Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Letër nga Shqipëria: Përse dua të largohem

Nga Alan Andoni*

I dashur Alan,

Me të drejtë, më pyet pse unë, një profesioniste e suksesshme, me punë të mirë, me një bashkëshort, i cili punon në një kompani të mirë, dhe jeton në një apartament të vogël, por të rehatshëm, e prapë dua të largohem nga Shqipëria.

Vështroj tim bir, që vizaton gëzueshëm.

Është djalë i mençur, me mendje kureshtare. I pëlqen t’i ndihmojë të tjerët. Ajo kokë plot me pyetje e fut në telashe me mësuesit, që e shohin si kundërshtim ndaj autoritetit të tyre. Do të doja të kishte mundësi të mësonte nga një sistem arsimor i qendrueshëm, që i jep atij aftësitë e analizës kritike për të konkuruar denjësisht me bashkëmoshatarët e tij ne vendet e zhvilluara. Do të doja të rritej i dashur dhe i gjindshëm, por pa iu dukur si dobësi tek të tjerët. Në kulturën tonë, meshkujt nuk duhet të jenë të butë. E mësojnë këtë që në këndin e lojërave.

Ai përpiqet shumë, por kjo nuk mjafton. Mësuesit presin edhe ndonjë shpërblim monetar gjatë provimeve, përndryshe ai nuk ka mundësi të kalojë. Madje, vetë mësuesja mund ta ketë përfituar punën nëpërmjet ndonjë pagese ndaj shefit, dhe nuk i dihet nëse edhe vetë ai e ka gjetur punën në të njëjtën mënyrë. Në ditët e sotme, ky profesion ka tërhequr pikërisht ata që nuk janë të interesuar të jenë mësues dhe nuk duan të japin mësim. Kjo është fyerje ndaj atyre që kanë vërtetë dëshirë të madhe ta bëjnë.

Por kjo nuk është më e keqja. Çfarë vërtet më prek mua është që vlerat e ndershmërisë dhe dinjitetit, jo vetëm nuk mësohen, por shihen si pengesë për të mbijetuar. Prindërit e shokëve të tij janë të ndërgjegjshëm për këtë, prandaj i ushqejnë e i trajnojnë që të luftojnë për të marrë atë që duan, pa pyetur për të tjerët përreth.

Ai ndez televizorin dhe shikon politikanë, model sjelljeje për të, që shajnë njëri-tjetrin dhe sillen si fëmijë të llastuar kur nuk u del e vetja. Ai do të hasë fëmijët e e tyre, që ngasin makina të shpejta dhe marrin diploma e punë thjesht me rryshfet. Vlerat e punës së palodhur nuk vlerësohen sepse këta “modele sjelljeje” ia kanë dalë të krijojnë të mira materiale pa punuar ndershmërisht. Ata që nuk i kanë arritur këto, e kalojnë kohën duke pirë kafe, duke bërë thashetheme për njëri-tjetrin dhe duke ricikluar të njëjtat lajme, që zakonisht vijnë nga media të kontrolluara nga partitë e mëdha, të cilat vijojnë me sharjet e fyerjet. Nuk do të doja që fëmija im të rritej në këtë mjedis.

Sikurse unë, ai do të gjejë një punë të mirë. Por, ashtu si unë, ai është këmbëngulës, pra do të përqendrohet ta kryejë mirë punën, edhe nëse kjo do të thotë të bëjë punën e dembelëve të tjerë (ndoshta, sepse ata e gjetën atë punë nëpërmjet një “miku”, kësisoj, e dinë se e kanë të sigurtë). Ashtu qoftë! Ai duhet të jetë i përgatitur, si unë, që të trajtohet si naiv ngaqë punon fort. Do t’i duhet të ndrydhë inteligjencën e tij natyrore sapo shefi ta shohë si kërcënim.

Do të doja të jetonte në një shtet ku paguhen taksat dhe ato përdoren për vendin. Ai mund të mos jetë i lumtur që ato para të përdoren për armatime, por të paktën e di që nuk do të kthehen në motorë uji, vila ose makina për të birin e dikujt. Do të doja që ta dinte taksat shkojnë për paga të denja, që atij të mos i duhet t’i japë rryshfet mjekut a policit. Do të doja që taksat të shkonin për makinerinë e veshkave, që do t’i shpëtonte jetën gjyshes së tij, ose do të riparonin gropën në rrugë, që i ati të mos dëmtohet. Kjo është shumë më mirë se të paguante orën Rolex ose kostumin e shtrenjtë të dikujt, i cili nuk e meriton. Do të doja që të mësonte se nëse shkon në gjykatë për një mosmarrëveshje, gjyqtari do ta marrë vendimin, bazuar në meritat e palëve, jo në numrin e zerove në kartëmonedha.

Doja të qendroja dhe ta ndryshoja sistemin së brendshmi, por nuk ia dal dot e vetme. E di që shqiptarët kanë prirjen të votojnë për politikanin që u premton vende pune. Ndoshta, nuk u ve dot faj, por natyrisht mund të fajësoj ata politikanë që i shohin punët në administratë, jo si pozicione përgjegjësie që u jepen kandidatëve që e meritojnë, por si ndere që shpërndahen për të shlyer borxhet morale, njësoj si mbretërit u dhuronin tituj miqve të tyre në shekullin XVI në Europë, ose si një ministër despot ofron punë në Afrikën e shekullit të XXI. E teksa të rinjve pa përvojë u jepen punë me përgjegjësi pas zgjedhjeve dhe dalin rregulla të reja sepse ato të vjetrat “ishin bërë nga qeveria e mëparshme”, i tërë sistemi mbetet i paralizuar dhe në vend numëro.

E di mirë, se qeveritë e huaja që mund të na ndihmojnë nuk ndërhyjnë, sepse respektojnë të drejtën e udhëheqësve tanë për të keqqeverisur dhe të drejtën e zgjedhësve të votojnë për ta. Fakti që kaq shumë prej nesh duan të largohen, mund të tregojë se ne duam ndërhyrjen e kodit moral të të huajit në sovranitetin tonë. Dhe meqë komuniteti ndërkombëtar nuk vjen te ne, do të përpiqem të shkoj unë tek ai. Kemi kaluar 25 vjet pseudodemokraci, që ka parë rënie të moralit, dhe duke parë gjendjen aktuale të sistemit arsimor, nuk ka arsye të besojmë se kjo gjendje nuk do të përsëritet edhe 25 vjet të tjerë.

Ndërsa unë edhe mund të shtrëngoj dhëmbët dhe të jetoj me këtë gjë, nuk do të doja që im bir ta bënte. Alan, prandaj dua të largohem.

*Autori është qytetar britanik dhe Alan Andoni është emri i tij i shtypit. Shkrimi origjinal është botuar në anglisht më 15 korrik 2016 në gazetën Tirana Times.

Shqipëroi: Fiona Kopali

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *