Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Agjencia e Mjedisit: 15 plazhe tejet të ndotur, të merren masa urgjente

I konsideruar prioritet nga qeveria shqiptare, turizmi, së paku ai detar, duket se është shumë larg standardeve që ofrojnë edhe fqinjët tonë të rajonit, e jo më ata të BE-së.  Këtë e konfirmon edhe Raporti i mjedisit 2016, që Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka bërë publike dy ditë më parë.

Të dhënat nuk janë aspak optimiste, madje ka përkeqësim krahasuar me një vit më parë.  Sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), nga 99 stacione të plazheve të monitoruar për vitin 2016, vetëm 53 %  e tyre (ose 52 stacione) kanë një cilësi shumë të mirë të ujrave, 23 % ( 23 stacione ) kanë një cilësi të mirë, 9 % e tyre (9 stacione) kanë cilësi të mjaftueshme dhe plot 15 %  (ose 15 stacione) janë të cilësisë shumë të keqe dhe rekomandojnë marrjen e masave të menjëhershme.  

Këto të dhëna në fakt tregojnë se ka një përkeqësim të dukshëm të cilësisë së ujrave të plazheve shqiptare krahasuar me 2015-ën, ku nga 99 stacione të monitoruara, 91 % e tyre (ose 90 stacione) kanë rezultuar me ujëra të kristalta, pra me cilësi të shkëlqyer,  6% kanë rezultuar me cilësi të mirë të ujrave dhe vetëm 3 pika (ose 3%) kanë rezultuar me cilësi shumë të keqe. 

Në vlerësimin e cilësisë së ujrave bregdetarë të larjes janë mbajtur parasysh 2 dy elementë kryesorë: përcaktimi i ngarkesës bakteriale të ujrave bregdetarë të larjes (Escherichia Coli, Enteroccocus Intestinalis) si dhe inspektimi i mjedisit në plazhe për vlerësimin e faktorëve të rriskut që ndikojnë në ndotjen e ujrave bregdetare larëse.

Ujëra të kristalta

Plazhet e Gjirit të Lalzit, Spille, Dhërmiut, Zvërnecit, Himarës, Qeparoit, Borshit dhe Ksamilit, për vitin 2016 janë plazhet me cilësinë më të mirë të ujrave të larjes në të gjithë bregdetin, ku 100% e rezultateve të tyre i përkasin kategorisë së parë, pra cilësi shumë e mirë e ujrave.

Velipoja

Plazhi i Velipojës ka një rënie të cilësisë së ujrave për vitin 2016, ku vitet e mëparshme ishin 100 % në kategorinë e parë. Ndërsa në 2016, nga 7 stacione të monitoruara, cilësi të shkëlqyer kishin vetëm 4  stacione monitorimi (47 %), ndrësa tre të tjerë ranë në cilësi e mirë.

Shëngjini

Edhe plazhi i Shëngjinit ka rezultuar më i ndotur së një vit më parë, kur klasifikohej 100% në kategorinë e parë. Për vitin 2016, nga 5 pika të monitoruara, vetëm 3 kanë ruajtur cilësinë e pastërtisë së ujrave, ndërsa dy prej tyre kanë rënë një kategori më poshtë, cilësi e mirë.

Tale

Për plazhin e Tales i cili monitorohet për herë të parë për vitin 2016, numuri i stacioneve të kategorisë A- Cilësi se shkëlqyer e ujrave është 67% (2 stacione) dhe B-Cilësi e mire është 33%.(1 pikë monitorimi)

Gjiri i Lalzit

Plazhi i Gjirit të Lalzit edhe për vitin 2016, të tre pikat e monitorimit ishin në kategorinë A-Cilësi e shkëlqyer.

Durrësi

Plazhi i Durrësit për vitin 2016 ka rezultuar më i ndoturi dhe me një përkeqësim të ndjeshëm krahasuar me 2015. Nga 21 stacione të monitoruara, vetëm 1 stacion ka rezultuar me ujëra të kategorisë së parë, 7 stacione renditen në kategorinë e dytë- cilësi e mirë e ujrave, 4 stacione kanë rezultuar të kategorisë së tretë- cilësi e mjaftueshme dhe 9 stacione kanë ujra tejet të ndotur dhe klasifikohen në kategorinë e fundit, për të cilët rekomandohet marrja e masave të mënjehershme.  

Ndonëse këtë herë Agjencia Kombëtare e Mjedisit është treguar e kujdesshme, vitet e mëprashme, në raportin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, për ujëra të cilësisë D- ekspertët rekomandonin masa të menjëhershme për mbylljen e tyre dhe vendosjen e tabelave paralajmëruese që të ndalohej larja deri në pastrimin e tyre.

Kavaja

Nga 9 pika të monitoruara në plazhet e Kavajës  për vitin 2016, 3 pika kanë rezultuar cilësia shumë e mirë, 3 pika -cilësi e mirë e ujrave si dhe 3 pika janë të kategorisë C – cilësi e keqe.

Qerreti

Për plazhin e Qerretit i cili monitorohet për herë të parë për vitin 2016, nga tre pika të monitoruara, kanë rezultuar cilësi e shkëlqyer, cilësi e mirë dhe cilësi shumë e keqe nga një pikë secila.

Spille

Edhe plazhi i Spillesë, i cili monitorohet për herë të pare, të 3 stacionet e monitoruara kanë rezultuar të kategorisë A-cilësi e shkëlqyer.

Mbetje të ngurta në Ksamil. Foto: Amarildo Topi

Seman dhe Darëzezë

Për plazhet e Semanit dhe Darëzezës, i cili monitorohet për herë të parë,  vetëm një  pikë ka rezultuar në kategorinë A- cilësi e shkëlqyer,  ndërsa 2 stacionet e tjera janë të kategorisë C.

Divjaka

Ata që zgjedhin të lahen në plazhin e Divjakës,  në 2 pika monitorimi, uji ka rezultuar në kategorinë A-cilësi e shkëlqyer, ndërsa një pikë  tjetër në kategorinë B-cilësi e mirë.

Vlora

Edhe vija bregdetare e Vlorës është ndotur ndjeshëm. Nëse në 2015, kishte vetëm 18% të plazheve të kategorisë  D- pra cilësi shumë e keqe, në 2016 plot 40% të plazheve nuk rekomandohet të lahesh për shkak të ndotjes së lartë. Ndërkohë që ka rënë edhe numri i plazheve me ujëra të pastra, nga 64% që ishin në 2015, në 2016-ën vetëm 50 % prej tyre kishin ujra të kristalta për t’u larë, ndërsa një stacion tjetër ka rezultuar në kategorinë B- cilësi e mirë, nga  10 pika të monitoruara.

Orikumi

Nga tre pika të monitorura në plazhet e Orikumit, vetëm 1 stacion ka rezultuar në kategorinë A, ndërsa dy të tjera janë në kategorinë B.

Zvërnec

Për plazhin e Zvërnezit, të tre pikat e monitoruara, ishin në kategorinë A –cilësi e shkëlqyer.

Dhërmiu

Dhërmiu vazhdon të ketë ujëra ideale për t’u larë. Ashtu si edhe vitet e mëprashme të 4 stacionet e monitorimit kanë treguar se ujërat janë të kategorisë A-  cilësi shumë e mirë e ujrave.

Himara

Ndryshe nga plazhet e tjera, ujërat e bregdetit të Himarës janë përmirësuar krahasuar me një vit më parë, kur 75% e plazheve ishin në kategorinë A dhe 25% në kategorinë B. Ndërsa për 2016-ën, në të 5 pikat e monitorimit, pushuesit mund të lahen pa frikë pasi ujërat janë të një cilësie të shkëlqyer.

Qeparo

Për Plazhin e Qeparoit, ashtu si edhe një vit më parë, 100 % e cilësisë së ujrave i përkasin kategorisë A – cilësi shumë e mirë e ujrave.

Borshi

Edhe ujërat e Borshit, vazhdojnë të jenë 100 % të kristalta, ashtu si edhe një vit më parë.

Saranda

Janë përmirësuar plazhet shumë të ndotura gjatë 2015-ës, por është ulur numri i plazheve me ujra të pastra. Kështu në 2016, nga 6 pika të monitorura, 3 pika ose 50% kanë rezultuar në kategorinë A- cilësi e shkëlqyer, 2 pika bëjnë pjesë në kategorinë B- cilësisë së mirë të ujrave, ndërsa një pikë ka rezultuar në kategorinë D- cilësisë së keqe të ujrave. Në 2015-ën, u klasifikuan 67 % të cilësisë së ujrave i përkiste kategorise A – cilësi shumë e mire dhe 33 % i përkaste kategorisë D – cilësi e keqe/ masa të menjëherëshme.

Ksamili

Për Plazhin e Ksamilit për vitin 2016 rezulton se: 100 % e cilësisë së ujrave i përkasin kategorisë A – cilësi shumë e mirë e ujrave.

Ujrat e zeza vazhdojnë të ndotin bregdetin

Për ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, që kanë bërë edhe monitorimin e cilësisë së ujrave, faktori kryesor i ndotjes së ujrave bregdetarë të larjes mbeten shkarkimet e ujrave urbane të pa trajtuara.  Po ashtu ata i tërheqin vëmendjen edhe pushtetit vendor, që ekspertët kanë vërejtur neglizhencë në plazhet publike, në drejtim të pastrimit të rërës së plazheve, vendosjen e nyjeve higjieno-sanitare, dusheve publike dhe në menaxhimin e mbeturinave të ngurta, ndërkohë që situate ishte krejt ndryshe në plazhet private.

Ekspertët rekomandojnë marrjen e masave nga pushteti lokal, për pastrimin dhe menaxhimin e plazheve, sidomos gjatë sezoneve turistike, marrjen e masave për ngritjen e nyjeve hidro-sanitare si edhe shtimin e kazanëve të mbeturinave të ngurta urbane në plazhet publike, marrjen e masave nga për përmirësimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta urbane në plazh si dhe informimi i publikut mbi cilësinë e ujrave bregdetarë të larjes dhe vendosja e tabelave informuese.

Autor: E.K / Citizens Channel

               

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *