Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Qeveria “Rama 2” përballë varfërisë

Ulja e varfërisë konsiderohet një ndër sfidat kryesore, me të cilat përballet njerëzimi në të gjithë botën, një problem pothuajse për të gjitha qeveritë. E padyshim, një emergjencë për Shqipërinë, që edhe pse ka të certifikuar një rritje ekonomike mbi 3.4%, ende nuk ka të përcaktuar minimumin jetik. E thënë ndryshe, sa para i duhen një njeriu për të plotësuar nevojat bazë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në të gjithë vendin janë rreth 80 mijë familje që përfitojnë ndihmë ekonomike të pjesshme ose të plotë, me një shumë që varion nga 4.500- 8 000 lekë të reja në muaj. Gati dyfish më e ulët se minimumi jetik prej 16 000 lekë, i përcaktuar nga Avokati i Popullit, një shifër domethënëse, por që nuk pranohet si zyrtare.

Përballë pamundësisë për të rritur më tej ndihmën ekonomike, në kushtet e një buxheti të vogël prej rreth 5 miliardë euro, qeveria ndërron kurs, duke ndjekur një tjetër filozofi për të trajtuar varfërinë. “Të varfërit do të integrohen në tregun e punës”. Kjo ishte një ndër pikat që ngjalli jo pak kureshtje gjatë prezantimit të programit nga kryeministri dhe ministrat e tij në parlament, për mënyrën sesi do të realizohet.

Një objektiv ambicioz, veçanërisht në kushtet, kur me reformën e institucioneve dhe ristrukturimin, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale nuk ekzsiton më, por funksionet e saj i kanë kaluar Ministrisë së Financave për punësimin dhe Ministrisë së Shëndetësisë për ndihmën ekonomike.

“Programi i ndihmës ekonomike do të zëvendësohet nga programi ‘Mbështetje për riintegrim’, i cili do të kushtëzojë e plotësojë ndihmën financiare për familjet e varfra me përfshirjen e tyre në programe e shërbime të personalizuara arsimore, shëndetësore, formimi, punësimi.

Deri në vitin 2021, një në dy familje përfituese të mbështetjes për riintegrim do të përfshihen në programin “Shqipëria punon”, duke mundësuar që deri në vitin 2025 në këtë program të përfshihen tre në katër familje”, deklaroi në sallën e parlamentit Ogerta Manastriliu, ministrja e re e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Skema e re e ndihmës ekonomike

Një grup pune është ngritur për të gjetur rrugët dhe mënyrat se si do të bëhet integrimi i të varfërve në tregun e punës.  

“Do të shtohet shpërblimi. Por paralel me të, për çdo familje përfituese do të ketë një paketë shërbimesh të personalizuara. Për shembull, formim profesional, ndihmë për arsimimin e fëmijëve, pjesëmarrje në punë në komunitet, akses në shërbimet shëndetësore pa pagesë dhe një afat kohor, kur personat madhorë të familjes përfituese do të rikthehen në tregun e punës. Mbështetja për riintegrim do të jetë e shoqëruar me shërbime plotësuese, por e kufizuar në kohë”, shpjegon Kosta Bajraba, një ndër bashkëhartuesit e programit të qeverisë për mbrojtjen sociale.

Kjo paketë do të përfitohet nga familjet në nevojë në më pak se 5 vjet, që është aktualisht periudha që trajtohen me ndihmë ekonomike. Një tjetër element që ende i mungon vizionit të qeverisë për të luftuar varfërinë është fatura financiare, që do të shoqërojë këtë proces dhe që nga vlerësimet e para sipërfaqësore, duket se do të jetë ndjeshëm më “e kripur” se ajo e paguar deri më tani për këtë kategori.

Kritikat

Politikat sociale që qeveria Rama ndoqi në mandatin e parë, si dhe ato që prezantohen në këtë mandat të dytë shihen me skepticizëm nga një pjesë e ekspertëve.

Kastriot Sulka, drejtor i Institutit për Studime Ekonomike dhe Sociale e sheh të vështirë integrimin e të varfërve në tregun e punës. Kjo nisur edhe nga fakti se qeveria shkriu ministrinë e të varfërve.

“Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale është në njëfarë mënyre edhe simbol i ndryshimit të qeverive, pasi mbart në vetvete trajtimin institucional dhe jo ideologjik të problemeve sociale dhe ato të tregut të punës. Me shkrirjen e saj, humbet edhe ky simbolizim, që është edhe e keqja më e vogël. Më e rëndësishmja qëndron pas faktit, që duke e ndarë në disa ministri të tjera, si ajo e Financave dhe e Shëndetësisë, jo vetëm që humbasin unitetin e politikave sociale dhe të punësimit, por ato iu janë bashkëngjitur ministrive, që janë super të mëdha dhe për rrjedhojë, do të kenë funksione terciare”, argumenton Sulka.

Sipas tij, në një formë të tillë të copëzuar vetëm për integrim në tregun e punës nuk mund të flitet. “Nëse të papunët që do të marrin pagesë paaftësie apo ndihme ekonomike do të trajtohen nga Ministria e Shëndetësisë, do të jetë Ministria e Financave, që do të duhet që t’i integrojë këto kategori në tregun e punës, nëpërmjet kualifikimit profesional apo ndërmjetësimit/këshillimit për punë”, shpjegon Sulka.

Ndihma ekonomike në vite

Fondet dedikuar ndihmës ekonomike nga viti në vit kanë pësuar luhatje të mëdha, si pasojë e ekspozimit të skemës ndaj manipulimeve, mundësive të kufizuara buxhetore dhe reformave të qeverive.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, fondet e ndihmës shënuan rritje me 13 për qind në vitin 2016, pas një rënie me 22 për qind më 2015-ën. Por po vitin e kaluar dhe saktësisht, më 7 dhjetor 2016 nëpërmjet një vendimi, qeveria kufizoi dhënien e ndihmës ekonomike në vetëm 5 vite. Sipas VKM-së, tavani i ndihmës ekonomike, bëhet sipas strukturës së familjes, por nuk mund të jetë më e lartë se 8 mijë lekë në muaj.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, gjatë viteve 2014 dhe 2015, rreth 25 mijë familje kanë dalë nga trajtimi me ndihmë ekonomike. Numri i tyre ka ardhur në ulje edhe për 2016, duke arritur në një total prej rreth 80 mijë familje në të gjithë vendin. Ndërsa fondet e vëna në dispozicion, sipas Ministrisë së Financave, deri në korrik të këtij viti vlerësohen në 11.3 miliardë lekë.    

Autor: Aurora Sulçe* / Citizens Channel

*Autorja është moderatore dhe autore e emisioneve ekonomikë “Ekopolitikë” dhe “Para dhe Pasuri” në Ora News

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *