Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Të gjithë të dashuruar pas mësuese Rozës…

Në shkollën 9-vjeçare “Pashko Vasa” në qytetin e Rrëshenit, mëngjesi i së hënës ka nisur plot energji, hare, por mbi të gjitha me shumë dëshirë për të mësuar e edukuar. Veçanërisht atmosfera në klasën e dytë, aty ku jep mësim mësuese Roza, s’ka të paguar.

Prej 36 vitesh, Roza Ndreca është mësuese e ciklit të ulët në shkollat e rrethit të Mirditës, 17 prej të cilave në fshatrat Orosh dhe Ndërfushas. Tashmë, vitet kur ecte një orë në këmbë në baltë, shi e dëborë, i duken shumë të largëta. E megjithatë, çdo sakrificë e saj në arsim ja ka vlejtur. Nën ndikimin e të atit, gjithashtu mësues i nderuar i zonës, Roza studioi në Shkollën Pedagogjike të Shkodrës e më pas kreu studimet e larta në të njëjtën fushë.

Ditën e parë të punës e mban mend shumë mirë. “Kam qenë vetëm 19 vjeç. Më caktuan të jap mësim në shkollën 8-vjeçare “Dom Gjon” në Fan. Ishte një ditë plot emocione.  Më vjen babi dhe më ul në një bankë. Më jep këshillat e para se si duhet të përgatisja ditarin, si të sillesha me nxënësit, që mos t’i lodhja me shumë informacione por t’u shpjegoja thelbin. Gjëra të cilat në shkollë nuk m’i kishin mësuar”, tregon mësuese Roza për Citizens Channel.

Vitin e parë të mësimit e kaloi duke dhënë bio-kimi dhe rusisht. Gjatë kësaj periudhe, të gjithë kolegët i thonin që ajo do të ishte më mirë në ciklin e ulët. “Një ditë më thërret drejtoresha në zyrë dhe më thotë që për mua do të ishte më e përshtatshme shkolla fillore. Më tha që isha shumë e dashur dhe e butë”, thotë Roza. Kalimi tek fëmijët e vegjël nuk ishte ajo që donte, sepse lënda e kimisë ishte dashuria e saj e parë. “Mirëpo në momentin që kalova atje, e kuptova sa shumë i doja fëmijët.”

Vitet kaluan e tashmë klasa e saj është klasa e dytë në shkollën “Pashko Vasa”. Pasioni më të cilin punon me fëmijët, mbetet i njëjtë si ditën e parë. “Një mësuese e mirë duhet të jetë pikë së pari një nënë e mirë”, thotë mësuese Roza, nënë e katër fëmijëve. Ndër dekada ajo ndan ndjesi të paharrueshme me nxënësit. “I dua aq shumë, saqë fëmijët e mi më thonë: mami, i harxhove të gjithë përfaqimet në shkollë, për nxënësit e tu”, tregon ajo buzagaz.

Përveçse një mësuese shembullore, ajo është edhe një psikologe dhe nënë e mirë për ta. Teksa prindërit sjellin në shkollë fëmijët e tyre, na tregojnë shkarazi që ajo herë pas herë i mban dhe në shtëpinë e saj nxënësit, për t’u ardhur në ndihmë prindërve. Vetë Roza nuk do të mburret, e megjithatë pas disa këmbënguljeve, na pranon që “i ndihmon të vegjlit e saj me sa ka mundësi. Ka plot raste kur ajo i ka ndihmuar ata përtej detyrës së mësueses. Një nxënëse e ka mbajtur për dy muaj me radhë në shtëpi, në kohën kur e ëma e vajzës po kurohej në Greqi për një sëmundje të rëndë; një vajze të komunitetit Rom i ka blërë veshjen për festën e Abetares, pasi prindërit e saj nuk ishin në gjendje ta siguronin; disa fëmijëve të tjerë në pamundësi ekonomike shpeshherë u blen ushqimin gjatë pushimit të madh. “Unë di historikun e familjes për secilin nxënës, nga vjen, çfarë problemesh ekonomike ka, çfarë shqetësimesh ka. Dua që të di për ta, në mënyrë që edhe t’i ndihmoj sadopak”, na tregon me modesti mësuesja.

Fëmijët me aftësi të veçanta

Në karrierën e gjatë profesionale, mësuese Roza ka edukuar dhe është përkujdesur për shumë nxënës me aftësi të kufizuara. “Para disa kohësh kisha një nxënës autik. Kur erdhi në fillim, ishte i izoluar, paksa agresiv me nxënësit e tjerë. Mu desh të bëja një punë të madhe me të. Arrita të kisha fitoret e para: të shoqërohej me të tjerët, mos të ishte më i dhunshëm, të artikulonte më mirë fjalët. Një ditë, shkova në shkollë e veshur me të zeza. Kisha humbur një njeri të afërt të familjes. Ai më pa dhe më tha që nuk i pëlqeja me të zeza, se e trembja. Shkova në shtëpi, dhe duke ditur opinionin e njerëzve mbi zinë në një qytet të vogël dhe me mentalitete, sqarova familjen që do të prishja zinë. Ditën e nesërme vesha një xhaketë ngjyyrë bezhë dhe vura buzëkuq. Këtij fëmije i riktheva buzëqeshjen. Aty e kuptova se sa e rëndësishme është edhe pamja ime e jashtme. Që nga ajo ditë bëj kujdes që të dukem gjithmonë në rregull, e kuruar, e veshur mirë. Sepse edhe ata kënaqen kur më shohin mua që mbahem”, rrëfen me buzëqeshje mësuesja.

Aktualisht në klasën e saj është edhe një vajzë tetraplegjike, për të cilën bën një program të veçantë, edhe pse askush nuk i kërkon llogari në fund të ditës. “Pasi mësoj klasën, marr një karrige dhe ulem pranë Besardës. Kaloj minuta me të. Pastaj e integroj dhe mësojmë të gjithë bashkë”, thotë ajo me krenari. Për mësuese Rozën, barazia është më e shenjtë se gjithçka.

Arsimi është pasioni i saj më i madh në jetë. “Nuk më dhimbset fare vetja se po plakem. Thjesht bëhem keq që një ditë s’do mundem të jap mësim”, shprehet plot keqardhje.

Dhe kur e pyet nëse përtej kësaj qetësie të dukshme, ka edhe momente acarimi me nxënësit, thotë: “Ka momente që lodhem edhe nervozohem. Por ja kam gjetur ilaçin edhe kësaj. U them fëmijëve: Më prisni pak”! Ata e kuptojnë që do qetësohem e do rikthehem tek ta shumë shpejt!”

Autor: El.El / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *