Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Qeveria shkrin qendrën e licencimit te mjekëve / Ekspertët: Goditje vdekjeprurëse për mjekësinë

Ndërsa është ndezur alarmi se mjekët po braktisin Shqipërinë, qeveria ka vendosur që të shkrijë Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim (QKEV). Ekspertët e fushës e shohin këtë vendim si absurd dhe që shkon në të kundërt të rritjes profesionale të specialistëve të shëndetësisë, përfshirë mjekë, infermierë, mami, stomatologë dhe farmacistë.

Edukimi në vazhdim prej vitesh është bërë detyrim ligjor në vendin tonë. Që do të thotë se licenca e mjekut është e vlefshme vetëm për një periudhë 5-vjeçare, gjatë së cilës bluzat e bardha janë të detyruara që të marrin pjesë në konferenca shkencore dhe të grumbullojnë në total prej 150 kreditesh. 

Nëse në fund të periudhës 5-vjeçare, mjeku, nuk ka plotësuar një minimum kreditesh atëherë, licenca e mjekut nuk ka më vlerë dhe duhet të futet në provim nga e para. E nëse nuk kalon në provim, atëherë mjekut i pezullohet licenca për ushtrimin e profesionit dhe vendi i tij shpallet vakant. E gjithë kjo procedurë kalon edhe nëpërmjet QKEV-së, e cila vendos se sa kredite vlen një konferencë shkencore.

Në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim (QKEV) është një listë me rreth 4 mijë mjekë, të cilët kanë marrë vetëm minimumin e detyrueshëm të krediteve përgjatë 2016-ës (mbi 10 kredite).

E njëjta situatë është edhe me profesionistët e tjerë të shëndetësisë. Më konkretisht  janë rreth 1900 stomatologë dhe mbi 2 mijë farmacistë e ndihmës farmacistë që mezi kanë kaluar pragun prej 5 kredite në vit.  

E përkthyer ndryshe, kjo do të thotë se rreth 8 mijë profesionistë të shëndetësisë kanë ndjekur vetëm një seminar, konferencë apo kongres mjekësor përgjatë të gjithë vitit. Në këtë situatë të zymtë të edukimit në vazhdim të specialistëve të shëndetësisë në vendin tonë, ekspertët mendojnë se ajo do të përkeqësohet me nismën e re të qeverisë, që do t’ia lërë në dorë tashmë punën shkencore të bluzave të bardha dhe rritjen e kapaciteteve profesionale Shkollës së Administratës Publike.

Për Isuf Kalon, i cili ka qenë në këshillin e QKEV-së, që kur u krijua për herë të parë, sigurisht që ka shumë për t’u përmirësuar në punën e kësaj qendre, por në asnjë mënyrë ajo nuk mund të shkrihet.

 “Mjekëisa është një fushë që pëson ndryshime të vazhdueshme dhe një diplomë në shëndetësi nuk parashikon dot se çfarë duhet të bëjë pas 10 vitesh mjeku. Prandaj është futur edukimi në vazhdim dhe çdo 5 vjet njohuritë duhen rishikuar. A ka pasur mangësi kjo qendër? Sigurisht që po, por ajo nuk duhet t’i ishte lënë spontanitetit. Duhet të ishte në formë më të organizuar. Por ama të gjithë e dimë që kjo qendër nxorri evidenca që një numër jo i vogël mjekësh nuk arritën të plotësonin kreditet”, shpjegon mjeku Isuf Kalo për Citizens Channel.

Në kërkimin e përgjegjësisve se çfarë nuk shkoi mirë në këtë qendrë ai sqaron se kishte dy aspekte. “Së pari: kapaciteti i qendrës dhe i mjekësisë sonë për të ofruar një ekspertizë të re ishte e mangët krahasuar me kërkesat. Koha tregoi se pati një mos përputhje midis kapacitetit të mjekësisë sonë për të ofruar konferenca, seminare trajnime, ndërkohë që kësaj qendre iu atashuan edhe farmacistët, stomatologët, ndërkohë që ideja fillestare ishte të merrej me edukimin në vazhdim vetëm të mjekëve dhe infermierëve. Së dyti kjo qendër krjoi një konflikt me mjekët, pasi tarifat që u vunë për të ndjekur një konferencë, seminar apo kongres të akredituar dhe që më pas përkthehej në kredite, nuk përballohej nga një pjesë e mirë e mjekëve. Kjo pasi ngritja profesionale e mjekëve u konceptua si detyrë individuale dhe jo si detyrë e institucioneve ku ata punojnë dhe kjo për mua ishte gabim. E megjithatë mndoj se në asnjë mënyrë nuk duhet shkrirë, por kjo qendër duhet të riorganizohet”, përfundon Kalo.

Por ndërsa vendimi për shkrirjen e kësaj qendre, është bërë e ditur në daljen e parë publike të qeverisë “Rama 2”, duket se vetë ky insitucion nuk është në dijeni se çfarë do të ndodhë.

Për ish ministrin e Shëndetësisë, Tritan Shehu, kjo është t’i japësh shëndetësisë goditjen vdekjeprurëse. “Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse për cilësinë e punës së mjekëve dhe kjo është për mua paralelisht me një politikë të gabuar që po shihet shëndetësia, duke e bashkuar me Ministrinë e Punës. Ta bësh këtë është t’i japësh goditjen vdekjeprurëse shëndetësisë”, na thotë ai.

Për ish ministrin e shëndetësisë është e gabuar edhe delegimi i kësaj kompetence tek shkolla e adminitrastës sepse edukimi në vazhdim i mjekëve nuk mund të jetë asesi i njëjtë me atë të profesioneve të tjera.

“Futja e qendrës së edukimit në vazhdim të bluzave të bardha nën suazën e shkollës së administratës publike e prish zinxhirin e edukimit në vazhdim të mjekëve. Sistemi shëndetësor ka specifika krejt të tjera e nuk mund të ngatërrohet me profesionet e tjera. Sistemi shëndetësor ka punë shkencore, ka kërkim… Sigurisht që duhet të përmirësohet, duhet të jetë më e thellë, por kjo nuk ëhstë mënyra e duhur si po bëhet.”

Pëllumb Pipero, profesor në Universitetin e Mjekësisë por që ka mbajtur edhe për rreth 5 vite postin e drejtorit të politikave në ministrinë e Shëndetësisë ( 2009-2014) e konsideron një lëvizje të gabuar. “QKEV ka dhënë prova që ka pasur eficiencë, sigurisht që është një fazë foshnjore, por politika duhet të mendojë se si ta forcojë atë në bazë të kompetencave”, thotë Pipero për Citizens Channel.

Por ndërsa ekspertët parashohin se shkrirja e qendrës së edukimit në vazhdim nuk do të sjellë asgjë për rritjen profesionale të mjekëve, përkundrazi, vetë të prekurit nga kjo skemë e re nuk e kanë të qartë se çfarë do të ndodhë.

“Përveç asaj deklarate në media, ne ende nuk kemi ndonjë gjë konkrete dhe as nuk jemi vënë në dijeni, – na thotë Entela Shehu, drejtoreshë e QKEV-së”, – ne aktualisht vazhdojmë të punojmë njësoj, dhe nëse do të ndodhë diçka, besoj se kjo do të ndodhë në të ardhmen dhe jo tani për momentin”, përfundon ajo.

Neutral përpiqet të qëndrojë edhe presidenti i “Urdhërit të Mjekut” të Shqipërisë. “Ende nuk e kemi të qartë se çfarë do të ndodhë, – thotë për Citizens Channek Fatmir Brahimaj, president i UMSH. – Edukimi në vazhdim është një element shumë i rëndësishëm në punën e mjekut, por nuk e kemi të qartë nëse do të vazhdojë të jetë me kredite apo do të ndryshojë. Megjithatë unë mendoj se ky është një farë metri i domosdoshëm që i vihet edukimit, pasi që një mjek të rilicencohet duhet të ketë kreditet e nevojshme”, përfundon Brahimaj, që ashtu si gjithë mjkët është në pritje se çfarë do të ndodhë me ta.

Autor: E.K / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *