Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Reporterët pa Kufij: Shqipëria ka probleme të theksuara me lirinë e medias

Liria e medias në Shqipëri vazhdon të jetë larg standarteve të vendeve të Bashkimit Europian. Në Indeksin mbi Lirinë e Medias për vitin 2016 të publikuar nga organizata ndërkombëtare Reporters Without Borders (Reporterët pa Kufij) vendi ynë renditet në vendin e 82-të, nga 180 vende të marra në studim.

Pavarësisht se është renditur në të njëjtin pozicion si për vitin 2015, Shqipëria ka marrë 1,15 pikë më shumë, çka do të thotë një regres të lehtë. Në hartën e botës Shqipëria paraqitet me ngjyrën portokalli të theksuar, që tregon se vendi ka probleme të theksuara me lirinë e medias.

Në komentin e shkurtër për gjendjen e medias në Shqipëri, në faqen e Reporterëve pa Kufij thuhet se rruga për në Bashkimin Europian është e gjatë. Lira e medias është një nga kriteret kryesore të antarësimit në Bashkimin Europian. “Ne kemi bërë gabim me Rumaninë dhe Bullgarinë që i pranuam me problemet me shtypin e lirë dhe sot është e pamundur për t’i rregulluar”, thoshte në një intervistë në janar të vitit 2012 për Deutsche Welle, Olivier Basille, Shefi i Marrdhënieve me Institucionet Europiane pranë Reporterëve pa Kufij.

Më tej në raport thuhet se Shqipëria mund të bëjë më mirë dhe kjo gjë sipas ekspertëve të BE-së arrihet me një implementim më të mirë të legjislacionit që garanton lirinë e shprehjes.

Raporti ndalet edhe tek aksesi i medias në informacionet shtetërore: “Pavarësisht ligjeve për lirinë e informacionit të adoptuar në 1999 dhe 2014, aksesi në informacionet shtetërore vazhdon të jetë i limituar dhe autoriteti rregullues i transmetimeve audiovizive, AMA, është i politizuar.”

Kosova

Liria e shprehjes në Kosovë është përkeqësuar, pasi ka rënë me tre pozicione në vendin e 90-të. “Të gjitha simptomat më të këqija ballkanase gjenden në Kosovë. Mediat e këtij vendi vuajnë nga ndërhyrjet politike direkte dhe indirekte, presioni financiar dhe pronësi e përqëndruar. Gazetarët të cilët kritikojnë autoritetet kosovare shpesh akuzohen si “tradhëtarë” apo “mbështetës të serbëve”. Mediat që nuk ndjekin linjën qeveritare mund të bëhen subjekte intimidimi në formë financiare apo kontrolle tatimore.”

Mbi Indeksin

Për të pestin vit me radhë në vend të parë në indeksin e Reporterëve pa Kufij renditet Finlanda, në vend të dytë Holanda dhe në vend të tretë Norvegjia. Ndërsa në tre vendet e fundit renditen Turkmenistani, Korea e Veriut dhe Eritrea.

Indeksi i lirisë së medias në botë vlerësohet në bazë të këtyre kritereve: pluralizmi, pavarësia e medias, vetë-censura e gazetarëve, legjislacioni, transparenca e institucioneve shtetërore, infrastruktura e prodhimit të informacionit dhe abuzimi. Këtu mund të shikoni raportin e plotë të Reporterëve pa Kufij mbi lirinë e medias në botë. 

Autor: Amarildo Topi

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *