Ka ndodhur këtu: Të rindërtosh jetën pas 10 viteve dhune

4411 raste të dhunës në familje të evidentuara nga Policia e Shtetit kishte në Shqipëri gjatë vitit 2018, nga to 3690 ishin gra dhe vajza duke përbërë 73.4% të numrit total.

Shkodra, një qytet me 114.219 banorë ka lëshuar gjithsej 193 urdhra mbrojtjeje të ndarë në: urdhra mbrojtjeje dhe urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje dhe vetëm në vitin 2018 në këtë qytet janë regjistruar 228 raste të divorceve si dhe 37 persona si dhunues në familje.

Citizens Channel shkoi në qytetin e Shkodrës dhe u takua me një nga gratë e dhunuara që jeton atje. Ajo ishte një nga viktimat e dhunës në familje, e dhunuar që nga java e parë e martesës nga ish-bashkëshorti i saj dhe në tentativë për t’u ri integruar në shoqëri dhe për të jetuar  një jetë normale pavarësisht viteve të vështira dhe të gjata të jetuara në dhunë dhe në kushte sociale shumë të vështira.

Ajo tregon për Citizens Channel se procesi i ri integrimit në shoqëri për të nuk është i lehtë.

” U largova, nuk isha më ajo si e dosha. Edhe tash….më ka marrë këtu te shoqata . Edhe kshu që vazhdoj të jetoj, domethënë jam me 2 fëmijë , shtëpi me qera, s’kam asnjë për me i kërkujna, vetëm ça më ndihmon familja jem . Po ça me prit dhe prej familjes se motra edhe baba e nana skanë ça ndihmojnë edhe vëllai se ata kanë nevojë me i ndihmu unë jo me më ndihmu mu . Edhe kështu që punoj nga pak.. Kështu e ka jeta..”, thotë ajo.

E dënuar të jetojë në një rreth dhune për vite, ajo tregon për Citizens Channel se kishte qenë pikërisht ajo që gjithmonë ka jetuar me shpresën se një ditë diçka do të ndryshonte.

“Domethënë, më ka… sa hejna që..ta shikosh njënin sy e kam me shenj..më ka ra me dorë dhe ma ka ça këtu synin..më ka ra në hundë..më ka ra ma ka thy dhëmbin. Domethënë shumë shumë gjëna. Më ka fut thonjtë në fyt deri sa kam ra përtok”.

“Më ka thënë” do të mbys krejt do të hedhi në det se ti ske të drejtë të më thush mu mos pi hashash se unë e kam pi që i vogël dhe kur sma ka nal familja jeme kush je ti që ma nal mu”, tregon ajo duke shpjeguar që episodet e dhunës ishin aq të shpeshta saqë ishin bërë “normale” për të.

Ajo tregon se kishte jetuar për rreth 10 vjet nën presionin e një personi të dhunshëm dhe që konsumonte drogë dhe arsyet pse komunikimet dhe debatet e tyre përfundonin në dhunë ishin nga më të ndryshmet por kryesisht për shkaqe xhelozie.

Pas 10 viteve dhunë psikologjike dhe shpirtërore ajo u shkëput nga dhunuesi i saj dhe jeton në një qytet të Shqipërisë, ku me ndihmën e një shoqate të specializuar, ajo po përpiqet që të rindërtojë jetën e saj nga fillimi dhe pse nuk duket të jetë e lehtë.

 

*Citizens Channel – Citizens Stories

*Ky projekt realizohet me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit

 

Trokit 7 herë për t’i shpëtuar dhunës

Si pjesë e ciklit “Pas Dyerve të Mbyllura”, Citizes Channel publikon  histori të grave që kanë qenë viktima të dhunës, duke rrëfyer hapin e guximshëm për të dalë nga martesat e dhunshme, përballjen me paragjykimet dhe stigmën e shoqërisë dhe vështirësitë që lindin nga mungesa e mbështetjes së institucioneve për ri-integrimin në shoqëri.

Çdo dy javë, një grua është vrarë si pasojë e dhunës në familje në 5 muajt e parë të vitit 2019.

Të dhënat tregojnë se dhuna ndaj grave dhe vajzave është një fenomen i përhapur në përmasa të frikshme në Shqipëri. Mentaliteti, zakonet dhe mungesa e një “shpëtimi” nga ana e institucioneve përgjegjëse, i detyrojnë gratë të jetojnë për vite të tëra nën rrethin e dhunës, që jo në pak raste ka përfunduar në krimin fatal të vrasjes.

Citizens Channel u takua me një nga këto gra. E martuar në moshë të re, nënë e dy fëmijëve, që të dy me probleme shëndetësore dhe fizike, ajo ishte viktimë e dhunës në familje për 15 vite me radhë.

“Familja ime ma dhanë dhe: kokën çafsh! Nuk…As më kanë ardhur në shtëpi, as…s’mbaj mend më. Nga 15 vjet që kam jetuar atje, vetëm një herë më kanë ardhur”, tregon ajo për Citizens Channel.

Ajo tregon se ishte pikërisht familja e saj e cila e kishte detyruar që të martohej për herë të dytë, pasi bashkëshorti i parë kishte ndërruar jetë. Dhuna që ajo përjetoi gjatë martesës së dytë ishte sistematike dhe e pamëshirshme.

“Atë e ngacmonte i vëllai, po t’i thonte i vëllai shko gjuje..ai do vinte dhe do gjunte…t’i thosh ai do vinte të të gjunte. Sdonte tja dinte se ke bërë gabim a ske bërë gabim. Direkt vinte të gjunte. Se ça ishte kjo e gjuajtura, spo e merrja vesh…Për çfarë? Po kshu du unë. Po qysh do ti? Më thuaj një arsye ti mua që dhe unë ta di. Pe ndonjë rrugë të keqe a pe diçka që nuk shkon, më thuaj ti mua që dhe unë ta pranoj dhunën.”, rrëfen L.K. me dhimbje kalvarin e vuajtjeve dhe të dhunës, aq absurd, saqë ndonjëherë as vet nuk e kuptonte arsyen pse ndodhte.

E gjendur para kësaj situate ajo vendos që të divorcohet.

“I thashë dhe mamit tim në atë kohë që do vija do bëja divorcin, më tha: merr dy kalamajtë dhe ik e mbytu në gjol”, ishte ky reagimi i nënës së saj në momentin kur ajo mori vendimin për t’u larguar nga agresori i cili ishte bashkëshorti i saj.

Pa mbështetje nga njëra familje dhe e dhunuar nga tjetra, asaj iu deshën vite të tëra përpjekeje dhe 7 denoncime që policia të merrte në konsideratë dhunën e ushtruar nga  ish-bashkëshorti.

Video/ Rrëfimi i plotë i 40 vjeçares L.K

Problemet që vijnë pas daljes nga rrethi i dhunës

Avokatja e qendrës Forumi i Gruas Elbasan Soela Kurti ,i tha Citizens Channel se koha e gjatë për marrjen e urdhrit të mbrojtjes për shkak të procedurave burokratike ka qenë pengesë në efektivitetin e këtij mekanizmi. Megjithatë së fundmi korniza ligjore që ndihmon gruan e cila është në cilësinë e viktimës së dhunës në familje është përmirësuar duke i dhënë kompetenca edhe komisarëve të policisë të lëshojnë urdhra mbrojtjeje për gratë e dhunuara në raste emergjence ose të dhunës ekstreme, urdhra që më pas verifikohen nga Gjykata e cila jep vendimin përfundimtar të saj.

Soela Kurti – Forumi i Gruas Elbasan

Mekanizmat institucionale ndihmues në këto raste janë: Policia, Koordinatori i dhunës në familje i cili është në çdo bashki si dhe shoqatat që iu vijnë në ndihmë këtyre rasteve.

Çështjet e pronësisë dhe strehimit

Problemi sipas avokates Kurti qëndron në fazën e mëvonshme, kur gruas i duhet të ri-integrohet në shoqëri. Problemet e një gruaje të dhunuar nuk marrin fund kur ajo del nga paragjykimet sociale me të cilat është rritur dhe vendos të denoncojë dhunuesin e saj, por kur ajo gjen një punë dhe strehim. Shumica e rasteve sipas avokates janë pa një banesë sepse edhe pse mund të kenë punuar gjithë jetën, shtëpia nuk është në emrin e tyre, por kryesisht janë shtëpi në emër të familjarëve të tjerë, shtëpi të vjetra, për rindërtimin e të cilave gratë mund të kenë kontribuuar, por këto kontribute janë shumë të vështira për t’u njohur nga institucionet vendimmarrëse.

Mungesa e detyrimeve ushqimore

Edhe në rastin konkret, 40 vjeccarja L.K., po përballet prej kohësh me vështirësitë ekonomike, e detyruar të kujdeset e vetme për fëmijët, pasi bashkëshorti nuk paguan detyrimin e pensionit ushqimor.
“Mospagimi prej vitesh i pensionit ushqimor. Ata kanë 4 vite që e kanë kryer divorcin dhe gjatë këtyre 4 viteve ai s’ka paguar asnjëherë pension ushqimor dhe është një shumë minimale është 5 mijë ketë të reja në muaj. Dhe fëmija tani është 16 vjeç dhe ato shpenzimet e tij vijnë duke u rritur”, tha Soela Kurti.

Dalja jashtë Shqipërie – “Jo pa prokurën e babait dhunues”

Shpesh gratë e divorcuara nuk kanë mundësi të krijojnë të ardhura në Shqipëri, duke u detyruar që të lëvizin jashtë vendit për të gjetur një punë. Nëse ato janë nëna me fëmijë të vegjël në moshë, e kanë shumë të vështirë të lëvizin, pasi ish-bashkëshortët shpesh për hakmarrje apo motivet të tjera, nuk pranojnë të nënshkruajë prokurën e cila lejon fëmijën të lëvizë jashtë vendit. Sipas avokates Kurti, kjo është një nga ndryshimet e reja që duhet të pësojë ligji që mbron gratë e divorcuara.

“Në ndryshimet e reja të ligjit mund të thuhet fare mirë që personi që është kujdestar për fëmijën, ai të kishte të drejtën edhe për kalimin jashtë shtetit. Në shumicën e rasteve është nëna kujdestare e fëmijës dhe asaj që në vendimin e zgjidhjes së martesës mund t’i parashikohet kjo gjë, duke shmangur këtë pjesën e debateve dhe mosmarrëveshjeve me ish-bashkëshortin. Ky është një problem që kanë shumica e grave pas divorcit “.

*Citizens Channel – Citizens Stories

*Ky projekt realizohet me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit

 

Një ditë në Ferras, aty ku përmbytja shkaktoi dëmet më të mëdha (Video)

 

250 familje u dëmtuan nga përmbytjet në fshatin Ferras të Fierit. Pas reshjeve të dendura të shiut banorët kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre. Ata kanë humbur pothuajse gjithçka.

Për më shumë ndiqni reportazhin e realizuar me banorët e Ferrasit.

Autor: E.Gj / Citizens Channel