Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Marsida Bandilli, “udhëtimi” nga Tirana e 94-ës tek “kupa” e demokracisë

E rritur në një ndër lagjet tipike Tiranase, shkolla ku ndiqte klasën e parë i dukej shumë e madhe…aq sa mbetej pa frymë, sa herë kalonte para saj. Asokohe, Marsida Bandillit asesi, nuk i shkonte në mendje se do të ishte pikërisht kjo shkollë modeste e Tiranës të sapo dalë nga monizm, por shumë e madhe për sytë e saj fëmijërorë, që do t’i shtronte rrugën drejt universiteteve më në zë të botës, e hapte perspektiva që ndoshta ajo as i kishte imagjinuar.

E dashuruar pas shkencave politike, aktualisht ajo po bën realitet ëndërrën e saj në një nga universitetet më me zë të Evropës, atë të Antwerpit, në Belgjikë. Vajza që dikur ëndërronte të ishte një balerinë, tashmë është shndërruar në studenten ekselente që është nderuar me çmime ndërkombëtare për aktivizmin dhe demokracine në Evropë, dhe po ashtu i është besuar trajnimi i të rinjve nga e gjithë bota në fushën e e lidership-it.

Me një blog personal në prestigjozen “Huffington Post” ku diskuton për demokracinë në Evropë dhe të rinjtë, ajo nuk është një vajzë që rri vetëm mbi libra, por ka gjithmonë një konferencë për të moderuar apo takim të rëndësishëm ku të prezantojë punët e saj.

Një vit më parë, më 2016, studentja që përfaqëson denjësisht Shqipërinë në instancat më të larta të demokracisë evropiane, Marsida ka marrë pjesë në debatin mbi të ardhmen e Evropës organizuar nga Parlamenti Evropian, ku e pranishme ka qenë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel. Sigurisht, rruga për të mbërritur deri këtu nuk ka qenë aspak e lehtë. Në një intervistë për “Citizens Channel” Marsida Bandilli na tregon për rrugëtimin e saj, plot pengesa, por që çdo pengesë e ka ndihmuar të maturohet.

Marsida Bandilli në debatin mbi të ardhmen e Europës organizuar Parlamenti Europian, ku e pranishme ka qenë edhe kancelarja Merkel. Foto: Private

Thonë që klasa e parë lë gjithmonë shenjë, çfarë mban mend nga klasa e parë?

Klasën e parë e kam nisur në vitin 1994 – 1995. Ka qenë emocion shumë i bukur, dhe mbaj mend porosinë e mamit që do më priste jashtë pasi të mbaroja mësimin. Mbaj mend që ka qenë e bukur, por edhe e vështirë, pasi kam thyer krahun duke bërë “balet” në shtëpi – një pasion që e ruaj edhe sot e kësaj dite. Më kujtohet që për këtë arsye e kisha të vështirë të shkruaja shkronjat e alfabetit, por mësuesja e klasës së parë, Irena Dhima – të cilën nuk e harroj kurrë, më inkurajonte dhe më mbante si model për dedikimin që tregoja, pavarësisht rrethanave.

Po shkolla e lartë: ka qenë dega që ke ëndërruar gjithmonë apo zgjedhje rastësore?

Nuk di të them nëse shkencat politike më zgjodhën mua, apo unë zgjodha ato. Por mund të them që më ka pëlqyer të studioj mbi shoqërinë dhe politikën në pikëpamjen akademike. Mendoj se universiteti më ka ndihmuar të hap edhe më tej “horizontin” për botën, për shumë fenomene sociale dhe për atë që unë doja të bëja më tej në jetën time. Librat, leksionet, interneti – të gjitha më inspironin për të menduar më tej mbi atë që unë mund të bëj, dhe kontributin që mund të sjell në shoqëri dhe më tej në botë.

Cili është ndryshimi më i madh midis të qenit student në një universitet në Shqipëri, dhe një studenti në Evropë?

Pyetje shumë e bukur por e vështirë për t’ju përgjigjur, sepse në Shqipëri kam qenë studente që në moshën 18 vjeçe kurse në Belgjikë kam ardhur si studente në moshën 25 vjeç. Të bësh doktoraturën në Belgjikë të jep një liri të madhe akademike, për të zgjedhur temën që do shkruash, për të ndërtuar vetë programin e doktoraturës, në drejtim të zgjedhjes së kurseve, konferencave dhe aktiviteteve të tjera që do të bësh që e plotësojnëkurrikulën e doktoraturës.

Ndoshta ndryshimi më i madh është liria e zgjedhjes, materialet dhe artikujt më të fundit akademik qëmund t’i marrësh përmes biblotekës fakti që kërkimi shkencor është më i bukur kur ke infrastrukturën e duhur për ta zhvilluar.

Sot ke mundësi të bësh edhe krahasime: çfarë do të ndryshoje nga sistemi arsimor në Shqipëri?

Sigurisht që ka ndryshime midis universitetit në Shqipëri dhe në Europë por e vetmja gjë që unë do ndryshoja është biblioteka. Një nga avantazhet më të mëdha që kam në Belgjikë është aksesi në biblotekën e Universitetit si dhe biblotekën online që është e lidhur me shumë universitete të tjera në botë. Përmes këtij sistemi kam mundësi të shkarkoj artikuj dhe materiale që më duhen për të shkruar temën e doktoraturës.

Një ndryshim tjetër është fakti se në Europë investohet shumë në kërkimin shkencor, dhe shpresoj që në Shqipëri kërkimi të jetë pjesë e kurrikulave universitare. Them këtë pasi, të shkruarit në mënyrë të pavarur, të ndihmon të analizosh fenomenet për të kuptuar se përse ndodhin në një mënyrë të caktuar; pra për të shpjeguar, dhe jo vetëm për të përshkruar. Krahas kësaj, edhe njohuritë e mira praktike të metodave kërkimore dhe shkencore, të ndihmojnë për të analizuar fenomenet në mënyrë të pavarur.

Që prej 27 vitesh Shqipëria aspiron të bëhet anëtarë e Bashkimit Evropian, por ti Marsida në një farë mënyre ja ke arritur pasi moderon shume aktivitete ndërkombëtare, a ka shpresë për Shqipërinë?

Unë shpresoj shumë që Shqipëria të anëtarësohet sa më shpejt në BE. Por ky është një proces, dhe vendimet shpeshherë janë politike. Zgjerimi nuk është në prioritetet e komisionerit aktual Z. Juncker, por të shpresojmë në planin afat-mesëm do të vendoset sërish në axhendë.

Besoj se shpresë ka për Shqipërinë, dhe është shpresa që duhet të na motivojë çdo ditë të bëjmë më shumë dhe më mirë, si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ajo që më gëzon vërtetë është kur takoj shqiptarë të tjerë që ja kanë dalë në Europë apo kudo në botë, dhe që me punën e tyre tregojnë se Shqipëria është njësoj si e gjithë Europa. Ky është mesazhi më i mirë që mund t’i japim Europës, dhe besoj se jemi në rrugë të mbarë.

Të pëlqen të angazhohesh në politikë, apo vetëm ta studiosh?

Politikën shqiptare e ndjek nga larg dhe mendimi im është që politika duhet të jetë më e hapur, të trajtohen çështjet themelore si korrupsioni, reforma në drejtësi dhe në disa sektorë të tjerë në mënyrë që të përparohet me anëtarësimin në BE, dhe të ketë më shumë shanse për të rinjtë shqiptarë. Mendoj gjithmonë që të rinjtë janë një potencial i pafund dhe ata duhet të japin kontributin e tyre në politikë ashtu si në sektorë të tjerë. Më pëlqen të studioj politikën dhe shoqërinë aq dhe të ndryshoj gjërat në realitet, në një të ardhme.

Marsida Bandilli HuffpostMarsida ti ke një blog në të famshmin Huffington Post, si arrite të kesh një blog personal dhe për çfarë shkruan?

Unë shkruaj për Huffington Post, herë pas here dhe nuk ka qenë e vështirë të kesh një blog personal. Kam dërguar disa shkrime të mijat aty, dhe ata i kanë pranuar. Më pas kam krijuar llogarinë time dhe tani mund të shkruaj herë pas here. Bloget për The Huffington mbulojnë tematika të gjera, dhe unë shkruaj zakonisht për të rinjtë dhe angazhimin e tyre në shoqëri, politikë dhe më tej.

Kush të ka qëndruar pranë në këtë rrugë të veshtirë, kush të motivon, kush të ngushëllon kur “rrëzohesh”?

Personit që i dedikoj gjithçka në këtë jetë është mamaja ime, Zoica. Ajo më ka mësuar se nëse punon fort, një ditë do arrish aty ku dëshiron. Ka qenë mbështetja ime më e madhe për çdo gjë që kam bërë në jetë dhe më ka mësuar që çdo pengesë ta shoh si një mundësi, se sa herë që “rrëzohem”, jam ngritur gjithnjë e më e fortë. Mamit i dedikoj temën e doktoraturës, sepse ajo e ka përjetuar çdo moment të saj dhe më ka qëndruar pranë, edhe pse fizikisht kemi qenë larg njera-tjetrës.

Gjithashtu kam shumë miq të mirë, mentorë, të rinj që takoj në aktivitetet e ndryshme që unë bëj, që janë burim frymëzimi për të vazhduar përpara. Për të përmendur janë kolegët e Universitetit të Tiranës, ku unë punoja përpara se të vija në Belgjikë që sa herë kthehem më presin me “krahë hapur” dhe janë “la raison d’être” që unë të vazhdoj më tej në Bruksel.

Do të kthehesh në Shqipëri për të punuar apo do ta ndërtosh karrierën tënde jashtë Shqipërisë?

Unë nuk i them asnjëherë jo punës. Shpesh punoj në mënyrë vullnetare, ndihmoj miq apo njerëz të tjerë që kanë potencialin për të arritur diçka, mbështes projekte apo edhe organizata si në Shqipëri edhe jashtë saj.

Jam në një moment që nuk mund ta përcaktoj nëse do kthehem në Shqipëri. Pas mbylljes së doktoraturës do të vazhdoj të punoj në Bruksel, në një zyrë konsulence në raport me çështjet e Bashkimit Europian. Të shohim se çdo të sjellë më tej e ardhmja.

Autor: E.K / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *