Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Parku Divjakë-Karavasta/Mrekullia e rrezikuar

Rruga që të çon aty është e shoqëruar në pjesën më të madhe të saj nga palma të thara. Është një ditë plot diell dhe parku kombëtar i Divjakë-Karavastasë është zgjedhja mbase më ideale për të lënë pas krahëve Tiranën kaotike e të pluhurosur. Ku mund të gjesh më mirë sesa gjelbërim, qetësi mendore e ajër të pastër?

Pasi kalon qytezën e Divjakës dhe shkel një prej zonave më të bukura natyrore, kupton menjëherë që zgjedhja ka qenë e duhura. Përveç mushkonjave. Ato janë i vetmi detaj aspak mikpritës që për disa sekonda të bën të ndryshosh mendje nga ideja paraprake. 

Pavarësisht investimeve të shumta dhe premtimeve të çdo qeverie të këtyre 27 viteve, për dezinsektimin e të gjithë këtij territori, mushkonjat vijojnë të mbeten një problem serioz që më shumë se të gjithë, shqetëson turistët.

Ndalesa e parë janë zyrat e Administratës të Zonave të Mbrojtura. Aty takojmë Enea Zenunin, përgjegjës i administratës për këtë park, që këtë ditë ka si detyrë të bëjë guidën dhe ciceronin për një grup studentësh. 

I buzëqeshur dhe plot pasion, ai i njeh të rinjtë me disa informacione bazike mbi parkun. 

“Parku kombëtar i Divjakë-Karavastasë ka një sipërfaqje prej 22.230 hektarësh. Në vitin 1966 kur u deklarua park kombëtar kishte një sipërfaqje prej vetëm 1200 hektarësh, që përfshinte vetëm parkun. Që nga 2007 përfshiu kodrina, lagunën, fusha bujqësore etj.”   

Enea Zenuni gjatë punës si guidë. Foto: Citizens Channel

Në të gjithë këtë fluks pune, Enea gjen kohë t’i përgjigjet edhe kureshtjes sonë, se si ka ndryshuar numri i turistëve nga viti në vit. 

“Krahasuar me vitin 2015, viti 2016 pati një dyfishim të numrit të turistëve. Ata janë të shumtë jo vetëm gjatë sezonit turistik, por edhe gjatë stinës së dimrit. Mes tyre ka shumë botanistë ose profesionisë të tjerë. Shumica vijnë nga Britania e Madhe. Vetëm gjatë tre muajve të verës në vitin 2016, administrata ka pritur mbi 3 mijë turistë, edhe pse numri i tyre është shumë më i lartë.” 

Aktivitetet që u ofrohen turistëve në këtë zonë janë shumë joshëse. Përgjatë viteve të fundit në modë është vrojtimi i zogjve (birdwatching), lëvizjet me varkë në lagunë (duke mos shqetësuar ishullin e pelikanit), hiking, lëvizje me biçikletë si dhe markim shtigjesh, të cilat e shndërrojnë këtë eksperiencë në një prej më të paharrueshmeve në jetë. 

Në oborrin e zyrave të administratës, ku së fundmi janë bërë gati edhe zyrat e informacionit për turistët, takojmë edhe Xhonin, pelikanin e domestikuar. Ai është gjetur kohë më parë i plagosur në Kurjan të Fierit, dhe pas ndihmës dhe shërimit, jeton dhe mikpret turistët që zbarkojnë aty.

Pelikani Xhoni. Foto: Amarildo Topi/Citizens Channel

Udhëtimi vijon drejt lagunës së Karavastasë, aty ku është dhe shtëpia e shpendëve migratorë. 

Gjëja e parë që të kap syri është peisazhi mahnitës i lagunës së pafundme. Por vështrimit nuk i shpëton as një pirg shishesh qelqi të thyera e të hedhura në anë të rrugës. Gjurmët e dëfrimit të ndonjë grupi turistësh të pushtojnë dhunshëm shikimin. 

Teleskopi dhe dylbitë që na vë në dispozicion Enea, na ndihmojnë që të ndihemi sa më pranë kolonisë së flamingove dhe pelikanit kaçurrel, i cili është edhe simbol i lagunës. 

“Laguna e Karavastasë është shtëpia e shpendëve migratorë. Gjatë sezonit migrator, nga censusi i fundit që është zhvilluar, janë evidentuar rreth 40 mijë shpendë. Moratoriumi i gjuetisë dhe pyjeve na kanë ndihmuar shumë dhe kanë qenë shumë frytdhënës.”

Vrojtimi i shpendëve, e në veçanti i pelikanëve kaçurrelë, është një mundësi që s’duhet humbur. Rreth 245 pelikanë të tillë mbizotërojnë në lagunë, dhe vetëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti, janë shtuar 52 pelikanë të rinj. 
 
Shpendët nuk janë të vetmit që e kanë bërë të famshme lagunën. Peshqit dhe ngjalat e kësaj zone janë gjithashtu me famë. 

Astrit Qoku, banor i zonës, ka thuajse një jetë që peshkon këtu. Ai njeh me sy mbyllur sezonet pjellore të lagunës, temperaturat, e çdo detaj tjetër të zanatit të tij. 

“Laguna është e famshme për ngjalat, të cilat kanë tre sezone gjatë vitit: në tetor, në nëntor, që është edhe muaji më me prodhim, si dhe dhjetori. Gjatë këtyre tre muajve mund të zëmë 10, 15 ose dhe 5 kv (kuintalë) ngjala. Peshkimi s’ka kurrë të njëjtat rezultate. Ndërsa nga peshqit kemi kocën, qefullin, levrekun”, – thotë ai për Citizens Channel. 

Andej pari takojmë edhe një grup turistësh gjermanë. Pavarësisht moshës, ata duken shumë aktivë në të gjitha aktivitetet që ofron laguna. 

Dy prej tyre, burrë e grua, kanë ardhur nga qyteti i Hamburgut. Ata shprehen se kanë rënë në dashuri me natyrën shqiptare.

“E nisëm turin tonë me Kosovën, e më pas ndaluam në veri të Shqipërisë, në Valbonë e Theth. Kaluam ditë fantastike aty. Natyra shqiptare është e mrekullueshme. Ndërsa këtu gjithçka po na duket mahnitëse”, – thonë turistët gjermanë për Citizens Channel. 

Turistë gjermanë në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Foto: Citizens Channel

Më pas drejtohemi për nga pylli i Divjakës, aty ku gjen pishën e butë dhe të egër, si dhe bimë të larmishme e të veçanta, të cilat zbukurojnë sipërfaqjen prej 1250 hektarësh. Legjenda thotë se ky pyll është krijuar në periudhën e perandorisë romake, gjatë luftës mes Çezarit dhe Pompeut. Në ato kohëra, kur bregdeti përdorej për shkëmbimet me Kostandinopojën, një anije e cila transportonte ushqime u mbyt, dhe me ato që nxorrën dallgët në breg, u krijua pylli. 

Aty ritakojmë sërish grupin e studentëve, të cilët vizitën në park duhet ta riprodhojnë me anë të fotografive dhe videove, në kuadër të një trajnimi disa-ditor ku po marrin pjesë.

Për dy prej tyre, Aidën dhe Valentinon, studentë të universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, kjo është një eksperiencë e paharrueshme. “Do të përshkruajmë në videon që do të përgatisim të gjitha detajet e veçanta të këtij parku që po e vizitojmë për herë të parë. Dhe kemi shumë gjëra të bukura për të treguar”, – thonë të ngazëllyer. 

Orët në këtë park kombëtar kalojnë me shpejtësinë e sekondave. Për ta mbyllur, vendosim të zbatojmë një rekomandim të banorëve: një ndalesë tek restorant “Te Ruvi”, ku hahen ngjalat dhe peshku më i mirë i lagunës.

Pjatat tradicionale, produktet e freskëta të zonës dhe gatimi fantastik, s’të lë vend për dyshime: rekomandimi ka qenë i duhuri!

Pasditja në park është e freskët. Dielli i ka lënë vend muzgut, turistët janë rralluar dhe qetësia është bërë më sunduese se kurrë. Ne iu dorëzuam kësaj paqeje të paçmueshme dhe largohemi nga parku kombëtar i Divjakë-Karavastasë duke marrë me vete njollat e pickimeve të mushkonjave rebele, mirësjelljen e punonjësve të administratës, imazhin e gushës së fryrë të pelikanit Xhoni, të folurën pasionante të peshkatarit, shijen e mirë të ushqimeve bio, por mbi të gjitha krijimin e rrallë që ka bërë dora e Zotit në këtë vend të bekuar… 

Autor: El.El

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *