Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Pneumologët: Ndotja e ajrit po ‘ha’ mushkëritë e shqiptarëve

Të marrësh frymë në Shqipëri të kushton vite jetë humbje. Trafiku i rënduar, djegia e mbeturinave, përqëndrimi i industrisë afër qendrave të banuara, janë disa faktorë të ndotjes së ajrit, që kanë shkaktuar 2220 vdekje të parakohshme. Ky raport i fundit i Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) e rendit Shqipërinë frikshëm si një nga vendet me cilësinë më të ulët të ajrit në Europë.

E gjithë kjo ndotje e ajrit ka impaktin e saj në shfaqjen e sëmundjeve respiratore. Elda, studente prej 2 vitesh në Tiranë, shprehet se ndjen vështirësi në frymëmarrje. “Mua më duhet të leviz shumë gjatë ditës dhe ndjej një rëndesë në gjoks që nuk më lejon të mbushem me frymë. Më ndodh shpesh edhe të kthehem në shtepi me sy të skuqur që më djegin dhe lotojnë”, shprehet 21 vjeçarja.

Silva Bala, mjeke pneumologe, në një intervistë për Citizens Channel tregon se ato që po dëmtojnë mushkëritë e banorëve të kryeqytetit, janë grimcat që thithin çdo ditë nëpërmjet ajrit të shkaktuar nga karburanti i automjeteve, mjetet e vjetra, pluhuri apo tymi që del nga djegia e mbeturinave.

“Sëmundjet më të shpeshta që sjell ndotja e ajrit janë asma bronkiale, bronkitet kronike, bronkitet alergjike dhe deri në shfaqen e kancerit të mushkërisë. Duke krahasuar shifrat e 2015 me të 2016 kemi patur një shtim prej 50 rastesh të kancerit të mushkërisë, e cila edhe pse nuk mund të quhet një rritje e madhe nuk duhet nënvlerësuar”, shprehet mjekja Bala.  

Në vitin 2016, sipas të dhënave të INSTAT vdekjet e shkaktuara nga tumoret janë rritur me 2,1 %, krahasuar me një vit më parë, ku nëngrupi i sëmundjeve „tumor në mushkëri‟ përbën 20,4 %.

“Duhanpirja dhe ndotja janë dy faktorët kryesorë të shtimit të sëmundjeve kancerogjene”, sqaron për Citizens Channel pneumologia Silva Bala. “Rritja e konsumit të duhanit e jep impaktin pas 15 – 20 viteve. Ashtu siç ka qenë në rritje konsumi i duhanit para 2 dekadave,  tani është rritur pritshmëria për dëmet e shkaktuara. Propabiliteti i kësaj sëmundjeve rritet edhe nga ndotja në mjedisin e punës, por jo vetëm. Veçanërisht punëtorët e industrisë metalurgjike, kimike dhe të minierave diagnostifikohen më shpesh me këtë sëmundje”,  shprehet Bala.

E pyetur se cilat qytete kanë numrin më të lartë të pacientëve të prekur nga kanceri i mushkërisë, mjekja tha se Elbasani, Fieri, Tirana dhe Korça janë qytetet që dominojnë.  “Janë kryesisht qytetet që kanë industrinë e zhvilluar, janë të mbipopulluara dhe kanë një numër të lartë të mjeteve në qarkullim”, shton Bala.

Ndonëse në Tiranë niveli i ndotjes pati një rënie me 15 % gjatë vitit 2016 krahasuar me vitin 2015, edhe kryeqyteti është ende shumë larg normës mesatare të Bashkimit Europian.

E nëse pyesni veten sesa është mesatarja e viteve për t’u jetuar nëse shqiptarët nuk do të vdisnin para kohe nga ajri i ndotur , raporti i Agjencisë Evropiane të Mjedisit e ka një përgjigje: 776 vjet për 100 000 banorë.  

Siç duket nëse masa urgjente nuk merren për të përmirësuar situatën e ajrit të ndotur në Shqipëri frymëmarrja e shqiptarëve do të ketë kosto edhe më të rëndë.

Autor: Rashela Shehu*

Autorja është gazetare pranë televizonit Report TV

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *