Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shqiptarët ‘të uritur’ për kokainë dhe kanabis

Nga Albert Spahiu dhe Ledina Loga*

D., shofer autobusi, po transportonte një grup gazetarësh drejt fshatit Shëngjergj të Tiranës, vetëm 40 kilometra larg qendrës së kryeqytetit. Para se të bëhej shofer autobusi, ai kish vuajtur dënimin për trafikim të lëndëve narkotike. Shumica e kësaj droge ish trafikuar jashtë kufinjve të vendit.

“Tashmë kam vendosur të largohem nga këto gjëra”, i tha ai grupit – “por shumë nga miqtë e mi e bëjnë ende këtë.” Ai bëri me gisht nga malet që shtriheshin para syve të tyre, duke u sqaruar se shumica e fshatarëve e kanë mbjellë atë zonë me kanabis.

Në Shqipëri, statistikat zyrtare tregojnë se që nga viti 2012, Policia e Shtetit sekuestroi kanabis me tepër se të gjithë llojet e tjera të drogave. Viti 2015 kulmoi me shifrat më të larta të kapura ndonjëherë.

Sasia ul çmimin e tregut

Sipas një dhënave të Raportit Botëror të Drogave për vitin 2015, publikuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara të Drogave dhe Kriminalitetit (UNODC), Kroacia dhe Shqipëria kanë numrin më të madh të personave në Ballkanin Perëndimor, të cilët kanë provuar marijuanë. Shqiptarët kanë gjithashtu numrin më të madh të personave që kanë përdorur kokainë, më shumë se çdo vend tjetër ballkanik.

Dy në 40 shqiptarë kanë provuar marijuanë të paktën një herë dhe një në 40 shqiptarë ka provuar kokainën. Për çdo person në moshë madhore në Maqedoni që ka provuar hashashin të paktën një herë, në Shqipëri shënohen 5 përdorues në 1 mijë, ndërsa shtatë në Kroaci. Për çdo person që ka provuar kokainë në Serbi, në Kroaci janë 10 përdorues të tillë, ndërsa në Shqipëri 25.

Përdoruesit rastësorë nuk janë shqetësues për Shëndetin Publik, pasi shqetësimi i vërtetë mbeten ata që kanë krijuar varësi dhe janë përdorues të rregullt, grup në rritje i cili kërkon mjekim të përvitshëm.

Përdoruesit e rinj – grupe vulnerabël

Sipas një studimi të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, në 50 të rinj në moshë madhore, pothuajse gjysma e tyre kishin provuar drogë, kanabis ose kokainë, të paktën një herë. Kjo përqindje mbetet shumë më e lartë krahasuar me shifrat e përdorimit në brezat e prindërve të tyre. Marijuana dhe kokaina mund të krijojnë varësi edhe me një herë përdorim.

Sipas të dhënave vitit të fundit, mes 50 të rinjve në moshë madhore, 7 prej tyre kishin përdorur kanabis dhe dhe 5 kishin përdorur kokainë. Krahasuar me numrin e popullsisë, rezulton se një në 25 të rinj shqiptarë përdor kokainën të paktën çdo muaj.

Dëmet shëndetësore

Kokaina konsiderohet si një drogë e rrezikshme. Ajo ndikon jo vetëm në qendrat e kënaqësisë së trurit, por stimulon edhe sisteme të tjera në trup që kontrollojnë mbijetesën, humorin, oreksin, zgjimin dhe gjumin. Njerëzit që përdorin kokainë përjetojnë shtim të energjsëi dramatike dhe rritje të vetë-vlerësimit.

Marijuana mund të zvogëlojë cilësinë e jetës dhe potencialin e përdoruesve. Kërkimet kanë treguar se efektet negative të marijuanës në vëmendjen, kujtesën dhe të mësuarit, mund të zgjasin për ditë ose javë pas efekteve akute të drogës, në varësi të historisë së personit me drogën. Rrjedhimisht, dikush që tymos një cigare marijuanë çdo ditë, mund të funksionojë në një nivel intelektual të reduktuar në shumicën ose gjatë gjithë kohës. Të dhëna të konsiderueshme sugjerojnë se studentët që tymosin marijuanë kanë rezultate të dobëta në mësime, krahasuar me moshatarët e tyre. Përdoruesit e marijuanës mund të kenë gjithashtu predispozitën për të braktisur shkollën. 

Studimet kanë gjetur lidhje specifike midis përdorimit të marijuanës dhe pasojave negative në vendin e punës, si rritja e rrezikut për lëndime ose aksidente.

Komplikime të rënda mjekësore mund të ndodhin me përdorimin e kokainës. Më të shpeshtat janë efektet kardiovaskulare, duke përfshirë shqetësimet me rrahjet e e zemrës dhe infarktet. Efektet neurologjike, duke përfshirë dhimbje koke, epilepsi dhe koma, si dhe komplikime gastrointestinale, duke përfshirë dhimbjen e barkut dhe të përziera.

Shtohet „oreksi“ për drogat

Përdoruesit e rritur në Shqipëri, të cilët kanë provuar hashash ose kokainë janë trefishuar nga viti 2006 në vitin 2014, pavarësisht aksioneve të shumta policore. Sipas Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogës dhe Varësinë nga Drogat (EMCDDA) Shqipëria konsiderohet një vend prodhues i kanabisit. Në vitin 2014 u kapën dhe sekuestruan 13 kilogramë më shumë marijuanë se në vitin 2010.

Sasia e kokainës e sekuestruar nga policia u rrit gjithashtu. Në vitin 2014 u kapën dhe sekuestruan 3 kilogramë kokainë më tepër se në vitin 2010.

Shqipëria, destinacion i lirë i drogës

Ligji ekonomik i kërkesës dhe ofertës vepron njësoj edhe në tregun e zi.  Furnizimi dhe kërkesa rregullojnë çmimin dhe kur ka një furnizim më të madh në treg, çmimet zbresin.

Sipas raportit të fundit të UNODC-së në lidhje me kërkesën dhe furnizimin, në Shqipëri çmimi për një gram marijuanë në tregun e zi është 5 dollarë, gjysma e çmimit mesatar për vendet e Ballkanit. Në Mal të Zi dhe Serbi, çmimi i një gram marijuane është pesë herë më i shtrenjtë se në Shqipëri.

Kokaina gjithashtu gjendet me një çmim më të lirë se në vendet e tjera. Një gram kokainë në Shqipëri kushton rreth 80 dollarë, krahasuar me 100 dollarë që mund ta gjesh mesatarisht në vendet e rajonit. Çmimi i shitjes me pakicë në Shqipëri është rreth gjysma e çmimit të Kosovës, ku një gram kokainë (kripa e kokainës) kushton 163.75 dollarë.

 

Shtohen përdoruesit pacientë

V., një biznesmen nga Durrësi, u dërgua me urgjencë në një spital privat në Tiranë për shkak të problemeve me tensionin e lartë të gjakut. Ai ishte prej shumë vitesh përdorues kokaine, të cilëtn e konsumonte me pretendimin për të menaxhuar stresin që i shkaktonte biznesi. Tashmë ai përballet me pasoja të shumta shëndetësore por mbi të gjitha me varësinë ndaj drogës, edhe pse thotë që po merr mjekimin më të shtrenjtë dhe më cilësor që mund të ekzistojë.

Numri i përdoruesve problematikë të drogës (përdoruesit e varur dhe ata që kanë probleme serioze nga përdorimi i drogës) në vend ndryshon nga 4,800 në 8,600 individë.

Në Shqipëri, më shumë se 1,000 njerëz kërkuan trajtim për abuzimin me drogën në vitin 2015. Një në tetë kërkonin ndihmë për herë të parë. Afër tre të katërtat e pacientëve janë nga Tirana. Përqindja e atyre që kërkojnë ndihmë për shkak të përdorimit të hashashit është rritur gradualisht që nga viti 2006 e këtej, me rreth një të katërtën e trajtimeve të reja shëndetësore që lidhen me hashashin e vitit 2015.

Për më shumë se 15 vjet, shërbime të specializuara për abuzimin me drogën janë ofruar vetëm nga Shërbimi Klinik i Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ndërsa ende nuk ka struktura publike ambulatore, shërbime ditore ose shërbime komunitare me shtretër për njerëzit që përpiqen t’ia dalin mbanë.

Ka dy qendra të tjera jo-fitimprurëse, përkatësisht “Qendra Emanuel”, e cila ofron trajtim rezidencial dhe “Action Plus”, që ofron trajtim zëvendësimi me metadon.

Sa më shumë kapet, aq më shumë përhapet

Të dhënat nga EMCDDA tregojnë se policia shqiptare është duke kapur më shumë droga se çdo forcë tjetër policore në Ballkan, duke kryesuar në kapjen e kanabisit dhe kokainës.

Ndërkohë që sekuestrimet e kokainës në rajon uleshin, në Shqipëri sekuestrohej gjithmonë e më shumë hashash. Për më tepër, Shqipëria ka nivelin më të lartë të marijuanës (drogë e ngjashme me kanabisin), që është konfiskuar nga policia ndër vite. Në vitin 2014, për çdo kilogram marijuanë të konfiskuar në Bosnje dhe Hercegovinë, në Shqipëri u konfiskuan 310 kilogramë.

Sasia e Kokainës e sekuestruar nga policia shqiptare trefishohet që nga viti 2010, ndërsa kapjet e përgjithshme në rajon kanë rënë gjatë së njëjtës periudhë kohore.

*Ky artikull u shkrua në kuadër të trajnimit Datajournalism Institute në Tiranë nga 10 korriku deri me 4 gusht 2017, një bashkëpunim i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës dhe UNDP Albania.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *