Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Edi Rama, nga epoka e riedukimit në epokën e prekjeve fizike ndaj gazetarëve!

Pamje nga konferenca per shtyp me gazetaret

Kryeministri Edi Rama ka prekur në faqe gazetaren Ambrozia Meta në konferencën e sotme për shtyp, duke e përshkallëzuar edhe më tej përplasjen me gazetarët. Veprimi, që është cilësuar si cënim fizik i gazetares, erdhi pasi Meta e pyeti kryeministrin në lidhje me shitjet që në gropë të apartamenteve në portin e Durrësit.

Kjo nuk është hera e parë që kryeministri ka përplasje me gazetaren e Syri Televizion.

“Nuk di të them nëse është vazhdimësi e përplasjeve që kemi pasur, që kanë qenë të tensionuara, por në këtë rast nga epoka e riedukimit ai ka kaluar në prekje fizike “- tha Ambrozia për Citizens.

Ambrozia thekson se ajo për tre muaj është përballur me një situatë që ishte e ndaluar të bënte pyetje dhe nuk i kthehej përgjigje.

“Më vjen shumë keq që arroganca e kryeministrit, tani demonstrohet edhe me prekje fizike të gazetarëve, sepse nuk arrin të kontrolloj dot veten kur flitet për çështje të interesit publik“ –theksoj ajo.

Në lidhje me rastin kanë reaguar organizata të ndryshme në vend.

“Në solidaritet me gazetaren Ambrozia Meta e cila u përball me intimidimin e kryeministrit vetëm pse po kërkonte transparencë dhe llogaridhënie“- citoi në postimin e saj organizata “Safe Journalist“.

“Safe Journalist“ shtoj se ky incident është pjesë e një modeli shqetësues ku kryeministri Rama ka shfaqur përbuzje ndaj gazetarëve, veçanërisht grave, të cilat paraqesin pyetje sfiduese.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u shpreh se prekja fizike e gazetares është cënim i Kodit të Etikës dhe i integritetit fizik.

“Kryeministri jo vetëm që nuk jepte një përgjigje konkrete për pyetjen specifike, por me një gjuhë replikuese dhe nga pozita e edukuesit moral shmangej nga detyrimi për të dhënë një shifër konkrete për përfitimet e mundshme publike prej njërit nga projektet më të mëdha në fushën e turizmit shqiptar“- thekson në fjalën e tij Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN) u shpreh se nuk duhet pranuar që kryeministri i Shqipërisë, i cili duhet të jetë shembull i qytetarisë dhe maturisë, të bëhet palë me patriarkatin.

“Rasti i sotshëm është shembulli më i shëmtuar i kryeministrit të vendit, i cili guxoi të prekë gazetaren duke tentuar të intimidojë me prekje fizike jo vetëm atë, e cila direkt ka reaguar, por të gjithë publikun që e ndjek“- citoi organizata “AWEN” në postimin e saj.

Rama në një status  në Twitter e ka cilësuar reagimin  e organizatave si denoncimin e një agresioni imagjinar.

“Më vjen keq dhe jo vetëm nuk kam asnjë ndjesë për të kërkuar, por hedh poshtë të gjithë karakterizimin e “liderit qe ka treguar përbuzje ndaj shtypit kritik” – replikoi ai.

Ambriozia i tha Citizens se nuk e ka vendosur akoma nëse do të ngre një ankesë, pasi sipas saj në vendin tonë nuk funksionojnë shumë unionet e gazetarëve dhe nuk është përballur ndonjëherë me një situatë të tillë.

Gjatë fjalës së tij, përpara pyetjes së gazetares, kryeministri u përgjigj mbi investimin e shumëpërfolur të ditëve të fundit në ishullin e Sazanit.

“Kemi në tavolinë një ofertë fantastike me një potencial të jashtëzakonshëm, të cilën do ta shqyrtojmë sipas ligjit“ – tha Rama.

Të premten, Jared Kushner, dhëndri i ish presidentit amerikan Donald Trump, deklaroi në median “Bloomberg” planet për investimet në Ballkan, ku mes tyre ishin një resorte turistike në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit në Shqipëri.

Kjo deklaratë vjen fill pas ndryshimeve të qeverisë shqiptare në ligjin për zonat e mbrojtura, që u prit me shumë kundërshtime nga mjedisorët.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *