Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Durrësi në prag të sezonit/ Bregdet i zi, mbeturina dhe kantier ndërtimi

Ata që preferojnë t’i kalojnë fundjavat në bregdetin e Durrësit, pak para mbipopullimit të verës, në fakt nuk kanë se çfarë të shijojnë. Të shumtë janë ata që të favorizuar nga temperaturat e larta të këtyre ditëve, “braktisin” Tiranën dhe i drejtohen Durrësit. Sigurisht jo për t’u larë, por për të shijuar vijën e pakursyer bregdetare që i ka falur natyra, qetësinë  dhe jodin e detit…

Por ndonëse kanë mbetur vetëm dy muaj nga nisja e sezonit turistik, dhe Durrësi është qyteti që ka fluksin më të madh të turistëve (afërsisht 23 mijë turistë ditorë dhe 20 mijë rezidentë) ende asnjë institucion nuk e ka parë të arsyeshme të nisë punën për pastrimin dhe sistemin e plazheve.

Duke filluar që nga porti e deri tek zona e Plepave,  e gjithë vija bregdetare është e pushtuar nga leshterikë. Aq sa është e pamundur që të mund të shijosh, së paku në këtë periudhë, ujin e bregdetit të Durrësit. Dhë nëse je i apasionuar pas detit, për ta shijuar duhet të ecësh mbi grumbujt e lështerikëve, që në këtë periudhë janë “mbretërit” e rërës së Durrësit.

Vizitorë ditorë në plazhin e Durrësit

E lënë krejtësisht jashtë vëmendjes së pushetit lokal, që nuk është kujtuar të kujdeset për mirëmbajtjen e këtij aseti kaq të rëndësishëm në çdo stinë të vitit, për qytetin e Durrësit, ai nuk mund t’u ofrojë vizitorëve as atë që i ka falur natyra. Madje edhe  ata që shkojnë për të kaluar një fundjavë janë kthyer në kontribues të mëdhenj të ndotjes së mjedisit.

Bidona plastikë, shishe, mbetje të kutive të detergjenteve, e shumëçka tjetër që e ka vendin në koshin e mbeturinave, në fakt mbushin atë pak hapësirë të brezit të rërës që ka ngelur nga rreshti i pafund i lokaleve e deri tek ujërat e detit. Bizneset që operojnë në këtë zonë janë kujdesur që të vendosin nga një kënd lojrash për fëmijë, apo tavolina të bukura, por edhe ata mbeturinat i lënë po në rërë…

Rruga e Plazhit

Por nëse për pastrimin e plazhit edhe mund të merren masa, pasi ka ende kohë deri sa të çelet sezoni turistik, në fakt rikonstruksioni i rrugës “Pavarësia” ose siç njihet ndryshe Rruga e Plazhit është kthyer në një gangrenë, jo vetëm për bizneset, por edhe për ata që zgjedhin këtë zonë për të pushuar (Zona nga Ura e Dajlanit deri në Plepa). Pasi u ndërtua krejt e re dhe me dy korsi vetëm pak kohë më parë, iu nënshtrua një rikonstruksioni për korsinë e biçikletave në vitin 2015-ë. Tashmë që nga muaji shkurt i vitit 2016, iu nënshtrua një tjetër rikonstruksioni që synon rehabilitimin në të dy anët e kësaj rruge, por edhe ngushtimin e korsisë së automjeteve duke i dhënë përparësi këmbësorëve dhe kthyer një pjesë të saj në pedonale.

Projekti, i cilësuar si një ndër më ambiciozët nga Bashkia e Durrësit, ka një vlerë prej  2.5 milionë dollarë dhe është financuar nga Fondi i Zhvillimit të Rajonit. Megjithëse afati i punimeve ishte 270 ditë, dhe shiriti duhet të ishte prerë në fund të dhjetorit, kur kanë kaluar tre muaj nga afati i dorëzimit, në fakt Rruga e Plazhit është ende krejtësisht e hapur.  Në të dy anët e saj po punohet, por punimet kanë ecur me ritmet e breshkës, duke lënë pak shpresë se ata që do ta vizitojnë Durrësin këtë verë, nuk do të jenë të detyruar të pushojnë mes rrugëve të hapura e fadromave që gërmojnë.

Projekti ka hasur kundërshtime të forta jo vetëm në këshillin bashkiak të Durrësit, por edhe nga vetë bizneset e zonës. Vetë Bashkia e Durrësit ka sqaruar skeptikët se në këtë zonë nuk po kryhet një, por plot tre investime njëkohësisht.

“Bashkia e Durrësit sqaron opinionin publik se në plazhin e Durrësit po kryhet një investim madhor që synon rehabilimin e të gjithë zonës. Ky projekt realizohet nga tre institucione: 1-Banka Botërore me fond 4.1 milion euro që do të sistemojë rrjetin e ujërave të ndotura të të gjithë zonës së plazhit; 2-Qeveria Shqiptare me fondin 150 milionë lekë që do të përmirësojë furnizimin me ujë të pijshëm të të gjithë plazhit; 3-Bashkia e Durrësit me fondin 228.271.305 lekë me tvsh nga FZHR që do të rehabilitojë hapësirat publike në të dyja anët e rrugës Pavarësia. Falë këtij investimi madhor në sezonin turistik të vitit 2017 plazhi i Durrësit do të jetë një destinacion edhe më shumë i preferuar nga turistët. Po kështu investimi i një viti më parë për korsinë e biçikletave, pemët e mbjella dhe ndriçimi nuk dëmtohen por integrohen plotësisht në këtë projekt” – thuhet në njoftimin që gjendet në faqen zyrtare të Bashkisë së Durrësit.

Por ndonëse investimi mund të jetë shumë i rëndësishëm, pamjet që ofron aktualisht ky segment nuk janë aspak optimiste. Për të mos folur pastaj për rrugët lidhëse që të çojnë drejt plazhit, të cilat ndonëse janë pjesë integrale e këtij projekti, janë lënë në mëshirë të fatit dhe në shumë raste pa asnjë përkujdesje.

Nis sezoni…

Ky zotëri i moshuar në fakt e ka nisur tashmë sezonin turistik dhe ka vendosur t’i sfidojë të gjithë: edhe temperaturat jo shumë të përshtatshme për tu larë, edhe ujërat e ndotura të Durrësit. Thonë se për durrsakët, nuk ka sezon turistik, se ata lahen edhe në mes të janarit, edhe në mes të gushtit e ndoshta ky është rasti që edhe e vërteton këtë.

Ashtu si ky zotëri, edhe fëmijët e shijojnë ditën e bukur buzë detit, pa pyetur për “malet” e leshterikëve apo mbeturinat që u pengojnë rrugën. Përqark grupit të peshkatarëve, ka gjithmonë njerëz që shkojnë e pyesin nëse ka peshk të freskët, por pa mbërritur ora 11:00 e paradites gjithçka kishin zënë në rrjetat e tyre tashmë është shitur.  Ata tashmë, me kujdes të veçantë, po bëjnë gati rrjetat për një tjetër natë të gjatë që i pret në det…

Autor: Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *