Titujt e fundit

Shteti i pafuqishëm përballë kompanive celulare, ndërsa kostot bien mbi qytetarët

Tarifat e telefonisë celulare në Shqipëri. Vodafone. Citizens Channel

“Ta pësosh nga e folura jote”, kjo është shprehja që e dëgjon nga shumica e qytetarëve që përdorin si mjet komunikimi telefoninë mobile apo celulare siç njihet gjërësisht. Prej vitesh ankesat e qytetarëve kanë qënë të shumta. Si fillim për nivelin e lartë të tarifimit, pasi ishte vetëm një kompani në treg, pastaj edhe kur u liberalizua tregu, përsëri çmimet e bisedave ishin më të lartat në rajon.

Ndërkohë edhe pas futjes në përdorim më të gjërë të këtij komunikimi apo dhe internetit, përsëri shqiptarët e varfër paguajnë më shtrenjtë për këto shërbime sesa gjithë vendet fqinjë dhe ato europiane. Por edhe në këtë fushë, si në shumë sektorë të tjerë të ekonomisë së vendit, edhe pse kanë një ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët, përsëri ndodh e kundërta e efektit të asaj çka duhet të jetë. Kjo pasi në një vend ku funksionojnë katër operatorë për shërbimet mobile, konkurrenca midis tyre duhet të ishte e lartë. Por mesa duket kompanitë krijojnë marrëveshje të fshehta me njëra-tjetrën dhe çmimet rriten “sipas dëshirës”, pavarësisht gjendjes ekonomike të qytetarëve shqiptarë.

Nëse analizojmë lëvizjet në këtë treg, vëmë re se ndryshimet e bëra nga operatorët telefonikë në kohëzgjatjen dhe çmimin e paketave nuk kanë ardhur si rezultat i ofrimit të një shërbimi më të mirë për klientët të cilët janë totalisht të pa mbrojtur nga rritja e çmimeve.

Por edhe në këto raste kur duhet të ndërhyjnë organet shtetërore, në vite eksperienca ka treguar se “monopolet” janë  më të fortë, pasi tregu jo vetëm nuk është rregulluar, por ka patur raste që janë shmangur rekomandimet e dhëna, duke bërë që  të zbatohen  praktika jo-konkuruese dhe diskriminuese për konsumatorët. 

Ndryshimi i njëkohshëm i paketave të komunikimit

Vetëm gjatë muajve të fundit kanë ndryshuar çmimet e paketave të shërbimeve telefonike për klientët me parapagesë për 3 kompanitë më të mëdha celulare në vend, si “Vodafone Albania”, “Albtelecom&Eagle Mobile” dhe “Telekom Albania”.  Ndërkohë kompania e vetme me kapital shqiptar që zhvillon aktivitetin ekonomik në këtë sektor, “Plus Communication” duket se nuk ka patur ndryshime, kjo ndoshta dhe për faktin se ka dhe numrin më të vogël të abonentëve. 

Gjatë një vëzhgimi në treg, në dyqanet e këtyre kompanive, na thonë se çmimi i paketave standarde (në varësi të llojit të paketës) është 1100 lekë, 1400 lekë dhe 2000 lekë ndërkohë që çmimet e para ishin 1000 lekë, 1200 lekë dhe 1600 lekë. Gjithashtu interesit tonë në këto pika shitjeje-shërbimi përveç çmimit të njëjtë të paketave standarde edhe minutat telefonike, mesazhe-sms dhe shërbimi internet, përkatësisht për secilën paketë i kanë të njëjta.

Rritja e çmimeve nuk është abuzimi i vetëm i kompanive celulare. Një vit më parë, këta operatorë ndryshuan afatin kohor të zgjatjes së paketave mujore nga 30 ditë në 28 ditë duke i bërë në këtë mënyrë paketat e ofertave telefonike më të shtrenjta. A duhet të ndërhyjnë në këto raste institucionet përgjegjëse për rregullimin e këtij tregu sic është AKEP apo dhe Autoriteti i Konkurrencës? 

Kompanitë kundër AKEP

Si në çdo rast këto kompani nuk kanë lënë tu shpëtojë ajo që mund të quhet “mbrojtja më e mirë, sulmi”.  Kështu vëtëm një vit më parë tre kompani celulare në vend janë bashkuar kundër një vendimi të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare duke kërkuar që përveç shfuqizimit të ketë edhe rregullim të pasojave.

