Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Raporti i KLSH/Ujësjellësi Tiranë pagoi 1 mln € për punë të pakryera

Ujësjellësi i Tiranës ka paguar me rreth 1 milion euro firmat e kontraktuara për punë që ata nuk i kanë kryer, për blerje pompash me vlerë qindra mijëra euro që pasi janë blerë janë lënë stok në shi dhe kanë dalë jashtë funksioni, për punime hidroizolimi të mureve të depozitave të mëdha të ujit të pijshëm që janë kryer në masën 50% dhe si pasojë ato janë në rrezik plasaritje dhe stacionet e pompimit vazhdojnë të punojnë me pompa të vjetra e të amortizuara.

Ndërkohë qyteti i Tiranës vazhdon të vuajë për ujë të pijshëm 24 orë në ditë dhe qytetarët vazhdojnë të mbajnë sytë nga autobotet.

Iliri banon në zonën e Porcelanit. Që prej 15 vitesh, ai është i detyruar të mbushë ujë me bidona për të plotësuar nevojat e familjes. Kur la qytetin e tij, Peshkopinë, ai nuk e kishte menduar kurrë se përveç faturës së ujësjellësit, do t’i duhej të blinte edhe ujë për të pirë. “Me thënë të drejtën nuk na del të blejmë një bidon 1 mijë lekë (të vjetra) në dyqan. Na kanë shpëtuar këto autobotet që vijnë çdo ditë, e marrim 200 lekë (të vjetra) një bidon 10 litrosh”, na thotë Iliri.

Të njëjtin problem kanë thuajse të gjithë banorët e kësaj zone. “Tani është rregulluar pak situata, të paktën na vjen ujë nga Ujësjellësi për të plotësuar nevojat që ka shtëpia, pasi para pak vitesh, as ujë për t’u larë nuk kishim. Gjatë verës kemi probleme të mëdha me ujin. Vjet na vinte vetëm një herë në ditë”, na tregon ai.

Qytetarë të Tiranës duke blerë ujë të pijshëm nga një autobot

Por kjo situatë është thuajse në çdo cep të Tiranës. Ndonëse çdo vit premtohet furnizim 24 në 24 orë në ditë me ujë nga rrjeti i Ujësjellësit, ende Tirana vuan për ujë të pijshëm. Furnizimi ende vijon të bëhet me orar, ndërkohë që në periferi mungesat janë edhe më të shumta dhe nevojat plotësohen me depozita e vendosura nga vetë familjarët.

Abuzimet me fondet

Së paku prej dy dekadash, të gjithë drejtuesit e bashkisë së Tiranës, u premtojnë “ëndërrën e madhe” me ujë 24 orë në çezmat e shtëpisë kryeqytetasve. Në fakt në rrjetin e ujësjellësit janë hedhur miliona euro investime, por pa rezultat. Një raport auditimi i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, dhe që mban datën 30 dhjetor 2016, ka zbuluar se ujësjellësi ka paguar me thuajse 1 milion euro firmat që kanë bërë punime përgjysmë, apo i ka paguar ato pa marrë më parë në dorëzim objektin.  Auditimi i kryer nga KLSH i referohet projektit “Rehabilitimi i rrjetit hidrik të Tiranës” për periudhën 01 janar 2011 deri 31 tetor 2016.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit

Më konkretisht KLSH pretendon se Ujësjellësi i Tiranës ka shpërdoruar fondet dhe u ka paguar në mënyrë abuzive 407 mijë euro, firmave që kanë kryer punimet. KLSH i referohet auditimit që i ka bërë kontratës së punimeve për “Prodhimi i ujit dhe rehabilitimi i depove” për stacionin e pompimit Qafë Mollë.

Sipas kësaj kontrate, ndonëse sipas projektit, ishte parashikuar ndërtimi i një nënstacioni të ri elektrik, në fakt i është kërkuar shoqërisë zbatuese të pezullojë ndërtimin e nënstacionit të ri elektrik dhe të realizojë blerjen e 7 transformatorëve elektrikë me qëllim mbrojtjen e pompave të reja, të cilat kanë kushtuar 111,303 €uro.

Transformatorët janë blerë, por nuk u vendosën asnjëherë në punë dhe janë lënë të kalben në shi. “Nisur nga fakti se stacioni i pompimit në Qafë Mollë, aktualisht punon me pompat e vjetra të amortizuara, ndërsa pompat e reja që do të siguronin rritjen e prurjes së ujit dhe kursim të energjisë elektrike janë të dëmtuara dhe në gjendje stoku,  konkludojmë se blerja e 7 transformatorëve elektrikë me qëllim mbrojtjen e pompave centrifugale horizontale të ujit ( ku aktualisht nuk janë në gjendje pune) rezulton shpenzim i panevojshëm dhe i pa argumentuar teknikisht si dhe ka sjellë si pasojë përdorimin pa efektivitet, pa ekonomicitet dhe pa efiçencë të fondeve publike me vlerë 407,147 Euro“, thuhet në raportin e auditimit nga KLSH.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar në mënyrë urgjente një analizë të detajuar nga AKUK-ja për zbardhjen e përgjegjësive për këtë situatë dhe riparim e pompave të dëmtuara në Qafë Mollë.

500 mijë € pagesa për punë të pakryera

“Keqadministrimi i këtij projekti të madh ka shkaktuar një dëm ekonomik me vlerë 575,448 Euro”. Ky është një tjetër pretendim i dalë nga raporti i auditimit të KLSH-së mbi ndërmarrjen e ujësjellësit të Tiranës. Sipas ekspertëve të KLSH-së: 1- “Nga auditimi i zbatimit të punimeve civile të kontratës me objekt “Prodhimi i ujit dhe rehabilitimi i depove” u konstatuan se operatori ekonomik që ka kryer punimet, me drejtues ligjor Z. A. G., është financuar për zëra punimesh të pakryera, për diferenca në zëra dhe volume duke përfituar padrejtësisht për punë të pakryer në shumën 222,816 Euro duke shkaktuar një dëm ekonomik për buxhetin e shtetit”. 2- Nga auditimi i zbatimit të punimeve civile të kontratës me objekt “Punime për të Përmirësuar Performancen e Impiantit të Bovillës” u konstatuan se është financuar operatori ekonomik, me drejtues ligjor z. A. G. për zëra punimesh të pakryera, për diferenca në zëra dhe volume, si dhe mos argumentim për pajisje dhe makineri me faturë blerje, duke përfituar padrejtësisht për punë të pakryer në shumën 217,370 Euro duke shkaktuar një dëm ekonomik për buxhetin e shtetit”. 3- “Nga auditimi i zbatimit të kontratës me objekt “Shërbim konsulence dhe mbikëqyrje punimesh” u konstatuan se shoqëria, me përfaqësues L. C. ka realizuar pjesërisht kontratën e nënshkruar, duke mbikëqyrur realizimin e punimeve të dy kontratave (“Punime për prodhimin e ujit dhe rehabilitimi i veprave”, me vlerë 3,852,155.38 € dhe “Punime për të përmirësuar përformancën e impiantit të Bovillës” me vlerë 903,761.03 €), ndërkohë që sipas skedulit të mbikqyrjes së supervizionit të objekteve të pasqyruara në kontratë, do të mbikqyreshin 4 kontrata (1. Riparimet ne rrjetin e furnizimit me uje dhe kanalizimeve, 2. Rehabilitimi i tubacionit kryesor Shën Mëri-Qaf Mollë, 3. Punime për prodhimin e ujit dhe rehabilitimi i veprave dhe 4. Punime për të përmirësuar përformancën e impiantit të Bovillës) nga kjo shoqëri. Sa më sipër kryerja e punës vetëm për dy kontrata (nga katër),  ka bërë që shoqëria e kontraktuar, ka përfituar padrejtësisht shumën 135,262 €uro [(435,162 € vlerë e disbursuar) – 299,900 € (punë e kryer për 2 kontrata)] për punë të pa kryer“,  thuhet në raportin e KLSH.

Për të gjitha këto shkelje KLSH i ka rekomanduar Ujësjellësit që deri më 31 janar 2017 të ndërmarrë të gjitha procedurat e duhura administrative si dhe të gjitha shkallët e gjykimit për arkëtimin e shumës 575,448 Euro, të cilën këto shoqëri e kanë përfituar tepër për punë të pakryera.

Investimet në pikë të “hallit”

Megjithëse janë shpenzuar miliona euro, edhe ato investime që janë bërë, nuk janë aspak cilësore. Sipas KLSH-së, depoja në qytetin e Nxënësve, megjithëse i është nënshtruar një kontrate hidroizolimi të mureve të brendshme, ka plasaritje të mureve nga jashtë dhe rrjedhje të vazhdueshme uji, pasi kontrata është realizuar vetëm në masën 50%.

“Nga auditimi në objekt i depos së ujit në Qytetin e Nxënësit për kontratën “Prodhimi i ujit dhe rehabilitimi i depove” u konstatua se: Depoja në pjesën veriore në 2 vende në lartësinë rreth 150 cm nga toka kishte rrjedhje uji (pa ndërprerje) dhe plasaritje të mureve nga jashtë. Bazuar në raport progresin e periudhës qershor 2011 deri gusht 2011, faqe 5, të hartuar nga mbikëqyrësi i punimeve, punimet e hidroizolimit për muret e brendshme të depos se ujit janë realizuar në masën 50 %. Nga auditimi u konstatua se për pjesën e pahidroizoluar të depos, materialet janë bërë hyrje në magazinën e Ujësjellës Kanalizime Tiranë, por nuk është marrë asnjë masë për kryerjen e punimeve për hidroizolimin e depos së ujit”, thuhet në raportin e KLSH-së.

Të gjendur përballë kësaj situate, KLSH i kërkon AKUK-së që të ngrejë menjëherë një grup pune dhe t’i kërkojë firmës përkatëse të marrin masa për hidroizolimin e plotë të depos së ujit në Qytetin e Nxënësve.

Rreziku i keqmenaxhimit

Vendi ynë edhe pse i pasur me burime të shumta ujore (det, lumenj, liqene dhe burime të tjera nëntokësore), shumë shpejt mund të ndjejë krizën e mungesës së ujit të pijshëm. Në fillim të këtij viti, Instituti Botëror i Burimeve, publikoi një studim të detajuar të vendeve të rrezikuara nga kriza e ujit deri në vitin 2014 dhe Shqipëria ndodhet në zonën e lartë të rrezikut duke u renditur e 62-ta nga 167 vende të analizuara. Sipas ekspertëve, ky përkeqësim i situatës së burimeve ujore të Shqipërisë, do të vijë prej keq menaxhimit të tij.

Autor: Citizens Channel

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *