Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Murgesha çeke Michaela: Unë jam shqiptare, mua më takon ta ndërtoj Shqipërinë time.

A ju kujtohet murgesha çeke Michaela Kubickova që deklaroi se “Vrasja nuk ka komb”? Ajo nuk e ka braktisur Shqipërinë madje fton edhe sot bashkatdhetarët e saj nga Çekia që ta vizitojnë këtë vend me natyrë të mahnitshme.

Ishte ndër të paktët zëra të arsyeshëm kur shqiptarët pas vrasjes mizore të çiftit të turistëve nga Çekia u përfshinë nga një histeri vetëfshikulluese dy vjet më parë. Përmes  punës dhe angazhimit të përditshëm në këtë intervistë ajo na fton ta duam vendin dhe të impenjohemi cdo ditë me seriozitet për të ndërtuar të ardhmen.

Në  mënyrë të veçantë ajo ju drejtohet të rinjve dhe atyre që helmojnë opinionin publik me dëshpërimin që ushqejnë: “Është e lehtë të kritikosh gjërat. Është e lehtë të largohesh dhe kështu të mënjanosh probleme.”

Duke e konsideruar veten krejt shqiptare (shkodrane) ajo thotë: “Vendi ynë ka nevojë për njerëz me cilësi, njerëz të guximshëm dhe të fortë të cilët nuk tregojnë dashurinë e tyre ndaj Shqipërisë vetëm kur shikojnë të valëvitet flamuri nëpër stadiume, por për njerëz që e tregojnë dashurinë  duke ndërtuar vendin e tyre – me angazhim, me seriozitet në punë, me korrektësinë, ditë pas dite.”

Citizens Channel: Motër Michaela, misioni apo kureshtja ju ka sjellë në Shqipëri?

Motër Michaela: Misioni në fakt. Unë jam motër saleziane. Dhe si çdo rregulltar dhe rregulltare, nëse shkoj në një vend apo tjetër, nuk shkoj, sepse dua apo vendosa unë, por sepse jam e dërguar për një mision. Mund të tingëllojë e çuditshme në këtë kohë: a dmth që njeri nuk vendos për veten e vet? A e dini, është si puna e çfarëdo zgjedhjeje: në zanafillë është vendimi juaj dhe nga kjo pastaj rrjedhin pasojat që merrni përsipër: psh. Vendimi që të regjistroheni për një shkollë është i juaji. Normal që me këtë vendim keni marrë përsipër të shkoni në shkollë në orar të caktuar, të përgatiteni për mësime dhe kështu me radhë.

Prej sa vitesh jetoni në Shkodër dhe a keni ndonjë peng pse latë vendin tuaj dhe erdhët të jetonit këtu?

Jetoj në Shqipëri tash 20 vite dhe ndihem këtu si në shtëpinë time, midis njerëzve të mi. Qysh e vogël, edhe pse e dua me gjithë shpirt vendin tim dhe familjen time, kam ndier që u përkas të gjithëve. Shtëpia ime nuk është këndej apo andej, njerëz të mi nuk janë të një tipi apo tjetër, besoj dhe e ndiej kështu që të gjithë jemi një familje e vetme, kështu që kudo që të jem, midis të mive jam. Vazhdoj të dua vendin tim dhe familjen time, por këtu ndihem në shtëpi. Gjithmonë duke patur parasysh, që nesër mund të më ketë nevojë kongregata ime për mua në një vend tjetër të botës dhe kam të qartë që do të shkoj edhe atje pa problem, sepse edhe atje – shtëpia ime dhe njerëz të mi janë.

Shqiptarët shpesh i shohin me dyshim të huajt me gjithë mikpritjen e fillimit. A ju ka ndodhur ju kjo gjë?

Unë e di që disa mirësjellje janë më shumë  nga “edukata e mirë” sesa prania e sinqertë dhe pa kushte e personit që keni përpara. Por kjo nuk ndodh vetëm me shqiptarët, kjo ndodh në çdo vend e botës. Me disa persona, thjesht, ne njerëzit ndihemi të lirë sepse e dimë që jemi të pranuar prej tyre dhe me disa sillemi në  mënyrë të edukuar por mbajmë distancat tona. Por unë duhet të them që ndihem e pranuar në këtë vend dhe besoj që nuk jam e konsideruar si e huaj.

Nuk e di a e kam të drejtë, por më duket që një “letër” që është duke luajtur në favor tim është që flas gjuhën shqipe mjaft mirë nga një anë por nga ana tjetër sigurisht me gabime. Besoj që pikërisht këto gabime krijojnë midis meje dhe jush  një lidhje simpatie. Më pëlqen kur jam e konsideruar një prej jush dhe e kërkoj edhe ta shpreh. Besoj që edhe ky qëndrim më lejoi që më keni pranuar midis jush; kështu që nuk jam më midis “të huajve që shikohen me dyshim” si thoni ju.

Motër Michaela Kubickova gjatë një aktiviteti

Ka qënë e vështirë për ju të njihni të folmen dhe zakonet e shkodranëve dhe çfarë ju bën më fort përshtypje?

Gjuha e përdorur në Shkodër ishte në fillim pak e vështirë. Sepse ndryshonte nga gjuha zyrtare dhe zakonisht kur mëson gjuhë, mëson atë zyrtaren. Pastaj, shumë njerëz në atë kohë kur erdha, flisnin gjuhën italiane dhe i pëlqente të komunikonim përmes saj.

Unë e kisha brenda meje të qartë që nuk do të bëhem kurrë një prej jush, nëse nuk do të përvetësoj gjuhën. Por me ndihmën e njerëzve që kishin durim me mua sidomos në fillim, ia dola.

Ajo që më bën përshtypje, nëse mund të thuhet kështu, dmth. ajo që shikoj me gëzim është aftësia të dimë të jetojmë me miqësi pavarësisht nga tradita fetare e secilit prej nesh. Nga ana tjetër më dhemb nëse shikoj që përbuzet ndonjë njeri për shkak të prejardhjes së tij, gjë që herë pas here shikoj. Por ky problem të racizmit nuk është problem ndonjë kombi, është problem njerëzor, që shfaqet edhe këtu.

Ju u vutë në qendër të vëmendjes mediatike sidomos pas vrasjes së çiftit te ri çek ne malet e Dukagjinit, ende mendoni se shqiptarët nuk e vlerësojnë veten sa duhet?

Besoj që çdo shoqëri ndërtohet nga individët. Kështu që duke folur për një person,  në fakt jam duke përgjigjur edhe për një grup, një komb.

Sipas meje është sfida e tërë jetës sonë të shikojmë vetveten në vërtetësi. Të shikojmë aftësitë, talentet, mundësitë tona, si edhe gabimet dhe dobësitë tona, kështu si janë. Besoj që vërtetësia jep njeriut mundësi të nxjerrë nga vetvetja më të mirën e tij.

Janë dy rreziqe që nuk na lejojnë ta bëjmë: nga një anë “mbivlerësim”,  që shkakton të ëndërrojmë kështjellat në ajër dhe të mos jetojmë në realitet dhe nga ana tjetër “nënvlerësim”, i cili nuk na lejon të vemë në praktikë aftësitë dhe talentet tona dhe vetëm “shtyjmë”.

Në Shqipëri më duket që si komb vuajmë më shumë nga nënvlerësimi. Disa shprehjet tipike që dëgjoj shpesh herë: “Motër, ne nuk do bëhemi kurrë shtet”, në lidhje me korrupsionin: “Ça don, këtu jetojmë, këtu nuk do bëhet kurrë ndryshe”, më dhembin dhe më bëjnë me dyshu nëse e njohim mirë vlerën tonë dhe aftësitë tona dhe ti vëmë në punë për të mirën e vendit tonë. 

Çeket, duket se janë të magjepsur pas natyrës shqiptare e në veçanti pas Alpeve, madje mund t’i përcaktoja si populli më besnik ndaj natyrës shqiptare megjithë incidentet e ndodhura?

Nesër shkoj me familjen e kusherinit tim në Theth. Një prej vendeve ku njeriu nuk mund  të humbë nëse vjen në Shqipëri. Të paktën unë jam e bindur kështu. Natyra e mahnitshme, besoj, është një prej dhuratave të mëdha që Shqipëria ka nga duart e Zotit.

Po, me gojë të plotë mund të them që natyra juaj neve çekëve na pëlqen dhe na mahnit. Incidentet mund të ndodhin kudo ata s’kanë lidhje me bukurinë e natyrës dhe me zemërgjerësinë e njerëzve që gjenden në ato vende. Të dorëzohesh mbi këtë bukuri për shkakun e incidentit është si me thënë – nuk do të ulem kurrë më në makinë sepse dje dëgjova që një makinë bëri aksident.

Ju vetë keni një vend të preferuar ku shkoni herë pas here për të medituar?

Mua më pëlqen natyra, sidomos malet. Ata më bëjnë të meditoj. Por edhe duke vëzhguar njerëz më nxis për meditim. Dhe më bën të meditoj edhe muzika dhe mundësia të marr kitarë dhe të këndoj. Këngët janë për mua mundësia e lutjes që përjetoj me shumë forcë. Ndonjë preferencë? Besoj jo, gjithçka  që e nxit njeriun të komunikojë me Zotin, ta falënderojë, ta lavdërojë dhe të lutet.

Ju punoni prej shumë kohësh me të rinjtë dhe besoj e dini se ata preken më shumë nga fenomeni i emigracionit. U është dashur ndonjëherë që t’iu jepni motive për të mos u larguar?

Mua më dhemb çdo herë kur dëgjoj që dikush dëshiron të largohet nga Shqipëria. Jam e bindur që të rinj tanë e kanë në duar e tyre të ardhmen e vendit tonë. Duke u larguar janë duke hequr dorë nga kjo mundësi dhe detyrë që e kanë ndaj vendit e tyre. Është e lehtë të kritikosh gjërat. Është e lehtë (edhe nëse e di që nuk është gjithmonë shumë e lehtë) të largohesh dhe kështu të mënjanosh probleme.

Vendi jonë ka nevojë për njerëz me cilësi, njerëz të guximshëm dhe të fortë të cilët nuk tregojnë dashurinë e tyre ndaj Shqipërisë vetëm kur shikojnë të valëvitet flamuri nëpër stadiume, por të cilët tregojnë dashurinë duke ndërtuar vendin e tyre – me angazhim, me seriozitet në punë, me korrektësinë, ditë pas dite. Besoj që e kemi këtë detyrë ndaj vendit tonë. Këto janë motivimet që une u jap.  

Cilat do të ishin arsyet pse shqiptarët nuk duhet të largohen nga Shqipëria në optikën e një murgeshe çeke?

Arsye? Dashuria ndaj vendit tim. Dëshira ta shikoj gjithmonë e më të bukur, dëshira të përgatis për fëmijët e mi një vend ku mund të jetojnë në harmoni dhe në gëzim. Dhe bindje që kjo dëshirë realizohet vetëm nëse edhe unë të bëj pjesën time të detyrës.

Unë jam shqiptar, mua më takon ta ndërtoj Shqipërinë time. Të gjithë kemi tundim të themi: Unë jam vetëm një pikë uji në oqean, çfarë mund të bëj unë?

Më pëlqen shumë thënie që thotë: po të kishin thënë të gjitha pikat e ujit që janë të padobishëm, nuk do të kishim oqeanin. Kemi shumë të rinj, me forca dhe mundësinë e entuziazmit rinor. Të rinjtë ishin shpesh herë motori i ndryshimeve në historinë e popujve. Cili popull në Evropë është aq “i ri” sa populli jonë? Mjafton vetëm të kuptojmë që e kemi në duar të realizojmë këto ëndrra tona pastaj të vendosim që vërtet duam ta bëjmë, të organizohemi dhe të nisim punë.

A kanë shqiptarët më tepër nevojë për përmasën hyjnore sot?

Çdo njeri ka gjithmonë nevojë për përmasën hyjnore, dhe kurrë nuk e ka në përmasën e mjaftueshme. Më shumë mësojmë të lexojmë jetën tonë nga optika e Zotit, më shumë do të  mësojmë të jetojmë si njerëz dhe më shumë do të ndërtojmë jetën e bazuar në vlerat që na propozon Zoti dhe të cilat edhe i gjejmë në zemrat tona: kush prej nesh nuk ka nostalgji të jetoj në paqe, harmoni, gëzim, lumturi, duke dashur dhe duke qenë të dashur? Të gjithë këto nostalgjitë e zemrës na mëson Zoti t’i bëjmë realitet. Më shumë mësojmë prej tij, më shumë bëhemi promotorët e tyre dhe më shumë do të përhapen rreth nesh. 

Intervistoi: Mira Tuci*

Mira Tuci është gazetare kulture pranë Televizonit Publik Shqiptar.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *