Lushnje: Fermerët hedhin produktet në rrugë si shenjë e mbështetjes së munguar nga qeveria

Autore: Fatmira Bajrami | Citizens Channel

Fermerët në Fier, Berat dhe Lushnje prej ditësh janë ngritur në protestë, duke hedhur prodhimet në rrugë për të kërkuar më shumë mbështetje nga qeveria. 

“Ne kemi falimentuar, jemi të mbaruar. Për sezonin tjetër këta fermerë nuk do të mbjellin dot. Ne si prodhues nuk kemi marrë asnjë lek nga inputet bujqësore. Asnjë nuk ka marrë asnjë subvencion nga qeveria për prodhimet e tyre”, u shpreh një nga fermerët në qytetin e Lushnjës.

Vetëm në muajin tetor  ata kanë organizuar 3 protesta, tek ura e Kucit në Berat, tek rrethrrotullimi plasmasit në Lushnje dhe ditën e djeshme në Savër. 

Me pankarata në duar ku shkruhej: “Ne nuk mund të punojmë vetëm për të paguar akcizën e naftës” ; “Edhe “jahti” im meriton naftë pa akcizë”; “Zoti kryeministër, domatja e Myzeqesë ka hyrë në Europë” ata pranuan se protestat do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave të parashtruara. 

Fermerët kërkojnë më shumë mbështetje nga qeveria, që sipas tyre i ka harruar.

 

Ata kanë shprehur këto pesë kërkesa të përbashkëta:

  1. Mbështetje financiare direkte për fermerët duke na subvencionuar për çdo njësi produkti te hedhur ne treg kundrejt faturës tatimore të shitjes dhe stimulim te eksportuesve te cilet janë promotore te zhvillimit te bujqësisë.
  2. Vlerësim dhe kompensim financiar me çmim dysheme të tregut për produktet e humbura nga fatkeqësitë natyrore dhe stokun e produktit të shkaktuar nga çrregullime të forta të tregut.
  3. Rregullim në paketën fiskale 2020 të shkallës së TVSH-së për sektorin e tregtimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore e blegtorale sepse aplikimi i shkallëve të ndryshme të TVSH-së që sot është në mënyre paradoksale 0% në blerje dhe 20% në shitje dhe përfshirja e të ashtuquajturës normë kompensimi 6% në këtë mekanizëm i ka vënë operatorët e këtij sektori në një regjim taksimi të padrejtë dhe për pasojë i ka detyruar të furnizohen me produktet bujqësore nga importi dhe të braktisin produktin vendas .
  4. Kërkojmë nga Ministria e Bujqësisë të na garantojë shërbimin e ekstensionit me specialistët e Drejtorive Rajonale të Bujqësisë,laborator për analiza të tokës, garantim dhe monitorim të cilësisë së imputeve bujqësore , kontroll dhe monitorim të cilesisë së produkteve tona nëpërmjet një laboratori të akredituar.
  5. Kërkojmë nga qeveria të angazhohet në rregullimin me ligj të kushteve dhe mënyren e kryerjes së tregtisë me produktet bujqësore për të garantuar interesat e paleve në këtë treg.

Fermerët paralajmërojnë përshkallëzimin e protestave deri në plotësimin e kërkesave të tyre. 

“O shteti të na e rregullojë këtë gjëndje se ne jemi të gjithë të falimentuar. Dhe do rrimë të gjithë, do bllokojmë rrugët, do nxjerrim traktorët, ça kemi nëpër shpia se nuk ka rrugëzgjidhje në rast se shteti nuk reflekton”, u shpreh një tjetër prej protestuesve gjatë zhvillimit të protestës. 

Pjerrinat e papërshtatshme në Fier i mohojnë të drejtën e lëvizjes personave me aftësi të kufizuara

Foto: Rampë jashtë standardeve pranë Bashkisë së Fierit; Autor | Gëzim Hoxha

Bashkia e Fierit ka njohur kohët e fundit një bum investimesh në infrastrukturë. Kilometra të tëra janë asfaltuar dhe nëpër trotuaret e rinj nuk mungojnë as korsitë e biçikletave. Kjo është përpjekja e parë serioze e kësaj bashkie për të nxitur transportin e gjelbër. Por të bie në sy që në këtë korsi mungon shenja e një karrigeje me rrota që tregon se ajo mund të përdorej edhe nga para/tetraplegjikët.

Në Fier banojnë jo pak por 330 prej syresh, të cilët sipas të dhënave zyrtare figurojnë të regjistruar dhe marrin pagesën e aftësisë së kufizuar. Një gjë të tillë e pamundëson edhe cilësia jo e mirë e pjerrinave. Për këtë, intervistuam një person të cilin halli e ka bërë ndoshta edhe më ekspert se të gjithë inxhinierët e ndërtimit.

Shaban Konja

Shaban Konjën e gjejmë tek selia e Federatës së Familjes pjesë e të cilës është prej mëse dhjetë vjetësh. Biseda me të rrjedh e qetë teksa ai nis të flasë për shqetësimin e tij, pjerrinat. Ai është 33 vjeç dhe qysh prej nëntorit të 2009 nuk mundi të ecë më si pasojë e një aksidenti. Ai i nënshtrohet një procesi rehabilitimi në Turqi dhe ia nis nga e para në 2010 – tën. Shabani është i martuar dhe me bashkëshorten e tij, i janë përkushtuar promovimit të familjes.

Sipas tij, një pjerrinë e mirë është ajo, raporti i lartësisë me gjatësinë e së cilës është maksimumi 6%. Duket se këtë të dhënë e saktëson edhe neni 9 i VKM nr 1503 i vitit 2008, vendim në të cilin specifikohet se si duhet të jetë një rampë e përdorshme.

Po a ka pjerrina të mira në Fier? Ai pohon me kokë dhe na tregon se të gjitha pjerrinat e shëtitores kryesore të qytetit deri tek rreth rrotullimi përballë televizionit Kombi janë të mira. Por problemi i kësaj shëtitoreje është fakti që aty nuk ka dalje, ndoshta ngaqë ajo pjesë trotuari nuk është rikonstruktuar akoma.

Pyetjes se sa e lehtë është të lëvizë rrugëve të qytetit i pashoqëruar, ai i përgjigjet: “Nuk është aspak e lehtë”- duke rreshtuar vështirësitë e hasura kur del me një karrige me rrota manuale. E para prej vështirësive në listën e tij shkaktohet prej bareve. “Edhe nëse aty mund të ketë ndonjë pjerrinë” – thotë Shabani, – “ti nuk mund të kalosh sepse nuk ke nga të sillesh nga tavolinat.” Tjetër  pengesë është pjerrësia e trotuareve që shërbejnë për futjen e makinave në ndonjë servis makinash si për shembull tek pesëmbëdhjetëkatëshi. Aty e gjithë sipërfaqja e trotuarit është e pjerrët dhe e bën të pakalueshëm për dikë që lëviz me një karrige me rrota, pasi ai humbet kontrollin e saj.

Për të pjerrinat më të këqija janë ato tek trotuari buzë shkollës “Andon Xoxa” apo edhe tek trotuari përbri saj: “Të dy këto trotuare janë të reja”, – thotë Shabani, – “por unë dhe kushdo si unë nuk mund të ecë në to sepse jo vetëm që aty ka një si shkallë shumë të lartë, por edhe baza e pjerrinës është e kufizuar me një kënd të drejtë. Kjo e pamundëson manovrimin. Ato duheshin të ishin të gjera. Sidomos ata që e kanë për herë të parë që përdorin një karrige manuale me rrota patjetër që do të rrëzohej kur të tentonte të hypte në këtë trotuar.”

Një tjetër detaj që i bën të gjitha pjerrinat e rrugës rrugës Pinallopi Pirro të papërshtatshme është edhe pjerrësia e madhe e betonit që shërben si ulluk për kullimin e ujërave të bardha.

Edhe pjerrinat e trotuareve të reja përgjatë rrugës përbri shkollës së muzikës janë të papërshtatshme. Kjo ndodh sepse një pjesë e tyre kanë bazë harkore dhe në momentin që ti bëhesh gati të ngjitësh karrocën, mund të ndodhë që njëra nga rrotat e para të rrëshqasë.

Foto: Rampat në zonën e 15 katëshit (Fier), Rr. Pinallopi Pirro dhe pranë Godinës së Bashkisë Fier

Problem tjetër është edhe ajo si shkallë e vogël që formohet midis prag trotuarit dhe bazës së pjerrinës. Këtë pengesë personat aktivë që kanë dëmtuar pjesën lambare të shtyllës kurrizore (ajo ndodhet poshtë kërthizës deri tek kërbishtja) e kalojnë pa problem për shkak se ata ndihmohen nga shtytja e muskujve të barkut. Po për personat pasivë të cilët kanë dëmtuar pjesën çervikale (vertebrat e qafës dhe ato të fillim shpatullës) apo atë toroarkale (vertebrat e kraharorit deri tek kërthiza) si i bëhet? Atyre iu cënohet rëndë e drejta e lëvizjes pasi ata nuk kanë fare muskuj barku.

Lexo më shumë:

Fier, mungesa e pjerrinave në institucione (Vitit 2017) – Kanë kaluar 2 vjet dhe gjendja nuk është se ka ndryshuar shumë

“Për pjerrinën që është ndërtuar rishtazi tek Konadi dhe ato tek sheshi Fitorja ende nuk mund të gjykohet pasi punimet ende nuk kanë mbaruar. – Por ajo që vura re një ditë kur kalova andej, – përfundon Shabani, – “ishte fakti që pjesa e betontë që pason asfaltin e rrugës është e pjerrët”.

Olsi Alushaj

Për të marrë një opinion ndryshe takojmë Olsi Alushaj. Ai është 31 vjeç, studion për shkenca politike dhe shëtit shpesh mbrëmjeve me karrigen elektrike. Ai nuk dëshiron të flasë për jetën e tij private: “Nuk ka rëndësi kur u bëra kështu, por rëndësi ka fakti sa kohë ka që përballem me këtë realitet.”
Më tej ai tregon se si iu rikthye shkollës dhe u bë sërish aktiv në vitin 2014: “Ka qenë e vështirë, – thotë Olsi– sepse në këtë kohë gjimnazi “Janaq Kilica” nuk kish fare pjerrinë. – Mua më ndihmonte një shok, ai e ngrinte karrigen time me rrota.”

Por për të fjala “aktiv” nuk do të thotë vetëm të dalësh nga shtëpia. Ai rrëfen për Citizens Channel se është bërë pjesë e shoqërisë civile duke u përfshirë në projekte të ndryshme sensibilizimi, por edhe duke folur për problematikat e personave me aftësi ndryshe.

Edhe pse për të Fieri ka ndryshuar për mirë, Olsi akoma has vështirësi të ndryshme kur del nga shtëpia. Mungesa e ndriçimit në disa prej rrugëve ku ai shëtit dhe gropat para shtëpisë së tij janë ato që e pengojnë lëvizjen e tij më së shumti. Ndërsa për pjerrinat ai thotë se nuk has ndonjë vështirësi kur kalon në to pasi karrigia e tij është elektrike: “Nuk flas dot se çfarë vështirësish hasin ata që kanë karrige manuale por ma ha mendja se duhet të jetë goxha e vështirë”.

Bashkia e Fierit “fajëson” projektuesit dhe qytetarët për mungesëne përshtatmërisë
Enkelejda Peshkëpia

Për të parë se çfarë mund të bëhet për të ndryshuar diçka shkojmë në bashki. Aty na pret vetë nënkryetarja e bashkisë zj Enkelejda Peshkëpia. Pyetjes se sa e përshtatshme është infrastruktura rrugore për personat me aftësi ndryshe ajo i përgjigjet shkurt: – Ka ende shumë për tu bërë. Kur i tregojmë për pretendimet e Shabanit, ajo i mban të gjitha shënim dhe tregon se ka ngritur një komision për verifikimin e tyre pasi ato tashmë kanë mbërritur edhe në Këshillin Bashkiak.

Ajo fajësoi projektuesin për mungesë konsultimesh me grupin e interesit para hartimit dhe zbatimit të projekteve infrastrukturore të cilat përfshijnë edhe pjerrinat. Edhe pse shoqata e para dhe tetraplegjikëve është pothuaj inekzistente nuk është detyra e saj të ushtrojë presion për të kërkuar zbatimin e rregullores “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e PAK -ve.”

Në këtë rregullore thuhet qartë e zeza në të bardhë ajo duhet të zbatohet në të gjitha objektet e reja që ndërtohen në territorin e Republikës së Shqipërisë, qofshin ato objekte publike të ndërtuara me fonde të buxhetit të shtetit apo fonde private, qofshin ato objekte private. Në hapësirat publike dhe ndërtimet e reja me karakter të përkohshëm, ose në hapësirat publike dhe objektet ekzistuese nëse do t’i nënshtrohen rikonstruksionit.

Për më tepër bashkisë ndoshta i ka shpëtuar një detaj i vogël: Sipas VKM në fjalë projekti duhet të kishte pasur deklaratën e autorit të projektit, nëpërmjet së cilës vërtetohet konformiteti i projektit me dispozitat që përmban kjo rregullore. Për të mos thënë se kjo ka munguar le të themi se asaj nuk i është kushtuar rëndësia e duhur. Këtu duhet të ketë çaluar ndoshta edhe diçka tjetër certifikimi i përshtatshmërisë së punimeve.

“Për momentin nuk mund të bëjmë më tepër – sqaron Enkelejda, – pasi nuk na lejon as buxheti. Por ajo u zotua që në buxhetin e vitit që vjen do ketë një zë të veçantë që do të quhet buxhet social. Ai do të përfshijë kostot për pajisjen e të gjitha institucioneve me pjerrina si dhe rregullimin e atyre ekzistuese”.

E deri në hartimin dhe zbatimin e projekteve që do përfshihen në buxhetin special me zëra të ndryshëm, sërish para dhe tetraplegjikëve do iu privohet e drejta e shfrytëzimit të hapësirave të qytetit të tyre, e drejtë e sanksionuar edhe nga ligjet që janë ende në fuqi.

*Ky artikull u realizua në vazhdimësi të ciklit të trajnimeve “Mjetet dhe Teknikat e Raportimit Lokal”, të organizuar nga Citizens Channel

Autor: Gëzim Hoxha

Gëzim Hoxha ka lindur në Shkodër më 26,11,1973. I diplomuar me Master në marketing dhe kontabilitet. Ka hyrë në botën e medias që në vitin 2015 si opinionist dhe përkthyes nëpër gazeta dhe portale të ndryshme. Angazhohet për Citizens Channel që në Qeshor të vitit 2017.

Trajnim për gazetarët: “Mjetet dhe Teknikat e Raportimit Lokal” – Fier

Citizens Channel me mbështetjen e Fondacionit Friedrich Ebert fton të gjithë gazetarët e angazhuar në qytetin e Fierit në trajnimin e katërt të ciklit “Mjetet dhe Teknikat e Raportimit Lokal”, në datën 21 Shtator 2019. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të zgjerojnë njohuritë teorike dhe praktike mbi teknikat e raportimit lokal.

Trajnimit do të ndahet në tre pjesë kryesore:

  1. Integrimi i multimedias në raportimin lokal
    Në këtë sesion do të ndahen njohuri praktike mbi realizimit dhe montimit të imazheve, audios dhe videos përmes aparatit celular në pasurimin e produkteve mediatike më elementë të multimedias. Një tjetër aspekt i rëndësishëm do jetë aftësimi mbi përdorimin e platformave për vizualizimin e të dhënave në grafika apo harta interaktive.
  2. Mjetet dhe rëndësia e raportimit lokal
    Në këtë sesion pjesëmarrësit do të kenë mundësi të njihen me shembujt më të mirë ndërkombëtarë të mediave lokale, duke analizuar mjetet që ato përdorin për krijimin dhe shpërndarjen e përmbajtjes. Në fund do të këtë një sërë udhëzimesh dhe këshillash për përshtatjen e këtyre modeleve në kontekstin shqiptar.
  3. Raportimi lokal në Fier
    Në këtë sesion pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndajnë eksperiencat me një gazetar lokal të angazhuar në qytetin e Fierit, mbi çështje lokale të pa raportuara, që janë me rëndësi për jetën e përditshme të qytetarëve.
    Në fund të trajnimit do të organizohet një diskutim ku pjesëmarrësit do të kenë mundësi ndajnë propozime për artikuj gazetaresk me në fokus qytetin e Fierit.

Trajnimi do të pasohet nga një thirrje e hapur ku pjesëmarrësit do të kenë mundësi të aplikojnë për realizimin e artikujve multimedial që do të mbikëqyren dhe mbështeten financiarisht nga Citizens Channel.

Plotëso formularin për tu bërë pjesë e trajnimit:

https://forms.gle/R4HpDWE2ft6kYCvT7

Vendet janë të limituara, ndaj personat e përzgjedhur do të marrin një e-mail konfirmimi.
Më shumë detaje për axhendën dhe trajnimin do të publikohen pas përfundimi të fazës së regjistrimit

Fier: Shpenzohen miliona lekë, por banesat e komunitetit Rom lihen përgjysmë

Foto: Gramoz dhe Flutura Kazanxhiu përpara banesës së tyre
Autor: Brejdon Xhavara | Lorin Kadiu | Citizens Channel

Në vitin 2017, Gramoz Kazanxhiu, baba i tre fëmijëve, përfitoi nga rikonstruktimi i banesës së tij të rrënuar në fshatin Baltëz të Fierit. Familja e tij është një nga 19 që përfituan nga projekti për “Përmirësimin e Kushteve të Jetesës së Komunitetit Rom dhe Egjiptian” i zbatuar në Bashkinë e Fierit.

“Kur erdhën na bënë matjet, na thanë se do ta përfundojnë shtëpinë, por e lanë përgjysmë. Ka kaluar një vit, dy vite dhe nuk po shohim asnjë ndryshim”, thotë Gramoz Kazanxhiu.

Eduart Koci, aktivist i komunitetit Rom dhe Egjiptian në Fier, tregon se është dashur ndërhyrja e tyre për të nxitur Bashkinë e Fierit të aplikojë në këtë projekt.
“Projekti kishte vite që vazhdonte, por bashkia Fier nuk interesohej për të aplikuar. Ne jemi bërë shtysë kryesore për bashkinë për t’i zgjuar që të bëjnë projektin gati dhe për të aplikuar”.

Por edhe pse ky projekt u arrit të ndërmerrej në vitin 2017, shumë nga shtëpitë janë lënë përgjysmë.

Shtëpia e Gramoz Kazanxhiut është pa pllaka në pjesën më të madhe, një nga dhomat është e pa suvatuar dhe i mungojnë dyert dhe dritaret.

“Ça insektesh ka jashtë hyjnë dhe brenda, fëmijët e mi flenë me pambuk në veshë, i kam çuar shpesh herë në spitale vetëm prej insekteve”, thotë Flutura,  bashkëshortja e Gramozit.

Të dy të papunë, ata shprehen se nuk kanë asnjë mundësi për të ushqyer familjen dhe për të përfunduar vetë shtëpinë: “Me kanace, bidona dhe hekurishte është e vështirë edhe të ushqehemi,  nuk jam vetëm unë, ne zihemi atje për koshat se kush t’i mbledhë më parë”.

Foto: Punimet e lëna pergjysmë në shtëpinë e familjes Kazanxhiu

Citizens Channel kontaktoi me Bashkinë e Fierit për të marrë informacion mbi projektin e zbatuar në vitin 2017.

Relacionin Teknik të përgatitur nga Drejtoria e Projekteve të Infrastrukturës në Bashkinë Fier për shtëpinë e Gramozit, evidentohen probleme serioze në standardet normale të banimit duke përfshirë gjendje të amortizuar të suvatimeve të brendshme dhe të jashtme, mungesën e dyerve dhe dysheme të pashtruar me pllaka. Të njëjtat çështje propozohen edhe  në zgjidhjen teknike që është pjesë e relacionit.

Por këto probleme nuk u zgjidhën plotësisht dhe Gramozi thotë se është i zhgënjyer nga institucionet dhe kompania që ka marrë përsipër punimet për banesën e tij: “Kur erdhën për të bërë punimet thanë do bëjmë vetëm lyerje dhe jo suvatim; Si mund të lyhet shtëpia pa suvatuar?”

Citizens Channel zbuloi se edhe pse problemet nuk janë zgjidhur, për shtëpinë e Gramozit janë shpenzuar 4 milion e gjysmë lekë të vjetra.

Bashkia e Fierit refuzoi të vinte në dispozicion preventivat e këtij projekti, pas një kërkese zyrtare për informacion. Edhe pas ndërhyrjes së Komisionerit për të Drejtën e Informimit (KMD), Bashkia e Fierit vuri në dispozicion një informacion të paplotë, me preventiva ku mungonin çmimet, duke shkelur në mënyrë të përsëritur ligjin. Vetëm pas një tjetër ankese drejtuar KMD u arritën të siguroheshin të dhënat e plota.

Citizens Channel i vuri në dispozicion familjes Kazanxhiu preventivin e detajuar të punimeve: “Unë sot e njoha buxhetin, se sa para kam pasur për shtëpinë time, nuk e di ku të ankohem për të gjetur zgjidhje”, tha Flutura Kazanxhiu. Por, edhe nëse këto para janë shpenzuar sikundër pretendojnë familjarët, ato kanë qenë të pamjaftueshme për rikonstruksionin e shtëpisë. Bashkia e Fierit nuk ka kërkuar më shumë para, edhe pse ka pasur mundësi ta bëjë.

Foto: Shtëpia e familjes Kazanxhiu

Paratë për zbatimin e këtij projekti janë dhënë në formë granti nga ish -Ministria e Zhvillimit Urban (MZHU), e cila shqyrton kërkesat e Bashkive që janë përgjegjëse për hartimin e projekteve, prokurimin dhe mbikëqyrjen e punimeve. Në pikën 3 të udhëzimit të MZHU, publikuar në vitin 2015, sqarohet se bashkitë mund të kërkojnë deri në 6.5 milionë lekë të vjetra për rikonstruktimin e çdo banese.

Sipas familjarëve banesa e tyre është lënë përgjysmë për shkak të keq menaxhimit të fondeve. Fakti është se katër nga tetë zgjidhjet teknike të parashikuara në relacion: “Suvatimet e brendshme dhe të jashtme; Shtrimi me pllaka, Dyert dhe dritaret; Lyerja me bojë” nuk janë realizuar ose janë realizuar vetëm pjesërisht.

“Familjet në nevojë emergjente të përjashtuara nga projekti”

Floresha Meçani

Nëse në familjen Kazanxhiu është rikonstruktuar gjysma e shtëpisë, Floresha Meçani, e cila jeton me babain, dy fëmijët dhe bashkëshortin në një shtëpi të ndërtuar me kallama dhe baltë, është përjashtuar nga projekti.

“Erdhi Bashkia këtu, mati shtëpinë dhe ikën, unë e kisha emrin e para në listë dhe prisja që të fillonin punimet, por më pas më thanë që banesa juaj është me baltë dhe nuk mund te përfitosh”, tha Floresha për Citizens Channel.

Familja e saj nuk është e vetmja që u përjashtua nga projekti: “Janë hequr 4 banesa të tjera që janë me baltë, ne jetojnë shumë keq, kemi frikë se do na shembet mbi kokë”, vazhdon më tej ajo.

Vakumi ligjor pas shtëpive të baltës
Shtëpitë e baltës  përjashtohen nga projekti i rikonkstruktimit, pasi nuk kanë themele për të mbajtur çatinë dhe mure për tu suvatuar. Ligji për legalizimet nuk e klasifikon fare këtë objekt si banesë, duke e njehësuar të njëjtë me një barakë. Edhe pse pronarët mund të kenë jetuar prej vitesh në një shtepi balte apo barrakë, ata nuk kanë asnjë të drejtë pronësie dhe nuk mund të ngrenë pretendime për legalizimin e këtyre objekteve.

Veç kushteve tejet të vështira ekonomike, familja Meçani jeton çdo ditë me frikën e reshjeve apo përmbytjeve që mund ta dëmtojnë banesën në mënyrë të pakthyeshme, duke i zënë brenda. Shtëpia e tyre gjendet përpara një kanali që gjatë periudhës së reshjeve të dimrit tejmbushet dhe rrezikon ta shkrijë shtëpinë e baltës ku ata banojnë.

Foto: Kanali përpara shtëpisë së familjes Meçani që rrezikon të përmbysë banesën

Video: Familja Meçani jeton në shtëpinë e baltës që rrezikon të shkrijë e të shembet

Fakti që zotëron një shtëpi balte, nuk e përjashton familjen Meçani nga projekti për “Përmirësimin e Kushteve të Jetesë së Komunitetit Rom dhe Egjiptian”. Veç rikonstruksionit të shtëpive ekzistuese, MZHU parashikon edhe dhënien e granteve për ndërtim banesash të reja, çka do t’i jepte një zgjidhje përfundimtare problemeve emergjente të strehimit.

Në gërmën b. të pikës 3 të udhëzimit të publikuar nga MZHU, parashikohet se bashkitë mund të aplikojnë për ndërtimin e banesave të reja me vlerë jo më shumë se 12 milionë lekë të vjetra.

Por Floresha Meçani tregon se i ka humbur shpresat tek institucionet për t’i siguruar familjes së saj kushte të denja jetese: “Na mashtruan që do rregullonin shtëpinë, i kam humbur shpresat, vetëm na thonë që do bëhet, do bëhet por, gjendja jonë është kritike. Fëmijët mezi i dërgojmë në shkollë, njëherë me bukë e njëherë pa bukë. Në shtëpi kam dhe babain të sëmurë, a jetohet këtu?”

Sa kushton “përmirësimi i lënë përgjysmë”?

Pas nxitjes dhe kërkesave dërguar nga aktivistët, Bashkia e Fierit aplikoi pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban në vitin 2017.
Në maj të vitit 2017, u dërgua njoftimi i tenderit pranë Agjencisë së Prokurimeve Publike, me një fond limit prej 9, 166,678 lekë të reja.

Në portalin Open Procurement Albania, kjo procedurë prokurimi është klasifikuar si “Red Flag” (flamur i kuq), çka tregon një rrezik të mundshëm për sjellje të papajtueshme me ligjin ose jo-etike të biznesit. Kjo sepse, nga tre kompanitë që aplikuan, “Shendelli” shpk ishte e vetmja që nuk u përjashtua nga gara duke fituar kështu tenderin me një ofertë prej 7,747,682 lekësh.

“Shendelli Shpk” shpenzoi 9,297,220 lekë për rikonstruktimin e 19 banesave, me një mesatare prej rreth 4.8 milion lekësh të vjetra për banesë. Një shqyrtim i preventivave për shtëpinë e familjes Kazanxhiu tregon se firma private nuk i është përmbajtur preventivit të punimeve.

Preventivi i Punimeve për banesën e Gramoz Kazanxhiut

Në tabelë mungojnë disa nga vlerat që në të vërtetë janë vendosur në shtëpi dhe ka shtesa të tjera për vlera që nuk janë realizuar.
Vëzhgimi i Citizens Channel dhe dëshmia e Gramozit tregon se 30 m2 pllaka mungojnë dhe nuk janë vendosur në këtë banesë. Ndërkohë është vendosur një derë e jashtme alumini, që mungon në tabelën e preventivit.

“Na gënjyen na mashtruan, unë nuk i pash kurrë faturat”, përfundon Gramoz Kazanxhiu.
Banorët shprehen të pakënaqur edhe për mënyrën se si janë përzgjedhur familjet që do të përfitonin nga projekti për rikonstruktimin.

“Një pjesë e personave që u futën në listë për t’ju rregulluar shtëpitë nuk banojnë fare këtu, kanë ikur në Greqi, kanë vite dhe nuk do kthehen”, thotë bashkëshortja e Gramozit, “më mirë i kanë bërë për ata që jetojnë jashtë shtetit, se sa për ne këtu”, përfundon ajo.

 

Energjia e përftuar nga djegia mbetjeve, zbardhet VKM-ja që vë në dyshim eficiencën e inceneratorëve

Qeveria shqiptare edhe pse është në dijeni se mbetjet e ngurta urbane të gjeneruara në Shqipëri nuk janë një burim i sigurtë energjie, sërish vazhdon të këmbëngulë në ndërtimin e inceneratorëve.

Ky konstatim i Citizens Channel vjen pas konsultimit të Fletores Zyrtare nr.4 për vitin 2018 të botuar më 23 janar. Ndër të tjera aty pasqyrohet edhe një vendim që ka marrë Këshilli i Ministrave më datë 17.1.2018 “Për përcaktimin e çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga gjeneratorët e vegjël me burime të rinovueshme nga pjesa e biodegradueshme e mbetjeve të ngurta, që shfrytëzojnë mbeturinat industriale, urbane dhe rurale”.

Që impiantet e incenerimit të jenë eficientë nga ana e prodhimit të energjisë elektrikë së pari fuqia kalorifike (sasia e nxehtësisë e çliruar pas djegies) e mbetjeve duhet të jetë e lartë.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave theksohet se “llogaritja e fuqisë kalorifike të MNU-së është komplekse dhe mund të çojë në gabime të mëdha, nëse nuk kryhet në mënyrë korrekte”. 

Llogaritja e fuqisë kalorifikë të mbetjve të ngurta urbane ka qenë objekti i një studimi të Universitetit Politeknik të Tiranës, që citohet në VKM. “Nga kjo llogaritje është gjetur që në vendin tonë përmbajtja energjetike është në shifrat 6500 deri 7100 (kJ/kg) ose në vlera bruto të 1.7 deri 2 kwh/kg të mbetjeve të ngurta”. Ndërsa rendimenti i gjenerimit të fuqisë të një inceneritori të mbetjeve të ngurta urbane varion nga 23-25%.

Faktorët që ndikojnë në cilësinë e mbetjeve janë përbërësit mercologjikë (mbetje organike, plastika, letër dhe kartonë, inerte etj.), përmbajtja e ujit (lagështia), përmbajtja e hirave dhe përmbajtja e fraksionit të djegshëm.

Sipas ekspertëve të mjedisit të qeverisë shqiptare “fraksioni organik i mbetjeve të ngurta urbane përbën mesatarisht 47.36% të mbetjeve në rang kombëtar dhe përmbajtja e lagështisë së fraksionit organik supozohet rreth 70%”. 

Të dy këto faktorë bëjnë “që të ulet fuqia kalorifike e mbetjeve të ngurta urbane dhe të zvogëlohet sasia e energjisë që mund të përftohet prej tyre”, thuhet më tej në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Pra kur nuk garantohet fuqia kalorifike e mbetjeve që si pasojë mund të sjellë prodhimin e sasive të vogla të energjisë, përse do të ndërtohen inceneratorët?

Mbetjet ne Shqiperi

Deri më tani janë konfirmuar tre të tillë: ai i Elbasanit (që ka filluar nga puna), ai i Fierit dhe inceneratori i Tiranës, që do të jetë edhe më i madhi. Ndërkohë në planet e qeverisë shqiptare janë gjithsej 6 inceneratorë.

Nga një analizë e bërë nga Ministria e Mjedisit, në VKM theksohet se “më shumë prioritet kanë qarqet si Tirana me gjenerim të mbetjeve deri në 310 mijë tonë/vit, Durrësi me 210 mijë, Elbasani me 110 mijë, Fieri me 190 mijë tonë/vit etj”.

Duke analizuar sasinë e mbetjeve të ngurta urbane të depozituara dhe atyre që mund të gjenerohen, supozohet se “ka mundësi reale që për një periudhë 12-15 vjeçare të arrihet në asgjësimin zinxhir të mbetjeve të biodegradueshme në nivel qarku”.

Pra në një periudhë 12-15 vjeçare inceneratorët e planifikuar do të asgjësojnë të gjithë mbetjet e depozituara deri më tani dhe ato që do të gjenerohen në vitet në vijim. Po më pas ku do të gjendet lënda e parë për të mbajtur në punë inceneratorët?

Në VKM-në e miratuar më 17 Janar theksohet se “jeta ekonomike e impianteve të incenerimit të MNU-së (mbetje të ngurta urbane) me rikuperim energjie përgjithësisht supozohet 20-25 vjet”. Pra pas kësaj periudhe impiantet e incenerimit nuk janë më rentabël nga ana ekonomike.

Duke u nisur nga ky konstatim, përse qeveria shqiptare investion miliona euro në një teknologji, e cila i ka ditët e numërura, kur mund të investohet në impiante moderne riciklimi të cilët mund të jenë më jetëgjatë?

Europa i riciklon, Shqipëria u vë zjarrin

Në interpelancën e datës 15 shkurt Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damain Gjiknuri deklaronte se “incenerimi është forma më moderne e trajtimit të mbetjeve”, duke përmendur shembujt e Danimarkës dhe Gjermanisë.

Edhe në vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave thuhet se “instalime të kësaj natyre janë mjaft të përhapura në Evropë dhe sot, me teknologjinë waste-to-energy (nga mbetje në energji), si një teknologji asgjësimi me prodhim energjie nga burime të rinovueshme për pjesën e biodegradueshme të mbetjeve të ngurta industriale, urbane dhe rurale po zgjidhet problemi i zënies së tokës nga landfill-et”.

Por duke se ekspertët e mjedisit pranë qeverisë shqiptare i referohen një tjetër Europe dhe jo asaj aktuale. Më datë 23 shkurt 2018 Bashkimi Europian arriti një marrveshje paraprake për katër propozimet legjislative të paketës së mbetjeve që u miratua në Parlamentin Europian më 18 Dhjetor 2017. Me anë të kësaj marrveshjeje i jepet më shumë rëndësi riciklimit dhe krijimit të një ekonomie qarkulluese dhe jo incenerimit siç pretendojnë autoritetet shqiptare.

Po në interpelancën e 15-të shkurtit ministri Damian Gjiknuri deklaronte se Shqipëria riciklon vetëm 15% të mbetjeve. Ndërsa vendet e unionit europian i kanë vënë qëllim vetes që deri në 2025 të riciklojnë 55% të mbetjeve urbane, në 2030 të riciklojnë 60%  dhe në 2035 të riciklojnë 65% të mbetjeve urbane.

Autor: Citizens Channel

Reportazh / Vërri, banorët të vendosur kundër ndërtimit të inceneratorit

Venddepozitimi i mbetjeve në zonën Sheq të Fierit e ka tejkaluar prej vitesh kapacitetin e saj, por edhe pse konsiderohet i mbyllur nga Bashkia e Fierit sërish aty hidhen mbetje urbane. Duke parë situatën e vështirë me menaxhimin e mbetjeve, bashkia ka kërkuar një vend të ri për grumbullimin e mbetjeve.

Nevojën e një venddepozitimi të ri për mbetjet e Fierit e shprehin së pari banorët që jetojnë dhe përballen çdo ditë me erën e keqe të tyre.

“Aroma e plehrave ndihet më shumë në verë”, ankohet Qamil Faslliu, një prej romëve të shumtë që punon tek fusha e plehrave. “Kjo aromë ndihet deri në Vajkan. Po s’kemi ku të shkojmë. Edhe banorëve të Sheqit aroma e keqe u është bërë mik shtëpie”, thotë me ironi 56 vjeçari.

Edhe Halime Berisha, një banore e zonës rreth të 60 -ve, kur e pyet se sa e shqetësojnë aromat e pakëndshme të plehrave të thotë duke qeshur: “Ç’e pyet?! Mbyllim dritaret, në verë nuk rrihet fare. Tani është më ndryshe, se kur i digjnin, detyroheshim të iknim me ditë nga shtëpia.”

Emergjenca mjedisore

“Në korrik 2015 Kryetari i Bashkisë i paraqiti Këshillit Bashkiak kërkesën për zhvendosjen e venddepozitimit ekzistues të mbetjeve dhe financimin e një venddepozitimi të ri për menaxhimin e tyre. Arsyeja ishte se venddepozitimi aktual është i tejmbushur dhe jashtë çdo kushti teknik dhe mjedisor”, thotë Aketa Lugaj, anëtare e Këshillit Bashkiak.

Në tetor 2015 u shpall emergjenca mjedisore dhe project-plani vendor për depozitimin dhe menaxhimin e mbetjeve fillimisht përzgjodhi fshatin Mbyet e më pas në shkurt 2016 ky vend u ndryshua sërish për të caktuar fshatin Plyk në njësinë administrative Portëz.

“Pas protestave të banorëve të Portëzës për ndërtimin e impiantit me diegie në zonen e tyre, bashkia tërhiqet nga vendimi dhe propozon njëvenddepozitim tjetër, – vazhdon të tregojë Lugaj, – në Mbrostar dhe më pas në Kallm e në Vërri.”

Pasi vendimi u bë publik në media pati reagim të fortë nga banorët e Vërrisë kundër ndërtimit të inceneratorit në fshatin e tyre. Protestat e zgjatura bënë të mundur që bashkia dhe qeveria të terhiqen, ashtu si edhe mjetet e rënda të kompanisë që do të nisnin ndërtimin e impiantit.

Në prag të zgjedhjeve 2017 Rama u premtoi banorëve se nuk do të ndërtohej impianti pa marrë miratimin e tyre.  Ky është edhe kusht kryesor per ngritjen e impianteve të tilla të rrezikshme për shëndetin dhe jetën: – duhet të bien dakord banorët e zonës.

Po përtej gjithë polemikave dhe dëgjesash boshe publike, në një kohë kur çdo gjë është vendosur tashmë, kundër qëndrojnë banorët e një fshati të tërë, të cilët vuajnë edhe sot e kësaj dite një mungesë të theksuar investimesh në infrastrukturë dhe papunësinë e tejskajshme.

Verri

Çfarë ndodh në Vërri?

Na u desh të shkonim dhe të shihnin se ç’bëhej në të vërtetë dhe si e kishin pritur lajmin që inceneratori do të ndërtohej në fshatin e tyre. Pyetëm se ku ndodhej vendi i caktuar për ndërtimin e tij dhe na thanë se është diku në të dalë të fshatit.

Ecëm një copë rrugë në këmbë dhe aty duket sikur mbin nga dheu një djalë me motor, i cili na ndihmon për të shkuar atje.

Rrugës ai na tregon fusha të tëra të mbjella me presh, me grurë e toka të tjera që prisnin të mbilleshin me misër, me shalqinj e pjepër. “Ja shiko të gjitha këto fusha do të mbeten të djerra kur të ndërtohet landfilli. Pastaj ai tregon historinë e të vëllait që kishte pësuar një aksident dhe kishte ndenjuar disa muaj në koma. “ Në Napoli, – më ka thënë vëllai, – sa punonte inceneratori nuk shikohej dielli dhe as nuk mbusheshin dot njerëzit me frymë.”

E njëjta gjë do të ndodhë edhe këtu me ne. Me keqardhje djali me motor në fund na thotë: “Këtu pastaj do të bëhen vetëm lule dhe lulet janë ose për dasma ose për vdekje, pra supozohet që edhe ne do të vdesim nga helmet e lëshuara nga landfilli.  Ai mund të ndërtohej në një tokë të izoluar dhe të djerrë, jo këtu, jo në Myzeqe. Dihet nga të gjithë që Myzeqeja është hambari i Shqipërisë.”

Por pse u zgjodh Verria? “E përzgjodhën Verrinë se kjo tokë është shtetërore dhe duan që paratë me të cilat supozohet që të blihej toka duan t’i fusin në xhepa.”

Në fund pasi arrijmë tek vendi ku ishin mbledhur edhe shumë banorë të tjerë të fshatit, ai pranon të identifikohet dhe thotë se nuk ka frikë të thotë emrin, ai quhej Klodi Golemi.

Një djalosh rreth të 30 -ve, i cili mban në dorë ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, afrohet dhe tregon nenet dhe të drejtat e shkelura. Sipas tij janë shkelur e drejta e aprovimit të komunitetit për ndërtimin e veprave që përbëjnë rrezikshmëri të lartë publike, largësia e caktuar me ligj e cila nga minimumi në 1500 metra është reduktuar në 700.

“Në të njëjtën kohë ndikimi në mjedis është shumë negativ ai do të helmojë ujrat nëntoksore, kafshët e bimët pa llogaritur pasojat në shëndetin e njerëzve. Një tjetër shkelje është edhe përzgjedhja e ndërtimit të inceneratorit në një tokë të kategorisë së parë, kur në ligj thuhet se vepra të tilla ndërtohen në toka të kategorisë së pestë”, na thotë djali që kish frikë të identifikohej.

Për të marrë edhe një këndvështrim ndryshe pyesim një polic i cili nuk pranon të prononcohet duke thënë se ka të tjerë mbi të që duhet të shprehen dhe jo ai.

Artur Selimi, shef i policisë në komisariatin e Fierit në një përballje me disa prej protestuesve thotë: “Unë jam këtu për të zbatuar ligjin.”Pasi nxjerr disa letra të kapura me një kapse metalike vazhdon: “Ja kjo është leja e firmosur nga Kryeministri i Shqipërisë. Shkoni ankohuni në gjykatë nëse mendoni se iu është bërë një padrejtësi.”

E kemi bërë, – thonë njëzëri disa prej protestuesve. “E keni bërë po atëherë nuk kishte asnjë leje për fillimin e punimeve dhe ankesa juaj nuk ka asnjë vlerë juridike, – replikon shefi i policisë me banorët e irrituar, – duhet të ankoheni tani që ka një leje të vulosur dhe të firmosur.”

Banorët përplasen me policinë. Foto: Gëzim Hoxha
Banorët përplasen me policinë. Foto: Gëzim Hoxha

Në protestë kishte edhe gra. Më trimëresha ndër to ishte Lena Tashi. Ajo debatoi pa iu dridhur qerpiku me shefin e policisë. Ajo pranon të flasë dhe si fillim na thotë se nuk ka frikë të identifikohet pasi është në të drejtën e saj.

Lena ankohet se kryetari i kish pritur, iu kish premtuar dhe i kish gënjyer. “Na priti 12 veta nga fshati dhe na gënjeu. I hoqi makinat vetëm sa të hanim rehat Vitin e Ri dhe më pas i kthye prap. Edhe Adelina na gënjeu: “Rrini të qetë edhe sikur të doni nuk do të ndërtojmë këtu landfillin.” Ajo e ka fjalën për deputeten e zonës zj, Adelina Ristën.

“Le të vijë vetë Edi këtu tek e të na thotë se ku e ka premtimin e dhënë, apo pritën sa na i morën votat dhe na gënjyen. Po ne këtu do të rrimë natë e ditë, le të na shtypin me rula e me makina dhe nuk do lëvizim. Le të vdesim, të paktën do të shpëtojmë fëmijët tanë”, – shprehet mjaft e irrituar Lena.

Banorë të tjerë na afrohen, duan të flasin e të tregojnë të vërtetat e tyre. “Kemi nënshkruar një peticion me 2500 firma për të mos u ndërtuar landfilli në fshatin tonë po askush nuk na ka dëgjuar. Unë jam i papunë, ushqehem vetëm me një lopë por nuk e dua landfillin edhe pse mund të hapi vende pune, nuk dua të helmohem”, thotë Vladimir Bita për Citizens Channel.

Pastaj ai tregon për ata të bashkisë që vijnë shpesh në fshat për t’i joshur se do hapen vende pune apo edhe për civilët nga policia që vinin për t’i frikësuar. Vladimiri duket tejet i stresuar dhe kërcënon se po u ndërtua landfilli do t’i vënë flakën fshatit dhe do të ikin prej tij.

Një tjetër banor na u afrua i revoltuar. “Unë jam krimineli më i madh i fshatit. Shkruaje këtë që po të them”, lutet Dhimitraq Jani. Por teksa ai largohet dhe i bashkohet turmës afrohet një burrë i cili shpjegon dhe arsyen e kësaj shakaje. “Ai thotë kështu se e proceduan penalisht dhe e futën brenda vetëm e vetëm se protestoi para bashkisë.” Të tjerë e konfirmojnë këtë gjë duke na treguar se kanë proceduar penalisht shumë prej protestuesve.

I lamë banorët duke protestuar dhe duke u përleshur me forcat e policisë, të cilat mundohen të hapin rrugën e zënë nga një turmë prej rreth 100 banorësh, për t’i mundësuar makinerive fillimin e punës. Nga larg dëgjoheshin thirrjet e tumës: “Jo plehrat në Vërri!” dhe “Turp, turp!”, por edhe një thirrje edhe më e fortë se këto të dyja: “Hajde na vrisni po të doni!”.

Pro dhe kundta ndërtimit të inceneratorit

Në një dëgjesë publike të organizuar të enjten e kaluar nga një OJF “Open Doors” koordinatorja e Forumit Qytetar të Fierit Lindita Hoxha, u shpreh se “impianti i përpunimit të mbetjeve i duhet shumë qytetit, pasi era e fortë e tyre kur ato i digjnin gjatë verës e sidomos gjatë natës nuk durohet”.

Ajo tha gjithashtu se landfilli duhet të ndërtohet në një tokë e cila është e izoluar dhe e degraduar dhe që nuk mund të prodhojë më asnjë produkt bujqësor si dhe sa më larg qëndrave të banimit. Sipas Hoxhës ky impiant duhet të jetë i një teknologjie moderne dhe duhet të plotësojë të gjitha parametrat bashkëkohor.

Pro këtij projekti është edhe Agim Hajdari, eksperti i mjedisit, i cili ka kryer një studim të mirëfillët për këtë impiant mjedisor. Ai shprehet qartë se landfillli është i pashmangshëm pasi Fieri e ka mëse të nevojshme një të tillë. Por ai shkon edhe më tej kur thotë: “Unë jam për ndërtimin e një incineratori, sepse projekti që kam pare i përmbush të gjitha parametrat bashkëkohorë. Të thuash se nuk na duhet një impiant përpunimi plehrash është njësoj sikur të thuash se nuk na duhet një makinë për të udhëtuar. Koha e kërkon pasjen e një makine si mjet transporti, ashtu siç është bërë e domosdoshme për Fierin pasja e një incineratori, nëse keni dyshime për rrezikun që mund të shkaktoj ai, atëherë zgjidhni teknologjinë më të mirë. Edhe njerëzit zgjedhin makinën më të mirë si mjet transporti për veten e tyre, është e njëjta gjë edhe me incineratorin.”

“Qëndrimi i opozitës në Këshillin Bshkiak ka qenë kundër inceneratorit”, – thotë anëtarja e Këshillit Bashkiak Alketa Lugaj kur pyetet se çfarë e ndan pozitën nga opozita përsa i përket vendimmarrjes. “Të gjitha informacionet e specialistëve dëshmojnë për rrezikun që paraqesin gazrat që çlirohen nga djegia e mbetjeve. Shumë vende të zhvilluara të Evropës i kanë nxjerrë nga perdorimi inceneratorët”, vazhdon ajo.

“Si ka mundësi që firma fituese u shpall 15 ditë para zhvillimit të tenderit?” – pyet Emiljano Mone, një tjetër anëtar i Këshillit Bashkiak. “Nuk mund të lidhet një kontratë mes një firme ndërtimi dhe qeverisë pa pjesëmarrjen e bashkisë. Ose dhe më keq akoma si mund të fillojnë punimet pa pasur një leje ndërtimi dhe një vlerësim mjedisor”, vazhdon më tej ai.

Mone përmend edhe mungesën e transparencës nga ana e bashkisë në marrjen e vendimit për përzgjedhjen e një vendi tjetër për depozitimin e plehrave pa marrë më parë aprovimin e banorëve.

Përfaqësuesja e shtypit pranë bashkisë Fier, Irma Hoxha na thotë se “nuk mund të fajësohet bashkia për mosdhënie informacioni pasi ajo nuk e ka një të tillë. Lidhur me vendimin për vendin se ku do të depozitohen mbetjet e bashkisë Fier, bashkisë i erdhën 6 vende të quajtura si të përshtatshme nga ekspertët e mjedisit dhe prej tyre u përzgjodh fshati Vërri në qendrën admistrative Mbrostar. Bashkia Fier nuk ka asnjë informacion në lidhje me projektin, pasi kontratën e ndjek Ministria e Mjedisit. E gjithë kontrata dhe vazhdimi i çdo veprimi ndiqet nga Ministria e Mjedisit dhe këtu nuk ka asnjë lloj informacioni”, e mbyll prononcimin e saj Hoxha.

“Ne vendosëm pasi dëgjuam specialistët për studimin e mundësisë së realizimit për zonat e propozuara. Tre prej tyre u skualifikuan nga vetë ata dhe zgjodhëm zonën e Verrisë si më e përshtatshmja. Ne nuk votuam duke marrë parasysh mendimin e banorëve pasi, jam e bindur që asnjë prej komuniteteve nuk do pranonte që impianti të ndërtohej tek fshati i tyre. Problem është edhe politizimi i kësaj çështjeje nga opozita”, thotë Evis Sema, kryetarja e Këshillit Bashkiak.

 “Të gjithë e duam landfilldin, – thotë Lindita kur e pyet për rreziqet e këtij impianti, – po puna është se ku venë mbetjet e mbetjeve?”

Ajo shtron edhe problemin e ndotjes së ajrit nga djegia e mbetjeve si në rastin e incineratorit të Elbasanit. “Më tej, – vazhdon ajo, – zona e Verrisë është tokë ujëmbajtëse. Unë e njoh mirë atë zonë dhe e di se aty ka shtresa uji në një thellësi prej vetëm 6 metrash. Kush të siguron se nuk sjellin një teknologji të përdorur apo të vjetëruar.”

“Inceneratori është një praktikë e përdorur gjerësisht në Evropë. Për më tej prej djegies së mbetjeve mund të prodhohet edhe energji elektrike. Landfilli ku do të depozitohen mbetjet të cilat nuk mund të digjen ka 5 shtresa që e minimizojnë deri në maksimum mundësinë e rrjedhjes së lëngjeve të ndryshme të mbetjeve të dekompozuara. Edhe ndotja e ajrit është parashikuar të parandalohet nga vendosja e filtrave të fuqishëm që përthithin gazrat e emetuar nga procesi i djegies deri në masën 98%”, thotë eksperti i mjedisit Agim Hajdari.

Ana ekonomike e projektit u mbrojt nga Greta Grëmi, e cila kishte kryer një studim të hollësishëm për leverdinë ekonomike të impiantit të mbetjeve. Sipas saj nga ana ekonomike incineratori është tejet fitimprurës. Ajo thotë se në këtë impiant do të përpunohen 180 ton mbetje në ditë ose 70.000 ton në vit. “Parashikohet që të hapen 114 vende pune ku do punësohen banorë të zonës dhe në perspektivë ky numër edhe mund të rritet në varësi të sasisë së plehrave të përpunuara”, informoi Grëmi.

“Periudha e shfrytëzimit të impiantit, – shton Greta, – është për një periudhë 6 vjeçare, prej së cilës 2 vjet i përkasin ndërtimit të tij. Më pas pronësia e tij do t’i kalojë bashkisë. Të ardhurat e këtij aktiviteti do të gjenerohen nga shitja e energjisë elektrike që do të prodhohet nga incineratori dhe shitja e skrapit. Ndërsa bashkia do të vjelë taksat nga aktiviteti që do të ushtrojëfirma në fjalë.”

Autor: Gëzim Hoxha, Fier

10 arsye se pse mbështes banorët e Vërrisë kundër inceneratorit

Nga Ervin Goci
Në mbeshtetje të rezistencës së banorëve të Vërrisë, 10 arsye se pse jam kundër incenerimit

Nga Ervin Goci

Në mbeshtetje të rezistencës së banorëve të Vërrisë, 10 arsye se pse jam kundër incenerimit

1. E para dhe ajo që ia bën muuuuuuuuu…është një skemë korruptive sa një mal, e shtyrë nga ato peshkaqenët që i grijnë këto rrjetat për cironka që ka hapur Kryeprokurorja e re.

2. Së dyti, ndërtimi i i Inceneratorit, do të thotë devijim në rrugë pa krye për tërë sforcot që janë bërë deri tani në menaxhimin e çështjes së mbetjeve – e cila e paraqitur kështu – Shqipëria nuk do të mendojë ndonjëherë se si t`i reduktojë dhe ta bëjë ambjentin më të pastër, sepse Incineratorët miljona-eurosh do të duan të hanë plehra pafund e pambarim.

3. Sipas të gjitha studimeve incenerimi është një formë më e kushtueshme se format alternative për të trajtuar mbetjet, pasi energjia (input-i) që harxhohet për të djegur mbeturinat është më shumë se energjia dhe përfitimet ekonomike që fitohen, shto këtu që kostot janë të jashtëzakonshme pasi mbeturinat janë një vlerë publike, që kompanisë fantazëm po i jepen falas, dhe madje po i paguajmë dhe ca euro për ton me kontrata të padëgjuara.

4. Së katërti ndotja është totale, në të gjitha frontet : në ajër emetohen dioksina, furane, gazra dhe metale helmues, ndërkohë që mbetjet e mbetjeve, apo hiri siç njihet – i cili është shumë helmues – nuk ka menduar njeri se si do ta trajtojë.

5. Së pesti, në mbështetje të pikës 4, Ministri i Mjedisit dhe Turizmit z. Klosi, pohoi me gojën e vet, që ne nuk kemi kapacitete për të kryer matje të ndotjes së ajrit, dhe si mundet të japësh leje për ndërtimin e Inceneratorëve, kur nuk ke asnjë kapacitet për matjen. Në tërë Europëm të dhënat i gjen online kur të duash, ndërsa tek ne e mat vetë kompania…udite, udite…

6. Së gjashti, e tërë procedura e vendimarrjes, shkon përkundër çdo procedure normale vendimarrjeje, pasi në rastin e Fierit (Verrisë), janë kryer 9 procedura për dy ditë, mbyllur nëpër kapanone zyrash tërësisht larg syve të komunitetit, dhe komuniteti është prezantuar me projektin vetëm në momentin që kanë ardh fadromat, në shkelje të Konventës së Aarhusit të ratifikuar që në 2001-shin.

7. Së shtati, në kornizën e integrimit, këto janë hapa pas, pasi piramida e Direktivës së 2008-tës së Bashkimit Europian për Menaxhimin e Mbetjeve, e vë incenerimin në fund fare të piramidës, ndërkohë që ne megjithëse kemi paguar qimet e kokës në dy strategji për menaxhimin e mbetjeve nga japonezë e gjermanë, sot po bëjmë të kundërtën dhe të asaj që me VKM qeveria vetë ka vendosur për përfundimin e ndarjes në burim të plehrave në fund të Dhjetorit 2016-të.

8. Së teti, ndërtimi i 6 Inceneratorëve, po qoftë dhe 3 në një pëllëmbë vend si Shqipëria, do të thotë zyrtarizimi “de facto” i importit të plehrave ne Republikën e Shqipërisë, pasi me aq plehra sa prodhojmë ne, mund të mbajë në punë maksimumi 1 Incenerator të madh, 5 të tjerët do jenë për botën, ose do kthehen në muze.

9. Së nënti, projektin e Shqipërisë bujqësore dhe turistike, duhet thjesht ta harroni, sepse me 6 Incineratorë në pika të ndryshme të territorit, si Sarandë, Korçë, Durrës, Shkodër, do të thotë kolaps total mjedisor, dhe nëse nuk është mjedisor, është e sigurt që do të jetë kolaps imazhi për turizmin bregdetar, turizmin agrokulturor e më tej.

10. Së dhjeti, zhduk tërësisht industrinë e riciklimit, për të cilën qeveria luftoi me muaj të tërë në krah tyre, dhe tani i kthen shpinën, duke zhdukur jo vetëm industrinë, po duke zhdukur dhe vetë konceptin e riciklimit, si mënyra e vetme e qëndrueshme për një zgjidhje afatgjatë

Në përmbledhje, mund të thuhet : se kemi një tërheqje totale të shtetit ndaj detyrës kushtetuese për garantimin e jetës së qytetarëve, sepse ky shtet, as nuk respekton strategjitë që porosit vetë, delegon dhe i paguan privatit për një të mirë publike, që në fakt privati duhet t`ia blinte shtetit – duke keqpërdorur taksat – injoron tërësisht qytetarët në respektimin e të drejtave të tyre, dhe mbi të gjitha nuk kryen as matjen e ndotjes si detyrë minimale, por ia ka besuar njerëzve në konflikt total interesi.

Zgjidhja : Zgjidhjet afatgjatë janë vetëm dy : Parandalimi, dhe Riciklimi – atë që po bëjnë të gjithë vendet të udhëhequra sipas Direktivave Europiane, dhe Direktivat nuk janë shaka, se nëse nuk i plotëson të shembin në gjoba. 
Në tërë Europën Inceneratorët po mbyllen dhe kanë një vend tërësisht periferik, ndërkohë që në Shqipëri po i ngrenë pa asnjë nevojë objektive.
Ku ishim..asgjëkundi…cfarë psonisëm…asgjësendi!

Për më shumë informacione mund të ndiqni linqet më poshtë:

Deutsche Welle: https://www.facebook.com/dw.shqip/videos/1632143813496179/

Nisma Blog: https://nisma.blog/njeriu-misterioz-qe-ka-perfituar-pa-gar…/

Monitor.al: http://www.monitor.al/ndryshimi-i-politikave-per-mbetjet-u…/

Monitor.al: http://www.monitor.al/qeveria-planifikon-82-mln-euro-inves…/

Monitor.al: http://www.monitor.al/reportazh-ne-verri-qendresa-vetmitar…/

Exit.al http://www.exit.al/…/menaxhimi-i-mbetjeve-deshtim-i-qeveri…/

Gazetarja Aranita Brahaj: https://www.facebook.com/notes/aranita-brahaj/kush-e-caktoi-fshatin-ku-do-te-nd%C3%ABrtohet-impianti-i-mbetjeve-fier/1793466407330597/

Citizens Channel: http://citizens-channel.com/…/inceneratoretshkaterrim-per…/

Një ditë në Ferras, aty ku përmbytja shkaktoi dëmet më të mëdha (Video)

 

250 familje u dëmtuan nga përmbytjet në fshatin Ferras të Fierit. Pas reshjeve të dendura të shiut banorët kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre. Ata kanë humbur pothuajse gjithçka.

Për më shumë ndiqni reportazhin e realizuar me banorët e Ferrasit.

Autor: E.Gj / Citizens Channel

Papunësia detyron qytetarët e Fierit të dalin të shesin në trotuare

Mungesa e një vendi pune detyron qytetarët e Fierit të dalin të shesin në trotuaret e qytetit. Kjo situatë është kthyer në shqetësim për tregëtarët e regjistruar, të cilët ankohen se u kanë rënë fitimet.

Në fund të rrugës Ramiz Aranitasi shumë pranë tregut të hapur rishtazi nga Bashkia e Fierit, Zajde Xhemaj ka dyqanin e saj ku shet fruta dhe perime. Historia e kësaj 56 vjeçareje nuk ndryshon shumë nga ajo e grave të tjera të cilave u ka rënë barra e mbajtjes së shtëpisë. Nënë e dy djemve, 25 dhe 27 vjeç, punon pothuajse gjithë ditën pasi të dy djemtë janë të papaunë.

“Puna ka shkuar në zero”, thotë ajo për Citizens Channel. Tatimet, sigurimet, qiraja e dyqanit, pagesat e ujit dhe të dritave bëjnë që asaj t’i mbetet fare pak fitime për vete.

Shqetësim për të është edhe konkurrenca e pandershme nga fshatarëve që zbresin përditë nga fshatrat e Plugut dhe të Krapsit për të shitur prodhimet e tyre bujqësore.

“Ja shikoje edhe vetë atë gruan që shet aty. Ç’a t’i bëj unë asaj?”, ankohet Zajdeja për një grua plakë që shiste në trotuar rreth 10 metra larg dyqanit të saj. Më tej si për ta mbyllur ligjëratën e saj, shumë e indinjuar ajo të thotë: “Po nuk ka qeveri dhe as bashki, se të kish nuk do t’i linte njeri të shisnin rrugëve. Unë e kam ndarë mendjen do gjej numrin e telefonit dhe do flas vetë me kryeministrin se ndryshe nuk bëhet.“ 

Në rrugën përballë shkollës industriale “Petro Sota”, rrugë për të cilën Zajdeja na tha se ishte kthyer në një treg, gjejmë vetëm dy fshatarë. Konstandin Puftja, njëri prej burrave të moshuar që shiste buzë rrugës në trotuarin ende të pa sistemuar, thotë se vjen çdo ditë nga Plugu për të shitur ato pak produkte të bahçes së tij.

Fshatarë duke shitur në një nga rrugët e Fierit. Foto: Gëzim Hoxha
Fshatarë duke shitur në një nga rrugët e Fierit. Foto: Gëzim Hoxha

Tregu i Bashkisë

Për të hehur shitësit nga trotuaret Bashkia e Fierit ka ndërtuar një treg të ri fruta-perimesh në dalje të qytetit. Tregëtarët kanë sistemuar produktet e tyre dhe ambjenti duket i pastër, por mungojnë blerësit.

Ish-muratori Arben Zyka, 52 vjeç, prej një muaji ka tezgën e tij në tregun e ri. Ai na tregon se nuk e bën me qejf këtë punë, por është i detyruar. “Ndërtimi mbaroi! Nuk ka më punë.” Para se të hapej tregu i ri nga bashkia, së bashku me të shoqen shisnin në tregun lëvizës nëpër lagje të ndryshme të qytetit, por tani për ca të ardhura më tepër, ata janë ndarë në tregje të ndryshëm.  

Shefi i Policisë Bashkiake të Fierit Pëllumb Llakaj, thotë se shitësit ambulant janë sistemuar të gjithë në tregun e ri të frutave dhe të perimeve. Kur i tregon shqetësimin e tregëtarëve të licensuar për ata që shesin në trotuare, ai e pranon se edhe mund të ketë mbetur ndonjë tek tuk që shet rrugëve dhe trotuareve por nuk shikon tezga që zaptojnë trotuaret. “Bëhet fjalë për ndonjë fshatar që zbret nga fshati me 2 – 3 kile spinaq dhe ca kokrra vezë, i shet ato dhe ikën në shtëpi.”

E për t’i vërtetuar dhe kundërshtuar njëherësh fjalët e shefit të policisë bashkiake, nuk të duhet të bësh ndonjë gjë tjetër veç një shëtitje pas orës 18 në mbrëmje në rrugën Skënderbeu. Nuk është e vështirë të shikosh një dyzinë shitësash të cilët shesin në trotuar fruta, perime, telefona celularë, misra dhe fara të pjekura madje edhe peshq.

Tregu i ri në Fier. Foto: Gëzim Hoxha
Tregu i ri në Fier nuk frekuentohet nga qytetarët. Foto: Gëzim Hoxha

Mungesa e një vendi pune detyron shumë qytetarë të Fierit dhe nga zonat përreth të shesin në trotuaret e qytetit. Për Shërbimin Kombëtar të Punësimit çdo person që siguron një të ardhur është i punësuar.

Edlira Doko, drejtoresha e ktij shërbimi për qytetin e Fierit, thotë për Citizens Channel se “ata mund të quhen të vetëpunësuar dhe me shumë gjasë nuk figurojnë fare në listat tona të të papunëve. Nëse dikush që nuk kërkon shërbimin tonë për gjetjen e një pune por përshtatet në tregun e saj duke hapur ndonjë biznes të vogël apo vetëpunësohet në një biznes familjar, është i vetë përjashtuar. Ne e përfshijmë sërish këtë person në listat e të papunëve vetëm nëse ai kërkon ndihmë për gjetjen e një tjetër pune apo të një punë më të mirë”.

Autor: Gëzim Hoxha / Fier

Zhurma nga pompat e ujit të pijshëm, makth dhe rrezik për shëndetin e banorëve në katet e para

Zhurma e pompave të ujit është kthyer në makth për banorët që kanë apartamentet në katet e para në qytetin e Fierit. Pavarësisht ankesave tek ujësjellësi, polici apo bashkinë e Fierit, banorët vazhdojnë të jetojnë nën dhunën e zhurmave të pompave.

Selman Goxhaj është 74 vjeç. Ai jeton me të shoqen e sëmurë në katin e parë të një pallati të ndërtuar para viteve ’90 në lagjjen “29 Nëntori” në qytetin e Fierit. Që të dy vuajnë nga diabeti. Gruaja ka kaluar edhe një paralizë parciale që ia vështirëson së tepërmi lëvizjen. Nënë Ferideja shumicën e kohës e kalon në shtëpi, pa mundur të dalë.

Përveç hallit të madh që i ka zënë, atyre iu duhet të përballen edhe me zhurmën e pompave. “Kam 2 – 3 muaj që merrem me pompat. Ku s’kam shkuar, më ranë këmbët “, thotë Selmani për Citizens Channel. “Më shqetësojnë pamasë. Kam 11 pompa që ulërijnë gjithë ditën këtu tek dritarja”, tregon ai i dëshpëruar.

Ai rrëfen se ka bërë dhjetëra ankesa për këtë shqetësim. “Kam shkuar tek drejtori i rajonit, kam shkuar në polici. Madje kam folur në telefon edhe me kryetarin e Bashkisë, me Armando Subashi, i cili më tha që nuk mund të bënte asgjë pa mbaruar projekti i ujësjellësit.”

Të njëjtën gjë pohon edhe Asqeri Ruko, drejtor i rajonit nr.3 në Fier. “Për momentin nuk mund të bëhet asgjë, por me sa di pompat do të hiqen shumë shpejt.“ Por se kur, ai nuk di ta thotë.

Në Bashkinë e qytetit, roja nuk lejon askënd të hyjë. Megjithatë Citizens Channel arriti të kontaktojë me Neritan Boçovën, përgjegjës për informimin e qytetarëve në këtë institucion. “Projekti për rehabilitimin e ujësjellësit u zbatua nga firma Alb Star. Bashkia nuk ka informacion në lidhje me ecurinë e projektit. Ideja fillestare ishte që me rritjen e presionit të ujit do të hiqeshin edhe pompat. Madje do të ishin vetë banorët ata që do të kërkonin heqjen e tyre, apo vendosjen e pompave të përbashkëta. Alb Star nuk varet nga ne. Ata nuk i marrin fondet nga ne prandaj dhe nuk di ç’të them. Tek ne ata marrin leje vetëm për çarje rrugësh dhe hapje kanalesh”, sqaron ai, duke hequr përgjegjësinë nga Bashkia.

Tek ndërmarrja e Ujësjellësit, Vasil Marko, drejtor teknik i UKF- së, mesa duket është i vetmi optimist i kësaj situate që banorët i ka lodhur së tepërmi. Me një buzëqeshje në fytyrë, ai thotë se “projekti ka përfunduar dhe 70 % e pompave, edhe pse janë ende të instaluara, nuk shërbejnë më për furnizimin e banorëve me ujë të pijshëm”.

“Personalisht e kam hequr pompën dhe furnizohem me ujë të pijshëm pa ndihmën e saj. Projekti për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit ka përfunduar në disa lagjje si: “11 Janari”, “Apolonia”, “Kastrioti”, “Qënas”, “29 Nëntori”, “15 Tetori”,” Konferenca e Pezës”, “Kongresi i Përmetit”, një pjesë e Bishanakës si dhe dy fshatra: Levan dhe Frakull. Projekti parashikon rritjen e presionit me qëllim hedhjen e tij deri në 15 metra lartësi”, shprehet Marko.  

Sipas deklaratës së drejtorit Marko, të gjitha pallatet me lartësi deri në 5 kate do të funizohen me ujë të pijshëm pa ndihmën e pompave, pa përfshirë pallatet e reja shumëkatëshe. Por edhe ai nuk di të thotë një datë të saktë të heqjes së pompave.

“Nuk është parashikuar një datë fikse për fillimin e këtij operacioni. Por është planifikuar muaji tetor. Banorët do të njoftohen dhe nëse kërkojnë ndihmë për heqjen e tyre do t’iu dërgojmë hidraulikët tanë për këtë qëllim.”

Por kush do ta paguajë koston e heqjes së tyre? “Ajo do të paguhet nga vetë banorët, pasi ata janë edhe pronarët e tyre”, sqaron kreu teknik i UKF-së.

Pompa poshtë dritareve të banesave në katet e para në një lagje të Fierit. Foto: Gëzim Hoxha
Pompa poshtë dritareve të banesave në katet e para në një lagje të Fierit. Foto: Gëzim Hoxha / Citizens Channel

Të gjithë ankohen…

I moshuari Selman Goxhaj nuk është i vetmi që shqetësohet nga zhurma e pompave të ujit. Anxhela Demiraj, një tjetër banore e ardhur rishtazi në një prej pallateve të vjetër parafabrikat në lagjen “8 Shkurti” thotë për Citizens Channel se bezdiset shumë prej tyre.

Ata që vuajnë më së shumti janë banorët e kateve të para, aty ku zhurmat bëhen të papërballueshme. Por a janë këto zhurma të dëmshme për dëgjimin?

Mjeku specialist O.R.L. Kristaq Çaçi, thotë se “janë një sërë simptomash që dëshmojnë ndikimin e zhurmave në përgjithësi dhe të zhurmës të pompës në veçanti. Bëhet fjalë për dhimbjen e kokës, atë të zemrës, shkaktimin e stresit si dhe krijimin e gjendjes së ankthit. Ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj kësaj zhurme e dëmton seriozisht aparatin e dëgjimit”.

Të njëjtën gjë vërtetojnë edhe studimet psikologjike të dekadave të fundit. Ato kanë arritur në përfundimin se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj zhurmave mund të ndikojë në shëndetin psikologjik.

Psikologia Lediona Braho. Foto: Private Citizens Channel
Psikologia Lediona Braho. Foto: Private

Psikologia klinike Lediona Braho, thotë për Citizens Channel se “këto zhurma mund të ndikojnë në uljen e performancës gjatë kryerjes së një detyre a pune, probleme të gjumit, shqetësime emocionale e deri në probleme të shëndetit mendor. Efekti negativ rritet me rritjen e kohës që ne kalojmë gjatë këtij ekspozimi. Zhurma dëmton edhe fëmijët e vegjël dhe ky dëmtim mund të fillojë herët: që në fetus. Kur ndodhet në barkun e nënës fetusi i percepton dhe përgjigjet me lëvizje ndaj zhurmave që mund të jenë të pranishme në mjedis. Edhe më vonë ajo ndërhyn në procesin e të folurit dhe në mësimin e gjuhës”.

Në degën rajonale të agjencisë së mjedisit në Fier, Dhimitraq Bitri, një prej monitoruesve të Vlerësimit të Ndikimit të Mjedisit thotë se “kjo lloj zhurme, e cila konsiderohet ndotje akustike, godet në mënyrë të vazhdueshme njerëzit në tru duke i irrituar ata, sidomos ata persona të cilët janë më të ngarkuar emocionalisht apo psikologjikisht. Kur e pyet rreth masave që janë marrë rreth këtij fenomeni, ai thotë me buzën në gaz se “shumë flitet por asgjë nuk bëhet”.

Ndotje apo jo, dëmtuese apo jo, zhurma që shkaktohet nga pompat gjatë procesit të thithjes së ujit dhe ngjitjes për në katet e sipërme të pallateve të vjetra, është kthyer në një makth për banorët e kateve të para të tyre. Ata mezi presin që pompat të hiqen, pasi një jetë pa zhurmën e tyre do të ishte shumë herë më e mirë se kjo e tashmja. 

Autor: Gëzim Hoxha