Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Dëmshpërblimi në rast aksidentesh, projektligji i ri favorizon kompanitë e sigurimit

Data 22 shtator 2012 nuk mund të harrohet lehtë nga anëtarët e familjes Balliu në Elbasan. Rreth 5 vite më parë, çifti i bashkëshortëve dhe dy fëmijët e tyre të vegjël po prisnin të kalonin nga njëri trotuar në tjetrin në Unazën e Re në qytetin e tyre, kur një 18-vjeçar hipi mbi bordurë dhe përplasi rëndë të gjithë familjen.

Edhe pse për fat të mirë i shpëtuan vdekjes, sot kanë ende problem të mëdha shëndetësore. Çështjen e çuan në gjykatë, duke paditur Byronë Shqiptare të Sigurimit, ku që në fillim kërkuan: “Detyrimin e palës së paditur për shpërblim dhe kompensim të secilit prej të aksidentuarve të dëmit pasuror dhe jo pasuror (biologjik, moral dhe ekzistencial), që u shkaktua nga aksidenti automobilistik i datës 22.09.2012 si dhe çdo shpenzim tjetër në të ardhmen që do të kryehet në lidhje me mjekimet apo kurat për dëmtimet e ardhura nga ky aksident. Pagimin për të gjithë interesat e lindura për shkak të vonesës së palës së paditur në përmbushjen e detyrimit të saj ligjor.”

Nga 10 milionë lekë të reja të kërkuara si dëmshpërblim, ata kanë marrë më pak se 500 mijë lekë. “Me kaq sa kemi marrë, nuk kemi mundur as të blejmë ilaçe kaq kohë”, shprehet gjithë pikëllim Flutura, zonja e shtëpisë. Ajo thotë për Citizens Channel se beteja e tyre gjyqësore për dëmshpërblimin vijon ende në Gjykatën e Apelit.

Historia e kësaj familjeje është vetëm një ndër mijëra historitë e atyre personave që përveç traumave të një aksidenti, përballen edhe me injorimin e kompanive të sigurimit dhe institucioneve të drejtësisë.

Projektligji i ri

Nëse i referohemi të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, rezulton se në Shqipëri brenda një viti shënohen mesatarisht 1725 aksidente automobilistike, prej të cilëve 1994 plagosen dhe 317 të tjerë humbin jetën.

Legjislacioni shqiptar i rregullon këto dëme me anë të ligjit Nr.10 076, i vitit 2011. Një projektligj i ri i propozuar nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, që pritet të hyjë në fuqi së shpejti, do të ulë ndjeshëm kostot e dëmshpërblimit për të dëmtuarit dhe për familjarët e viktimave të aksidenteve rrugore.

Romina Zano nga “Rrjeti i avokatëve” pranë Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, në një intervistë për Citizens Channel shpjegon ndryshimet kryesore të këtij ligji, që shkojnë në favor të kompanive të sigurimit dhe në disfavor të të dëmtuarve.

“Ligji, në dispozitat që lidhen me vlerën e mbulimit të dëmit, parashikon disa kufizime jo vetëm në metodën e llogaritjes së dëmeve jopasurore, por edhe përsa i përket kufirit minimal të mbulimit të shumës nga shoqëritë e sigurimit. Në Shqipëri mbulimi shkon deri në 20 milion lekë, në një kohë kur Direktiva Europiane dhe gjithë vendet Perëndimore e të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, e kanë mbulimin e dëmit nga shoqëritë e sigurimit të paktën 1 milion Euro. Me projektligjin e ri të hartuar nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, organi i cili ka propozuar ndryshme të reja në nenin 26 të Ligjit të sipërcituar, ka ndryshuar metodën e llogaritjes së dëmit jopasuror në përkeqësim të viktimës. Marrim si ilustrim një rast kur një i dëmtuar i moshës 29 vjeç, kryefamiljar, i martuar dhe me dy fëmijë, i cili rezulton me pasojë paaftësi totale të përhershme, për përfitimin e dëmit biologjik, moral dhe ekzistencial, sipas projektligjit të propozuar nga AMF-ja, vlera i shkon deri në masën 67% më pak se të drejtat që të dëmtuarit përfitojnë tani me ligjin aktual. Në të njëjtën kohë ky institucion rregullator ka shfaqur në propozim një mungesë të theksuar vullneti për t’i dhënë zgjidhje imediate ngërçit të krijuar në Fondin e Kompesimit pranë Byrosë, ku rezulton se qindra qytetarë kanë vite që nuk dëmshpërblehen për shumat e fituara nga vendimet gjyqësore të formës së prerë, përtej çdo afati të mundshëm ligjor”.

Cilat janë ndryshimet në projektligj?

Nëse një 29-vjeçar kryefamiljar i martuar dhe me dy fëmijë humb jetën, sipas ligjit aktual dëmshpërblehet me vlerën që varion nga 2,1 milionë lekë të reja minimum dhe 4.4 milionë lekë të reja maksimum. Me ndryshimet e reja masa e dëmshpërblimit do të jetë fikse: 1.44 milionë lekë të reja.

Diferenca rezulton të jetë nga 660 mijë lekë të reja deri në 2.960.000 milionë lekë të reja.

Çdo qytetar i dëmtuar do të marrë 80 mijë lekë dëmshpërblim për çdo 10% të shkallës së paaftësisë të përhershme, të pjesshme, ose të plotë. Kjo do të thotë se një qytetar i dëmtuar 50%, do të marë vetëm 400 mijë lekë dëmshpërblim, një vlerë thuajse e pamjaftueshme për rehabilitimin e tij.

Aksidente rrugore në muajin korrik 2017. Burimi: INSTAT

Viktimat vs kompanitë e sigurimit

Por cilat janë pikat ku kompanitë e sigurimit dhe Byroja përfitojnë më së shumti? “Ndryshimet e reja në ligj bien në kundërshtim flagrant me interesat e të dëmtuarve nga ngjarjet e aksidentit. Projektligji jo vetëm që nuk rrit shumën e mbulimit të dëmit nga shoqëritë e sigurimit (e cila ka mbetur e njëjtë, pra 20 milion lekë kufiri i mbulimit duke favorizuar në këtë mënyrë kompanitë), por ka ndryshuar edhe metodën e përllogaritjes së saj dhe në të njëjtën kohë nuk i jep asnjë zgjidhje problematikës së Byrosë Shqiptare të Sigurimit që lidhet me Fondin e Kompesimit. Kjo do të thotë se viktima, trashëgimtarët apo i dëmtuari dëmshpërblehen në shuma krejt qesharake dhe të papërfillshme për rehabilitimin e plotë të tyre, sikurse lidhur me Fondin e Byrosë, do mbeten përjetësisht pa dëmshpërblim për shkak të vonesave në ekzekutim të vendimeve gjyqësore të formës së prerë”, thekson avokatja Romina Zano.

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2002-2013 ka disa vendime gjykatash që urdhërojnë Byronë Shqiptare të Sigurimit të paguajë vlerën prej 1.35 miliardë lekësh që i detyrohen qytetarëve të dëmtuar apo familjarëve të tyre. Projektligji i ri i jep mundësinë Byrosë Shqiptare të Sigurimit që të shtyjë për 3 vite këtë proces.

Citizens Channel u përpoq të kontaktojë edhe me Byronë Shqiptare të Sigurimit. Me anë të një emaili zyrtar, kërkuam një intervistë në lidhje me ndryshimet e projektligjit të ri, të cilat shkojnë totalisht në favor të kompanive të sigurimit. Në lidhje me këtë kërkesë tonën, nuk morëm asnjëherë përgjigjje.

A ka një mënyrë ligjore efikase që mund ta parandalojë këtë projektligj? “Në cilësinë e përfaqësuesve të Rrjetit të Avokatëve, kemi paraqitur kundërshtime që kërkojnë të ndalojnë miratimin dhe hyrjen në fuqi të këtij projektligji, veprime që do të vijojnë edhe në Komisionin Parlamentar si dhe në Gjykatë Kushtetuese nëse do të jetë e nevojshme. Përpjekjet tona nëpërmjet veprimeve ligjore kanë qëllim të vetëm mbrojtjen e qytetarëve potencialë për të qenë subjekte të ngjarjeve të aksidentit, nga çdo abuzim me ligjin që cënon eventualisht të drejtat themelore të individit”, përfundon Zano.

Autor: El.El / Citzens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *