Të frikësuar dhe të pashpresë, 11 familje rome mbeten në errësirë pas aksionit të OSHEE

Ne ishim gjithë, gati për t’u shtrirë. Ishte ora dhjetë , erdhën këtu,  nja 10 makina OSSHE-së edhe nja tre, katër makina të policisë, edhe u futën brenda shtëpisë si barbarë kshu, ububu bababap menjëherë. Dhjetë të natës nuk lejohet njëherë të vish në shpi të shqetësosh tjetrin, se kemi kalamaj të vegjël…”, rrëfen i shqetësuar Maliq Avdillari për Citizens Channel.

Shtëpia e tij ka vetëm dy dhoma, të cilat strehojnë 7 anëtarë dhe janë të ndërtuara nga materiale teneqeje dhe plastike.

Mbrëmjen e së mërkurës teksa po pëgatiteshin për të fjetur, ashtu si familja e Maliqit edhe 11 familje të tjera të komunitetit rom në lagjen Yzberisht të Tiranës u përballën me hyrjen e beftë të punonjësve të OSHEE-së. Ata tregojnë se në morinë e makinave të shumta, policisë së shtetit që i shoqëronte dhe thirrjeve të zhurmshme gjatë hyrjes në banesat e komunitetit rom, punonjësit ndërprenë energjinë elektrike.

Banorët tregojnë se nuk ishin paralajmëruar më herët, prandaj edhe ora e zgjedhur për të kryer këtë aksion shkaktoi frikë dhe shqetësim për ta dhe për fëmijët e tyre.

Artan Dushku

“Na erdhën në mes të natës, ne ishim në gjumë, me kalamaj të vegjël, na tromaksën, mua jo , më shumë kalamajt. Na prevën dritat. Neve jemi gjithë ok që e vjedhim, nuk jena kundër që e vjedhim, po të paktën të vijnë të na shikojnë, ku jetojmë, ca mbledhim. S’jena kundra, t’vijnë të shikojnë”, – rrëfen njësoj edhe Artan Dushku, baba i 3 fëmijëve të mitur.

Për Artanin, energjia elektrike siguronte dritën e një dhome të vetme që ai ka, ku jeton me gruan dhe 3 fëmijët e tij.

Komuniteti rom në këtë zonë të Tiranës jeton kryesisht në vendbanime të njohura si baraka, të ndërtuara prej kartoni, plastmasi apo materiale prej llamarinash.

Për këto kategori objektesh , në legjislacionin shqiptar nuk ekziston statusi ligjor që i njeh si vendbanime, duke i përjashtuar nga e drejta për të lidhur kontrata të energjisë elektrike dhe ujit. 

Banorët janë të ndërgjegjshëm që nuk kanë paguar për energjinë elektrike që kanë përdorur deri më tani. Megjithatë, ata nuk ngurrojnë të bëjnë të qartë faktin se kanë kërkuar procedurë të rregullt për marrjen e energjisë, siç është vendosja e një sahati.

“Në qoftë se vejnë sahatin, ne jena të detyrum ta paguajmë, do e paguajmë o vlla si gjithë të tjerët. Unë jam i detyrum të paguaj se kam fëmijë, duan të ngrohen, të lahen“-rrëfen Artani.

Por përgjigja nga institucionet nuk ka qenë favorizuese pasi nuk kanë pranuar të vendosin sahat në barake.

Maliq Avdillari

“Po ne s’kena bo gjo, dritat ndoshta i kena marrë se ne i kena shku me na vu sahatin , thotë jo, në barake nuk vemë sahat thotë. Edhe tani atë ofertën të tjerët e bëjnë me 150 mijë lek , me 160 mijë lek, ne na e japin 250 e ca mijë lekë “-tregon Maliq  Avdillari për Citizens Channel.

Sanie Shaqiri, grua e ve, e cila kujdeset për nipërit e mbesat, të cilët mamaja e tyre i ka braktisur, tregon për Citizens Channel tmerrin që ata përjetuan. 

” Atë natë që erdhën ata, ngelëm në errësirë , u tmerruan kalamajtë u tmerruan se kishin frikë të dilshin jashtë. Edhe ne s’jemi kundërshtim për as edhe një gjë, por të paktën mos na vijshin kshu, tamam si ato , si thot, ato që frikësojnë kalamajt. Vini dhe ato si njerëz, t’na i presin dritat, edhe neve nuk jemi kundërshtim, do vejmë sahatet, si pagojnë të gjithë do pagojmë edhe neve, nuk jemi kundërshtim me shtetin. Sepse edhe ai ka të drejtat e veta, por edhe neve ta paktën mos na tmerrojnë kshu“.

Sanie Shaqiri

Interesimi i saj për të vendosur sahatin ka qenë i vazhdueshëm, edhe pse nuk ka qenë i njëjtë nga pala tjetër.

Unë kur kanë ardhur të të gjithë për të vënë sahatet, edhe unë prita që t’më vejnë sahat po s’ka ardh as edhe nji të interesohet te unë. Unë jam interesu po ato s’kanë ardh as edhe nji.”

Madje, ajo është interesuar edhe për koston që i shkon vendosja e një sahati për matjen e shpenzimit të dritave, kosto e cila është mjaft e “kripur” për jetën që ajo bën.

Edhe dje vajta te KESH-i, ja ku e kam edhe letrën, po jo kaq lekë. 218 e ca është kontrata, 40 mijë lek ai tekniku. Ja, ku ti gjej unë , unë me bidona me kanaçe po jetoj, ja shikojini bidonat ku i kam. Pa asistencë, pa asnjë lloj ndihme“.

Për Meritën, mungesa e dritës është një problem edhe më i prekshëm, pasi ajo vuan nga kufizimi i pjesshëm i shikimit. Grua e ve dhe nënë e tetë fëmijëve, ajo rrëfen se ka ardhur nga Kukësi, vetëm për shkollimin e fëmijëve të saj.

Merita Shaqiri

” Kam ardh për shkollën e vajzës e kam vajzën në klasë të tretë. Kam ardh nga Kuksi ktu, vet për një shkollë, edhe t’na boj në k’të situatë që janë duke na bo,mos na vijnë me na kërku se do t’shkoj , do varem me t’gjith 8 kalamajt do varem edhe t’boj ca tdoj shteti pastaj. Po një dritë t’paktën edhe atë do t’na e heqin”.

Mungesa e strehimit dhe energjisë elektrike,shkelje e të drejtave të njeriut 

Sipas Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Ekonomike Sociale dhe Kulturore, e drejta për strehim duhet t’u garantohet të gjithë personave pavarësisht të ardhurave të tyre. Kjo nënkupton se jo vetëm qiraja, por edhe kosto të tjera që lidhen me strehimin si energjia dhe uji, duhen përcaktuar si të tilla.

Gentjan Serjani, jurist dhe aktivist për të drejtat e komunitetit rom dhe egjiptian shprehet për Citizens Channel se ndërprerja e energjisë elektrike në periudhë dimri për familjet rome dhe egjiptiane është një shkelje e të drejtave të njeriut.

Gentjan Serjani

Referuar Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut nuk mundet që ti ndërpresësh energjinë elektrike një familjeje në situatë dimri, por edhe aq më shumë edhe natën, në një aksion që pothuaj thua sikur po bëhej arrestimi i disa kriminelëve. Kur ato nuk ishin asgjë në mënyrë të vullnetshme, të paligjshme, sepse ato kanë shprehur vullnetin për të pasur energji elektrike në mënyrë të rregullt, në bazë të një kontrate, pavarësisht se nga ana e OSHEE-së nuk është zbatuar”. 

Sipas tij institucioni i OSHEE-së duhet ti kishte lajmëruar paraprakisht. 

“Aq më shumë kur ti ke mundësinë që të shkosh edhe ta lajmërosh  paraprakisht atë familje , ti bësh thirrje paraprake që të jesh nga informal në formal, ti ofrosh mundësinë për ta furnizuar me energji elektrike, me pas të marrësh këtë lloj veprimi të cilën OSHEE-ja në bashkëpunim me policinë e shtetit e morën në një mënyrë jo normale dhe jo sipas disa të drejtave që mbrohen nga Konventa e të Drejtave të Njeriut”.

Serjani shpjegon se për aq kohë sa institucionet shqiptare nuk mundësojnë banesa të njohura sipas ligjit shqiptar, baraket duhet ta gëzojnë këtë status përderisa aty jetojnë familje të tëra.

Po ti referohemi ligjit për legalizim është e vërtetë që barakat nuk i trajton ligji si banesa dhe nuk mund të jenë në proces legalizimi. Por nga ana tjetër ne e kemi fakt, që disa familje të komunitetit rom dhe egjiptian jetojnë në ato banesa dhe për to ajo është banesë. Qoftë barakë por qoftë edhe në mënyra të tjera të ndryshme të ndërthurura që mund të jenë banesa nga këto të lëvizshme, të cilat janë mjete, furgona të dala jashtë funksionit të cilat ato i kanë kthyer në banesat e tyre.”

Mungesa e energjisë elektrike sipas Serjanit është edhe një pengesë për arsimimin dhe integrimin e fëmijëve romë dhe egjiptianë. 

Në momentin që nuk do ti japim furnizimin me energji elektrike do të thotë që ne prapë do ti lemë ato persona, ato familje, ato fëmijë që të kthehen në një lloj jetese pre-historike. Aq më tepër kur bëhet fjalë për fmijë , për të cilët ne kemi strategjira të ndryshme për ti integruar dhe arsimuar. Si mundet të kërkojmë arsim kur ata nuk mund të marrin dot furnizimin me energji elektrike. Kur ato nuk mund të mësojnë dot se s’kanë energji elektrike ne shtëpi “.

*Citizens Channel |  Erisa Kryeziu 

 

 

 

“Na e bëtë jetën errësirë”, familjet e varfra protestojnë për lehtësimin e mohuar të energjisë elektrike

Ashtu si e kishin paralajmëruar aktivistë të komunitetit Rom dhe Egjiptian së bashku me qytetarë të tjerë të Elbasanit, Tiranës, Fierit, Durrësit dhe Cërrikut, protestuan sot pranë Kryeministrisë për miratimin e VKM-së së parashikuar në nenin 95 të ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”.

Sipas ligjit, që prej vitit 2016, abonentët me të ardhura të ultë duhet të ishin njohur si “klientë në nevojë”, duke përfituar nga lehtësimet në pagesën e faturave të energjisë, por ende sot ata paguajnë njëlloj si familjet me të ardhurat më të larta.

Me thirrjet, “Kthema dritën”, “210 kw falas për familjet e varfra”, “Na e bëtë jetën errësirë”, “Për VKM 3 vite prita, por tani u mbush kupa”, “Zbatoni ligjin që vetë e keni miratuar”, “Fëmija im e kaloi semestrin në errësirë”, qytetarët protestuan për rreth 2 orë pranë Kryeministrisë.

Foto: Citizens Channel

“Duam tju bëjmë të ditur që kjo VKM që duhej të ishte miratuar që në 2016 për të mbështetur me buxhet nga ana e shtetit të gjitha familjet e varfra, klientë në nevojë, për të paguar energjinë elektrike. Siç e dini zoti Rama këtu me ne ka familje të cilat kanë ndoshta dhe vite të tëra që janë në errësirë totale në shtëpitë e tyre. Përveç varfërisë, përveç kushteve të vështira social – ekonomike, këto familje vuajnë dhe errësirën, duke pasur në familjet e tyre dhe fëmijë të vegjël, të afërm të sëmurë, pleq, të cilët kanë nevojë të ngrohen apo kanë nevojë të gatuajnë dhe të ushqehen sit ë gjithë qytetarët e tjerë”, tha aktivisti Ervis Çota.

Foto: Citizens Channel

“Kjo qeveri, Parlamenti i Republikës së Shqipërisë kanë miratuar ligjin me numër 43 për energjinë elektrike, i cili në nenin 95 të tij merr angazhimin ligjor për të garantuar nxjerjen e një Vendimi të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e klientëve në nevojë, të përcaktimit të kritereve dhe procedurave të përfitimit nga familjet në nevojë të energjisë elektrike falas. Nuk e kanë bërë këtu e 40 muaj duke e shkelur ligjin”, tha avokati Adriatik Lapaj në fjalën e tij gjatë protestës.

Adriatik Lapaj
Foto: Citizens Channel

Ditën e hënë aktivistët dhe qytetarët e prekur dorëzuan pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës dhe Kryeministrisë një peticion me rreth 3200 firma, në të cilin kërkohej miratimi i VKM-së i cili parashikon lehtësira për klientët në nevojë. Ky ligj ka kaluar në Kuvend që në vitin 2015 por kjo VKM nuk është miratuar ende.

Dy nga aktivistët gjatë fundit të protestës, zhvilluan një takim në Kryeministri me drejtoreshën e Platformës së Bashkëqeverisjes të cilës i kërkuan përgjigje për peticionin e dërguar në fillim të javës. Ata morën përgjigjen se kërkesa e tyre do të shqyrtohet brenda 10 ditësh dhe ata do të marrin një përgjigje dhe qëndrimin e institucioneve përkatëse brenda këtij afati që përcakton ligji. Aktivistët tregojnë për Citizens Channel se prej një viti kanë dërguar rreth 150 ankesa në Platformën e Bashkëqeverisjes për këtë problem.

Nëpërmjet fushatës “Kthema dritën” aktivistët për rreth 2 javë kanë shkuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë për plotësimin e peticionit.

Foto: Citizens Channel

Në vitin 2015 ndryshoi kuadri ligjor në lidhje me energjinë elektrike, ai u ashpërsua në drejtim të personave që merrnin energji në mënyrë  të paligjshme si dhe ndaj personave të cilët nuk e kishin paguar faturën e energjisë elektrike prej shumë kohësh. Shumë familje të varfra u prekën nga këto ndryshime ligjore dhe shumë persona u ndoqën penalisht lidhur me këtë çështje.

Sot, protestuan qytetarë të cilët nuk kanë mundësi ta paguajnë energjinë elektrike. Ndihma sociale prej 3000 lekësh nuk krijon mundësinë që fatura e energjisë elektrike të paguhet nga familjet e varfra.

Citizens Channel / F.S