Sulmet ndaj medias, kryeministri raportohet në Platformën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarëve

Këshilli Shqiptar i Medias (KShM) bashkë me organizata të tjera mediatike kanë dërguar një ankesë në Platformën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarëve, rreth gjuhës kërcënuese dhe poshtëruese të përdorur nga Edi Rama kundrejt medias pas tragjedisë së 26 nëntorit.

Kjo ankesë është shoqëruar me raportim të disa nga daljeve publike ku kryeministri i është drejtuar në mënyrë specifike televizionit dhe gazetarëve. Në vijim, janë përmendur reagimet e shumta nga organizatat mediatike të cilat kanë dënuar gjuhën denigruese drejt medias dhe kanë theksuar se mbyllja e portalit online Jeta Osh Qef (JOQ) nga AKEP pa një urdhër gjykate është e paligjshme dhe nuk ka bazë ligjore.

Mbyllja e këtij portali ka ardhur menjëherë pasi Rama ka deklaruar në Twitter se në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme, do mbyllë përkohësisht disa portale të cilat, sipas tij, hapin panik përmes shpërndarjes së lajmeve të rreme.

Screenshot i postimit në Twitter

Flutura Kasemi, shtetase kosovare dhe pjesë e organizatës Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, njofton në rrjetin social Facebook se sulmet e vazhdueshme të kryeministrit Rama janë denoncuar në Platformën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarëve. Në këtë postim, Kasemi thekson se pasqyrimi i situatës në këtë institucion ndërkombëtar do mundësojë llogaridhënien e tij rreth qëndrimeve dhe sulmeve të vazhdueshme kundrejt medias.

Screenshot i postimit rreth denoncimit te kryeministrit Rama

Raporti i tensionuar i kryeministrit Rama me median

videon e datës 30 nëntor ai i lutet deri në përgjërim qytetarëve që të heqin televizorin dhe të mos lexojnë asnjë portal duke i krahasuar ato me qenefe [tualet].


 

Ju lutem durim dhe ju përgjërohem, sa më pak televizor. Hiç portaleve, qenefeve digjitale mundësisht, hiç fare, ndjesë për gjuhën, por të keqen e qenefeve në fakt kur sheh çfarë ere të rëndë mërzie dhe pasigurie dhe pështjellimi e përzierjeje krijojnë të ashtëquajturat “burime informimi” dhe se sa të pakta janë pasqyrimet njerëzore dhe arsyetimet shkencore në panairin mediatik të Shqipërisë. Për fat të keq njësoj edhe të Kosovës“, u shpreh kryeministri Rama në videon e tij live.

I pyetur nga gazetarët rreth dorëheqjes së kryebashkiakes së Durrësit Valbona Sako fill pas reagimit negativ në rrjetet social rreth mënyrës së artikulimit dhe menaxhimit të situatës pas tërmetit, ai u shpreh në datën një dhjetor se nuk është normale që gazetarët të trajtojnë “çështje anësore” duke iu referuar dorëheqjes së Sakos dhe i këshillon që të përqendrohen në shpërndarjen e energjisë pozitive. Sipas tij, mediat janë “gjeneratorë të tmerrit”.

Unë mendoj që nuk është normale të merreni me histori anësore, por të përqendroheni që të jepni energji pozitive. E kanë fajin ata që mbledhin në darkë lloj-lloj sharlatanësh. Njerëzit janë të tmerruar dhe një nga gjeneratorët e tmerrit janë ekranet e ekraneve pa kuptim”, pohon ai.

Po në atë ditë, kryeministri ka replikuar me Marin Memën, duke përforcuar qëndrimin që ai mban ndaj medias. Ai thekson se media ka një pjesë të madhe të fajit në kaosin e krijuar dhe përhapjen e panikut.

Në këtë fazë, në këto ditë, media është skandaloze, kriminale sepse këtu bëhet fjalë për ekuilibra psikologjikë të njerëzve. Kanë ikur njerëz me mijëra nga Tirane, Durrësi, pse kanë ikur? Ça duhet të bëjë media më shumë, të nxjerrë pushkën?” vijoi ai.

Po këtë ditë, në orën 18.24 gjatë një videoje live, Edi Rama u ka bërë sërish thirrje qytetarëve të shmangin televizionin dhe debatet e mbrëmjes ku sipas tij “në pjesën më të madhe të kohës flitet përçart”.

Shikoni sa më pak tv këto ditë po patët mundësi dhe të paktën shmangni debatet e mbrëmjes, ku pjesën më të madhe të kohës flitet përçart. Më e pakta shmangni ME ÇDO KUSHT ANALISTËT JU LUTEM prej tyre s’ka hajër as në kohë dasmash, jo më në kohë mortesh“, shkruan ai në postimin e tij. 

Sulmet janë intensifikuar në ditët në vijim. Gjatë një takimi me shtabin e emergjencës ditën e dy dhjetorit, ai ka kërkuar të fiken televizionet pasi “nuk i sheh dot me sy”.

Në po atë ditë, në rrjetin social Facebook, ai ka postuar një video të një pallati të prekur nga tërmeti dhe ka shenjëstruar median duke e fajësuar se ka ngjallur panik rreth cilësisë së pallatit. Sipas Ramës, ai është i banueshëm dhe media, bashkë me ankthin e panikun, janë “grup trinjak i padurueshëm”.

Ja pra çfarë shkaktojnë paniku, ankthi dhe media, trinjakët e padurueshëm të kësaj situate, që marrin peng zemrat e mendjet e njerëzve të tromaksur nga goditja shkatërruese e Natyrës dhe Media”, mbyllet postimi i kryeministrit në Facebook.

Nën vazhdën e postimeve brenda së njëjtës ditë, Rama ka postuar në Twitter paralajmërimin e radhës kundrejt medias, duke u shprehur mund të bëjë “atë që nuk ua rrok imagjinata”, pasi i ka quajtur “taksirat mbi taksiratin e madh të tërmetit”.

Screenshot i postimit në Twitter

Në datën tre dhjetor, gjatë një takimi me banorët e ish-Kënetës në Durrës, sulmoi sërish median dhe u sugjeroi banorëve të mos e ndiqnin atë në të kundërt do ta pësojnë, pasi “televizori fut djallin në bark”.

Mos shihni televizor se ju fut djallin në bark. Më mirë shihni radio sesa televizor. Ose shikoni televizor por e pësoni si ai djali pak më tutje që dëgjoi në televizor se po shembej spitali i Durrësit dhe e mori babin ta çonte në spital tjetër. I vdiq babi rrugës. Më mirë shikoni radio për mua”, u artikulua kryeministri Rama.

Postimi i datës pesë dhjetor është shoqëruar me lëvdatë ndaj inxhinieres Luljeta Bozo dhe me gjuhë denigruese ndaj emisioneve mediatike dhe debateve të zhvilluara atje.

Falënderim i posaçëm inxhinieres, Luljeta Bozo, e cila vullnetarisht u përball me argumenta shkencorë e me kulturë të lartë qytetare, në tendat e debateve absurde mediatike gjatë ditëve më të rënda, duke ndikuar pozitivisht mbi shpirtrat e trazuar dhe mendjet e ngritura të njerëzve të zakonshëm“, mbyll postimin ai.

Screenshot i marrë nga postimi në Facebook

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

 

Të varfër, të sëmurë dhe të zhgënjyer; Minatorët ende në pritje të statusit

“Në mandatin e parë qeverisës premtuam uljen e moshës së daljes në pension për minatorët dhe e ulëm, premtuam rritjen e sigurisë në miniera dhe e kemi rritur, premtuam rritje tërësore pagash në sektor dhe e mbajtëm. Këtë mandat kemi premtuar statusin dhe do ta mbajmë”, këto ishin fjalët e kryeministrit Rama në prill të 2018-s.

Sot, thuajse një vit më pas asgjë nuk ka ndryshuar, janë  34 minatorë kanë humbur jetën në punë në 10 vite, statusi i minatorit ende fle nëpër sirtarë dhe mosha e daljes në pension është 55 vjeç, njëlloj me atë të deputetëve, ministrave apo punonjësve të lartë shtetëror.

Aleks Andrea, minator në qytetin e Pogradecit për 17 vite, tregon se ka humbur besimin se politika do të përmbushë premtimin për një ligj që mbron minatorët.
“Statusi i Minatorit është zvarritur dhe do të zvarritet prapë, sepse është zvarritur nga të tëra  qeveritë për 28 vjet”, u shpreh ai për Citizens Channel.

Minatori Aleks Andrea
Foto: Citizens Channel

Në qershor 2018, procedurat për miratimin e statusit të minatorit dështuan dhe për këtë qeveria ia hodhi fajin sindikatave për bllokimin e punës. Në një deklaratë të përbashkët për median, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) si dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) deklaronte se prej disa kohësh kanë ngritur një grup pune të përbashkët që ka zhvilluar diskutime me përfaqësuesit e sindikatave, pjesa më e madhe e të cilëve kanë rënë dakord për draftin por ka një pjesë tjetër të sindikatave që nuk kanë qenë dakord.

“Ky grup pune ka zhvilluar diskutime intensive me përfaqësuesit e sindikatave, pjesa më e madhe e të cilëve janë dakordësuar mes tyre për një draft të cilin ia kanë paraqitur grupit të punës. Fatkeqësisht, deri tani, ka dhe një pjesë përfaqësuesish sindikalë të cilët nuk kanë rënë dakord me draftin e propozuar nga pjesa kryesore e sindikalistëve. Gjejmë rastin që t’u bëjmë thirrje të gjithë përfaqësuesve sindikalë që të bëhen pjesë e diskutimeve në tryezën e grupit të punës, të bashkohen në qëndrime mbi një draft të vetëm i cili më pas t’i nënshtrohet procedurave të përcaktuara në ligj”, deklaroi MIE dhe MFE.

Gjatë vitit të kaluar Citizens Channel pregatiti një reportazh të gjatë në të cilin argumentohen kërkesat e minatorëve dhe tregohen kushtet e mjerueshme në të cilat këta minatorë punojnë.Në të gjitha drejtimet si nga ana e qeveritarëve lokalë, shoqërisë civile dhe sindikatave të minatorëve u ngrit shqetësimi se statusi i minatorit është një dosmososhmëri.

Minatorët, nga ana e tyre, kërkojnë që ligji për statusin të miratohet sa më shpejt në mënyrë që të ndjehen më të sigurt për jetën e tyre.

Sot, kur ka kaluar rreth 1 vit situata është e njëjtë, pavarësisht premtimeve dhe nismave të mbetura në tentativë.

Lexo më shumë: Speciale / Çfarë e mban peng statusin e minatorit?

Një ligj që mbeti në tentativë

Në Tetor 2017, Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu depozitoi në Kuvendin e Shqipërisë një draft për statusin e minatorit. Propozimi u mbajt në “gjumë” për muaj të tërë dhe në janar të 2018-s qeveria dha një vendim negativ.

Projektligji parashikonte pozitën juridike, ekonomiko-financiare dhe shoqërore, kërkesat e përgjithshme të pranimit, të drejtat, detyrimet dhe kufizimet e punonjësve të Industrisë së Minierave në Republikën e Shqipërisë, për arsye të karakterit të veçantë të punës dhe ndikimit në shëndet të kësaj pune, si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre. Qeveria deklaroi se projektligji për statusin e minatorit sjell efekte negative në skemën e pensioneve dhe buxhetin e shtetit, dhe propozimi i bërë nuk u shoqërua me kostot e detajuara financiare. Po ashtu sipas qeverisë projektligji përmban edhe shkelje kushtetuese dhe të Kodit të Punës.

Në Kuvendin e Shqipërisë projektligji nuk u votua nga shumica socialiste dhe për pasojë nuk u miratua. Aktualisht nuk ka ende asnjë ligj që mbron minatorët në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht diskutimeve që kanë zgjatur prej vitesh.

“Kam 7 – vite që dëgjoj për statusin e minatorit. Mesazhi im është që statusi të miratohet sa më shpejt. Shtresa më e persekutuar ne kemi qenë”, tregon minatori Abdyl Neli për Citizens Channel.

Minatori Abdyl Neli
Foto: Citizens Channel

Pas rrëzimit të projektligjit të parë qeveria u angazhua se do të miratonte një ligj të ri për minatorët brenda vitit 2018. “Ne do të sjellim një status të trajtuar me maturi sociale dhe financiare”, deklaroi Ministri i Financave Ahmetaj, në Shkurt 2018.

Premtime të pambajtura…

Ka dy momente kur shoqëria dhe politikbërësit e zhvendosin vëmendjen tek statusi i minatorit: sa herë që një minator humb jetën duke punuar dhe sa herë që ka fushatë elektorale apo takime për “bashkëqeverisje”.

Të shumtë kanë qenë politikanët të cilët kanë premtuar se do të miratonin një ligj që i siguron një jetë dinjitoze minatorëve dhe ish-minatorëve:

  1. Në qershor të vitit 2018 Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka tha para banorëve të Klosit: “Kemi qenë gjithmonë ne që kemi adresuar problematikën e minatorëve si kategori. Por çështja e statusit të minatorëve është një problem kakofonie që një status apo propozim vinte nga sindikata, një vinte nga konfederata, një vinte nga një deputet i zonës, një nga një tjetër deputet i zonës, një nga Ministria e Mirëqenies dhe një nga Ministria e Energjisë.

Sot di që çështja ka hyrë në rrugë të mbarë. Po diskutohet po shqyrtohet dhe kam përshtypjen që shumë shpejt do të kemi një draft që sërish do ti hyjë një konsultimi publik që do të marrë edhe dakordësinë tuaj.”

  1. Në tetor të vitit 2018 ishte Damian Gjiknuri i cili shprehej për statusin e minatorit: “Për sa i përket statusit të minatorit, ne për statusin e minatorit jemi duke punuar me të gjitha sindikatat dhe sot që flasim ky draft ndodhet në Ministrinë e Financave”
  2. “Për sa i përket statusit, së pari mos e harroni një gjë, që ne mbajtëm angazhimet që kishim në mandatin e parë lidhur me minatorët. Se duket sikur minatorët trajtohen njësoj sikur trajtoheshin më përpara, kjo nuk është e vërtetë. Për sa i përket statusi ne po bëjmë një draftligj siç e ka gjithë Europa, një status për të gjitha këto profesionet e vështira që hyjnë te kategoritë e mbajtjes së statusit të veçantë. Do ta çojmë në Parlament besoj brenda nëntorit dhe t’i japim drejtim kësaj çështje në mënyrë definitive, brenda mundësive si dhe duke respektuar sakrificat që ju keni bërë në këto fusha të vështira”, shprehej Rama në tetor të vitit 2018 me banorët e zonës së Hasit.

Citizens Channel u takua me disa minatorë dhe ish-minatorë të cilët shprehën shqetësimin e mbartur ndër vite për mosrealizimin e një ligji i cili i siguron një status. Si kategoria që bën një nga punët më të vështira dhe më të rëndësishme ata ndihen të lënë pas dore dhe tregojnë se jetojnë një jetë jo dinjitoze.

“Unë jam specialist për minierat me kategori të 7, në shkallën e inxhinierit, asistent dhe marr 122 mijë lekë pension”, tha Aleks Andrea për Citizens Channel. Më tej ai shtoi se ato para janë të pamjaftueshme për të jetuar një jetë normale.

Shuma e pensionit e minatorit Aleks Andrea
Foto: Citizens Channel

“Kam punuar 32 vite, kam qenë Mjeshtër dhe tash marr një pension  qesharak 160 mijë lek. Është turp për punën që kemi bërë. Në të gjithë botën minatorët janë njerëzit më të nderuar dhe pensionet e minatorëve në të gjithë botën janë disa herë më të lartë se sa të punëtorëve të sipërfaqes. Është për tu habitur që njerëzit më të vuajtur njerëzit që i kanë dhënë më shumë shoqërisë realisht dhe fatkeqësisht sot janë njerëzit më të përbuzur të shoqërisë”, tha Abdyl Neli një tjetër ish-minator i cili kishte punuar dhe në zonën e Bulqizës

“100 probleme kemi, fatmirësisht nuk kam pasur aksidente, por kam pasur probleme shëndetësore”, u shpreh Pashk Marku për Citizens Channel i pyetur nëse kishte pasur ndonjë problem shëndetësor për shkak të punës. Ish-minatorët u shprehën se problemet e tyre shëndetësore  për shkak të punës kanë qenë të shumta, ndër më të përhapurat ka qenë sëmundja e silikozës.

Minatori Pashk Marku
Foto: Citizens Channel

“Unë nuk mbushem dot me frymë, nuk eci dot më shumë se 50 metra”, u shpreh ish-minatori Aleks Andrea për Citizens Channel.

Çfarë është sëmundja e silikozës?
“Silikoza shkaktohet nga depërtimi i grimcave të vogla të pluhurit mineral në organet e frymëmarrjes dhe depozitimi i tyre në mushkëri. Pluhuri grumbullohet duke formuar konglomerate që çimentohen në mushkëri dhe shkaktojnë kollë dhe vështirësi në frymëmarrje. Simptomat e kësaj sëmundje përfshijnë dhimbje në kraharor, kollë të thatë deri në bronkit, takikardi apo infarkte të zemrës. Shpesh këto simptoma mbeten të fshehta ose ngatërrohen me patologji të tjera.”

Ndërsa minatorët që janë ende aktiv, përballen me një problem edhe më të madh: vdekjen. Mediat kanë raportuar se vetëm në 10 vitet e fundit kanë vdekur 34 minatorë në vendin e punës.

Statusi i minatorit duket ende një premtim i largët jo vetëm për personat që shpresojnë për një jetë dinjitoze pasi shpenzuan vite të tëra të jetës nën tokë por edhe për ata që ende sot, përballen me rrezikun e punës në minierë.

 * Citizens Channel – Fjori Sinoruka 

 

 

Fushat e mbeturinave në Durrës, gangrena e qytetarëve dhe sfida e institucioneve

Autor: Geri Emiri | Citizens Channel

Vendgrumbullimi i Porto-Romanos gjendet në veri të qytetit të Durrësit dhe përbën sot shqetësimin më të madh mjedisor për banorët e qytetit, për shkak të djegies pa ndërprerje të mbeturinave përgjatë 24 orëve.

Fusha me mbeturina gjendet rreth 4 kilometra larg qytetit, në një sipërfaqe rreth 80.000 m2,  mbushur me mbeturina urbane, inerte, mbetje të rrezikshme dhe kafshë të ngordhura.

Këshilli Bashkiak i Durrësit shpalli më 11 korrik 2018, gjendjen e emergjencës mjedisore, si pasojë e situatës problematike me mbetjet në të gjithë vendgrumbullimet e bashkisë Durrës. Ajo ja delegoi kështu qeverisë qendrore zgjidhjen e problemit të saj shumë vjeçar. Në muajin qershor kryeministri njoftoi se vendgrumbullimi do të mbyllet, duke u shndërruar në park.

Protestat për rehabilitimin e vendgrumbullimit kanë qenë të shumta ndër vite, duke kulmuar në  nëntor, me protestën e studentëve të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, që kërkuan mbylljen e vendgrumbullimit të Porto-Romanos dhe ndalimin e djegies së mbeturinave. Një ditë më pas banorët e Sukthit bllokuan rrugën Kullë-Sukth, duke kërkuar zhvendosjen e vendgrumbullimit të mbetjeve që gjendet pranë banesave në Sukth.
Foto: Studentët e UAM në protestat kundër ndotjes nga mbetjet

Ndërhyrjet e kohëve të fundit nga Shërbimi Zjarrfikës dhe bashkia Durrës ka sjellë shuarjen e vatrave të mbeturinave që digjeshin prej vitesh dhe po bëhet sistemimi i tyre, deri në momentin e mbylljes së vendgrumbullimit të Porto-Romanos, kur bashkia dhe qeveria të vendosin për koston e transportit në landfillin e Tiranës.

Menaxhimi i vendgrumbullimeve të mbetjeve, sfida e humbur e pushtetit vendor

Në Planin Lokal të Menaxhimit të Mbetjeve për bashkinë e Durrësit 2010-2025”, analizohet se qyteti i depoziton mbetjet e tij në të vetmen fushë plehrash në Porto-Romano, që është vend hedhje për nga standardet, e cila është hapur që në fillim të viteve’ 90 dhe ishte parashikuar të kishte jetëgjatësi për 25 vite (deri në vitin 2015).

Për njohësin e mbetjeve të ngurta, Xhemal Mato, vendgrumbullimi i Porto-Romanos është jashtë çdo standardi, pa rrethim, kafshët përdorin ujin e ndotur për të pirë, e më tej këto ujëra  derdhen në det, duke ndikuar edhe tek bota ujore, për të cilën gjithashtu nuk ka studime për nivelin e ndotjes.

Por bashkia Durrës nuk zbatoi rekomandimin e këtij dokumenti të hartuar nga ajo, duke e lënë të hapur e jashtë kushteve teknike dhe higjeno-sanitare vend hedhjen e Porto-Romanos. Pas vitit 2015, në bashkinë e re të Durrësi mbledhja dhe depozitimi i mbeturinave urbane bëhet nga dy ndërmarrje publike pastrimi (në varësi të bashkisë) dhe një kompani private (në Ishëm).

Bashkia Durrës ka përgatitur Planin Lokal të Menaxhimit të Mbetjeve, por “ende nuk e ka miratuar në Këshillin Bashkiak Durrës”, mësoi nga bashkia Citizens Channel, nëpërmjet një Kërkese për të Drejtë Informimi.

Mesatarisht, një familje në qytetin e Durrësit prodhon rreth 2 ton mbetje në vit ose 5.5 kg mbetje në ditë, sipas llogaritjeve në “Strategjinë e Zhvillimit Territorial 2015-2030”. Në Bashkinë Durrës nuk ka grumbullim të diferencuar të mbeturinave, për ato të zakonshme dhe të ndërtimit.   Pasi kryhet mbledhja e mbeturinave, hidhen në vendgrumbullimin e Porto-Romanos, duke u djegur pa masa paraprake. Kjo është një procedurë e dëmshme për shkak të emetimit të gazit helmues si dhe përbën rrezikshmëri të lartë për ndotjen e ujërave nëntokësore.

Ky problem shfaqet edhe në vendgrumbullimet e mbeturinave në 4 Njësitë Administrative Manëz, Sukth dhe Ishëm. Ndërsa mbeturinat e dy njësive administrative, Rrashbull dhe Katund i Ri, depozitohen në Porto-Romano.

Emergjenca Mjedisore dhe zgjidhjet e mundshme

Bashkia Durrës ka njoftuar zyrtarisht se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për ndërtimin e një landfilli për mbeturinat. Në këto kushte Këshilli Bashkiak i Durrësit shpalli më 11 korrik 2018, gjendjen e emergjencës mjedisore, duke marrë votat e të gjithë këshilltarëve, pavarësisht rezervave të tyre mbi zgjidhjen e situatës.

Pak orë pas protestës së studentëve, kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, reagoi në profilin e tij në Facebook, duke shkruar se i është kërkuar qeverisë dhe shoqërisë koncesionare në Tiranë të marrë në konsideratë spostimin e mbetjeve të Porto-Romanos për në Tiranë dhe trajtimin e tyre.

“Të hënën më datë 29.10.2018 u mblodh Komiteti i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve për shpalljen e gjendjes së Emergjencës Mjedisore. Aktualisht po analizohen kostot e kryerjes së transportit, përkatësisht kostot që do të mbulojë Bashkia dhe ato që do të mbulojë Qeveria”, shkruante Dako.

Njohësit e fushës së mbetjeve në Shqipëri, e shohin me skepticizëm transportimin e mbetjeve nga Durrësi në Tiranë. “Jam kundër transportit të mbetjeve nga Durrësi për në Tiranë, pasi kjo nuk është zgjidhje dhe ka rrezik të dështojë”, shprehet ambientalisti Lavdosh Ferruni.

Studentët që protestuan për mbylljen e vendgrumbullimit të mbeturinave në Porto-Romano, kërkuan një zgjidhje të shpejtë të problemit, që qëllim shmangien e ndikimeve shëndetësore të djegies së mbeturinave.

Vijimi i rrethimit me tel të vendgrumbullimit të Porto Romanos – Foto: Geri Emiri

Ndërmarrja e Shërbimit Komunal në bashkinë Durrës që prej dekadash e ka lënë në të njëjtën gjendje vendgrumbullimin e Porto-Romanos, pas protestës së studentëve ka nisur ngjeshjen e mbeturinave në vendgrumbullim, rrethimin me tel dhe caktimin e rojeve me tre turne.

“Është vendosur trau që ndalon hyrjen e personave të paautorizuar në vendgrubmullim. Këto janë masat paraprake, përpara nisjes së transportimit në Tiranë të mbeturinave dhe krijimit të parkut në fushën e mbetjeve. Aktualisht po diskutohen kostot e transportit”, u bë me dije nga Ndërmarrja e Shërbimit Komunal, për Citizens Channel.

Aksioni i bashkisë erdhi pas urdhërit të parë të ministrit të ri të brendshëm, Sandër Lleshi, që me të marrë detyrën kërkoi ndërhyrjen e strukturave policore dhe atyre në varësi për të mbajtur nën kontroll situatën e djegies së mbetjeve urbane në qytete si Durrësi. Pas shumë vitesh në Porto-Romano u shfaq Shërbimi Zjarrfikës Durrës, që në bashkëpunim me ato të portit punuan për rreth 4 ditë me qëllim shuarjen e vatrave të mbeturinave që digjeshin prej vitesh.

Djegia e mbeturinave përpara shuarjes së zjarrit nga shërbimi zjarrfikës/ Foto: Geri Emiri

Një ditë pas protestës së studentëve, banorët e Sukthit bllokuan rrugën Kullë-Sukth, duke kërkuar zhvendosjen e vendgrumbullimit të mbetjeve që gjendet pranë banesave në Sukth.

“Në Sukth është ndërprerë hedhja e mbeturinave dhe po depozitohen në Porto-Romano. Po ashtu po punohet që ky si vendgrumbullim të mbyllet për shkak se është pranë vendbanimeve”, mësuam zyrtarisht nga Ndërmarrja e Shërbimit Komunal.

Në qershor të vitit 2018 kryeministri Edi Rama dhe kyebashkiaku Vangjush Dako vizituan vendgrumbullimin e mbeturinave në Porto-Romano. Kryeministri Rama premtoi se ky problem do të zgjidhet brenda 18 mujave, duke e kthyer këtë zonë në park.

Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako gjatë vizitës në Porto Romano _ Qershor 2018
Udhëtimi i mbeturinave në Tiranë, lë papunë familjet e varfra!
Banorët fusin kafshët për tu ushqyer në vendgrumbullimin e Porto Romanos/ Foto: Geri Emiri

Nga vëzhgimi ynë në fushën e mbeturinave në Porto-Romano, punojnë të paktën mbi 50 persona çdo ditë. Ata grumbullojnë në mënyrë të paautorizuar materiale plastike, hekurishte dhe kartona. Futja e tyre dhe e kafshëve që ushqehen në vendgrumbullim vijon, megjithëse prania e bashkisë është shtuar kohët e fundit.

Duke mos pranuar të identifikohen, një pjesë e banorëve që banojnë 200 metra larg vendgrumbullimit, tregojnë se kanë pranuar të “bashkëjetojnë me vdekjen” për shkak se aty punojnë familjarisht, duke siguruar të ardhura nga mbledhja e materialeve të riciklueshme.

Të kapur pas kamionëve që sjellin mbeturina në vendgrumbullim, vijnë herë pas here të mitur. Pasi mbarojnë shkollën, tregojnë se vijnë të punojnë për disa orë këtu, për të ndihmuar familjet. Të njëjtën punë bëjnë edhe prindërit e tyre, të cilët punojnë edhe përgjatë natës duke mbledhur mbetje.

Mbyllja e vendgrumbullimit më të madh në bashkinë Durrës do t’i lejë ata “të papunë”! Bashkia dhe qeveria po negociojnë për kostot e transportit të mbetjeve për në Landfillin e Sharrës, ku po ndërtohet një incinerator për djegien e tyre. Ndërtimi i një landfili në Durrës, ku mund të diferencoheshin mbetjet dhe të ndiqeshin politikat ricikluese që Bashkimi Europian po i mëshon prej vitesh ndaj Shqipërisë, do të krijonte vende pune për shumë familje.

Një studim i mbështetur nga Banka Botërore vite më parë, ka përcaktuar ndërtimin e një landfilli bashkëkohor rajonal për Qarkun e Durrësit, në fshatin Radë, Njësia Administrative Manzë. Më datë 18 nëntor 2014, ministria e Mjedisit së bashku me ninistrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, njoftuan hapjen e thirrjes për oferta për dhënien me koncesion të “Landfillit për Qarkun e Durrësit”.

“Një proces i ri ka filluar për ndërtimin e landfillit të ri sanitar, në një sipërfaqe prej 15 Ha. Ky shërbim do të mbulojë të gjithë territorin e bashkisë Durrës dhe do të krijojë mundësinë e hapjes së 1500 vendeve të reja të punës, kostoja e tij është parashikuar 6.5 milion euro”, shkruhet në “Analizën dhe Vlerësimin e Territorit” të bashkisë Durrës. Pas verifikimeve të Citizens Channel ky proces ka ndaluar dhe lëvizjet e fundit bashki-qeveri do të ofrojnë transportin e mbeturinave në landfillin e Sharrës.

*Citizens Channel

Studentët refuzojnë dialogun, Rama nis turin e takimeve “të fshehta” nën kamerat e ERTV

Studentët kanë hyrë sot në ditën e 14-të të protestës, duke bllokuar disa nga rrugët kryesore në qytet për tu mbledhur më pas para Kryeministrisë, ku përsëritën qëndrimin për plotësimin e kërkesave dhe refuzim të dialogut.

Ndërkohë Kryeministri Rama ka zhvilluar dy takime, në fakultetin e Gjeologji Minierave dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës. Takimet janë zhvilluar pa praninë e mediave, me përjashtim të televizionit privat online të Kryeministrit “ERTV”, ku edhe janë shpërndarë materialet filmike.

“Takime në fshehtësi”

Nga një vëzhgim i faqeve zyrtare  të Fakulteteve rezulton se studentëve nuk u është shpërndarë asnjë njoftim paraprak për takimet me Kryeministrin Rama.

Në faqen zyrtare, Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) njofton për një “Takim të hapur me studentët” pa përmendur në asnjë vend prezencën e Kryeministrit.

Njoftimi i publikuar në faqen zyrtare të UBT

Fakt ky që u vu në dukje edhe nga studentët pjesëmarrës:
“Rektori na njoftoi në që do të ketë mbledhje me studentët, pedagogët dhe nuk u njoftua fakti që do vinit ju Z. Kryeministër. Nuk me pëlqeu fare një mënyrë e tillë përçarje që ju po bëni. Ndaj unë po ju them që jam sot e para që po e braktis këtë mbledhje…”, tha një prej studentëve në takimin e hapur në UBT.

Ndërkohë Rektori i UBT, Bahri Musabelliu e thotë qartë gjatë takimit se ka qenë ai që e ka ftuar Kryeministrin:
“Meqë Kryeministri shfaqi dëshirën t ë vijë me ftesën time, me ftesën time
unë edhe për etikë nuk desha të flas i pari se mund të flisja sigurisht i pari..”, thotë Musabelliu.

Në faqen e Fakultetit të Gjeologji Minierave nuk ka asnjë njoftim zyrtar për takimin e zhvilluar dje mes kryeministrit Rama dhe studentëve e pedagogëve.

Faqja zyrtare e FGJM nuk ka asnjë njoftim rreth takimit me Kryeministrin Rama

Sipas studentëve, e njëjta gjë u tentua të bëhej në Universitetin e Arteve, por studentë të këtij universiteti thanë për Citizens Channel se e refuzuan takimin, duke dalë në protestë me gojën e mbuluar me shirita dhe ngjitëse.

Ndërkohë një  “Thirrje për tryezë studentore” është publikuar dhe në faqen zyrtare të Fakultetit të Shkencave Sociale. Takimi pritet të zhvillohet nesër në orën 9:00 në ambientet e fakultetit. Janë të shumtë studentët që kanë komentuar duke ngritur dyshime për prezencën e Kryeministrit Rama.

*Citizens Channel /l.k/

Protesta studentore përshkallëzohet në ditën e 13-të saj

Protesta studentore hyri sot në ditën e 13. Numri i personave pjesëmarrës ka qenë më i lartë krahasuar me fundjavën. Në orën 9:00, studentët marshuan nga fakultetet përkatëse drejt Kryeministrisë duke përsëritur dhe njëherë që nuk do të ketë negociata me qeverinë nëse nuk plotësohen tetë kushtet e vendosura që në fillim të protestës.

Studentëve të Tiranës iu bashkuan dhe ata të Kamzës dhe të Durrësit dhe një grup prej rreth 200 studentë që kanë ardhur nga Korça. Ndryshe nga ditët e tjera, para  Kryeministrisë kishte një prezencë të shumtë të forcave policore.

Për protestën e ditës së sotme, pati reagime edhe nga qeveria edhe nga opozita. Kryeministri Rama i ftoi edhe njëherë studentët për dialog nëpërmjet rrjeteve sociale, duke publikuar një “insta story” me përshkrimin: “Do shihemi para festave apo jo”? Ndërsa në twitter ai shkruajti se protesta është marrë peng nga opozita.

Ndërsa kryetari i opozitës Basha u shpreh se studentët kanë mbështetjen e tij.

“Partia Demokratike dhe unë e mbështesim me të gjitha format dhe mënyrat dhe natyrisht që jemi atje me mish, me shpirt e me mendje. Njerëzit tanë, fëmijët tanë, i mbështesim me të gjitha format dhe mënyrat, u shpreh Basha për gazetarët pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Ndërkohë, rreth orës 14:00 janë shënuar përplasje midis studentëve dhe policisë, që erdhën pasi studentët kërkuan të rrethonin Kryeministrinë në mënyrë simbolike për të treguar se ajo iu përket të gjithë shqiptarëve.

Vetëm pak minuta më parë, studentët kanë filluar të bllokojnë disa akse rrugore në Tiranë, si: kryqëzimi i Zogut të Zi dhe Unaza, ndërsa një pjesë e tyre po qëndrojnë tek Kryeministria.

Rama reagoi në “twitter” duke iu drejtuar një pyetje studentëve protestues: “A mund t’ju pyes juve që ju mësojnë Doktoresha dhe Artisti të bllokoni rrugët e qytetit e dyert e fakulteteve, ndërkohë që mbani bllokuar rrugën e Dialogut, duke iu hedhur në fyt me sharje e akuza atyre që duan Dialog: Po çfarë borxhi ju kanë juve qytetarët e studentët e tjerë?”

*Citizens Channel / f.s.

 

Guroret në Parkun e Dajtit, vetëm pak kilometra larg shtëpisë së Kryeministrit

Citizens Channel zbulon 2 kompani të licencuara nga Ministria e Mjedisit për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Dajtit. Ndërkohë mbi 9 kompani të tjera prej kohësh po zhveshin nga gjelbërimi disa zona në Dajt jashtë kontrollit të Institucioneve shtetërore.

Parku Kombëtar i Dajtit, i shpallur me vendim qeverie që në vitin 2006, si zonë e mbrojtur, po shkatërrohet çdo ditë nga gurore të licencuara në mënyrë të paligjshme që po zhveshin shpatet e malit nga gjelbërimi. Në këtë skandal është e përfshirë Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë, të cilat kanë dhënë lejet për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit në Parkun e Dajtit. Ndërkohë që e gjithë kjo veprimtari e paligjshme, ndodh rreth 3-4 kilometra nga shtëpia e Kryeministrit Edi Rama. Pikërisht sapo kalon Qafën e Priskës, eskavatorë dhe buldozierë punojnë me qetësi dhe pa ndërprerje për të nxjerrë copëza të mëdha guri gëlqeror nga Mali i Dajtit.

Shtëpia e Kryeministrit Rama në fshatin Surrel të dajtit
Foto: “Google Maps”

Fotot e siguruara nga Citizens Channel, pranë zonës së Liqenit të Bovillës tregojnë kompani që kanë zhveshur malin nga të dyja anët e rrugës. Në këtë zonë shihen kamionë “fantazëm” që lëvizin pa targa, shpërthime me lëndë plasëse, pluhur që ngrihet kudo. Duket si një biznes që nuk kontrollohet nga askush dhe ku ligji nuk ka fuqi ose vullnet për të ndërhyrë. Edhe nëpërmjet aplikacionit “Google Maps” dallohet lehtësisht që Mali i Dajtit është rrjepur në disa pjesë të tij, për të cilën aktivistët mjedisor shprehen se përbën një nga masakrat ekologjike që vijon pa ndërprerje edhe pse pranë shtëpisë së kreut të qeverisë.

Kamionë pa targa zhveshin malin e Dajtit në kundërshtim me ligjin/ Foto: Citizens Channel

Citizens Channel kërkoi informacion zyrtar nga Ministria e Mjedisit nëse kishin dijeni për aktivitetin e guroreve në Parkun Kombëtar të Dajtit, ku nuk mund të jepet asnjë leje mjedisore. “Nuk ka asnjë subjekt që ushtron veprimtari të tilla në Parkun Kombëtar të Dajtit”, shprehet zyra për shtyp e Ministrisë së Mjedisit, e kontaktuar nëpërmjet telefonit.

Por të dhënat e siguruar nga Citizens kundërshtojnë Ministrinë e Mjedisit, pasi për të paktën 2 kompani janë lëshuar leje mjedisore. Më konkretisht është dhënë leja mjedisore subjektit “LIVELADA” , e cila ushtron aktivitetin e gurthyerjes në fshatin Shkallë. Kjo kompani e ka marrë lejen mjedisore më 16 gusht të vitit 2013, në ikje të qeverisë “Berisha”, ndërkohë që leja parashikonte një prodhim mbi 50 000 metra kub gur gëlqeror. Skandali thellohet edhe më tej, pasi kompania “LIVELADA” e ka marrë lejen mjedisore në vitin 2013, pavarësisht se ajo rezultonte e ç’regjistruar për ushtrimin e aktivitetit minerar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë (MEI) në vitin 2011.

Leja Mjedisore “Livelada shpk”:

Ndërsa kompania tjetër, po në shkelje të ligjit, ka arritur të marrë leje mjedisore në muajin mars të vitit 2015.  Bëhet fjalë për kompaninë “Mexhi shpk”, e cila nxjerr gurin gëlqeror në qendër të Parkut Kombëtar të Dajtit, në zonën e quajtur Zall. Edhe në lejen mjedisore të lëshuar nga Ministria e Mjedisit, pranohet se subjekti “Mexhi shpk” po ushtron aktivitetin në zonën e mbrojtur “Parku Kombëtar Dajt”, por këshillohet që kompania të ruaj biodiversitetin. Por, kjo këshillë është e pavlefshme, pasi nxjerrja dhe përpunimi i gurit gëlqeror kryhet me anë të shpërthimeve, prerjes së vegjetacionit dhe hapjes së rrugëve të hyrjes, duke asgjësuar kështu çdo pasuri biologjike natyrore.

Leja Mjedisore “Mexhi shpk”:


Përveç dy kompanive që janë të licencuara për të ushtruar aktivitet të paligjshëm, nga një vëzhgim i Citizens Channel rezultojnë se brenda Parkut Kombëtar të Dajtit, janë të paktën edhe 9 kompani të tjera të cilat kryejnë “karrierë të gurit”. Këtyre kompanive u ka skaduar leja mjedisore si dhe leja e shfrytëzimit, por ato kanë vijuar aktivitetin duke zhveshur nga pyjet dhe gjelbërimi disa zona në Malin e Dajtit, që nga Priska e Madhe, Bovilla, Brari, Linza, e deri tek Lanabregasi, Shkalla dhe Pëllumbasi.

Citizens Channel insistoi të kërkonte një shpjegim nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë se përse nuk inspekton kompanitë e nxjerrjes së gurit në Malin e Dajtit, por kjo e fundit e hedh “topin” nga Ministria e Mjedisit. “Në dijeninë tonë nuk ka subjekte që ushtrojnë aktivitet të palicencuar. Ne jemi institucion kontrollues, vlerësues, monitorues i subjekteve që ushtrojnë aktivitet minerar të licencuar. Është Ministria e Mjedisit dhe Prefektura e Qarkut Tiranë që bëjnë bllokimin dhe penalizimin e subjekteve të palicencuara në këtë fushë”, thuhet në një reagimin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë (MEI), për Citizens Channel.

Por pavarësisht përpjepjekjes për të hequr përgjegjësinë nga vetja, kjo ministri ka një institucion varësie që kryen inspektime në subjekte private dhe publike, vendase dhe të huaja që kryejnë veprimtari minerare në territorin e Republikës së Shqipërisë. Bëhet fjalë për Repartin e Inspektim-Shpëtim Miniera (RISHM), i cili përbëhet nga inspektor që kryejnë në terren verifikimin për aktivitete të paligjshme në fushën minerare.

Sipas ekspertit të mjedisit, Klodian Aliu, është e dukshme se mes institucioneve ka një mungesë koordinimi. “As Ministria e Mjedisit dhe as MEI nuk marrin përgjegjësitë që u ngarkon ligji në lidhje me disiplinimin e aktiviteteve minerare në Parkun Kombëtar të Dajtit. Për vite me radhë është diskutuar për largimin e aktiviteteve minerare nga Parku, por në vend që të reduktoheshin ato janë shtuar. Vonesat e zgjidhjes së këtij problemi i shtojnë dëmet dhe pasojat negative në Parkun e Dajtit, biodiversiteti i të cilit ruhet nga shumë Konventa Ndërkombëtare të nënshkruara nga shteti ynë”, shprehet Aliu për Citizens Channel. Po ashtu, sipas ekspertit, ka një mungesë transparence të publikimit të statusit ligjor të kompanive që kryejnë nxjerrjen dhe përpunimin e gurit dhe përgjegjësive ligjore për kompanitë që janë ç’regjistruar apo hequr lejet minerare.

Një tjetër shqetësim që nxjerrin ekspertët mjedisor është edhe mungesa e një plani menaxhimi për zonat e mbrojtura. “Sot e kësaj dite nuk është miratuar ende një plan menaxhimi për Parkun e Dajtit, detyrim ligjor i Ministrisë së Mjedisit që duhej të ishte përmbushur të paktën që në vitin 2006, kohë kur sipërfaqja e Parkut është zgjeruar për herë të fundit. Mungesa e një plani menaxhimi për Parkun Kombëtar të Dajtit krijon premisa e terren për aktivitete të dëmshme në Park dhe në përputhje me qëllimin e krijimit dhe ruajtjes së tij”, thekson Klodian Aliu.

Harta e zonës së mbrojtur – Parku Kombëtar i Dajtit

Çdo projekt minerar i miratuar nga AKBN ka në përbërje pjesën e menaxhimit të mbetjeve dhe rehabilitimit të mjedisit. Ky proces konsiston në ripyllëzimin dhe rivitalizimin e zonës pas gërryerjes masive dhe zhveshjes së Malit të Dajtit nga gjelbërimi.

Eksperti Klodian Aliu shton se deri në vitin 2011 miratimi i planeve të rehabilitimit kanë qenë kompetencë e Ministrisë së Mjedisit, por më pas kjo kompetencë i  ka kaluar AKBN, pavarësisht se kjo e fundit nuk ka funksion ruajtjen e mjedisit dhe nuk ka struktura apo kapacitete teknike. “Për pasojë, planet e rehabilitimit hartohen në mënyrë fiktive dhe janë të pazbatueshme”, thekson Aliu.

Në të shkuarën, asnjë prej 9 kompanive që ishin të licencuara por sot punojnë pa një leje për shfrytëzimin e guroreve në Parkun e Mbrojtur të Dajtit, nuk ka kryer rehabilitimin e zonës. Dëmi i guroreve në Parkun Kombëtar të Dajtit është kolosal. Makineritë e rënda që gërryejnë skarpatet kanë arritur të fregmentojnë habitatet dhe të largojnë faunën në Parkun Kombëtar. Një pjesë e mirë e guroreve veprojnë me plasje të fuqishme me eksploziv duke tronditur ujin nëntokësor dhe shkaktuar një ndotje mbytëse për shkak të pluhurit që ngrihet.

Për ekspertët mjedisor, lejet e dhëna pa vlerësim të saktë të ndikimit në mjedis dhe me raporte formale që vlejnë vetëm për procedurë, nuk garantojnë ruajtjen e mjedisit.

Një tjetër shqetësim krijohet edhe për banorët e zonës si dhe për investimet turistike. Guroret kanë përfituar lejet nga AKBN dhe Ministria e Mjedisit pa kryer asnjë konsultim paraprak me publikun dhe përfshirjen e këtij të fundit në vendimmarrje. Shpërthimet me eksploziv, bluarja e gurit dhe transporti me mjete të rënda në disa raste kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme duke vënë në rrezik edhe jetën e komunitetit që jetojnë pranë tyre.

Gjithashtu lejet e dhëna për shfrytëzim guror ndër vite nga AKBN bien ndesh me statusin e mbrojtjes si Park Kombëtar të Kategorisë II dhe si atraksioni më i vizituar turistik në vend. Pas përfundimit të aktivitetit të guroreve, këto zona konsiderohen të vdekura, pa interes turistik dhe synohen si vende për depozitimin e mbetjeve. Kjo tashmë ka ndodhur me zonën e ish-gurores së vjetër midis fshatit Linzë dhe Surrel, ku janë depozituar sasi të mëdha mbetjesh ndërtimore. Krahas mbetjeve ndërtimore, Parkut të Dajtit i janë shtuar edhe ato minerare. Kompanitë që bëjnë përpunimin dhe nxjerrjen e gurit duhet të kenë impiant për asgjësimin e sterileve (mbetjeve të gurit). Por realiteti pasqyron një tjetër abuzim me natyrën pasi të gjitha kompanitë përdorin përrenjtë për të shkarkuar inertet e përpunimit të gurit.

* Citizens Channel

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: Deklaratat e Ramës tregojnë se ai nuk ka respekt për ligjet

Kryeministri i vendit Edi Rama, i ftuar mbrëmë në televizionin Top Channel, u shpreh edhe në lidhje me çështjen e Teatrit e cila është shtyrë për diskutim në Parlament në datën 20 shtator. Ligji Special i cili parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar dhe dhënien e pronës publike në të cilën ai ndodhet subjektit privat “Fusha sh.p.k” u shty për diskutim pas kthimit nga Presidenti.

Edhe Komisioni Europian u shpreh për këtë çështje nëpërmjet një letre. Letra mban firmën e Shefes së Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Michela Matuella, dhe i drejtohet Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.

Burimi: Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit
Letra e Komisionit Europian
Burimi: Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit
Letra e Komisionit Europian

Në letër thuhet se ky ligj nuk e cenon Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit dhe se Komisioni Europian nuk ka kompetenca për të gjykuar mbi përputhshmërinë e Ligjit Special me kuadrin ligjor në Shqipëri, por Komisioni Europian inkurajon qeverinë që të hapë garën për të gjithë dhe të lejojë konkurrencën.

Kryeministri Rama u shpreh mbrëmë se i vetmi problem që kishte Ligji Special sipas Komisionit Europian ishte fakti që ligji i drejtohet vetëm një subjekti të vetëm.

“Unë prapë mendoj që ne kemi bërë gjënë e duhur, pavarësisht se ne do ta adoptojmë sipas sugjerimit të tyre”, tha Rama.

Ndërsa kur u pyet se a do të ishte sërish fituese kompania “Fusha sh.p.k”, Rama tha:“Një kompani tjetër që do dojë të ndërtojë teatrin, duhet të shkojë dhe të marri prokurat e pronarëve. Nëse i merr bujrum, ne nuk kemi asnjë problem”

Lidhur me vlerat e trashëgimisë kulturore që godina e Teatrit Kombëtar mbart Rama tha se ajo nuk ka asnjë vlerë dhe se toka aty është një karakatinë që nuk vlen asgjë.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit që po proteston prej 5 muajsh për të mbrojtur teatrin dhe për të mos tjetërsuar pronën publike reagoi ditën e sotme me një deklaratë në të cilën i quan deklaratat e Kryeministrit skandaloze dhe  jo të vërteta.

Deklarata e plotë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit: 

Deklaratat e djeshme të Kryeministrit Rama për Teatrin janë skandaloze.

Së pari, Aleanca nuk ka kërkuar një opinion subjektiv nga Komisioni Evropian nëse duhet ndërtuar apo jo një teatër i ri. Komisioni po ashtu nuk ka dhënë, e nuk ka pse të jepte një përgjigje të tillë. Ata janë pyetur për vlefshmërinë e procesit, të cilin e kanë rrëzuar.

Së dyti, Kryeministri ka deklaruar publikisht se i gjithë koncesioni është kërkuar prej tij e jo nga kompania Fusha. Ai ka pranuar se lejet e ndërtimit nuk jepen falë një plani urbanistik, por sipas dëshirave të tij. Ai nuk e pranoi haptazi, por është po ai që ka negociuar direkt me Bjarke Ingels për projektin, përsëri në shkelje të ligjit. Kjo deklaratë skandaloze mjafton që të fillojë më së paku një hetim ndaj marrdhënieve të tij me kompaninë në fjalë.

Së treti, Kryeministri ka pranuar se në truallin e projektit ka disa pronarë të tjerë privatë me të cilët një kompani tjetër duhet të negociojë. Në fakt pronarët privat nuk kanë asnjë marrveshje me Fushën, dhe është komplet e paqartë si e pse janë përfshirë në këtë projekt. Kjo është një shkelje e të drejtës themelore të pronës që po ashtu duhet hetuar sa më shpejt.

Deklaratat e djeshme tregojnë edhe njëherë se Kryeministri Rama nuk ka respektin më minimal për ligjet, rregullat dhe procedurat e vendit që drejton. Përtej problemit të Teatrit, që do mbrohet deri në fund, deklaratat e djeshme tregojnë se Kryeministri e konsideron Shqipërinë një feud personal të tijin.

*Citizens Channel /F.S/ 

 

Debati për Teatrin, reagimet e BE, organizatës Europa Nostra, Ramës dhe Veliajt

Anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar u takuan sot me ambasadoren e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin.
Në takimin e zhvilluar me Vlahutin ishin pjesëmarrës Neritan Liçaj, Alert çeloaliaj, Robert Budina, Adriatik Lapaj, Rudi Erebara dhe Sesilia Plasari.

Pas përfundimit të takimit Çeloaliaj u shpreh se është marrë konfirmimi nga ambasadorja se Bashkimi Evropian është duke e shqyrtuar ligjin i cili parashikon shembjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një godine të re nga kompania private Fusha sh.p.k.

Aktualisht ky ligj pritet të dekretohet nga Presidenti, të cilit gjithashtu artistët i kanë bërë thirrje të mos e dekretojë këtë ligj antikushtetues. 


Video: Marshimi i qytetarëve dhe artistëve drejt Presidencës në mbrojtje të Teatrit Kombëtar/ 12 Korrik 2018


Organizata Europa Nostra shprehet kundër shembjes së godinës së Teatrit

Pjesë nga letra e organizatës Europa Nostra drejtuar kryeministrit Edi Rama

Dita e djeshme ka shënuar një sërë reagimesh në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar. Organizata Europa Nostra me anë të një letre të hapur i shprehu Kryeministrit Edi Rama shqetësimin e vet në lidhje me këtë çështje. Kjo organizatë është një nga më të rëndësishmet në Europë, në lidhje me trashëgiminë kulturore dhe natyrore.Organizata Europa Nostra u themelua në vitin 1963 në Paris. Për më shumë se 50 vite ka mbrojtur dhe ka lobuar për trashëgiminë kulturore. Sot është e njohur si një nga organizatat më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore.

Organizata shprehet në këtë letër se arkitektura e godinës së Teatrit Kombëtar është arkitekturë italiane dhe ndërtesa e vetme e këtij lloji në Shqipëri.

“Europa Nostra mbështet protestat kundër prishjes së Teatrit Kombëtar dhe nuk mbështet asnjë propozim që shkatërron Teatrin ekzistues” thuhet në letrën drejtuar Kryeministrit Rama.

Europa Nostra i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare, Bashkisë së Tiranës dhe çdo autoriteti tjetër që “të rishikojnë vendimin e tyre për të shkatërruar këtë monument europian dhe të gjejnë mundësinë e rikonstruksionit në mënyrë që Teatri aktual të përmbushë standardet”.

Rama dhe Veliaj “përgjigjen” me një material filmik

Reagimit të Europa Nostra, ju përgjigjën menjëherë kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Veliaj, duke shpërndarë të njëjtin postim në rrjete sociale.

Veliajn në profilin e tij në “Facebooktregoi disa pamje të godinës së Teatrit Kombëtar të pjesës me të cilën kufizohet me godinën e rinovuar që është në përdorim nga Kontrrolli i Lartë i Shtetit.

 

Të njëjtat pamje ka ndarë pak orë më vonë edhe Kryeministri Edi Rama në rrjetin social Instagram “me sa mend në kokë mund të luftohet për ta ruajtur”, shprehej ai në videon që kishte zgjedhur ta shoqëronte me figura të ndryshme nga galeria e figurave të animuara që mundëson ky rrjet social.

Pjesë nga publikimi i Kryeministrit Rama në Instagram

Pamjet tregojnë degradimin fizik të kësaj godine e cila sipas aktorit Neritan Liçaj ka ardhur si pasojë e mos investimit në mirëmbajtjen e godinës.

“Ja si e kanë lënë teatrin keto 5 vite për të justifikuar prishjen. Këto skanë qenë më parë.Investimet për mirëmbajen e T.K janë 0 lekë.Me gjithë tërmetet dhe pa investime..u kris Palamenti dhe Ministria e Bujqësisë, u përmbyt Bashkia dhe teatri jo…që është godinë shumë më e vjetër se ato.Turp.Politika shqiptare i ka shumë borxhe artit dhe kulturës.Turp.” deklaroi Liçaj në Facebook.

*Citizens Channel /f.s/
/Letra e plotë e organizatës Europa Nostra drejtuar kryeministrit Edi Rama

Foto e letrës së Europa Nostra drejtuar kryeministrit Edi Rama
Foto e letrës së Europa Nostra drejtuar kryeministrit Edi Rama

Edi Rama shpëtoi “Kino Lumbardhin”, shkatërron Teatrin Kombëtar

Ishte viti 2014 kur Edi Rama shprehu mbështetjen për mos shkatërrimin e kinemasë së vjetër Kino Lumbardhi në Prizren duke mbajtur këtë qëndrim: “Kryetarët shkojnë e vijnë, po shkoi njëherë DokuFesti, nuk kthehet më, dhe në vend se të bëhet parking duhet të mbesë kinema, dhe shpresoj se të gjitha autoritetet do të bëjnë çka iu takon atyre”.(Kosovo 2.0)

Continue reading “Edi Rama shpëtoi “Kino Lumbardhin”, shkatërron Teatrin Kombëtar”

Raporti: Shqipëria me strukturë shëndetësore të vjetëruar dhe kosto shumë të larta për pacientët

Videot e bukura të spitaleve që poston kryeministri Rama në Facebook nuk kanë asgjë të përbashkët me cilësinë e shërbimeve që ata u ofrojnë shqiptarëve. Një raport i publikuar së fundmi nga Kontrolli i Lartë i  Shtetit, ve në dukje se spitalet janë “të paakredituara, pa protokolle mjekësore të miratuara gjë që sjell abuzim me medikamentet, por edhe në shmangien e përgjegjësive të stafit mjekësor, me procedura të zgjatura që sorrollasin pacientët dhe shpeshherë me kosto shumë më të larta se sa kushton vërtet kurimi i një sëmundjeje duke favorizuar privatët”.

E njëjta situatë aspak optimiste ka rezultuar edhe sipas raportit të Health Care Powerhouse, organizata lider në botë për vlerësimin e sistemeve shëndetësore, që konkludon se “sistemi shëndetësor në Shqipëri është primitiv, ka burime shumë të kufizuara të kujdesit shëndetësor dhe qytetarët detyrohen të paguajnë kosto të larta për t’u kuruar në spitale duke rrëzuar  kështu ‘arritjet e mëdha në shëndetësi’  të deklaruara nga qeveria shqiptare.

Raporti i Kontrollit të Lartë Shtetit

“Dhe me këto 2 minuta të vetme që i tregojnë kujtdo që do të shikojë e të dëgjojë, ndryshimin themelor mes nesh e atyre që sot s’kanë turp të shajnë e të protestojnë për shëndetësinë që vetëm e shkatërruan, ju uroj një ditë të mbarë”, është ky postimi i datës 25 janar në faqen e kryeministrit Rama, shoqëruar me një video nga spitali onkologjik.

Statusi i Rames

Por nëse video duket vërtetë impresionuese, situata në spitale duket se nuk ka asgjë të përbashkët me muret e lyera bukur të kësaj video. Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka audituar performancën e shërbimeve të QSUT-së, spitalit të Shkodrës dhe të atij të Vlorës, i publikuar me datë 29 dhjetor 2017, vë në dukje një mal me mangësi që jo vetëm e zvarrisin pacientin, por rrisin fiktivisht kostot dhe ulin cilësinë e shërbimeve.

Pikat e dobëta të sistemit

Pikat e dobëta të shëndetësisë në Shqipëri janë disa, por KLSH ka renditur si ndër më kryesoren mungesën e protokollve klinike, duke sjellë një reaksion zinxhir negativ.

“Protokollet e mjekimit dhe procedurat standarde të punës nuk ekzistojnë akoma zyrtarisht në shërbimet spitalore duke rritur ndjeshëm keqpërdorimin dhe abuzimin në barna dhe materiale mjekësore si dhe mungesën e evidentimin të përgjegjësive të stafit mjekësor për trajtimin e pacientëve jo sipas protokolleve klinike të miratuara. Gjithashtu mungesa e tyre reflektohet në mënyrë të drejtpërdrejtë në cilësinë e ulët të kujdesit shëndetësor parësor dhe rritjen e kostove financiare të këtyre shërbimeve”, thuhet në raport.

Ekspertët e KLSH-së shpjegojnë edhe se si mungesa e këtyre protokollove rëndon  sistemin shëndetësor. “Protokollet klinike dhe procedurat standarde të punës nuk janë miratuar akoma zyrtarisht në spitalet rajonale dhe universitare, duke ndikuar ndjeshëm në keqpërdorimin dhe abuzimin me furnizimin dhe përdorimin me barna dhe materiale mjekësore”, citon KLSH, i cili sqaron më tej se hartimi i protokollove duhet “të jetë prioriteti kryesor i reformimit të sistemit të kujdesit shëndetësor” që do të çojë në në rritjen e transparencës, verifikueshmërisë, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies, me qëllimin final rritjen dhe përmirësimin gradual të cilësisë së shërbimit spitalor.

Raporti KLSH

Kosto më të larta

Përcaktimi se se sa lekë, i kushton një spitali çdo i sëmurë sipas diagnozave është “thembra e Akillit”, sipas KLSH. Pasi kanë analizuar të gjithë mënyrën se si bëhet vlerësimi i një kostoje, ekspertët që përfshihen në këtë proces, por edhe shpenzimet që përfshihen, KLSH është e mendimit se “sistemi aktual i vlerësimit të kostove për shërbimet spitalore është një vlerësim që mbart shpenzime të tepërta dhe nuk reflekton kostot e vërteta, duke orientuar kërkesat e institucioneve shëndetësore spitalore drejt vlerësimit të shpenzimeve dhe jo sipas kostove të tyre”.

Për këtë ekspertët që kanë audituar i referohen formulës që ka përdorur QSUT.   “Formula e vlerësimit të kostove është bërë duke u bazuar në shpenzimet e QSUT-së për konsumin e energjisë elektrike, ujit, pastrimit, hotelerisë, amortizim të ndërtesës, çmimet e barnave, medikamenteve të QSUT, etj”, por që për ekspertët e KLSH, nuk ëhstë e drejtë që të aplikohen edhe për sistemin jopublik.

“Përcaktimi i kostove nga këshilli teknik për hartimin e paketave duke marrë për bazë kostot direkte dhe indirekte të QSUT nuk mund të shërbejnë si kosto referencë për institucionet shëndetësore jopublike”, thonë eskpertët e KLSh, të cilët ngernë si shqetësim se në përllogaritjen e kostove të paketave bazë nuk janë të përfshirë ekonomistë, siç e parashikon ligji, por vetëm mjekë të QSUT-së, përfaqësues nga Ministria dhe Fondi.

Po ashtu KLSh konsideron si arbitrar “përcaktimin e marzhit të fitimit për paketat shëndetësore nga këshilli teknik dhe jo i përcaktuar sipas ndonjë studimi të mirëfilltë të analizimit të kostove dhe përcaktimeve ligjore për vendosjen e tij”.

Abuzimet me procedurat

Përfitimi i spitaleve jopublike në kurriz të atyre publike ka qenë gjithmonë një temë e nxehtë debati. Në bazë të marrëveshjes që kanë me Fondin, spitalet private janë kontraktuar për të ofruar një gamë të gjërë shërbimesh që për arsye të ndryshme, pacientët nuk mund t’i marrin në spitalet publike.

Nga auditi që ka ushtruar Kontrolli i Lartë i Shtetit rezulton se në të vërtetë Drejtoria e Shërbimeve Spitalore Universitare (DSHSUKS), nuk ka ushtruar asnjëherë kontrolle cilësore për respektimin e kontratave.

“DSHSUKS nuk ka realizuar asnjë mision kontrolli pranë QSUT dhe spitaleve universitare për respektimin e kushteve të kontratës të lidhur midis tyre. Kjo vjen pasi kjo Drejtori nuk ka një manual apo një metodikë të qartë për ushtrimin e kontrollit të këtyre paketave, duke u mjaftuar në zbatimin e disa detyra të përgjithshme që janë përshkruar në rregulloren e fondit”, thuhet në raport.

Spitale të paakredituara

Asnjë nga spitalet tona nuk është i akredituar, që do të thotë se askush nuk e di se çfarë cilësie shërbimi ofrojnë ata. Sipas raportit të KLSH-së, vetëm QSUT-ja ka aplikuar për t’u përfshirë në procesin e akreditimit në vitin 2016, por ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret, që është vetëvlerësimi i brendshëm, për t’u përfshirë në këtë proces të rëndësishëm. Ndërsa spitali i Shkodrës dhe ai i Vlorës, as nuk e kanë nisur procesin e akreditimit.

Raporti i ndërkombëtarëve

Në të njëtën linjë me problemet e vëna në dukje nga KLSH ka qenë edhe raporti “Euro Health Consumer Index 2017” i publikuar më 1 shkurt nga Health Care Powerhouse.

Nga 35 vende të përfshira nën monitorim, Shqipëria renditet në vendin e 27-të, por ekspertët sqarojnë se Shqipëria ka shmangur renditjen në vendet e fundit vetëm për shkak të aksesit të lartë që kanë qytetarët për të marrë një shërbim shëndetësor në Shqipëri.

 Sipas këtij raporti “Shqipëria vuan nga një strukturë shëndetësore e vjetëruar, me një kosto shumë më të lartë të pacientit kur shtrohet në spital në raport me kujdesin ndaj pacientit”.  

shqiptaret leke

“Si pasojë, – citohet në këtë raport, – sistemi shëndetësor shqiptar nuk mund ta përballojë që një pacient të qëndrojë disa ditë në spital, pasi kjo i rrit së tepërmi kostot. Ata duhet të marrin mbështetje profesionale për të ristrukturuar shërbimet e tyre shëndetësore”, citon raporti i HCP, që po ashtu i rendit shqiptarët si ndër të parët që duhet të japin para nga xhepi për të përballuar kostot e sëmundjeve, dhe në vend të fundit sa i përket buxhetit që jep qeveria për shëndetësinë.  

Raporti shpjegon se “Shqipëria ndan të njëjtin problem me të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit, me përjashtim të Sllovenisë: është e vështirë të vlerësohet se cilat shërbime shëndetësore janë të aksesueshme pa pagesë nën dorë”.

Autor: Esmeralda Keta