Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Raporti i ISHP: Banorët e Marinzës, të sëmurë nga puset e naftës

Shpimet për puse nafte në Marinë të Fierit, po u kushtojne jetën banorëve të këtij fshati. Sipas një raporti të Institutit të Shëndetit Publik, si pasojë e ndotjes së vazhdueshme, në këtë zonë janë të shpeshta anomalitë në lindje, problemet me mushkëritë apo dhimbja e kokës e përgjumje. 

Studimi

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik nisën vlerësimin e riskut në fshatin Marinzë, ku pas një incidenti të një kompanie gjatë kërkimit të puseve të reja të naftës, në prill të 2015-ës, një sasi e konsiderueshme gazi shpërtheu nga nëntoka duke krijuar lëvizje sizmike, fontana uji, gazi dhe argjiri.

Ekspertët e ISHP-së përfshinë në studim 100 familje, me një total prej 455 anëtarësh. Nga monitorimet e kryera ekspertët e ISHP-së kanë konstatuar se një nga grup-moshat më të prekshëm janë fëmijët 0-14 vjeç, të cilët paraqiten në përqindje të lartë pranë ambulancës së fshatit për të kërkuar shërbim shëndetësor.

Sëmundjet

Po ashtu nga monitorimi i ekpertëve të ISHP-së, ka rezultuar se 8% e familjeve të intervistuarve rezultojnë të kenë fëmijë me anomali që në lindje, e po ashtu  në 14% të familjeve të intervistuarve rezulton se ka patur lindje të fëmijëve nën peshën normale, rreth 1.9 kg.  

Për autorët e këtij studimi, Elida Mataj, Genci Dervishi, Agim Shehu, Pranvera Kasaj dhe Arben Luzati një tregues i rëndësishëm i ndotjes së mjedisit janë edhe sëmundjet e mushkërive.

“Si rezultat i ekspozimit ndaj ndotësve të ajrit, kryesisht të emetuara nga komponimet e hidrokarbureve, zhvillohen një sërë simptomash në rrugët e frymëmarrjes. Rezultatet e përftuara nga të dhënat lidhur me praninë e ndonjë pjesëtari të familjes me probleme astmatike, 19% e familjeve deklarojnë se kanë të sëmurë me astmë bronkiale të konfirmuar dhe trajtohen nga mjeku specialist. Po ashtu, në 51% të familjeve të përfshira në studim shfaqen probleme të herë pas herëshme pulmonare. Të dhënat e marra drejtpërdrejtë nga banorët e zonës tregojnë se po ashtu një pjesë e madhe e banorëve kanë dhimbje të shpeshta koke, të përziera, marrje mendsh, tharje goje dhe përgjumje”, thuhet në raportin e monitorimit mbi shëndetin e banorëve të Marinzës pas shpërthimit të gazit më 2015-ën. Po ashtu një tjetër simptomë e shpeshtë janë edhe irritimet e lëkurës.

Rekomandimet

Ekspertët e ISHP-së rekomandojnë vazhdimin e “hulumtimit mbi impaktin e faktorëve mjedisor në shëndetin e popullatës dhe përqasjen e një depistimi specifik për të parandaluar sëmundjet e ndikuara nga faktorë mjedisor”.

Po ashtu sipas ISHP-së është e nevojshme marrja e masave për pastrimin e zonës nga ujërat sipërfaqësorë dhe nga mbetjet të cilat emetojnë ndotës në ajër; marrja e masave për eliminimin e të gjitha burimeve të emetimit të gazeve nga nëntoka duke u fokusuar në rehabilitimin e puseve familjare; pastrimi i tokave në zonën e banuar dhe marrja e masave lidhur me dezinfektimin e tyre si dhe vazhdimi i monitorimit vjetor të ndotësve mjedisor në ajrin e jashtëm për të vlerësuar ndikimin e vazhdueshëm të faktorëve mjedisorë dhe rreziqeve shëndetësore që vijnë prej tyre.

Ajri i ndotur 

Në raportin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitin 2016, në kapitullin mbi “Ndotjen Industriale”, qarku i Fierit, i njohur si vendburim i puseve të naftës, rezulton më problematiku.

Grimcat kancerogjene të ajrit të ndotur në zonën naftë-nxjerrëse të Marinzës në Fier janë dyfish më të larta se norma e lejuar nga Bashkimi Europian ose legjislacioni ynë.

Grimcat PM10 njihen për shkaktimin e sëmundjeve të zemrës dhe të mushkërive, apo në rastin më të keq në krijimin e mutacioneve të përhershme gjenetike. Mbeten gjithashtu të larta normat për elementët si kromi, sulfati i hidrogjenit

Autor: E.K / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *