Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Besi Ymeri, inxhinieri shqiptar që ndez mbrëmjet latine në Gjenevë dhe Tiranë

Një ndër arritjet më të mëdha në jetë është të paturit një profesion që e do. Duhet shumë mund, shkollim, investim dhe vullnet. Por kur jetën e ke të mbushur me profesione, pasione, zanate, ndodh një në një milion raste.

Bes Ymeri sot është thuajse në të 30-at e tij. Teksa e pres që të vijë në vendin tonë të intervistës, vras mendjen se si do ta nis intervistën me të. Nga një i njohur i tij, kam mësuar paraprakisht që Besi është multi-tasking, pra bën shumë profesione njëkohësisht. Dhe është i suksesshëm në çdo punë që merr përsipër. Nuk di nga t’ja nis, por kur Besi vjen dhe biseda jonë rrjedh natyrshëm, atëhere idetë bëhën lehtësisht të kthjellëta.

Ajo që mund të kuptoj nga minutat e para me të, është fakti që ai dashuron gjithçka bën në jetë. I mësuar me punën që herët, ai ishte 16 vjeç kur nisi një emision të tijin në Radio Tirana, ku qëndroi katër vite.

Kohët kalonin si pa kuptuar, derisa gjashtë vite më parë, në 2011-ën, mori mbase një prej vendimeve më të vështira të jetës së tij: të linte Tiranën dhe të shkonte të jetonte në Gjenevë, një ndër qytetet më luksoze dhe më të shtrenjta në botë.

Ishte vendim aspak i lehtë, sepse erdhi në momentin kur jeta e tij në metropolin shqiptar shkonte vaj. Ai ishte njëkohësisht: student në vitin e fundit të studimeve Master për inxhinieri elektronike, kishte një me biznes fonie dhe skena që në moshën 18-vjeçare bashkë me një mikun e tij, ishte DJ i muzikës elektronike në klubet më të njohura si dhe bashkë-krijues i një prej faqeve më të ndjekura online, “Tillate.al”, ku publikohen fotografi dhe video nga jeta e natës në klubet trendy të Tiranës, faqe e cila kishte ekskluzivitetin për Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kosovën.

“Kur nisa biznesin e skenave dhe audios, isha shumë i ri. Nuk dija shumë gjëra, por duke “vjedhur” nga profesionistët, mësova çdo detaj që më duhej”, – tregon duke buzeqëshur. Puna si DJ e njohu me shumë njerëz, e veçanërisht me adhuruesit e muzikës elektronike. Fansat e kësaj muzike, sipas tij, sot i gjen që të gjithë si sipërmarrës ose menaxherë të bareve apo klubeve më të famshme të Tiranës.

Por nëse në sytë e të tjerëve ai ishte një i ri që kishte arritur shumë në jetë, vetë Besi ndihej sikur ishte në stanjacion. “Shumë njerëz më thonin që do donin të ishin në vendin tim”, -thotë ai për Citizens Channel.

Besi Ymeri duke luajtur në një klub të Gjenevës. Foto0: Private Citizens Channel
Besi Ymeri duke luajtur në një klub të Gjenevës. Foto: Private

Kthesa në jetën e tij u bë gjatë pushimeve që bëri në 2011-ën tek disa të afërm në Gjenevë të Zvicrës. Duke folur me ta dhe duke u rrëfyer që Shqipëria nuk po e sfidonte më, lindi dhe ideja për ndonjë shkollë atje. “Kushërinjtë më çuan në një prej universiteteve më të mira të inxhinierisë aty. Nuk e dija që më kishin organizuar edhe një takim me drejtorin e këtij universiteti. Pas bisedës me të, që në fakt kishte qenë një test oral për mua, ai mundi të kuptonte pasionin tim për degën e Sound Engineering dhe më tha që do të ishin të gatshëm të më pranonin menjëherë.”

Pengesa e vetme ishte pagesa tepër e kripur. Ishte pak demoralizuese, por motoja e Besit ishte: gjithçka bëhet! “U ktheva në Shqipëri dhe e diskutova me familjen mundësinë e zhvendosjes në Gjenevë. Ishin të gjithë kundër, sepse ata mendonin që isha shumë i realizuar në Tiranë. Shkollën po e mbyllja, biznesin e kisha shumë fitimprurës. Por ndoqa intuitën time. Vendosa të shkoj atje. I shita pjesën time ortakut dhe vendosa të rifilloj nga zero në një tokë të huaj.”

Si për çdo njeri, edhe për Besin fillimi ishte më shumë se i vështirë. “Nuk dija asnjë fjalë frengjisht. Gjashtë muajt e parë ishin tmerr. Leksionet më tingëllonin si kinezçe. Në klasë nuk kuptoja asgjë. Por fatmirësisht mësimet ishin në power point dhe i kuptoja gjatë studimit në shtëpi.”

“Rezultatet e dy provimeve të para ishin 51%, nga 80% që duhen të marrësh diplomën. Por sërish nuk u demoralizova. I çoj punët deri në fund. Edhe nëse në fund nuk ka dalë ajo që prisja, sërish i përfundoj.”

Ai e dinte që paratë që kishte me vete nuk do i zgjasnin shumë. Prandaj, ja nisi punës. “Punën e parë e kisha me një kompani që organizonte evente për firma të njohura. Bënim super organizime nëpër hotele gjigande, evente shik. Puna ime ishte të bëja ndriçimin dhe të përdorja ekrane led. Ishte hera e parë, por duke parë nga kolegët e tjerë, e mësova shpejt.”

Kontaktet në këto evente e njohën me shumë njerëz të rëndësishëm të artit, dhe shumë shpejt nisi të realizonte albume këngëtarësh të njohur dhe fitoi një kontratë një-vjeçare pune si kameraman pranë zyrës së Kombeve të Bashkuara, zanat të cilin gjithashtu e “vodhi” në kompaninë e eventeve. Gjithashtu mësoi montazhin, dhe nisi të montonte filma me metrazh të shkurtër.

Latin lover

 Gjatë kohës së studimeve në Tiranë, nisi të frekuentonte edhe një kurs të kërcimit latin. “Muzika latine nuk më ngjiste. Gjithsesi rastësia më çoi aty dhe kuptova që mësoja shpejt.” Dhe mesa duket latinja nuk iu nda më kurrë Besit ose Besi nuk iu nda më kurrë latines, sepse tani e ka kthyer edhe këtë pasion në një profesion të vërtetë.

“Fillova të shkoj në kurset e salsës kubane. Më tërhiqte pafund. Aq shumë më tërhiqte, saqë pasi ndiqja shkollën dhe punoja gjithë ditën, çdo mbrëmje shkoja të kërceja salsa. U perfeksionova benda një kohe shumë të shkurtër, edhe këtu duke “vjedhur” nga më të mirët. Në këtë mënyrë gjeta edhe stilin tim individual. Shumë profesorë nisën të më thonin “hajde me ne”. Ishte një profesore ruse në shkollën më të madhe të salsas në Gjeneve që më ftoi aty, dhe pas tre vitesh e gjysmë pa ndërprerje, u bëra profesor i parë i kësaj shkolle”, – tregon për Citizens Channel, pa e fshehur krenarinë.

Besi Ymeri duke kërcyer salsa në një nga lokalet e Tiranës. Foto: Private Citizens Channel
Besi Ymeri duke kërcyer salsa në një nga lokalet e Tiranës. Foto: Private

“Kërcimi është anti-stres i gjitçkaje. Kur jap mësim, harroj çdo stres e lodhje.” Përveçse profesor i parë i salsës, ai luan edhe si DJ i latines dhe e ftojnë në klubet më të mira të Gjenevës, Francës, Kosovës dhe së fundmi edhe Shqipërisë.

Megjithëse me këtë stil jete kaq të ngjeshur, Besi gjen edhe kohë për veten dhe vajzën zvicerane me të cilën thotë se është i dashuruar marrëzisht. “Tashmë prioritet imi është krijimi i një familjeje, dhe shumë shpejt do heq dorë nga shumë gjëra.”

Në projektet e ardhshme të tij është një libër për audion dhe sound engineering, që në gjuhën shqipe mungojnë. Besi vjen shpesh në Tiranë, ku ka familjen dhe një sërë idesh për projekte të reja.

“Në të ardhmen mund të dalë një profesion tjetër”, – thotë duke qeshur. “Por një gjë kam parasysh gjithmonë: të punoj freelance, për veten, dhe aspak i varur nga të tjerët.”

Autor: El.El

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *