Ajri i ndotur është duke dëmtuar trurin e fëmijëve

 

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) thotë se pothuajse 700.000 fëmijë  nën 5 vjeç vdesin çdo vit nga ndotja e ajrit. Miliona të tjerë dënohen më sëmundje për jetë për shkak të dëmit që shkaktohet në procesin e zhvillimit të trurit dhe të trupit.

Gjë që nuk është surprizuese kur kuptohet se 9 nga 10 persona janë të prekur nga ajri i ndotur. OBSH thotë se më shumë se 93% e 1.8 bilion fëmijëve në botë janë të ekspozuar nga ajri i ndotur toksik duke përfshirë 630 milion fëmijë që janë nën moshën 5 vjeç.

Vdekjet nga ndotja e ajrit në të gjithë botën.
Imazhi. Statista
Burimi: World Economic Forum

Në botën e zhvilluar, më shumë se gjysma e fëmijëve nën 5 vjeç janë të ekspozuar në nivelet e ajrit të ndotur mbi limitet e OBSH. Por, në botën që është duke u zhvilluar këto shifra kanë një rritje shokuese deri në 98%.

Fëmijët më shumë në risk

Fëmijët janë veçanërisht të ndjeshëm. Në çdo frymëmarrje, ata marin më shumë ajër për njësi të peshës së trupit se sa të rriturit. Grimcat e lehta, grimcat e vogla të ndotjes në ajër që janë më të holla se një qime e vetme njerëzore, përbëjnë një kërcënim të veçantë. Ato mund të kalojnë  nga mushkëritë në tru, duke dëmtuar membranat që mbrojnë nga substancat toksike.

Doza e kimikateve toksike që duhen për të dëmtuar një tru në zhvillim është shumë më e ulët se ai që do të dëmtonte një të rritur. Si dhe grimcat, nivelet e larta të grimcave magnetite, ndotës i lidhur me sëmundjet neuro-degjenerative, janë gjetur në trurin e njerëzve që jetojnë në zonat urbane.

Qytete të pistë

Urbanizimi është një shkak kryesor. “World Economic Forum” parashikon që në vitin 2050 më shumë se 2 e 3 e popullsisë së botës do të jetojë në qytet. Ndërkohë që qytetet janë motorët e ekonomisë globale, duke përllogaritur 80% e GDP, ata gjithashtu prodhojnë 75% të dioksidit të karbonit (CO2).

Megjithëse CO2 po nxit ndryshimin e klimës, në nivelin e tokës janë ndotësit si grimcat dhe oksidet e azotit të djegura nga djegia e lëndëve djegëse fosile që po i dëmtojnë fëmijët. Qytetet, zjarret në oborrin e shtëpisë janë një shkak kryesor i shëndetit të sëmurë tek fëmijët, edhe nëse ajri jashtë shtëpisë është më i pastër se në një qytet.

Imazhi: Reuters/Athit Perawongmetha
Burimi: World Economic Forum

Bazuar në “American Lung Association” fëmijët janë veçanërisht të ndjeshëm nga ndotja e ajrit për shkak se mushkëritë e tyre janë duke u rritur dhe ata janë më shumë aktivë se sa të rriturit. Të luajturit i bën fëmijët të thithin më shumë ajër të ndotur sepse janë më afër me tokën.

Shumica – 80% – e zhvillimit të mushkërive ndodh pas lindjen dhe vazhdon gjatë gjithë fëmijërisë. Mungesa e imunitetit natyral, i zhvilluar nga të rriturit me kohën, i bën fëmijët gjithashtu të ndjeshëm ndaj infeksioneve të frymëmarrjes gjë që rrit sensibilitetin e tyre ndaj ajrit të ndotur.

Çfarë mund të bëhet?

OBSH dhe Unicef kanë rënë dakord që është e nevojshme që të merren masa urgjente për të shkurtuar emetimet në mbarë botën, veçanërisht në qytete. Vendet me urbanizim të shpejtë  kanë mundësinë të anashkalojnë teknologjitë më të vjetra ndotëse dhe të shkojnë direkt në alternativa më të pastra me zero emetime.

Dhënia e aksesit të familjeve në lëndë djegëse të pastra gatimi do të bënte një ndryshim masiv për  fëmijët në zonat rurale. Më shumë se 40% e popullsisë botërore nuk kanë akses në lëndë djegëse të pastra dhe megjithëse disponueshmëria e tyre po rritet, OBSH thotë se nuk po ecën me rritjen e popullsisë, veçanërisht në Afrikën subsahariane.

Marrja e masave po bëhet gjithnjë e më urgjente. Një raport i vitit 2018 i Kombeve të Bashkuara theksoi se megjithëse normat e vdekshmërisë foshnjore janë përgjysmuar në dy dekadat e fundit, cilësia e dobët e ajrit ka çuar në vdekshmëri më të lartë tek fëmijët në vitin e tyre të parë të jetës. Nëse nuk veprojmë tani, vitet e përparimit në shëndetin e fëmijës mund të ndryshojnë.

Burimi: World Economic Forum

Ndotja në Ballkan: Ajri i ndotur nuk njeh kufij shtetërorë

Problemi i ajrit të ndotur në Ballkan ka marrë përmasa alarmuese. Kjo evidentohet edhe në statistikat e fundit të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Automjetet e vjetra ndër ndotësit më të mëdhenj.
Për shumë vite është anashkaluar zgjidhja e problemit të ajrit të ndotur në Ballkan, një problem që debatohet zëshëm në Evropën Perëndimore, ku në statistika thuhet se ndër 100.000 banorë, 23 vetë humbin jetën nga ndotja e ajrit. Vlen të përmendet se si në pothuajse çdo problem tjetër, po ashtu edhe në këtë rast, vendet më pak të zhvilluara janë edhe më të prekura. Në Ballkan, numri i viktimave nga ndotja e ajrit në 100.000 banorë, varion nga 160 deri më 230 viktima. Bosnje-Hervegovina renditet si vendi më i prekur me numrin më të lartë të viktimave, duke u ndjekur në listë nga fqinjët e tjerë të Ballkanit, Shqipëria e më pas Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Serbia. Rajoni i Ballkanit është pjesa e Evropës me atmosferën më të ndotur.
Vlatka Matkoviç Puljiq, përgjegjëse për shëndetësinë dhe energjinë për rajonin e Ballkanit në Aleancën për Shëndetësi dhe Mbrojtje të Mjedisit HEAL me qendër në Bruksel, për DW thotë se problemi i ndotjes së ajrit në këtë rajon është “problem i tmerrshëm”, dhe ndër ndotësit më të mëdhenj ajo rendit industrinë, pastaj trafikun dhe lëndët djegëse. “Si problem kryesor në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar janë termocentralet, e në nivel lokal është trafiku dhe lëndët djegëse kryesisht për ngrohje.”
Emetimet e lartë të grimcave të dëmshme të ajrit në një vend do të thotë se ato dëmshme mund të përfundojnë në vendet e tjera fqinje. “Nuk mund të luftohet ndotja e ajrit vetëm në komunitetin lokal. Nëse ka një ndotës që është pranë dhe nuk mund të ndalohet emetimi, sepse i takon një shteti tjetër, në këtë rast duhet bashkëpunim ndërshtetëror. Për shembll, nëse Kroacia dëshiron të bëjë diçka për të përmirësuar cilësinë e ajrit, nuk do t’ia arrijë qëllimit, sepse Serbia dhe BH si fqinjë e ndotin ajrin. Dhe ajri nuk njeh kufi shtetëror.”
Matkoviç Puljiq më tej thekson se bashkëpunimi midis vendeve është i pashmangshëm, për të bërë hapa konkrete drejt filtrimit ose mbylljes së termocentraleve.

Automjetet e vjetra – mjete kryesore të transportit

Në vendet e ish-Jugosllavisë ende industria shihet si ndotësi më i madh i ajrit. Ndërsa Shqipëria është e prekur rëndë nga një problematikë e natyrës tjetër. „Edhe sot pas 27 vitesh industria në vend është shumë pak e zhvilluar dhe nuk përbën ndotësin kryesor në mjedis, ndërkohë që transporti që renditet i dyti sektor në konsumin e energjisë është ndoshta i pari në ndotjen që shkakton në mjedis”, thotë Olsi Nika, nga organizata EcoAlbania për DW.
Ndërkohë që në vendet e tjera të Ballkanit luftohet kundër një problemi që shkaktohet për të siguruar një standard ekonomik, në Shqipëri vjen problemi i ndotjes së ajrit pjesërisht vetëm nga transporti. Kjo bëhet e qartë në zona të kryeqytetit ku „normat e PM 10 dhe PM 2.5 (substancat e ngurta të mbetura pezull në ajër) janë disa herë më të larta se normat e lejuara në një kohë ku nuk operojnë fabrika industriale”, thotë Drejtori Ekzekutiv nga EcoAlbania, Olsi Nika.
Ky problem haset edhe në zonat e tjera urbane të Shqipërisë. Kur kemi ende një rrjet komunikimi, i cili le shumë hapësirë për të dëshiruar, kryeqyteti duket qartë se nuk mundet as përafërsisht t’i plotësojë nevojat e të gjithë qytetarëve.
Ndërkohë në Tetovë edhe pse si ndotësi i tretë më i madh në renditje qyteti nuk ka as transport publik. Arianit Xhaferri nga organizata Eco Guerrila kërkon sa më parë vendosjen e transportit publik, që të ofrohet një alternativë tjetër krahas automjeteve private për qytetarët.
Për të njejtin problem flitet edhe në Bosnjë ku transporti është ndotësi i dytë më i madh. Për DW nga organizata Eco Akcion nga Sarajeva, thotë: „kur importohet një automjet në BH është e nevojshme që automjetet të kenë motor EURO 4. Megjithatë, ky nuk është problemi më i madh. Problem akoma më alarmues është mosha mesatare e automjeteve në rrugë. Një numër i konsiderueshëm i automjeteve që ende lëvizin janë të prodhuara në vitet 1980″. Një gjendje pak a shumë e njëjtë gati në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Valë e re e automjeteve të vjetëruara dizel drejt Ballkanit

Pas vendimit të Gjykatës Federale Adiministrative të Gjermanisë, ku bashkitë e komunat kanë të drejtë të vendosin për ndalimin e automjeteve dizel më të vjetër se ato me standard EURO6 ka rënë vlera e automjeteve dizel në Gjermani. Kjo po rezulton me një fluks të automjeteve Diesel drejt Ballkani në veçanti në Shqipëri, ku automjetet gjermane kanë një prestigj shumëvjeçarë.
Në janar 2018, ndotja e ajrit në Prishtinë arriti një nivel gjashtë herë më të lartë se normat e caktuara. Masat ekstreme, të cilat u ndërmorën me ndalesën gjithpërfshirëse të komunikacionit në qytet, ishte një reagim refleksiv, gjë që nuk mund të konsiderohet si zgjedhje e përhershme e problemit. „Ndërhyrja e autoriteteve për përmirësimin e situatës të paktën deri tani ka rezultuar të jetë e pamjaftueshme. Megjithatë vlen të përshëndeten nismat e tilla të ndërmarra nga Ministria e Mjedisit për të vendosur si kufi të poshtëm limit përdorimin e motorëve Euro 5. Kjo mund të jetë një masë, e cila padyshim do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve.” thotë Nika nga EcoAlbania.
Po të shohësh zhvillimet e fundit në tregun e automjeteve, ndoshta nismat e Ministrive të Ballkanit duhet të jenë më të shpejta. Rregullimi i importit të automjeteve me motor Diesel ndoshta do të shmangte në kohë rrezikun nga perëndimi.

Angazhimet e qytetarëve kundër ndotjes së mjedisit, pjesërisht të sukseshme

Për të mbrojtur mjedisin duhet vetëdijësim më i lartë i qytetarëve në përmasa rajonale. Shumë organizata ekologjike të Ballkanit Perëndimor janë duke luftuar në mënyrë aktive këtë problem. Olsi Nika thotë se që të jesh qytetar i mirëfilltë duhet „të jesh i angazhuar e aktiv duke rritur presionin e llogaridhënies kundrejt vendim-marrësve e politikëbërësve për të ndërmarrë hapa dhe veprime që të përmirësojnë situatën e ndotjes apo problematika të tjera që lidhen me përditshmërinë tonë.”
Duke patur parasysh detyrën e tyre si qytetarë, Xhaferri nga EcoGuerilla kërkon nga institucionet përkatëse të mos e lënë mbrojtjen e mjedisit në vullnetin e mirë të qytetarëve. Më tej ai thekson që „ deri tani kemi parë shumë rekomandime, fare pak masa (për të mos thënë aspak), dhe gjoba e ndëshkime ndaj kundërvajtësve që nuk vihen në fuqi.”
Organizata nga qyteti i Tetovës është një shembull pozitiv në atë se si mund të ndryshohen politikat ndaj qytetarëve. Kjo u demonstrua duke protestuar disa vite radhazi për ajër të pastër në qytetin e tyre. Kërkesa kryesore ishte që termocentrali „Jugohrom”, me vendndodhje afër qytetit të Tetovës të vendoste filtra sipas rregulloreve dhe ligjeve evropiane.
„Sukses më i këndshëm do ishte vendosja e filtrave, përmbushja e kërkesave dhe standardeve ekologjike me çka s’do humbte askush punën, por u desh bërë ajo që duhej bërë sepse ata (dukej qartë) se talleshin me jetën dhe shëndetin e tetovarëve, dhe as që mendonin të bënin hap përpara në kuptimin e përmbushjes së standardeve.”, thotë Arianit Xhaferri, duke shprehur keqardhje për qytetarët që humbën vendin e punës. Në anën tjetër, Xhaferri është shumë mirënjohës ndaj qytetarëve që mbështetën organizatën gjatë aktiviteteve dhe që ishin gjithmonë iniciativa paqësore. Rezultatet janë të dukshme, Tetova tani më nuk është qyteti më i ndotur maqedonas.”
Tetova është shembull pozitiv, por a do të mundet Ballkani të ndryshojë të ardhmen si rajon? Shpresa ka, po ashtu edhe shembuj pozitiv edhe pse janë shumë të pakta në numër. Iniciativa të ardhshme me kapacite dhe fuqi më të madhe ndryshuese janë të nevojshme për të minimizuar efektet e rrezikshme të ndotjes së ajrit për shëndetin e njeriut.

Autor: Arbër Bajrami, Aida Salihbegovic
Ky artikul është marrë nga Deutsche Welle

Mbetjet pushtojnë Shqipërinë!

Nga Artan Rama dhe Andi Bora*

Vetëm pesëmbëdhjetë kilometra nga qendra e kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës, rreth tre mijë familje janë rrethuar nga flakët. Ndonëse në një stinë të nxehtë me temperatura të larta, shkaku i zjarrit është i pazakontë: këtu, në fushën e Argjenaturës, po digjet një mal i lartë me plehra.

Kjo është mënyra e preferuar e Bashkisë së re të Kamzës për të menaxhuar mbetjet e saj urbane.

Dikur një fushë pjellore pranë lumit Tërkuzë, Argjenatura ka kohë që është shndërruar në një vend depozitimi mbetjesh. Një pjesë, jo e vogël, përfundon në lumë. Banorët përreth, ankohen për erën e keqe dhe ndotjen, por gjithçka vazhdon si më parë, apo shpërfillet, ndaj dhe një pjesë e tyre, sot ka dalë në rrugë për të protestuar.

Por Kamza nuk është e vetmja bashki që vepron kështu.

Berati, një qytet turistik në jug të Shqipërisë, zyrtarisht Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, gjithashtu e ka pozicionuar vendepozitimin e mbetjeve urbane pranë një lumi. Osumi, i famshëm për kanionet e tij, është pa dyshim një tjetër lum i ndotur. Një pjesë e mbetjeve të qytetit përfundon në brigjet e tij. Shumica e të gjitha venddepozitimeve në vend, janë vendosur pranë shtretërve të lumenjve.

Tokat pranë lumenjve kanë qenë të lira dhe djegja e mbetjeve pranë tyre nuk u kushton asnjë shpenzim autoriteteve të këtij vendi të varfër.

Por në të vërtetë po digjen miliona fitime të ardhshme! Ndërsa djegja po helmon burime natyrore të rëndësishme!

Mbetjet dalin jashtë kontrollit të shtetit

Shqipëria është një prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ndonëse vendi ka bërë disa përparime në fushën ekonomike, kapacitetet admininistrative, veçanërisht në fushëm e menaxhimit të mbetjeve, kanë rezultuar të dështuara.

Zyrtarët kanë raportuar se niveli i riciklimit të mbetjeve është në përputhje me objektivat e kërkuara për t’u përmbushur nga BE, por ata po fshehin një të vërtetë të frikshme: shërbimet publike të menaxhimit të mbetjeve po kontrollojnë gjithnjë e më pak mbetje në vend, ndërkohë që sasia e mbetjeve rritet vit pas viti.

Sipas të dhënave të fundit të vlefshme, të publikuara prej Institutit të Statistikave, në vitin 2013, një në çdo pesë tonë mbetje nuk mblidhej prej shërbimeve publike. Dy vjet më pas, ne vitin 2015 sasia e pambledhur nga shërbimet publike u rrit në dy tonë për çdo pesë tonë mbetje. Ndërkohë, sistemi zhytej nën peshën e shtuar të mbetjeve.

Grafiku i mbetjeve

Pra, në vitin 2015 vetëm tre për çdo pesë banorë u shërbyen prej sistemit të menaxhimit publik të mbetjeve. Ndërkohë që në Evropë ky shërbim u ofrohet pothuajse të gjithëve. Nëse Shqipëria do të pranohej sot në BE, ajo do të renditej shumë më poshtë se vendi i fundit i saj, Rumania, përsa i përket trajtimit të mbetjeve. Për çdo shtëpi  e cila nuk është e lidhur me sistemin e menaxhimit të mbetjeve në Rumani, në Shqipëri  janë pothuajse tre.

Shqiptarët prodhojnë mbetje në përmasa alarmante

Ndërsa qytetarët e botës po ndërgjegjësohen për realitetin e ngrohjes globale, shqiptarët po prodhojnë plehra në përmasa alarmante.

Një prej politikave bazë të menaxhimit të mbetjeve është të zvogëlosh sasinë e mbetjeve. Gjatë dekadës së fundit, Evropa e uli sasinë vjetore të mbetjeve urbane me 6 përqind. Por programet evropiane të parandalimit të mbetjeve nuk kanë mbërritur në Shqipëri. Gjatë së njëjtës periudhë, shqiptarët e dyfishuan sasinë e mbetjeve urbane dhe problemi po zgjerohet me shpejtësi. Për çdo dy tonë mbetje të gjeneruara në vitin 2013, më 2015 është gjeneruar një ton më shumë.

Grafiku i mbetjeve 2

Gjithnjë e më shumë plehra po përfundojnë në landfille si Argjenatura. Për çdo dhjetë tonë mbetje të depozituara në landfille në vitin 2013, më 2015 u depozituan katërmbëdhjetë tonë. Ndërkohë, në BE ecuria është në kahun e kundërt: për çdo dhjetë tonë të depozituara në lendfille në vitin 2013, dy vjet më vonë u depozituan nëntë tonë.

Zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, po hartojnë një strategji të re për të kontrolluar situatën. Por ende pa e përfunduar atë, qeveria ka lejuar ndërtimin e tre inceneratorëve, në përpjekje për të eliminuar malet me mbetje urbane. Djegja e plehrave mund të jetë një opsion i shpejtë, por jo i zgjuar.

Treguesit real të riciklimit janë dy herë më të ulët se sa raportohen

Programet e riciklimit nuk ekzistojnë në Shqipëri. Zyrtarët thonë se në vitin 2015 u ricikluan 25 për qind të mbetjeve, por vlerësimet tona të mbështetura në të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se shifra reale është rreth 14 për qind e sasisë totale të mbetjeve të gjeneruara në vend – gjysma e asaj të pretenduar nga qeveria.

Shkalla modeste e riciklimit në vend po tretet, e nxitur prej rritjes galopante të mbetjeve të gjeneruara. Kështu, për çdo njëzet tonë mbetje të gjeneruara në vitin 2013, u ricikluan katër tonë, ndërsa dy vjet më vonë, më 2015, për të njëjtën sasi prej njëzet tonësh, u ricikluan vetëm tre tonë. Nëse vazhdohet me këto ritme, Shqipëria nuk do ta mbajë premtimin për të ricikluar 55 për qind të mbetjeve në vitin 2020.

Arritjet e fundit të riciklimit të mbetjeve në Evropë janë vetëm një element i një strategjie më të madhe për të garantuar një mjedis të pastër e të shëndetshëm. Sipas Eurostatit, në vitin 1995, për çdo njëzet tonë mbetje, trembëdhjetë prej tyre u dërguan në lendfille, tre tonë u dogjën dhe vetëm dy tonë u ricikluan. Por njëzet vjet më pas situata ndryshoi tërësisht: më 2015, u depozituan në lendfille pesë tonë, u dogjën pesë të tjera dhe riciklimi u rrit në gjashtë tonë.

Grafiku i mbetjeve 3

Të fitosh prej mbetjeve

Kjo strategji kërkon që të merren në konsideratë të dyja, përfitimet ekonomike dhe ato mjedisore. Në disa raste, nga djegja e mbetjeve prodhohet energji, por gjithashtu rritet ndotja. Metalet e rënda që çlirohen shpërndahen në ajër dhe në ujëra, çka dëmton shëndetin e njerëzve që jetojnë pranë.

Të mbështetura prej analizave të kostove dhe të përfitimeve, shumica e vendeve evropiane e kanë përcaktuar riciklimin si një prioritet. Për më tepër, për disa kategori mbetjesh, siç janë kanaçet e aluminit dhe të hekurit të vjetër, riciklimi rezulton metoda më e leverdisshme ekonomike në procesin e menaxhimit të integruar të mbetjeve.

Por qeveria shqiptare nuk asnjë strategji zyrtare riciklimi. Në vend të saj ajo po shpenzon 190 milionë euro për ndërtimin e tre inceneratorëve të mëdhenj, si një zgjidhje afat-shkurtër për të trajtuar çështjen e plehrave.

*Ky artikull u shkrua në kuadër të trajnimit Datajournalism Institute në Tiranë nga 10 korriku deri me 4 gusht 2017, një bashkëpunim i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës dhe UNDP Albania.

Pneumologët: Ndotja e ajrit po ‘ha’ mushkëritë e shqiptarëve

Të marrësh frymë në Shqipëri të kushton vite jetë humbje. Trafiku i rënduar, djegia e mbeturinave, përqëndrimi i industrisë afër qendrave të banuara, janë disa faktorë të ndotjes së ajrit, që kanë shkaktuar 2220 vdekje të parakohshme. Ky raport i fundit i Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) e rendit Shqipërinë frikshëm si një nga vendet me cilësinë më të ulët të ajrit në Europë.

E gjithë kjo ndotje e ajrit ka impaktin e saj në shfaqjen e sëmundjeve respiratore. Elda, studente prej 2 vitesh në Tiranë, shprehet se ndjen vështirësi në frymëmarrje. “Mua më duhet të leviz shumë gjatë ditës dhe ndjej një rëndesë në gjoks që nuk më lejon të mbushem me frymë. Më ndodh shpesh edhe të kthehem në shtepi me sy të skuqur që më djegin dhe lotojnë”, shprehet 21 vjeçarja.

Silva Bala, mjeke pneumologe, në një intervistë për Citizens Channel tregon se ato që po dëmtojnë mushkëritë e banorëve të kryeqytetit, janë grimcat që thithin çdo ditë nëpërmjet ajrit të shkaktuar nga karburanti i automjeteve, mjetet e vjetra, pluhuri apo tymi që del nga djegia e mbeturinave.

“Sëmundjet më të shpeshta që sjell ndotja e ajrit janë asma bronkiale, bronkitet kronike, bronkitet alergjike dhe deri në shfaqen e kancerit të mushkërisë. Duke krahasuar shifrat e 2015 me të 2016 kemi patur një shtim prej 50 rastesh të kancerit të mushkërisë, e cila edhe pse nuk mund të quhet një rritje e madhe nuk duhet nënvlerësuar”, shprehet mjekja Bala.  

Në vitin 2016, sipas të dhënave të INSTAT vdekjet e shkaktuara nga tumoret janë rritur me 2,1 %, krahasuar me një vit më parë, ku nëngrupi i sëmundjeve „tumor në mushkëri‟ përbën 20,4 %.

“Duhanpirja dhe ndotja janë dy faktorët kryesorë të shtimit të sëmundjeve kancerogjene”, sqaron për Citizens Channel pneumologia Silva Bala. “Rritja e konsumit të duhanit e jep impaktin pas 15 – 20 viteve. Ashtu siç ka qenë në rritje konsumi i duhanit para 2 dekadave,  tani është rritur pritshmëria për dëmet e shkaktuara. Propabiliteti i kësaj sëmundjeve rritet edhe nga ndotja në mjedisin e punës, por jo vetëm. Veçanërisht punëtorët e industrisë metalurgjike, kimike dhe të minierave diagnostifikohen më shpesh me këtë sëmundje”,  shprehet Bala.

E pyetur se cilat qytete kanë numrin më të lartë të pacientëve të prekur nga kanceri i mushkërisë, mjekja tha se Elbasani, Fieri, Tirana dhe Korça janë qytetet që dominojnë.  “Janë kryesisht qytetet që kanë industrinë e zhvilluar, janë të mbipopulluara dhe kanë një numër të lartë të mjeteve në qarkullim”, shton Bala.

Ndonëse në Tiranë niveli i ndotjes pati një rënie me 15 % gjatë vitit 2016 krahasuar me vitin 2015, edhe kryeqyteti është ende shumë larg normës mesatare të Bashkimit Europian.

E nëse pyesni veten sesa është mesatarja e viteve për t’u jetuar nëse shqiptarët nuk do të vdisnin para kohe nga ajri i ndotur , raporti i Agjencisë Evropiane të Mjedisit e ka një përgjigje: 776 vjet për 100 000 banorë.  

Siç duket nëse masa urgjente nuk merren për të përmirësuar situatën e ajrit të ndotur në Shqipëri frymëmarrja e shqiptarëve do të ketë kosto edhe më të rëndë.

Autor: Rashela Shehu*

Autorja është gazetare pranë televizonit Report TV

 

Matjet e fundit: Banorët e Tiranës vazhdojnë të thithin ajër kancerogjen

Banorët e Tiranës thithin ajër disa herë më të ndotur se sa kufiri i lejuar i BE-së. Dhe kjo ndodh në pjesën më të madhe të vitit, ku së bashku me ajrin, kryeqytetasit marrin edhe një dozë të mirë PM10 (blozë) dhe NO2.

Banorët e Tiranës thithin ajër disa herë më të ndotur se sa kufiri i lejuar i BE-së. Dhe kjo ndodh në pjesën më të madhe të vitit, ku së bashku me ajrin, kryeqytetasit marrin edhe një dozë të mirë PM10 (blozë) dhe NO2.

Sipas raportit të monitorimit të cilësisë së ajrit të kryer në periudhën 11-19 shkurt 2017, në stacionin e lëvizshëm që përgjithësisht vendoset përpara bashkisë së Tiranës, ka rezultuar se vlerat e PM10, që është një ndër ndotësit më të rrezikshëm pasi janë grimca shumë të imëta, janë në nivele shumë ta larta.

Më konkretisht, në raportin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për Tiranën, thuhet se bazuar në të dhënat e monitoruara “vërejmë se mesataret ditore tejkalojnë normën e BE-së prej 50 µg/m³ për plot 7 ditë nga 9 ditë të monitoruara”. Po ashtu i njëjti raport citon se edhe mesatarja e ndotjes së ditëve të monitoruara është mbi normën e BE-së ku vlera është 70.73 µg/m³ me një tejkalim prej 41%”.

Siç mund të vihet re edhe nga tabela, dita më e ndotur e muajit që lamë pas ka qenë data 16 shkurt, ku prezenca e PM10 ka qenë plot 90 µg/m³, nga50 µg/m³ që ështe vlera e lejuar nga BE.

Ndotja e ajrit ne Tirane. Monitorimi i ajrit ne Tirane. Citizens Channel

Në fakt edhe fundi i 2016-ës është karakterizuar po nga e njëjta situatë e rëndë e cilësisë së ajrit në Tiranë. Nga 17 ditët e monitoruara për praninë e PM10 ka rezultuar se në 12 prej tyre tejkalohet norma e BE-së për PM10, ndërkohë që norma e lejuar nga BE e ditëve që mund të tejkalohet kjo ndotje është vetëm 35 ditë në vit.

Sipas OBSH-së, kur ndotja tejkalon limitet e vendosura (maksimumi 35 ditë në vit) atëherë ata kanë pasoja në shëndetin e njerëzve pasi mund të shkaktojë kancerin e mushkërive, sëmundjet e zemrës dhe sulmet në tru. Pikërisht këtij niveli të lartë të ndotjes në vendin tonë, OBSH i atribuon edhe 500 vdekje të parakohshme.

“Duke analizuar të dhënat e monitoruara për periudhen 13 dhjetor 2016 – 13 janar 2017 në stacionin e Bashkisë kemi tejkalim të vlerës mesatare vjetore në krahasim me normën mesatare të BE për PM10 dhe NO2 në masen 57.9%. dhe 72%.”, thuhet në raportin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Ndërsa sa u përket treguesve të tjerë si SO2, O3 dhe Benzen gjatë periudhës së monitorimit nivelet e tyre janë nën normat e BE dhe nuk përbëjnë problem për ndotjen e ajrit në zonën e monitorimit.

Monitorimi i ajrit ne Tirane. Ndotja e ajtrit ne Tirane. Citizens Channel

Ekspertët: Të dhënat nuk janë të besueshme, aparaturat kanë tre vite që nuk kolaudohen

Agron Deliu, specialist i cilësisë së ajrit dhe që ka përgatitur deri në 2015-ën të gjitha raportet e ISHP-së për cilësinë e ajrit, i lexon me skepticizëm këto shifra. “Ka dy probleme të mëdha në këto shifra. Së pari janë shumë sporadike, pasi që të dalësh në një raport dhe të dhëna të certifikuara duhet të ketë matje së paku në 51% të ditëve të vitit të monitoruara dhe rezultatet duhet të çertifikohen nga institute të specializuara, dhe së aparaturat nuk funksionojnë në rregull pasi janë lënë pas dore për mungesë fondesh dhe nuk janë të kalibruara që nga viti 2013. Kështu që edhe të dhënat që ata japin unë kam dyshime nëse janë të sigurta”, thotë për Citizens Channel eksperti Deliu, që megjithëse që nga 2015-ta është i pensionuar nuk ka hequr dorë nga puna.

Por sipas tij edhe kështu këto të dhëna flasin për një ndotje shumë të madhe në Tiranë. “Edhe nëse ne do të lexojmë vetëm këto të dhëna mund të themi me siguri se Tirana është shumë më e ndotur se disa vite më parë. Norma e OBSH-së lejon që kjo ndotje të tejkalohet vetëm 35 ditë në vit, kurse në Tiranë rezulton se nga 17 ditë të matura, në 12 ditë tejkalohet ndotja. Imagjinoni pak se çfarë ajri thithim përgjatë një vit”, thotë Agron Deliu.

 Ai na tregon se duke filluar nga viti 2010-2013 Tirana ka pasur katër stacione monitorimi 24 orën në 24 të cilësisë së ajrit dhe rezultatet ishin të çertifikuara nga institucionet ndërkombëtare. Por pas kësaj periudhe qeveria shqiptare nuk investoi në mirëmbajtjen e aparaturave që kanë pasur probleme. “Nuk mund të bësh matje vetëm një javë në muaj dhe të thuash që këto janë të dhënat. Duhet që matjet të jenë të vazhduara që të mund të dalësh në një raport konkret. Kur këto shifra janë kaq të larta në dimër, imagjino çfarë ndodh në verë”, thotë për Citizens Channel Deliu.

Në fakt edhe Instituti i Shëndetit Publik, ka një stacion monitorimi të vendosur tek Ambulanca e Madhe, por ata prej kohësh nuk raportojnë për nivelet e ndotjes së ajrit. Arsyeja: nuk u rakordojnë shifrat me të dhënat e publikuara nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

“Në fakt ne kemi një stacion tek Ambulanca e Madhe por të dhënat tona për muajin janar dhe shkurt na kanë dalë shumë më të ulëta se sa shifrat që kanë publikuar Bashkia Tiranë dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Dyshojmë që aparaturat tona mund të kenë nevojë për kolaudim, ndaj nuk i kemi raportuar të dhënat. Do të shikojmë se si do të na dalin të dhënat edhe për këtë muaj që jemi dhe më pas do të kërkojmë që aparatura të dërgohet jashtë për kolaudim”, na shpjegojnë burime nga ISHP-ja.

Ndotësit kryesorë

Trafiku i rënduar, vjetërsia e automjeteve dhe cilësia e karburantit si dhe punimet që po bëhen në rrugë akuzohen si shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Tiranë.

Në kryeqytet qarkullojnë çdo ditë më shumë se 100 mijë automjete, ndërkohë që përllogaritet që transporti kontribuon me 48-60% të ndotjes së ajrit. Po ashtu mosha mesatare e automjeteve të pasagjerëve është 18.4 vjet, duke bërë që të jenë kështu kontribuesit më të mëdhenj të ndotjes së ajrit me PM10.

Eksperti Deliu shikon si zgjidhje kryesore kontrollet rigoroze për cilësinë e karburanteve dhe rregullimin e trafikut. “Larja dhe pastrimi i rrugëve, por më kryesorja rregullimi i trafikut në mënyrë që automjetet të mos qarkullojnë me shpejtësi kaq të ulët, por edhe rritja e kontrolleve mbi cilësinë e karburantit do të ishte zgjidhja”, shpjegon ai për Citizens Channel.

Strategji për ajrin

Duke filluar që nga viti 2014 në vendin tonë ekziston një strategji kombëtare për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, por që rezultatet nuk duken. Edhe në këtë dokument bazë të qeverisë shqiptare tërhiqet vëmendja se dalin të dhëna për ndotjen e ajrit, por nuk është aplikuar asnjëherë kontrolli i cilësisë së të dhënave.

“Praktika e tanishme e monitormit nuk është në linjë me kërkesat e BE-së. Stacionet automatike të monitorimit prodhojnë të dhëna të përqendrimeve të cilësisë së ajrit, por siguria dhe kontrolli i cilësisë së të dhënave nuk është aplikuar ndonjëherë, me përjashtim të dy stacioneve automatike të Tiranës që menaxhohen nga ISHP-ja gjatë periudhës 2011-2013. Sigurimi i cilësisë është i nevojshëm nëse të dhënat do të konsiderohen të pranueshme dhe do të përdoren për krijimin e informacionit që duhet për menaxhimin e cilësisë së ajrit”, thuhet strategjinë e cilisësë së ajrit.

Duke analizuar punën e institucioneve që kanë për detyrë të monitorojnë cilësinë e ajrit si dhe të marrin masa për uljen e ndotjes, kjo strategji kërkon ndarje të përgjegjësive. “Ekziston në një fare mase një mbivendosje dhe fragmentizim i përgjegjësive ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Institutit të Shëndetit Publik. Riorganizimi dhe konsolidimi i institucioneve ekzistuese është i nevojshëm. Është, gjithashtu, mjaft e rëndësishme ndarja e qartë e përgjegjësive ndërmjet autoriteteve të ndryshme administrative”, thuhet në këtë strategji.

Po ashtu strategjia vë theksin se kontrolli i shkarkimeve të gazeve nga automjetet është i pamundur të kryhet nga institucionet përkatëse përgjegjëse, për shkak të kapaciteteve jo të duhura për kryerjen e matjeve nga shkarkimet e motorëve.

Autor: Citizens Channel