Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Liqeni i Thatë, një m2  700 Euro, pa rrugë dhe plot plehra

Lagjet periferike të Tiranës, janë kthyer në një makth të vërtetë për banorët. E tillë është edhe lagjia e krijuar tek ai që njihet si “Liqeni i Thatë”. Më shumë se sa një lagje, në fakt në këtë zonë tashmë është krijuar një qytezë. Por ndërsa çmimet e shitjes për një metër katror në këtë zonë variojnë nga 500-700 euro për metër ( bëhet fjalë jo për godinat që janë buzë rrugës kryesore të zonës janë edhe më shtrenjtë), vetë rrugët mes pallateve janë lënë në mjerim.

Të ngjitur me njëri-tjetrin, aq sa shpesh dritaret apo ballkonet janë edhe poshtë nivelit të rrugës, me punime që vazhdojnë ende, me rrugë të shtruara me çakull sa për të kaluar kamionët që sjellin materiale ndërtimi, duket se nuk është aq e lehtë të jetosh në këto zona të ndërtuara rishtazi, ku nuk ndalojnë gërmimet për pallate të reja që mezi lejojnë dritën të futet.

Ndërtuesit në Tiranë u janë qepur kodrave të periferisë së saj, dhe duke abuzuar me faktin se janë pranë kopshtit Zoologjik apo parkut të Liqenit, kanë rritur çmimet e shitjes së apartamenteve, por midis blloqeve të pallateve nuk janë munduar të rregullojnë asgjë, siç edhe tregohet në këto fotografi.

Sfida më e madhe është për ata që kanë fëmijë të vegjël, dhe i kanë shtëpitë në pallatet që ndodhen lart në kodër. Një prej tyre na thotë se kjo është zgjedhja më e keqe që mund të ketë bërë. “Unë kam një fëmijë të vogël, dhe këtu ose duhet të kesh makinë ose vdes. Se për të dalë vetëm nuk mund të dal dot. E pe rrugën se si ishte? Nëse dua të zbres këtu poshtë, duhet të zbres njëherë karrocën deri te rruga e shtruar, pastaj të shkoj të marr fëmijën, pa folur që rrugët nuk kanë fare trotuar port të paktën të kemi rrugë të shtruar se kështu është e pamundur”, na thotë një mama e re që po nxiton tek supermarketi, pasi e ka lënë fëmijën në gjumë që të mund të bëjë pak pazar.

Ndërsa Drita, një zonjë rreth të 65-ave është shumë e kënaqur. “Unë e kam shtëpinë këtu në cep të rrugës dhe më pëlqen ajri i pastër. Më parë e kisha shtëpinë tek rruga “Bardhyl”, ndaj e ndiej shumë ndryshimin”, na thotë ajo.

Por ndryshe nga Drita edhe Ollga ka pak a shumë moshën e saj, por ka dy nipër që duhet të kujdeset. “Vdiqëm, nuk dal dot nga shtëpia se nuk e ngjis dot gjithë këtë malore që siç e shikon vetë është gjithë baltë dhe zhavorr- shprehet ajo. Pastaj lëri fëmijët, jemi detyruar t’i çojmë në shkollë dhe kopësht privat se këtu për shtet nuk bëhet fjalë”, na thotë Drita.

Në fakt çdo pallat apo kompleks pallatesh ka të ekspozuar një tabelë ku tregon se si do të duket godina dhe ambienti përreth pas përfundimit të punimeve, por që askush nuk kujdeset të zbatojë projektin edhe për pjesën e jashtme. Ndërkohë që duke qenë se shpesh herë bëhet pjesë për segmente të shkurtra rrugore, që ndërtuesi i kish parashikuar ta sistemojë vetë, mungojnë edhe investimet nga pushteti lokal. Por dora e investimeve të pushtetit lokal duket edhe tek koshat e mbeturinave, që në këtë zonë janë gjithnjë plot.

Por shqiptarët vazhdojnë të habisin gjithnjë për mënyrën se si dhe ku zgjedhin të ndërtojnë. Siç është rasti i këtyre dy vilave, të cilat janë futur brenda në Liqenin e Thatë, ndërkohë që vetë “liqeni” që në fakt është vetëm një pellg ujëmbledhës dhe që thahet gjatë verës është i mbuluar nga mbetjet….

Pavarësisht këtyre vështirësive, duket se blerësit shqiptar nuk dekurajohen, për sa kohë që hapja e gropave të reja vazhdon dhe nga kodrat e dikurshme të rrethinave të Tiranës, tashmë kanë mbirë lagje të tëra pa infrastrukturë.

Autor: Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *