Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ekspertët: Të nisë urgjentisht trajtimi i ujrave të zeza që derdhen në Lanë

Atë që banorët e kryeqytetit e konsiderojnë si lumin e Tiranës, për ekspertët e mjedisit është vetëm një kanal primitiv i ujërave të zeza. Ndotja, që shkaktohet kryesisht nga derdhja e ujërave të zeza të patrajtuara, shkon deri në dhjetëra herë më e lartë se sa normat e lejuara, duke e renditur basenin Ishëm-Erzen, të kategorisë V, më e keqja, dhe që ka nevojë urgjente për ndërhyrje.

Raportet

Sipas raportit të gjendjes së mjedisit për vitin 2016, Ishmi ka rezultuar të jetë tejet i ndotur, sa i përket të gjithë përbërësve të matur në të 6 pikat e monitoruara që janë: Ura tek Kthesa e Kamzës, Yrshek (ish-dogana), Lanabregas, ura në Rinas, ura e Gjolës dhe Ishëm (ura Sallmer) duke u klasifikuar në kategorinë e fundit, V, shumë e keqe.

Ndërsa ujërat e lumit Erzen në të tre pikat e monitoruara: Pëllumbas, Ura e Beshirit dhe Ura Sallmone kanë rezultuar pak fare më të mira duke u renditur në kategorinë e IV.

Ekspertët e mjedisit ia atribuojnë këtë ndotje të madhe të lumit që përshkon Tiranën mes për mes e më saktësisht derdhjes në të të ujrave urbane të patrajtuara. Përbërësit e matur dhe për të cilët ekspertët vënë alarmanin janë nevoja për oksigjen, fosfori, nitritet, amoniaku.

Rezultatet e matjeve në basenet shqiptare në vitin 2016. Burimi: AKM

Nëse i referohemi të dhënave të Raportit Kombëtar të Mjedisit për 2015 rezulton se “pellgu i lumit Ishëm paraqitet me nivelin me të larte ndotjes për përmbajtjen e NH4 në pesë stacionet nga shtatë të monitoruara, si pasoje e shkarkimeve të ujërave urbane të patrajtuara që derdhen në dy degët kryesore, lumi i Tiranës dhe i Lanës, si dhe të ujërave të përdorura të zonës industriale të Tiranës”.

Përveç stacionit referencë, ura e Brarit, që klasifikohet i cilësisë së dytë dhe të Lanabregasit të cilësise së trete stacionet e tjera vleresohen me nivelin më të larte ndotës dhe klasifikohen në gjendjen më të keqe.

“Përmbajtja mesatare e NH4 varion nga 3.5-9.8 mg/l duke tejkaluar disa here normën e gjendjes së moderuar, cilësinë e tretë. Vlera më e lartë paraqitet në lumin e Lanës tek Ish dogana që ndodhet pas shkarkimit te kolektoreve të ujërave urbane, të cilat janë përgjegjese direkte për vlerat e larta të përmbajtjes se amoniakut” – thuhet në raportin e 2015.

Përmbajtja e lartë e amoniakut është tregues që uji është i ndotur me ujra të zeza. Burimi: AKM

Edhe sa i përket nevojës kimike për oksigjen grafikët rriten në mënyrë agresive kur vjen puna tek stacionet e monitoruara tek lumi Ishëm. “Lumi i Tiranës në stacionin Ura e Kamzës, lumi i Lanës në stacionin L2 (ish dogana) që ndodhen pas kolektorëve të ujërave urbane të patrajtuara të qytetit të Tiranës, janë shumë problematikë, pasi niveli i ndotjes është mjaft i lartë. Më konkretisht, T2- ura Kamëz është 52 mg/l dhe L2- tek ish dogana është 138 mg/l. Situata është e njëjtë edhe në  tre stacionet e lumit Ishëm ku përmbajtja e NKO paraqitet në vlera të larta,  nga 35-34 mg/l. Shkaqet për këtë gjëndje janë shkarkimet industriale dhe urbane të patrajtuara”, – vazhdon raporti i mjedisit për 2015.

Kjo situatë vazhdon të jetë e tillë që prej disa vitesh dhe pavarësisht kërkesës së vazhdueshme të ekspertëve për të nisur trajtimin e ujrave të zeza dhe atyre urbane, ende nuk është bërë asgjë.

Raporti 2016 vs Raporti 2015

Duket se ministria e Mjedisit po bëhët gjithmonë e më e palexueshme në shifrat që publikon. Të dhënat që publikohen çdo vit në raportin e gjendjes së mjedisit janë të kuptueshme gjithmonë e nga më pak persona që duan të dinë se si është mjedisi ku jetojnë.

Nëse në raportet e Mjedisit të viteve të mëparshme, për çdo indikator të matur, jepej vlera e matur në çdo stacion, raporti i mjedisit për vitin 2016 është treguar më i kursyer në këtë pikë. Nuk ka më të dhëna të detajuara, por vetëm të dhëna në total.

Ta zëmë, nëse kërkon të dish se si është cilësia e ujërave të baseneve të lumenjve në vendin tonë, nëse i referohesh raportit të 2016-ës, do ta kesh shumë më të vështirë të kuptosh situatën.

Hartuesit e raportit, kanë bërë vetëm një përmbledhje të të dhënave dhe në fund shpjegojnë se në cilën kategori ata klasifikohen, ndërsa nuk gjen në asnjë rresht se sa është norma e lejuar e ndotjes apo se sa ka rezultuar të dhënat për çdo indikator në çdo pikë të matur.

Ndryshe nga kjo praktikë, në raportet e mjedisit të viteve të mëparshme, për çdo indikator të matur, shpjegohet se si është situata në çdo pikë monitorimi. Është kjo arsyerja që në artikull i referohemi shpjegimeve që kanë dhënë ekspertët në raportin e mjedisit 2015, dhe jo ikonave që janë paraqitur në tabelën e raportit të 2016-ës.  

Ekspertët

Aleko Miho, biolog pranë fakultetit të Shkencave të Natyrës, shprehet se trajtimi i ujrave të zeza është domosdoshmëri.

“Kjo përvojë ka nisur të bëhet tek ne në disa impiante, në Pogradec, në Xhafzotaj, Durrës, edhe pse jo me pastrim të plotë në të gjitha hapat e mundshme. Të tjera impiante janë në ndërtim e sipër, përfshirë këtu dhe impiantin për Tiranën, në Kashar. Impiante të tilla edhe pse janë shumë të domosdoshme për shëndetin e ujërave tona, dhe të vetë njeriut, janë investime madhore, dhe relativisht me kosto për buxhetin e bashkive. Pastrimi i ujërave kërkon së pari një kolektor të përsosur dhe hermetik që të mbledhë ujërat nga gjithë vendbanimet drejt impiantit, ndërtimi i një impianti që të bëjë të mundur pastrimin e tyre, si nga ana mekanike dhe biologjike; pas këtyre dy hapave ka edhe tre procese të mëtejshme (kimike, filtrim dhe trajtim llumrash) që pastrojnë ujerat deri në fund, por që rrisin edhe më tej koston e pastrimit; por më e rëndësishme është gjetja në vazhdimësi e mundësive financiare të funksionit në kohë dhe te mirëmbajtjes së këtij sistemi në vite”, shpjegon prof. Miho.

Pikë shkarkimi i ujrave të zeza në afërsi të Ministrisë së Jashtme.
Pikë shkarkimi i ujrave të zeza në afërsi të Ministrisë së Jashtme.

Olsi Nika, ekspert i cilësisë së ujrave, thotë për “Citizens Channel” se duhet të nisë urgjentisht trajtimi i ujrave të zeza dhe se Shqipëria është shumë vonë.

“Janë disa projekte për trajtimin e ujërave të zeza edhe në vendin tonë. Është një impiant me dy faza në Pogradec, një tjetër në Sarandë dhe ai që është në Golem-Kavajë, por vetëm kaq… Ndërkohë që vendi ynë e ka urgjente të nisë trajtimin e ujrave urbane. Së paku në dy fazat e para që e kthejnë atë në ujë pa ndotës dhe e derdhin në një trup ujor. Kjo është e vetmja zgjidhje që mund t’i jepet kësaj situate në të cilën ndodhen një pjesë e ujrave sipërfaqësore, por edhe nëntokësore në vendin tonë”, na shpjegon Nika.

Premtimi i Veliajt

Nga Çikago kryebashkiaku Erjon Veliaj, deklaroi një ditë më parë se ka nisur puna për hartimin e një projekti në bashkëpunim dhe me qeverinë japoneze, për të eliminuar derdhjen e ujërave të zeza.

“Jemi duke bërë një projekt me qeverinë japoneze, e cila vendos të gjithë kanalizimet e zeza në një kolektor që i shmang nga derdhja në Lanë. Kolektori zgjidh problemin të paktën për 300 mijë familje, pra pjesën veriore të qytetit. Do të duhet të bëjmë të njëjtin investim edhe për pjesën jugore. Brenda 5 viteve nuk do të kemi më ujëra të zeza që derdhen në Lanë, por dy kolektorë që ecin paralelisht”, tha ai.

Autor: E.K / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *