Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Hetimi/Kompanitë celulare shkelin ligjin për mbrojtjen e konsumatorit dhe vendosin precedent të rrezikshëm

Lëvizja e njëkohshme e tre kompanive më të mëdha celulare në vend për të njehsuar kohëzgjatjen paketave bazë të komunikimit në katër javë, mund të shtrihet në tregje të tjera si internet, telefonia fikse, paketat televizive,etj., gjë e cila do të ishte në dëm të konsumatorëve.

Ky është një nga përfundimet e raportit hetimor të hartuar nga Komisioni i Konkurencës i ngritur nga Autoriteti i Konkurencës për hetimin paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.

Raporti i publikuar më datë 21.09.2017 është rezultat i hetimeve të nisura në maj 2017, pasi tri kompanitë celulare që zotërojnë 95% të tregut në Shqipëri, njehsuan kohëzgjatjen dhe çmimin e paketave bazë të komunikimit.

Një lëvizje e tillë e Vodafone, Telekom dhe Albtelecom, u cilësua si një lëvizje e pastër oligopoli, prandaj gjatë periudhës hetimore janë realizuar inspektime, me qëllim gjetjen e provave direkte dhe indirekte të një marrëveshje të mundshme ose të një praktike të bashkërenduar mes ndërmarrjeve.

Si ndryshoi tregu?

Në mars të vitit 2016 tre prej kompanive celulare kanë ndryshuar vlefshmërinë e paketave kryesore standarde në harkun kohor të tetë ditëve, përkatësisht Albtelecom me 15 Mars 2016, Telekom me 21 Mars 2016 dhe Vodafone me 23 Mars 2016. Ndryshimi i bërë në këtë periudhë konsiston në ndryshimin e periudhës së mbulimit të paketave nga 30 ditë në 28 ditë.  

Gjithashtu referuar analizës së sjelljes së ndërmarrjeve anëtarët e komisionit kanë vënë re se ‘në periudhën Mars – Prill 2017, 3 ndërmarrje përkatësisht Vodafone, Telekom dhe Albtelecom, për një periudhë 2 javore, duke ndjekur njëra – tjetrën kanë ndryshuar paketat standarde duke shkuar në të njëjtat tarifa dhe numër njësish për disa prej tyre’.

Në raportin e Komisionit të Konkurencës thuhet se ‘sjellja e mësipërme mund të shpjegohet nga ndërlidhja oligopolistike ku ndërmarrjet përshtatin strategjinë e tyre në lidhje me kombinimin e shërbimeve brenda paketave standarde’.

Por referuar inspektimeve të Komisionit nuk janë gjetur prova direkte apo indirekte që të provojnë që këto ndryshime kanë ardhur si pasojë e një marrëveshjeje të ndaluar apo sjelljeje të bashkërenduar midis tyre.

Ofrimi i paketave me tarifë të përcaktuar për të gjithë njësitë e paketës dhe jo me çmim të detajuar për çdo element të saj (lekë/min., lekë/sms, lekë/MB, etj.) krijon konfuzion për konsumatorët.

Sipas raportit kjo sjellje e kompanive ‘mund të shpjegohet nga ndërlidhja oligopolistike ku ndërmarrjet përshtatin strategjinë e tyre në kuadër të informacionit të plotë ndaj konkurrentëve të tjerë dhe efekteve të tyre në njësi dhe tarifa’.

Sipas OECD, kur konsumatorët nuk kanë informacion të mjaftueshëm, ose cilësia e tij është keq informuese ata mund të krijojnë konfuzion nga ofertat dhe të paguajnë më tepër ose mund të blejnë shërbime të cilat nuk i nevojiten. Fuqia e konsumatorëve dhe mbrojtja e tyre është shumë e rëndësishme nga aspekti ekonomik dhe social.

Pjesë nga raporti. Burimi: Autoriteti i Konkurencës

Efektet

Në raportin hetimor thuhet se ‘ndryshimi i kohëzgjatjes së paketave standarde nga 30 ditë në 28 ditë bën që konsumatori të faturohet rreth 13 muaj në vit në vend të 12 muajve, duke çuar në një rritje vjetore prej rreth 6.5% të buxhetit të shpenzuar nga konsumatori për këtë shërbim’.

Komisioni i Konkurencës i trembet se kjo praktikë mund të ndiqet nga tregje të tjera. ‘Për ndryshimin e kohëzgjatjes së paketave standarde nga 30 ditë në 28 ditë vlerësojmë se kjo praktikë mund të prekë dhe tregje të tjera në fushën e telekomunikacionit si p.sh. interneti, telefonia fikse, paketat televizive, etj., gjë e cila do të shkaktonte probleme në terma të transparencës dhe krahasueshmërisë së informacionit për pajtimtarët e tyre në lidhje me tarifat e aplikuara për shërbimet e ofruara nga operatorët në sektorin e telekomunikacionit.’

Prandaj Komisioni ka vlerësuar që AKEP-i, si organ rregullator i tregut të komunikimeve elektronike në kuadër të kompetencave të tij për mbrojtjen dhe garantimin e mirëinformimit të konsumatorit duhet të kryejë vlerësimin e paketave 28 ditore dhe 30 ditore për të parë nëse ka efekte negative për konsumatorin.

Sipas raportit hetimor lëvizja e njëkohshme e tre kompanive celulare është në shkelje të ligjit të Për Mbrojtjen e Konsumatorit. ‘Referuar paketave standarde të ofruara nga operatorët e telefonisë celulare rezulton se nga ana e tyre nuk jepet asnjë informacion për konsumatorin lidhur me çmimin për njësi për elementët që paketat përmbajnë, e cila do t’u jepte mundësi atyre të zgjidhnin në mënyrë objektive paketën që ju përshtatet nevojave të tyre. Kjo praktikë tregtare dobëson ndjeshëm aftësinë e konsumatorit për marrjen e një vendimi lidhur me zgjedhjen e paketës që i përshtatet më mirë nevojave të tij’, thuhet në raportin e Komisionit të Konkurencës.

Prandaj është rekomanduar ndërhyrja e Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit, për të detyruar operatorët e telefonisë celulare bërjen transparent të çmimit për njësi për çdo shërbim të përfshirë në paketat e hedhura në treg.

Vendimet

Komisioni i Konkurencës në bazë të gjetjeve të mësipërme i ka kërkuar Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) që brenda 90 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi ‘të bëjë vlerësimin e paketave 28 ditore dhe 30 ditore për të vlerësuar nëse ka efekte negative për konsumatorin’.  

Gjithashtu i ka kërkuar AKEP-it të ndryshojë rregulloren ku thuhet se kompanitë mund të njoftojnë pasi ndryshimet e tarifave të jenë bërë efektive.

AKEP ngarkohet nga Komisioni të njoftojë operatorët e shërbimit celular për detyrimin që përveç çmimit të paketës standarde nga ana e ndërmarrjeve, të publikohet dhe çmimi për njësi për çdo shërbim (lekë/min., lekë/sms, lekë/MB, etj.), që këto paketa përmbajnë.

Raporti detyron gjithashtu kompanitë që brenda 90 ditëve të marrin masa për aplikimin dhe publikimin e çmimit për njësi për çdo shërbim (lekë/min., lekë/sms, lekë/MB, etj.) që përmbajnë paketat standarde, duke informuar Autoritetin e Konkurencës.

Duke u nisur nga kjo gjendje, Autoriteti i Konkurencës do të monitorojë tregun me pakicë të shërbimeve celulare për një periudhë një vjeçare, e cila fillon nga data 1 Tetor 2017.

Autor: Amarildo Topi

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *