Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Të rinjtë ‘Tamam’

Në fshatin Marqinet të Vorës, e diela është e qetë. Përveç katit te parë të një shtëpie private, që gëlon nga zëra gjallërues fëmijësh e shpjegime të zellshme të rinjsh që japin dije mbi bazat e gjuhës angleze dhe artit.

Personi ynë i kontaktit është Gentjan Hajdari nga Vora, i cili që prej vitit 2015 është drejtues i “Tamam Albania”, një grupimi vullnetar studentësh të cilët ditën e fundit të javës ua kushtojnë të tjerëve, pa asnjë interes dhe pa marrë asgjë në këmbim, përveç falenderimeve të sinqerta të nxënësve dhe prindërve të tyre.

Gentjani dhe miqtë e tij na hapin dyert këtë ditë, për të shpalosur për Citizens Channel dhe lexuesit e tij nismën që zanafillën e ka në vitin 2008, kohë kur fshatrat e Vorës u përballën me shpërthimin fatal të fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, i cili shkaktoi 26 viktima dhe më shumë se 300 të plagosur. 

Asokohe, kur një pjesë e banorëve të dëmtuar u vendosën në Konvaleshencën e qytetit të Durrësit, një grup studentësh të Punës Sociale krijuan Tamam Albania, për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve që u shkëputën nga shkolla. Puna dhe kauza e nisur atëherë, vijon edhe sot me të njëjtin qëllim të mirë si ditën e parë.

Aktivitete të Tamam Albania. Foto: Tamam Albania

“Që nga qershori i 2015-ës kur hapëm në faqen tonë në Facebook thirrjen për vullnetarë, patëm 490 aplikime. Pranuam 50 vullnetarë, që janë aktivë thuajse të gjithë”, – na shpjegon Gentjani. 

Fëmijë të grup-moshave 5-13 vjeç mblidhen çdo të diel në klasat modeste të qendrës komunitare dhe mësojnë art, anglisht, dhe bëjnë sport. “Prindërit e tyre në fillimet tona ishin pak skeptike. Na thonin: mjafton të mos predikoni ndonjë fe ose politikë. Gjithçka tjetër është në rregull. Me kalimin e kohës u krijua dhe besimi”, – thotë Gentjani.

Vullnetarët e kësaj qendre kanë luftuar shumë që përveç skeptikëve, të përballojnë edhe sfidat financiare. “Vullnetarët kanë mbledhur kanaçe për një vit e gjysmë për të paguar qiranë”, – rrëfen ai, duke mos u munduar të fshehë krenarinë e idealeve të grupit. Ndërsa për bazën materiale, si libra, lapsa, banka etj, ata janë mbështetur nga qendra simotër në Suedi. 

Por si ja del një grup kaq i madh të rinjsh që të jetë kompakt dhe të funksionojë kaq mirë? “Kemi shpesh debate me njëri-tjetrin, por janë konstruktive. Kemi frymë shumë të mirë grupi, sepse kauza është e përbashkët”, – sqaron drejtuesi i “Tamam Albania”. 

Kjo qendër organizon çdo vit kamp me 15 të rinj nga Europa dhe qindra të tjerë nga Shqipëria. “Kemi bashkëpunim me studentë të Oksfordit dhe ata na kanë dhënë shumë ndihmesë dhë ide rreth vullnetarizmit”. 

Gentjan Hajdari me një nga fëmijët e qendrës. Foto: Tamam Albania

Skuadra e vullnetarëve

Në këtë qendër takojmë edhe një vullnetar të ri, i cili me ndihmën që u jep të tjerëve ka mundur të zbulojë e të krijojë një profesion për veten.

21-vjeçari Xhendris Ismaili vazhdon studimet e larta për inxhinieri kompjuterike. Ai i është bashkuar “Tamam Albania” që prej vitit 2009, kur ishte në rolin e fëmijëve që mësonin. Ndërsa sot, ai është koordinator i qendrës dhe njëkohësisht u mëson fëmijëve të fshatit të tij që të programojnë lojra.

“E di që tingëllon çuditshëm se fëmijët mund të programojnë. Dhe unë nuk e besoja kur nisa t’i mësoja. Por nuk e keni idenë sa shpejt dhe sa mirë që mësojnë”, – tregon Xhendris. Këtë eksperiencë të vlefshme për fëmijët, ai e ka kthyer në eksperiencë të çmuar edhe për veten. “Puna vullnetare këtu më dha idenë që ta ktheja në profesion të mirëfilltë ndihmën që u jap fëmijëve të Marqinetit. Tashme punoj në një qendër kursesh, ku mësoj fëmijët të bëjnë të njëjtën gjë: programim lojërash.”

Shpëtim Masha është një tjetër i ri i qendrës. 19-vjeçari i është bashkuar grupit kur ishte vetëm 14 vjeç. “Organizoj të gjithë lojërat që bëhen këtu. Fëmijët tërhiqen shumë prej tyre dhe pjesa e kontributit im pritet shumë mirë prej tyre”, – thotë ai duke buzëqeshur. 

Melisa, 10 vjeç, jeton në Marqinet të Vorës. Ajo është bërë pjesë e grupit të nxënësve që kur ishte 5 vjeç. Këto vite në qendër ka mësuar dhe është argëtuar pafund. “Më së shumti jam e lumtur që kam mësuar përshëndetjet anglisht” , – tregon ajo plot krenari. 

11-vjeçari nga i njëjti fshat, Klajdi, vjen gjithashtu prej vitesh dhe është ndjekës i rregullt i të gjithë kurseve. Si të gjithë djemtë bashkëmoshatarë të tij, pjesa e preferuar është sporti. “Më pëlqen shumë edhe anglishtja, por në orën e sportit argëtohem shume”, – thotë ai. 

Marrëdhënia e nxënësve dhe ‘mësuesve’ nuk përfundon me kurset. “Mes tyre krijohet një afeksion shumë i madh. Mbajne kontaktet me njëri-tjetrin edhe pasi largohen që këtu”, – ndërhyn e na shpjegon Gentiani.

Fëmijët në një orë mësimi. Foto: Tamam Albania

Emilja Dede është një ndër vullnetaret më të reja të kësaj qendre. 19-vjeçarja, studente e bio-teknologjisë në kryeqytet, merr çdo të diel urbanin për Vorë dhe udhëton drejt Marqinetit.

“U njoha me këtë nismë nga shoqja ime e ngushtë, e cila është vullnetare këtu. E mbaj mend mirë dhe datën kur kam ardhur. Ka qenë 14 Marsi, Dita e Verës. Që nga ajo ditë u ndjeva shumë mirë dhe sa herë kam mundësi, vij dhe e kaloj të dielën këtu” – tregon Emilja. Ajo aktivizohet më së shumti në orën e anglishtes, por merr pjesë edhe në orët e tjera. “Do të vazhdoj të vij këtu derisa të mundem.”

Edhe Gentjani shprehet po kaq pozitiv dhe optimist mbi të ardhmen e “Tamam Albania”. “Jam i bindur që kjo nismë do të vazhdojë gjithmonë, edhe kur të mos jem unë ose shumë të tjerë nga ne. Kjo është një iniciativë krejt e pastër dhe e përbashkët, e cila do të zgjasë gjithmonë…” 

Autor: El. El.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *