Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Fëmijët e ‘këqinj’ / Policia: Çdo do ditë shoqërojmë të mitur në komisariate

Të miturit janë kthyer në shqetësim për policinë e shtetit e veçanërisht atë të kryeqytetit. Nga statistikat rezulton se çdo ditë shoqërohen në komisariate, 2-3 të mitur të përfshirë në vepra penale.

Në prani të psikologut dhe njoftimit të prindërve, ata trajtohen sipas procedurës duke ju referuar Prokurorisë, që më pas vendos nëse ngre akuzë apo jo. Sipas Zyrës për Krimet e të Miturve, një pjesë e madhe e tyre i përsërisin veprat penale.

Vjedhje, drejtim mjeti pa dokumentacion dhe trafikim të lëndëve narkotike, janë krimet më të shpeshta të kryera prej tyre.

Të mitur të dënuar

Shqipëria ka një numër të lartë të miturish të dënuar dhe në shërbim prove në krahasim me numrin e popullsisë.

Vetëm në Institutin e Riedukimit për të Miturit në Kavajë janë 30 të mitur të dënuar, ndërsa në total janë në të gjithë Shqipërinë përfshi dhe paraburgimet mbi 350 shtetas.

Disa prej tyre janë në paraburgim në pritje të procesit të dënimit nga gjykatat, ndërsa 177 të mitur të dënuar ndodhen në shërbim prove.

Dy janë veprat të cilat janë përfshirë më shumë të dënuarit me shërbim prove: vjedhje e pasurisë e kryer në bashkëpunim dhe drejtim mjeti pa patentë, për shkak të mos mbushjes së moshës për tu pajisur me leje drejtimi. Sipas legjislacionit shqiptar çdo shtetas mund të marrë patentën pasi ka mbushur 18 vjeç dhe i nënshtrohet kursit për aftësim për leje drejtimi.

Më pas krimet në të cilat janë përfshirë të miturit janë ato të prodhimit dhe trafikimit të narkotikëve, mardhëniet seksuale dhe homoseksuale me dhunë dhe armbajtia pa leje.

Nisur nga numri i popullsisë listën e kryeson Tirana, ndjekur nga Durrësi, Shkodra, Fieri dhe Berati.

Kosto për mbajtjen e tyre të izoluar apo nën monitorimin e shtetit arrin në 35 euro në ditë (përfshi akomodim në institucione, fjetje, ushqim, energji elektrike, shërbime shëndetësore, mbikqyrje elektronike).

Në burg për një fjalë goje!

E tillë është historia e të miturit nga fshati Qatromë i Korçës, i cili sot qëndron në Institutin e Riedukimit për të Miturit në Kavajë.

A.F qëndron pas hekurave, ku shpreh pendesë për çfarë ka bërë dhe dëshira e tij të vetme është një jetë e re, pranë familjes. Me një mesazh në bluzën e tij shkruar italisht ‘Altromondo’(botë tjetër), ai na rrëfen se si kreu krimin dhe cila është dëshira që e shoqëron çdo ditë pas hekurave.

Citizens Channel:  Sa vjeç jeni?
A.F: 17 vjeç.
17 vjeç dhe ndodhesh në burg, çfarë ke bërë?
Kam kryer vrasje.
Përse u përfshive në vrasje?
U zumë për një fjalë goje gjatë një lojë kompjuterike në lokalin e fshtatit.
Kë vrave?
Shokun e ngushtë. Kujtoj të gjitha ato momente e godita me një thikë që mbaja me vete. Jam penduar shumë, ndjehem i penduar, por…
Nëse i rikthehesh sërish atij momenti, si do veproje?
Do e kisha shmangur, sdo bëja kurrë këtë që bëra.
Je penduar për cfarë ke bërë?
Po shumë.
Sa vjeç ke qenë kur ke kryer vrasjen?
Kam qenë 15 vjeç, për pak kohë mbushja 16 vjeç.
Sa të mungon familja?
Më mungon shumë. Për herë të fundit, 1 muaj më parë, kam takuar motrën e vogël. Për pak kohë mbush 18 vjeç dhe shpresoj të më transferojnë në një burg pranë familjes në zonën e Korçës.
Si e mendon të ardhmen pasi të dalësh nga burgu?
Jam dënuar 6 vite. Kur të dal nga këtu do t’i bashkohem familjes dhe do të nis jetën nga e para.
Nëse sot, siç ju pretendoni që jeni ofenduar ditën e vrasjes nga shoku do ofendoheshit sërish nga një i panjohur, duke ecur, duke pritur diku, apo në një stacion autobusi, si do silleshit?
Do i shmangesha asaj situate. Do bëja sikur s’do e dëgjoja për të vazhadur jetën, pasi kjo vlen më shumë se sa vrasja që zgjodha në atë moment.

Përse kjo gjendje?

Citizens Channel ka biseduar me psikologen Besarta Taçi për të kuptuar se çfarë i shtyn të miturit në botën e krimit dhe sjelljet e tyre. Sipas saj më së shumti janë joshjet me makina luksoze, armët dhe alkooli e droga ato që përdoren për të ‘’peshkuar’’ të miturit në botën e krimit.

“Adoleshenca shënon moshën ku individi është i fokusuar totalisht tek mënyrat sesi ai mund të ketë akses tek bota e të rriturve, duke braktisur përgjithmonë botën femijërore. Në një moment kulminant për përforcimin e identitetit, shoqëria, mediat, modelet e sjelljeve deviante dhe grupi janë një forcë tërheqëse për identifikim. I përfshirë në ndryshimet e zhvillimit psikofizik, adoleshenti vendos fortësisht në dyshim rregullat familjare, normat sociale dhe ligjin, shpeshherë duke i kundërshtuar me mënyrat e reja të jetesës që “kultura” e të rinjve propozon epokë mbas epoke. Në këtë fazë truri i adoleshentit akoma nuk e ka përfunduar pjekurinë neuronale maksimale dhe e ka shumë më të veshtirë se një i rritur të perceptojë rrezikshmërinë e situatave ku gjendet. Kjo e fundit, është nje nga arsyet pse mendja e tyre është fortësisht e manipuluar, të miturit shpesh herë përzgjidhen nga bandat kriminale duke i ofruar nje identitet për tu anëtarësuar”, thotë psikologia Taçi për Citizens Channel.

Ajo shprehet për Citizens Channel se një pjesë e konsiderueshme e të rinjve ndjejnë tërheqje ndaj sjelljeve deviante klasike (alkooli, droga, shpejtësia në timon, bullizmi seksual) dhe modeleve kriminale (armëmbajtja, shitja e substancave narkotike dhe antarësimi në grupe mafioze të organizuara), të cilat shërbejnë si humus për shpalljen e sjelljes kriminale.

Për psikologen Valentina Telhaj, trauma e shoqërisë shqiptare në më shumë se dy dekada, sot po pasqyrohet si një realitet me pasoja tek të miturit e lindur edhe pas viteve 2000.

„Ka shumë teori dhe shume shkaqe që i atribuohen krimit, por në shoqërinë tonë mund të përmendet si tensionet politike, periudha e tranzicionit, shkatërrimi i objekteve shtetërore, narkotrafikimi, prostitucioni etj. Ky lloj shkatërrimi krijon stres, varfëri, pasiguri, emigrim ilegal, urrejte fetare dhe krahinore, papunësi, mosfunksionimin e ekonomisë shqiptare, mungesa e produkteve shqiptare. Përmirësimi i situatës ekonomike, normaliteti i marrëdhënieve në shoqërinë shqiptare, që nga komunitetet dhe gjitha hallkat e strukturat e administratës shtetërore që kërkon reformimin e saj, ndoshta do të sjellë përmirësimin e kushteve jetësore të shoqërisë shqiptare përfshi dhe të miturit“, thotë për Citizens Channel psikologia Valentina Telhaj.

 Autor: Arsen Rusta*

*Autori është gazetar në redaksinë e lajmeve të Report TV

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *