Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Cilësia e keqe e rrugëve dhe shkelja e Kodit Rrugor, ‘vrasësit’ kryesorë të shqiptarëve

Asnjë nga akset rrugore shqiptare nuk plotëson kushtet e një autostrade apo rruge të sigurtë, sipas Kodit Rrugor. Citizens Channel sjell një vëzhgim se si duhet të jetë një rrugë e sigurtë dhe çfarë ndodh aktualisht me shifrat e frikshme të aksidenteve që fajtorë bëjnë këdo, që nga shoferi dhe deri tek këmbësori.

Rrugët shqiptare vazhdojnë të prodhojnë viktima nga aksidente, të cilat në statistikat e policisë dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar, përgjegjësia mbetet tek mungesa e standardit në ndërtim, parametrat e ulëta të sigurisë dhe drejtimi i mjetit në shkelje të Kodit Rrugor.

Duke iu referuar shifrave të fundit të shtatorit 2017, sipas Institutit të Statistikave, aksidentet e konsideruara me pasoja të rënda, janë 172 të tilla. 10% e tyre kanë qenë me pasoja fatale, duke prodhuar 17 viktima.

Sipas të dhënave të siguruara nga Citizens Channel, në dy vitet e fundit numri i aksidenteve me të lënduar, të dëmtuar rëndë ose me jetë të humbura, mbetet i lartë.

Aksidentet me pasoja sipas qarqeve. Burimi: Policia Rrugore

Qytetet ku ndodhin më së shumti këto aksidente janë Tirana, Durrësi, Lezha, Elbasani, Fieri, Korça, Shkodra dhe Vlora, duke pasur për pasojë dhe numrin më të lartë të të gjymtuarve apo viktimave.

Sipas analizave të Policisë Rrugore shkaku i aksidenteve mbetet për faktin se në këto qarqe ndodhen akset urbane ku lëvizja e automjeteve është më e madhja në të gjithë vendin përgjatë 24 orëve. Mjetet lëvizëse ku dominojnë automjetet e vogëla, autobusët, furgonat, kamionët, si dhe mjetet e transportit me tonazh të rëndë.

Ndërsa disa nga fotot e Citizens Channel tregojnë që edhe motorçikletat përdorin rrugët e shpejtësive të lartë dhe pse është e palejushme.

Akset problematike

Edhe pse autostrada e parë në Shqipëri është ajo Tiranë-Durrës, asnjëherë nuk i plotësoi kushtet që kërkon ligji dhe mbeti një rrugë interurbane. E tillë është dhe rruga Durrës-Kukës, Tiranë-Elbasan, Plepa-Rrogozhinë, Levan-Fier etj.

Në fondin e rrugëve në Shqipëri, përfshirë këtu autostrada ose jo, deri më tani asnjë nuk është e rrethuar nga të dyja anët e saj me mure mbrojtës. Këto masa do të ndalonin hyrjen e qytetarëve në rrugë për të kaluar nga njëra anë në tjetrën, hyrjen e mjeteve të paautorizuara, hyrjen e kafshëve dhe deri në karrocat e punës, siç ndodh rëndom në zona që këto rrugë kryqëzohen me tokat bujqësore apo fshatrat e banuara.

Në disa fotografi të siguruara nga Citizens Channel, rezulton se edhe në rrugët e njohura si autostrada, asnjëra prej tyre s’plotëson kushtet ligjore. Përdorimi në këto rrugë bëhet dhe nga mjete të paautorizuara apo të drejtuara nga shoferë dhe motorçiklistë që nuk respektojnë sigurinë elementare: atë të vendosjes së skafandës mbrojtëse.

Referuar tabelave të aksidenteve sipas qarqeve, në Tiranë përgjatë periudhës 2015-217 kanë ndodhur mbi 2 mijë të tillë.

Sikur të mos mjaftonte numri i lartë i viktimave, ajo që del nga analiza e shkaqeve bën fajtorë shoferët, pasagjerët, motoçiklistët, këmbësorët dhe çiklistët.

Një tjetër shqetësim i nxjerrë nga raportet e policisë është fakti se vetëm pak akse në vend janë të plotësuara me semafor, çka bën që kryqëzimet dhe rrugët me ndërprerje të mos rregullohen me përparësinë sipas Kodit Rrugor.

Aksidentet me pasoja Tiranë. Burimi: Policia Rrugore

Zyrtarisht nuk ka një shifër të saktë në lidhje me semaforët në rang vendi, por jozyrtarisht mësohet se nuk ka më shumë se 100 të tillë që janë funksionalë dhe shumica ndodhen në Tiranë, Durrës, Fier e Vlorë.

Pjesa tjetër e vendit ka një numër të kufizuar dhe 80 % e zonave urbane janë të pambuluara nga sinjalistika e semaforit, çka konsiderohet një mungesë e standardit të sigurisë dhe një boshllëk i rrezikshëm për përdoruesit e rrugës.

I vetmi qytet që ka një sallë monitorimi të trafikut është Tirana. Por menaxhimi i kësaj salle është në nivele kritike, pasi në shumicën e kohës semaforët që kërkohen nga kalimtarët për të kaluar vijat e bardha me anë të shtypjes së butonit të përparësisë, nuk janë funksionalë.

Një tjetër mungesë e standardit të sigurisë rrugore janë edhe korsitë e emergjencës apo të dedikuarat, ku përfshihen hapësirat e kalimit për autoambulancat, mjetet e zjarrfikseve, autoshkollat, zonat pedaluese apo kalimet e dedikuara.

Ndërkohë që në botë, prej vitesh aplikohet standardi ISO 39001për sigurinë e qarkullimit rrugor dhe menaxhuesve të rrugës, në vendin tonë, në autostrada Interurbane dhe Urbane, mungesa e sigurisë nis që në ndërtimin e tyre e më pas zgjat me dekada.

Në një reagim për Citizens Channel, kreu i Policisë Rrugore, Mital Tola shprehet se “shkaku kryesor i aksidentve janë shoferët që nuk respektojnë Kodin Rrugor, rrugët që nuk kanë parametrat e sigurisë, cilësia e asfaltit dhe sinjalistika e detyrueshme”.

Sipas Tolës, akset e rrezikshme vazhdojnë të mbeten nga Tirana drejt veriut ‘’Kamëz-Nikël-Laç-Lezhë-Shkodër’’ si dhe Rruga e Kombit gjatë stinës së dimrit. Po aq të rrezikshme, sipas tij, mbeten edhe Elbasan-Qafë Thanë, Gjirokastër-Kakavije, si dhe Rrogozhinë-Fier, për shkak se shoferët në këto akse përdorin shpejtësi tej normave të lejuara.

Kategoritë e përfshira në aksidente. Burimi: Policia Rrugore

Autor: A. R

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *