“Bashkëqeverisja del kundër HEC-it në Mirditë” – Kompania nuk ka ndjekur procedurat

Kërkesa e banorëve të Mirditës drejtuar Platformës së Bashkëqeverisjes ka marrë përgjigje zyrtare. Mësohet  se kompania “EME Energy” sh.p.k nuk ka aplikuar pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për procedurat e vlerësimit të ndikimin në mjedis. Lidhur me këtë praktike të munguar, bazuar në ligjin 146/2014 “Për Njoftim dhe Konsultim Publik“, kompania ka shmangur procedurën e konsultimit publik duke mos përfshirë banorët në vendimmarrje.

Përgjigja nga Platforma e Bashkëqeverisjes ndaj kërkesës për informacion të banorit Lekë Gjoka

Ndërtimet në këtë zonë të Mirditës janë miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) me datë 06.11.2018. Punimet janë parashikuar të kryhen në përroin e Shën Gjergjit të Gurrëzës, degë e lumit të Fanit të vogël, me subjekt zhvillues shoqërinë “EME Energy” sh.p.k.

Referuar Fletores Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, udhëzimi numër tre i datës 2.12.2013 “Për dokumentacionin e domosdoshëm për të kërkuar leje mjedisore të tipit A, B dhe C për aktivitetet të reja dhe ekzistuese” pika d informon që dokumentacioni i plotë dhe i nevojshëm duhet të përmbajë, ndër të tjera, të dhëna të konsultimit me publikun. Banorët shprehen se nuk janë kryer këto konsultime dhe nuk u është marrë mendimi rreth ndërtimit të hidrocentralit në zonën ku ata banojnë. 

Udhëzimi i mësipërm gjithashtu përfshin dokumentim të pjesëmarrjes nga pushteti vendor, përfaqësues të Agjencisë Rajonale dhe palët e interesuara sipas ligjit në fuqi. Po ky ligj kërkon nga subjektet që të bashkëngjisin materiale që vërtetojnë zhvillimin sipas procedurës përkatëse. Këto  materiale janë:

  • Proces-verbale të takimeve
  • Listën e personave të pranishëm
  • Materialet e prezantuara
  • Foto

Shqipëria ka ratifikuar Konventën mbi Aksesin në Informacion, Pjesëmarrjen e Publikun në Vendimmarrje dhe Akses në Drejtësi për Çështje Mjedisore (Aarhus) pjesë e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) që prej vitit 2001. Kjo konventë i garanton çdo qytetari të drejtën e informimit, pjesëmarrje në proceset vendimmarrëse  dhe të drejtën për të kundërshtuar vendimet e ndërmarra nëse nuk janë respektuar dy pikat e mësipërme. 

Banorët e zonës së Fanit prej javësh kanë protestuar dhe kanë arritur t’i pengojnë fillimet e punimeve në lumenjtë e zonës. Ata janë shprehur edhe më herët se nuk është kryer procedura sipas kuadrit ligjor, të cilën e vërteton tashmë edhe përgjigja e sjellë nga Platforma e Bashkëqeverisjes.  Citizens Channel ka raportuar mbi protestat e ndodhura në Mirditë dhe nga intervistat e dhenë banorët shprehen se ndërtimi i hidrocentraleve do u ndikojë negativisht në ujin e pijshëm, në vaditje, kullota dhe ekosistem.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Bulqizë/ “Një helmim i paralajmëruar”…

Prej tre ditësh banorët e Bulqizës janë prekur nga shenja të një helmimi masiv. Fillimisht rreth 20 persona u paraqitën në spital me simptoma të njëjta, që përfshinin dhimbje barku dhe të vjella.  Numri u rrit ndjeshëm gjatë ditëve në vazhdim duke arritur në rreht 90 banorë të lagjeve “Qyteti i Ri” dhe “Qyteti i Vjetër” çka la dyshime që të paraqiturit në spital mund të ishin helmuar nga uji i pijshëm.

Flamur Meta, drejtori i Shëndetit Publik në Bulqizë fillimisht mohoi se shkaku mund të ishte uji i pijshëm në qytet. Ditën e djeshme Meta deklaroi se po priten verifikimet: “Jemi në pritje të analizave. Ndërkohe bën thirrje që  banoret mos e konsumojnë ujin deri në pritje të përgjigjes së analizave.”

Pas 3 ditësh heshtje, Instituti i Shëndetit Publik reagoi duke deklaruar se “Ne për momentin kemi udhëzuar që uji të mos konsumohet dhe realisht që nga ky moment numri i rasteve është ulur shumë. Lagjja që është prekur konsumon kryesisht ujin e rrjetit dhe ky fakt na bën të mendojmë se ky mund të jetë shkaktar i helmimit. Epidemia mund të jetë shkaktuar nga uji. Të gjitha rastet e helmimeve kanë qenë të lehta  Kemi udhëzuar të mos pihet ujë këto ditë ”

Aktualisht nuk ka një përgjigje apo qëndrim zyrtar në lidhje me evidentimin e shkaqeve të sakta  të këtij helmimi masiv në qytetin e Bulqizës. Ndërkohë që banorët e prekur gjatë këtyre ditëve kanë deklaruar për mediat se shumë linja të ujësjellësit janë të amortizuara.

Një vit më parë Citizens Channel kreu një vëzhgim në Ujësjellësin e qytetit të Bulqizës ku evidentoi probleme të shumta në depozitimin dhe shpërndarjen e ujit të pijshëm.

Vepra e marrjes se ujit, ku furnizohet nje pjese e Bulqizes. Foto: Sami Curri

Depozita në lagjen “Çupe”, nga ku furnizohet një pjesë e qytetit është e rrethuar nga banesat dhe tokat bujqësore. Situatë që bie në kundërshtim me kriteret e ligjin për zonat e mborjtjes higjeno sanitare, ku përcaktohet se ndërtimet apo veprimtaritë që mund të ndikojnë në ujin e pijshëm janë të ndaluara.

Histori e përsëritur

Banorët e “Lagjes së Re” në Bulqizë treguan se në vitin 2015,  uji vinte i ndotur, me erë të rëndë , nuk mund të përdorej për t’u pirë dhe as për larje, pasi nëse përdorej i ngrohtë lëshonte një erë tejet të rëndë.

Citizens Channel mësoi nga Spitali i Bulqizës se në muaji shkurt të vitit 2017, ka pasur një valë shtrimesh me persona që shfaqnin simptoma të njëjta.

Një tjetër rast i helmimit masiv ku u ngrit pista e helmimit nga uji erdhi në muajin gusht të vitit 2017, ku 55 dasmorë përfunduan në Spital me simptoma të helmimit në fshatin Ostreni i Madh.

Lexo më shumë:
Rrjeti i amortizuar i ujit të pijshëm rrezik për shëndetin e banorëve të Bulqizës

Janë vetë autoritetet ato që pranojnë se rrjeti është i amortizuar dhe ka nevojë për ndërhyrje emergjente. Veç rrezikut për shëndetin e banorëve, rrjeti i amortizuar rrit humbjet duke sjellë kështu uljen e të ardhurave dhe mundësisë për investime.

Kanalizime në Bulqizë. Foto: Sami Curri

Sot, banorët e Bulqizës gjenden përballë të njëjtës situate. Rreth 90 persona të helmuar me dyshimet kryesore drejtohen sërish, drejt ujit të pijshëm në qytet.

 

 

 

 

Protesta e Unazës së Re zhvendoset në Surrel; Avokati: Shtëpia e Kryeministrit, e barabartë me shtëpinë e çdo shqiptari

Dje u shënua dita e 66 e protestës së banorëve të zonës së Astirit.  Prej rreth 2 muajsh e gjysmë ata kërkojnë anulimin e projektit të Unazës së Madhe i cili parashikon prishjen e rreth 200 banesave.

Prej muajsh ata protestojnë çdo ditë duke bllokuar aksin e rrugës që të çon tek sheshi “Shqiponja”. Mbrëmë ata e përshkallëzuan protestën e tyre duke shkuar drejt banesës së Kryeministrit Edi Rama, në Surrel.

Të pajisur me pishtarë dhe me jelekët portokalli ata kërkuan anulimin e këtij projektit, aktualisht i pezulluar për shkak të një hetimi në lidhje me një nga kompanitë fituese të projektit “DH Albania”.

“Qëllimi i kësaj proteste ishte që ti jepej një mesazh Kryeministrit Rama se shtëpia jote kudo qoftë, është e barabartë me shtëpinë e çdo familje në Unazën e Re dhe në gjithë Shqipërinë”, tha për Citizens Channel avokati Artan Manushaqe i cili prej kohësh i është bashkuar protestës së banorëve të Astirit.

Fotogaleri: protesta e banorëve të Astirit zhvendoset pranë shtëpisë së Kryeministrit Rama

Sipas aktivistëve protesta e djeshme ka zgjatur rreth një orë dhe është zhvilluar pa incidente, me pjesëmarrjen spontane të banorëve të zonës së prekur nga projekti, studentëve dhe qytetarëve të tjerë.

Avokati Manushaqe ngriti një sërë shqetësimesh që lidhen me ligjshmërinë e ndërtimit të këtij segmenti të Unazës së Madhe: “Projekti ka rënë sepse është korruptiv dhe shtëpitë dhe pasuritë e shqiptarëve do të mbrohen me çdo kusht brenda garancive kushtetuese dhe të Kodit Penal apo bazuar edhe në të drejtën e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut”.

Avokati liston një sërë shqetësimesh që lidhen me shkeljen e procedurave të shpronësimin dhe legalizimet:

  • Nuk ka pasur asnjë komunikim verbal me banorët e zonës
  • Shkresat e nisura nga autoritetet publike, ku kërkohet lirimi i banesave për 10 ditë dhe parashikohen gjoba deri në 500 mijë lek nëse nuk prishen banesat vullnetarisht, konsiderohen të paligjshme kur në të njëjtën kohë ka një hetim në SHBA dhe Shqipëri për projektin
  • Skualifikimi i banesave që janë pranuar më parë dhe kanë nisur procesin e legalizimit

 

*Citizens Channel / F.S/