Titujt e fundit

Mediat online, një sfidë për gazetarinë dhe lexuesit

Blendi Salaj për mediat online. Citizens Channel

Nga  Blendi Salaj

Përpara se t’i shkruaj këto rradhë për Citizens Channel desha të bëj edhe një xhiro të fundit duke parë titujt e disa prej “portaleve” kryesore të lajmeve në Shqipëri dhe ajo që gjeta ishte ekzaktëisisht ajo që prisja.

Lajmi i parë ka të bëjë me një njeri që kërcënon të hidhet nga oxhaku, madje, me anë të një kllape (Emri) në fund të titullit, media njofton lexuesin se mund të mësojnë identitetin e personit nëse pranon të paguajë me një klikim. Lajmi tjetër që dominon është sesi Presidenti Nishani ka “shpërthyer” ndaj zotit Visar Zhiti, ka shumë lajme mbi intervistën televizive që Kryeministri pati mbrëmë në televizion ndërsa pjesa tjetër e titujve ka të bëjë me statuse dhe foto që përsonazhet VIP hedhin në rrjetet sociale.

Në 5 minuta, mund të fotografosh çdo ditë gjendjen jo të mirë në të cilën e gjen veten media shqiptare sot, sidomos ajo e reja, premtuesja, online dhe situate është vërtet kritike. Faqet e lajmeve që janë hapur në Shqipëri vitet e fundit mbartnin me vete edhe premtimin se do të liberalizonin e demokratizonin informacionin dhe për rrjedhojë do të ndihmonin në cilësinë e gazetarisë në përgjithësi. Por deri më tani, e kundërta ka ndodhur.

Edhe ata gazetarë që kanë përvojë të gjatë dhe janë profesionistë të njohur në shtypin e shkruar dhe në televizion, kur migrojnë online, krijojnë faqe që nuk reflektojnë të njëjtin seriozitet me të cilin ata flasin për gazetarinë. “Ufo mbi Tiranë”, “Deti nxjerr një sirenë në plazhet e Italisë” e të tjerë tituj të rremë si këta, arrijnë të futen rregullisht brenda përmbajtjes së portalit, dhe këta janë dy tituj ndër më të saktët. Ka shumë tituj që enkas përpiqen ta mashtrojnë publikun, duke e bërë të klikojë mbi tituj që premtojnë shumë, por që në fakt nuk japin asgjë. Një teknikë e njohur si “Click Bait”, ose e thënë ndryshe, mënyra më ordinere për të trajtuar besimin e lexuesit tek ti.  Ka shumë arsye pse mediat online sot janë në një formë të vajtueshme, ndaj unë po përpiqem t’i përmend disa prej tyre këtu.

 Lajmi si mall, është problemi i parë. Dikur, në redaksitë e gazetave të mëdha perëndimore flitej për Murin e madh kinez, një simbolikë e ndarjes që ekzistonte midis krahut editorial të gazetës dhe atij menaxherial. Ata që drejtonin gazetën nga ana e biznesit, nuk ndikonin tek ata që drejtonin anën editoriale sepse Muri i madh kinez ishte aty për ta ndaluar këtë gjë. Ky mur proverbial garantonte gazetari të pandikuar nga interesa ekonomike, ndërsa ne sot kemi një gazetari tërësisht të varur nga shëndeti ekonomik i medias, dhe përpjekjet e pronarëve për të përfituar ekonomikisht nga bashkëpunimi me politikën.

Në mënyrë të ngjashme, edhe mediat e vogla online, nuk bëjnë lajme që ia vlejnë, por lajme që klikohen. Kjo shpjegon lehtësisht sasinë e pajustifikueshme të përmbajtjes erotike, pothuajse pornografike që qarkullon lirisht në portalet informative në shqip. Lajmi si mall, nuk ka lidhje me lajmin e bërë profesionalisht. Sa më profesionale të jetë gazetaria, aq më pak “mall” bëhet lajmi, dhe aq më pak klikohet nga publiku.

Portalet e financuar politikisht janë një tjetër problem therës sot në median shqiptare. Që nga partitë e mëdha, deri tek ato më të voglat shihet një tendencë për të ngritur dhe blerë faqe informative online, të cilat si qëllim të vërtetë kanë përhapjen e propagandës dhe sulmet ndaj kundërshtarëve politikë. Nuk po flas këtu për media që kanë një qasje të majtë apo të djathtë ideologjike, apo një afilacion me një forcë politike, por për media të lindura posaçërisht për të shërbyer si “armë informacioni”.

Problemi me këto konstrukte është se ndërsa një media natyrale mund të gabojë por priret të përmirësohet, këta Frankenshtajnë nuk kanë asnjë vlerësim për profesionin e gazetarit. Raportimi i saktë dhe i ndershëm i lajmit nuk është i rëndësishëm për mediat e financuara politikisht, sepse qëllimi i ekzsitencës së tyre është pikërisht shtrembërimi i së vërtetës sipas interesit të financuesit. Ndaj, në një botë që disa po e quajnë Post-Truth, ku termi Fake-News ka hyrë në gjuhën e përditshme, lexuesit, publikut, qytetarëve votues u lind detyra që të tregohen shumë të kujdesshëm me lajmet që lexojnë.

Duhet të jemi vigjilentë për të kuptuar se pas një kronike në dukje të pafajshme gjatë edicionit informativ qëndrojnë interesa, e qëllime të fshehta. Nuk është e mjaftueshme sot që të lexojmë dy apo tri burime informacioni, pasi dy të shrembëra nuk bëjnë një të drejtë, por duhet të edukohemi mbi lojtarët dhe dinamikat e tregut mediatik.

Kush janë pronarët e televizioneve, cilët janë interesat e tyre ekonomike? Cilët janë gazetarët që drejtojnë një portal (nëse ka)? A janë cituar burime në këtë lajm apo flitet në ajër (siç ndodh shpesh)? A është marrë një qendrim nga pala tjetër apo është lajm i njëanshëm? Cila forcë apo personazh politik përfiton nga emetimi i këtij informacioni? A është e besueshme media që po lexoj? – Këto janë vetëm disa nga pyetjet deri diku të bezdisëshme që lexuesi i thjeshtë duhet t’i bëjë vetes kur lexon një lajm online, pasi në ditët tona, besimi në institucionet e medias demokratike, që garantonin informim të ndershëm e të paanshëm, nuk është më.

Në ditët që jetojmë, shtete të tëra po angazhohen në keq-informim për të ndikuar zgjedhjet përmes mashtrimit. Vini re sesi, edhe në këtë situatë kritike, media është në një rol kyç. Ndaj, nevoja për media profesionale, të orientuara nga interesi publik dhe për një publik kritik, lexues të kujdesshëm dhe të edukuar mediatikisht është më e madhe se kurrë ndonjëherë.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: