Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Komuniteti Rom dhe Egjiptian i trembet prishjes së tregut në Selitë, Bashkia nuk jep informacion

“Me tregun ushqej fëmijët, mos n’a heqin bukën e tyre”, na thotë e shqetësuar një prej shitëseve në tregun e rrobave të përdorura në afërsi të mbikalimit të Unazës së Madhe.

Pjestarë të komunitetit Rom e Egjiptian prej vitesh ushtrojnë aktivitetin e tregëtimit të rrobave të përdorura në zonën e Selitës. Në këtë treg të improvizuar janë rreth 100 tregëtarë Romë e jo Romë, për të cilët është vendi i vetëm ku mund të sigurojnë të ardhurat për familjet e tyre. 

Ndërkohë sapo ka përfunduar segmenti rrugor i Unazës së Madhe, për të cilin 50 familje para dy vitesh mbetën të pastreha për shkak se u prekën nga plani urbanistik. Kjo ndërhyrje në infrastrukturën rrugore të Tiranës në këtë segment mund të prekë edhe tregun, nga i cili ushqehen rreth 100 familje. 

Për muaj me rradhë Policia Bashkiake e Tiranës ka ushtruar presion për lirimin e hapësirës dhe në shumë raste ka sekuestruar mallin dhe ka gjobitur tregëtarët. 

Pas daljes në media të lajmit se në shtator do të inagurohet segmenti rrugor pranë Selitës, tregëtarët shprehen të shqetësuar se mund të pësojnë të njëjtin fat si tregëtarët pranë Spitalit Nr.5. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar ata u përballën me Policinë Bashkiake, të cilët tentuan të ndalonin me dhunë aktivitetin e tyre.  

Tregëtarët të mbështetur nga aktivistët e komunitetit Rom dhe Egjiptian, kanë kërkuar informacion zyrtar nga Bashkia e Tiranës se çfarë do të ndodhë me tregun pas hapjes së segmentit të ri rrugor dhe kanë bërë disa kërkesa për takim me Kryetarin e Bashkisë, Z. Erion Veliaj, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Tregëtarët shprehen se nuk janë kundër ndërtimit të të mirave publike, por kërkojnë një proces konsultimi me institucionet dhe ndërtimin e një tregu të ri me kushte të përshtatshme.

Ata kërkojnë që ndërtimi i tregut të ri të realizohet pranë njësisë së tyre të banimit, për shkak të afërsisë me shtëpitë, por edhe sepse banorët e Tiranës me mundësi të pakta ekonomike janë mësuar të blejnë në këtë zonë.

Edhe pse e shohin të vështirë gjetjen e një hapësire publike në territorin e njësisë administrative nr.5, ata janë të gatshëm të bashkëpunojnë për krijimin e një tregu mbi hapësirë private dhe të paguajnë një pagë të përshtatur me mundësitë  e tyre ekonomike.

“Me tregun kam mbajtur familjen për 20 vite dhe po n’a hoqën prej këtu mbetëm të papunë. Po u shemb tregu këtu, ne duam të ndërtohet një treg i ri. Do paguajmë edhe taksë, le të biem në marrëveshje”, shprehet znj.Demiri, tregëtare rome në tregun e Selitës.

Tregëtarët kanë vite që e ushtrojnë këtë aktivitet ekonomik informal dhe ushqejnë familjet e tyre. Ata nuk kanë patur eksperienca të tjera punësimi. Fakti që për një kohë të gjatë kanë zhvilluar këtë aktivitet shpreh qëndrueshmëri nga ana e tyre dhe është e vetmja mundësi për të përballuar jetesën.

Tregu i rrobave të përdorura në Selitë frekuentohet nga shumë kryeqytetas. Jo vetëm që i përshtatet xhepit të çdo blerësi, por tregëtimi i tyre i shërben edhe mjedisit në sajë të ripërdorimit të tyre.

Të gjendur mes vendit ku tregëtohen rroba të përdorura edhe blerësit shprehin se dëshirojnë që të ketë një treg të ri me kushte të përshtatshme, pasi nuk do të ndalojnë të blejnë në tregun e Selitës.

Autor: Jeta Pera*
*Autorja është aktiviste e komunitetit Rom dhe Egjiptian

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *