Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nënshkruan kontratë bashkëpunimi me Partinë Demokratike

Në ambjentet e Teatrit Kombëtar u nënshkrua sot një kontratë bashkëpunimi midis Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe Partisë Demokratike së bashku me pjesën tjetër të opozitës. Kontrata u nënshkrua nga kreu i Partisë Demokratike dhe nga artisë e aktivistë të cilët kanë protestuar dhe kanë qëndruar përditë pranë Teatrit Kombëtar për ta ruajtur dhe mbrojtur atë nga “ligji special” i cili parashikon shembjen e tij dhe ndërtimin e një teatri të ri dhe modern.

“Unë nuk e nënshkruaj atë kontratë, nëse nuk e nënshkruan i gjithë populli që është këtu”, u shpreh regjisori Edmond Budina duke iu drejtuar Bashës gjatë takimit. Ai theksoi se ajo marrëveshje është një marrëveshje midis Bashës dhe qytetarëve.

Foto: Citizens Channel

Në këtë kontratë të nënshkruar gjatë ditës së sotme Basha zotohet se do të mbrojë godinën e Teatrit Kombëtar dhe se do të “reformojë” kulturën në aspektin cilësor dhe sasior, nëse do të jetë (kur të jetë) në krye të qeverisë.

“Jemi këtu falë këtij kontributit të jashtëzakonshëm qytetar. Ajo çfarë unë vlerësoj si protestues ka qënë profili qytetar i të gjitha krahëve, i protestuesve, i partive, dhe mbase është momenti më deçiziv në demokracinë shqiptare, që për herë të parë, qytetarët po bëhen vendimmarrës në demokraci”, tha regjisori Robert Budina gjatë fjalës së tij ditën e sotme.

 

Çfarë ndodhi dje?

Mëngjesin e ditës së djeshme forca të shumta të Policisë së Shtetit u paraqitën pranë Teatrit Kombëtar. Prezenca e tyre u shtua sidomos gjatë orëve të mbasdites, në të njëjtën kohë dhe prezenca e qytetarëve protestues për kauzën e Teatrit Kombëtar u shtua.

Protesta dhe konfrontimi me forcat e policisë nisi në orën 7 të mëngjesit dhe përfundoi rreth orës 10 të darkës kur forcat e policisë u larguan në mënyrë të pashpjegueshme nga Teatri Kombëtar dhe qytetarët protestues të penguar nga kordoni policor në hyrje të teatrit u bashkuan me artistët dhe qytetarët e tjerë të cilët ishin “ngujuar” prej disa orësh në brendësi të ambjenteve të teatrit.

Basha u shfaq 2 herë ditën e djeshme në Teatrin Kombëtar duke shprehur mbështetjen e tij e cila u materializua sot nëpërmjet kontratës së nënshkruar nga të dy palët.

 

Çfarë parashikon marrëveshja?

 

“Me vendosmërinë për të kontribuar në ndërtimin e një shteti të së drejtës, të një shoqërie demokratike që garanton liritë dhe të drejtat e njeriut, me një sistem politik që garanton llogaridhënien dhe kufizimin e pushtetit, deklarojmë me përgjegjësinë tonë publike ndërmarrjen e këtij subjekti”, u shpreh regjisori Kastriot Çipi gjatë leximit të kontratës të nënshkruar nga të dy palët.

Kontrata e nënshkruar është e ndarë në disa pjesë kryesore, në radhë të parë lidhur me Teatrin Kombëtar, në radhë të dytë lidhur me masat për të garantuar demokracinë funksionale, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik si dhe lidhur me  nevojën për një Reformë të vërtetë në art dhe kulturë.

Në këtë kontratë në nënshkruar Partia Demokratike zotohet se do të mbështesë Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit në veprimet e saj në mbrojtje të Teatrit Kombëtar dhe se do të restaurojë kompleksin “Skanderbeg” në muajin e parë të qeverisjes së saj, duke hedhur poshtë gjithashtu dhe “ligjin special”.

 

Kontrata e plotë:

 

Historitë pas tre godinave kulturore që rrezikojnë të shemben me vullnetin e qeverisë

Në tubimin e organizuar ditën e shtunë Kryeministri Rama, ndërkohë që po prezantonte ri-kandidimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, mbajti disa qëndrime mbi tre nga institucionet kryesore të artit në Tiranë: Teatrin Kombëtar, Teatrin të Kukullave dhe Bibliotekën Kombëtare.

Dy nga këto godina, ajo e Teatrit Kombëtar dhe Bibiotekës, aktualisht janë në një gjendje fizike të tillë e cila nuk i lejon që të zhvillohen aktivitetet kulturore dhe edukuese.

“Rrënimi i Bibliotekës Kombëtare”

Citizens Channel në shtator të vitit 2018 nëpërmjet një investigimi raportoi se në Bibliotekën Kombëtare jo vetëm që nuk ishin zhvilluar projekte rikonstruktimi për godinën, por ajo gjendjej shumë pranë rrezikut të shembjes. Disa muaj më vonë kjo gjë u artikulua edhe nga Kryeministri Rama.

Raporti i Institutit të Ndërtimit, tregonte një gjendje të mjerueshme fizike të këtij institucioni.

Lexo edhe:

Pas Teatrit Kombëtar, a është radha e Bibliotekës Kombëtare?

Pse kishte nevojë Biblioteka Kombëtare për rikonstruksion?

Në një hark kohor shumë të shkurtër, kjo godinë u përball me dy sulme natyrore: zjarr dhe përmbytje. Zjarri i cili preku katin e nëndheshëm në këtë godinë në vitin 2017 dhe përmbytja nga rreshjet e shiut në qershor të vitit 2018. Shkak i këtyre “fatkeqësive” ishte dëmtimi i rreth 15.000 njësive të librave.

Këto ngjarje treguan se Biblioteka është shumë e brishtë ndaj faktorëve të jashtën, por edhe se në këtë godinë nuk ka pasur investime serioze prej vitesh.

Prej kohësh Biblioteka nuk e ofron shërbimin e saj kryesor, atë të ofrimit të librave për qytetarët. Ende nuk ka asnjë sqarim pse biblioteka operon prej muajsh me “shërbim të kufizuar” dhe librat e materialet mund të përdoren vetëm brenda ambienteve të saj.

“Çfarë po ndodh me Teatrin Kombëtar”

Çështja e Teatrit Kombëtar ka qenë në diskutim prej shumë vitesh, Kryeministri Rama ka synuar ta prishë dhe ta zëvendësojë atë me një të ri që në kohën kur ka qenë Ministër i Kulturës. Atëherë hasi në një rezistencë të fortë nga artistët.Të njëjtët artistë, janë ata të cilët prej më shumë se një viti po protestojnë kundër planit të qeverisë Rama për ta prishur këtë godinë dhe për ta zëvendësuar atë me një të re.

Lexo edhe:

Beteja për Teatrin vazhdon

Protesta drejt Kryeministrisë dhe Presidencës për të kërkuar tërheqjen e ligjit të Teatrit Kombëtar

 

Citizens Channel e ka raportuar vazhdimisht mbi rrugën e gjatë të këtij pretendimi. Artistë, intelektualë e qytetarë, janë duke protestuar tek sheshi i Teatrit Kombëtar çdo ditë, ndërkohë që veprimtaria e këtij institucioni është zhvendosur në hapësirën “ArtTurbina”.

I kontaktuar nga Citizens Channel për të komentuar deklaratën e Kryeministrit, regjisori Robert Budina, njëkohësisht dhe anëtar i “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”, u shpreh: “Janë deklarata dëshpërimi, sepse fakti që u vetëofrua dhe Kryetari i Bashkisë në luftën për shembjen e teatrit do të thotë që Kryeministri e humbi luftën me teatrin, por jo vetëm; do të konsumojë dhe Kryetarin e Bashkisë dhe do ta djegë politikisht. Me një gur vriten dy zocka politike. Me një fjalë u përdor një kongres i tërë për të siguruar veten e tyre që do të shembin teatrin, por ky do të shënojë fundin e tyre politik.”

“Çfarë e pret Teatrin e Kukullave?”

Teatri i Kukullave ka qenë Parlamenti i parë shqiptar dhe është një nga institucionet më të rëndësishme për fëmijët e Kryeqytetit.

Exit.al  raportoi se në këtë godinë në vitin  2015, Kryeministri miratoi vendimin me objekt “Leje ndërtimi për rikonstruksionin qendrës kombëtare të kulturës për fëmijët/ Teatri i kukullave dhe Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike”.

I gjithë investimi në këtë godinë në total kapi shifrën e rreth 230 mijë euro.

Në rastin e Teatrit Kombëtar dhe Bibliotekës Kombëtare u përdor argumenti i vjetërsisë së së gordinës dhe nevojës për ndryshime rrënjësore, por Teatri i Kukullave provon të kundërtën, duke i hedhur poshtë pretendimet për dy godinat e para.

*Citizens Channel

 

 

8 Marsi i 2019: “Protesta e Zisë” në përkujtim të viktimave të dhunës

Qindra aktivistë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe rrjeteve të mbrojtjes së gruas marshuan sot në “Protestën e Zisë” në përkujtim të viktimave gra të dhunës, por edhe për t’u dhënë zë atyre të cilat ndihen të pafuqishme.

Fillimi i vitit 2019 ka qenë i përgjakur, duke shënuar deri më tani 8 vajza e gra të vrara nga njerëzit e familjes. Protesta nisi në orën 11:00 para Drejtorisë së Policisë ku vajza, gra, aktivistë dhe qytetarë u mblodhën me pankarta në dorë duke u bërë thirrje institucioneve se duhet një reagim më i fortë për t’i dhënë fund këtij realiteti të dhunshëm dhe për t’u bërë thirrje të gjithë atyre grave që janë duke përjetuar dhunë, se nuk duhet të heshtin më.

Më pas protesta u zhvendos rrugëve të Tiranës, me thirrjet e herëpashershme të qytetarëve e aktivistëve “nuk duam lule, duam të drejta” për të mbërritur para Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e cila në këto muaj nuk ka dalë me asnjë qëndrim për jetët e grave te humbura.

Në deklaratën publike të organizatave të cilat morën pjesë dhe organizuan protestën kërkohet t’i bëhet thirrje shoqërisë se kundër dhunës e abuzimit duhet të jenë të gjithë, burra, gra, vajza e djem.

“Ne kërkojmë që sistemi i mbrojtjes të jetë funksional në Shqipëri për çdo individ!

Ne kërkojmë mos neglizhim të asnjë çështjeje që ka lidhje me dhunën në familje apo abuzimin seksual!

Ne kërkojmë vënien përpara drejtësisë së dhunuesve dhe trajtim të detyrueshëm terapeutik për secilin prej tyre!

Ne kërkojmë rritje të aksesit të grave ndaj shërbimeve që janë të disponueshme për to!

Ne kërkojmë që dinjiteti njerëzor i vajzave dhe i grave shqiptare të mos cenohet më!”

“U quajt protesta e zisë, por duhet te jemi të qartë që kurrsesi nuk është viktimizuese. 2019, për ne nisi me 8 gra të vrava, ky është realiteti jonë. Ne sot jemi këtu për të bërë një homazh për gratë e vrara, por sigurisht edhe për të folur. Gratë në shoqërinë shqiptare janë të lindura ta pabarabarta, Ne jetojmë në një realitet ku sot në shumë krahina akoma gjuhet me pushkë thjesht për faktin që lindi djalë. Që këtu fillon pabarazia. Duhet të punojmë dyfish, të sakrifikojmë dyfish, të strapacohemi dyfish thjesht dhe vetëm për faktin që jemi grua. Pavarësisht se ne mund të jemi të arsimuara , të afta, në qoftë se ne hyjmë të konkurrojmë në një punë bashkangjitur me një burrë ne për vetë faktin që jemi gra, anatemohemi”. u shpreh Rozela Ziu, aktiviste e të drejtave të njeriut.

Protesta nuk u zhvillua vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit. Vlora, Durrësi, Kukësi, Saranda, Rrësheni, Pogradeci, Fushë Kruja, Shkodra dhe Peshkopia iu bashkuan protestës duke u veshur me të zeza në simbolikë të jetëve të grave të humbura dhe të realitetit të grave shqiptare.

Protesta në Vlorë

Në qytetin e Vlorës qytetarët dhe aktivistët u mblodhën për t’i thënë mjaft dhunës ndaj grave dhe se 8 mars duhet të jetë cdo ditë.

Protesta në Durrës

Qyteti i Durrësit i është bashkuar Protestës së Zisë me pankarta të shumta të cilat mbanin thirrje për ndalimin e dhunës ndaj grave dhe marrjes së jetës së tyre.

Protesta në Shkodër

Në qytetin e Shkodrës, marshimi ka nisur përgjatë pedonales, për të përfunduar përpara bashkisë Shkodër, ku janë mbajtur edhe fjalime nga pjesëmarrësit.

Protesta në Sarandë

Gra, vajza dhe aktivistë të Sarandës kanë marshuar në pedonalen e qytetit ku janë shprehur se progresi për gruan është progres për të gjithë shoqërinë.

Protesta në Peshkopi

Gratë dhe vajzat e qytetit të Peshkopisë kanë refuzuar të festojë vetëm një ditë dhe në vend të luleve kanë kërkuar më shumë të drejta.

Protesta në Kukës

Të rejat e Kukësit, gjatë marshimit të tyre me anë të pankartave theksuan se dhuna nuk ka asnjëherë justifikim.

Kjo është hera e parë pas kaq vitesh që Tirana dhe qytetet e tjera ngrihen në protesta ditën e 8 Marsit, pasi çdo vit vendi i është lënë festimeve.

Dhuna gjatë vitit 2018 në shifra

3690 ose 73.4% e numrit total të viktimave të dhunës gjatë 2018 kanë qenë gra/vajza ndërsa 1343 ose 26.6% janë burra.

Gjatë vitit 2018 janë evidentuar 148 raste të shkeljeve të Urdhrave të Mbrojtjes, ose 19 raste më shu7më se gjatë vitit 2017, ku u evidentuan 129 raste.

Gjatë vitit 2018 kanë ndodhur 11 vrasje ne familje, 20 viktima kanë humbur jetën.

Viktimat gra/vajza janë bashkëshorte, motra, kunata, nena, bija dhe numri i madh i tyre tregon qartë ndikimin gjinor të dhunës.

 

*Citizens Channel /E.K/

Fushat e mbeturinave në Durrës, gangrena e qytetarëve dhe sfida e institucioneve

Autor: Geri Emiri | Citizens Channel

Vendgrumbullimi i Porto-Romanos gjendet në veri të qytetit të Durrësit dhe përbën sot shqetësimin më të madh mjedisor për banorët e qytetit, për shkak të djegies pa ndërprerje të mbeturinave përgjatë 24 orëve.

Fusha me mbeturina gjendet rreth 4 kilometra larg qytetit, në një sipërfaqe rreth 80.000 m2,  mbushur me mbeturina urbane, inerte, mbetje të rrezikshme dhe kafshë të ngordhura.

Këshilli Bashkiak i Durrësit shpalli më 11 korrik 2018, gjendjen e emergjencës mjedisore, si pasojë e situatës problematike me mbetjet në të gjithë vendgrumbullimet e bashkisë Durrës. Ajo ja delegoi kështu qeverisë qendrore zgjidhjen e problemit të saj shumë vjeçar. Në muajin qershor kryeministri njoftoi se vendgrumbullimi do të mbyllet, duke u shndërruar në park.

Protestat për rehabilitimin e vendgrumbullimit kanë qenë të shumta ndër vite, duke kulmuar në  nëntor, me protestën e studentëve të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, që kërkuan mbylljen e vendgrumbullimit të Porto-Romanos dhe ndalimin e djegies së mbeturinave. Një ditë më pas banorët e Sukthit bllokuan rrugën Kullë-Sukth, duke kërkuar zhvendosjen e vendgrumbullimit të mbetjeve që gjendet pranë banesave në Sukth.
Foto: Studentët e UAM në protestat kundër ndotjes nga mbetjet

Ndërhyrjet e kohëve të fundit nga Shërbimi Zjarrfikës dhe bashkia Durrës ka sjellë shuarjen e vatrave të mbeturinave që digjeshin prej vitesh dhe po bëhet sistemimi i tyre, deri në momentin e mbylljes së vendgrumbullimit të Porto-Romanos, kur bashkia dhe qeveria të vendosin për koston e transportit në landfillin e Tiranës.

Menaxhimi i vendgrumbullimeve të mbetjeve, sfida e humbur e pushtetit vendor

Në Planin Lokal të Menaxhimit të Mbetjeve për bashkinë e Durrësit 2010-2025”, analizohet se qyteti i depoziton mbetjet e tij në të vetmen fushë plehrash në Porto-Romano, që është vend hedhje për nga standardet, e cila është hapur që në fillim të viteve’ 90 dhe ishte parashikuar të kishte jetëgjatësi për 25 vite (deri në vitin 2015).

Për njohësin e mbetjeve të ngurta, Xhemal Mato, vendgrumbullimi i Porto-Romanos është jashtë çdo standardi, pa rrethim, kafshët përdorin ujin e ndotur për të pirë, e më tej këto ujëra  derdhen në det, duke ndikuar edhe tek bota ujore, për të cilën gjithashtu nuk ka studime për nivelin e ndotjes.

Por bashkia Durrës nuk zbatoi rekomandimin e këtij dokumenti të hartuar nga ajo, duke e lënë të hapur e jashtë kushteve teknike dhe higjeno-sanitare vend hedhjen e Porto-Romanos. Pas vitit 2015, në bashkinë e re të Durrësi mbledhja dhe depozitimi i mbeturinave urbane bëhet nga dy ndërmarrje publike pastrimi (në varësi të bashkisë) dhe një kompani private (në Ishëm).

Bashkia Durrës ka përgatitur Planin Lokal të Menaxhimit të Mbetjeve, por “ende nuk e ka miratuar në Këshillin Bashkiak Durrës”, mësoi nga bashkia Citizens Channel, nëpërmjet një Kërkese për të Drejtë Informimi.

Mesatarisht, një familje në qytetin e Durrësit prodhon rreth 2 ton mbetje në vit ose 5.5 kg mbetje në ditë, sipas llogaritjeve në “Strategjinë e Zhvillimit Territorial 2015-2030”. Në Bashkinë Durrës nuk ka grumbullim të diferencuar të mbeturinave, për ato të zakonshme dhe të ndërtimit.   Pasi kryhet mbledhja e mbeturinave, hidhen në vendgrumbullimin e Porto-Romanos, duke u djegur pa masa paraprake. Kjo është një procedurë e dëmshme për shkak të emetimit të gazit helmues si dhe përbën rrezikshmëri të lartë për ndotjen e ujërave nëntokësore.

Ky problem shfaqet edhe në vendgrumbullimet e mbeturinave në 4 Njësitë Administrative Manëz, Sukth dhe Ishëm. Ndërsa mbeturinat e dy njësive administrative, Rrashbull dhe Katund i Ri, depozitohen në Porto-Romano.

Emergjenca Mjedisore dhe zgjidhjet e mundshme

Bashkia Durrës ka njoftuar zyrtarisht se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për ndërtimin e një landfilli për mbeturinat. Në këto kushte Këshilli Bashkiak i Durrësit shpalli më 11 korrik 2018, gjendjen e emergjencës mjedisore, duke marrë votat e të gjithë këshilltarëve, pavarësisht rezervave të tyre mbi zgjidhjen e situatës.

Pak orë pas protestës së studentëve, kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, reagoi në profilin e tij në Facebook, duke shkruar se i është kërkuar qeverisë dhe shoqërisë koncesionare në Tiranë të marrë në konsideratë spostimin e mbetjeve të Porto-Romanos për në Tiranë dhe trajtimin e tyre.

“Të hënën më datë 29.10.2018 u mblodh Komiteti i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve për shpalljen e gjendjes së Emergjencës Mjedisore. Aktualisht po analizohen kostot e kryerjes së transportit, përkatësisht kostot që do të mbulojë Bashkia dhe ato që do të mbulojë Qeveria”, shkruante Dako.

Njohësit e fushës së mbetjeve në Shqipëri, e shohin me skepticizëm transportimin e mbetjeve nga Durrësi në Tiranë. “Jam kundër transportit të mbetjeve nga Durrësi për në Tiranë, pasi kjo nuk është zgjidhje dhe ka rrezik të dështojë”, shprehet ambientalisti Lavdosh Ferruni.

Studentët që protestuan për mbylljen e vendgrumbullimit të mbeturinave në Porto-Romano, kërkuan një zgjidhje të shpejtë të problemit, që qëllim shmangien e ndikimeve shëndetësore të djegies së mbeturinave.

Vijimi i rrethimit me tel të vendgrumbullimit të Porto Romanos – Foto: Geri Emiri

Ndërmarrja e Shërbimit Komunal në bashkinë Durrës që prej dekadash e ka lënë në të njëjtën gjendje vendgrumbullimin e Porto-Romanos, pas protestës së studentëve ka nisur ngjeshjen e mbeturinave në vendgrumbullim, rrethimin me tel dhe caktimin e rojeve me tre turne.

“Është vendosur trau që ndalon hyrjen e personave të paautorizuar në vendgrubmullim. Këto janë masat paraprake, përpara nisjes së transportimit në Tiranë të mbeturinave dhe krijimit të parkut në fushën e mbetjeve. Aktualisht po diskutohen kostot e transportit”, u bë me dije nga Ndërmarrja e Shërbimit Komunal, për Citizens Channel.

Aksioni i bashkisë erdhi pas urdhërit të parë të ministrit të ri të brendshëm, Sandër Lleshi, që me të marrë detyrën kërkoi ndërhyrjen e strukturave policore dhe atyre në varësi për të mbajtur nën kontroll situatën e djegies së mbetjeve urbane në qytete si Durrësi. Pas shumë vitesh në Porto-Romano u shfaq Shërbimi Zjarrfikës Durrës, që në bashkëpunim me ato të portit punuan për rreth 4 ditë me qëllim shuarjen e vatrave të mbeturinave që digjeshin prej vitesh.

Djegia e mbeturinave përpara shuarjes së zjarrit nga shërbimi zjarrfikës/ Foto: Geri Emiri

Një ditë pas protestës së studentëve, banorët e Sukthit bllokuan rrugën Kullë-Sukth, duke kërkuar zhvendosjen e vendgrumbullimit të mbetjeve që gjendet pranë banesave në Sukth.

“Në Sukth është ndërprerë hedhja e mbeturinave dhe po depozitohen në Porto-Romano. Po ashtu po punohet që ky si vendgrumbullim të mbyllet për shkak se është pranë vendbanimeve”, mësuam zyrtarisht nga Ndërmarrja e Shërbimit Komunal.

Në qershor të vitit 2018 kryeministri Edi Rama dhe kyebashkiaku Vangjush Dako vizituan vendgrumbullimin e mbeturinave në Porto-Romano. Kryeministri Rama premtoi se ky problem do të zgjidhet brenda 18 mujave, duke e kthyer këtë zonë në park.

Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako gjatë vizitës në Porto Romano _ Qershor 2018
Udhëtimi i mbeturinave në Tiranë, lë papunë familjet e varfra!
Banorët fusin kafshët për tu ushqyer në vendgrumbullimin e Porto Romanos/ Foto: Geri Emiri

Nga vëzhgimi ynë në fushën e mbeturinave në Porto-Romano, punojnë të paktën mbi 50 persona çdo ditë. Ata grumbullojnë në mënyrë të paautorizuar materiale plastike, hekurishte dhe kartona. Futja e tyre dhe e kafshëve që ushqehen në vendgrumbullim vijon, megjithëse prania e bashkisë është shtuar kohët e fundit.

Duke mos pranuar të identifikohen, një pjesë e banorëve që banojnë 200 metra larg vendgrumbullimit, tregojnë se kanë pranuar të “bashkëjetojnë me vdekjen” për shkak se aty punojnë familjarisht, duke siguruar të ardhura nga mbledhja e materialeve të riciklueshme.

Të kapur pas kamionëve që sjellin mbeturina në vendgrumbullim, vijnë herë pas here të mitur. Pasi mbarojnë shkollën, tregojnë se vijnë të punojnë për disa orë këtu, për të ndihmuar familjet. Të njëjtën punë bëjnë edhe prindërit e tyre, të cilët punojnë edhe përgjatë natës duke mbledhur mbetje.

Mbyllja e vendgrumbullimit më të madh në bashkinë Durrës do t’i lejë ata “të papunë”! Bashkia dhe qeveria po negociojnë për kostot e transportit të mbetjeve për në Landfillin e Sharrës, ku po ndërtohet një incinerator për djegien e tyre. Ndërtimi i një landfili në Durrës, ku mund të diferencoheshin mbetjet dhe të ndiqeshin politikat ricikluese që Bashkimi Europian po i mëshon prej vitesh ndaj Shqipërisë, do të krijonte vende pune për shumë familje.

Një studim i mbështetur nga Banka Botërore vite më parë, ka përcaktuar ndërtimin e një landfilli bashkëkohor rajonal për Qarkun e Durrësit, në fshatin Radë, Njësia Administrative Manzë. Më datë 18 nëntor 2014, ministria e Mjedisit së bashku me ninistrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, njoftuan hapjen e thirrjes për oferta për dhënien me koncesion të “Landfillit për Qarkun e Durrësit”.

“Një proces i ri ka filluar për ndërtimin e landfillit të ri sanitar, në një sipërfaqe prej 15 Ha. Ky shërbim do të mbulojë të gjithë territorin e bashkisë Durrës dhe do të krijojë mundësinë e hapjes së 1500 vendeve të reja të punës, kostoja e tij është parashikuar 6.5 milion euro”, shkruhet në “Analizën dhe Vlerësimin e Territorit” të bashkisë Durrës. Pas verifikimeve të Citizens Channel ky proces ka ndaluar dhe lëvizjet e fundit bashki-qeveri do të ofrojnë transportin e mbeturinave në landfillin e Sharrës.

*Citizens Channel

Asambleja e FHF vendos për bojkot dhe vazhdim të grevës

Asambleja e Stafit Akademik të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, në mbledhjen e sotme vendosi të vazhdojë bojkotin edhe këtë javë. Ndërsa në javët në vazhdim, një ditë në javë është vendosur të jetë grevë nga ana e pedagogëve deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ku më kryesorja është kërkesa për anulimin e ligjit e arsimit të lartë.

Dekani i fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Sabri Laçi u shpreh se :  “Qëllimi i kësaj proteste të vijueshme do të jetë ndërgjegjësimi i të gjithë opinionit për të gjithë problematikën e gjerë që ka arsimi i lartë në republikën e Shqipërisë. Për të gjitha ato tema të cilat janë përmendur, trajtuar nga profesorati dhe pse jo edhe nga ju gazetarët dhe institucionet e tjera. Të gjithë janë të preokupuar për zgjidhje Ne presim zgjidhje nga qeveria për pjesën e vet, dhe shprehim angazhimin tonë për të zgjidhur të gjithë problematikën që gjendet në duart tona. “

Për sa i përket rregullimit të orareve mësimore, greva e pedagogëve do të vazhdojë për një ditë çdo javë.

“Kjo javë është javë proteste në mjediset e fakultetit. Ne do ta përvijojmë këtë formë proteste në javët që vijnë, një ditë në javë, jo në të njëjtën ditë. Të hënën e javës së ardhshme , të martën pas dy javësh e me radhë dhe do të vijojë deri sa të kemi gjetur përgjigje për problemet që kemi shtruar lidhur me autonominë universitare, respektimin e lirive akademike, respektimin e universitetit, me zgjidhjen e të gjtha problemeve të tjera që ngërthen ligji i arsimit të lartë që është në fuqi. Nuk ka një predispozicion të shprehur nga institucionet qeverisëse, për të ndërhyrë për ndryshime thelbësore që kemi kërkuar në ligjin e arsimit të lartë.”

Sot në ambientet e fakultetit të Historisë dhe Filologjisë pati edhe tensione mes studentëve të cilët kërkonin vijimin  mësimit dhe atyre që vazhdojnë bojkotin.

Sipas dekanit Laçi, ky vendim është marrë vetëm për pjesën e stafit akademik, pasi studentët kanë protestën e tyre dhe u takon atyre të vendosin për vijimësinë e saj.

“Studentët kanë protestën e tyre, kjo ishte mbledhja e asamblesë së stafit akademik. Studentët janë të ndarë, ka një pjesë të studentëve që vazhdojnë me këmbëngulje protestën, duke protestuar në forma qytetare, ka dhe një grup studentësh që janë nëpër shtëpija dhe mësa duket nuk munden ta përballojnë jetën në tiranë. Presin një zgjidhje përfundimtare, por zgjidhja për studentët duhet të vijë prej tyre.“

Situata në fakultetet e tjera 

Në fakultetin e Shkencave sociale bojkoti vazhdon i mbështetur edhe nga pedagogët, si rezultat i vendimit të Asamblesë së tyre për të mos vazhduar mësimin deri në plotësimin e kërkesave nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve.

Diskutimet dhe ligjërimet kanë vazhduar me studentë dhe të ftuar. Pjesë e ligjërimeve, disa ditë më parë u bë edhe kreu i Vetëvendosjes së Kosovës, Albin Kurti.


Ndërkohë në këtë fakultet ka pasur dhe demonstrime kundërshtuese nga studentët në drejtim të dekanit të këtij fakultetit Edmond Rapti pasi bëri thirrje për rikthim në mësim.

 

Edhe në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, një grup studentësh vazhdojnë të bojkotojnë mësimin, ndërkohë që pjesa tjetër ka kërkuar vazhdimin  mësimit. Studentët bojkotues kanë mbyllur derën e universitetit, por ka qenë rektori i universitetit i cili ka bërë të mundur së bashku me punonjësit  sigurisë të fusin brenda studentët që kanë dashur të futen në mësim. Kjo ka sjellë pakënaqësi te studentët protestues të cilët nuk kanë hezituar ti thërrasin rektorit “roje”.

Tryeza e Komisionit për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik 

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot një seancë dëgjimore me rektorët e Universiteteve Publike për situatën në të cilën ndodhet sot universiteti publik. Gjatë fjalës së tij në këtë Komision, rektori i Universiteti të Tiranës, Mynyr Koni u shpreh i mbështet të gjitha vendimet e Asambleve të Stafit Pedagogjik të Universitetit të Tiranës.

“Unë personalisht si Rektor i Universitetit të Tiranës, të gjithë qëndrimet e Asambleve i mbështes plotësisht në kërkesat e tyre që kanë, i kemi diskutuar dhe jemi në pritje të vijueshmërisë së situatës së caktuar. Kërkesat e Asambleve të njësive kryesore kanë marrë në analizë situatën konkrete që solli kjo protestë e studentëve dhe janë shprehur me qëndrimet përkatëse. “

Rektori Koni, shprehu edhe shqetësimin e tij për buxhetin e akorduar për universitetet dhe për doktoraturat në veçanti.

“Universiteti i Tiranës ka një buxhet shumë të vogël për pagat që mbulohej me tarifat e studentëve dhe kam kërkuar në këtë komision që të mbulohet 100% nga buxheti i shtetit. Kam kërkuar dhe rritjen e buxhetit për kërkimin shkencor për shkak të hapjes së shkollës së Doktoraturës. Kërkimi shkencor lë për të dëshiruar për shkak të mungesës së një fondi të caktuar. Ajo që është më e rëndësishme po cënohet cikli i tretë i studimeve për shkak se ligji i ri ka përcaktuar që Doktoraturat zhvillohen në kuadër të një projekti kërkimor që duhet të financohet nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Teknologjisë së Informacionit. Aktualisht nuk kemi pasur asnjë lloj thirrje për të aplikuar në këtë projekt, kjo ka bërë të pamundur zhvillimin e ciklit të tretë të Doktoraturës, jemi në emergjencë të plotë të këtij procesi.”

 

*Citizens Channel /E.K/

 

 

 

Pedagogët e UT: Asnjë marrëveshje nga takimi me Ministren e Arsimit

Pedagogë të Universitetit të Tiranës kanë zhvilluar sot një takim me ministren e Arsimit dhe Sporteve, Besa Shahini, në ambientet e ministrisë. Ky takim është mbajtur në ditën kur mbaronte edhe ultimatumi i vendosur nga asambletë e fakulteteve për një përgjigje nga ana e ministrisë.

Pas takimit, në një prononcim për mediat, ata u shprehën se mbledhja nuk pati rezultat dhe nuk u arrit asnjë marrëveshje mes pedagogëve dhe ministrisë. Pedagogu Mark Marku u shpreh : “Ne biseduam për gjendjen në universitet dhe i qëndruam bisedave rreth kërkesave që takimi i asambleve të fakulteteve të Tiranës ka parashtruar para ministres. Nuk pati një qëndrim konkret nga ana e ministres së arsimit, nuk u shpreh gjatë takimit për asnjërën nga kërkesat. Tentoi ta çojë diskutimin drejt një diskutimi jo rezultativ në funksion të kërkesave, kështu që ne e konsiderojmë nga ana jonë si një mos përgjigje ndaj kërkesave.”

Duke qenë në këtë situatë, pedagogët u shprehën se do t’i lenë afat ministres së Arsimit dhe Sportit deri në darkë për një qëndrim konkret. Nëse nuk do të ketë një qëndrim, pedagogu Mark Marku u shpreh se do të mblidhen sërish asambletë e fakulteteve për të diskutuar dhe për të marrë vendimin se si do të procedohet më tej.

“Presim deri në darkë nëse ministrja do të ketë një përgjigje konkrete pastaj ne do të mbledhim asambletë dhe do të marrim një qëndrim për këtë mos reagim të ministres. Nëse s’do të ketë një qëndrim nga ministrja, do ta konsiderojmë si një refuzim të kërkesave tona dhe pastaj do t’i drejtohemi trupës akademike për të mbajtur një qëndrim.”

I pyetur për mundësinë e nisjes së një greve, pedagogu Mark Marku tha se ky vendim u takon për t’u marrë nga të gjithë kolegët pedagogë dhe se brenda dy tre ditëve pedagogët do të kenë qëndrimin e tyre zyrtar.

Kujtojmë që data 1 shkurt u vendos në mbledhjen e asambleve të fakulteteve të universitetit të Tiranës si afati i fundit që ministria kishte për t’u përgjigjur kërkesave të pedagogëve. Vendimi i dalë nga mbledhja e asambleve të fakulteteve të Tiranës  shprehu mbështetjen e studentëve, kundër ligjit për arsimin e lartë, rritjen e buxhetit për arsimin dhe shfuqizimin e vendimeve të fundit të miratuara nga Këshilli i Ministrave.

Pas komunikimit me median të përfaqësuesve të Asambleve të Stafit Akademik, ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Besa Shahini ka dalë në një deklaratë për shtyp. Ministrja i ka cilësuar bojkotet dhe ultimatumet e vendosura si të panevojshme në këtë situatë.

“Unë nuk besoj që bojkoti dhe ultimatumet janë mjetet e nevojshme në këtë periudhë  kur e gjithë vëmendja jonë është tek arsimi i lartë dhe kemi filluar një proces të mirëfilltë të dialogut.”

Gjatë fjalës së mbajtur para mediave, ministrja Shahini përgëzoi pedagogët për aktivizimin e asambleve të tyre duke i konsideruar këto asamble si mjaft të rëndësishme për përfshirjen e pedagogëve në diskutime për zgjidhjen e cështjeve të tyre.

“Unë mendoj fuqishëm se në mënyrë që të ecim para fuqizimi i strukturave ekzistuese demokratike nëpër universitete është mënyra më e mirë për përfshirjen e pedagogëve në diskutim dhe zgjidhjen e disa çështjeve që ata me të drejtë nënvizojnë, por adresa e zgjidhjes nuk është gjithmonë këtu, por që është shpeshherë universiteti.”

Për sa i përket marrëveshjes së arritur me pedagogët gjatë takimit të sotëm, ministrja u shpreh se nuk pati një dakordësim mes dy palëve, por kjo është normale.

“Me pedagogët ndamë disa mendime të ndryshme por ama e bindur që kemi një qëllim të përbashkët që është përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë në Shqipëri. Edhe pse nuk u dakortësuam në fund, por unë mendoj që kjo është krejt normale. Ishte një takim që gjithsesi shërbeu për të shuar një sërë keqkuptimesh që disa prej pedagogëve kishin për paktin për universitetin.”

Ndërkohë ministrja Shahini u shpreh e gatshme për të vijuar diskutimet dhe për t’i dëgjuar të gjithë pedagogët, por njëkohësisht edhe do të vazhdojë të udhëheqë. Ajo e konsideroi Paktin për Universitetin një dokument mjaft të rëndësishëm i cili do të shërbejë më vonë si një kontratë mes qeverisë, stafeve akademike dhe studentëve.  Kështu që u bën thirrje të gjithëve studentëve dhe pedagogëve për t’u bërë pjesë e sugjerimeve për ta përmirësuar këtë dokument.

Studentët vazhdojnë bojkotin në disa fakultete

Ndërkohë në Universitetin e Tiranës, disa fakultete vazhdojnë të bojkotojnë mësimin. Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë kanë ndjekur axhendën e tyre të ligjërimeve dhe diskutimeve në hollin e godinës me të ftuar dhe pedagogë.


Ndërsa në Fakultetin e Drejtësisë studentët që kanë dashur të zhvillojnë mësim i kanë bërë një kërkesë dekanit te fakultetit Artan Hoxha për krijimin e kushteve për të zhvilluar mësimin. Për këtë arsye, studentët që kanë lënë bojkotin janë zhvendosur për të kryer mësimin në ambientet e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, në oraret e pasdites.

 

 

*Citizens Channel /e.k./

Protesta: Ballkani nuk pranon të japë lumenjtë për HEC-e

Rreth 5000 njerëz dolën në rrugë një javë më parë në Serbi në një protestë për të mbrojtur lumenjtë e vendit për shkak se është planifikuar ndërtimi i qindra hidrocentraleve në to. Më shumë se 850 hidrocentrale janë planifikuar të ndërtohen në Serbi ndërkohë që 200 prej tyre do të jenë brenda zonave të mbrojtura të natyrës si Parqe Kombëtare ose Parqe Natyrore.

Me banera si “Nuk jua japim lumenjtë tanë”, “Shpëtoni ujin tonë” turma protestoi para qeverisë në Beograd.  Organizatorët, nga i gjithë vendi, kërkuan ndalimin e çdo projekti që parashikon ndërtimin e hidrocentraleve, veçanërisht atyre që konsiderohen hidrocentrale të vegjël. Mesatarisht 95% e e projekteve të planifikuar për t’u ndërtuar në Serbi janë hidrocentrale të vegjël dhe janë kryesisht me turbina të instaluara deri në 10 mega wat fuqi. Në këto lloj hidrocentralesh uji zakonisht shkon nëpërmjet tubave duke i tharë pothuajse lumenjtë dhe përrenjtë.

Debatet për Parkun Natyror Stara Planina, një zonë e mbrojtur në kufi me Bullgarinë, u bënë të ditura në të gjithë Serbinë. Pavarësisht statusit të zonës së mbrojtur, autoritetet siguruan një leje për ndërtimin e 60 hidrocentraleve të vegjël. Kjo çoi në një rezistencë të madhe. Megjithëse dy hidrocentrale të vegjël u ndërtuan, 57 të tjerët nuk u ndërtuan për shkak të rezistencës në vend. Së fundmi Gjykata Administrative anuloi lejet për këto projekte.

Çdo herë dhe më shumë njerëzit në Ballkan janë duke mbështetur çështjet e natyrës. “Gratë e forta të Kruscica-s” në Bosnjë dhe Heregovinë bllokuan aksesin në një urë për rreth 500 ditë dhe net për shkak të ndërtimit të një hidrocentrali. Në fundin e vitit të kaluar rezistenca e tyre u shpërblye për shkak se gjykata vendosi se lejet e dhëna për ndërtimin e dy hidrocentraleve të vegjël ishin dhënë në mënyrë të paligjshme.

“Populli i Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit janë të ngopur me politikanët dhe sistemet korruptive duke vjedhur lumenjtë dhe ujin e tyre dhe pastaj duke e shitur atë si mbrojtje klimatike. Protesta në Beograd ishte shumë motivuese për të gjithë ata që advokojnë për mbrojtjen e lumenjve në Ballkan. Zemra Blu e Evropës rreh mes Sllovenisë dhe Greqisë, duke pritur lumenjtë më të rëndësishëm dhe biodiversitetin më unik në kontinent. Megjithatë 3,000 projekte hidroenergjetike të planifikuara e vënë të gjithë rajonin në rrezik “, thotë Ulrich Eichelmann nga Riverwatch.

Tiranë, protesta për mbrojtjen e Kanionit të Holtës dhe Parkut Kombëtar të Zagorisë

Një javë më parë, edhe në Tiranë u zhvillua protestë nga aktivistë, qytetarë dhe ambientalistë. Të mbledhur në sheshin Skënderbej ata kundërshtuan projektet që kërcënojnë natyrën në Kanionin e Holtës dhe në Parkun Kombëtar të Zagorisë.

Në Kanionin e Holtës, i cili ka mirëpritur turistë nga vendi dhe jo vetëm,kanë nisur punimet për ndërtimin e një Hidrocentrali. Ndërsa në Parkun Kombëtar të Zagorisë, kompania holandeze Shell, do të nisë në pranverën e këtij viti gërmimet për gjetjen e rezervave të naftës. Këto zona janë pasuri kombëtare me vlera natyrore dhe kulturore si dhe me një shumëllojshmëri të faunës dhe florës.

Një nga pjesëmarrësit e protestës së organizuar për Holtën dhe Zagorinë është shprehur : “Duke ndaluar prishjen e Kanionit të Holtës ne do të ndalojmë edhe kush guxon të kërkojë të ndërtojë HEC-e edhe në Osum edhe në Nivicë.”

Thirrje për solidarizim dhe bashkim për mbrojtjen e zonave të mbrojtura kanë shprehur edhe aktivistë të tjerë: “Ne nuk jemi kundër zhvillimeve, kundër kërkimeve për naftë, apo ndërtimeve për energji elektrike. Por duhet t’i bëjmë pyetje vetes së pari se ku shkon kjo energji elektrike? Pse ne jemi akoma në kusht mesjete? Jemi vendi që kemi çmimin më të lartë të naftës si në rajon si në Europë.”

Protesta u zhvendos pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ku qytetarët kërkuan zbatimin e ligjit për zonat e mbrojtura dhe veprime konkrete në mbrojtje të tyre. Marshimi vazhdoi drejt Ministrisë së Infrastrukturës ku u përsëritën kërkesat e tyre për ruajtjen e natyrës, për t’a mbyllur më pas përpara Kryeministrisë.

“Kjo që ne po kërkojmë është një e drejtë që garantohet me ligj. Ligji për zonat e mbrojtura është i qartë.”


Pas reagimit qytetar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në një deklaratë për shtyp u shpreh se procesi i ndërtimit të HEC-eve jo vetëm për Kanionin e Holtës, por edhe në të gjithë vendin do të pezullohen dhe do të kalojnë në një proces verifikimi.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh: “Kam vendosur ngrirjen e të gjitha konkratave jo operative deri në daljen e raportit të skanimit të tyre. Po ashtu do të bashkërendojmë me Ministrinë e Turizmit dhe te Mjedisit për një qasje ligjore dhe administrative të integruar në mënyrë që të mos përsëriten më situata ligjërisht të pa atakueshme, por faktikisht të papranueshme siç është rasti i fundit në Gramsh.” 

Por kjo deklaratë nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nuk garanton anulimin e plotë të HEC-eve. Për këtë arsye qytetarët, aktivistët dhe ambjentalistët, kanë bërë thirrje për t’u mbledhur sërish më datë 9 shkurt në orën 12, në Tiranë për të protestuar për mbrojtjen e lumenjve, parqeve Kombëtare dhe çdo pasurie natyrore e cila rrezikohet.

“Të shpëtojmë natyrën është detyrë qytetare dhe kombëtare. Nga jugu në veri dhe lindje, Shqipërisë po i cënohet jeta e qindra shqiptarëve si rezultat i këtyre projekteve korruptive, mafioze dhe abuzive. Holta-Valbona-Zagoria-Vjosa-Shebenik-Jabllanic, Gryka e Vanave dhe Kanioni Shejes në Bicaj të Kukësit, Seta dhe Çidhna në Dibër, Urak dhe Fan në Mirdite, Kanioni Osumit, guroret në Tomorr, guroret në Sotirë-Kolonjë, Kanionet e Nivicës, lumi Cem Tamar-Kelmend etj”

Citizens Channel /L.K/ /E.K/

 

 

 

 

Asambleja e Gjeologjikut i jep 15 ditë kohë qeverisë për t’i rikthyer godinën

Asambleja e Personelit Akademik të Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave në mbledhjen e saj të parë ka dalë në mbështetje të protestës së studentëve dhe ka kërkuar mbi të gjitha anulimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM), e cila e lë Fakultetin e Gjeologji Minierave pa godinë. Nëse ky vendim i Këshillit të Ministrave (vkm) nuk shfuqizohet brenda 15 ditëve, pedagogët kanë paralajmëruar bojkot pa afat.

Pedagogët e Fakultetit Gjeologji Miniera në vendimin e tyre të bërë tashmë publik, kanë kërkuar edhe anulim apo ndryshim rrënjësor të ligjit për Arsimin e Lartë si dhe kanë përshëndetur propozimin e Asambleve të Personelit Akademik të Fakulteteve të tjera për një takim koordinues mes përfaqësuesve të stafeve akademike.

T’i kërkohet Qeverisë shfuqizimi i VKM-së datë 5.11.2014 “Për kalimin në përgjegjësi administrimi, të objektit “Fakulteti I Gjeologjisë dhe Minierave”, Tiranë, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit/Universiteti Politeknik I Tiranës, tek Ministria e Drejtësisë, për Gjykatën e Lartë, për arsyet se:

  1. Kjo VKM përbën një precedent të rrezikshëm për të tjetërsuar të gjitha godinat e Universiteteve Publike;
  2. Kjo VKM është bërë pengesë për të realizuar të gjitha investimet e nevojshme për zhvillimin funksional të aktivitetit mësimor e kërkimor-shkencor në FGJM.

Anulimi i VKM-së të bëhet brenda një periudhe kohe prej 15 ditësh, në të kundërt Stafi akademik do të kalojë në Bojkot , deri në plotësimin e kërkesave. “

Vendimi i Asamblesë së Personelit Akademik të Fakultetit të Gjeologji-Minierave

Burimi: Për Universitetin

 

Sot është duke u zhvilluar mbledhja e Asamblesë së Personelit Akademik në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ndërkohë studentët e këtij fakulteti u kanë bërë thirrje pedagogeve me anë të një letre të mbështesin kërkesat e tyre.

“Të nderuar pedagoge dhe pedagogë!

Ne, studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, si dhjetëra mijëra studentë anembanë Shqipërisë, kemi mbi një muaj që protestojmë dhe bojkotojmë për të drejta bazike dhe për një universitet më të mirë.

Sot është një ditë historike në marrëdhëniet pedagogë-studentë. Disa asamble pedagogësh kanë dalë hapur pro studentëve dhe të tjera priten të solidarizohen me studentët në këto orë dhe ditë.

Do ta lartësonit figurën e pedagogut nëse sot shpreheni qartë dhe me zë të plotë pro kërkesave dhe protestës sonë, si dhe kundër ligjit të arsimit të lartë që po na e pamundëson universitetin.

Ne kemi besim të madh te ju.

Mos na zhgënjeni! Mos na tradhtoni!”

Letra e studentëve të FSHN-së drejtuar pedagogëve Burimi: Për Universitetin

Bojkoti vazhdon edhe sot në fakultetin e Drejtësisë, të Shkencave Sociale, të Historisë dhe Filologjisë, të Gjuhëve të Huaja, të Shkencave të Natyrës dhe Gjeologji Minierave.

Diskutimet, ligjërimet dhe aktivitetet janë tashmë pjesë aktive e axhendës ditore në këto fakultete.

Bojkotit i janë bashkuar edhe studentët e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” Ata e kanë kaluar edhe natën në ambjentet e universitetit.

Burimi: Për Universitetin

Orët e fundit, një grup studentësh kanë marshuar drejt Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, ku në kor kanë kërkuar anulimin e ligjit të Arsimit të Lartë.

Burimi: Universiteti.info

Ata kanë paralajmëruar se ditën e nesërme, të enjten, më 24 janar, në orën 10:00 do të protestojnë para parlamentit për një arsim cilësor dhe plotësim të 8 kërkesave.

Burimi: Universiteti.info

*Citizens Channel /E.K/

Protesta; Pedagogët mbështesin studentët, marrin kritikat e Kryeministrit

Protesta studentore ka filluar të marrë mbështetjen e pedagogëve. Në mbledhjen e Asamblesë pedagogët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, kanë deklaruar se ditën e hënë do të dalin në protestë në mbështetje të studentëve.

Më herët në mbështetje të studentëve ishin edhe pedagogët e Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës si dhe pedagogët e Fakultetit të  Shkencave Politike Juridike në “Durrës.

Deklaratë e pedagogëve të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës

Në deklaratat e tyre pedagogët kërkojnë rrëzimin e Ligjit për Arsimin e Lartë si dhe shprehen të shqetësuar edhe për VKM-të të cilat cenojnë autonominë universitare dhe të gjitha aktet nënligjore të miratuara së fundmi nga Këshilli i Ministrave.

Deklaratë e Asamblesë së Stafit Akademik të Shkencave Politike Juridike të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës

 

Çfarë është Asambleja e Fakultetit.

Sipas Ligjit  Nr. 80/2015 Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë, neni 36, organet dhe autoritetet drejtuese në institucionet e arsimit të lartë janë :

Organi më i lartë drejtues akademik është Senati Akademik. Organe të tjera akademike janë asambleja e personelit akademik dhe komisionet e përhershme.

Asambleja e personelit akademik përbëhet nga personeli akademik me kohë të plotë i njësive kryesore. Pra, Asambleja është organi që zgjedh çdo drejtues të fakulteteve. Asambleja e personelit akademik mund të ushtrojë edhe kompetenca të tjera, sipas përcaktimeve në statutin e institucionit të arsimit të lartë

Si funksionon Asambleja

Asambleja e personelit akademik të njësisë kryesore në institucionet e arsimit të lartë ka këto funksione:

a) zgjedh rektorin e institucionit në institucionet publike të arsimit të lartë.

b) zgjedh anëtarët e Senatit Akademik në institucionet publike të arsimit të lartë

c) zgjedh drejtuesin e njësisë kryesore në institucionet publike të arsimit të lartë;

ç) krijon dhe zgjedh anëtarët e komisioneve të përhershme të njësisë kryesore.

Ndërkohë Kryeministri Rama iu është kundërvënë pedagogëve gjatë takimit për prezantimin e Paktit për Universitetin, ku i kritikoi kritikoi ata duke thënë se problem nuk janë studentët e ngujuar, por pedagogët të cilët nuk bëjnë mësim edhe nëse në auditore është i pranishëm një student i vetëm.

Nuk e kam për debat fare, në këtë pikë nuk mund të jemi peng, peng qeverinë nuk keni për ta marrë dot, duke bërë presion, duke u fshehur, duke mos shkuar në mësim, duke bërë sikur nuk kuptoni, etj. Ne dimë vetëm kaq, duam qe ky proces të ndodhë, si do ndodhë, nuk ka rëndësi, as ca thotë VKM, as Dokumenti, parimisht na thoni, duam apo nuk duam. Nëse duam, urdhëro ku jeni, bëni propozimet dhe jemi dakord ta bëni ju gjithë procesin, nuk ka punë qeveria me veting akademik. Duhet ta kishit bere ju, këtu nuk duam polemika dhe asnjë problem. Thjesht duam te shihemi ne sy, direkt dhe te flasim drejtpërdrejt. Atë qe themi ta bëjmë dhe atë që bëjmë ta themi.”

*Citizens Channel /E.K./

Të drejtat e njeriut “nën sulm serioz”

Një raport tregon se më shumë se gjysma e shteteve përdorin censurën, ngacmimet ose dhunën për të shtypur debatin publik.

Bazuar në një raport të ri i cili paralajmëron për një rritje të shtypjes rreth globit; pothuajse 6 shtete nga 10 janë duke shtypur seriozisht lirinë e njerëzve.Në raport thuhet se ka pak ose aspak vend për aktivizëm në vende si Eritrea apo Siria dhe gjithashtu ka shenja serioze në vendet ku demokracia konsiderohet e stabilizuar, si:  Franca, Shtetet e Bashkuara, Hungaria dhe India.

Raporti nga “Civicus Monitor” që është një aleancë e grupeve civile, zbuloi se të drejtat themelore si liria e shprehjes dhe mbledhjet paqësore ishin nën sulm në 111 shtete nga 196 të mara në studim.

U zbulua gjithashtu se shtetet kishin filluar të miratonin ligje shtypëse dhe përdornin teknologjinë e re për të kontrolluar debatin publik. Në Kinë censura duke përdorur teknologjinë e re kishte kapur nivele të paprecedentë që kur presidenti Xi Jinping erdhi në fuqi, paralajmëron raporti.

Cathal Giblert, studiues tek “Civicus” tha se masa të tilla janë vetëm maja e ajsbergut, duke pasur parasysh që ka më shumë shtete që përdorin ngacmimet dhe dhunën.

“Masat si sulmi ndaj gazetarëve dhe rrahja e protestuesve janë më të përhapura”, tha ai.

“Këto taktika përdoren në mënyrë cinike për të krijuar një efekt dekurajimi dhe për të ndaluar qytetarët të flasin ose të bëhen qytetarë aktivë”.

Midis shteteve të listuara si problematike ishte edhe Republika Demokratike e Kongos ku autoritetet ndaluan zërat protestues që shoqëruan krizën politike që filloi në vitin 2015, dhe Guatemala ku të paktën 20 mbrojtës të të drejtave të njeriut u vranë gjatë vitit 2018.Raporti gjithashtu ngriti shqetësime për ligjet shtypëse në Bangladesh dhe në Francë.

Në Francë, disa nga kompetencat e përkohshme emergjente të futura pas sulmeve terroriste të vitit 2015 janë bërë të përhershme, duke rritur kompetencat policore të arrestimit, paraburgimit dhe mbikëqyrjes. Fuqitë e tilla, siç paralajmëroi raporti, janë përdorur për të targetuar aktivistët mjedisorë dhe grupet e shoqërisë civile muslimane.


Fotografët në Bangladesh kërkojnë lirimin e fotografit dhe aktivistit Shahidul Alam në Dhaka. Ai u lirua më vonë. Fotografia: Monirul Alam / EPA

Në Lindjen e Mesme, Arabia Saudite u identifikua si një vend shqetësues, për shkak të arrestimeve të figurave fetare dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut gjatë vitit të kaluar, duke përfshirë gratë që kishin bërë fushatë për të drejtën për të ngarë makinën.

Globalisht, gratë aktiviste kanë më shumë gjasa të jenë të targetuara, sipas “Civicus”.

Në përgjithësi, kushtet për grupet e shoqërisë civile u përkeqësuan në nëntë vende që nga marsi i vitit 2018. Por hapësira e shoqërisë civile u rrit në shtatë vende të tjera, përfshirë këtu edhe  Etiopinë, që Gilbert tha ishte një shenjë e “asaj që është e mundur kur është e pranishme vullneti politik”.

“Kjo duhet të inkurajojë ata që kërkojnë ndryshime në vendet represive,” shtoi ai. “Duke hequr kufizimet dhe duke mbrojtur hapësirën qytetare, vendet mund të shfrytëzojnë potencialin e vërtetë të shoqërisë civile dhe të përshpejtojnë përparimin në një gamë të gjerë  frontesh”

Burimi: The Guardian

Përktheu dhe përshtati: Citizens Channel/FS