Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Analiza/Polarizimi politik rrezikon të ardhmen evropiane të Shqipërisë

Nga Gentiola Madhi/ EU Policy Hub    

Në qershor 2006 Shqipëria shënoi një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e saj të integrimit, duke nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në. Në këtë kuadër, në maj 2010 u krijua Komiteti Parlamentar për Stabilizim-Asociimin (KPSA)* i cili institucionalizoi bashkëpunimin e rregullt midis Parlamentit Evropian dhe Parlamentit të Shqipërisë.

Që prej themelimit të KPSA-së, janë organizuar 11 mbledhje të përbashkëta ndërparlamentare midis delegacioneve, duke u fokusuar kryesisht në mbikëqyrjen e progresit në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit.

Pavarësisht natyrës jo detyruese të rekomandimeve, anëtarët e delegacionit shqiptar kanë mundësinë të ndërveprojnë, të ndikojnë dhe të bindin në mënyrë të tërthortë kolegët e tyre nga Parlamenti Evropian për të çuar përpara procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Gjithsesi, kjo nuk ka ndodhur deri më tani për Komitetin midis BE-së dhe Shqipërisë.

Analiza* e kryer në këtë kuadër bashkëpunimi ndërparlamentar BE-Shqipëri tregon se polarizimi i vazhdueshëm politik në vend vazhdon të rrezikojë dhe të minojë përpjekjet për integrimin në BE.

Puna e këtij forumi ndërparlamentar është penguar nga polarizimi i vazhdueshëm politik, bojkotet parlamentare të opozitës (qoftë kjo e majta apo e djathta për periudhën kohore përkatëse në opozitë) dhe mungesa e shpirtit të bashkëpunimit, kompromisit dhe fleksibilitetit brenda delegacionit shqiptar.

Vëzhgimet e bëra tregojnë se grupet politike shqiptare priren të qëndrojnë në pozitat e tyre, duke shmangur çdo mundësi për të negociuar. Prandaj, debatet e nxehta gjatë takimeve të KPSA-së kanë rezultuar në zhvendosje të prioriteteve, rezultate kundërproduktive dhe bllokime të negociatave 6 herë nga 11.

Si rrjedhojë, situata politike luhatëse në vend nuk ka lejuar një modus operandi të rregullt të KPSA-së përkundrejt ndjekjes së rekomandimeve të dhëna më herët.

Përballë vështirësive të përhershme në komunikim dhe paaftësisë për të miratuar rekomandimet përfundimtare, delegacioni i Parlamentit Evropian propozoi ndryshimin e rregullores së funksionimit në nëntor 2015. Ky rishikim kishte për qëllim që të vendosë më shumë qartësi në procedurën e votimit dhe të sigurojë zhvillimin më të mirë të takimeve” të forumit ndërparlamentar.

Rregullat e ndryshuara tregojnë qartë se rekomandimet e KPSA-së konsiderohen të miratuara vetëm kur është arritur shumica midis anëtarëve të secilit delegacion paralamentar të pranishëm në takim. E njëjta gjë është e vlefshme për votimin e amendamenteve të rekomandimeve: secili anëtar i KPSA-së ka një votë të vetme, personale dhe të patransferueshme dhe procedura e votimit bëhet me anë të ngritjes së duarve ose elektronikisht.

Pavarësisht thirrjeve të rregullta për një gjuhë të përshtatshme pajtuese dhe zgjerimit të dialogut politik konstruktiv gjatë mbledhjeve të KPSA-së, delegacioni shqiptar nuk ka arritur të shfrytëzojë kapacitetin e tij të plotë dhe angazhimin për arritjen e një dialogu konstruktiv dhe kulturë politike demokratike.

E njëjta situatë reflektohet edhe brenda grupeve politike që përbëjnë parlamentin kombëtar. Megjithëse Komisioni dhe Parlamenti Evropian kanë ndërmjetësuar disa herë për krijimin e një klime politike të shëndetshme në Shqipëri, asnjë rezultat i qëndrueshëm nuk është arritur nga elitat politike vendase.

Analiza tregon një mospërputhje midis deklaratave zyrtare të liderëve të partive mbi axhendën kombëtare të reformave për në BE-së dhe praktikave politike në terren. Angazhimet formale kanë rezultuar në retorikë të pastër politike dhe nuk janë përkthyer ende në ndryshime efektive të sjelljeve parlamentare.

Përballë një konkurrence të ashpër ndërpartiake dhe bojkoteve të përsëritura, nevojitet një mobilizim i menjëhershëm i palëve të interesuara lokale në mënyrë që të japin rezultate të reja në rrugëtimin e integrimit.

Duke pranuar se mbikëqyrja parlamentare në Ballkan është ende e pamjaftueshme, si BE-ja dhe shoqëria civile duhet të nxisin me forcë përfshirjen e mediave, OJQ-ve dhe sindikatave në përmirësimin e klimës politike dhe përforcimin e rolit të tyre si organe mbikëqyrëse në zbatimin e reformave.

Për më tepër, Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian, si organi më i lartë kombëtar këshillues i cili ofron drejtime strategjike dhe nxitje të bashkëpunimit gjithëpërfshirës midis partive politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile, duhet të mbajë një qëndrim të qartë mbi ngërçin politik aktual, përpara se sa situata të bëhet e dëmshme për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

 

*Komiteti Parlamentar për Stabilizim-Asociimin BE-Shqipëri funksionon si forum mbledhjesh dypalëshe dhe shkëmbim pikëpamjesh midis anëtarëve të delegacioneve parlamentare, si dhe ofron mundësi për të ushtruar një mbikëqyrje parlamentare mbi procesin e integrimit të Shqipërisë. Komiteti organizon mbledhje sistematike (dy herë në vit) me rotacion, në Tiranë dhe në selinë e Parlamentit Evropian. Ky rotacion mundëson kontakte më të ngushta të delegacionit shqiptar me punën e Parlamentit Evropian dhe një shpërndarje të barabartë të kostove. Puna administrative e KPSA-së kryhet nga një sekretariat i përbashkët, me personel të përzgjedhur nga Sekretariati i Parlamentit Evropian dhe zyrtarë të emëruar nga Parlamenti shqiptar. Si organ konsultues, KPSA-ja mund të ndikojë në mënyrë të tërthortë në procesin politikëbërës, duke i paraqitur rekomandime (jo detyruese) Parlamentit Evropian, Komisionit dhe Këshillit, si dhe Parlamentit dhe Qeverisë së Shqipërisë.
 *Analiza bazohet në një vlerësim cilësor të raporteve, deklaratave, njoftimeve për shtyp, si dhe procesverbaleve dhe rekomandimeve përfundimtare të KPSA-s të publikuara për çdo shtet (Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë) gjatë periudhës 2010-2016.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *