Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Merkata e Rusit në Shkodër, aty ku ushqimet shiten mes pluhurit dhe baltës

Në Shkodër produktet ushqimore shiten në mes të rrugës dhe jashtë çdo kushti higjeno-sanitar. Tregtarët ambulantë zaptojnë çdo ditë trotuaret duke i kthyer në mini-tregje, ndërsa policia bashkiake nuk ushtron fuqinë e saj.

Një nga tregjet më problematikë është ai i Merkatës së Rusit. Balta dhe pluhuri shoqërojnë produktet bujqësore dhe ato blegtorale, ndërsa me afrimin e reshjeve të shiut situata bëhët edhe më e vështirë.

Pranë tezgave ku shitet mish e nënprodukte të tij, bulmet, fruta, perime e artikuj të ndryshëm, ka edhe shumë mbeturina. Kjo pasi bashkia Shkodër që administron këtë treg, ndërsa merr të gjitha taksat nga tregëtarët, nuk ka siguruar as kushtet kryesore si pastrim të ambjentit, ujë të bollshëm, banjo publike dhe vende për hedhjen e mbeturinave.

Nuk ka personel pastrues për tregun dhe kjo bën që rreziku i infeksioneve të jetë i madh. Tregtarët, shprehen se i kanë kërkuar vazhdimisht bashkisë plotësimin e këtyre kërkesave por asgjë nuk është bërë.

“Kam 23 vjet që shes, i kam paguar të gjitha taksat shtetit, por nuk punohet kështu. Si mund ta tregtoj djathin në këto kushte? Kushtet e tregut janë skandal, ka kohë që është kështu. Nuk merren as masa asgjë, nuk ka as banjo”, shprehet Shkurtja, e cila çdo ditë tregëton në Merkatën e Rusit.

Për Bashkimin, një tjetër shitës në këtë treg, “problem është shitja e produkteve, pasi qendrojmë gjatë ditës mes pluhurit dhe baltës, ndërkohë që tregu i ri i ndërtuar në këtë zonë është jashtë funksionit”.

Edhe pse në kushtë higjeno-sanitare jo të mira, qytetarët blejnë në këtë treg. Foto: Elvis Nabolli

Më të rrezikuarit në këtë situatë janë konsumatoret që pavarësisht kërkesave në drejtim të institucioneve përgjegjëse situata jo vetëm që nuk ka ndryshuar por në shumë raste është përkeqësuar. 

“Ne vijmë këtu i marrim produktet bujqësore dhe blegtorale pasi ky treg fuksionon qysh pas demokracisë, mirëpo kushtet bëhen çdo vit e më keq. Çfarë sigurie ka këtu në mes të rrugës, veç pluhur e baltë”, thotë në mes të tjerave një grua e moshuar, e cila vijon blerjen pranë trotuarve të rrugës  së Rusit në hyrje të merkatës.

Një tjetër qytetar ndërsa pret të marrë qesen me peshk, nuk harron të bëjë humor. “I kena të përzier peshk dhe baltë, është bio!”

Situata e vështirë pranohet edhe nga vetë bashkia e Shkodrës sipas se cilës “nga një vëzhgim i bërë në tregjet publike, vihet re se hapësirat e posaçme që bashkia e ka vënë në dispozicion nuk shfrytëzohen të gjitha sepse kanë nevojë për përmirësime të vazhdueshme”.

Bashkia e Shkodrës në projekt buxhetin e 2017- es ka akorduar një  shumë për rehabilitimin e markatës. Sipas kësaj bashkie “Merkato Rus nuk funksionon me kapacitetin e saj të plotë si rezultat i gjendjes së saj jo të mirë. Rehabilitimi dhe mirëmbajtja e merkatos do të sillte jo vetëm tregtim në kushte të përshtatshme që do të rriste edhe vetë cilësine e produkteve por mbi të gjitha do të nxiste formalizimin e këtij sektori“ .

Nga ana tjetër AKU- Shkodër ka bërë të ditur se Bashkia e Shkodrës nuk po merr masat e duhura për menaxhimin e situatës së tregjeve në territoret që ajo administron, si dhe nuk ka zbatuar detyrat funksionale të parashikuara në ligj, për lirimin e hapsirave publike, duke lejuar tregëtimin e shumë personave që nuk janë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe që nuk mund të inspektohen nga AKU.

Gjatë vitit të kaluar bashkia e Shkodrës është gjobitur me 500 mijë lekë për mos plotësimin e kushteve të tregtimit në tregjet që administron. Por pavarësisht kësaj situata vijon të mbetet e njëjta.

Inspektori i AKU-së Hamdi Mlloja, shpreson në një bashkëpunim më të mirë mes Bashkisë Shkodër dhe AKU-së pasi deri më tani situata është mjaft problematike. “Këto tregje janë ekskluzivitet i bashkisë dhe ajo duhet të marrë masat e nevojshme që të tregëtohet në kushte normale, pasi nuk mund të tregtohet në rrugë. Duhet t‘i jepet fund.”

Autor: Elvis Nabolli

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *