Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Liria e medias, në katër ditë dy gazetarë të kërcënuar me armë

Vetëm pak ditë pas breshërisë së plumbave mbi banesën e prindërve të Klodiana Lalës është kërcënuar edhe gazetari i Report Tv, Julian Shota. Mëngjesin e sotëm ai ka shkuar në lokalin në pronësi të shtetasit Llesh Buraku, 53-vjeç, pasi ishte njoftuar për një shpërthim eksplozivi por është kërcënuar nga pronari i lokalit pasi ky i fundit nuk ka dashur që ngjarja të transmetohet në media.

Rrëfimi i gazetarit për Report Tv vijon si më poshtë:

Në mëngjesin e sotëm u njoftova për shpërthimin e një eksplozivi në një lokal në qytetin e Laçit, në lokalin e shtetasit Llesh Buraku. Shkova dhe iu prezantova si gazetari i Report Tv, ndërsa ai u përgjigj me tone kërcënuese se kjo ngjarje nuk do dalë në media. I kam thënë se jam i detyruar ta raportoj, sepse edhe nëse nuk e bëj unë, do jetë policia që do ta raportojë. Jo, tha, nuk do e raportojë as policia dhe as ju. Mu drejtua se nëse kjo ngjarje del në media, do kemi punë personalisht bashkë.

Kam qenë unë dhe gazetari i News 24 në vendin e ngjarjes. Në atë moment nxori telefonin dhe filloi t’i bënte foto makinës dhe targave të automjetit. Mu drejtua se kush je dhe nga vjen. I jam përgjigjur se jam Julian Shota. Më pyeti je nga Fushë Kruja? I jam përgjigjur me po. Më pas më tha se do vij të të gjej. Në momentin kur tentova të largohem, zotëria tentoi të më marrë telefonin. Unë nuk ia dhashë. Ai nxori nga brezi një pistoletë, e mbushi dhe tentoi të më qëllonte. Në atë moment ndërhyn disa të afërm të tij, duke i bllokuar dorën.

https://www.youtube.com/watch?v=oaNpevVT7ik

Pas kërcënimit me jetë, gazetari Julian Shota i është drejtuar shefit të komisariatit të Kurbinit, duke e vënë në dijeni për ngjarjen por përgjigja që ka marrë prej tij ka qenë: “Jam me leje, të fala”. Julian Shota thotë se pasi lajmi u bë publik, instancat e shtetit reaguan dhe autori është shoqëruar për në komisariat.

Menjëherë pas kësaj ngjarje prokuroria ka nisur hetimet lidhur me kërcënimin që i është bërë gazetarit.

 

Kërcënimi ndaj Klodiana Lalës/ Autorët ende të paidentifikuar

Ende nuk janë bërë të ditur se kush janë përgjegjësit e të shtënave me breshëri kallashnikovi drejtuar banesës së prindërve të Klodiana Lalës, 4 ditë më parë. Fatmirësisht, askush prej familjarëve të saj nuk mbeti i lënduar. Vetë gazetarja përmes një statusi në “Facebook” deklaroi se dyshon që sulmi është rezultat i punës së saj si gazetare investigative.

Brenda 4 ditëve sulmohet shtëpia e prindërve të një gazetareje dhe kërcënohet drejtpërdrejt një tjetër gazetar në qytetin e Laçit për shkak se kërkonte të raportonte krim të ndodhur pranë lokalit të shtetasit Llesh Buraku.

Liria e medias në Shqipëri vazhdon të jetë larg standardeve të vendeve të Bashkimit Europian. Në Indeksin mbi Lirinë e Medias për vitin 2017 të publikuar nga organizata ndërkombëtare “Reporters Without Borders” (Reporterët pa Kufij) vendi ynë renditet në vendin e 75-të, nga 180 vende të marra në studim për Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.

*Citizens Channel /F.R/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *