Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Biznesi familjar rigjallëron Dardhën

Afër një sobe të dërguar nga Amerika këtu e 130 vjet më parë, i zoti i një bujtine na servir çaj mali në Dardhë. Është e pamundur të mos dëgjosh në Dardhë biseda për gjyshërit e dardharëve të emigruar kohë më parë në kontinentin tjetër. Sikurse ështe e pamundur të mos gjesh në mure fotografi të afërmish dhe të të parëve që kanë lënë Shqipërinë kohë më parë. Teksa të hedh në filxhan pak mjaltë vendi, Ilir Deli kujton çfarë ai ruan me fanatizëm nga e kaluara, sikurse veprojnë edhe dardharët e tjerë. “Soba erdhi e çmontuar atëhere këtu se nuk kishte transport dhe njerëzit e kanë ngritur me kafshë. Pastaj u montua nga fillimi. Më janë lutur që ta shes edhe personazhe të njohur e politikanë, por nuk kam pranuar. Jo vetëm sepse e kam kujtim por sepse është e rrallë dhe i ka rezistuar kohërave.”

Kur i hyri biznesit Iliri nuk e kishte menduar se do të lidhej kaq shumë me Dardhën, këtë fshat në juglindje të Korçës që në një ditë dhjetori, pa dëborë por me temperatura në minus, udhëtimi të zgjat 40 minuta. “E bleva tokën më shumë se dhjetë vjet më parë, ishte shumë lirë. Tani të blesh tokë në Dardhë kushton duke nisur nga më e pakta 50 euro metri katror. E fillova për shtëpi të thjeshtë që të jetoja sa herë vija nga Korça. Por njerëzit vinin nga rrethe të ndryshme, uleshin rreth sobës me dru, filluan kërkonin kafe, çaj, pastaj ushqim fshati dhe unë pak nga pak fillova të shtoja dicka në kuzhina. Solla tavolina e kështu me radhë, derisa ndërtova dy kate.”

Katin e parë të ndërtesës Iliri e përdor si kafene kuzhinë dhe si një kënd ku mund të bësh biseda shtëpie për vështirësitë që po has për të siguruar ushqime bio apo për ta mbajtur biznesin në këmbë jo vetëm ditët e fundjavës por edhe gjatë javës, atëherë kur bie ritmi. Mjaltin e blen nga një fshatar i zonës. Aty të shërbehen ushqime të zonës sikurse llukaniku, kukurec, djath fshati apo saganaq. Kur në fundjavë në bujtinën e tij zbarkojnë më shumë se çduhet turistë ai kërkon ndihmën e një gruaje të fshatit për t’i gatuar lakrorin në saç.

Në varësi të numrit të dhomave të rezervuara janë vendosur edhe çmimet që variojnë nga 500 lekë deri në 7500 lekë. Tanimë që e ka kthyer në një biznes, Iliri tregon se vështirësia më e madhe është sigurimi i vizitorëve edhe gjatë ditëve të javës. Sepse më së shumti ata që e synojnë për ta vizituar bëjnë prenotime për fundjavën. Çmimet në kuzhinë vijojnë të jenë të njëjta, me përjashtim të lakrorit që nga 1 mijë lekë ka shkuar 1200 lekë për shkak se llogaritet edhe puna e kuzhinieres që e gatuan ekstra.

Por për Ligor Tollkon, 62 vjeç, dimri është një kohë e artë gjatë të cilit ai punësohet jo vetëm me dhenien me qira të banesës së tij. Ai kujdeset edhe gjashtë shtëpi të tjera të dardharëve, të cilët nuk jetojnë në fshat.

Ligori thotë se turisët i gjejnë banesat që i përdorin për të fjetur përmes internetit ose me një mënyre shqiptare. Çdo klient i kënaqur nga kushtet e shtëpive i tregon dikujt tjetër dhe kështu zinxhiri i turistëve funksionon për bukuri.

Dardha është një fshat ku gdhendja e gurit është punimi i parë që të bie ne sy. Rrugët e shtruara me kalldrëm dhe muret e sistemuara të krijojnë idenë e një fshati të vizatuar nga një arkitekt i vetëm. Përveç vilave me çati ku nuk mungojnë edhe shtëpitë dimërore të disa biznesmeneve të njohur, disa politikanëve dhe njerëzve të medias, në çdo fund rruge prania e krojeve të shumta është një nga veçantitë e fshatit.

Dardha është vendosur në shpatet e malit Moravë në një lartësi 1300 metra mbi nivelin e detit. Tabela treguese tregon se është themeluar rreth gjysmës së parë të shekullit të 17-të, ndërkohë që është e njohur për traditën historike dhe etnografike.

“Emigrant” në Dardhë

Por ndërsa shtëpitë e pritjes të ofrojnë edhe traditën e reçelit vendas, në hotelet dhe restorantet e fshatit një pjesë e të punësuarve, si kamarierët apo kuzhinierët vijnë nga Korça ose nga fshatrat përreth. Dhe pikërisht fluksi i turistëve që shënon rritje gjatë kohës së dëborës dhe në pranvere i shtohen edhe punëtorët sezonalë.

Nazif Isa ka udhëtuar nga Opari dhe është gdhendës guri. Me të dëgjuar i kishin treguar se në Dardhë dikush interesohej për punëtor si ai. Per murin që gdhend paguhet 25 mijë lek të vjetra metri katror. Dhe thotë se është i kënaqur pasi sipas tij të gjesh punë është e vështirë dhe ai parashikon që këtë dimër do ta kalojë në Dardhë. Aty ku banorët të tregojnë se nuk duhet të largohesh pa pirë ujë në krua, një legjendë kjo që tregon se kushdo që pi ujin e krojeve të Dardhës do dëshirojë gjithmonë të kthehet në çdo stinë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *