Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Aeroporti i ri i Vlorës kërcënon ekosistemin në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë

Dy ditë më parë kryeministri i vendit, Edi Rama, njoftoi në faqen e tij zyrtare në Facebook se një investitor ka shprehur interesin për ndërtimin e një aeroporti kombëtar në Vlorë. Po në të njëjtin status thuhet se punimet do të nisin në qershor.

Sipas projektit të tri kompanive, që e kanë paraqitur në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, aeroporti është parashikuar të ndërtohet në zonën e quajtur Akërni, e cila ndodhet në brendësi të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë.

Prandaj planet për ndërtimin e aeroportit kanë sjellë menjëhere reagimin e ekspertëve të mjedisit.

Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri në një deklaratë publike thotë se “ndërtimi i një infrastrukture të tillë kërcënon rëndë integritetin ekologjik të zonës”.

“Ndërtimi i një aeroporti të ri, është padyshim një lajm i përgëzueshëm dhe i mirëpritur për shumicën e publikut, megjithatë vendndodhja e propozuar e ndërtimit të këtij aeroporti është e papërshtatshme dhe mjaft e dëmshme për natyrën dhe biodiversitetin e lartë të zonës. Vjosë-Narta, përfaqëson një ndër zonat më të dalluara në vend përsa i përket vlerave të biodiversitetit, në veçanti atij avifaunistik. Kjo zonë, njihet ndërkombëtarisht si zonë e rëndësishme për biodiversitetin në nivel global; është pjesë e rrjetit Emerald të zonave me Rëndësi të Veçantë Ruajtje; është njohur nga BirdLife International si Zonë e Rëndësishme për Shpendët në nivel Global; është zonë nën vlerësim për rrjetin Natura2000 në Shqipëri dhe mbi të gjitha është pjesë e rrjetit kombëtar të Zonave të Mbrojtura.”

Sipas Shoqatës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri zona do të kërcënohet si pasojë e tjetërsimit të habitateve gjatë fazës së investimit dhe shqetësimit gjatë fazës së operimit dhe është në kundërshtim me normat rregullatore e ligjore për zonat e mbrojtura.

“Bazuar në standarted dhe ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare për menaxhimin e zonave të mbrojtura dhe zonave me vlera të larta natyrore, ndalohet ndërtimi i veprave të tilla të cilat kanë një impakt shkatërrues në ekosistem”, thuhet më tej në reagimin e shoqatës në faqen e saj zyrtare në Facebook.

Në faqen e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura thuhet se Narta është laguna e dytë në vënd për nga rëndësia për shpendët e ujit. Shtëpia e mbi 20000 shpendëve dimërues dhe mbi 40 llojeve. Gjithashtu është vend ushqimi për pelikanin dhe ku shihen rregullisht flamingot. Përreth lagunës gjëndet një florë dhe faunë e pasur tipike e ligatinave mesdhetare.

“I bëjmë thirrje institucioneve përkatëse për të ri-konsideruar vendin e përzgjedhur për ndërtimin e aeroportit dhe jemi të gatshëm të ofrojmë bashkëpunimin tonë teknik dhe shkencor në vlerësimin e vendndodhjeve alternative të cilat nuk do të cënojnë integritetin e zonave të mbrojtura dhe do të rrjedhin nga një proces i përgjithshëm i konsultimit me publikun dhe palët e interest”, përfundon reagimin e saj Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *