Europa Nostra letër Metës, Ramës dhe Veliajt: “Të ndalohen planet për prishjen e Teatrit Kombëtar”

Hermann Parzinger, Presidenti Ekzekutiv i Europa Nostra, organizatë ndërkombëtare në mbrojtje të trashëgimisë kulturore në Evropë, i është drejtuar me një letër të personalizuar Kryeministrit Rama, Presidentit Meta dhe kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Ai shpreh shqetësimin e tij lidhur me planet e prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe u bën thirrje të mënjanohen nga vendimi  për ta ndërtuar një teatër të ri në vend të atij ekzistues.  

Në këto letra, Europa Nostra bën me dije se ekziston një probabilitet i lartë që Teatri Kombëtar të përzgjidhet si një nga “7 vendndodhjet më të rrezikuara në Europë“, e cila do  të angazhonte rrjetin dhe partnerët e Europa Nostra-s në restaurimin dhe rijetëzimin e godinës. Kjo nismë është krijuar për herë të parë në vitin 2013, me Bankën Evropiane të Investimeve si partner themelues.

Asnjë nga 29 vendndodhjet e përzgjedhura më parë në programin ‘7 më të rrezikuarat’ nuk është prishur dhe do të ishte risi nëse një fat i tillë i mjerueshëm do të ishte rezervuar për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, me gjithë mbështetjen e treguar në nivel kombëtar dhe Europian“, shkruan Prof. Dr. Hermann Parzinger në letrën drejtuar Ramës.

Letra e nisur në adresë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës nënvizon rëndësinë kulturore që mbart Teatri Kombëtar, jo vetëm për kryeqytetin e Shqipërisë por edhe për vetë Evropën. Presidenti Parzinger thekson se edhe më parë, Europa Nostra ka përzgjedhur vendndodhje të tjera të rrezikuara në Shqipëri.

Gjithashtu do të doja të shtoja që vendndodhje shqiptare janë përzgjedhur dy herë edhe në të shkuarën: Amfiteatri i Durrësit dhe Kishat Post-Bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq. Në të dyja rastet, Europa Nostra e gjeti bashkëpunim me aktorët shqiptarë pozitiv dhe efektiv, duke theksuar konsideratën dhe respektin që vendi juaj ka për ruajtjen e trashëgimisë kulturore“, shpjegon më tej Prof. Dr. Hermann Parzinger në letrën kundrejt krerëve kryesorë në Shqipëri.

 

Europa Nostra i rikujton Presidentit Meta se atij i janë drejtuar edhe më herët, në korrik të 2018-tës dhe i bën thirrje që të përdorë ndikimin dhe pozicionin që Presidenti gëzon për të mbrojtur Teatrin Kombëtar. 

 

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e ka mirëpritur këtë vendim nga Europa Nostra, duke e konsideruar këtë një nismë sensibilizuese .

 

Kryebashkiaku Erion Veliaj, në datë 14 janar të këtij viti ka ritheksuar se nuk është tërhequr nga plani për ta shembur godinën e Teatrit Kombëtar. Gjatë një takimi me banorët e zonës së Kasharit, Veliaj bëri me dije se Tirana, në 100 vjetorin e saj, do të fillojë punën në ndërtimin e një teatri të ri.  

“Që njerëzit të kuptojnë se Shqipëria nuk është vetëm e atyre njerëzve që bërtasin. Ashtu siç është edhe Kadri Roshi. Amaneti i Kadri Roshit ishte një teatër i ri. Të ketë një teatër të ri ku nuk plevitosemi, ku nuk shkojmë me batanije në shfaqje, ku nuk punojmë në një mullar kashte me shkrepëse të presuara, siç bëhej teatër para 100 viteve. Tirana në 100 vjetorin e saj do të fillojë punën për Teatrin e ri“, u shpreh kryebashkiaku Veliaj. 

 

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj 

Thirrjet për furnizim me ujë eklipsojnë edicionin e katërt të maratonës në Tiranë

Ditën e diel u zhvillua edicioni i katërt i maratonës në Tiranë ku morën pjesë garues nga mbi 40 shtete të botës. Ajo u nda në tre kategori; Half Marathone, Tirana 10k dhe We too. Në sajë të organizimit, disa akse kryesore të kryeqytetit janë bllokuar ditën e 12 dhe 13 të tetorit. 

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ishte garues në edicionin e radhës së maratonës. Në një postim në Facebook ai ka treguar se garon për kauzën e rindërtimit të shtëpiave të prekura nga termeti i para pak ditëve. Aktivistët e Organizatës Politike e kanë pritur atë teksa arriti në finish dhe më pas kanë shpalosur banderolën e cila shkruan “Running for Free Water“, “Tirana Without water” [Vrapojmë për ujë falas], [Tirana pa ujë]. Ky moment dhe fjalimi i tij mbyllës u shoqëruan në mënyrë të vazhdueshme nga thirrjet “Duam ujë!” dhe “Tirana pa ujë!“.

Sapo Veliaj mbërriti në finish, ku dhe po e prisnim, shpalosëm banderolën e filluam thirrjet ‘duam ujë’. Policet menjëherë na u afruan e tentuan t’na e merrnin me dhunë. Ashtu nga dy anët e rrethojave, u shtymë por qe patëm edhe mbështetjen e qytetarëve aty pranë e nuk na bezdisen më“, tregon Nebih Bushaj për Citizens Channel. Ai është aktivist i Organizatës Politike dhe njëkohësisht mori pjesë na aksionin e organizuar gjatë maratonës.

Nebih Bushaj, aktivist i Organizatës Politike

Mirela Ruko ishte po ashtu pjesëmarrëse e aktit simbolik në sheshin “Skenderbej”, i cili ishte starti dhe finishi i maratonës. Ajo bën me dije se veprimi në fakt ishte kërkesë llogarie ndaj mosfurnizimit më ujë dhe ndërprerjeve të vazhdueshme gjatë stinës së verës.

Ne në këtë maratonë shpalosëm problemet që shqetësojnë banorët e qytetit dhe ky është rasti ku ne i kërkojmë llogari publikisht kryetarit të bashkisë për mungesën e shërbimeve që i duhen banorit të kryeqytetit dhe që janë të domosdoshme“, sqaron ajo gjatë intervistës për Citizens Channel.

Mirela Ruko, aktiviste e Organizatës Politike

Qyteti ka një mijë e një halle të tjera të cilave nuk po u jepet zgjidhje. Ka tre muaj me furnizim te kufizuar skajshëm të ujit në pjesën më të madhe, ndërkohë ky ka po tre muaj qe trumbeton maratonën, a thua se ai është halli ynë i vetëm a më i madh“, artikulon Bushaj teksa pohon se aktivitete të tilla janë të shëndetshme dhe se aksioni i mësipërm nuk kishte qëllim të ndërpriste garën e cila ka karakter sportiv dhe argëtues.

Të pyetur për nisma të tjera të ndërmarra që ngrenë shqetësimin e mungesës së ujit në Tiranë, Ruko tregon se ditë më parë Organizata Politike ka bërë graffiti në zonat të cilat janë prekur më së shumti nga keqmenaxhimi i burimeve ujore.

Ne kemi realizuar edhe një aksion me graffiti i cili i drejtohet kryesisht banorëve të zonave që nuk kanë pasur ujë me qëllim që t’u themi atyre se duhet të bëhen bashkë dhe të organizohen“, shprehet ajo.

Aksion me graffiti i ndërmarrë nga Organizata Politike

Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) në gusht të 2019-tës, iu përgjigj kërkesës për informacion nga Citizens Channel duke na informuar se nuk ka mungesë të ujit por kufizim të pjesshëm në disa pallate në zonën e Astirit dhe Yzberishtit. Gjatë intervistave të zhvilluara, në fakt rezulton se janë prekur mjaft pjesë të tjera të Tiranës, si Ali Demi, Lapraka, Blloku apo Myslym Shyri.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

“Kryeqyteti i betonit”, Tirana e pesë parqeve ka mbetur në letër

Tirana është qyteti shqiptar që ka shënuar rritjen më të lartë dhe të vazhdueshme të popullsisë. Lëvizjet e brendshme demografike të popullsisë nga zonat rurale apo qytetet e vogla drejt metropolit erdhën në mënyrë graduale në një hark kohor prej 20 vitesh. Grafika më poshtë tregon se vetëm në tetë vitet e fundit, Tiranës i janë shtuar më shumë se 114,255 banorë, duke e çuar numrin total të banorëve të kryeqytetit në 895,160. Kjo bazuar në shifrat zyrtare të INSTAT, por kur flitet për persona që e zhvillojnë jetën në kryeqytet dëgjohet shpesh shifra 1 Milion banorë.

Një tjetër fakt është edhe shtimi i ndërtimeve, që në ndryshim nga konstantja e popullsisë ka pësuar ulje dhe ngritje ekstreme në të njëjtin hark kohor. Vetëm në dy vitet e fundit (2017-2018) janë dhënë thuajse dyfish leje ndërtimi më shumë se në 5 vjeçarin 2012 – 2015 të marrë së bashku.

I vetmi tregues i paralizuar në këtë qytet ndryshimesh të mëdha, mbetet numri i hapësirave të gjelbra. Tirana e viteve 50′ (180 mijë banorë) dhe kryeqyteti i sotëm (rreth 900 mijë) kanë vetëm një të përbashkët, Parkun e Madh të Liqenit Artificial.

Në qoftë se e kthejmë në metër katror i bie të kemi rreth 1 milion e 300 mijë m2 sipërfaqe e gjelbër në Tiranë. Po të llogarisim që Tirana ka rreth 1 milion banorë, i bie që Parku ka rreth 1.3 m2 sipërfaqe të gjelbër për banorë, shumë pak” sqaron specialist i mjedisit Abdulla Diku duke shtuar se norma e vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është minimalisht 9 m2 për banor.

Bashkia e Tiranës në planin miratuar planin e përgjithshëm vendor “Tirana 2030”, ku parashikohet krijimi i një kurore të gjelbër të qytetit, e cila do të përfshinte edhe 5 parqe të qytetit:

  • Parkun e Madh të Liqenit Artificial
  • Liqenin e Farkës
  • Parkun e Kasharit
  • Liqenin e Vaqarrit
  • Parku i Dajtit

Vazhdimisht artikulohet nga zyrtarët lokalë se “Tiranës do t’i shtohen 5 parqe të reja”, por shumë të pakta janë mundësitë që qytetarët që jetojnë në zonat me ndotje dhe dendësi më të lartë ndërtimesh, të shpërndahen në pesë parqet periferike të Tiranës, për të cilat na imponohet të besojmë se janë parqe qyteti.

“Jo të gjithë pyjet mund të quhen park qyteti”

Nisur nga ky shqetësim, Citizens Channel zhvilloi një vëzhgim në katër parqet kryesore të Tiranës. Së pari duke përcaktuar çfarë është një park qyteti dhe çfarë është një hapësirë natyrore periferike.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë  banorët e zonave urbane duhet të kenë akses në një hapësirë të gjelbër prej të paktën 0.5 – 1 hektar në një distancë prej 300 metra linear (ecje prej 5 minutash) nga banesat e tyre.

Nëse nisesh nga një zonë qendrore e Tiranës, asnjë nga këto parqe nuk është i aksesueshëm lehtësisht. Për t’i arritur këto hapësira qytetarët që përdorin automjetet duhet të udhëtojnë 29 minuta për në Parkun e Kasharit, 25 për në liqenet e Farkës dhe Vaqarit dhe 53 minuta për në Dajt.

Citizens Channel ka siguruar investimet që pushteti lokal ka bërë, përmes Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit pranë Bashkisë Tiranë, në 4 parqe të qytetit, përfshirë dhe kopshtin zoologjik. Infografika tregon se edhe pse Kashari, Farka, Vaqari janë shumë larg standardeve të një parku rekreativ, shumë pak para janë investuar aty vitet e fundit dhe gjithmonë e më shumë tendenca është në përmirësimin e Parkut të Liqenit Artificial.

Liqeni i Farkës: “Blloqe vilash në vend të terreneve sportive”

Përpos angazhimit për ta kthyer liqenin e Farkës në një park, dhe ndër të tjera në parkun e dytë më të madh në kryeqytet, investimet e realizuara në këtë zonë për periudhën 2016-2018 kanë ardhur në rënie nga viti në vit. Në vitin 2016 janë investuar 6.192.656 lekë. Në vitin 2017, kjo shumë zbret në 710.171 lek dhe për vitin 2018 në 209,160 lek.

Në një park normal, pushteti vendor do të duhej të merrte në pronësi truallin duke kompensuar pronarët, për ta kthyer atë në fusha sportive dhe hapësira rekreacionale. Por në Parkun e Farkës nuk ka asnjë terren sportiv dhe shëtitorja buzë liqenit ndërpritet në hyrjen e një kompleksi rezidencial vilash të lënë përgjysmë që nga viti 2015, duke vazhduar në formën e një shtegu të pashtruar që sërish kalon krah një toke të rrethuar për ndërtim.  

Liqeni i Farkës plotëson vetëm katër nga 10 kriteret për tu klasifikuar si park qyteti. Aty mungojnë korsitë e biçikletave, burimet e ujit të pijshëm, përshtatje të terrenit për aktivitete rekreacionale si piknik apo fusha sportive, ndërkohë që shtigjet që duhej të lidhnin parkun ndërpriten.  

Liqeni i Kasharit: “Parku që mbeti në letër”

 

“Në fund të këtij mandati Tirana rrethuar me 4 parqe publike – Liqeni i Tiranës, Kasharit, Farkës e Vaqarrit!” deklaronte kryetari i bashkisë Erion Veliaj në prill të vitit 2016.

Në fotografitë shoqëruese të këtij postimi paraqitet një projekt në 3D i parkut që do të lidhte dy liqenet me korsi biçikletash, trampolina për larjen në rezervuar dhe fusha sportive. Sipas Veliajt dhe Administratorit të zonës së Kasharit, ky investim do të niste rreth dy muaj pas vizitës së tyre në prill 2016.

Projekti i liqenit të Kasharit

Image 1 of 4

Ekzaktësisht 3 vjet më pas, në prill 2019, Kryebashkiaku u rikthye në liqenin e Farkës me të njëjtin premtim: “Jam i bindur se mandatin e dytë do të jetë padyshim një nga parqet e reja, me korsitë dhe me të gjithë shërbimet e tjera, vërtet për t’u pasur zili, dhe për të rritur standardin” deklaroi Veliaj.

Situata sot në rezervuarin e Kasharit është shumë e ndryshme nga ajo që u premtua e vazhdon të premtohet. Për të hyrë me makinë, duhet kaluar në një rrugë të rrezikshme e të paasfaltuar. Ndërsa këmbësorët, duhet të kalojnë traun e parkimit të një lokali privat, për të shkuar në parkun që gjithsej ka pesë stola dhe 4 mjete force të vendosura që në kohën kur Kashari ishte komunë më vete. 

Të dhënat e siguruara nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit tregojnë se Bashkia e Tiranës ka investuar vetëm 576 mijë lekë në Parkun e Kasharit gjatë tre viteve të fundit. Ndërkohë kjo hapësirë plotëson vetëm dy nga 10 kriteret për tu quajtur park. Nuk ka një rrugë me trotuarë apo korsi biçiklete që e lidh parkun me rrugën kryesore, mungon çdo tabelë orientuese, nuk ka burim uji të pijshëm e as ambiente të përshtatura për aktivitete sportive, piknik apo ecje.  

Liqeni i Vaqarrit: Vetëm 100 mijë lekë investime për “Parkun e dytë të Tiranës”

Në gusht të vitit 2015, pak ditë pas marrjes së detyrës, Kryebashkiaku Veliaj vizitoi parkun e Vaqarrit: “Më vjen mirë që ky park i ri do të jetë në dispozicion në një kohë të shkurtër”, deklaronte Veliaj duke e shpallur zonën park të Bashkisë së Tiranës, me premtimin për ta kthyer atë si Liqeni Artificial i Tiranës.

24 vjet laj-thaj veç Parku i Liqenit. Se shpejti Parku i ri Vaqarr 1km nga Kombinati “, deklaronte Veliaj në 2015. Ndërkohë Parku i Vaqarit ka marrë 0 lekë investime në 2016, 6.000 lekë në vitin 2017 dhe 108,720 lekë në 2018.

Investimet janë inekzistente në Parkun e Vaqarrit, vetëm 114,720 lekë në tre vite. Vëzhgimi i realizuar nga Citizens Channel tregon se kjo hapësirë nuk plotëson asnjë nga kriteret për të qenë park. E vetmja mënyrë për ta gjetur ku ndodhet është të pyesësh banorët, pasi jo vetëm që nuk ka asnjë tabelë orientuese, por nuk gjendet as në hartë. Parku është krejtësisht i pa aksesueshëm në këmbë, pasi  për të shkuar aty duhet ecur një kilometër në një rrugë pa trotuare.

Edhe aksesi me automjet është një sfidë më vetë, pasi në gjithë rrugën dhe zonën rreth hyrjes së improvizuar të parkut (një shteg i paasfaltuar), nuk ka asnjë hapësirë parkimi. Për të arritur tek shtegu i hyrjes tek liqeni duhet ecur për rreth 15 minuta, por sërish veç mbetjeve të shpërndara kudo, nuk gjendet asnjë shenjë investimi.

Në park mungon rregullimi i terrenit, shtigjet, stolat dhe ccdo element tjetër

Image 1 of 8

Koshat e plehrave mungojnë krejtësisht, nuk ka asnjë stol, asnjë shteg për ecje dhe asnjë rregullim apo përshtatje e terrenit dhe bimësisë nuk është realizuar.

Parku i Liqenit:

Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës (PMLAT) është aktualisht e vetmja hapësirë e gjelbër në Tiranë që ka kriteret për tu quajtur park qyteti. Aty nuk mungojnë as stolat, fushat sportive, shtigjet për vrapim, ecje dhe korsi biçikletash. PMLAT gjithsesi ka vazhduar të marrë pjesën e luanit në buxhetin e APR për parqet (37.5 milionë lekë), duke marrë 5 herë më shumë investime se të gjithë parqet e tjera të marra së bashku.

Edhe liqeni  artificial nuk i ka shpëtuar problemeve të shumta që kanë ngritur shqetësim mes qytetarëve. “Ka pasur kafshime të herë pas hershme, të pjesëve të ndryshme të parkut. Ndërtimet e fundit që janë miratuar tek diga, poshtë digës së  liqenit, dhe ndërtime të tjera që kanë nisur në krahun lindor të parkut pra në pjesën ku parku takohet me rrugën e Elbasanit”, thotë për Citizens Channel aktivisti Pano Soko.

Tjetërsimi i një pjese të Parkut në bllok pallatesh

Kompleksi “Park Gate” i ngritur në një zonë që dikur ishte pjesë e parkut, ndërtimet e shumë debatuara tek diga e liqenit artificial, betonizimi i rrugës Faik Konica me 9 ndërtime të reja, janë vetëm disa nga cenimet që i janë bërë parkut të liqenit.

Askush nuk e di që parku i liqenit artificial i Tiranës, nuk ka asnjë status ligjor. Për të gjithë njerëzit që thonë park, dikush park natyror, dikush park etj, etj, por ligjërisht nuk figuron në asnjë inventar të zonave të mbrojtura të Shqipërisë“, tregon ambientalisti Abdulla Diku. Tirana e vitit 2019, ku jetojnë rreth 1 milion persona, në deklaratat e zyrtarëve ka pesë parqe të mëdha, por në realitet ka vetëm një park, totalisht të pambrojtur në aspektin ligjor, që po “kafshohet” nga të gjitha anët, duke humbur betejën me kullat shumëkatëshe.

*Citizens Channel

 

Shfaqja vanitoze që paralajmëron më shumë kulla dhe më pak transparencë

Pas përfundimit të festimeve për Ditën e Verës, të shtyra në 17 Mars për shkak të paralajmërimeve për stuhi e shi me gjyma, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj njoftoi rikandidimin e tij.

 

Rastësi pas rastësie, ashtu si dielli i ditës së verës një ditë pas protestave të opozitës, edhe manifestimi i Veliajt përkoi me festimet madhështore të Kongresit Zgjedhor të Partisë Socialiste.

Njoftimi i pasua nga një fushatë intensive komunikimi me shpallje në mure, dalje në media dhe ri-publikime të sloganeve në rrjetet sociale nga përfaqësues të administratës.

Një kërkim i thjeshtë në Twitter i sloganit #TiranaqeDuam tregon publikimet dhe shpërndarjet në seri nga administrata e Bashkisë së Tiranës, çka të jep përshtypjen e një fushate të mirë koordinuar.

Pak ditë më pas, në 21 Mars, Veliaj shfaqet në një spot televiziv në tarracën e gjelbëruar të bashkisë, ku flitet për parqe, shkolla, kopshte dhe livadhe, por fshihet me kujdes kantieri i ndërtimit të kullave 24 katëshe që gjendet përballë tij, në një perimetër të përjashtuar së fundmi nga zona muzeale.

Kullat prej 77 metrash do të ngrihen në një distancë prej vetëm, 8.4 metrash nga Sahati i Tiranës (monument kulture) dhe 8.7 metra nga godina e Bashkisë, nën një prapavijë të turbullt ligjore.

Ky kantier është vetëm një nga një duzinë kullash që kanë nisur të ngrihen në qendër të Tiranës, me bekimin e Kryetarit Veliaj dhe miratimin e Këshillit Kombëtar të Territorit, si vazhdim i “Planit Francez” të iniciuar nga Edi Rama në vitin 2003.  Në këtë video arkitekti Winey Mass shpjegon gjatë një leksioni në Londër marrëdhëniet me Kryeministrin dhe përsërit disa herë që kullat dhe ndërtimet porositen nga vetë Kryeministri.

Rastësisht, ky rezulton të jetë edhe koncepti i arkitektëve që kanë projektuar sheshin “Skënderbej”. Në një intervistë për emisionin Exclusive, Freek Persyn arkitekti i studios belge 514E, tregon qartë vizionin për t’i ndryshuar godinat ekzistuese të sheshit:

“Të shohësh gjërat e ndryshme që janë aty, t’i pranosh siç janë, ndoshta t’i ndryshosh në të ardhmen. Kur e bëmë propozimin 10 vite më parë ideja ishte që edhe ndërtesat duhet të transformohen, ne duhet të bëheshim pjesë e transformimit të vetë sheshit”.

Si për ta përforcuar këtë, Kryeministri Rama deklaroi dje gjatë fjalimit shembjen e Teatrit Kombëtar, Muzeut dhe Teatrit të Kukullave. Ai shpërfilli qëndresën një vjeçare të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, e cila u përgjigj se do ta ndalojë këtë gjenocid urban që po kryhet në favor të ndërtuesve.

Deklarata e Plotë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit:


Ndërkohë edhe opozita hesht, duke mos dhënë asnjë reagim për deklarata paralajmërimet e Kryeministrit për shndërrimin e qendrës historike të qytetit,

Kongres apo anti-miting?

Të lodhur (disa nga rruga e disa të tjerë nga dielli), shqiptarët dëgjuan personazhet kryesore të Partisë Socialiste, nën një koreografi madhështore, të flisnin për “partinë kuq e zi”, integrimin evropian dhe zhvillimin e pandalshëm të ekonomisë dhe sundimin e ligjit.

Shumë pak u fol për gjendjen e jashtëzakonshme që po kalon sot vendi për shkak të ngërçit në të gjitha shkallët e pushtetit. Shqipëria ka mbetur pa Gjykatë të Lartë dhe Gjykatë Kushtetuese, me një President që kërcënon të japë dorëheqjen, një Parlament që nuk funksionon, por kontrollohet plotësisht nga një parti e vetme që qeveris me ligje speciale të propozuara  dhe miratuara nga ajo vetë.

Në këtë situatë, kur çdo metodë institucionale dhe ligjore është zhdukur, e vetmja gjuhë komunikimi me qytetarët mbetet rruga, çka e ka kthyer dialogun politik në një garë mes opozitës dhe qeverisë për numrin e personave që kanë nxjerrë në sheshe.

Për herë të parë në historinë e Shqipërisë së pas komunizmit, u zhvillua një aktivitet partiak në një shesh të hapur.

Kongresi është një aktivitet i brendshëm i anëtarëve të partive politike, ku strukturat e të gjitha niveleve votojnë për të zgjedhur përfaqësinë apo ndryshuar ligjet dhe statutin e partisë. Një kthim pas në histori tregon se partitë shqiptare gjithmonë i kanë zhvilluar kongreset në salla private apo ambiente të mbyllura.

Por dje, shqiptarët u bënë dëshmitarë të një kongresi, njëkohësisht dhe një shpallje kandidimi që në fakt ngjason shumë (për nga përmasa dhe pjesëmarrja) me hapjen e një fushate elektorale të kuruar në detaj, ndërkohë që Neni 77 i Kodit Zgjedhor përcakton qartë se fushata zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve, ditë që përkon me datën 31 Maj.

Pjesa dërrmuese e të mbledhurve ishin të pajisur me flamurin kombëtar dhe në raste të veçanta të kapte syri ndonjë flamur të Partisë Socialiste; simbolikë thjeshtësisht e përkthyeshme kjo: Shqipëria para Partisë! Partia Socialiste që në logon e përzgjedhur për fushatë elektorale “Shqipëria që duam” qartazi ka përdorur dhe po përdor elementin nacionalist për të fituar mbështetje popullore.

Akuzat e shoqërisë civile, investigimet e gazetarëve, qëndresa e Teatrit, Unazës së Re, revolta e studentëve dhe fermerëve tregojnë se Shqipëria e vërtetë është shumë larg skenografisë perfekte në të cilën u prezantua kandidimi i Erion Veliajt.

Një demonstrim i këtij lloji, ngre një sërë pyetjes mbi legjitimitetit, kostot financiare, përputhshmërinë me ligjin dhe transparencën.

Kush paguan për tubimin e djeshëm?

Një fotografi e planvendosjes së aktivitetit të sotëm e siguruar nga Exit.al, tregon infrastrukturën e vendosur përgjatë sheshit “Nënë Tereza” dhe Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndër më të mëdhatë dhe të kushtueshmet të realizuara ndonjëherë në Tiranë. Pajisjet përfshijnë 10 mijë karrige, një ekran led i përmasave gjigante prej 75m2, pesë monitorë prej 15 m2, foni me bokse të fuqishëm që mbulon të gjithë gjatësinë e bulevardit, mijëra flamuj kombëtar, materiale promovuese etj.

Me mijëra mbështetës të Partisë Socialiste iu bashkuan manifestimit nga e gjithë Shqipëria. Nga vëzhgimi në terren rezulton se vetëm përgjatë bulevardit Bajram Curri (nga ish-Piramida tek ish-Parku i Lojërave 7 xhuxhat), gjendeshin 18 autobusë udhëtarësh dhe furgona shkollash, të gjitha të parkuara në korsinë e rezervuar për transportin publik, ku normalisht qendrimi i automjeteve ndëshkohet me gjobë.

Sot për herë të parë në histori, u zhvillua një përzierje atipike midis kongresit të një partie, mitingut elektoral të përmasave gjigante dhe startimit të fushatës zgjedhore jashtë afatit të përcaktuar në ligj.

Situatë që në fund të ditës, përforcon idenë se i gjithë aktiviteti i sotëm kishte formën e një antimitingu për t’i treguar kundërshtarin dhe se dialogu politik ka përfunduar në përplasje numrash.

Kur dhe si do të deklarohen shpenzimet e këtij aktiviteti?

Është pothuajse e pamundur që të identifikohet një shifër e saktë e përdorur për shpenzimet e tubimit  të sotëm partiak në mes të Tiranës. Mungesa e transparencës në financimin e partive politike është një problem urgjent në Shqipëri pasi hapësirat e krijuara në ligj i bëjnë të pafuqishme institucionet monitoruese që kanë si detyrim sigurimin e transparencës.

Partitë politike ende nuk kanë dorëzuar raportet financiare për vitin 2018, kjo sepse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i lë hapësirë deri më 31 Mars të këtij viti për të dorëzuar raportimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të vitit që lamë pas.

Koha e gjatë nga shpenzimi tek raportimi, është ngritur shpesh nga ekspertët si një problem që mundëson manipulimin e të dhënave financiare, përmes marrjes së faturave fiktive apo deklarimit të shpenzimeve jo-realiste.

Pse ka rëndësi transparenca?

Zgjedhjet lokale këtë vit janë duke u zhvilluar në kushte të pazakonta politike për vendin. Pas heqjes dorë nga mandati të deputetëve të opozitës, vendi është duke kaluar një kohë të vështirë politike. Kjo situatë ka edhe efektet e veta në pushtetin vendor, sidomos pasi kur liderët e partive opozitare kanë deklaruar se nuk do të hyjnë në zgjedhjet vendore nëse nuk ndryshon qeveria. Komisioni Zgjedhor i Zgjedhjeve ndërkohë ka thirrur dhe anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor të opozitës për tu përfshirë në zgjedhje, por deri tani ka vetëm bojkot nga opozita. Megjithëse, zyrtarisht fushata zgjedhore nuk ka filluar ende (sipas KQZ), u kuptua lehtësisht se Partia Socialiste ndezi motorrët e fushatës.

10 premtimet për transportin publik në Tiranë përballë vëzhgimit në realitet

Në 30 dhjetor të vitit 2015 Bashkia Tiranë rriti çmimin e biletës së transportit publik me 10 lek. Ky vendim erdhi pasi Shoqata e Transportit Qytetas kishte kërkuar që çmimi i biletave të autobusëve të shkonte në 70 lek për shkak të rritjes së çmimit të nafës dhe pretendimit se kostot e tyre mbulohen vetëm me shifrën 70 lek.

Tirana është një qytet i cili ka një popullsi prej rreth 1milion banorësh dhe një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të saj përdorin transportin publik. Rritja e çmimit të biletës së transportit publik u shoqërua me një sërë premtimesh dhe masash që do të ndërmerreshin nga ana e Bashkisë ndaj kompanive kompanive që e ofrojnë këtë shërbim.

Në 10 janar të vitit 2016, rreth 1 javë e gjysëm nga rritja e çmimit, Bashkia Tiranë premtoi se rritja e çmimit të biletës do të shoqërohej me rritjen e cilësisë së shërbimit.

Ishte nënkryetari i bashkisë, Mazniku i cili theksoi se Bashkia Tiranë do të merrte 10 masa të cilat do të ndikonin në përmirësimin e këtij shërbimi.

Megjithatë, në një studim të pavarur dhe vullnetar nga studiuesi Edmond Çera, situata dhe raporti i qytetarëve me transportin publik paraqitet krejt ndryshe. Për pregatitjen e këtij studimi janë realizuar 52 udhëtime me linjat e qytetit ( që janë 15).

Pikat kyçe të studimit të cilat përputhen edhe me masat që Bashkia Tiranë premtoi se do të merte, janë:
Informacioni i afishuar në stacion

  • autobusi nuk mund të parkojë siç duhet
  • koha e pritjes në stacion për autobusin
  • sa kohë qëndron autobusi në stacion
  • autobusi pret në stacion pavarësisht se nuk ka pasagjerë
  • mbipopullimi në autobus
  • kondicioneri
  • pastërtia brenda në autobus
  • stafi i shërbimit
  • autobusi hap dyert vetëm pasi parkon dhe koha e udhëtimit

Më poshtë paraqiten në mënyrë të përmbledhur 10 zotimet e Bashkisë Tiranë përballë përfundimeve të studimit “Shërbimi i Transportit Publik në Tiranë“:

  • Bashkia: “Të respektohet me rigorozitet orari i fillimit dhe mbarimit të shërbimit dhe të respektohet frekuenca në stacionet e autobusëve”
  • Studimi: 38.3 minuta pritje në stacionin e autobusit

Ndërkohë studimi i pavarur tregon se: Koha e pritjes në stacion për autobusin: Secila linjë e autobusëve ka një kohë të caktuar që i detyron qytetarët të presin në stacionet përkatëse. Ato variojnë nga 3.3 minuta deri në rreth 38.3 minuta. Përkatësisht, sipas studimit, qytetarët presin për secilën linjë: “nga të dhënat e mbledhura vihet re se linja më e shpejt (pra ajo për autobusët e së cilës pasagjeri pret më pak) krahasuar me linjat e tjera është ajo e “Kombinat-Kinostudio” (3.3 minuta). Në vend të dytë është “Porcelan” me rreth 5.7 minuta diferencë nga autobusi i fundit. Renditja vijon me “Tufinën” (6.7 minuta), linja “Ish Kombinati i Autotraktorëve– Institut & anasjelltas” 6.8 minuta dhe linja e “Tiranës së Re” me rreth 7 minuta. Nga ana tjetër linja që vonohet më shumë është linja “Qendër–QTU–Megatek–City Park“ (rreth 38.3 minuta). Ngjitur me këtë është linja “Qendër–Mihal Grameno–Qendër” me rreth 8 minuta më mirë. Linja e “Laprakës” rezulton në tre linjat me vonesën më të gjatë (23.7 minuta)”, thuhet në studim.

Por ka edhe raste kur autobusi pret në stacion edhe pse nuk ka pasagjerë. Sipas studimit raste të tilla vihen re veçanërisht në orarin e drekës dhe atë të mbrëmjes.

Koha e pritjes në stacion për autobusin
Burimi: Studimi “Shërbimi i Transportit Publik në Tiranë”

 

  •  Bashkia: “Të respektohet shpejtësia e lëvizjes së mjeteve, në mënyrë që mjetet të mos lëvizin më ngadalë se ajo që duhet dhe  gjatë kryerjes së shërbimit, mjetet do të qëndrojnë në çdo stacion të linjës, për të mos kapërcyer stacionet, siç ndodh ndonjëherë”
  • Studimi: “4.7 minuta nga njëri stacion në tjetrin”

Por studimi tregon se: Në lidhje me kohën e udhëtimit Gjetjet tregojnë se linja “Tirana e Re” dhe “Kashar-Yzberisht-Qendër” e mbulon më shpejt se të gjitha linjat e tjera distancën nga stacioni në stacion (2 minuta). Lista vijon me linjën e “Laprakës” (2.2 minita), “Teg-Sauk i Vjetër-Kopshti Zoologjik-Ish Stacioni i Trenit” (2.2 minuta), “Porcelanit” (2.7 minuta) etj. Në vend të fundit vendoset linja “Qyteti Studenti-Jordan Misja” dhe “Kombinat-Kinostudio” me rreth 4.7 minuta kohë për të përshkruar distancën nga stacioni në stacion. Normalisht në kohën lidhur me përshkrimin e distancës nga stacioni në stacion luan rol afërsia e vendndalimeve të autobusëve, ngarkesës së trafikut në rrugën që frekuenton etj. por në këtë studim linjat konsiderohen të krahasueshme me njëra-tjetrën edhe në këtë aspekt.

Koha e pritjes në stacion për autobusin
Burimi: Studimi “Shërbimi i Transportit Publik në Tiranë”
  •  Bashkia: “Të gjithë mjetet e transportit publik qytetas të udhëtarëve do të jenë të pajisura me emrin e linjës, ngjyrën, numrin e dokumentacionit të nevojshëm në mjetet dhe shenja të tjera të identifikimit dhe kompanitë do të vendosin në mjediset e jashtme të transportit, informacionet për oraret, itineraret dhe frekuencën e lëvizjes si dhe duhet të pajisin mjediset e brendshme të mjeteve me informacione për oraret, itineraret dhe frekuencën e lëvizjeve”,
  • Studimi: Nuk ka asnjë informacion mbi tarifat apo abonetë, vetëm 13% kanë informacioni mbi kompaninë dhe vetëm 8% kanë hartën e linjave në stacion

Në studimin e kryer vihet re se pjesa dërrmuese e autonusëve të Tiranës nuk e kanë informacionin e nevojshëm për qytetarët. Sipas studimit informacioni i afishuar në stacion është shumë i ulët. Mungesa e informacionit do të thotë që qytetarët të mos kënë informacione të sakta mbi linjën e autobusit apo hartën e vendeve që ai përshkron.

Informacioni i afishuar në stacion dhe brenda autobusit.
Burimi: Studimi “Shërbimi i Transportit Publik në Tiranë”.
  • Bashkia: “Mjetet e transportit publik duhet të jenë të pajisur me kondicionerë funksionalë, të cilët duhet të jenë gjithmonë në punë”,
  • Studimi: Në 58% të rasteve kondicioneri nuk ndizet

.Në lidhje me përdorimin e kondicionerit në autobus, të dhënat e nxjerra nga studimi thonë se në 58% të rasteve, kondicioneri nuk ndizet pavarësisht se funksionimi i tij është i nevojshëm si në raste kur ka qenë shumë vapë apo ka pasur atmosferë mbytëse.

A është ndezur kondicioneri?
Burimi: Studimi ” Shërbimi i Transportit Publik në Tiranë”.
  • Bashkia: “Mjetet e transportit publik duhet të jenë të pastër si nga jashtë ashtu edhe nga brenda”, vazhdon deklarata.
  • Studimi: Pastërtia në autobus më pak se gjysma e mesatares

Studimi ka përfshirë dhe matjen e pastërtisë brenda në autobus dhe ka vendosur një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 5 për ta matur atë. Rezultatet tregojnë se pastërtia në autobus është më pak se gjysma e mesatares (2.4).

Pastërtia brenda në autobus.
Burimi: Studimi “Shërbimi i Transportit Publik në Tiranë”.
  • Bashkia: “Personeli i mjeteve të transportit publik duhet të jetë i pajisur me uniformë, elementë identifikimi përkatës dhe përmirësimi i marrëdhënieve me qytetarët, nuk do të tolerohet asnjë keqkomunikim me qytetarët”,
  • Studimi: 8% e shoferëve mbajnë uniformë dhe 71% e fatorinove mbajnë uniformë

Një vlerësim i përcaktuar në disa pika është bërë në studim edhe për personelin e autobusit: fatorinon dhe shoferin. Vlerësimi ka të bëjë me: Sjellja qytetare, komunikimi, jep biletën mban uniformë, duket profesional dhe mban bexh për faturinon dhe duket profesional, mban bexh, mban uniformë, i bie borisë, komunikon me fatorino, frenon rrezikshëm, hap derën jo në stacion, komunikon me pasagjerët, i jep qëllimisht ngadalë dhe përdor telefonin për shoferin.

Ekipi i shërbimit.
Burimi: Studimi “Shërbimi i Transportit Publik në Tiranë”

 

Në studim janë përfshirë edhe pika të tjera si  psh mbipopullimi i autobusëve i cili tregon se mbipopullimi në autobuse është aq i lartë (39%), sa qytetarët e kanë të vështirë të lëvizin lirshëm, apo të zbresin lirshëm nga autobusi.

Rreth 1 vit më parë Veliaj prezantoi një sondazh të bërë nga Bashkia Tiranë i cili tregonte se qytetarët kishin filluar të kishin më shumë besim ndaj transportit publik. Megjithatë dy nga premtimet e tij kryesore gjatë gjithë këtyre viteve që ka qenë në pushtet:
linjat e autobusëve elektronikë dhe biletat elektronike, nuk janë përmbushur ende.

Citizens Channel

Debati për Teatrin, reagimet e BE, organizatës Europa Nostra, Ramës dhe Veliajt

Anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar u takuan sot me ambasadoren e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin.
Në takimin e zhvilluar me Vlahutin ishin pjesëmarrës Neritan Liçaj, Alert çeloaliaj, Robert Budina, Adriatik Lapaj, Rudi Erebara dhe Sesilia Plasari.

Pas përfundimit të takimit Çeloaliaj u shpreh se është marrë konfirmimi nga ambasadorja se Bashkimi Evropian është duke e shqyrtuar ligjin i cili parashikon shembjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një godine të re nga kompania private Fusha sh.p.k.

Aktualisht ky ligj pritet të dekretohet nga Presidenti, të cilit gjithashtu artistët i kanë bërë thirrje të mos e dekretojë këtë ligj antikushtetues. 


Video: Marshimi i qytetarëve dhe artistëve drejt Presidencës në mbrojtje të Teatrit Kombëtar/ 12 Korrik 2018


Organizata Europa Nostra shprehet kundër shembjes së godinës së Teatrit

Pjesë nga letra e organizatës Europa Nostra drejtuar kryeministrit Edi Rama

Dita e djeshme ka shënuar një sërë reagimesh në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar. Organizata Europa Nostra me anë të një letre të hapur i shprehu Kryeministrit Edi Rama shqetësimin e vet në lidhje me këtë çështje. Kjo organizatë është një nga më të rëndësishmet në Europë, në lidhje me trashëgiminë kulturore dhe natyrore.Organizata Europa Nostra u themelua në vitin 1963 në Paris. Për më shumë se 50 vite ka mbrojtur dhe ka lobuar për trashëgiminë kulturore. Sot është e njohur si një nga organizatat më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore.

Organizata shprehet në këtë letër se arkitektura e godinës së Teatrit Kombëtar është arkitekturë italiane dhe ndërtesa e vetme e këtij lloji në Shqipëri.

“Europa Nostra mbështet protestat kundër prishjes së Teatrit Kombëtar dhe nuk mbështet asnjë propozim që shkatërron Teatrin ekzistues” thuhet në letrën drejtuar Kryeministrit Rama.

Europa Nostra i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare, Bashkisë së Tiranës dhe çdo autoriteti tjetër që “të rishikojnë vendimin e tyre për të shkatërruar këtë monument europian dhe të gjejnë mundësinë e rikonstruksionit në mënyrë që Teatri aktual të përmbushë standardet”.

Rama dhe Veliaj “përgjigjen” me një material filmik

Reagimit të Europa Nostra, ju përgjigjën menjëherë kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Veliaj, duke shpërndarë të njëjtin postim në rrjete sociale.

Veliajn në profilin e tij në “Facebooktregoi disa pamje të godinës së Teatrit Kombëtar të pjesës me të cilën kufizohet me godinën e rinovuar që është në përdorim nga Kontrrolli i Lartë i Shtetit.

 

Të njëjtat pamje ka ndarë pak orë më vonë edhe Kryeministri Edi Rama në rrjetin social Instagram “me sa mend në kokë mund të luftohet për ta ruajtur”, shprehej ai në videon që kishte zgjedhur ta shoqëronte me figura të ndryshme nga galeria e figurave të animuara që mundëson ky rrjet social.

Pjesë nga publikimi i Kryeministrit Rama në Instagram

Pamjet tregojnë degradimin fizik të kësaj godine e cila sipas aktorit Neritan Liçaj ka ardhur si pasojë e mos investimit në mirëmbajtjen e godinës.

“Ja si e kanë lënë teatrin keto 5 vite për të justifikuar prishjen. Këto skanë qenë më parë.Investimet për mirëmbajen e T.K janë 0 lekë.Me gjithë tërmetet dhe pa investime..u kris Palamenti dhe Ministria e Bujqësisë, u përmbyt Bashkia dhe teatri jo…që është godinë shumë më e vjetër se ato.Turp.Politika shqiptare i ka shumë borxhe artit dhe kulturës.Turp.” deklaroi Liçaj në Facebook.

*Citizens Channel /f.s/
/Letra e plotë e organizatës Europa Nostra drejtuar kryeministrit Edi Rama

Foto e letrës së Europa Nostra drejtuar kryeministrit Edi Rama
Foto e letrës së Europa Nostra drejtuar kryeministrit Edi Rama

Edi Rama shpëtoi “Kino Lumbardhin”, shkatërron Teatrin Kombëtar

Ishte viti 2014 kur Edi Rama shprehu mbështetjen për mos shkatërrimin e kinemasë së vjetër Kino Lumbardhi në Prizren duke mbajtur këtë qëndrim: “Kryetarët shkojnë e vijnë, po shkoi njëherë DokuFesti, nuk kthehet më, dhe në vend se të bëhet parking duhet të mbesë kinema, dhe shpresoj se të gjitha autoritetet do të bëjnë çka iu takon atyre”.(Kosovo 2.0)

Continue reading “Edi Rama shpëtoi “Kino Lumbardhin”, shkatërron Teatrin Kombëtar”