Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Varfëria detyron gratë shqiptare të abortojnë

Fetus baby asks for help, is removed from the womb with gynecological forceps concept abortion vector illustration

“Kur mësova se isha shtatëzënë kisha dy fëmijë dhe për mundësitë e mia, të lindja edhe një të tretë ishte luks për shkak të kushteve ekonomike. Burri im punon roje ndërsa unë shitëse. Sigurisht që më erdhi keq, e kush është ajo nënë që do të shkëputet me dëshirë nga fetusi i fëmijës së saj, por vetëm kushtet e vështira të çojnë në këto lloj vendimesh”, rrëfen Moza (pseudonim i vendosur nga autori i shkrimit).

Për fat të keq ajo vjen nga një shtresë e varfër, ku të ardhurat mujore në familjen e saj prej 4 personash nuk e kalojnë shifrën e 32 mijë lekëve të reja.

Por Moza nuk është gruaja e vetme që ka marrë vendimin e vështirë e shtyrë nga gjendja e jo e mirë ekonomike. Nëse vite më parë në maternitete paraqiteshin adoleshente të cilat kërkonin të abortonin, për shkak të marrëdhënieve të pambrojtura seksuale, tani ka një shtim të rasteve kur abort kërkojnë gratë e martuara dhe që kanë dy ose më shumë fëmijë.

Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur se për vitin 2016 në gjithë Shqipërinë janë kryer rreth 6000 aborte, pra kanë pësuar rritje vjetore me 0.8% ose 47 aborte më shumë se 2015-ta. Por kjo shifër mendohet te jetë më e lartë, pasi nuk përfshin abortet e kryera në spitalet private.

Por si është rrugëtimi i një nëne e cila vjen në maternitet pasi ka konfirmuar shtatëzaninë dhe kërkon të abortojë?

Ervina Mema, ka disa vite që punon si psikologe në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë. Ajo rrëfen për Citizens Channel përballjen e saj me vajzat e gratë shtatzëna të cilat i drejtohen dyerve të këtij institucioni shëndetësor.

“Përballja e parë e çdo gruaje që do të marri shërbim në maternitet, është tek qëndra e gruas.  Dhe aty ajo tregon se për çfarë ka ardhur. Nëse kërkon ndërprerje të shtatzanisë, i bëhet fillimisht një eko nga mjekët tanë për të përcaktuar moshën e saktë të shtatzanisë. Dhe më pas, ajo flet me mua, por megjithatë ka një shumicë të mirë rastesh që sduan fare të kalojnë tek një punonjës social”, thotë Mema. 

Ajo na rrëfen se “gratë shtatzëna duken të forta në pamje të parë dhe të prera për atë çfarë duan të kryejnë por megjithatë në sytë e tyre thellë-thellë shikon pendesë”.

“Arsyet që kam dëgjuar në këto vite janë: skam mundësi financiare dhe disa të tjëra justifikohen më faktin që kanë shumë fëmijë. Pra nuk kanë kërkuar ndihmë nga ne, për t’i deleguar diku tek ndonjë shoqatë, më së shumti kjo ndodhte vite më parë, kur paraqiteshin vajza të pamartuara por kishin mbetur shtatzënë. Krahasuar me disa vite më përpara në maternitetin shtetëror nuk vijnë më vajza të reja”, thotë psikologia Mema për Citizens Channel. 

Zonat dominuese janë ato ruralet, por mbase kjo vjen edhe si rrjedhojë qe në institucionet shtetërore ato i përfitojnë shërbimet falas.

“Të gjitha rastet rikthehen për ta kryer abortin, dmth ajo pauza që unë i lë kohë për tu menduar nënës, nuk e bën atë të ndryshojë mëndje, dhe ka nga ato që e kanë bërë më shumë se një herë abortin, kjo për shkak të kulturës së ulët për mbrojtjen me prezervativ ose kontraceptiv”, përfundon psikologia Mema.  

Në maternitet shënohen të gjitha rastet e aborteve si ato kirugjikale ashtu edhe ato medikale.

Erlin Kurti, mjeku obstetër-gjinekolog në maternitetin “Mbretëresha Geraldine”, pranon këtë situatë të vështirë të cilat ka kapluar maternitetet shtetërore, ku e gjitha kjo situatë sipas tij mund të mënjanohet nëpërmjet kontracepsionit.

“Aborti mbetet abort. Në tërësi ai kirurgjikal dhe medikal ka të njëjtin risk për komplikacione. Sa më e madhe të jetë shtatzania aq më i rrezikshëm bëhet aborti. Natyrisht që kostot janë të shumta duke filluar që nga ajo psikologjike e emocionale e c nëne, por edhe kostoja shëndëtësore ose risku për mos mbetjen shtatzënë më pas”, tregon Kurti.

Lindshmëria

Popullsia e Shqipërisë po tkurret me ritme më të shpejta se parashikimet, si rrjedhojë e rënies së lindshmërisë. Në fillim të vitit 2017, ishin 8 mijë persona më pak se projeksionet e popullsisë së variantit të mesëm që lëshoi INSTAT për periudhën 2011-2031.

Po sipas INSTAT numri i lindjeve ishte 8% më i ulët se pritshmëritë dhe rënia e popullsisë në grupmoshën deri në 15 vjeç ra gjithashtu me shpejtësi. Në vitin 2016 lindën 32 mijë bebe në të gjithë vendin, ndërsa pritshmëritë zyrtare të shprehura në projeksionin për ecurinë e popullsisë në periudhën 2011-2031, ishin që lindjet po atë vit të arrinin në rreth 34 mijë e pesëqind bebe.

Rënia e numrit të lindjeve reale me 8% nga skenari i mesëm i parashikimeve lajmëron se popullsia e vendit po futet në binarët e skenarit pesimist.

Në një intervistë për Monitor.al në muajin shtator 2017, ekspertja për çështjet demografike, Ermira Galanxhi shprehej se “kushtet ekonomike janë një faktor themelor që e pengon lindshmërinë. Qeveria jonë, momentalisht, duhet të ndërhyjë për të përmirësuar shërbimin dhe oraret në arsimin publik fillor. Oraret e fëmijëve në shkolla duhet të jenë të njëjta me ato të nënave në punë, përndryshe krijohen kufizime ekonomike në familjet e reja, pasi nënat në shumë raste kanë më tepër leverdi të rrisin fëmijën në shtëpi se sa të punësojnë një person tjetër”.

Autor: El.Gj / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *