Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Mbeturinat, ujrat e zeza dhe inertet po i marrin ‘frymën’ liqenit të Shkodrës

Liqeni i Shkodrës vijon të jetë i lënë në harresë nga pushteti lokal.  Mbeturinat dhe ujrat e zeza janë shndërruar në ndotësit më të mëdhenj të mjedisit në pjesën më të madhe të liqenit. Si pasojë e mungesës së venddepozitimeve dhe impianteve të pastrimit banorët e Shkodrës i hedhin mbeturinat dhe ujrat e zeza në brigjet e liqenit.

Mbeturina të ndryshme ndodhen përgjatë gjithë bregut të këtij liqeni, por situata bëhet më shqetësuese teksa edhe barishte të shumta kane dalë në sipërfaqe të ujit.

Një gjë e tillë ka ndikuar edhe në uljen e numrit të pushuesve gjatë sezonit të verës, ndryshe nga shume vite më parë, kur liqeni ishte ndër zonat më të frekuentuara të qytetit të Shkodrës.

Qytetarët ankohen për gjendjen ku ka degraduar liqeni i Shkodrës dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga pushteti lokal. “Është e pafalshme kjo situatë, në vend që ta ruajmë këtë pasuri po e shkatërrojmë çdo ditë. Liqeni po mbushet me mbeturina, ndërsa bimësia po bllokon lëvizjen e peshkut”, na thotë i shqetësuar  Agustini, banor i vjetër i Shirokës.

Të njëjtin mendim ka edhe një tjetër banor i kësaj zone, Skënderi i cili shton se “asnjë masë nuk është marrë nga pushteti vendor për pastrimin e vijës së liqenit, duke bërë që pushues të shumtë të largohen nga Shirokë – Zogaj, që janë dy nga destinacionet e preferuara të Shkodrës”.

Ndotja në Liqenin e Shkodrës. Foto: Elvis Nabolli / Citizens Channel

Status i veçantë, situatë e pazakontë

Që nga viti 2005, liqenit të Shkodrës i është dhënë një status i veçantë, që detyron shtetin shqiptar të mbrojë këtë pasuri të rrallë në Ballkan. Liqeni i Shkodrës dhe lumi i Bunës janë të ligjëruara si Zona të Mbrojtura, dhe bëjnë pjesë në Konventën e Ramsar.

Vendimi për shpalljen e kësaj zone u mor nga qeveria e atëhershme në vitin 2005 dhe prek një sipërfaqe prej 49,562 hektarësh, por hyri në fuqi në shkurt të 2006-ës. Paradoksi qëndron se Mali i Zi e ka shpallur Park Kombëtar pjesën e liqenit që në vitin 1983.

Drejtuesi i Forumit për Mbrojtjen e Mjedisit për Liqenin e Shkodrës, profesor Mahir Hoti thotë për Citizens Channel se liqeni po kalon ditët e tij më të këqija. “Ndotja nga mbetjet urbane, ndërtimore, derdhja pjesore e ujërave të zeza të qytetit të Shkodrës në kufirin Bunë – Liqen, po ashtu ndërtimet e panumërta me leje dhe pa leje e ndotja kimike që është edhe më e dëmshmja janë faktorët që po shkatërrojnë liqenin e Shkodrës”, thotë ai.

Liqeni i Shkodrës ka një problematikë të mbeturinave dhe një gjë e tillë pranohet edhe nga vetë drejtori i Turizmit në Bashkinë Shkodër, Gentian Mema.

Sipas Memës, Bashkia Shkodër ofron shërbimin e pastrimit dhe ka akoma vend për përmirësim cilësor sidomos në shtimin e kontiniereve. “Liqeni i Shkodrës ka një problematikë të mbeturinave, është një çështje edhe e përmirësimit të shërbimit nga ana e bashkisë, në fakt bashkia e Shkodrës ofron shërbimin e pastrimit por në fakt ka vend për një përmirësim cilësor”, evidenton Mema.

Por, më kryesorja sipas tij është se veçanarisht duhet një ndërgjegjësim nga qytetaret, të cilët nuk duhet t’i hedhin mbetjet në liqen apo brigjeve të tij. “Këtu ka vend për një ndërgjegjësim qytetar, të cilët nuk duhet t’i hedhin mbeturinat në liqen apo në brigjet e tij, pasi sado që të përmirësohet cilësia e pastrimit është e pamundur që të mbulohet e gjithë vija liqenore, që nga Zogaj deri tek Ura e Bunës.”

Ndotja në Liqenin e Shkodrës. Foto: Elvis Nabolli / Citizens Channel

Ujrat e zeza, mbeturinat por edhe mbetjet toksike

Liqeni i Shkodrës gëzon mbrojtje të dyfishtë në letër; nga Shqipëria dhe Mali i Zi. Por në realitet, ai vazhdon të ndotet nga të dy vendet. Në shumë pjesë të liqenit, bimësia ka dalë mbi sipërfaqe, ndërsa peshqit po rrallohen për shkak të ndotjes së vazhdueshme nga mbetjet toksike.

Drejtuesi i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, Agim Dardha, thekson ndër të tjera se “një pjesë e ujrave të zeza të bashkisë së Shkodrës derdhen pranë bashkimit të lumit Buna me liqenin e Shkodrës, dhe këto rrezikojnë habitatin e gjallesave. Për këto probleme është ngritur shqetësimi si pranë Ministrisë së Mjedisit dhe bashkisë së Shkodrës dhe pritet reagimi i këtyre të fundit.”

Kombinati i Aluminit, në Malin e Zi, i derdh mbetjet e kimikateve në lumin Moraça, dega kryesore e furnizimit me ujë për liqenin e Shkodrës. Ky lum që ka prurje 200 metër kub në sekondë, i transporton mbetjet kërcënuese për liqenin nga Mali i Zi deri në Shkodër. Ky është një ndër problemet kryesore të ngritura nga ambientalistët, ndotjet kimike që krijohen nga shkarkimet e fabrikës. Kërcënimi tjetër janë mbetjet e interteve. Shtimi i tyre ka ardhur nga ndërtimi i Bay-Passit në hyrje të qytetit.

E ndërsa askush nuk reagon, liqeni degradon nga dita në ditë dhe ata që humbin më shumë janë vetë qytetarët e Shkodrës.

Autor: Elivs Nabolli, Shkodër

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *