se sa të punëtorëve të sipërfaqes. Është për tu habitur që njerëzit më të vuajtur njerëzit që i kanë dhënë më shumë shoqërisë realisht dhe fatkeqësisht sot janë njerëzit më të përbuzur të shoqërisë”, tha Abdyl Neli një tjetër ish-minator i cili kishte punuar dhe në zonën e Bulqizës

“100 probleme kemi, fatmirësisht nuk kam pasur aksidente, por kam pasur probleme shëndetësore”, u shpreh Pashk Marku për Citizens Channel i pyetur nëse kishte pasur ndonjë problem shëndetësor për shkak të punës. Ish-minatorët u shprehën se problemet e tyre shëndetësore  për shkak të punës kanë qenë të shumta, ndër më të përhapurat ka qenë sëmundja e silikozës.

Minatori Pashk Marku
Foto: Citizens Channel

“Unë nuk mbushem dot me frymë, nuk eci dot më shumë se 50 metra”, u shpreh ish-minatori Aleks Andrea për Citizens Channel.

Çfarë është sëmundja e silikozës?
“Silikoza shkaktohet nga depërtimi i grimcave të vogla të pluhurit mineral në organet e frymëmarrjes dhe depozitimi i tyre në mushkëri. Pluhuri grumbullohet duke formuar konglomerate që çimentohen në mushkëri dhe shkaktojnë kollë dhe vështirësi në frymëmarrje. Simptomat e kësaj sëmundje përfshijnë dhimbje në kraharor, kollë të thatë deri në bronkit, takikardi apo infarkte të zemrës. Shpesh këto simptoma mbeten të fshehta ose ngatërrohen me patologji të tjera.”

Ndërsa minatorët që janë ende aktiv, përballen me një problem edhe më të madh: vdekjen. Mediat kanë raportuar se vetëm në 10 vitet e fundit kanë vdekur 34 minatorë në vendin e punës.

Statusi i minatorit duket ende një premtim i largët jo vetëm për personat që shpresojnë për një jetë dinjitoze pasi shpenzuan vite të tëra të jetës nën tokë por edhe për ata që ende sot, përballen me rrezikun e punës në minierë.

 * Citizens Channel – Fjori Sinoruka 

 

 

Kisha, biznes me monumentet e kulturës në Kepin e Rodonit

Territori i Kepit të Rodonit ku gjenden edhe dy monumente të rëndësishme kulturore, Kisha e Shën Ndout dhe Kalaja e Skënderbeut po administrohet nga Kisha Françeskane, e cila veç rolit fetar po ushtron edhe biznes.

Kisha e Shën Ndout dhe Kalaja e Skënderbeut që ndodhen në Kepin e Rodonit në Durrës, janë dy prej monumenteve më të rëndësishme kulturore në vend që bëjnë pjesë në kategorinë e parë të Trashëgimisë Kulturore. Por prej disa vitesh, këto dy monumente , janë lënë në mëshirë të fatit nën uzurpimin total të Kishës Françeskane, që ushtron aktivitetin e saj në atë zonë. Kisha ka marrë në administrim të gjithë zonën të cilën po e shfrytëzon edhe për qëllime turistike duke ofruar shërbime biznesi, ndërkohë që po mban “peng” monumentet kulturore që nuk i përkasin asaj.

Administrimi dhe kontrolli nga një kishë e ka lënë Kepin e Rodonit rreth 45 km larg qytetit të Durrësit, në një gjendje jo të mirë nga pikëpamja turistike apo mirëmbajtja monumentale. Që në hyrje të Kepit të Rodonit ndodhet trau i vendosur në një distancë rreth 1 km nga zona turistike, ku çdo makinë duhet të paguajë një shumë prej 100 lekësh (të reja) për të vizituar këtë zonë. Një burrë rreth të 50-tave lëshon një kupon tatimor në emër Kishës Françeskane dhe pasi merr lekët të hap rrugën për të hyrë në Kepin e Rodonit.

Në vitin 2013 lindi një konflikt mes Kishës Françeskane dhe Njësisë Administrative të Ishmit për vendosjen e traut kufizues për turistët. Asokohe, Njësia Administrative vendosi heqjen e këtij trau që i përngjan një postblloku, por Kisha Françeskane u shpreh se shteti nuk duhet të ndërhyjë në një pronë private. Pavarësisht kësaj, Kisha ka tejkaluar kompetencat e saj duke vendosur tarifë financiare për qytetarët që janë të detyruar të kalojnë përmes “territorit të saj”, si e vetmja rrugë për të mbërritur në bregdetin e Kepit të Rodonit, ku ndodhet dhe Kalaja e Skënderbeut e cila frekuentohet masivisht nga vizitorë vendas dhe të huaj.

Edhe pse ka pasur disa tentative për heqjen e traut nga Njësia Administrative Ishëm, sot e kësaj dite nuk ka ndryshuar asgjë. Trau vijon të jetë po aty, bashkë me pagesën prej 100 lekësh. Por ky nuk është i vetmi problem. Sapo hyn në zonë sheh që rruga ndërpritet nga asfalti i shtruar dhe fillon të jetë e parregulluar. Tabela hyrëse të tregon se bëhet fjalë për një pronë private, por pa specifikuar pronarin e saj. Mungesa e investimeve qoftë në infrastrukturë apo sinjalistikë, vjen si pasojë e vetëkontrollit të territorit nga Kisha Françeskane, e cila është bërë pengesë për investimet publike.

Nga një vëzhgim i Citizens Channel shihet se në Kepin e Rodonit janë ngritur një seri biznesesh të paregjistruara. Mbetet e paqartë se përse këto biznese janë jashtë kontrollit fiskal, pasi institucionet fetare bazuar në ligjin nr. 9632 të vitit 2006 përjashtohen nga taksat dhe tarifat vendore.

Mbi 100 shezlong, një restorant dhe një bar kafe janë bizneset në pronësi të Kishës Françeskane. Rreth 15 punëtorë të veshur me një jelek me mbishkrimin “Kisha Françeskane” vërdallisen në zonë për të mirëpritur turistët, që për hir të vërtetës është tepër e papastër dhe pothuajse e pamundur për të frekuentuar pjesën e plazhit.

Kisha në përgjithësi konsiderohet si shtëpia e të varfërve, por ajo Françeskania në Kepin e Rodonit e ka rrëzuar këtë perceptim, pasi prej vitesh është fokusuar në fushën e biznesit. Citizens Channel u interesua se kush ishte personi përgjegjës për menaxhimin e  këtyre aktiviteteve të paligjshme. Fatosi, rojtari i Kishës na tregoi se ishte një prift me origjinë nga Polonia i quajtur Padre Leonardo. “Tani nuk ndodhet këtu sepse ka shkuar për të bërë furnizim për restorantin. Ai i menaxhon të gjithë zonën. Më përpara kanë tentuar disa qeveritar të bëjnë ndërtime këtu, por janë penguar nga Vatikani dhe Kisha Françeskane. Prandaj Kisha vendosi të investojë vetë këtu”, tha ai. Në pjesën jugore ndodhet një banesë 1-katëshe si dhe një makinë rulotë. Aty banon Padre Leonardo përgjatë vitit për të administruar jo vetëm bizneset, por edhe territorin.

Banesa e Padre Leonardos

.Citizens Channel u interesua pranë Bashkisë së Durrësit për të kërkuar informacion nëse ishte në dijeni të kësaj paligjshmërie që po ndodhte në territorin e saj. “Nuk kemi të dhëna që Kisha ka organizuar aktivitet turizëm në Kepin e Rodonit. Ky territor nuk është i përfshirë në listën e plazheve private pasi nuk plotëson kushtet”,  shprehet për Citizens Channel, drejtori i kabinetit në Bashkinë e Durrësit, Lavdosh Beqiraj.

Lidhur me kontrollin mbi këtë territor, Bashkia e Durrësit e pranon që në hyrje ka një pengesë nëpërmjet një trau. “Çdo pagesë në hyrje të Kepit të Rodonit konsiderohet e paligjshme dhe mund të jetë veprim i ndonjë individi pa dijeninë tonë dhe si i tillë nuk është i autorizuar me dijeninë tonë”, thekson zyrtari i Bashkisë Durrës. “Në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Durrës po verifikojmë disa kuponë të lëshuar në mënyrë të paligjshme me NIPT me seli në Shkodër për të cilat do të mbahet qëndrim konform ligjit”, vijon më tej, Beqiraj.

Citizens Channel iu drejtua me një kërkesë zyrtare Kishës Françeskane me seli qendrore në qytetin e Shkodrës. Por, Kisha refuzoi të përgjigjej për aktivitetet e paligjshme që po ushtronte në Kepin e Rodonit.

Përsa i përket administrimit të monumenteve të kulturës që përfshin Kishën e Shën Ndout dhe Kalanë e Skënderbeut, Bashkia e Durrësit fajëson indirekt Ministrinë e Kulturës se nuk po ushtron kontrollin institucional në këtë zonë. “Është në kompetencën e Ministrisë së Kulturës të përcaktojë rregullat e funksionimit të këtij territori, si pjesë e promovimit të vlerave të kishës dhe historisë së saj”, thuhet në reagimin e Bashkisë së Durrësit për Citizens Channel.

Përveç kësaj, dhjetra turistë shqiptarë dhe të huaj nuk orientohen në këtë zonë për shkak të mungesës së një ciceroni. Në shumicën e rasteve, kamarierët dhe rojet e shezlongëve janë kthyer në “historianë” duke u shpjeguar turistëve çfarë dinë për të kaluarën e objekteve kulturore.

 Braktisja e monumenteve

Rreth viteve 2000 u hartua një projekt për gërmime arkeologjike në Kishën e Shën Ndout në Kepin e Rodonit. Sipas dokumenteve që disponon Citizens Channel, për gërmime u shpenzuan rreth 6 milion lekë (të vjetra), por sot e kësaj dite nuk ka një raport gërrmimi dhe as listë e objekteve të gjetura. “Duket se fondet për gërmim ose janë shpërdorur ose janë fshehur gjetjet”, hedh dyshimet eksperti Zamir Marika. Ndërtimi i Kishës Shën Ndout mendohet se është krijuar në shekullin XIII, rreth 200 vjet pas ndarjes botërore mes katolikëve dhe ortodoksëve në vitin 1054. Pikërisht sipas arkeologëve, Kisha e Shën Ndout shënon edhe simbolin e ndarjes historike së fesë për shtetin Shqiptar. “Kisha e Shën Ndout ka pasur një histori jo të qartë nëse ishte katolike apo ortodokse. Gërmimet e kryera në vitin 2000 duhet të hidhnin dritë mbi historinë, por sot e kësaj dite nuk dihet asgjë”, thotë Marika.

Sipas arkeologëve dëshmitarë, gjatë gërmimeve është gjetur një varr, por që mendohet se janë zhdukur fosilet. “Nuk lejuan antropologun Aleksandër Dhima, të cilin nuk e morën në hapjen e varrit që mendohet se ishte i Andrea Muzakës. Nuk lejuan të ishte prezent as arkeologia Solinda Kamani. Pra, pra hapjen e varrit e bënë vetëm dhe pa prezencën e specialistëve përkatës, gjë që jo vetëm është shkelje e rëndë në raport me rregullat profesionale, por edhe krijuan te të tjerët bindjen për dyshime për saktësinë dhe gjendjen e artefakteve arkeologjike”, shprehet restauruesi dhe studiuesi Reshat Gega, për Citizens Channel.

Nëse do të vërtetohej se ky ishte varri i Andrea Muzakës, atëherë do të ndryshojë edhe rrjedhja e historisë për Kepin e Rodonit. Muzaka njihet si despot i bizantinëve dhe si i tillë i përkiste fesë ortodokse. Nëse varri i Muzakës do të ishte brenda Kishës së Shën Ndout, atëherë edhe ky objekt fetar do të ishte në pronësi të Kishës Ortodokse dhe jo Françeskane. “Është një veprim që ngjall dyshime të mëdha për fatin e objekteve. Figura e Andrea Muzakës ishte e një përmase të konsiderueshme për historinë tonë. Duhet hedhur dritë se çfarë është gjetur në atë varr”, shton më tej Gega.

Zona ku është ngritur Kisha e Shën Ndout në Kepin e Rodonit ka një kulturë prehistorike ku janë kryqëzuar kultura vendase ilire, sidomos ajo e qeramikës që në shekullin VII para Krishtit, si dhe kultura e importuar nga viset romane e greke. Teknika e ndërtimit i përket stilit bizantin, ndërsa forma atij roman. Objektet e kultit që ndodhen brenda ambienteve të kishës kanë qenë prezentë që në krishterimin e hershëm në këtë vend. Arkeologu Elio Hobdari thekson se në Kishën Shën e Ndout janë kryer gabime në gërrmime. “Te Kisha duhej punuar ndryshe. Por mendoj se ka sërish hapësira për gjetje të rëndësishme arkeologjike”,  shprehet ai.

Kisha e Shën Ndout si dhe Kalaja e Skënderbeut janë monumente kulture të kategorisë së parë. Restaurimi i fundit që i është bërë këtyre dy objekteve është në vitin 2000, ndërsa që prej atij viti nuk ka pasur më ndërhyrje. Në disa vende ka rënë suvaja e afreskut së bashku me pikturën dhe në disa zona ajo është shkëputur nga muri dhe rrezikon të bjerë, duke humbur kështu vlera e rëndësishme që ka nga e kaluara. Muret gjithashtu janë mykur nga zhvillimi i likeneve në sajë të lagështisë shumë të madhe që vjen nga dyshemeja.

Zamir Marika, një specialist për mirëmbajtjen e afreskeve shprehet për Citizens Channel se Kisha ka nevojë për një përkujdesje të vazhdueshme. “Kisha është e rrethuar me dritare që kanë nevojë të mbyllen pasi shkaktojnë dëme për shkak të erozionit që sjell deti. Është e vetmja pikturë lirike që nuk është fetare dhe që ndodhet brenda një kishe. Është një rast unikal jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin”, thotë  Marika.

Edhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka reaguar disa herë për ndërhyrje emergjente në një nga kishat më të rëndësishme të Shqipërisë për vjetërsinë dhe historinë e saj. “Do të ishte një nga humbjet më fatale rënia e suvasë ose degradimi i mëtejshëm i saj pasi aty ndodhet gjurma e vetme e shqipes arbërore të kuqe në sfond të verdhë, e gjetur brenda kufijve të Shqipërisë së sotme. Lagështira po e bren përditë me shpejtësi që është rritur pa masë vitet e fundit. Zotërinjtë që kujdesen për monumentet, fatkeqësisht nuk e kuptojnë rëndësinë e këtij monumenti, kështu që duhet ngritur një organizëm qytetar për marrjen nën mbrojtje të monumentit-dëshmitar”, kanë apeluar përfaqësues të këtij forumi.

Bashkë me Kishën edhe Kalaja e Skënderbeut e cila ndodhet në pjesën verilindore të Kepit të Rodonit po vuan nga mungesa e investimeve. Sipas historianëve, ndërtimi i saj mendohet të jetë bërë rreth viteve 1452, nga mjeshtra venecianë. Qëllimi i ndërtimit të kësaj kalaje nga Skënderbeu ishte sigurimi i një daljeje komunikimi në bregdet, i cili kontrollohej nga venecianët. Mendohet se kalaja do të shfrytëzohej ndoshta edhe si stacion i fundit i Skënderbeut për t’u larguar drejt Italisë në rastin e një sulmi fatal turk.

Karakteristikë e kësaj kështjelle janë muret që arrinin deri në një gjatësi prej 400 metrash. Por si rezultat i veprimtarive erozive të ujërave të detit, një pjesë e mureve janë zhytur nën ujërat e detit Adriatik. Sot vizitorët mund të shikojnë muret e jashtme të anës së djathtë, të cilat përfundojnë me një kullë të rrumbullakët. “Ka një problem me sinjalistikën që të çon në rrugë tokësore te Kalaja e Skënderbeut. Po të hysh në Kepin e Rodonit ke vetëm një tabelë të vogël që të drejton te kalaja, por për të shkuar deri atje të duhen 25 minuta në këmbë. Nuk ka as rrugë të posaçme tokësore dhe as tabela që të orientojnë duke e kthyer vizitën në kala një sfidë më vete”, shprehet kuratori Zamir Marika.

Në korrik të vitit 2013 u shkul nga Kalaja e Skënderbeut një basoreliev disa shekullor i cili identifikonte krye-engjëllin Mikael (Mikel/Mëhill). Kjo skulpturë fetare mendohet se shërbente si besëtytni për Kalanë e Skënderbeut  duke i mbrojtur nga otomanët, nga venecianët dhe nga banorët e zonës përreth që të mos i shkulnin gurët për shtëpi. Të tjera pjesë të Kalasë së Skënderbeut janë grabitur ndër vite, ndërsa nuk mungon edhe dhunimi i këtij objekti nëpërmjet shkarravitjes dhe hedhjes së plehrave. “Duhet të vendosen rojtarë për monumentet e kulturës. Është artikuluar disa herë, por deri tani ende nuk ka një projekt konkret siguruar trashëgiminë në gjithë vendin”, shprehet për Citizens Channel specialisti i ASHA, Elio Hobdari.

Me të ardhur në pushtet, qeveria e majtë nëpërmjet Ministrisë së Kulturës lançoi një portal online “Shpëto thesarin” për të denoncuar çdo rast dëmtimi që po u bëhet monumenteve të kulturës. Por që në javët e para, ky portal dështoi dhe sot e kësaj dite Ministria e Kulturës nuk ka asnjë hartë të kontrollit të gjendjes fizike të monumenteve në vend.

 

*Citizens Channel

Fushat e mbeturinave në Durrës, gangrena e qytetarëve dhe sfida e institucioneve

Autor: Geri Emiri | Citizens Channel

Vendgrumbullimi i Porto-Romanos gjendet në veri të qytetit të Durrësit dhe përbën sot shqetësimin më të madh mjedisor për banorët e qytetit, për shkak të djegies pa ndërprerje të mbeturinave përgjatë 24 orëve.

Fusha me mbeturina gjendet rreth 4 kilometra larg qytetit, në një sipërfaqe rreth 80.000 m2,  mbushur me mbeturina urbane, inerte, mbetje të rrezikshme dhe kafshë të ngordhura.

Këshilli Bashkiak i Durrësit shpalli më 11 korrik 2018, gjendjen e emergjencës mjedisore, si pasojë e situatës problematike me mbetjet në të gjithë vendgrumbullimet e bashkisë Durrës. Ajo ja delegoi kështu qeverisë qendrore zgjidhjen e problemit të saj shumë vjeçar. Në muajin qershor kryeministri njoftoi se vendgrumbullimi do të mbyllet, duke u shndërruar në park.

Protestat për rehabilitimin e vendgrumbullimit kanë qenë të shumta ndër vite, duke kulmuar në  nëntor, me protestën e studentëve të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, që kërkuan mbylljen e vendgrumbullimit të Porto-Romanos dhe ndalimin e djegies së mbeturinave. Një ditë më pas banorët e Sukthit bllokuan rrugën Kullë-Sukth, duke kërkuar zhvendosjen e vendgrumbullimit të mbetjeve që gjendet pranë banesave në Sukth.
Foto: Studentët e UAM në protestat kundër ndotjes nga mbetjet

Ndërhyrjet e kohëve të fundit nga Shërbimi Zjarrfikës dhe bashkia Durrës ka sjellë shuarjen e vatrave të mbeturinave që digjeshin prej vitesh dhe po bëhet sistemimi i tyre, deri në momentin e mbylljes së vendgrumbullimit të Porto-Romanos, kur bashkia dhe qeveria të vendosin për koston e transportit në landfillin e Tiranës.

Menaxhimi i vendgrumbullimeve të mbetjeve, sfida e humbur e pushtetit vendor

Në Planin Lokal të Menaxhimit të Mbetjeve për bashkinë e Durrësit 2010-2025”, analizohet se qyteti i depoziton mbetjet e tij në të vetmen fushë plehrash në Porto-Romano, që është vend hedhje për nga standardet, e cila është hapur që në fillim të viteve’ 90 dhe ishte parashikuar të kishte jetëgjatësi për 25 vite (deri në vitin 2015).

Për njohësin e mbetjeve të ngurta, Xhemal Mato, vendgrumbullimi i Porto-Romanos është jashtë çdo standardi, pa rrethim, kafshët përdorin ujin e ndotur për të pirë, e më tej këto ujëra  derdhen në det, duke ndikuar edhe tek bota ujore, për të cilën gjithashtu nuk ka studime për nivelin e ndotjes.

Por bashkia Durrës nuk zbatoi rekomandimin e këtij dokumenti të hartuar nga ajo, duke e lënë të hapur e jashtë kushteve teknike dhe higjeno-sanitare vend hedhjen e Porto-Romanos. Pas vitit 2015, në bashkinë e re të Durrësi mbledhja dhe depozitimi i mbeturinave urbane bëhet nga dy ndërmarrje publike pastrimi (në varësi të bashkisë) dhe një kompani private (në Ishëm).

Bashkia Durrës ka përgatitur Planin Lokal të Menaxhimit të Mbetjeve, por “ende nuk e ka miratuar në Këshillin Bashkiak Durrës”, mësoi nga bashkia Citizens Channel, nëpërmjet një Kërkese për të Drejtë Informimi.

Mesatarisht, një familje në qytetin e Durrësit prodhon rreth 2 ton mbetje në vit ose 5.5 kg mbetje në ditë, sipas llogaritjeve në “Strategjinë e Zhvillimit Territorial 2015-2030”. Në Bashkinë Durrës nuk ka grumbullim të diferencuar të mbeturinave, për ato të zakonshme dhe të ndërtimit.   Pasi kryhet mbledhja e mbeturinave, hidhen në vendgrumbullimin e Porto-Romanos, duke u djegur pa masa paraprake. Kjo është një procedurë e dëmshme për shkak të emetimit të gazit helmues si dhe përbën rrezikshmëri të lartë për ndotjen e ujërave nëntokësore.

Ky problem shfaqet edhe në vendgrumbullimet e mbeturinave në 4 Njësitë Administrative Manëz, Sukth dhe Ishëm. Ndërsa mbeturinat e dy njësive administrative, Rrashbull dhe Katund i Ri, depozitohen në Porto-Romano.

Emergjenca Mjedisore dhe zgjidhjet e mundshme

Bashkia Durrës ka njoftuar zyrtarisht se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për ndërtimin e një landfilli për mbeturinat. Në këto kushte Këshilli Bashkiak i Durrësit shpalli më 11 korrik 2018, gjendjen e emergjencës mjedisore, duke marrë votat e të gjithë këshilltarëve, pavarësisht rezervave të tyre mbi zgjidhjen e situatës.

Pak orë pas protestës së studentëve, kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, reagoi në profilin e tij në Facebook, duke shkruar se i është kërkuar qeverisë dhe shoqërisë koncesionare në Tiranë të marrë në konsideratë spostimin e mbetjeve të Porto-Romanos për në Tiranë dhe trajtimin e tyre.

“Të hënën më datë 29.10.2018 u mblodh Komiteti i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve për shpalljen e gjendjes së Emergjencës Mjedisore. Aktualisht po analizohen kostot e kryerjes së transportit, përkatësisht kostot që do të mbulojë Bashkia dhe ato që do të mbulojë Qeveria”, shkruante Dako.

Njohësit e fushës së mbetjeve në Shqipëri, e shohin me skepticizëm transportimin e mbetjeve nga Durrësi në Tiranë. “Jam kundër transportit të mbetjeve nga Durrësi për në Tiranë, pasi kjo nuk është zgjidhje dhe ka rrezik të dështojë”, shprehet ambientalisti Lavdosh Ferruni.

Studentët që protestuan për mbylljen e vendgrumbullimit të mbeturinave në Porto-Romano, kërkuan një zgjidhje të shpejtë të problemit, që qëllim shmangien e ndikimeve shëndetësore të djegies së mbeturinave.

Vijimi i rrethimit me tel të vendgrumbullimit të Porto Romanos – Foto: Geri Emiri

Ndërmarrja e Shërbimit Komunal në bashkinë Durrës që prej dekadash e ka lënë në të njëjtën gjendje vendgrumbullimin e Porto-Romanos, pas protestës së studentëve ka nisur ngjeshjen e mbeturinave në vendgrumbullim, rrethimin me tel dhe caktimin e rojeve me tre turne.

“Është vendosur trau që ndalon hyrjen e personave të paautorizuar në vendgrubmullim. Këto janë masat paraprake, përpara nisjes së transportimit në Tiranë të mbeturinave dhe krijimit të parkut në fushën e mbetjeve. Aktualisht po diskutohen kostot e transportit”, u bë me dije nga Ndërmarrja e Shërbimit Komunal, për Citizens Channel.

Aksioni i bashkisë erdhi pas urdhërit të parë të ministrit të ri të brendshëm, Sandër Lleshi, që me të marrë detyrën kërkoi ndërhyrjen e strukturave policore dhe atyre në varësi për të mbajtur nën kontroll situatën e djegies së mbetjeve urbane në qytete si Durrësi. Pas shumë vitesh në Porto-Romano u shfaq Shërbimi Zjarrfikës Durrës, që në bashkëpunim me ato të portit punuan për rreth 4 ditë me qëllim shuarjen e vatrave të mbeturinave që digjeshin prej vitesh.

Djegia e mbeturinave përpara shuarjes së zjarrit nga shërbimi zjarrfikës/ Foto: Geri Emiri

Një ditë pas protestës së studentëve, banorët e Sukthit bllokuan rrugën Kullë-Sukth, duke kërkuar zhvendosjen e vendgrumbullimit të mbetjeve që gjendet pranë banesave në Sukth.

“Në Sukth është ndërprerë hedhja e mbeturinave dhe po depozitohen në Porto-Romano. Po ashtu po punohet që ky si vendgrumbullim të mbyllet për shkak se është pranë vendbanimeve”, mësuam zyrtarisht nga Ndërmarrja e Shërbimit Komunal.

Në qershor të vitit 2018 kryeministri Edi Rama dhe kyebashkiaku Vangjush Dako vizituan vendgrumbullimin e mbeturinave në Porto-Romano. Kryeministri Rama premtoi se ky problem do të zgjidhet brenda 18 mujave, duke e kthyer këtë zonë në park.

Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako gjatë vizitës në Porto Romano _ Qershor 2018
Udhëtimi i mbeturinave në Tiranë, lë papunë familjet e varfra!
Banorët fusin kafshët për tu ushqyer në vendgrumbullimin e Porto Romanos/ Foto: Geri Emiri

Nga vëzhgimi ynë në fushën e mbeturinave në Porto-Romano, punojnë të paktën mbi 50 persona çdo ditë. Ata grumbullojnë në mënyrë të paautorizuar materiale plastike, hekurishte dhe kartona. Futja e tyre dhe e kafshëve që ushqehen në vendgrumbullim vijon, megjithëse prania e bashkisë është shtuar kohët e fundit.

Duke mos pranuar të identifikohen, një pjesë e banorëve që banojnë 200 metra larg vendgrumbullimit, tregojnë se kanë pranuar të “bashkëjetojnë me vdekjen” për shkak se aty punojnë familjarisht, duke siguruar të ardhura nga mbledhja e materialeve të riciklueshme.

Të kapur pas kamionëve që sjellin mbeturina në vendgrumbullim, vijnë herë pas here të mitur. Pasi mbarojnë shkollën, tregojnë se vijnë të punojnë për disa orë këtu, për të ndihmuar familjet. Të njëjtën punë bëjnë edhe prindërit e tyre, të cilët punojnë edhe përgjatë natës duke mbledhur mbetje.

Mbyllja e vendgrumbullimit më të madh në bashkinë Durrës do t’i lejë ata “të papunë”! Bashkia dhe qeveria po negociojnë për kostot e transportit të mbetjeve për në Landfillin e Sharrës, ku po ndërtohet një incinerator për djegien e tyre. Ndërtimi i një landfili në Durrës, ku mund të diferencoheshin mbetjet dhe të ndiqeshin politikat ricikluese që Bashkimi Europian po i mëshon prej vitesh ndaj Shqipërisë, do të krijonte vende pune për shumë familje.

Një studim i mbështetur nga Banka Botërore vite më parë, ka përcaktuar ndërtimin e një landfilli bashkëkohor rajonal për Qarkun e Durrësit, në fshatin Radë, Njësia Administrative Manzë. Më datë 18 nëntor 2014, ministria e Mjedisit së bashku me ninistrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, njoftuan hapjen e thirrjes për oferta për dhënien me koncesion të “Landfillit për Qarkun e Durrësit”.

“Një proces i ri ka filluar për ndërtimin e landfillit të ri sanitar, në një sipërfaqe prej 15 Ha. Ky shërbim do të mbulojë të gjithë territorin e bashkisë Durrës dhe do të krijojë mundësinë e hapjes së 1500 vendeve të reja të punës, kostoja e tij është parashikuar 6.5 milion euro”, shkruhet në “Analizën dhe Vlerësimin e Territorit” të bashkisë Durrës. Pas verifikimeve të Citizens Channel ky proces ka ndaluar dhe lëvizjet e fundit bashki-qeveri do të ofrojnë transportin e mbeturinave në landfillin e Sharrës.

*Citizens Channel