Çështja që ka përfunduar në Gjykatën Administative lidhet me një vendim të 14 janarit 2016 i cili kishte në bazë monitorimin e efekteve të mos-diskriminimit të tarifave on-net/off-net dhe pezullimin e fillimit të efekteve të simetrisë së tarifave të terminimit në rrjetet celulare.

Çfarë do të thotë kjo? Në një strategji të shtrirë në disa vite AKEP vendosi që të orientonte tarfiat e kompanive celulare drejt kostos, çka u lejonte kompanive çdo vit të ulnin tarifat duke ruajtur një marzh normal fitimi. E favorizuar në shtrirjen kohore do të ishte kompania Plus Communication duke qenë se kishte më pak kohë në treg. Tarifat e saj i janë nënshtruar uljes më të moderuar nëse e krahasojmë me kompanitë e tjera. Por të paktën në vitin 2016 kompanitë duhet të kishin tarifa simetrike.

Plus nga ana e tij kërkoi shtyrjen e afatit deri në janar 2017 për një tarifë terminimi tjetër nga ajo e operatorëve të tregut që në këtë rast ishte 1.48 lekë për minutë në rrjet. Ka qenë pikërisht kjo arsyeja që ka çuar operatorët Vodafone, Telekom dhe Albtelecom që të kërkojnë pezullimin e këtij vendimi dhe shlyerjen e gjithë pasojave të shkaktuara prej tij. Në këto kushte tërhiqet AKEP, nga vendosja e paketave të komunikimit me çmime të rregulluara, në kuadrin e shërbimit universal dhe “triumfojnë” përsëri operatorët.

Sipas një projektvendimi të tetorit 2016, AKEP kishte propozuar që të gjithë operatorët e komunikimeve elektronike do të detyroheshin të ofronin një paketë bazë të komunikimit universal, kundrejt tarifave të përcaktuara nga AKEP. Propozimi i AKEP parashikonte tre paketa bazë për komunikimin universal: për telefoninë, internetin dhe një paketë e integruar, që përfshin të dyja shërbimet. Paketa e telefonisë përfshinte 200 minuta thirrje kombëtare dhe 50 mesazhe të shkruara në rastin e operatorëve celularë, kundrejt një tarife prej 500 lekësh në muaj. Paketa e internetit duhet të ketë një shpejtësi prej të paktën 2 Mbps dhe volum trafiku 1 deri në 2 gigabit, për një pagesë fikse mujore gjithashtu prej 500 lekësh. Paketat e integruara të telefonisë dhe internetit do të kushtonin 800 lekë në muaj për telefoninë fikse dhe 1000 lekë në muaj për telefoninë celulare.

Propozimi i AKEP do të përcaktonte komunikimin bazë si një e drejtë për çdo shqiptar, me tarifa të rregulluara. Por, pas konsultimit publik, AKEP është tërhequr përballë kundërshtimeve të operatorëve, në veçanti të Vodafone Albania dhe Telekom Albania, që u shprehën se, në kushtet e një tregu konkurrent, vendosja e një detyrimi të tillë ishte e pajustifikuar. Sipas tyre, paketat e propozuara nga AKEP, ishin të pambështetura në një argumentim të detajuar ekonomik.

Në këto kushte, AKEP ka bërë një hap mbrapa dhe në vendimin final është shprehur se tregu tashmë është konkurrues dhe paketat aktuale garantojnë nevojat e komunimikimit të përdoruesve. Në veçanti, AKEP ka vlerësuar si të parakohshme përfshirjen e internetit në shërbimin universal, çka do të thotë se ende ky shërbim për shqiptarët do të mund të përfitohet vetëm me kushte tregtare.

Ndarja e tregut dhe pozita dominuese

Tregu i telefonisë celulare në Shqipëri ndahet mes 4 operatorëve: hyrësi i parë në treg AMC zotërohet tashmë nga grupi Deutsche Telekom, më pas depërtoi në treg Vodafone Albania, që është pjesë e grupit më të madh në botë të telefonisë Vodafone Group, Eagle Mobile është operatori i tretë në treg, i cili vitin e kaluar është bashkuar me gjigantin e telefonisë fikse Albtelecom, privatizuar nga një grup turk investimesh Cetel, për 76% të aksioneve dhe pjesa tjetër i takojnë shtetit shqiptar dhe Plus Communication,  një bashkim sipërmarrësish shqiptarë është hyrësi i fundit në treg.

Autor: Citizens Channel

1 Comment on Shteti i pafuqishëm përballë kompanive celulare, ndërsa kostot bien mbi qytetarët

  1. Telefonia në Shqipëri êshtë hajdutëri, si thuajêse çdo gjê tjetër nê kêtë vend.

    Like

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: